Forumi Horizont Gjithsej 147 faqe: « E parë ... « 62 63 64 65 66 67 68 69 70 [71] 72 73 74 75 76 77 78 79 80 » ... E fundit »
Trego 147 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja Islame (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=183)
-- Islami dhe te drejtat e gruas ne te. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=4686)


Postuar nga alkimisti datë 29 Tetor 2005 - 16:29:

POLIGAMIA
Një e Vërtetë Historike

Poligamia Në Histori
Në historinë e njerëzimit poligamia ka një të kaluar të gjërë. Ajo është e lidhur ngusht me faktorët e jashtëm si mënyra e të jetuarit e popujve, traditat dhe kulturat e tyre, proporcioni i popullsisë burrë-grua, mundësitë dhe nevojat ekonomike, statusi shoqëror dhe kushtet gjeografike. Dihet se ajo ishte e praktikuar në shumë popuj që nga Babilonia dhe Egjipti i Lashtë deri tek athinasit, indianët, persët, turqit, sllavët, germenët dhe anglosaksonët. Në ligjet e Hamurabit martesa e dytë u pranonte me kushte të caktuara. Poligamia është e lejuar edhe në fetë e Lindjes si në Brahmanizëm dhe në Zerdushtizëm.
Në Hebreizëm dhe në Krishtërizëm nuk ka ndonjë ligj që e ndalon poligaminë. Në Dhjatën e Vjetër tregohet se Hz. Ibrahimi , Hz. Jakubi , Hz. Davudi , Hz. Sulejmani dhe disa profetë të tjerë të Beni Israilëve(shih. Bibla, Zanafilla, 16/1-4; Zanafilla, 29/20-30; 30/3-6; Samuel II, 5/13-16; Mbretërit I, 11/3 ; Eksodi, 18/2-4)
ishin me shumë gra. Në Hebreizëm, praktikimi i poligamisë ka vazhduar deri në Mesjetë. Martesa me shumë gra u ndalua në shekullin XI nga Rabbi Gershom edhe pse nuk kishte ndonjë gjykim ndalues as në Dhjatën e Vjetër dhe as në Telmud,. As në Ungjille nuk gjindet ndonjë shprehje e qartë që e bën të ndaluar poligaminë. Martin Lutheri e ka thënë haptazi se poligamia lejohet.
Poligamia edhe tek arabët në periudhën e Injorancës(Xhahilije) kishte një praktikë të gjërë dhe nuk kishte ndonjë kufizim në numrin e grave për t’u martuar. Ngaqë fuqia e fiseve dhe e familjeve, në plan të parë, mbështetej në popullsi, poligamia ishte një rrugë që shtonte forcën dhe që zëvendësonte popullsinë e humbur në shkaqe luftrash. Përvec kësaj, tek arabët vendas dhe tek ata nomadë(beduinë) të atëhershëm, martesa me shumë gra ishte një rezultat i mënyrës së jetesës së tyre, i proporcionit të popullsisë burrë-grua, i traditës dhe kulturës së tyre. Madje, martesa me shumë gra pranohej si simbol i forcës dhe i pasurisë. Kurse martesa me një grua simbolizonte dobësinë dhe varfërinë. Për këtë arsye, poligamia në popull konsiderohej si mjet nderi dhe krenarie.

Poligamia Në Kohën e Profetit Muhammed
Në kohën e Profetit vërejmë se kishte plot tradita crregulluese që me ardhjen e islamit këto u ndaluan kategorikisht apo gradualisht, si; varrosja për së gjalli e vajzave foshnjë, zinaja, dhihari, alkooli, etj.. Por tek ky popull kishte edhe tradita të rrënjosura thellë si skllavëria. Duke pasur para sysh reagimin që mund t’u bënte nga populli, skllavëria nuk u ndalua as kategorikisht e as gradualisht. Por Zoti, në të gjithë versetet ku kalojnë skllevërit “u mundua” t’u tregojë njerëzve se edhe ata janë në të njëjtin status me të tjerët.
Një nga traditat e arabëve ishte edhe poligamia. Sic e cekëm dhe më lart ky fenomen nuk ishte vetëm në gadishullin arabik por edhe gjetkë, sepse femra trajtohej përherë si një objekt i krijuar për mashkullin. Atyre nuk u jepej vlerë dhe të drejtat i kishin shumë të kufizuara në popull. Ja se si e shpjegon Omeri(r.a.) i cili qante sa herë që i kujtohej se si e ka varrosur vajzën e tij për së gjalli:
“Para islamit, ne burrat nuk u jepnim vlerë grave fare. Kur erdhi islami; Kur’ani foli në lidhje me ‘to. Vërejtëm se edhe ato paskan të drejta mbi ne. ” (Buhari, Libas:31)
Që të gjykohet mbi faktet historike duhet të përdoret një hermonetikë e shëndoshë. Pra, që të nxirret një konkluzion i drejtë nga Kur’ani duhet “të shkohet” në kohën e zbritjes së tij, të vërehen mirë kushtet sociale dhe politike, traditat dhe botëkuptimi i arabëve të shekujve VI, VII. Martesa me 10-15 gra kishte marrë një fazë krejtësisht normale. Me zbritjen e versetit 3. të sures Nisa , Kur’ani ua kufizoi mundësinë e martesës deri me katër gra dhe ua lidhi këtë “liri” me kushtin e drejtësisë(“nëse frikësoheni padrejtësisë…” (Kurani, Nisa, 3)). Dhe ky pra, po të shikojmë mirë, është një rast që tregon se tek ai popull ishte rrënjosur kjo traditë dhe që të mos shkonte pasukses mesazhi hyjnor apo me një shprehje tjetër, që të mos dilte reaksion nga populli, këtë ua la të lirë, por me kusht.
Le t’i hedhim një sy pjesës Kur’anore që bën fjalë për poligaminë:
“Nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakëve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, tri e me katra. E nëse i frikësoheni padrejtësisë ndaj tyre merreni vetëm një ose t’ju mjaftojnë ato që keni nën pushtetin tuaj. Kjo është më e përshtatshme për ju që të mos i ndaheni drejtësisë”(Kur’ani, Nisa, 3)
Komentatorët e Kur’anit si Ibn Kethiri, Zemahsheri, Teberi, Xhelalejnët, S.Kutubi, Mevdudi, Sabuni, etj, nga ky verset nxjerrin një konkluzion të tillë: “Nëse je i zoti të bëhesh i drejtë mund të marrësh deri katër gra”. Po mirë, a mundet një burrë të bëhet i drejtë, të sillet njëlloj me disa gra? Kur’ani tek e njëjta sure e kthen këtë përgjigje “Sadoqë të përpiqeni, ju kurrsesi nuk mund ta mbani drejtësinë mes grave…”(Kur’ani, Nisa, 129)Po për cfarë drejtësie bëhet fjalë? Komentatorët, fjalën “drejtësi/adale” që kalon në këtë verset e kanë kuptuar si një drejtësi materiale. Pra, “nëse je i zoti t’u ndash të njëjtën pasuri” Kjo gjë edhe pse mund të jetë e vështirë, nuk është se s’bëhet. Por mesa duket këtu bëhet fjalë për një drejtësi më absolute, më abstrakte dhe shpirtërore që është “dashuria”. “ Nëse je i zoti t’u ndash të njëjtën dashuri atyre, atëherë mund të marrësh edhe dy edhe tre edhe katër, por kjo gjë ngaqë nuk është e mundur martohu vetëm me njërën”. Nëse lexojmë me kujdes edhe versetet e tjerë që bëjnë fjalë për këtë temë dhe për lidhjet burrë-grua si; Nisa:127, Rum:21, Bekare:187, Fatir:11, etj.. ashtu sikurse vihet në dukje tradita e skllavërisë që Zoti nuk e ndaloi direkt por e nxiti përherë që t’u zhdukte kjo gjë, po ashtu del në pah edhe fakti se vetë Kur’ani “u mundua” të ndalojë traditën e poligamisë të asaj kohe dhe njerëzit t’i drejtojë në një jetë të lumtur.
Martesa me një grua është traditë e Profetit tonë(sav). Rininë deri në moshën 25 vjeçare ai e kaloi i vetëm. Pastaj duke i pasur të gjitha mundësitë të martohej me një grua tjetër pas martesës me Hz. Hatixhen(që ishte 15 vjet më e madhe se ai), deri kur vdiq ajo, Muhammedi a.s. jetoi vetëm me atë. Ja pra, kjo traditë profetike 53 vjecare është shembull për çdo musliman.
Madje, i Dërguari i Allahut pas vdekjes së bashkshortes së tij Hatixhes(r.anha) për mallin që ndjente ndaj kësaj zonje fisnike dhe të ndershme, afro tre vite i kaloi në vetmi dhe kur ishte në Meke nuk mori asnjë grua. Nuk i la fëmijët e tij në duar të njerkës. Pas tre vitesh, në Medine, kur në shtëpinë e tij nuk kishte ndonjë fëmijë të vogël, Muhammedi(sav) u martua me një zonjushë 17-18 vjecare, me Aishen(r.anha). Nëntë-dhjetë vitet e jetës që i ngelën i plotësoi me këtë zonjë që edukata e saj ishte shembull për të gjithë. Të gjitha martesat e tjera të tija, jashtë këtyre të dyjave, kanë shkaqe politike dhe sociale të lidhura me kohën, vendin dhe rastet e veçanta(Psh. Që t’i mbante gratë sahabe që ishin besimtare të sinqerta dhe që iu kishin vdekur bashkshortët (si; Sevde bint Zem’a, Zejnep bint Huzejme, Hint bint Ebu Umejje). Që të ishin fillestare për t’i ndryshuar botëkuptimet e gabuara të rrënjosura tek arabët (si; Zejnep binti Xhahsh). Të miqësohej me të parët e sahabëve, me fiset e vjetra arabe dhe me popujt fqinj që të mundësohej uniteti islamik (si; Hafsa bint Omer b. Hattab, Ummu Habibe bint Ebu Sufjan, Safijje bint Hujej)..)


  Gjithsej 147 faqe: « E parë ... « 62 63 64 65 66 67 68 69 70 [71] 72 73 74 75 76 77 78 79 80 » ... E fundit »
Trego 147 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.