Forumi Horizont Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 43 44 45 46 47 48 49 50 51 [52] 53 54 55 56 57 58 »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Nje Nder Traditat Shqiptare, (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=7213)


Postuar nga robert datë 07 Dhjetor 2014 - 16:50:

Dhe dolëm, sepse për fat njërit prej kalamajve po i vinte çiçi. Të rroftë shurra or vogëlush, i fërkova kokën të voglit. Duke marrë rrugët drejt lumit, mezi pashë një tip restoranti. I thashë gruas ta çonte të voglin të bënte çiçin, se patjetër ata të restorantit do ta linin! Dhe nuk isha gabuar. Jo vetëm kaq, por fëmijët edhe i morri urija. E po tani do ta kënaq kushon në ndonjë restorant, thashë me vete, që t’mos e harroj kurrë. Xhepat i kisha mbushur me euro, që t’mos turpërohesha. Mirpo për dreq, gratë i kishin marrë masat për kalamajtë, duke u ngjeshur si bukë ashtu dhe ujë në çantat e tyre.
Duke ecur ashtu kuturu, kur sapo kishim dalë pranë lumit, më shkoi në mëndje një ide gjeniale. -Do të tregoj ty vëllai një vepër vërtet antike, o kusho! Por do ecim pak me këmbë përgjatë lumit, që edhe ta shijosh Romën.
Dhe duket se kushoja me gjithë të shoqen po e shijonin vërtet Romën përgjatë Tiberit. Por herë-herë edhe ua shihja nga një mërziti të vogël. Po, a të lija unë të mërziteshe!? Jo ore! Diku duke u blerë nga një akullore kalamajve, diku duke u ndalur në ndonjë sklupturë që na dilte përpara, diku duke parë çmimet e ndonjë dyqani, ua merrja mëndjen të gjithve. S‘kish vajtur ora akoma katër, kur ua tregova surprizën. Ishte një restorant i bukur me ca vepra arti të antikitetit, që ua morrën ment të ftuarve të mi. Pa u ulur mirë në tavolinë, kushoja nuk la asgjë nga veprat ti shpëtonte syrit të tij të imët. Ne të gjithë rreth tavolinës, ndërsa Sefo intelektuali vazhdonte me gjithë dy kalamajtëe e tij dhe atë timin të vështronte veprat e artit.
-Hë, -i thashë gjithë buzëqeshje, të tërhoqën vëmëndjen ë?...
-Vetëm njëra më duket vepër e vërtetë e antikitetit, të tjerat janë kopime, -lëshoi si ekspert arkeollogjie. Sa qeshë duke e kundërshtuar, kur ndërhyri ime shoqe më parë: -Domosdo që janë kopime! Veprat e vërteta ndodhen nëpër muzeume.
Ah dreqi, kafshova buzën. Edhe muzetë na duhen tani!
Në mes të pikëllimit të intelektualit tim të panjohur, erdhi kamarieri. Ky menjëherë na njoftoi se deri më katër vazhdonte pushim i guzhinës, por ne mund të bënim sidoqoftë porositë. I thashë tjetrit të na sillte këtu shishen më të mirë të verës që kishte, sepse mua një herë më ka ardhur kusho nga Zvicra. Për çudi, kamarieri i zgjati dorën kushos. -Bienvenuto, vilkomen… dhe vazhdoi ti tregonte se edhe ai kish punuar dikur në Zvicër. E po gjene mirë, thashë; aq më tepër kur filluan të flasin në atë gjuhë të poshtër zviceriane, që ishte një gjermanishte katundarësh. Thashë me vete, fshati po tek fshati mbeti. Unë i qytetit, po tek qyteti.
Eehh, ç’ta zgjas! Ia kaluam sa s’ka më mirë. Hëngrëm e pimë sa s’mbante më barku. Biles edhe fëmijët nuk lanë akullore pa provuar, -kështu dhe i mbanim urtë. Kur u ngrita, mua duhet të më mbanin dy veta nga krahët. Isha bërë tap fare nga qejfi. Kushua të më gëzonte më parë, thoja. Ishte ora tetë e darkës kur dolëm. Dhe ai ajër i freskët mbrëmje sikur na e bekonte kënaqsinë. Vetëm kushoja ç’o ku lëshonte ca nga ato ankimet e tij, për takimin me Petritin, për vizitën në Koloseum, për … bjeri, bjeri, thoja me mëndje, të mbeti mëndja tek Koloseumi, a thua se pak e ke atë Apolloni dhe Bylis jo shumë larg fshatit tënd. Ç’the, mu drejtua kushoja. -Hiç, hiç, -ia ktheva, -e shikon atë kthesën atje larg nga jemi drejtuar? Po, prej andej duken dritat e Romës shumë bukur, duke reflektuar në qiell. Tani është afërsisht ora kur ndizen. Ajd se do kënaqesh!
Kushoja tundte kokën, ndërsa unë kisha hallin mos i shkonte mëndja të vizitonte në këtë orë Koloseumin, sepse ishim mjaft larg tij e më afër shtëpisë tonë. E duke kaluar urën mbi Tiber, aty fëmijët u kënaqën sa s’ka më. Apo nuk po kalonte ato momente edhe një barkarexhë turistësh gjithë drita. Mrekulli fare. Roma, Roma, Sefo vëllai, nisa ti bërtas. Nja dy të rinj më tej nisën të bërtisnin, Laçio-Laçio. Eh qyfyre që kishte. Sa do të doja të isha tani tek ajo barkarexh! -shfryu i pezmatuar Sefo. E kapa prej mezi dhe bëra sikur po e hidhja nga ura! Thashë më mirë po bëj unë shaka, se sa ti shkoj mëndja kushos për ndonjë marrëzi të paparashikuar. Dhe, duke e tërhequr drejt vetes, e nxita të kapte kalamajtë, që menjëherë nisën të vrapo-nin. Hajd se atë mëndje ke, thashë me vete.
Ashtu tërë qejf arritëm në shtëpi aty nga ora nëntë e çerek. Shpresoja ta kisha kënaqur kushon, ndonëse nuk e tregonte dhe aq qeni. Më rrinte pak si me buzë.
-Hë se nesër kemi Petritin, Koloseumin, atë shatërvanin me lekë, ….
-Po, na i mbushe mëndjen! -nisi kushoja të më kritikojë. Dhe, për t’më vënë në lojë, më kujtoi edhe vizitën e atyre që takuam dje të shtunën.
-Oh, po unë të gjithë i pres! -ia ktheva duke nxjerrë edhe një grokësimë. -E pe çfarë vere fantastike që qe!?..
-Kam provuar verë edhe më të mirë, -ma ktheu thatë.
Ah, ia bëra me dorë në formë nënvleftësimi, duke iu afruar telefonit. I rashë numrit të atij shum të kërkuarit, kushos tjetër, dhe u lidha direkt me të. -Ore qelbanik, -i fola Petritit, -këtu të ka ardhur kusho jot, Selfiu, dhe ti na fshihesh sa andej e kendej! Mos të ka zën gjë frika se po harxhon!?..
Me ta marrë vesh ai kulturor tjetër, se i kish ardhur kushoja, i cili nisej të martën në mëngjez me avion për në Shqipëri, premtoi se do të vinte të nesërmen menjëherë paradite, meqë ishte turni i dytë javës pasuese.
-Ja ku e hoqëm qafe, njërin nga takimet! -fola krenar. -E ndërkohë që ti çmallesh me Tit katolikun, unë marr ndërkohë raport për nesër e pasnesër, dhe paradreke nisemi për në vizita të ndryshme me atë rrangallen time. Ja kështu të bëj unë ty që mos ta harrosh vizitën në Romë, ore intelektuali im i dashur! E të më kujtosh me mall!... (vazhdon)


  Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 43 44 45 46 47 48 49 50 51 [52] 53 54 55 56 57 58 »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.