Forumi Horizont | Gjithsej 41 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 11 12 13 14 15 16 » ... E fundit » Trego 41 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kinematografia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=127)
-- Te reja nga kinematografia ! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17710)
Uma Thurman: Ju dukem një shtëpiake e dëshpëruar?!
Për pak kohë Uma Thurman isha zhdukur nga ekrani për t’iu dedikuar fëmijëve. Tani ka vendosur të kthehet me dy filma dhe një premtim: “Së shpejti do të dalë ‘Kill Bill 3’. Unë dhe Quentin po punojmë për ju”
Lidhja plot ulje-ngritje me francezin Arpad Busson tani duket sikur është në fazën më të mirë të saj. Madje, duket se janë rikthyer edhe kohët kur shëtisnin të përqafuar rrugëve të Nju Jorkut. Uma bukuroshe, që i mbushi 40 vjeç në prill e që për pak kohë ishte zhdukur nga radarët e Hollivudit, është rikthyer sërish. Për të, nënat që punojnë mund të krahasohen me superheronjtë. Uma Thurman ka dy fëmijë, Maya (12 vjeçe) dhe Levon (8). Është divorcuar nga babai i tyre, Ethan Hawke dhe për mëmësinë xhiroi filmin “Motherhood”, që nuk shkoi shumë mirë. U konsiderua si një nga dështimet më të mëdha hollivudiane, madje kur doli në Angli, gazeta “Guardian” shkroi: “Vetëm 88 sterlina fitim në javën e parë të shfaqjes së filmit në kinema”. Edhe me filmin që e pasoi nuk pati ndonjë fat të madh: edhe pse ishte prodhuar që në vitin 2008, filmi “The accidental husband” ka dalë vetëm tani në kinema për shkak të falimentimit të kompanisë që kishte marrë përsipër shpërndarjen e tij. Ndërkohë, Uma ka xhiruar “Bel Ami”, me subjekt të marrë nga romani i Gi de Mopasan, ndërsa më vonë mendohet të dalë “Kill Bill 3”, për të cilin është duke punuar me Quentin Tarantinon. Në mitologjinë hindu, Uma është maja e Ganeshit, zotit që dhuron prosperitet dhe paqe.
Tek filmi “The accidental husband” jeni aktore, por edhe producente. Është e vërtetë se prej kohësh donit të xhironit një komedi romantike, por askush nuk ua vinte veshin?
Në botën e shou biznesit është e vështirë të eksplorosh gjini të reja. Për aq kohë sa nuk ke bërë ndonjë komedi që të ketë pasur sukses, është frikë të guxosh me idenë se do t’i bësh të tjerët të qeshin. Për këtë arsye Quentin Tarantino është kaq i veçantë: ai sheh përtej asaj që duket, duke të ofruar surpriza të këndshme. Për dhjetë vjet kam xhiruar filma dramatik, derisa propozova vetë diçka.
Në film ju interpretoni një prezantuese radiofonike që jep këshilla dashurie dhe pëlqehet shumë nga audienca. Një herë patët thënë: “Më mirë të rrish me një njeri që të tradhton se sa me dikë që nuk nxjerr qimen nga qulli”. Do ta jepnit një këshillë të tillë në jetën reale?
Ema, gruaja që unë interpretoj, është si një lloj guruje që e dëgjojnë të gjithë. Por, vërtet ka diçka të vërtetë tek ajo që kam thënë, ndaj mendoj se do ta këshilloja edhe në jetën reale.
Nuk është hera e parë që vendosni të jeni producente e një filmi...
Jo, e kisha bërë edhe më parë me filmin “Hysterical Blindness”, pasi u dashurova me skenarin. Kjo është hera e dytë që më ndodh. Më bënë për vete dy autorë të rinj dhe të shkëlqyer, Mimi Hare dhe Claire Naylor. Ishte viti 1998 kur i takova dhe u kërkova që ta zhvillonin historinë në një mënyrë tjetër. Pas shumë vitesh punë ja arritëm qëllimin, por pa regjisorin Griffin Dunne nuk do të kishim bërë asgjë. Dhe, ja ku arritëm në realizimin e një filmi të bukur dhe me një kastë aktorësh fantastikë.
Mes tyre është edhe Isabella Rossellini. E njihnit më parë?
Nuk e kisha pasur fatin të punoja me të. Është një nder për mua. Kam gjithë jetën që e adhuroj. Kur hyn në skenë ndryshon rrjedhën e gjërave. Është e mrekullueshme. Por, filmi ka edhe dy aktorë të tjerë të mëdhenj si Colin Firth e Sam Shepard.
Për një periudhë kohe vendosët të punonit shumë pak. Çfarë e ndezi dëshirën për t’u kthyer në sheshin e xhirimeve?
Të qëndruarit në shtëpi me fëmijët më dha një gëzim të madh. Madje, në një farë pike mendova të hiqja dorë fare. Por puna ime, përveçse kënaqësisë më dhuron edhe lumturi. Kështu luftova për të mos u shkëputur nga kinemaja, për t’u marrë me biznes dhe për t’u kujdesur për fëmijët. I bëra të gjitha bashkë.
Cila ju duk gjëja më e vështirë për t’u bërë gjatë kohës që qëndruat në shtëpi?
Lavatriçja që më lodhte shumë me gjithë ato opsione larjeje që ka. Nuk e kisha përdorur kurrë më parë. Pastaj pata edhe probleme me gjumin.
Nuk ju zë gjumi?
Pas shtatzënisë së parë nuk kam fjetur mirë. Mungesa e gjumit është një torturë. Kur mendoj se sa shumë flija më parë, më vjen pak keq.
Çfarë fëmije keni qenë?
Normal. Jo me ndonjë zgjuarsi të rrallë, shumë e gjatë dhe pak e çuditshme.
Po tani?
E gjatë, bionde, me sy blu, e shëndoshë në disa pjesë të trupit dhe e dobët tek disa të tjera.
Zakonisht ju pëlqen t’i xhironi filmat afër shtëpisë dhe të mos udhëtoni jashtë?
Fatkeqësisht, ne aktorët jetojmë kështu. Jemi mësuar të mos jemi në shtëpi, madje shpesh shtëpia jonë na duket vend i huaj. Jemi mësuar nëpër hotele. E urrej faktin që më duhet të largohem ndonjëherë për muaj me radhë pa parë fëmijët.
Si janë raportet tani me ish-burrin tuaj Ethan Hawke?
Pavarësisht gjërave që kanë ndodhur mes nesh, unë do ta dua gjithmonë. Është babai i fëmijëve të mi.
Edhe sa do të duhet të presim për t’ju parë tek “Kill Bill 3”?
Për këtë nuk dua të them asgjë. Po ju them vetëm se kam folur me Quentin Tarantinon dhe ai ka me të vërtetë ide shumë interesante.
(Shqip)
Gjithsej 41 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 11 12 13 14 15 16 » ... E fundit » Trego 41 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.