Forumi Horizont | Gjithsej 45 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 11 12 13 14 15 16 » ... E fundit » Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Vllaznia (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1935)
Vllaznia
E kanë nisur punën e tyre në krye të Vllaznisë me një premtim shumë të rëndësishëm drejtuesit e rinj: "Sa të jemi ne në krye të këtij ekipi, nuk do të dëgjoni për shitje dhe blerje ndeshjesh. Të njëjtën moto pune kërkojmë të ndjekin edhe kolegët tanë, sepse vetëm kështu do të fitojë më i miri dhe nuk do të nëpërkëmben paratë tona". E gjitha kjo ka ardhur pas zhurmës së bërë kohët e fundit në shtypin sportiv, në lidhje me trukimet e mundshme të ndeshjeve të dy ekipeve tona në Kupat e Evropës, luajtur nga Vllaznia dhe Dinamoja. Madje, ditë më parë, vetë numri 1 i FSHF së, Armando Duka, ka deklaruar se kjo çështje do të kalojë në prokurori. Pikërisht për këtë qëllim, dy drejtuesit e lartë të sapozgjedhur të ekipit shkodran, presidenti Agron Çela dhe zëvendëspresidenti Valter Fushaj, kanë deklaruar se veprime të tilla do të jenë të ndaluara për skuadrën që drejtojnë. "Në të vërtetë, ne nuk kemi punë me ato çfarë mund të kenë ngjarë deri tani me Vllazninë apo me ekipet e tjera. Duam t'i garantojmë të gjithë se, tani e tutje, për sa i takon Vllaznisë, nuk keni për të dëgjuar gjëra të këtilla", është shprehur presidenca e re kuqeblu. Në fakt, duke u kthyer paksa prapa në kohë, krerët e rinj të kuqebluve nuk e mohojnë mundësinë e trukimit të ndeshjes Vllaznia Dandi. Megjithatë, sipas tyre, për ta është e rëndësishme t'u bëhet e ditur sportistëve një fakt: të mos e çojnë ndër mend më një veprim të tillë në të ardhmen. Zëvendëspresidenti Fushaj ka thënë dje paradreke se do ta mbledhin skuadrën dhe do t'u flitet lojtarëve pikërisht për këtë problem. Në të njëjtën linjë mendimi është edhe numri 1 i klubit, Agron Çela, i cili i ka paralajmëruar lojtarët se, nëse konfirmohen veprime të tilla në të ardhmen, masat ndëshkimore do të jenë shumë të rënda për ta. "Ne, si biznesmenë, kemi ardhur në krye të Vllaznisë me dëshirën e mirë për të bërë diçka të bukur për këtë qytet dhe jo për të lejuar veprime të tilla. Mund t'u them vetëm kaq: Vllaznia nuk ka për t'u përfshirë asnjëherë në dallavere të këtij lloji. Askush nuk ka për të dëgjuar se kjo skuadër ka blerë apo shitur ndeshje. Për këtë të jenë të gjithë të sigurt. Nëse merret vesh që ndonjëri nga futbollistët e këtij ekipi do të bëjë lojëra të tilla (nuk është shumë e vështirë për t'i marrë vesh ato), të jeni të bindur se nuk ka për të luajtur më futboll me fanellën kuqeblu", ka shtuar më tej numri 1 i klubit shkodran. Në këtë mënyrë, biznesmenët shkodranë, që janë vënë në krye të Vllaznisë, kanë premtuar një futboll të pastër, larg atij që është shfaqur këto vitet e fundit, me rezultate të fiksuara që përpara. "Ne jemi vetë biznesmenë e, nëse është puna për të fituar lekë, e bëjmë vetë një punë të tillë dhe jo lojtarët. Kemi ardhur në krye të Vllaznisë për ta ndihmuar këtë skuadër. Prej saj presim vetëm futboll të pastër, të bukur e të ndershëm", kanë gjykuar krerët e Vllaznisë.
-------/////////--------
Kuqeblutë, humbja që kushtoi 10 milionë lekë. Më tepër se një humbje në shifrat 1-4, ajo e së shtunës ndaj Partizanit u ka kushtuar kuqebluve edhe në planin financiar. Plot 10 milionë lekë të vjetra ka qenë shpërblimi i ofruar në rast fitoreje për futbollistët e Vllaznisë. Ajo është premtuar nga presidenti Agron Çela dhe kolegët e tij biznesmenë, që janë vënë ditët e fundit në krye të Vllaznisë. Edhe barazimi ndaj të kuqve të Xhanit do të vlente në aspektin financiar për shkodranët, pasi për të kuqeblutë do të përfitonin 5 milionë lekë të vjetra. Megjithatë, ato shifra mbeten vetëm në kuadrin e premtimeve, pasi kuqeblutë janë "shkërmoqur" me rezultatin e thellë 4-1. Rëndësi ka që financuesit e rinj të Vllaznisë kanë hyrë fuqishëm në investimin e tyre. Këta të fundit, njëkohësisht, kanë deklaruar se presin më shumë nga lojtarët dhe stafi drejtues i Vllazisë. Nëse është e lehtë të kërkosh para, është e vështirë t'i justifikosh ato. Për këtë qëllim, kuqebluve u duhet shumë punë në të ardhmen.
------/////////-------
Lojtari që i dha njëherë lamtumirën Vllaznisë, tiranasi Sokol Ishka, e ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit te kjo skuadër. Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë ai për gazetën, kur ka shpjeguar se sot do të jetë në Shkodër, për të biseduar me drejtuesit e rinj të klubit. Bashkë me të pritet të jetë edhe Skerdi Bejzade, i cili mbrëmë vonë është kthyer nga Qipro. Të dy këta lojtarë u përfolën se kanë firmosur për Partizanin, por Ishka ka thënë të kundërtën dje. "Unë nuk kam firmosur për asnjë ekip, prandaj nesër (sot) do të jem në Shkodër, bashkë me Skerdin. Kësisoj nuk përjashtohet mundësia që, pas bisedimeve me drejtuesit e rinj të Vllaznisë, të qëndroj sërish te ky ekip, ku e kam kaluar mirë sezonin që shkoi", - ka deklaruar sulmuesi "kokërruar".
Gjithsej 45 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 11 12 13 14 15 16 » ... E fundit » Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.