Forumi Horizont Gjithsej 153 faqe: « E parë ... « 42 43 44 45 46 47 48 49 50 [51] 52 53 54 55 56 57 58 59 60 » ... E fundit »
Trego 153 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mjekësia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=266)
-- cfare semundje eshte ...? (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=4752)


Postuar nga ~Enigme~ datë 31 Mars 2006 - 23:48:

Alergjia.........Artikull mare nga shekulli!

Cod. B31032006

Ditët e para të pranverës dhe temperaturat e larta kanë shkaktuar alergji te shumë persona, të cilët i janë drejtuar specialistëve për ndihmë. Poleni i luleve dhe barit që sapo ka mbirë, janë shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundjeje shumë bezdisëse. E ndërsa numri i vizitave pranë Poliklinikës së Specialiteteve Qendrore ka arritur rreth 15 në ditë, sipas alergologes Mira Xhixha, nëse koha vazhdon kështu, pritet që brenda 3 javësh të ketë një fluks të madh me të sëmurë alergjikë. Por ajo që është më problematike, sipas Xhixhës, është fakti që shumë nga pacientët neglizhojnë alergjinë nga poleni, duke kaluar në azmatikë të përjetshëm. Moshat më të prekura nga alergjia e polenit, sipas saj, janë moshat aktive, 20 deri në 40 vjeç, por problematike janë edhe moshat e vogla, mbi 5 vjeç.
Sëmundja dhe shenjat
“Në alergjitë e pranverës bëjnë pjesë kryesisht alergjitë nga polenit e barishteve, të cilat rriten dhe zhvillohen në këto muaj”, - thotë Mira Xhixha, duke shtuar se polenet çelin në varësi të kohës dhe temperaturave. Sipas saj, hunda është e para që shfaq shenjat e alergjisë nga polenit. “Kur poleni bie në kontakt me mukozën e hundës atëherë zhvillohet mekanizmi apo reaksioni alergjik edhe shfaqen shqetësimet që janë teshtimat e forta, kullim hundësh, kruarje të hundës ose të lëkurës pranë saj, kruarje të syve, enjtje përreth indeve të syve, lotim të syve dhe kollë”, - shpjegon alergologia, duke shtuar se këto janë shenjat tipike të një alergjie pranverore nga poleni. Sipas saj, shqetësimet nga hunda në një pjesë të rasteve janë të shoqëruara me shqetësime nga sytë me konjuktivitin alergjik dhe të dyja këto shton ajo bëjnë atë që quhet rrufë.
Shkaktarët dhe këshilla
“Shkaktarët kryesorë janë barishtet dhe lulet e ndryshme, pasi poleni përhapet me kilometra larg”, - thotë Mira Xhixha, duke sqaruar se bari i zakonshëm është varianti më i egër i alergjisë, sepse poleni i saj është shumë i lehtë dhe përhapet lehtë në ajër. Ndërkohë, ndotja e ambientit, sipas saj, ndikon fuqishëm mbi pacientët me alergji pasi dhe poleni bëhet më shumë acarues. Në këto ndotës, sipas saj, ndikojnë ndotja nga makinat si edhe pluhurat. “Këta shkaktarë ia rrisin jetën këtyre polenëve në ajër dhe lehtësohet hyrja e tyre nga hunda dhe goja dhe futen direkt në mushkëri”, - pohon ajo.
Neglizhenca dhe këshilla
“Pacientët e neglizhojnë shpesh alergjinë e polenit dhe kjo padyshim që ka pasoja”, - thekson Mira Xhixha, duke shtuar se një alergji e tillë mund të kthehet në astmë të përjetshme. Sipas saj, neglizhenca e alergjisë nga poleni mund të sjellë edhe komplikacione të tjera si sinozit, si pasojë e bllokimit të vazhdueshëm të hundëve, mungesë të nuhatjes etj. Ndërkohë, për të shmangur këto pasoja, ajo thekson që sapo të vihen re shenjat e para të sëmundjes, pacientët t’i drejtohen mjekut specialist dhe të mos përdorin medikamente pa këshillën e tyre. “Në ditët me diell dhe shumë erë personat alergjikë nuk duhet të dalin jashtë”, - thotë Xhixha. Gjithashtu, ajo këshilloi që alergjikët të mbajnë syze dielli kur ka erë, për të shmangur kontaktin e polenit me sytë. Fëmijët e vegjël që janë me alergji, sipas saj, nuk duhet të luajnë në lulishtet me bar, pasi këto polene mund t’i marrin me vete në rroba dhe flokë dhe kur shkojnë në shtëpi, gjatë natës, duke pasur polenin në flokë, ai me anë të ajrit lëviz dhe futet në mushkëri.

31/3/06 (Eglantina Bardhi)


  Gjithsej 153 faqe: « E parë ... « 42 43 44 45 46 47 48 49 50 [51] 52 53 54 55 56 57 58 59 60 » ... E fundit »
Trego 153 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.