Forumi Horizont | Gjithsej 8 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 » Trego 8 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Marin Barleti (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=73)
-- Kush eshte Marin Barleti (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=76)
Barleti (Marin) dhe Humanistët Shqiptare:
Marin Barleti
(rreth 1460 - 1512-13)
Humanist i shquar, historian, i pari autor i njohur dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqiptare. Për jetën e tij dihet fort pak. Lindi në Shkodër, përjetoi, ende i parritur, rrethimin e parë osman të qytetit, ndërsa në rrethimin e dytë, më 1478-79, mori pjesë me armë në dorë në mbrojtjen e vendlindjes. Pas rënies së Shkodrës jetoi në mërgim si prift në trevat venedikase. Këtu plotësoi kulturën e tij humaniste dhe u bë një njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i gjuhës latine, në të cilën shkruajti veprat e veta. Në mjedisin e të mërguarve të shumtë shqiptarë, mjaft nga të cilët kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, fitoi njohuri të gjera për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit shqiptar për liri, të cilat i zgjeroi edhe me të dhënat e literaturës.
Prej Marin Barletit njihen tri vepra; Rrethimi i Shkodrës (De obsidione Scodrensi, Venedik 1504) jep historinë dramatike të luftës për jetë a vdekje të banorëve të qytetit të rrethuar për një vit nga osmanët. I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Vepra pati tre ribotime latinisht dhe 5 përkthime në gjuhë të tjera.
Vepra madhore e Marin Barleti është Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut (Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Romë midis 1508 dhe 1510). Ajo e tregon autorin si një shkrimtar të nivelit të lartë dhe si historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit dhe, me gjithë vështirësitë objektive për të siguruar burimet, jep njohuri të gjera për «Ç'ka ngjarë në shek.XV dhe çfarë zhvillimi ka pasur në atë kohë shoqëria jonë, fshatarësia shqiptare, jo vetëm nga ana historike, por edhe nga ana kulturore, ekonomike dhe drejtime të tjera».
Shkurtore e jetës së papëve dhe perandorëve (Compendium vitarum pontificum et imperatorum, Venedik 1553) është vepra e vetme e Marin Barleti që nuk ka të bëjë me historinë Shqiptare, përveç parafjalës-kushtesë për Pjetër Engjëllin, një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut, i cili e pat nxitur dhe ndihmuar autorin në punën e tij. Vepra i përket Marin Barleti vetëm për pjesën që arrin deri në vitin 1512, kurse vazhdimi është prej një dore tjetër. Është pikërisht kjo datë që na lejon të caktojmë datën e vdekjes së Barletit rreth këtij viti.
Pavarësisht nga një varg dobësish që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet ekzaltuese që u vihen në gojë heronjve, imitimi i autorëve klasikë deri në hollësitë, pavarësisht nga pasaktësitë kronologjike dhe mungesa e të dhënave për faza e ngjarje të tëra, veprat e Marin Barleti qëndrojnë si një burim i dorës së parë e i pazëvendësueshëm për historinë e shek.XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës Juglindore. Krahasimi me të dhënat dokumentare që kemi në dorësot, na jep të drejtë të themi se nuk qëndrojnë kurrësesi vlerësimet negative të bëra në të kaluarën për vlerën e Marin Barleti si burim. Koncepti i lartë i Marin Barleti për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit; historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo të fuqive hyjnore. Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet; ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t'i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t'i mësonte njerëzit për «të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit. «Historia e Skënderbeut» e Barletit u bë burimi më i rëndësishëm, nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe frymëzoheshin për përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë.
Humanizmi shqiptar kishte një ngjyrim të veçantë: qëndresën ndaj turqve, për të ruajtur mëvetësinë jetësore dhe kulturore. Kjo u simbolizua në heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.
Krijuesit shqiptarë si Segoni, Barleti, Biçikemi, Frëngu etj shkrimet e tyre i mbështetnin mbi temën e lirisë së individit e lidhur ngushtë me tëmën e lirise së atdheut me vlerat morale e shpirtërore të popullit. Të gjitha këto kërkesa ata i gjetën dhe i mishëruan në figurën e Skënderbeut, prandaj interesi për trajtimin e temave shqiptare lidhet me trajtimin e temës së Skënderbeut.
Dallohet Martin Segoni me veprën "Tregim mbi Gjergj Kastriotin (1440-1485):
Marin Barleti me vepren " Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut (1508-1510)
dhe Dhimitër Frëngu me vepren "Komentar i çështjeve të turqve dhe të z. Gjergj kastrioti, princ i Epirit (1539)
Të gjithë këto vepra të shkruara në latinisht, që në atë kohë ishte akoma gjuhë botërore e dijes, shprehin idetë humaniste dhe ato të Rilindjes, duke krijuar njëherësh vetëdijen kulturore e kombëtare të Shqiptarëve.
Në këtë vështrin vepra e Barletit ë shtë kryesorja, sepse përballë heroi kombëtar ai krijoi heroin kulturor shqiptar dhe një model shkrimi, ku dëshmia historike thuret me mjete letrare e stil të lartë që himnizon triumfin e lirisë njerëzore
Marin Barleti është figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekullit XV-XVI.
Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane.
Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftëtareve për të mbrojtur atdheun " nga kujtimi i të cilit, - shkruan ai, - tani përterihem si për mrekulli, por edhe për te cilin s'mund të shkruj pa lot në sy".
Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonin ne Venedik.
Për ngjarjet tragjike që jetoi ai shkroi veprën historike Rrethimi i Shkodrës, botuar në Venedik me 1504.
Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut", shkruar në latinisht dhe botuar në Romë rreth viteve 1508-1510.
Kjo vepër në kohën e vet u ribotua tre herë në latinisht, u përkthye në shumë gjuhë europiane italisht, anglisht, gjermanisht, rusisht, frëngjisht, greqisht e deri në japonisht dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar.
Fan S. Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit, "fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë".
Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye:
e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet;
e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.
Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut është, në radhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dore mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën dhe figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjeresinë dhe lehtësinë e frazës.
Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftërave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, kreanria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar.
Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mrojtjen e tyre.
"Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur tepër gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti"
Duke folur për qëndresën shqiptare gjatë shek.XV, Barleti ka vënë në qëndër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qëndror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla: ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit dhe të konceptit humanist për jetën dhe luftëtarin e lirisë.
Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcen e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe mbrojtës i lirisë, rpijës i një populli luftëtar e trim, të dashuruar deri në dhimbje me trojet e veta dhe me lirinë.
Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe, madhështor e legjendar - e tillë të mbetet në mendje figura e heroit, skalitur si me daltë nga pena e Baretit.
Gjithsej 8 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 » Trego 8 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.