Forumi Horizont | Gjithsej 19 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 7 8 9 10 11 12 13 » ... E fundit » Trego 19 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS Egnatia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=3100)
Në kampin e Egnatias, takimi me ballshiotët është vlerësuar si asnjëherë tjetër
Bano: Na duhet të ndalim Bylisin
Egnatia ishte ndër të paktat ekipe të A2-shit që përballë Teutës, me reputacion e ambicie, tregoi "dhëmbët". Duket se kupa u ka shërbyer rrogozhinasve si test në prag të takimit me Bylisin, që këtë javë mund të quhet kryendeshja e A2-shit. Një ndër protagonistët e kësaj sfide të ardhshme, veterani i Egnatias, Artan Bano, shpreh optimizmin e tij dhe të ekipit se në Ballsh do të udhëtojnë për një rezultat pozitiv. Ja si shprehet për "Sportin shqiptar" sulmusi i Egnatias, Artan Bano.
- A ju vjen keq që Egnatia u eliminua nga kupa vetëm me golin e pësuar në Rrogozhinë?
- Që të jem i sinqertë me lexuesit, ne e prisnim një eliminim nga Teuta për shumë faktorë, që tashmë të gjithë i dinë. E rëndësishme për ekipin ishte të maste realisht forcat ndaj durrsakëve më shumë për të besuar se ç'jemi në gjendje të bëjmë. Objektivi ynë nuk ishte kupa, pasi për ne ajo është "kafshatë e madhe". Synimi ynë tashmë i bërë publik është futja e Egnatias në A1.
- Cili është synimi juaj në takimin ndaj Bylisit?
- E kemi vlerësuar në maksimum këtë takim. Stërvitja e kësaj jave ka qenë e tëra në funksion të këtij takimi. E vlerësojmë kundërshtarin, i cili me meritë kryeson grupin, por edhe ne nuk jemi në asnjë komponent jashtë tyre. Synimi ynë në këtë takim është marrja e pikëve maksimale. Për këtë vlen edhe "pushimi" që na dha trajneri ne, titullarëve. Ky takim është shumë përcaktues edhe për pozicionin tonë në klasifikim deri në fund të fazës së parë. Pastaj, po nuk e thyem ne Bylisin, kush prisni ta thyejë? Veleçiku, Erzeni apo Besëlidhja?
- Jeni shumë optimist, por a e keni parasysh që përballë do të keni sulmues të tillë, si Bubeqi, Elezi, etj.?
- Ju e dini që unë jo vetëm kam luajtur sulmues, por i kam tundur me dhjetëra herë rrjetat kundërshtare dhe këto të gjitha në kategorinë e parë. Kam luajtur jo pak herë edhe përballë Bubeqit dhe Elezit. Me këto dua të them se e njoh deri në perfeksion lojën e sulmuesit dhe besoj se kjo eksperiencë do të më shërbejë për t'ua bërë sa më shumë të pamundur atyre që të shënojnë në portën tonë. Ky është angazhimi im, por nuk duhet harruar për asnjë çast se Bubeqi, gjëja që di të bëjë më mirë është të shënojë gola. 6 golat e shënuar nga ai e vërtetojnë këtë më së miri.
- Flitet për një shpërblim të lartë në rast fitoreje?
- Që shpërblimi është motiv më vete, kjo as që diskutohet. Veçse duhet ta keni të qartë se nuk mjaftojnë vetëm paratë, por duhet pasion, dëshirë, luftë e ndershme sportive dhe elementë cilësorë në ekip. Të gjitha këto Egnatias nuk i mungojnë.
Gjithsej 19 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 7 8 9 10 11 12 13 » ... E fundit » Trego 19 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.