Forumi Horizont Gjithsej 82 faqe: « E parë ... « 38 39 40 41 42 43 44 45 46 [47] 48 49 50 51 52 53 54 55 56 » ... E fundit »
Trego 82 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Ceshtja kosovare dhe me gjere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=162)
-- Pavarsia e Kosoves (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=351)


Postuar nga Petrit Kola datë 04 Nëntor 2006 - 01:31:

Lost_Soul

PAVARSIA E KOSOVES DUHET TE VINTE SI NJE E DREJTE E PLOTE DHE NJE NDESHKIM PER SERBET DHE JO SI NJE FARE KOMPROMISI.

Shkruan: Arlinda Desku Gazeta “EXPRESS”

Në pakon e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari nuk ka përmendur fjalën pavarësi. Por, kompetencat që janë dhënë në këtë dokument - kanë vetëm një domethënie: pavarësi me sovranitet të kufizuar. Kjo është e ardhmja, ashtu siç e ka projektuar finlandezi. Një shtet, me eufemizma. Në 53 faqe.

PRISHTINË, 29 tetor 2006

Një shtet të skicuar në letra - ka dorëzuar Martti Ahtisaari në Grupin e Kontaktit, kur më 21 tetor ka hedhur mbi tavolinë pakon e statusit të Kosovës, brenda së cilës ka projektuar të ardhmen e vendit të administruar nga Kombet e Bashkuara.

Finlandezi, i cili dhjetë muaj më parë ka marrë përsipër zgjidhjen e një konflikti të zorshëm, me një kujdes të hollë ka zgjedhur gjuhën për "fundin e lojës", pas negociatave të pasuksesshme mes shqiptarëve dhe serbëve. Diplomati me karrierë të begatë diplomatike ka gjetur çelësin - në eufemizma, kur ka përshkruar statusin e Kosovës.

Një kompromis me fjalë, për Rusinë dhe Kinën, dy vendet që për çështjet e tyre të brendshme - përdorin Kosovën si luftë në Këshillin e Sigurimit të OK-B‘së. Një zyrtar i lartë i Grupit të Kontaktit, i cili ka lexuar dokumentin, ka treguar se përmbajtja e tij flet për pavarësinë. "Fjala pavarësi nuk ekziston në tekst. Megjithatë, është e qartë se kompetencat sovrane që janë dhënë në këtë dokument - kanë vetëm një domethënie: pavarësi me sovranitet të kufizuar". Pako nuk do të jetë e lidhur me fjongo të kuqe - si një dhuratë e mrekullueshme për Prishtinën dhe as për Beogradin. Shqiptarët do të shohin se kanë fituar një shtet të cunguar, ndërsa serbët do ta kuptojnë se kanë humbur përfundimisht sovranitetin mbi territorin e pushtuar gjatë. "Nuk ka ndodhur diçka që nuk është pritur. Të dyja palët, në fakt, e kanë ditur këtë përfundim, pak a shumë", ka thënë ky zyrtar i Grupit të Kontaktit. Finlandezi ka rekomanduar shtetin më të ri në Ballkan, i cili shënon shkatërrimin e fundit të ish Jugosllavisë, me një sovranitet të kufizuar - ku bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë të mbetet aty, me kompetenca në fusha të rëndësishme.

Bashkimi Europian merr sovranitetin.

Një shtet pa ulëse në OKB, pa Ministri të Jashtme dhe pa ushtri. Por, për të tria këto atribute shtetërore - ka gjetur shefi zëvendësime. Me kompromis fjalësh.

Martti Ahtisaari, dy muaj më parë, ka prezantuar para Grupit të Kontaktit idetë e tij preliminare për statusin, ndërsa para një jave - ka dorëzuar anekset. "Më 31 gusht ka sjellë tekstin bazë, ose dokumentin kryesor. Më 21 tetor, ndërkaq, ka dhënë 11 anekset".

Finlandezi, i cili ka ndërmjetësuar procesin e paqes ndërmjet Indonezisë dhe Lëvizjes për Lirinë e Aceh‘ut më 2005, si dhe udhëheqjen e operacionit të OKB‘së UNTAG në Namibi në vitin 1990, ka përmbyllur edhe kaptinën e Kosovës në dokumentin 53 faqesh.

Ai është duke pritur komentet nga Grupi i Kontaktit për rekomandimet e tij. Përpos vendimeve të papritura që mund të ndodhin, gjërat janë të qarta.
Pako e Ahtisaarit mund të ndryshojë vetëm nëse një gjë të tillë e konsideron Grupi i Kontaktit, me intervenimet eventuale.

Negociatat për Kosovën tashmë kanë kaluar mes anëtarëve te GK, pas atyre mes shqiptarëve dhe serbëve, të zhvilluara në Pallatin Auersperg, ku palët kanë dhënë qëndrimet e tyre për decentralizimin, trashëgiminë kulturore, të drejtat e minoriteteve dhe çështjet e ekonomisë.

Një zyrtar i lartë i këtij mekanizimi ka sqaruar detajet.

"Pako, pa tekstin kryesor, ka - 44 faqe. Ndërsa, teksti kryesor ka - 9 faqe. Pakoja u është dhënë anëtarëve të Grupit të Kontaktit me numra, për çdo delegacion, për shembull, 1, 2, 4...6... për shkak të sigurisë". Ai ka shpjeguar se hyrja e pakos paraqet në mënyrë të përgjithshme zgjidhjen e statusit - nenet që kanë të bëjnë me parimet e përgjithshme.
Ka bërë të ditur, po ashtu, se faqja e parë e tekstit kryesor i është treguar një pjesë të Delegacionit të Kosovës, më 7 shtator, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka thënë se neni i parë ka të bëjë me statusin dhe është në këtë faqe. "Mes tjerash, në këtë faqe thuhet se vendi juaj duhet të ketë ‘treaty-making powers‘, kompetenca për të lidhur marrëveshje ndërshtetërore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësim, në organizatat ndërkombëtare. Kjo është gjëja më e rëndësishme për statusin".
Emisari i OKB‘ së për Statusin e Kosovës, pas raportimit të tij të fundit në New York, është shprehur se palët në negociata nuk do të habiten nga propozimi i tij për statusin, meqë në pako do të përfshihen çështjet e diskutuara në Vjenë. Decentralizimi - tema që ka shtjerrë energjitë e delegacioneve të të dyja kryeqyteteve, rreth së cilës ka pasur qëndrime diametralisht të kundërta, është mbyllur me numrin e komunave të reja, por mbetet e hapur për zgjerimin e territoreve.

Martti Ahtisaari ka pranuar ofertën e fundit të Prishtinës, e cila kishte bërë kompromise të mëdha dhe të dhimbshme.

Zyrtari nga GK, që ka lexuar pakon, ka treguar hollësitë.

"Presidenti Ahtisaari ka propozuar 5+1 komuna të reja. Kryesisht është propozimi i Kosovës. Gracanica, Mitrovica Veriore, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti dhe zgjerimi i Novo Bërdos... Numri i komunave mbetet i njëjtë me atë që ka ofruar vendi juaj, p or numri i territorit të këtyre komunave nuk është i njëjtë. Duket se do të ketë shtim të zonave kadastrale". Statusi i ri i Kosovës, i vendosur me Rezolutën e re nga Këshilli i Sigurimit, fillimisht pritet të njihet ndërkombëtarisht - ashtu siç definohet në pakon e Martti Ahtisaari.

Zyrtari nga GK ka pohuar se - pas aprovimit të Rezolutës së re nga Këshilli i Sigurimit, do të ketë qëndrim të përbashkët të Bashkimit Europian. "Spanja dhe Greqia nuk mund ta parandalojnë këtë, për shkak të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën", ka thënë ai. Nuk është ende e qartë nëse pakoja e statusit do të jetë si aneks i Rezolutës së KS, apo do të përfshihet në pjesën hyrëse të tekstit.

"Rezoluta mund ta përmbajë tekstin hyrës dhe anekset e tanishme, ose Rezoluta mund të jetë e shkurtër dhe gjithçka tjetër të jetë aneks i saj". Këshilli i Sigurimit do të nxjerrë një rezolutë të re për Kosovën, me të cilën hedhet poshtëë Rezoluta 1244, si i vetmi link që mban të lidhur Kosovën me Serbinë.

Në Rezolutën e re i jepet fund misionit të UNMIK‘ut dhe autorizohet vendosja e prezencës së re ndërkombëtare - civile dhe ushtarake. Të tjerat pastaj, kalojnë në Prishtinë.

Kuvendi miraton Kushtetutën e re të Kosovës, në preambulën e së cilës do të thuhet se - Kosova është shtet i pavarur, dhe njëkohësisht shpall edhe pavarësinë. Qeveria e Kosovës, pastaj, kërkon njohjen zyrtare dhe aplikon në organizatat ndërkombëtare, veç e veç.

Për ulësen, ministritë, ushtrinë...

Qëndrimi me ngulm i palës shqiptare se Kosova do ta ketë pavarësinë e plotë, nuk është përfshirë në 53 faqet e Martti Ahtisaarit. Ulësja për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësimi në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare - nuk janë rekomanduar në mënyrë eksplicite nga finlandezi.

Zyrtari nga Grupi i Kontaktit ka bërë të ditur përmbajtjen.

"Çështja e anëtarësimit në OKB - nuk është përmendur në pako. Por, sipas dokumentit, Kosova do të ketë të drejtë të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Unë këtë gjë e interpretoj në këtë mënyrë: pas një kohe, 1-2 vjet, pas aprovimit të Kushtetutës, zgjedhjeve të reja, Qeverisë se re, Kosova do të jetë në gjendje të aplikojë për anëtarësim formal (zyrtar) në OKB. Madje edhe Ish-Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës dhe ish-Republika Socialiste Sovjetike e Bjellorusisë kanë qenë anëtare të OKB‘së gjatë kohës së BRSS".

Emisari i OKB‘së për Statusin, po ashtu, nuk ka rekomanduar Ministrinë e Jashtme për Kosovën, por kjo nuk duket të jetë problem i madh. "Jo, as kjo nuk është përmendur në pako, si e tillë". Zyrtari nga GK, i përfshirë në mbylljen e kaptinës së procesit negociator, është i bindur se kjo çështje nuk do të pengohet.

"Për mua është e qartë se Qeveria e ardhshme e Kosovës mund ta ketë këtë Ministri".

Kosovarët do të mund të ndjehen më të çliruar, kur të kuptojnë rekomandimin e Martti Ahtisaarit për ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Edhe pse me kujdes, në këtë pikë të ndjeshme, ai ka paraparë forcën mbrojtëse, në pakon e tij. Por, duke mos qenë i drejtpërdrejtë me emërtimin. Fjala ushtri - nuk ekziston në tekst. "Në vend të saj - është Forca e Sigurisë së Kosovës (Kosovo Security Force), që sinqerisht është e njëjta gjë".

Numri i përgjithshëm i pjesëtarëve aktivë do të jetë 2500, ndërsa 800 do të jenë rezervë, të armatosur lehtë. Zyrtari nga Grupi i Kontaktit ka sqaruar tutje se pako e Martti Ahtisaarit parasheh edhe Ministrinë e Mbrojtjes.

"Po, do të ketë Ministri të Mbrojtjes. Mirëpo, emërtimi i saktë është - Civilian Led Organization. Për mendimin tim, është plotësisht e pakuptueshme kjo, sepse duhet te quhet qartë se është Ministri e Mbrojtjes. Sqarimi për këtë është bërë për nevojën e gjetjes së një gjuhe të kompromisit".

Takimi i ardhshëm i Grupit të Kontaktit me Emisarin e OKB‘ së për Statusin e Kosovës është caktuar të mbahet me 10 nëntor. Në këtë takim - pritet të dilet me vendim nëse ndryshon ose jo orari aktual për statusin e Kosovës, pasi që Serbia të deklarohet për datën eventuale të zgjedhjeve.

Nëse zgjedhjet në Serbi mbahen para përfundimit të këtij viti, atëherë është e mundshme që Ahtisaari të marrë rekomandimin nga Grupi i Kontaktit për të shtyrë afatin kohor për prezantimin e pakos në Këshillin e Sigurimit.

Por, kur do ta marrin palët në negociata pakon?

"Nëse nuk ndryshon orari aktual për zgjidhjen e statusit, Martti Ahtisaari do të raportojë në Këshillin e Sigurimit diku në muajin dhjetor, ose edhe më herët. Takimi i ardhshëm i GK është me 10 nëntor. Mendoj se deri në këtë kohë, 10 nëntor, të dyja delegacionet - Kosova dhe Serbia, do të marrin propozimet për status. Rusët duan që propozimi së pari t‘u jepet delegacioneve, pastaj të zhvillohen negociata lidhur me pakon për status, e pastaj pakoja të kalojë në Kë shillin e Sigurimit të OKB‘ së". Serbia ka dalë të shtunën dhe të dielën në referendum, për ta votuar Kushtetutën e re, e cila parasheh Kosovën si pjesë të saj. Liderët serbë janë shprehur se Kushtetuta paraqet diskontinuitet me kohën e Sllobodan Millosevic dhe se është më e mirë se e kaluara.

Suksesi i mundshëm i këtij referendumi - sjell mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi, përcaktuesi kryesor për orarin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Nëse Serbia mban zgjedhje parlamentare para përfundimit të vitit 2006, Marti Ahtisaari do të raportojë në janar në Këshillin e Sigurimit. "Kështu e ka në plan. Megjithatë, në janar, kryesues i radhës në Këshillin e Sigurimit është Rusia, prandaj kjo çështje mund të shtyhet për muajin shkurt, kur Sllovakia është kryesuese e radhës", ka pohuar zyrtari nga GK.

Martti Ahtisaarit i është vazhduar kontrata e punës deri në qershor. Sidoqoftë, ai nuk planifikon të qëndrojë si Emisari i OKB‘ së pas çerekut të parë të vitit 2007. "Pra, Ahtisaari qëndron në këtë post më së largu deri më 31 mars të vitit 2007". Finlandezi, në misionin e tij më sfidues, në zgjidhjen e konfliktit shumëvjeçar mes shqiptarëve dhe serbëve, nuk do të arrijë një kompromis mes tyre. Por, zgjidhja e tij do të jetë - kompromis.

Këtë fundjavë, serbët tentojnë të aprovojnë Kushtetutën e re, duke riafirmuar Kosovën si pjesë e Serbisë, përderisa shumica shqiptare e Kosovës aspiron fuqimisht dhe pret me besim një pavarësi të plotë. Grupi Negociator i Kosovës e ka parë Emisarin e OKB‘së si njeri që do t‘i japë fund asaj që ka mbetur e papërfunduar më 1999.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, sapo kishte marrë mbi supe një detyrë të rëndë, me të cilën do t‘i vë majë karrierës, finlandezi ka pranuar se pikëpamja e tij e pasluftës në Kosovë - se pavarësia nuk ishte zgjidhje e duhur, duhet të shikohet në kontekstin e atëhershëm.

***

(Në pakon e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari nuk ka përmendur fjalën pavarësi. Por, kompetencat që janë dhënë në këtë dokument - kanë vetëm një domethënie: pavarësi me sovranitet të kufizuar. Kjo është e ardhmja, ashtu siç e ka projektuar finlandezi. Një shtet, me eufemizma. Në 53 faqe.)

***

(Mes tjerash, në këtë faqe thuhet se vendi juaj duhet të ketë ‘treaty-making powers‘, kompetenca për të lidhur marrëveshje ndërshtetërore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësim, në organizatat ndërkombëtare. Kjo është gjëja më e rëndësishme për statusin.")
***

11 ANEKSET E PAKOS SË STATUSIT

1. Të drejtat e njeriut
2. Të drejtat e komuniteteve
3. Të drejtat e refugjatëve dhe personave të zhvendosur
4. Personat e pagjetur (të zhdukur)
5. Vetëqeverisja lokale dhe decentralizimi
6. Të drejtat pronësore, borxhet, asetet (pasuria)
7. Çështjet e sektorit të sigurisë
8. Konferenca kushtetuese dhe zgjedhjet në Kosovë
9. Mandati i misionit civil ndërkombëtar, roli i pranisë së ardhshme ndërkombëtare, roli i pranisë së ardhshme ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë
10. Misioni ushtarak ndërkombëtar (NATO / KFOR)
11. Klauzolat kalimtare

***

KUSHTETUTA, PAS MIRATIMIT TË REZOLUTËS SË KS

UNOSEK dhe Grupi i Kontaktit e shohin tepër të rëndësishme që Kosova të fillojë përgatitjet për hartimin dhe aprovimin e Kushtetutës së ardhshme. Por, mekanizmat ndërkombëtarë që marrin vendime për të ardhmen e vendit, kanë tërhequr vërejtjen se aprovimi zyrtar i Kushtetutës nuk është i pëlqyeshëm para aprovimit të Rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit.

"Kjo nuk është mirë të bëhet", ka thënë zyrtari i GK. Ai ka shtuar se ndërkohë, para Rezolutës, kosovarët do të mund pajtoheshin rreth trupit që do të merret me hartimin e Kushtetutës. "Ky organ - që quhet ‘Konferencë Kushtetuese‘, do të përbehet nga 18 vetë, prej tyre 14 shqiptarë, 2 serbë dhe 2 nga pakicat tjera. Këta 14 persona duhet të përzgjedhen nga Presidenti i Kosovës, në konsultim me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Një marrëveshje paraprake brenda Ekipit Negociator do të ishte e mirëseardhur. OSBE tashmë ofron ndihmë për ndërtimin e kapaciteteve institucionale. Me aspektet politike të procesit kushtetues do të merren SHBA dhe BE". Për rolin dhe rregulloren e punës për Konferencën Kushtetuese thuhet se duhet të arrihet pajtimi para votimit të Rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, në këtë mënyrë të mos humbet kohë duke u marrë me këtë çështje pas aprovimit të statusit. Ideja fillestare për numrin e kësaj trupe ka qenë 30 + 5 + 5, por tani është zvogëluar në 14 + 2 + 2, me insistimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Megjithatë, aktualisht qëndrimi është që kjo trupë t‘i ketë 18 vetë. Por, edhe pse ky nuk është numri përfundimtar, besoj se kjo është fjala e fundit". Kushtetuta e re e Kosovës, siç ka theksuar Martti Ahtisaari në pakon e tij, duhet të aprovohet nga Kuvendi i tanishëm i Kosovës, me shumicë votash, 2/3 e deputetëve. "Minoritetet nuk kanë të drejtë vetoje, por duhet të konsultohen". Ahtisaari nuk ka paraparë hedhjen e Kushtetutës në referendum.


  Gjithsej 82 faqe: « E parë ... « 38 39 40 41 42 43 44 45 46 [47] 48 49 50 51 52 53 54 55 56 » ... E fundit »
Trego 82 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.