Forumi Horizont | Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 54 55 56 57 58 59 60 61 62 [63] 64 65 66 67 68 69 70 71 72 » ... E fundit » Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Të ndryshme (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=36)
-- Pushimet e Veres (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18746)
So. 16. 8. 2015
Nyja gordiane –Albania
Pas kësaj vizite tre javore që bëra në vendin e shqiponjave (të hipotetizuara), nuk dija si ta zbusja atë përmbledhje ndjesish që më kaplluan për këtë vend. Në të gjitha rrugëzat e hapura të qënies time për derdhjen e çdo justifikimi çlirues, kujtimi përmallues, ndjesie dashurore, ndjenje mirësie, shprese të kolpuar, mendimi buzëqeshës, dallimi të diçkaje të bukur e të mirë që ta ngroh zemrën, nuk kish më tepër se një lëmsh të koklavitur, i cili mund të presupozonte simbolikisht këtë vend ku kam lindur dhe jam rritur. Më tepër se kaq nuk mund të jepte dashuria për vendin, kujtimet për njerzit dhe gjithshka e bukur që kemi kaluar dhe kalojmë në Albani.
Ky vend përgjumej midis perëndimit dhe lindjes. Flirtohej hapur me oksidentin dhe kurvërohej fshehurazi me orientin. As njërën e as tjetrën nuk dinte ti bënte qartë dhe me zemër.
Lëre që dhe zemrën dukej se e mbante me gjak të huaj. Merrte para me kredi nga perëndimi, dhe e shitur ishte më së shumti në Azinë e Vogël. Bënte sikur luftonte të hynte në EU (BE), me një shtirje aq të hapur, sa të jepte të kuptoje se ishte e interesuar vetëm për eurot, por jo për ligjet dhe kulturën europiane.
Çdo cent dhe euro që hynte nga perëndimi shkonte më së shumti për shpenzime qeveritare dhe shtetërore, si dhe për infrastrukturë (rrugët). Disa thërrime mbeteshin nga këto para edhe për shpenzime të organizatave gjysëm-qeveritare dhe gjysëm-shtetërore, si dhe për të ashtuquajtura shoqata të ndryshme me njerëz të afërt me ata shtetërorë. Ndërsa për kërkime shkencore dhe prodhimtarie në industri apo bujqësi, nuk shkonte as edhe një cent.
Në këtë gjendje quhet fat i madh që në këtë vend ndodhen disa investitorë të huaj, të cilët kanë punësuar disa dhjetra-mijra njerëz, duke i siguruar (teorikisht të paktën) nga ana shëndetsore dhe pensionare. Qershinë e tortës në këtë punësim e zotëronin firmat turke, të cilat zotërojnë degë mjaft të rëndësishme, si telekomunikacioni, miniera dhe metarlugjiku, mjaft banka, dhe dhjetra ndërmarrje të tjera më të vogla; kështu ato punësonin jo vetëm disa mijra (e ndoshta dhjetra mijra) punëtorë shqiptarë, por edhe disa qindra (ndoshta disa mijra) punëtorë të ardhur nga Turqia. Firmat e vendeve perëndimore nuk ishin ambientuar akoma me sistemin oriental të dhënies së parave nën dorë, -po të mos llogarisim një pjesë të firmave italiane dhe greke- ndaj dhe këto firma europiane nuk kanë bërë akoma këmbë në këtë vend.
Meritën kryesore në këtë drejtim lindor-mesjetar e mbanin pak emra, ai i Sal Berishës, Fatos Nanos, Edi Ramës dhe Lul Bashës, -ndonëse ky i fundit akoma nuk ka patur fatin ta shpalosi hapur orientalizmin e tij, e tua kalojë tre të parëve. Nëpërmjet këtyre bënë vend në këtë vend jo vetëm milionat e dollarve nga vende jug-lindore aziatike e myslimane, bën vend jo vetëm rrymat fetare fanatike që pengojnë ligjin dhe transparencën juridike në çdo aktivitet juridik, biznesi, etj, bën vend jo vetëm format mesjetare të rryshfetit dhe mungesës së konkurrencës së lirë, bën vend jo vetëm metoda servilizmi, kamufllimi dhe shantazhi, bën vend e pa vend jo vetëm ndërtesa pa sisteme urbanistike dhe përshtatje me ndërtesat përreth, (si dy kullat e zeza në bulevardin e madh, hoteli Sheraton në krah të Universitetit, kisha ortodokse ngjitur me ministrinë e mbrojtjes, etj.), bën vend edhe dhjetra ndërtesa të tjera me (?) investitorë shqiptarë, që janë jashtë çdo standarti urbanistik dhe arkitekturor me ndërtesat përreth, me pamjen e Tiranës dhe sistemin sizmik të këtij qyteti, (dy të tilla tipike janë akoma pa përfunduar pranë qendrës), bën vend në këtë vënd edhe qindra kulte fetare, a thua se ky popull dallon për fetarizëm ekstrem, si shumë popuj arabë, bëri vend edhe izolimi i bustit të Skëndërbeut nga otomanët e rinj me në krye Lul Bashën, e çfarë tjetër negative nuk bëri vend në këtë vend, sa në një intervistë të një gazetareje para pak vjetësh me qytetarët e Tiranës, se si mund të ndreqej Tirana me një urbanistikë të rregullt, përgjigjet ishin aq çoroditse, sa nuk jepej zgjidhje, po të përjashtojmë vetëm përgjigjen fataliste të një qytetari, i cili tha se një shkatërrim i gjithshkaje mund të bëj që të nisë çdo gjë sërish nga e para dhe me sistem.
Ndaj dhe unë, duke ardhur çdo dy-tre vjet në vendin ku kam lindur dhe jetuar 26 e ½ vjet, duke u ndier përherë e më tepër si i huaj në vendin ku kam lindur dhe jetuar rresht 26 e ½ vjet, duke e parë përherë e më tepër të transformuar për keq vendin ku kam lindur dhe jetuar 26 e ½ vjet, përpiqem të largoj të gjithë pezmin dhe helmin e mbledhur në shpirt, përpiqem të derdh ndonjë kujtim dhe ndodhi të bukur të këtyre vizitave jo aq të shpeshta, ndaj dhe nuk lëshoj mallkim e as fjalë të këqia për këtë vend dhe popull. Por me gjithë këtë mirësi dhe dashuri të shterur, nuk mundem ta krahasoj këtë vend më shumë se sa me një lëmsh të ngatërruar, i cili jo vetëm nuk duket se ka zgjidhje, por ka lidhur pazgjidhshmërisht edhe çdo qënie njerëzore aty. Nuk bëhet më fjalë për zgjidhjen e kësaj nyje gordiane, sepse ajo nuk mund të çzgjidhet më, ashtu siç është lidhur dhe na ka lidhur. Por bëhet fjalë vetëm për dy alternativa të kundërta, ose 1 të pranohet dhe të ambientohemi me këtë kandaharizëm oriental, ose 2 të marrim një shpatë e ta presim me forcën e krahut dhe të shpirtit këtë nyje orientale gordiane.
Përndryshe nuk do të njohim më njëri-tjetrin, nuk do të njohim më vetveten, ashtu siç edhe kemi filluar të mos e njohim më!
Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 54 55 56 57 58 59 60 61 62 [63] 64 65 66 67 68 69 70 71 72 » ... E fundit » Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.