Forumi Horizont Gjithsej 404 faqe: « E parë ... « 64 65 66 67 68 69 70 71 72 [73] 74 75 76 77 78 79 80 81 82 » ... E fundit »
Trego 404 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Sali Berisha, komunisti i veshur tani me petkun e Demokracise?! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=14943)


Postuar nga sarandaebukur datë 22 Shkurt 2008 - 20:00:

Pse Berisha e shikon me frike Ismail Kadarene?

Thursday, 21 February 2008

Nga Kastriot Myftaraj -

Në qëndrimin e Sali Berishës ndaj Ismail Kadaresë pas vitit 1990, nuk është e vështirë që të konstatosh frikën e Berishës nga Ismail Kadare.Qëndrimi i kujdesshëm i Berishës ndaj Kadaresë shkon shumë përtej atij takti që kanë treguar ndaj Kadaresë të gjithë politikanët dhe qeveritarët shqiptarë, të pas vitit 1990, duke heshtur edhe kur Ismail Kadare i sulmon. Në rastin e Berishës, më tepër se me kujdes kemi të bëjmë me frikë. Pse Berisha ka frikë nga Kadare? Frika e Berishës nga Kadare reflekton frikën e Berishës nga e kaluara e vet, dhe nga njerëzit që mund t’ ia zbulojnë këtë të kaluar. Berisha e di mirë se Kadare i njeh të gjitha skutat e errëta të karrierës së tij. Berisha e di mirë se Kadare ka pasur akses në arkivat sekrete të ish-regjimit komunist. Atje Kadare ka pasur akses dhe në dosjen e Berishës. Dikush mund të thotë se përse duhet të interesohej Kadare për një mjek si Berisha, kur Kadare u largua nga Shqipëria në tetor 1990, dy muaj para se Berisha të bëhej lider politik. Por gjërat janë më të komplikuara. Ismail Kadare ka qenë së bashku me Sali Berishën në takimin e intelektualëve që bëri Ramiz Alia në gusht 1990, para se të zbatohej skenari katovician i ndryshimit të sistemit politiko-ekonomik. Por Kadare dhe Berisha kanë qenë dhe në një mbledhje tjetër intelektualësh, shumë më konfidenciale dhe në një rreth shumë më të ngushtë, ku Ramiz Alia foli hapur dhe tha se pluralizmi do të bëhej shumë shpejt dhe ata që ishin atje do ta zbatonin skenarin. Sigurisht që në këtë mbledhje të dytë Kadare e kuptoi se Berisha do të ishte një nga liderët kryesorë të opozitës së re. Kështu që Kadare, si gjirokastrit dinak, kishte shumë interes që të dinte të fshehtat e njerëzve të rëndësishëm të politikës shqiptare në dekadat e ardhshme. Dhe Kadare kishte mundësi ta siguronte këtë informacion. Kadare kishte miqësi Bujar Hudhrin, nipin e ministrit të brendshëm të asaj kohe, Hekuran Isait, i cili ishte rikthyer në këtë detyrë pas ngjarjeve të korrikut 1990, duke zëvendësuar Simon Stefanin, që qëndroi disa muaj në postin e ministrit të brendshëm. Bujar Hudhri ishte një nga ata letrarët e rinj nga rrethi i familjeve të bllokut të udhëheqjes komuniste, që kishin një joshje të madhe ndaj figurës mitike të Kadaresë. Kadare ua ushqente këtë joshje për interesat e tij. Me anë të nipit të ministrit Kadare u bë mik edhe me vetë ministrin e brendshëm, Hekuran Isai, shefin e Sigurimit të Shtetit, i cili në atë kohë ishte një figurë e frikshme, që kishte drejtuar spastrimet e përgjakshme të «grupit» të Mehmet Shehut dhe atij të Kadri Hazbiut. Në vitin 1990, pas rënies së Çausheskut, edhe pushtetarët komunistë të Tiranës filluan të bëjnë secili llogaritë e veta, për të shpëtuar veten. Nuk bënte përjashtim as «Lala», siç e quanin Hekuran Isain. Edhe pse nuk ishte intelektual, ai e kuptoi me urtësinë e njeriut të thjeshtë, se duhej të merrte disa masa për të mbrojtur veten, sa kishte në dorë të bënte diçka. Dhe kjo diçka në mendjen e tij lidhej me dosjet sekrete të arkivave. Në gusht 1990 shumë gjëra kishin ndryshuar dhe në nivelet e larta nuk ekzistonte më frika e mëparshme nga diktatori. Kështu që Ismail Kadare i përcolli një mesazh ministrit të brendshëm me anë të cilit i thoshte se koha që po vinte kërkonte marrjen e disa masave sigurie afatgjata. Ajo që propozonte Kadare ishte që Hekuran Isai t’ i jepte kopje të disa dosjeve të Sigurimit të Shtetit, që më pas do të fitonin vlerë të madhe dhe që do të shërbenin si garanci për ta. Një nga këto ishte sigurisht dosja e Sali Berishës. Kadare do t’ i mbante këto dosje në një vend të sigurt në Paris, dhe do t’ i nxirrnin vetëm në rast se do të ishte e nevojshme për ato të dy, pra do t’ i përdornin për shantazh. Kjo ishte pikërisht zgjidhja e problemit të «Lalë Hekrit». Ai ishte dakord me të dy duart dhe bëri ashtu siç i tha Kadare. Më pas Kadare do ta shpërblente nipin e Hekuran Isait, duke i dhënë Shtëpisë botuese «Onufri» të Bujar Hudhrit, botuesin ekskluzivitetin e botimit të librave të tij në Shqipëri, gjë që e ka dhe sot. A doni një provë të «Katovicës»? Ja ku e keni! Shkrimtari kryesor zyrtar i regjimit komunist, në periudhën paskomuniste ka si botuesin e vet ekskluziv nipin e ministrit të brendshëm të diktaturës komuniste! Dikush mund të thotë se përse Kadare nuk i nxori këto të dhëna kur Berisha e futi në burg Lalë Hekrin. Duket se ishte Hekuran Isai ai që nuk ia kërkoi këtë gjë Kadaresë me anë të Bujar Hudhrit, se Lalë Hekri u tremb se mos tërhiqte mbi kokën e tij zemërimin e qëndrave ndërkombëtare që do të shikonin t’ u komprometohej përfundimisht pluralizmi në Shqipëri, si i dalë nga Plani i Katovicës. Këtë gjë nuk e donin as perëndimorët se pastaj duhej të ndryshonin krejt skemat e tyre në Shqipëri. Prandaj Lalë Hekri, me urtësinë e tij fshatareske, e gjeti më me vend të heshtte dhe të bënte disa vite burg, se të tërhiqte, mbi krye zemërimin e zotave të «Olimpit» ndërkombëtar. Të njëjtën llogari duket bëri edhe Ramiz Alia, kur Berisha e futi në burg. Sigurisht që këtë lloj frike e ka edhe Kadare dhe Berisha e di këtë gjë. Por Berisha di dhe atë tjetrën se Kadare ka një gen bizarr gjirokastrit që mund ta çojë në veprime të paparashikueshme, që janë më tepër marrëzi se trimëri. Prandaj Berisha, duke iu trembur Kadaresë, kujdeset që mos ta cënojë Kadarenë deri në atë pikë sa ai të bëjë veprime realisht të dëmshme ndaj Berishës. Berisha ka frikë se mos Kadare vihet në rolin e Stefan Cvajg dhe ashtu siç bëri Cvajg për Fushe, shkruan një libër për të (Berishën), ku të paraqiten dhe të dhëna nga dosja e Berishës si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Berisha e di mirë se Kadare ka një joshje të madhe për ta shkruar këtë libër, pasi ky do të bëhej një bestseller në botë, duke konsideruar famën, në shpërpjesëtim me përmasat e Shqipërisë që mori Berisha në botë, me ngjarjet e vitit 1997 në vendin tonë. Prandaj Berisha kujdeset që ta mbajë Ismail Kadarenë «nën kontroll», duke i ngjitur atij pas njerëz si Fahri Balliun, i cili dikur ka qenë dhe mik i ngushtë me botuesin e sotëm të Kadare, Bujar Hudhrin, nipin e Hekuran Isait. Fahri Balliu dikur e ka shfrytëzuar miqësinë me Bujar Hudhrin, të krijuar që në shkollën e mesme, për t’ u bërë mik me Hekuran Isain, të cilit i ka shkruar dhe fjalime, kur ishte ministër. Misioni që Berisha i ka ngarkuar Fahri Balliut pranë Ismail Kadaresë, është arsyeja kryesore që Berisha i toleron Fahri Balliut abuzime të mëdha me pushtetin, si ministër informal që përcakton tenderët e rrugëve dhe tenderë të KESH (në kohën e Andi Belit), në një kohë që abuzimet në përmasa të mëdha, për hir të së vërtetës, ia ndaloi Mero Bazes, i cili ka dhënë në media për PD shumë më tepër se Fahri Balliu. Marrëdhëniet e Berishës me Kadarenë dukej se do të precipitonin pas emërimit të Besnik Mustafajt si minsitër i jashtëm, por kjo nuk ndodhi. Kadare e di se marrëdhëniet e tij me Berishën tentojnë drejt atij që në kohën e Luftës së Ftohtë quhej ekuilibri i frikës dhe që vinte nga shkatërrimi i sigurt i ndërsjelltë i dy blloqeve të pajisura me armë bërthamore. Kadare mund ta shkatërrojë Berishën, por edhe Berisha mund ta dëmtojë Kadarenë, ndonëse nuk mund ta shkatërrojë atë, se Kadare është vetëm shkrimtar dhe jo politikan. Berisha me të ardhur në pushtet në vitin 1992 urdhëroi që të gjendej në arkiva çdo gjë kompromentuese që ishte për Kadarenë. Dhe në arkiva kishin mbetur jo pak gjëra kompromentuese për Kadarenë. Një nga arsyet që Kadare i urren shumë Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën është se nuk pranuan kërkesën që u bëri kur e lejuan të ikë nga Shqipëria në tetor 1990, me gjithë familjen, kundër rregullave të regjimit. Atëherë Kadare u kërkoi që në arkiva të pastrohej çdo gjë kompromentuese për të. Ramizi dhe Nexhmija i dhanë fjalën për këtë, por më pas Kadare e kuptoi se e kishin gënjyer, kur i erdhi fjala se edhe Berisha bëri dosjen e tij «Kadare» për të kundërbalancuar dosjen «Berisha» që ka ka Kadare. Kështu që Berisha dhe Kadare qëndrojnë sot përballë njëri tjetrit si dy përbindësha, produkt i «Katovicës». Tashmë, me largimin e Besnik Mustafajit nga posti i minstrit të jashtëm, Kadare është distancuar dhe nga Edi Rama, dhe marrëdhëniet e Kadaresë me Berishën kanë kaluar nga periudha e luftës së ftohtë, në kohën kur Mustafaj ishte ministër, në atë të paqes së ftohtë, me dorëheqjen e Mustafajt.

----------------------------------

Uaaaa . sa te rrojme do degjojmee...


  Gjithsej 404 faqe: « E parë ... « 64 65 66 67 68 69 70 71 72 [73] 74 75 76 77 78 79 80 81 82 » ... E fundit »
Trego 404 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.