Forumi Horizont Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 53 54 55 56 57 58 59 60 61 [62] 63 64 65 66 67 68 69 70 71 » ... E fundit »
Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Kur lajmet behen prekese (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8819)


Postuar nga sarandaebukur datë 01 Qershor 2008 - 18:03:

Prostitucioni"Made in Albania"

TIRANË – Shqipëria, një furnitore e dikurshme e tregut evropian të prostitucionit, po njeh së fundi një kurbë rritëse të seksit komercial me fokus klientelën vendase. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë dhe Gjykatës së Tiranës, rezulton se gjatë 5 muajve të parë të vitit ka një rritje të numrit të proceseve gjyqësore për veprën penale të prostitucionit, thuajse në masën 50 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Nga fillimi i vitit deri në fund të muajit maj, në Gjykatën e Tiranës janë dënuar 17 gra dhe vajza për veprën penale të prostitucionit, ndërkohë që gjatë së njëjtës periudhë të vitit të shkuar gjykata ka dënuar vetëm 7 prostituta. Aktualisht në Gjykatën e Tiranës janë në proces gjyqësor edhe 7 vajza, të cilat akuzohen për të njëjtën vepër penale. Profesioni më i vjetër është kthyer në një fenomen të rrezikshëm dhe tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare. Pa dyshim që prostitucioni i pakontrolluar, i cili konsiderohet i rrezikshëm për moralin e shqiptarëve, është më i përhapur në kryeqytet, ku jeton një pjesë e madhe e popullsisë. Ky fenomen vazhdon të ketë përmasa të larta, të cilat ndryshojnë në progresion rritës nga viti në vit.

Harta e prostitutave
Brenda kryeqytetit prostitutat, ose siç quhen ndryshe punëtoret e seksit, kanë përzgjedhur disa zona të favorshme për “biznesin” e tyre, duke pasur parasysh lëvizjet e shumta të njerëzve. Nga të dhënat zyrtare të policisë, prostitutat që zakonisht janë nga mosha 17-45 vjeçe, janë përqendruar në zonën e “Zogut të Zi”, një pikë e rëndësishme për hyrjen dhe daljen e njerëzve në kryeqytet; qendrën e Tiranës përgjatë sheshit “Skënderbej” dhe pranë Pallatit të Operës dhe Baletit, si dhe në zonën e Bllokut të Ambasadave. Këto tri pika të nxehta janë prej vitesh nën vëzhgimin e policisë së kryeqytetit, e cila gjatë 5 muajve të parë të vitit ka arritur të prangosë në flagrancë rreth 15 prostituta përsëritëse, mes të cilave edhe disa që i provonin prangat për herë të dytë apo të tretë për të njëjtën akuzë. Nga të arrestuarat për “ushtrim prostitucioni”, pjesa më e madhe e tyre i janë nënshtruar procesit gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, ku nga fillimi i vitit e deri tani janë dënuar 17 gra dhe vajza për veprën penale “ushtrim prostitucioni”.

Nga të dhënat zyrtare të gjykatës, rezulton se të gjitha prostitutat zbatojnë thuajse të njëjtën skemë për të joshur klientët e tyre. Nga deklarimet e prostitutave dhënë në polici dhe gjykatë, del se gjahu i tyre janë kryesisht banorë të zonave përreth kryeqytetit, apo rretheve të tjera që vijnë në Tiranë për punë. Teksa i shikojnë të vetmuar në pritje të autobusit, ato u afrohen dhe u propozojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. Më pas vazhdon e njëjta skemë: klienti duhet të paguajë më parë hotelin, qoftë ky hotel “Driloni” apo hotel “Dajti”, dhe më pas prostitutën. Pikërisht në këtë moment ndërhyn policia, e cila prangos punëtoren e seksit dhe e shoqëron klientin, i cili jep shpjegimet sesi është joshur teksa priste të merrte vizën pranë bllokut të ambasadës, apo duke pritur fugonin tek “Zogu i Zi”. Por, megjithëse fenomeni i prostitucionit konsiderohet si një rrezik i madh për moralin e shoqërisë sonë, kjo e shprehur edhe në vendimet e gjykatës, dënimi për prostitutat mbetet tepër minimal.

Masa e dënimit

Nga 17 vendimet e shpallura nga Gjykata e Tiranës gjatë këtyre 5 muajve, rezulton se pjesa më e madhe e prostitutave janë dënuar me gjobë, vlera e së cilës arrin në 1 milion lekë. Duke pasur parasysh kushtet ekonomike tepër të vështira që i detyrojnë këto gra të shesin trupin në rrugë, është thuajse e pamundur edhe përballimi i gjobës së dhënë nga gjykata, e cila në këtë mënyrë i detyron të dalin sërish në kërkim të klientëve, këtë radhë jo për të ushqyer fëmijët apo për të paguar qiranë e banesës, por për të shlyer detyrimin ndaj shteti. Herë pas here gjykata jep dënime edhe me burg, por kjo ndodh në rastet kur gratë apo vajzat që ndodhen në bankën e të akuzuarve për prostitucion gjykohen për të dytën herë. Në këto raste, gjykata vendos dënimin e tyre deri në 6 muaj burg.
Ndryshe nga vendet e Evropës, ku prostitutat janë kryesisht vajza deri në moshën 25 vjeçe, në Shqipëri kjo kategori ka një larmi moshash. Referuar të dhënave zyrtare, del se profesionin e prostitutës e ushtrojnë vajza dhe gra që u përkasin grupmoshave nga 17 deri në 50 vjeç. Rastet në fjalë janë evidentuar në Gjykatën e Tiranës, e cila vetëm një muaj më parë dënoi me 6 muaj burg të pandehurën Naile S., 50 vjeçe, e cila është kapur në flagrancë duke kryer marrëdhënie seksuale me një 70-vjeçar, në këmbim të shumës së 1000 lekëve. Kryesisht, mosha e grave që ushtrojnë prostitucion, sipas statistikave zyrtare, është rreth të 30-ve, ku nuk përjashtohen as vajza të cilat sapo kanë mbushur të 18-at. Jonida T. është një nga vajzat që ushtronte prostitucion me dëshirën e saj. Vajza me orgjinë nga një fshat i kryeqytetit, sapo kishte mbushur 18 vjeç kur u arrestua nga policia për veprën penale të prostitucionit. Jonida T. u kap duke kryer marrëdhënie me një shtetas në këmbim të shumës së 3 mijë lekëve. Policia i arrestoi në një dhomë hoteli pranë qendrës së kryeqytetit, pasi klienti kishte paguar shumën e 1000 lekëve. Këto dy raste nuk janë të vetmit, kur gra të moshuara apo vajza të mitura, për shkak të arsyeve ekonomike, prostituojnë. Policia ka evidentuar edhe raste të tjera, kur gra rreth të 50-ve dalin në rrugët e kryeqytetit për të shitur trupin e tyre. I njëjti fenomen vërehet edhe me vajzat e mitura, të cilat në të gjithë rastet thonë se prostituojnë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Në morinë e arrestimeve për veprën penale të prostitucionit, kanë qenë të rralla kur policia ka arritur në përfundimin se vajzat apo gratë kanë një tutor. Në shumicën e rasteve çështjet janë mbyllur vetëm me një të pandehur: prostitutën. Prostitutat e ndëshkuara nga gjykata për veprimtarinë e tyre të jashtëligjshme dhe të pamoralshme, janë thuajse nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, ku vendin kryesor e zë Tirana. Nga 17 gratë dhe vajzat e dënuara me vendim gjykate, 7 prej tyre janë nga Tirana dhe rrethinat e saj. Këto vajza dhe gra kanë një formim shumë të ulët kulturor dhe një arsimin deri në 8 klasë. Të dytat në listë për nga origjina janë durrsaket. Sipas vendimeve të dhëna nga gjykata, gjatë këtyre 5 muajve janë dënuar tri gra për ushtrim prostitucioni, të cilat kishin si orgjinë Durrësin dhe rrethinat e tij. Përsëri niveli kulturor dhe arsimi i këtyre grave është tepër i ulët, duke mos pasur asnjë mundësi zgjedhjeje për të siguruar jetesën, veç prostitucionit. Në 7 rastet e tjera të evidentuara dhe ndëshkuara për ushtrim prostitucioni, vërehet një shpërndarje thuajse e barabartë gjeografike. Zonat rurale të rretheve Korçë, Elbasan, Peshkopi, Pukë, Peqin, Fier dhe Lushnjë, janë kryesisht zonat që kanë gjeneruar kontingjentin e prostitutave, të cilat kryesisht për arsye ekonomike kanë përfunduar në rrugë. Të ardhura nga këto zona, kjo kategori grash dhe vajzash janë vendosur në kryeqytet me shpresën për një jetë më të mirë. Por arsimimi në nivele tepër të ulëta nuk u ka dhënë asnjë mundësi për t’u punësuar, përveçse si prostitutë. Nga 17 rastet e ndëshkuara në gjykatë, një pjesë e mirë e grave dhe e vajzave janë detyruar të prostituojnë vetëm për hir të fëmijëve. I tillë është dhe rasti i Kumrije M., e cila pas divorcit nga bashkëshorti, i është dashur të rrisë katër fëmijë krejt e vetme. Duke mos pasur asnjë të ardhur tjetër për rritjen e 4 fëmijëve, 42-vjeçarja është detyruar të prostituojë.

Një hit parade çmimesh

Përfitimi financiar i prostitutave është relativisht i vogël, kjo dhe për shkak të moshës së tyre apo pamjes fizike. Paratë e sekuestruara nga policia gjatë arrestimit në flagrancë të vajzave dhe grave që ushtrojnë prostitucion janë në shifra të vogla, që arrijnë nga 500 deri në 5000 lekë. Nga të dhënat zyrtare të policisë dhe gjykatës, rezulton se pjesa më e madhe e prostitutave marrin 1000 lekë në këmbim të një marrëdhënieje seksuale. Nga 17 rastet e paraqitura në gjykatë, pjesa më e madhe e tyre përfitojnë 1000-2000 lekë, por pa përjashtuar as rastet kur një prostitutë ka arritur të marrë 5000 mijë lekë për një marrëdhënie seksuale. Bëhet fjalë për 26-vjeçaren nga Peshkopia, Sadie S., e cila ka arritur të kryejë marrëdhënie me dy klientë në të njëjtën kohë. Dhe sikur mos kishte ndërhyrë policia, e cila e prangosi në kushtet e flagrancës, 26-vjeçarja do të kishte përfituar edhe shumën e 5000 lekëve nga dy klientë të tjerë. E dyta për nga pagesa është 18-vjeçarja Jonida T., e cila është kapur në qendër të kryeqytetit, duke ushtruar prostitucion me një klient, të cilit i kishte marrë shumën e 3000 lekëve. Ndërsa në rastet e tjera kur prostitutat janë arrestuar në flagrancë, shuma e parave që ato përfitonin janë më të vogla. Sipas të dhënave të policisë, punëtoret e seksit, pasi zgjedhin klientin, i propozojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale kundrejt shumës që e përcaktojnë vetë ato. Pasi zgjedh hotelin, prostituta detyron klientin të paguajë edhe dhomën, e cila kushton nga 500 deri në 1000 lekë.

Gazeta Korrieri


  Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 53 54 55 56 57 58 59 60 61 [62] 63 64 65 66 67 68 69 70 71 » ... E fundit »
Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.