Forumi Horizont | Gjithsej 17 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 7 8 9 10 11 12 13 14 » ... E fundit » Trego 17 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Shkumbini (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2269)
Portieri elbasanas i Shkumbinit kërkon të karikojë skuadrën për sfidën e nesërme
Kotorri: Besa, fitorja e parë në kampionat
Evis Kotorri, portieri i Shkumbinit, rikthehet në ruajtje të portës së kësaj skuadre pas një dëmtimi 1-mujor, që i hoqi mundësinë e aktivizimit në ekipin bardhekaltër. Për takimin e radhës, me Besën, ai është i bindur në suksesin e skuadrës së tij, edhe pse është i ndërgjegjshëm se përballë do të ketë një kundërshtar të përgatitur, të përforcuar me futbollistë e trajner. Për Kotorrin ka ardhur momenti i duhur që Shkumbini të bëjë kthesën e nevojshme e të shumëpritur nga të gjithë. Duke lënë pas dëmtimin, "gardiani" i portës së Shkumbinit pohon se do të bëjë gjithçka për të kontribuar në arritjen e fitores së ekipit të vet ndaj Besës. Sipas tij, ndeshja e nesërme do të jetë suksesi i parë dhe pikët e para në këtë kampionat. "Jam i bindur se takimi me Besën do të jetë kthesa e Shkumbinit në këtë kampionat të nisur mjaft keq. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duhet të arrijmë suksesin. Do të bëj gjithçka në ruajtje të portës, me qëllim që edhe unë të jem pjesë e këtij suksesi, për të cilin kemi aq shumë nevojë në këto momente," - deklaron për "Sportin shqiptar" Kotorri. Portieri i Shkumbinit luajti në takimin e dytë për Kupën e Shqipërisë, përballë Skënderbeut. Për të dhe për trajnerin Deliu, aktivizimi 90-minutësh ndaj korçarëve ishte një test për gjendjen e tij. Gjithçka rezultoi pozitive, prandaj Deliu i ka besuar aktivizimin në ndeshjen e radhës, ndaj Besës. "Shoh një mobilizim të kënaqshëm e një vlerësim nga të gjithë futbollistët për ndeshjen me kavajasit. Kjo më bën të jem optimist për ndeshjen e radhës. Në këtë ndeshje, ekipi duhet të kërkojë me çdo kusht fitoren e parë, që për mua Shkumbini duhet ta kishte marrë që më parë," - gjykon Kotorri, i sigurt për fitoren ndaj Besës. Sipas tij, puna e bërë nga trajneri Deliu, por edhe nga kontigjenti i futbollistëve, nuk i justifikojnë rezultatet negative që ka arritur në këto javë Shkumbini. Për të, kthesa e duhur do të bëhet që këtë javë, ku Shkumbini do të kërkojë 3-pikëshin dhe fitoren e parë në kampionat përballë Besës në fushën e vet.
Gjithsej 17 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 7 8 9 10 11 12 13 14 » ... E fundit » Trego 17 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.