Forumi Horizont Gjithsej 17 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 7 8 9 10 11 12 13 » ... E fundit »
Trego 17 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Shkumbini (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2269)


Postuar nga qershor13 datë 02 Tetor 2003 - 17:57:

Sekretari i klubit "Shkumbini" premton përkrahje financiare për futbollistët e skuadrës
Lluca: Rezultatet pozitive do të shpërblehen


Futbollistët peqinas kanë zhvilluar dje ndeshjen e dytë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ndaj Skënderbeut të Korçës. Përveç fitores dhe kualifikimit për më tej, bardhekaltrit kanë shijuar edhe kënaqësitë e para financiare për këtë sezon. Kualifikimi për më tej në kupë do të shoqërohet me një shpërblim prej 10.000 lekësh të reja për çdo futbollist. Sikurse duket, analiza e gjatë e zhvilluar pas ndeshjes me Flamurtarin duket se ka shërbyer si një pikë kthese për Shkumbinin dhe për futbollistët e tij. I këtij mendimi është edhe sekretari i klubit, Naim Lluca, i cili garanton se, me gjithë vështirësitë financiare që po kalon Shkumbini, futbollistët do të marrin herë pas herë shpërblime të këtij lloji. "Futbollistëve u është premtuar ky shpërblim prej 10 mijë lekësh për secilin dhe do ta marrin, sepse kështu do të stimulohen më tej për të ardhmen. E nisëm nga ndeshja me Skënderbeun, një kundërshtar relativisht i lehtë në kupë dhe do ta vijojmë këtë mënyrë shpërblimi me futbollistët edhe në ndeshjet e kampionatit, duke filluar që këtë javë, me Besën, ku shpresojmë të marrim fitoren e parë," - deklaron sekretari Lluca.

------------------/////////////-----------------

Shkumbini, "autokritikë" në ndeshjen e Kupës

Edhe pse fitoi bindshëm, me rezultatin 4-1 ndaj Skënderbeut, dhe e kaloi turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, Shkumbini duket se nuk e ka kënaqur trajnerin Luan Deliu. Ky i fundit, pas përfundimit të 90-minutëshit të djeshëm me korçarët, ka pohuar se nuk kishte mbetur plotësisht i kënaqur me ekipin e vet. Sipas tij, Shkumbini ka pasur epërsi gjatë gjithë lojës, ka shënuar 4 herë, por ka bërë atë që nuk duhej, ka humbur mjaft raste të pastra goli. Megjithatë, sikurse kuptohet, trajneri i peqinasve duket se e ka përqendruar vëmendjen e tij vetëm te ndeshja e radhës në kampionat. Një gjë të tillë e tregon qartë edhe zhvillimi i një seance stërvitore pas përfundimit në ndeshjes së kupës me Skënderbeun. Në të kanë marrë pjesë jo vetëm futbollistët që e ndoqën ndeshjen nga stoli, por edhe ata që u aktivizuan në të disa minuta, apo gjatë gjithë lojës. Kjo ngutje në stërvitje, sipas Deliut, është e nevojshme, sepse futbollistët e tij duhet të marrin ngarkesën e duhur fizike para ndeshjeve të kampionatit. "Në qoftë se duam të arrijmë rezultatet e dëshirueshme, gjithçka duhet nisur nga stërvitja. Futbollistët duhet të marrin ngarkesën e duhur fizike, sepse kampionati është i gjatë dhe konkurrenca është e madhe," - shton trajneri i Shkumbinit. Gjithashtu, Deliu është i mendimit se takimi i fundit me Skënderbeun i ka shërbyer ekipit të tij si test para ndeshjes të së shtunës me Besën, në kampionat.


  Gjithsej 17 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 7 8 9 10 11 12 13 » ... E fundit »
Trego 17 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.