Forumi Horizont | Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit » Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- FK Teuta (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=349)
Mancaku: Besa, ndeshje delikate
Duke e konsideruar një lloj derbi, sulmuesi flet me këmbët në tokë për ndeshjen e radhës
Bledar Mancaku, pika kyçe e sulmit të Teutës, e konsideron delikate ndeshjen e radhës me Besën. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", Mancaku do të komentonte diçka rreth kësaj ndeshjeje.
- Ndeshja e radhës mban emrin Besa për ju. A do të qëndroni sërish në krye, në përfundim të fazës së parë të kampionatit?
- Dëshira dhe mundësitë për një gjë të tillë janë të mëdha. Megjithatë, duhet pritur përfundimi i 90 minutave të ndeshjes të së shtunës që po vjen, për të parë sesi do të rrjedhin ngjarjet. Këtu kam parasysh edhe ecurinë e rivalit direkt për vendin e parë, Partizanit, i cili do të luajë një ndeshje jo fort të lehtë jashtë fushës së tij, ndaj Shkumbinit. Sidoqoftë, për ne, ndeshja me Besën është delikate, sepse na duhet me çdo kusht fitorja. Gjithsesi, kjo nuk është e lehtë, sepse përballë do të kemi një Besë të fortë, së cilës i duhen patjetër pikë.
- Pra, nuk jeni optimist për këtë ndeshje?
- Jo, nuk është kështu. Unë, ashtu si e gjithë skuadra, jam optimist se do t'ia dalim me sukses. Kur thashë se na pret një ndeshje jo e lehtë, nuk desha të minimizoja mundësitë e fitores sonë, por desha të vlerësoja kundërshtarin, sigurisht me të drejtë, sepse e meriton. Sidoqoftë, ne do të zbresim në fushë vetëm për fitore dhe shpresoj se do ta arrijmë.
- Sa do të ndikojnë në lojën e Teutës mungesat e disa futbollistëve për arsye kartonësh apo dëmtimesh?
- Jo dhe aq shumë, sepse stoli që kemi është plotësisht i aftë t'i zëvendësojë këto mungesa. Një gjë të tillë, futbollistët rezervë të Teutës e kanë bërë më së miri edhe në ndeshjen me Tiranën dhe me Flamurtarin, ku mungesat ishin jo të pakta.
- Si e komenton Mancaku faktin që Teuta shpërdoron shumë raste për gol?
- Nuk mendoj se është ndonjë problem aq shqetësues. Rëndësi ka fakti që ne po shënojmë aq gola sa të fitojmë ndeshjet dhe të marrim pikët e plota. Çdo ekip humbet raste. Për mua, e rëndësishme është të krijosh raste. Teuta, vetëm në dy ndeshjet e fundit, ka shënuar 5 gola, që nuk janë pak për një ekip futbolli, aq më tepër që 3 prej tyre janë shënuar në portën e Tiranës.
- A mendoni se do të sjellë spektakël ndeshja me Besën, sepse mund të konsiderohet një lloj derbi?
- Mendoj se po. Tradicionalisht, ndeshjet mes Teutës dhe Besës janë shoqëruar edhe me spektakël dhe, ç'është më kryesorja, në to janë shënuar shumë gola.
- A do t'i rikthehet golit Mancaku në këtë ndeshje?
- Nuk mund t'i jap një përgjigje të prerë kësaj pyetjeje. Realisht, do ta dëshiroja një gjë të tillë.
- A ju nxit fakti që Brigeli ka shprehur interes ndaj jush?
- Sigurisht. Çdo futbollist e ëndërron ekipin kombëtar. E rëndësishme është të luaj sa më mirë dhe t'i shërbej sa më mirë Teutës. Natyrisht, unë e vlerësoj në maksimum edhe interesimin e trajnerit të ekipit kombëtar, gjë që do të thotë më shumë punë për mua.
Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 30 31 32 33 34 35 36 37 38 [39] 40 41 42 43 44 45 46 47 48 » ... E fundit » Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.