Forumi Horizont Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 57 58 59 60 61 62 63 64 65 [66] 67 68 69 70 71 72 73 74 75 » ... E fundit »
Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Të ndryshme (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=36)
-- Pushimet e Veres (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18746)


Postuar nga robert datë 11 Shtator 2017 - 22:35:

Ja dhe pushimet e ketij viti ne Shqiperi mbaruan. Disa nga pershtypjet po i hedh ketu, dhe mund te vazhdoje edhe me tej.

Përrallë nga e tashmja (1)

Udhëtimi dhe qëndrimi im i përçdo-dyvjetshëm në vendin e lindjes i ngjan asaj përrallës me borëbardhën dhe 7 xhuxhat, vetëm se në kundrinor të zhdrejtë. Borëbardha e rigjente shtëpinë dhe oborrin e saj të pastruar dhe mirëmbajtur, përherë e më mirë. Ndërsa unë e gjej Shqipërinë “time” përherë më të katandisur si mos e më keq, përherë e më shumë me bindjen se ky vend nuk ka për tu rregulluar ndonjëherë. Biles kjo e fundit, bindja, është ajo që më llahtaron, në mos qoftë thjesht një fobi e imja.
Nuk e kam fjalën për forcat politike; tashmë gjithkush është i mirë-sqaruar se në Shqipëri nuk ekzistojnë forca politike, por thjesht individë të inkuadruar diku për të siguruar një mirqënie private të kënaqshme, -a nuk do të ishte edhe kjo mjaftueshëm për tu çmerruar!?. Nuk e kam fjalën as për koalicionet ndërkombëtare, interesat e të cilave përplasen në Ballkan e sado pak edhe në Shqipëri, e ku kjo e fundit as ka forma, mjete e guxim për të zgjedhur në orientimin e saj, e as nuk bëzon për ndodhjen e saj në xhepin e ndonjë fuqie mesjetare, si Turqia, -këto skenare aktualë dhe dita-ditës narrativë të deprimojnë deri në cakun e apatisë! Por e kam fjalën për thjesht disa aktivitete të përditshme mes individësh, të cilat në vetvete nuk bëjnë bujë, por të cilat në tërësi kanë krijuar një ushtri mirmidonësh (milingonash), -mercenarë të vetvetes të gjithë këta! Ç’paradoks!!!
Zbrita të shtunën në mëngjez nga trageti në portin e Durrësit dhe, pasi kompjuteri i pikës kufitare më cilësoi si person negativ dhe të rrezikshëm, (gjithë jetën kam qenë bisht qeni, i tillë dalloj prej fillimit të viteve ’90 në të gjitha pikat e kalimeve kufitare të Europës, -një fenomen tashmë monoton për mua- prandaj mos kujtoni se ky përshkrim udhëtimi do të përqëndrohet tek vetja), më duhej të kaloja një tynel të gjatë për të dalë diku në qytetin e Durrësit. Mbas pyetjes së bërë në dalje, më sqaruan se ky ishte një projekt i vetë kryebashkiakut të Durrësit, (emri nuk më kujtohet), pra i atij biznesmeni që ngrinte pallate dhe mbulonte rrënojat antike të kohës romake, vetëm e vetëm që punimet e pallatit të tij të mos ndalnin! Frymën e ndala në Tiranë, por më duhet të prisja deri të hënën për të vajtur në Bibliotekën Kombëtare, ku më duheshin disa libra (100 deri në 200) për ti parë dhe, disa, për ti fotokopjuar.
Për habi, me një mirsjellje (paçka se të shtirur) mu bë pa shumë burokracira regjistrimi si lexues provizor, pra vetëm me kartën e identitetit. Bukuri, thashë, do të kem mundësi që brenda 1 jave të kaloj në duar 100 libra!... Ëndrra në beze, siç thotë shkodrani, sepse de facto lejoheshin vetëm dy libra në ditë për tu tërhequr. Ndërsa de jure lejoheshin deri në 3 libra, gjë që unë me një stërmundim buzëqeshje e arrita. (Këtu nuk duhet harruar, që ky 3-esh fat lum është vetëm për kërkesat e hedhura, sepse po të qëlloi që 1 ose 2 libra nuk të dalin, atëhere puthu me Milon, pra kënaqu me 1 deri 2 libra të dalë! Gjithashtu duhet rikujtuar dhe saktësuar, që ky rregull i bibliotekës i përket vitit 1967-68, kur kjo bibliotekë kishte disa mijra antarë të regjistruar dhe, deri në fund të viteve ’80, kishte përditë 2-3 mijë kërkues librash! Ndërsa prej vitit 2000 e këtej ka rreth 20-30 lexues në ditë!)
Për fat, populli shqiptar ka qëlluar zëmër mirë dhe, punonjëset e bibliotekës, përfshi edhe rojen, mbyllnin një sy kur ti dilje fësht nga biblioteka me librin nën sqetull dhe shkoje tek pika më e afërt e fotokopimit, dhe e fotokopjoje librin. Haleluja! Pra, një javë nga leja vjetore, që unë emigranti studjues ia kisha kushtuar vetëm tërheqjes së librave në Bibliotekën Kombëtare, arrita të kaloj në duar dhe të fotokopjoj rreth ... 10 libra! Vetkuptueshëm, pasi të premten dhe të shtunën nuk shërbehej, sepse punonjëset e fondit (ato 2-3 apo 3-4 sa ishin?) do të vendosnin në rafte librat e tërhequr, pra ato rreth 20-30 libra që kërkues të ndryshëm kishin dorëzuar gjatë javës. (Ju kujtoj, se në vitet ’80, kur unë frekuentoja Bibliotekën Kombëtare, dorëzoheshin çdo ditë rreth 2-3 mijë libra, të cilët vendoseshin nga ato 2-3 apo 3-4 punonjëse të fondit sërish në vendet e tyre nëpër rafte.) Por, për tu lavdëruar, apo si të thuash, qershinë mbi tortë, ia vinte në këtë bibliotekë rregulli i ri (prej disa vjetësh), i moslejimit të marrjes së librave në shtëpi, (si dikur), nga kushdoqoftë lexues, pra dhënia e librave vetëm për lexim në sallë, apo në tavolinën para sportelit të shërbimit në katin e parë! Dhe, ky rregull i ri (disa vjeçar) justifikohesh me shumë argumentime, por njëri më kryesori ishte se, para disa muajsh kishte rënë një zjarr, (mallkuar qoftë kush mendon se ia kanë vënë vetë!), ndaj ... ndaj ... prandaj dhe nuk jipen më librat në shtëpi, si dikur, apo si në çdo bibliotekë të botës!!!!!!!
Hëm! E lemë Bibliotekën Kombëtare, sepse e shumta çfarë mund të rekomandonim për risi të re në këtë vend pune do të ishte një vrasëse mizash në dorën e sejcilës prej punonjësve të kësaj biblioteke; kush do libra të lexoje mundet mjaft mirë edhe vetëm të ëndërrojë... (Ndryshimi i rregullave në këtë bibliotekë mund të bëhet vetëm nga alienë! Dhe, se kur këta e kanë ndërmend të vijnë, kjo besoj nuk është në dorën tonë!)
***
Më duhesh shpesh të shkoja në Durrës, meqë në Shkozet banon vjehrri. I hypja unazës në Shkozet, rreth 100 metra para autostradës Durrës-Tiranë. Si për urim, muri i oborrit të një banori kish dalë deri në autostradë! Aty kalonin çdo sekondë jo vetëm veturat, kamionat dhe autobuzët e rretheve të jugut, por edhe banorët e asaj lagje! Pra, një tmerr adekuat shoqëronte cilindo shofer dhe kalimtar të rastit në ato rreth 20 metra mur të spostuar deri në autostradë. Por kjo ishte vetëm përshëndetja paralajmëruese e asaj çka pasonte më pas, me hyrjen e autobuzit në qytetin e Durrësit. Në ndryshim nga Tirana, Durrësi kishte të tjera rregulla. Aty ku ishte stacioni i autobuzit, kishte gjithmonë të parkuar një veturë. Kështu autobuzi ndalonte në rrugë, njerëzit vinin nga trojtuari në rrugë për të hypur në autobuz, dhe kjo ndodhte në çdo stacion të autobuzit të unazës, deri në stacionin e fundit, i vetmi që nuk zihesh nga vetura privatësh! Natyrisht, kjo ishte bërë tashmë rregull, ndaj nuk ishte e nevojshme të ndërhynte më policia, pasi kjo ndërhyrje mund të merrej si inat personal! Bravo Durrësi!
***
Në Tiranë, ndërsa prisje autobuzin, kudo e në çfardo stacion, të duhej gjithmonë të pyesje fatorinon e atobuzit të sapo ndaluar: për ku shkon ky autobuz!?. Në një stacion të vinin 7 deri në 8 linja autobuzësh. Helbete! Privatësi! Konkurrencë! Në shërbim të qytetarit! Po dhe Bashkia e Tironës subvensiononte me para linjat e autobuzve, kështu atyre nuk u prishte punë nëse bënin gjithë atë rrugë kot më së koti me vetëm një pasagjer, pse jo edhe pa pasagjer fare!

E sa e sa fenomene të tilla kënaqsie përjetoje në Shqipëri! Pikërisht të tilla fenomene, që për ti ndryshuar nuk duhej veçse një urdhër me zë të ulët në zbatim të ligjishmërisë! Mendo tani, kur këto çingërrima vazhdonin dhe i rrinin këtij vendi si çiban, si mund ti hiqen çibanë të tjerë më të mëdhenj këtij vendi!?. Historia vazhdon! 8.9.2017


  Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 57 58 59 60 61 62 63 64 65 [66] 67 68 69 70 71 72 73 74 75 » ... E fundit »
Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.