Forumi Horizont Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 46 47 48 49 50 51 52 53 54 [55] 56 57 58 »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Nje Nder Traditat Shqiptare, (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=7213)


Postuar nga robert datë 07 Dhjetor 2014 - 16:54:

Unë për inat, e përplasa gotën time të birrës me të gjithë. Të gjithë e morrën gotën në dorë, e lëshun dhe nga një „gëzuar“ sa me thonë, mirpo sytë na, në televizor. Ou, po i bija kokës me grushte. Unë ua kisha shtruar atyre tavolinën për shtat palë qejfe, e ata menjen tek rrangallet e lashtësisë. Qesh gati t’u nxirrja tortën nga frigoriferi, mirpo tavolina s’kishte vend. Rrinte akoma plot. Merrnin nga nji qofte herë-herë, edhe e kthejshin ka i çik birrë. Provo pak nga ai djathi i mrekullue-shëm i imi, edhe ia bëjshin ahh sa bukur, kur shihnin ndonji gjë n‘ televizor. M’kishin hyp kacabujt, por nuk po dijsha çfarë me bo.
-Këtu jemi tani në Tivoli, -vazhdonte ai i ardhuri, -një qytet antik nja njëzet-tridhjet kilometra larg prej këtu. Vajtëm të djelën…
Filmi po niste të më pëlqente. Ishin disa vende të bukura natyrore me ndërtesa të lashtësisë. Kjo çka, thashë, edhe hahet, ndërkohë që ata të gjithë i shpjegonin njëri-tjetrit historinë e lashtësisë. Edhe fëmijët e mi i kish kapur ngazëllimi i leksioneve të shkollës. Dreqi e marrtë, thoja.
-Silli pak babit një copë mish! -i fola gocës, duke i zgjatur pjatën. Mirpo ajo ishte përfshirë me të tjerët e gjitha në filmimin e kunatit të Ermirit. U detyrova dhe u ngrita vetë drejt guzhinës. Vetëm pas pak e kuptova se kisha ngelur vetëm në ngrënie dhe pirje. Më mirë pirdhu fare, i thashë vetes, se as po ta var më njeri. As mishi i qingjit nuk po më shijonte, dhe as birra. Kjo e fundit më dukej si shurrë pele.
Lëre pastaj, kur filloi edhe dita e sotme e filmimit. -Sot të hënën vajtëm në Ostia antica! -foli Ermir qullua. Dhe sërish televizori im shfaqte ndërtesa të shumta antike, turistë plot, ciceronë dhe cicerone gjithandej, gërmues dheu, ç’të them më!
-O perëndi të lashta! -bërtita pa e kuptuar as vetë. Të gjithë kthyen kokën nga unë. -Shumë të bukura! -u lëshova shpejt me buzëqeshje të përdalë. -Mrekulli e vërtetë!.. Skluptura të rralla!
Pas kësaj as ma varën më sërish, por nisën dhe ata ti shtonin komplimentat e bërë deri më tani. Ndërsa unë po u lutesha me mëndje atyre perëndive të lashta të mbaronte filmimi sa më shpejt. Jo se nuk ishin vende të bukura, por kërrkush nuk po ia varte mikpritjes time. Të dhjefsha me një mut me gjithë mikpritje, i thashë vetes, duke u ngritur e vajtur në ballkon me një cigare të huazuar nga kushoja, ta ndizja njëherë e të më digjesh shpirti. Kisha kaq vite pa e ndezur.
Pikëllimi më i madh ishte, se as gruas nuk i ra ndërmend se unë po nisja sërish cigaren. Lëre-lëre ç’tragjedi po i ndodhte shpirtit tim! Tragjedi më e madhe nga ato që ishin luajtur në ato amfiteatro, që po shihnin vizitorët e mi në televizor. Por shyqyr që nuk e shihte njeri tragjedinë time!..
E për ti vënë kapak hidhërimit tim, të nesërmen, sepse ajo mbrëmje kaloi si kaloi pa ma varur më njeri, duke u ndarë me kushon në aeroport, ky ma dha me një plumb, që më plagosi për gjithë jetën. -Herë tjetër nuk do të vij më tek ty për vizitë!
Unë hapa sytë, ndërsa ai vazhdonte me tonin e qetë. -Do të shkoj në hotel. Dhe ato dy-tre ditë qëndrim do hyp në ato auto-buzët turistikë, e do vizitoj historinë. Dua të kënaqem dhe unë! Më kupton, njeriu ka nevojë të vizitojë edhe historinë, o Luan.
-Por… po, ç’thua o Sefo!? -mezi po më dilnin fjalët, -Pse, a nuk u kënaqe tek mua? Un për ty … për ty, o Sefo … ah…
Duke u kthyer ashtu i plagosur pastaj në shtëpi me gruan, i lëshova kësaj: -Ja, njerëz bukshkalë, që s’ta dinë për nder!
-S’ke aspak të drejtë, se s‘matet nderi me mish dhe pije! -ma ngopi dhe gruaja, që mos ta merrja veten për një kohë të gjatë.
FUND


  Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 46 47 48 49 50 51 52 53 54 [55] 56 57 58 »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.