Forumi Horizont Gjithsej 82 faqe: « E parë ... « 58 59 60 61 62 63 64 65 66 [67] 68 69 70 71 72 73 74 75 76 » ... E fundit »
Trego 82 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Ceshtja kosovare dhe me gjere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=162)
-- Pavarsia e Kosoves (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=351)


Postuar nga sarandaebukur datë 30 Gusht 2007 - 21:59:

Citim:
Po citoj ato që tha elsaaa
Kadare: Gabimet e mëdha për Kosovën

Kritika e ashpër ndaj diplomacisë: Pseudo-filozofitë e saj, qesharake e të dënueshme


Shkrimtari i madh shqiptar, ikona e mendimit kombëtar, Ismail Kadare, ka shpërthyer fort ndaj diplomacisë shqiptare në lidhje me çështjen e Kosovës. Në një intervistë për radion "Evropa e Lirë", Kadare thekson se strukja e Tiranës zyrtare për çështjen e Kosovës është qesharake dhe madje e dënueshme...

Tani që negociatat për statusin e Kosovës kanë hyrë në fazën e tyre shtesë prej 120 ditëve, çfarë rezultatesh prisni ju?

Unë nuk u jap ndonjë rëndësi këtyre 120 ditëve. Njëqindenjëzet ditë nuk janë shumë, nëse flitet për një gjë të madhe për kombin. Në këtë rast ne po negociojmë për lirinë e kombit. Çështja është: Çfarë kuptimi do të kenë këto 120 ditë? Pse? Ekziston një problem këtu. Në fakt, askush nuk është i qartë për këtë. Dhe ky është problemi. Kemi të bëjmë me një çështje ekstremisht dhe thellësisht të rëndësishme dhe ajo është e panegocueshme. Në këtë rast diskutohet liria apo skllavëria e një kombi. Kjo është esenca dhe kjo nuk duhet harruar kurrë. Është një komb i tërë që kërkon të drejtën më të lashtë të njerëzimit, që kurrë nuk i është dhënë, bazën e civilizimit, që është liria. Prandaj unë jam i surprizuar nga marrëzia e opinionit publik, mediat, diplomatët apo qeveritë, në lidhje me këtë çështje që nuk trajtohet si dilemë. Në fakt, më parë kjo nuk përbënte dilemë. Kur Evropa hyri në konfliktin ballkanik, ishte e qartë se po kurajohej të bombardohej një vend sovran-Serbia, Jugosllavia. Por kjo bëhej sepse ishte më e rëndësishme liria e një kombi që ishte dhunuar në mënyrën më barbare. Tani, kemi të bëjmë me një brerje të ndërgjegjes, një rishikim të gjithë asaj që është bërë. Kjo keqardhje është një absurditet i pakuptimtë, por kjo është keqardhje për bombardimin e një shteti, Jugosllavisë. E thënë apo e pathënë, kjo është një keqardhje që pranohet gjerësisht. Në Ballkan diçka ka ndodhur dhe kjo është e qartë. Një nga krimet më monstruoze që nuk është parë në historinë e Evropës, ndodhi përpara nesh. Gjysma e kombit, 1 milion njerëz, u zhdukën. Ishte një spastrim etnik, i cili nuk krahasohet me spastrimin etnik të popullit hebre, por për intensitetin e tij dhe kohën kur ndodhi, kishte rivalin e tij (Holokausti). Është e tmerrshme, sepse ndodhi vetëm për pak javë dhe ky krim nuk mund të zhduket me bombardimin e një regjimi barbar. E kam thënë disa herë, në botë nuk është e detyrueshme dhe e nevojshme masakra, por nganjëherë bombardimet janë të nevojshme, si në rastin e Gjermanisë naziste. Evropa duhet të mos jetë konfuze. Nuk ka pse të ketë brerje ndërgjegjeje, apo dhe kthim prapa. Në të kundërtën, po apologjizohet Serbia me forcë. Madje Serbia po llastohet vazhdimisht, dhe në këtë rast Evropa po i bën një dëm të madh Serbisë dhe popullit të vet, duke e zhytur edhe më thellë në fajin e tij. Ky komb duhet ta kuptojë çfarë ushtarësh dhe paramilitarësh ka dërguar në Kosovë dhe në vende të tjera të Jugosllavisë. Nëse e kupton, mund të çlirohet nga makthet dhe demokracia serbe mund të ndihmohet. Nuk do të ketë demokraci në Serbi, nëse nuk do të njihen krimet.

Kohët e fundit po flitet se pavarësia e Kosovës mund të shkëmbehet me ndarjen e një pjese të territorit të saj. Ç‘mendoni rreth këtij varianti?

Unë mendoj që vazhdon të ketë një keqkuptim që është përmendur më herët. Ndarja nuk është pazar i ndershëm dhe unë kërkoj përgjegjësi të plotë për këtë çështje. Mund të hapen konflikte të reja në Ballkan, mund të hapen burime të reja për luftime dhe përleshje, të cilat do të kenë një kosto tepër të lartë për popujt që jetojnë në Ballkan dhe Evropë. Ky është një opsion që nuk do ta mbyllë këtë çështje, por do të hapë konflikte të tmerrshme. Prandaj thashë që problemi (i keqkuptimit), për ata që kanë kryer krime dhe ata që kanë vuajtur, është thelbësor.

Mënyra si vlerësohet krimi është thelbësore për pastrimin e demokracisë.

Në Kosovë ka mendime se këto 120 ditë të negociatave do të dështojnë dhe nuk do të ketë marrëveshje, por do të ketë në fund një shpallje të njëanshme të pavarësisë. Si mendoni ju, a do ta pranojë këtë hap komuniteti ndërkombëtar?

Padyshim. Unë jam shkrimtar dhe njeri i kulturës dhe gjithmonë mendoj që konfliktet mund të zgjidhen në rrugën më demokratike të mundshme, pa dhunë dhe keqkuptime. Por kjo nuk shërben për alibi për të turpëruar një komb në çdo rrugë të mundshme. Në këtë rast populli i Kosovës ka të gjithë të drejtën të përgjigjet me të gjitha opsionet. Nuk ka përjashtime kur flitet për lirinë e një kombi. Kjo është një çështje që nuk negociohet. Ky komb ka të drejtë për të kërkuar lirinë e tij dhe ta mbrojë me të gjitha forcat deri në fund.

Si mundet që elita intelektuale shqiptare të ndikojë për të ndihmuar pavarësinë e Kosovës? Mendoni se duhet bërë më shumë?

Mendoj që Shqipëria duhet të bëjë më shumë. Pseudo-filozofitë e diplomacisë sonë, që kanë mungesë aftësie dhe morali, janë qesharake dhe në të njëjtën kohë të dënueshme. Shqipëria nuk është një planet tjetër, dhe po jep gjykime për Kosovën nga hëna, Bangladeshi apo Japonia. Shqipëria është vendi i parë i interesuar dhe nuk duhet të struket, sepse kjo është totalisht hipokrizi. Shqipëria është vendi që duhet të ndjekë hap pas hapi problemin e Kosovës. Duhet ecur me ndershmëri dhe dinjitet, natyrisht në mënyrë konstruktive dhe jo destruktive. Megjithatë kjo është një çështje morale dhe historike e Shqipërisë, e përbën dinjitetin e vet kombëtar. Unë shpresoj që diplomacia jonë të rishikojë sa më shpejt punën e saj dhe të bëjë përmirësimet e duhura në këtë aspekt.


Marre nga Gazeta Shqip....30/08/2007



----------------------------

Mendoj se komuniteti nderkombetar do ta pranoje kete hap per perfundimin e pavaresise e Kosoves.


  Gjithsej 82 faqe: « E parë ... « 58 59 60 61 62 63 64 65 66 [67] 68 69 70 71 72 73 74 75 76 » ... E fundit »
Trego 82 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.