Forumi Horizont Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 53 54 55 56 57 58 59 60 61 [62] 63 64 65 66 67 68 69 70 71 » ... E fundit »
Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Të ndryshme (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=36)
-- Pushimet e Veres (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18746)


Postuar nga robert datë 18 Gusht 2015 - 23:34:

Mi. 12. 8. 2015

Si i njoha shqiptarët

Të besosh se një njujorkez si puna ime do të interesohej për vënde dhe popuj, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Mirpo ja që komshillëku me një emigrant shqiptar të panjohur, Xhoin ndihmës-infermier e njëkohësisht edhe student në mjeksi, si dhe ai rasti i javëve të fundit nëpër televizione të ndryshme, t‘ atij yllit të seksit këtu në Amerikë, Xhimit simpatik me trupin e bukur, i thirrur ndryshe fiku i talentuar albanez, më tërhoqën vëmëndjen për këtë mini-land të panjohur europian.
-Natyrën e kemi të bukur! –më lëshoi thatë komshiu im i ri shqiptar, Xhoi, teksa po i shfaqja interesimin tim për vendin e tij të vogël, matanë Atlantikut.
-E di, -ia ktheva i gjallë, -e kam parë pak në internet. Por dua ta njoh këtë vend edhe më nga afër. Jam kureshtar ti njoh njerëzit atje! Të shoh si sillen, ç’bëjnë, ç’temperament kanë … E ta shoh si e bëjnë rakinë!.. –ia tunda me të qeshur gotën që Xhoi më kish vënë përpara; e dija po nga Xhoi se pija e tyre tradicionale quhej raki.
-Pas dy muajsh unë nisem për në Shqipëri, –ma lehtësoi bisedën e mëtejshme Xhoi. Këtë rast unë nuk mund ta humbja. Vetëm se… ah po u kujtova nga një bisedë e mëparme me Xhoin, ai do të kishte pak kohë për mua, pasi do të interesohej atje në vendin e tij për nja dy punime të tij shkencore në lidhje me kancerin, të cilat për shkak të anglishtes së tij të akoma të çalë i kish botuar vetëm në shqip.
-As mos e vrit mëndjen! –ia ktheva. –Ti shiko punët e tua dhe unë do të të ngjitem nga mbrapa si manar, kështu të njoh sado pak shqiptarët.
Pas dy muajsh shkela për herë të parë këtë vend të panjohur, me kureshtje të ndezur për këtë popull po ashtu të panjohur. Menjëherë më tërhoqi vëmëndjen qysh në aeroport një fytyrë e njohur, ajo e seksit simbol në Amerikë, atij Xhimit feminist. Nja dy gazeta lajmëronin për ardhjen e tij në Shqipëri.
-Shiko! –i rash me brryl mikut tim, duke i treguar shqiptarin famoz. Mirpo komshiu im vetëm sa mblodhi buzët. E dija se një famozitet i tillë nuk i shkonte apasionantit të mjeksisë. –Mos u bëj xheloz, –e ngacmova më tej mikun tim shqiptar, –fati përkëdhel disa më shumë e disa më pak!
-Fatin e përbëjnë më së shumti njerzit! –ma ktheu lakonisht, kështu të tregonte mosaprovimin me gjykimin tim. Unë nuk e zgjata, sepse kuptohej, isha aty për të njohur pikërisht këta njerëz, dhe jo fatet qiellore.
Kështu nisa të njihja nga afër pak e nga pak njerëz të ndryshëm, duke mos e ndarë një fjalor të vogël, po kështu edhe vendin nga më shëtiste miku im. Brenda një jave pashë thuajse të gjithë vendin e shqiponjave, siç edhe quhej ky vend, ndonëse nuk pashë gjëkundi një shqiponjë. Por në vend të shqiponjës së vërtetë, shihja herë-herë një mani mediatike për të bërë me duar para gjoksit një shqiponjë simbolike. Edhe ai fiku i talentuar albanez e bënte sa herë këtë veprim simbolik nëpër studiot televizive shqiptare, ku e thërrisnin gati për çdo mbrëmje.
Ndërkohë po kuptoja se si këta europianë orientalë i vinin më shumë rëndësi shfaqjes së jashtëme se sa thelbit të gjërave. Më vriteshin sytë tek shihja se si e kishin prishur natyrën e bukur të vendit të tyre. Edhe ai gëzim i përfolur nga ndonjë gazetar perëndimor, nuk dallohej në fytyrat e takuara. Më së shumti mbizotëronte një zymti apatike e papërcaktuar qartë.
–Tani mua më duhet të interesohem për punimet e mia, –më sqaroi Xhoi në mbyllje të shëtitjes një-javore.
-Mirë, -ia ktheva i pashqetësuar, -mua sërish nga mbrapa më ke!
Kësaj radhe odiseja e udhëtimit u përmblodh nëpër zyra dhe institucione; më saktë, në një vakum të pahasur ndonjëherë. Duke qëndruar jo larg mikut të tim, shihja dhe kuptoja ngecjen e përpjekjeve të tij për të bërë të njohur ato dije të reja shkencore, që i kish përcjellë në ato dy libra të botuar. I shkreti Xhoi, nisa të mendoj, don të bëj më tej të njohura punimet e tij mbi kancerin në një vend të kancerozur nga indiferenca ndaj librit dhe shkencës! Kudo e prisnin pa ndonjë interes dhe e përcillnin me një keqardhje të shtirur. Shpesh i thonin se personat adapt për problemin e tij nuk gjindeshin në godinë, apo se i duhej të paguante për reklamë mbi punimet e tij. Edhe kur përpiqej që ti falte ato dy libra të botuar për shkollat apo ndonjë institucion spitalor, përballej me një mosdije të pashembullt. Bëj një kërkesë me shkrim, i thonin herë-herë! I shkreti Xhoi, duhej të bënte kërkesë me shkrim për falje librash. E ku?! Në institucione që nuk kishin një adresë apo kartvizitë!..
-Ky fat është i njëjtë edhe për shumë autorë të tjerë si puna ime, -përpiqej të më sqaronte Xhoi.
Edhe unë që fare pak kuptoja nga shqipja e tij, dalloja ashiqari atë indiferencë të pashëmbëllt të këtij populli ndaj dijes dhe shkencës. E biles, kjo ishte gjysma e të keqes. Kësaj i përngjitej një makutëri e pashëmbëllt në zhvatjen e parasë ndaj çdo njeriu që vinte nga jashtë. Ç’dreqin e duan që e mbledhin me kaq pasion paranë, nisa të pyes veten. Nuk është se ngrenë as fabrika apo punishte për prodhimtari të ndryshme! Jo-jo, ky popull, pasi e kish dhjerë vendin e tij, mblidhte para për të bërë pushime në vende të tjera! Nganjëra anë luante me një lloj patrotizmi të rremë, si e si të ftonte në vendin e tyre emigrantët e ikur shqiptarë, e nga ana tjetër, me të mbledhur ato para që linin të ikurit e përmalluar, ia mbathte për pushime nëpër vende të tjera me ato parat ë mbledhura. Ç’popull i çuditshëm, nisa të vras mëndjen. Popull manjiak t’ia fusë vetvetes deri në palcë, e ta prishë vendin pa as edhe një kokçarje.
Në ikje na shoqëroi sërish fotoja e seksit simbol, atij fikut të talentuar albanez, i cili po ashtu po largohej nga atdheu i tij i dashur, -siç deklaronte. Media shqiptare e shoqëronte gjithë bujë këtë eveniment. E pse jo! –mendova, -edhe ajo është pjesë e këtij vakumi shpirtëror që po kalonte ky vend dhe ky popull.
-A e di se ne i kemi emrat e njëjtë!? –më foli miku im Xhoi tek hypëm në avion, duke më treguar fotografinë e fikut të talentuar albanez në gazetën që mbante përpara. Jo, i tunda kokën. Ndërsa ai vazhdoi: -Gëzim e quajnë edhe këtë, Gëzim edhe mua…
-Gëzim i shtirur shqiptar! –lëshova lakonisht, duke bërë mikun tim të vinte buzën në gaz. Pas pak avioni u ngrit drejt qiellit.


  Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 53 54 55 56 57 58 59 60 61 [62] 63 64 65 66 67 68 69 70 71 » ... E fundit »
Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.