Forumi Horizont Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 41 42 43 44 45 46 47 48 49 [50] 51 52 53 54 55 56 57 58 »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Nje Nder Traditat Shqiptare, (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=7213)


Postuar nga robert datë 07 Dhjetor 2014 - 16:47:

Dhe ngadalë, me muhabet hidhnim hapat. Takuam pas pak edhe një familje tjetër shqiptarësh. Ia nisëm muhabetit e për fat na doli se nusja e tij e kishte mamanë nga fshati i mamasë së Sefos; (unë me Sefon jemi kushurinj nga plaku). E gëzova Sefo vëllain, thashë, tek e shihja se s’po i jepte fund muhabetit. Apo s’kish dhe një grua llafazane ai tjetri, që më rrinte si hu dhe aprovonte me kokë fjalët e së shoqes. Thash me vete, kjo të jetë cicerone tek ato muzetë, ku do që të shkojë kushoja im e ti vizitojë, patjetër e lë kushon gojë hapur me ato përshkrimet e saj, me ato krahasimet, që dhe mua po më habisnin, e lëre pastaj me kujtimet, si ti kish përjetuar vetë!..
-Mos harro se do shohim koloseun! -u ndërhyra, tek ai burr qulli i tjetrës dëgjonte me gojë hapur, a thua se s’kish dëgjuar historira fshati. U ndamë dhe vazhduam drejt shtëpisë. Para pallatit pamë dy fëmijët e kushos, që po luanin me atë të voglin tim, sepse goca ishte e rritur dhe s’para afrohej më tek lojrat. U përziem pak me kalamajtë, të cilët aq donin dhe ia nisnin menjëherë ankimeve po të largoheshim ne. Eh, dreqi e marrtë, kohë rinie! Së fundi arrita të shkëputemi dhe ngjitëm shkallët. Me të hyrë brënda në shpi, të dyja gratë na pritën me ankime, pse ishim vonuar aq shumë. Ato i kish marrë uria, por vetëm prej nesh kishin pritur që të hanin. Gjithshka ishte ftohur. Por kjo s’ishte problem për gratë, sepse menjëherë ato ia nisën ripregatitjes së drekës. Ishte ora katër xhanëm, por ajd mo! Arritëm që vetëm në pesë të uleshim tamam e të hanim, duke bashkuar drek‘ e darkë bashkë. Kur mbaruam komplet, ora kish vajtur shtatë. Unë isha fryrë, por ama edhe kushon e kisha fryrë, sa mezi lëvizte. -O Petrit, vëllai, -lëshoi si i këputur në drejtim të dritares, -erdhi kushua në Romë, e s’të takoi dot. Se Luan kafexhiu s’më la!
-Mbaju, mos biesh, -ia ktheva, -se po të merren këmbët! Pa dhe Petritin do ta takojmë, pa dhe Koloseun do ta shohim.!
E pas dhjetë minutash i rashë telefonit të atij kushos tjetër.
-Si?.. Mami dhe babi kanë dalë!?
-E mo kusho! -iu drejtova Sefo vëllait, -yt kushuri Titi ka dalë në xhiro me damën e vet!
-Me atë skilipelsen? -mu hodh gruaja. Edhe kjo, thashë me vete, nuk pret të ikin njëherë këta kushot e tjerë këtu, por ia lëshon pa e ditur se llafet i merr era. -E moj, -ia ktheva, për të ndrequr diçka, -ajo skilipecja bën sport çdo ditë, e nuk rri kështu si ti me dhjamra!
Dhe nisa gjoja ti tregoja Dritës, gruas së kushos, se si vjet të dy ata, Petriti me të shoqen, e kishin bërë me këmbë përgjatë Tiberit nga mëngjezi e deri në darkë. Vetë na e kishin treguar në telefon.
-Duhet të jetë kënaqsi, të ecësh përgjatë lumit tuaj! -më foli Drita.
-As mos e diskuto, -ia ktheva me të shpejtë, dhe në mëndje më erdhën disa pamje televizori. -Apo nuk e kanë zbukuruar edhe me disa drita me ngjyra!.. Mbrëmjeve në disa zona është vërtet shum-shum bukur. Kam dalë edhe unë me Lumen nga njëherë.
-Po, këtu e dhjetë vjet të shkuara!.. -ma ngopi gruaja, pa e pasur mëndjen unë.
-Po mirë moj bukuroshe, -ia ktheva me të butë, siç e donte vendi dhe kuvendi, -një herë e ka lezet ta bësh xhiron në një vend, dhe jo njëqind herë!
Dhe pa e lënë të ma ngopte sërish, vazhdova duke treguar gjithë ato vendet ku kishim vajtur. E tek po shihja, se gruaja e kish kuptuar që nuk duhet të më ngacmonte më, ndryshe mund të më hypnin kacabujtë, nisa të përmend edhe vende ku nuk kishim vajtur, si Venecia, Piza, Etna në Siçili, e tjera vende.
-E paske kënaqur gruan me vënde nga më të ndryshmet! -më bëri qejfin Drita. Epo e hodha lumin dhe kësaj radhe mendova. -Po ç’kujton ti moj Dritë! Një Lumturi kam unë, dhe këtë do ta bëj që ç’ke me ‘të të lumtur, siç e ka dhe emrin.
E kështu me muhabet, duket se darka po na shkonte mirë. Edhe një ide krejt pa kuptim për atë orë, si gjoja për të dalë xhiro ashtu siç ishim, me gjithë fëmijë, e shmanga me marifet.
-I këputi gjumi fëmijët, Drita! -i fola gruas së kushos. E vërtet, të shkretët fërkonin sytë. Ora po i afrohej nëntës dhe vetvetiu të vegjëlve të kushuriut po u vinte vërdallë gjumi. (vazhdon)


  Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 41 42 43 44 45 46 47 48 49 [50] 51 52 53 54 55 56 57 58 »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.