Forumi Horizont Gjithsej 11 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 11 »
Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Letrarë të rinj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=105)
-- Liqeni i kripur (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18308)


Postuar nga Morfine datë 29 Gusht 2011 - 23:06:

Nuk di pse vendosa të mos shkoja në plazh, atje ku më prisnin shokët. Askush nuk kishte pse të dyshonte për çfarë kishte ndodhur, kështuqë as unë nuk kisha pse të mos shkoja atje për ku isha nisur. Por më duket se isha aq shumë i frikësuar, sa doja me gjithë shpirt që të mos shikoja askënd e mos më shikonte askush me sy! Gjeta disa rrugica të paasfaltuara ku nisa të ecja me kokën e ulur e me shapkat e plazhit që ngecnin në çdo gur sado i vogël që më dilte përpara.



Ngaqë ishte mesditë dhe bënte shumë vapë, nuk pashë asnjë këmbë njeriu në rrugica, veç disa pulave tek-tuk që as nuk shqetësoheshin kur u kaloja pranë, në momentin që çukisnin gurë apo thërrime buke në mes të pluhurit.



I urrej pulat se më duken aq budallaqe! Por më shumë urrej gjelat që më duken edhe më budallenj se pulat!



Ndonjëherë duhet shumë mund edhe përpjekje për të bërë dallimin mes këtyre kafshëve shtëpiake dhe njerëzve që na rrethojnë. Si të parët, si të dytët, bëjnë ekzaktësisht atë që u kërkohet të bëjnë: të qëmtojnë thërrime në mes të pluhurit, ose të këndojnë krenarisht me zë të stonuar atëherë kur gjithë të tjerët ose i ka zënë gjumi, ose “janë duke vdekur”, ose kërkojnë të flenë, ose “kanë vdekur”, ose thjesht nuk duan të dëgjojnë më kaposha të stonuar në jetën e tyre.



Eshtë torturuese që ndërsa kërkon të flesh gjumë, apo të vdesësh apo të mendosh, papritur t’i prish të gjitha këto plane hyjnore një kafshë idiote aty poshtë pallatit tënd!



Vite më vonë, kur mora një shtëpi në qendër të Tiranës mallkoja veten, Tiranën e Shqipërinë sa herë që një gjel diku rrotull pallatit tim këndonte çdo prag mëngjesi, fiks në orën 3. Ndoshta e kam gabim dhe ndoshta jam më pak romantik se ç’duket, po asnjëherë nuk e kam kuptuar në është një vlerë folklorike, apo ndonjë vlerë bashkëjetese të kesh pula që qëmtojnë thërrime apo gjela që këndojnë në qendër të një kryeqyteti, në shekullin e 21-të.



Janë shumë më fisnikë krokodilët përballë peshkaqenëve të bardhë!



Pastaj, kur e pashë veten shumë afër shtëpisë pyeta dikë në rrugë se sa ishte ora, e pasi kuptova se do i ngjante shumë e çuditshme time mëje nëse kthehesha në shtëpi aq herët, vendosa të bëj këmbët pis me rërë, në mënyrë që kurdo të kthehesha në shtëpi, të paktën askush mos dyshonte se unë nuk kisha qenë në plazh…



Ashtu siç ndahen klasët e trenave, avionëve dhe çdo ambienti tjetër publik në botën moderne, po ashtu ndahen edhe parcelat e plazhit me rërë, mes njerëzve që pretendojnë të jenë më të pastër, dhe atyre që ndoshta janë apo sillen si më të pisët.



Po unë edhe jam, edhe ndihem i pisët në ato momente, ndaj zgjedh me ndrojtje të ulem në pjesën e plazhit publik ku bëjnë banjo dielli njerëzit më të bukur e më të pisët të qytetit tim: komuniteti rom dhe egjiptian.



Njerëzit e sotëm e kanë harruar bukurinë dhe kënaqësinë e të shtririt lakuriq, në rërë, ndaj përdorin shezlongje e lloj lloj kremrash, si të jenë në permanent apo si të jenë duke sfiluar në pasarela mode. Plazhi i sotëm në Shqipëri i ngjan gjithnjë e më shumë një ambienti depresiv, fallco dhe aspak argëtues, por unë në moshën 14 vjeçare pa e kuptuar fare bëra zgjedhjen më të bukur, kur pasi u njoma në ujin e ftohtë të liqenit, u shtriva direkt në rërën e ngrohtë. Shtriva trupin fillimisht, e pastaj vendosa kokën në rërë, dhe u ndjeva i relaksuar.



Mbylla sytë dhe u ndjeva rehat, mes fëmijëve të shëndetshëm e me ngjyrë kafe që gëzoheshin me rërën e me ujin e freskët. Madje ndjeva një dritë të jashtëzakonshme, aq të jashtëzakonshme sa kur po endesha në botën e gjumit, në ato sekonda apo të qindttat e sekondave sa je ende i ndërgjegjshëm, unë u ndjeva i lumtur…



E kërkoj me dëshpërim edhe sot atë ndjesinë e pafajësisë së moshës së adoleshencës. E më duket, se nëse ka një parajsë ndjenjash sot, ajo u përket fëmijëve, por edhe adoleshentëve.



Të parët jetojnë të lumtur të tashmen e tyre, të dytët janë të detyruar të jetojnë të tashmen duke mallkuar puçrat në fytyrë e duke mos u ndjerë rehat me trupin e tyre e ndërkohë hedhin sytë herë pas here me shpresë nga një e ardhme që ata nuk kanë pse mos e ëndërrojnë si më të mirën e mundshme.



Ndërsa “pleqtë” e kësaj bote, jetojnë gjithmonë ose me të kaluarën që kanë humbur, ose me të ardhmen që nuk kanë për ta patur asnjëherë.



Zot, të lutem më bëj edhe njëherë 14 vjeç!


  Gjithsej 11 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 11 »
Trego 11 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.