Forumi Horizont Gjithsej 10 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 »
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia Demokratike (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=213)
-- Nene Tereza (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2468)


Postuar nga qershor13 datë 06 Tetor 2003 - 14:37:

Post Nene Tereza

Një shenjtore me emrin Tereza


Nga Dominique Lapierre

Ndërsa në Vatikan përgatitej lumturimi i kësaj gruaje tashmë të shenjtë, me sytë e zemrës prej shumë kohësh, shoh të ngrihet imazhi i saj sublim, në këmbë, me një fëmijë ndër krahë, në vijën e zjarrit në Bejrut, në zemër të luftës. Papritur armët u ndalën. Muslimanë e të krishterë ndalën urrejtjen e tyre për t’i hapur udhë kësaj Nëne Kurajë, mesazhere e paqes.
E kam njohur atë 25 vjet më parë, në hyrje të Shtëpisë “Zemra e Pastër”, ku ftonte të gjithë të pastrehët e të varfërit që gjente rrugëve të Kalkutës. Lante plagët e një burri, ende të ri, aq të dobët saqë i ngjante një kufome të gjallë. Ajo i fliste nën zë në gjuhën bengaleze. Nuk do ta harroj kurrë vështrimin e atij burri. Vuajtja e tij filloi të shuhej gradualisht deri në paqe: paqen e dikujt që papritur ndien se e duan. Duke ndier prezencën e dikujt pas shpine, Nënë Tereza u kthye. U ndjeva tmerrësisht në siklet. Sytë e burrit dukeshin sikur i luteshin asaj që të kujdesej sërish për të. U prezantova. Një vullnetar i ri evropian kaloi në atë moment pranë nesh. Nënë Tereza e thirri dhe i tregoi burrin që vuante. “Duaje!”, e urdhëroi. Duaje me gjithë qënien tënde”. I dorëzoi të riut pincat dhe fashot që mbante në duar, u ngrit dhe më bëri shenjë që ta ndiqja në hapësirën e vogël që ndante dhomat e burrave dhe të grave. Ishte e mobiluar me një tavolinë dhe një minder. Në mur ishte varur një tablo, ku ishte shkruar me dorë me bojë të zezë: “Sëmundja më e keqe e ditëve të sotme nuk është lebra, as tuberkulozi, por ndiesia e të qënit i padëshirueshëm, i refuzuar dhe i braktisur nga të gjithë”. Ishte atje, në zemër të qytetit më çnjerëzor në botë, ku ajo kishte filluar 30 vjet më parë, kryqëzatën e mrekullueshme dhe bota e kishte pagëzuar me emrin “Shenjtorja e Kalkutës”. Një kryqëzatë kujdesi dhe dashurie që ajo shpërndau në të gjithë botën për të treguar se “të varfërit duhen dashur, pasi edhe ata janë krijuar nga dora e zotit për të dashur e për t’i dashur”.
Anjeze Bojaxhiu, shqiptarja e lindur në Shkup të Jugosllavisë, në 27 gusht 1910, bija e një sipërmarrësi, e ndjeu shumë shpejt thirrjen për një jetë kushtuar Zotit. Në moshën 18 vjeçe, mori emrin Tereza për shkak të admirimit që kishte për humanizmin e së voglës Tereza të Lisieux-së. Hyri në urdhrin e misionarëve të Loretos dhe në 6 janar 1929, zbriti nga një avullore në molin e Kalkutës, i cili ishte atëherë metropoli më i madh i Perandorisë Britanike, pas Londrës. Për 16 vjet rresht u mësoi gjeografi vajzave të borgjezëve bengalezë, në një prej manastireve më elitarë të kryeqytetit. Deri sa në 10 shtator të vitit 1946, një udhëtim me tren drejt qytetit të Darjelingut, në këmbë të Himalajeve, ku ngjitej çdo vit për ushtrim shpirtëror, trondit qënien e saj. Një zë kumboi në zemrën e saj: “Ngri një urdhër”. “Duhej të braktisja komoditetin në manastir, të hiqja dorë nga gjithçka për të ndjekur atë, Krishtin, për t’i shërbyer nëpërmjet më të varfërve të të varfërve”,- thoshte ajo. Ishte 36 vjeçe. Shtatë muaj më vonë, merr nga Santa Sede lejen për të braktisur kuvendin e saj për të formuar një urdhër të ri fetar me qëllimin “ të shërojë të sëmurët e të pastrehët, të edukojë fëmijët e rrugës, të kujdesej për lypsarët dhe të mikpriste të braktisurit”.
Lindi kështu, falë impulsit të një fetareje të vetme, e ndjekur nga dhjetë bengaleze të reja, kuvendi i misionareve të bamirësisë. Një urdhër që sot numëron më shumë se 4 mijë murgesha, 400 fretër, rreth 3 milionë vullnetarë dhe më shumë se 750 institute bamirësie, të shpërndarë në rreth 150 vende të pesë kontinenteve. Një urdhër me një vitalitet të tillë që po të mundte, do të mikpriste të gjithë nevojtarët e botës.
Mikpritja në Shtëpinë “Zemra e Pastër” e të braktisurve rrugëve të Kalkutës ishte vetëm fillimi i veprave të Nënë Terezës. Duhej të merrej me të gjallët. Dhe në mënyrë të veçantë me më të dobëtit e të pafuqishmit, të porsalindurit të gjetur në agim mes plehrave, nëpër kanale apo nëpër dyert e kishave. Një ditë i sollën një të sapolindur të gjetur mbi një tog mbeturinash të mbështjellë me një gazetë. Peshonte pak më shumë se një kilogram dhe nuk kishte as forcën për të thithur biberonin. Ishte e nevojshme që ta ushqenin me një sondë. Murgesha u bë copash dhe mundi ta shpëtonte. Shumë shpejt dhjetëra të braktisur mbushën djepet dhe repartet e shtëpisë së fëmijëve, “Shishu Bhavan”. Çdo ditë mbërrinin pesë apo gjashtë fëmijë. Motrat e saj, miqtë dhe prifti ku ajo rrëfehej, filluan të shqetësoheshin. Si mund t’u garantonte mbështetje kaq shumë njerëzve? Kësaj pyetjeje i përgjigjej me buzëqeshjen e saj rrezëllitëse: “Do të mendojë Zoti!”. Arritën ndihma pafund. Të pasurit dërguan shoferët e tyre të ngarkuar me thasë me oriz, perime dhe peshk. Tereza arriti të vizatonte me ndihmën e motrave disa manifeste, në të cilat bënte të ditur që ajo kishte mirëpritur të gjithë fëmijët që i kishin çuar.
Pas fëmijëve të braktisur u erdhi radha më të përçmuarve mes qënieve njerëzore, viktimave të lebrës. Në një copë tokë të huazuar nga hekurudha indiane, ngriti një ndërtesë me tulla, ku mikpriti të sëmurët rëndë, të cilëve u çonte çdo ditë fasha, ilaçe dhe fjalë ngushëllimi. Shumë shpejt dhjetëra dhe më pas qindra të sëmurë u paraqitën në portën e këtij oazi dashurie. Nënë Tereza, ftoi të gjithë njerëzit të bashkoheshin me të në një fushatë bamirësie, në ndihmë të këtyre të pafatëve të goditur nga kjo sëmundje e tmerrshme. Sllogani i kësaj fushate ishte: “Të prekim të lebrosurit me mirësinë tonë”. Rezultatet tejkaluan çdo lloj shprese njerëzore. Ajo arriti të krijojë, 300 kilometra larg Kalkutës, një qytet vetëm për lebrozët, “Shanti Nagar”- “Qyteti i paqes”.
Murgesha priste vizita nga vende të ndryshme indiane dhe të huaja. Media filloi të interesohej për aktivitetin e saj. Fama e saj i kaloi të gjithë kufijtë. Një det dekoratash, nderimesh dhe shpërblimesh nuk vonuan të vinin për mesazheren e të varfërve dhe të vuajturve. Dhe në emrin e tyre, në vitin 1979, pranoi çmimin Nobel, për paqen. Nga Bejruti në Etiopi, nga Bangladeshi në Kolumbi, shtati i saj i vogël, i veshur me një rrobë të bardhë, me vija blu, shfaqej në të gjitha teatrot e tragjedive: luftëra, eksode, tërmete. Ajo i nisi motrat e saj deri në kufijtë e Kinës së kuqe, në Siberi, deri tek Fidel Kastro.
I dërgoi madje edhe në kryeqytetet e perëndimit të pasur. “Atje të varfërit janë shpesh më shumë nevojtarë e të vetmuar se në Indi”, u thoshte atyre që çuditeshin. Hapi qendra pritjeje për të papunët, ngriti mensa për të varfërit në periferitë e rrënuara të Melburnit, Romës, Londrës, Detroitit, Marsejës, Rios, Çikagos, Los Anxhelosit…
Një ditë në vitin 1985 lexova një lajm në një gazetë të Nju Jorkut, që më çuditi. Nënë Tereza dhe motrat e saj të vogla indiane kanë hapur një qendër pikërisht në zemër të gradaçielave të Manhatanit, për të pritur viktimat e një të keqeje akoma më të madhe se lebra: SIDA. Gjeta adresën e këtij porti të ri bamirësie. Aty takova atë që unë kisha shkruar, një epope fantastike të dhembshurisë dhe të shpresës, që e pasqyrova në librin tim “Më të mëdhenjtë e dashurisë”. Murgesha kishte gjetur tre mysafirët e parë, pas mureve të qendrës së riedukimit në Sing Sing, ku shkëmbimi i shiringave të infektuara bënte kërdinë mes përdoruesve të drogës. Nënë Tereza nuk hezitoi të kërkonte nga kryebashkiaku i Nju Jorkut që t’i lironte ata. Ata i thanë që këta të sëmurë ishin kriminelë dhe mes tyre kishte edhe vrasës të rrezikshëm. “Nuk mendon se duke vuajtur nga kjo sëmundje ata janë tashmë të dënuar mjat rëndë?”, pyeti. Mjafton që asaj t’i vinin në dispozicion një pronë në mes të një fushe dhe ajo do të kujdesej për ta. Vallë nuk kishte shpëtuar ajo 178 mijë lebrozë në këtë mënyrë?
Para se të merrte përgjigjen nga kryebashkiaku ajo i jep atij kartvizitën. I habitur funksionari bashkiak, i vendos syzet dhe lexon fjalët e shkruara: “Fruti i heshtjes dhe i lutjes, fruti i lutjes dhe i besimit, fruti i besimit dhe i dashurisë. Fruti i dashurisë është shërbim ndaj të tjerëve. Nënë Tereza”. Problemi AIDS e çoi Nënë Terezën në Rumani, Çekosllovaki dhe shumë qytete të Afrikës, ku hapi të tjera qendra në veçanti për fëmijët të prekur nga këto sëmundje. Ky ishte kapitulli i fundit i kryqëzatës së saj. Çdo vit që kalonte shikoja figurën e saj të përthyer gjithmonë e më shumë, fytyrën e saj të bukur të mbushur gjithë rrudha, gjithmonë e më të thella. Kur drita e saj u fik, u ndjeva papritur jetim. Dhe ndërsa në Vatikan përgatitej shenjtërimi i një gruaje tashmë të shenjtë, me sytë e zemrës, prej kohësh shoh të ngrihet imazhi sublim i “Shenjtores së Kalkutës”, në këmbë, me një fëmijë ndër krahë, në linjën e zjarrit të Bejrutit, në zemër të luftës. Shumë njerëz kishin provuar që ta ndalnin të kalonte nga njëra zonë në tjetrën. Por papritur armët heshtën. Muslimanët e të krishterët kishin lënë pas urrejtjen e tyre, për t’i hapur udhë kësaj Nëne Kurajë, sjellëse e paqes.


Zemër e madhe sa pesë kontinente
1910
Në 26 gusht Anjez Gonxhe Bojaxhiu, Nëne Tereza e ardhshme, lindi në një familje shqiptare në Shkup të Maqedonisë. I ati, Kola, i diplomuar në farmaci, vdiq kur ajo ishte 7 vjeçe. U rrit me të vëllanë dhe motrën nga nëna Drane. Në 1928 në moshën 18 vjeçe, kërkon të pranohet nga motrat e Loretos, që punonin në Bengal, në afërsi të Kalkutës.
1929
Fillon ngjitjen në Darjeling në këmbë të Himalajeve.
1931
Vjen në Kalkutë për të dhënë mësim. Ndërron emrin e saj civil me atë fetar, Tereza.
1943
Gjatë Luftës së Dytë, Nënë Tereza kërkon të shkëputet nga kuvendi dhe t’i dedikohet tërësisht të varfërve.
1948
Në 18 gusht vjen përgjigja nga Roma. Papa Piu XII pranoi që ajo të linte kuvendin dhe t’iu dedikohej nevojtarëve. Zhveshi rrobën e zezë të murgeshës, për të veshur rrobën e bardhë, si gratë e varfra të Indisë.
1949
Në 19 mars vjen Subashimi Das, vajza e parë që vendosi ta ndiqte. Në 1997, viti i vdekjes së saj, numëroheshin 4 mijë të tilla nga 123 vende.
1953
Nënë Tereza hap shtëpinë “Zemrat e Pastra”. Pas 20 vjet aktiviteti, numëroheshin: 27 mijë persona të vdekur në paqe, 14 mijë të shëruar e të kthyer në jetë.
1958
Arriti të transferonte lebrozët në një ndërtesë jashtë qytetit.
1965
Më 1 shkurt vjen një dekret i firmosur nga Papa Pali VI, ku aprovonte urdhrin humanitar.
1968
Në drejtimin e Papa Pali VI, motrat e Nënë Terezës hapin një qendër ndihme në Romë.
1973
Qendrat përhapen në të gjithë botën. Janë 600 në pesë kontinente.
1979
Merr çmimin Nobel për paqe.
1986
Papa Vojtila shkon në Indi dhe takon Nënë Terezën.
1989
Atak në zemër. Nënë Tereza rri për dy muaj në spital.
1997
Në mars Papa pranon dorëheqjen e saj për arsye shëndeti dhe zëvendësohet nga motër Nirmala. Në 5 shtator, në orën 21.30 vdes në shtëpinë “Nëna e Kalkutës”. Qeveria indiane kërkon funeral të përmasave shtetërore.


  Gjithsej 10 faqe: « 1 2 3 4 5 6 [7] 8 9 10 »
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.