Forumi Horizont Gjithsej 3316 faqe: « E parë ... « 644 645 646 647 648 649 650 651 652 [653] 654 655 656 657 658 659 660 661 662 » ... E fundit »
Trego 3316 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Diskutime te ngjarjeve nga Shqiperia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=307)
-- Lajmet e fundit... (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=15860)


Postuar nga trojani datë 26 Janar 2010 - 18:07:

Keshilli i Evropes ndeshkon Shqiperine

Europa ndëshkon mazhorancën pas veprimit të njëanshëm të saj për të emëruar përfaqësuesit e opozitës në delegacionin që do të përfaqësonte Shqipërinë në një nga organizmat më të rëndësishëm të kontinentit. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, institucion që është krijuar për të promovuar dhe mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ka vendosur dje që t’i heqë të drejtën e votës delegacionit që ka emëruar kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Strasburg. Në mënyrë të njëanshme në fundjavën e shkuar, kreu i legjislativit ka caktuar delegacionin shqiptar ku shënoheshin emrat e: Ilir Rusmalit, Arenca Trashanit dhe Lajla Pernaskës nga PD-ja, Shpëtim Idrizit nga opozita dhe si zëvendësues ka emëruar deputetin e PS-së, Kastriot Islamin. Vendimi i Topallit, si fillim, ka shkaktuar kundërshtimin e Idrizit dhe Islamit, të cilët nuk e kanë pranuar këtë rol, por më pas edhe reagimin e Europës. Dy monitoruesit e Shqipërisë, finlandezi Laasko dhe britaniku Wilshire, kanë propozuar menjëherë një rezolutë për të kthyer në “nul” vendimin e Topallit.

Dhe kështu është bërë dje pasdite. Strasburgu i ka hequr të dërguarve të Kuvendit të Shqipërisë të drejtën e votës duke marrë vendimin më të rëndë ndaj Shqipërisë, që është ekzekutuar nga Këshilli i Europës. Argumentimi i Këshillit të Europës për vendimin e marrë ka qenë se, me këtë akt “delegacioni i Shqipërisë nuk shkoi në përputhje me vlerat europiane”. Vendimi i djeshëm i Asamblesë Parlamentare është marrë shpejt dhe pa dhënë detaje të mëtejshme, të cilat pritet të bëhen të ditura në një seancë speciale për Shqipërinë që do të zhvillohet ditën e enjte, më 28 janar, ku dhe do të miratohet rezoluta për standardet demokratike të vendit tonë. Heqja e së drejtës së votës së delegacionit shqiptar bëhet pikërisht kur projektrezoluta thekson se mungesa e opozitës në Parlament rrezikon që Shqipëria të emërojë delegacionin zyrtar në Asamblenë Parlamentar të Këshillit të Europës. Ky është vendimi i dytë ndëshkues i Strasburgut ndaj Shqipërisë, më saktë ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. I pari ishte një vit më parë, kur Asambleja “ngriu” delegacionin shqiptar pas shkarkimit të kreut të delegacionit, deputetit të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj. Edhe pse duket si një vendim i njëjtë, akti i djeshëm i Strasburgut përbën realisht një hap më tej, pasi jo vetëm “ngrin”, por dhe heq të drejtën e votës pa limit kohor deri në arritjen e konsensusit politik në Shqipëri. Ish-kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, tha dje se “ky është dëmtim i rëndë i imazhit të Shqipërisë. Kjo ndodh për herë të dytë brenda harkut kohor të një viti. Do të thoja është antireklama më e mirë për Shqipërinë, nga ata që kemi zgjedhur për të drejtuar këtë vend”.

Rezoluta
Më 27 janar, në orën 15:30, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të mbajë një seancë speciale për funksionimin e institucioneve demokratike në vend, si dhe zbatimin e standardeve të KE-së nga Shqipëria. Në këtë seancë do të prezantohet një projektrezolutë nga dy reporterët për Shqipërinë, përkatësisht finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Wilshire. Në tekstin e këtij dokumenti theksohet se “komuniteti ndërkombëtar nxit me forcë qeverinë shqiptare dhe opozitën t’i japë fund krizës aktuale dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të proceduar me reformat vitale. Qeveria duhet të ndërtojë pa u vonuar, komisionin e hetimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe opozita të rikthehet në Parlament e të kryejë funksionin e saj. Autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin një reformë legjislative, e cila duhet të jetë në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias.


  Gjithsej 3316 faqe: « E parë ... « 644 645 646 647 648 649 650 651 652 [653] 654 655 656 657 658 659 660 661 662 » ... E fundit »
Trego 3316 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.