Forumi Horizont Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 67 68 69 70 71 72 73 74 75 [76] 77 78 »
Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Të ndryshme (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=36)
-- Pushimet e Veres (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18746)


Postuar nga robert datë 23 Dhjetor 2017 - 20:24:

Përrallë nga e tashmja (2)

E mbani mënd përrallën me kaprollin, që gjurmohej nga ujku dhe u fsheh pas gëmushës me gjethe, e pas ikjes së ujkut kaprolli e hëngri gëmushën, duke menduar vetëm për urinë e çastit, e duke harruar kështu se mbeti zbuluar?! Dhe... ujku u rikthye prapë... Ja, kështu ka mbetur Shqipëria, teksa ky popull u shkul nga vendi dhe iu ngul tokave pa zot e me zot, ngriti oborret e tij privatë me shtëpia dhe vila të bukura! Tashmë toka bujqësore është bërë kokoshi një thellë, e për të ngrënë bukë, ky kokërr shqiptari pa tru ka marrë rrugët e mërgimit, duke ngelur kështu në dorë të të tjerëve, pse jo rallë –siç e sjellin edhe situatat– edhe në gojë të ujkut. Po ajo përralla me atë fshatarin që thirri qehajanë ti zinte lepurin në kopësht të tij, sepse nuk e zinte dot, a ju kujtohet? Ja, po si kopshti i fshatarit që u batërdis keq e më keq nga langojtë e qehajahit për të zënë lepurin, kështu është katandisur sot sistemi i drejtësisë dhe legjislatura shqiptare nga të huajt perëndimorë, të cilët kanë rreth 25 vjet që e drejtojnë këtë punë në Shqipëri! Po atë përrallën me gomarin që u vesh me lëkurën e luanit, apo majmuni që u bë mbret, e së fundi ky karazgjollëk u zbulua, duke bërë që bota mbarë të tallej, hë, a e mbani mënd? Ja kështu u krekos nacionaliteti shqiptar me nacionalistët në krye gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, e tashmë është strukur nën budadallëkun e vet, pasi pa se me injorancë nuk arrihet kurrë gjë, por vetëm dëmtohet vetja dhe kombi që (gjoja) e përfaqson! E sa e sa përralla të tjera më prezantohen mua aktuale në këtë vend, sa herë shkoj dhe e vizitoj, apo sa herë i hedh sytë nga larg dhe e vështroj!
Ndaj kjo pasqyrë ... po si ajo pasqyra e njerkës së Hirushes së bukur, na ka lëshuar një të vërtetë mjaft të hidhur në këto dy-tre vjetë të fundit: emigrantët punojnë gjithë vitin për një muaj pushime, ndërsa shqiptarët në Shqipëri punojnë një muaj për një vit pushime. Hëm, sa ironi therëse! Nuk është metaforë, nuk është aq as hiperbolë. Ka mjaft realitet aty brenda. Emigrantët shqiptarë, kudo ku gjinden, në Europë në Amerikë punojnë ditën, punojnë natën; punohet gjithë vitin për të bërë rreth 1 muaj leje –natyrisht– në vendin e tyre, aty ku janë lindur e rritur. Aty venë me gëzim të shkelin ato kalldrëme, rrugica e sheshe ku kanë qeshur dhe qarë, ku janë grindur dhe kanë luajtur. E nuk pyesin dhe aq për ato çmime, të cilat rriten për periudhën korrik-gusht në rreth 30%, jo vetëm për shërbimet, por edhe për sa e sa asortimente. Nuk pyesin dhe aq pse tabelat e çmimeve nuk ekzistojnë në shumicën e rasteve. Nuk pyesin për ato ushqime të skaduara në shumë lokale të vogla, nëpër imbise, tek picat hallall (tek këto të fundit kupto: haram), etj.. Nuk pyesin as për ato ndryshime, që jo gjithnjë u kënaqin syrin. Por nuk arrisin ta kuptojnë se si, në këtë periudhë, një shumicë e zyrtarve të administratës dhe organizmave pranë-shtetërorë marrin lejet e zakonshme vjetore, pikërisht në një kohë ku shumë prej këtyre emigrantëve kanë ndonjë problem administrativ për të zgjidhur! Nuk arrisin ta kuptojnë, se si shumë zyrtarë të administratës shtetërore dhe atyre pranë-shtetit nuk gjinden shpesh në vendet e punës, por diku tek klubi jashtë apo kushedi se ku!
Dy ditë para largimit, mora albumin e fotografive për të fotokopjuar një pjesë apo shumicën e fotove, në mos të gjitha, -si të ishte shërbimi dhe çmimi. Hyra tek një dyqan fotosh dhe, me çmimin 40 lekë të reja për foto, thashë të riprodhoja nja 50 prej tyre me nga dy kopje. Mirpo shitësi tha ti lija fotot aty e të shkoja pas dy-tre orësh, sepse do të bënte pas pak gjumin e drekës. Orar nuk kishte fare. Nga meraku që kisha për fotografitë, i thashë se nuk mund ti lej, ndaj vetëm mund të prisja nëse do të niste ti bënte atë kohë. Po ec o burr, se ti bëj tak-fak pastaj kur të vij, ma bëri me dorë. Me buzëqeshje të përdëlluar më ngeli ti thoja se do përpiqesha të vija pas dy-tre orësh. E mirë, s’e prishi fare terezinë ai. Dola. Pas pesë minutash rrugë u gjenda tek një dyqan tjetër i tillë, ku dhe i bëra në moment fotot me nga 40 lekë të reja copën.
E tregova këtë episod të vogël, jo se kishte ndonjë gjë të veçantë nga episodet e tjera, por se pikërisht është një episod mëse i zakonshëm në vendin tonë. Njerëzit –ndonse jo të gjithë– kanë lekë për të jetuar; një pjesë janë marrë me shitje-blerje pronash e tokash, një pjesë me allishverishte nga më të ndryshmet, një pjesë janë nëpër punëra zyrtare, institucionale, etj., një pjesë kanë biznese të vogla, dyqane e më the e të thashë, e disa biznese të mëdha, një pjesë kanë fituar gjatë dekadës së fundit me drogë, dhe pjesa e mbetur ka zanate, pa llogaritur ata në fund, punëtorët e krahut, që kanë sa për të ngrënë një çap bukë. Po të llogarisim edhe lekun që vjen nga emigracioni shqiptar gjatë periudhës së verës tek turizmi shqiptar, si dhe ndihmat nga Brukseli, një pjesë e të cilave shkojnë nëpër dhjetra projekte urbane, kulturore, etj., duhet thënë se një pjesë e mirë e popullsisë së qyteteve në Shqipëri nuk kanë probleme të sigurimit të mjeteve të jetesës. Pikërisht kjo siguri i ka bërë këta shqiptarë paksa fodullë, menefregistë, të papërgjegjshëm. Ndaj dhe shitësi në fjalë, ndonëse i vinin as i vinin tre-katër veta në ditë për ndonjë foto, (sa herë kaloja para dyqanit të tij, nuk më kishin zën sytë njeri brenda), ndonëse e dinte se jo larg tij ishin edhe dy-tre dyqane të tjera fotografish, pra konkurrentë, i leverdiste më mirë të bënte gjumin e tij të zakonshëm të drekës e të largonte kështu një klient, se sa ta shtynte nja një orë gjumin e drekës, apo edhe mos ta bënte fare atë ditë, e të fitonte kështu një klient të ardhëm dhe 40 mijë lekë të vjetra (50x2x400= 40.000) brenda një ore, në mos edhe tre-katër fishin e tyre, pasi në një shërbim të tillë obligues ndaj klientit, unë mund ti riprodhoja të gjitha fotografitë e albumit atë pasdreke! Por duket se shitësi duhet ta kishte të siguruar jetën, ndaj dhe e largonte klientin, ndaj dhe e bënte pushimin e drekës pa tabelë orari tek dera, si një shumicë dyqanesh dhe shërbimesh të tjera në Shqipëri!
Ky detaj “i vogël” teknik nuk tregonte vetëm mosdijen, menefregizmin dhe papërgjegjshmërinë e shërbimit shqiptar. Ky detaj teknik i një tabele orari dhe (mos)zbatimi të saj tregonte atë mentalitet mesjetar otoman, ku shitësi apo shërbimi i caktuar e konsideronte veten dhe shërbimin e tij ndaj qytetarit si një të drejtë të tij, pa as edhe një detyrim të caktuar. Pra, nëse dyqani apo një shërbim i caktuar do të ishin shtetëror si në monizëm, atëhere ai mund ta konsideronte veten si një punonjës në shërbim të klientit. Por, kur dyqani dhe shërbimi i caktuar ishin privatë, ai e konsideronte veten si një punonjës në shërbim të vetes dhe jo të klientit. Shërbimi ndaj klientit, në mentalitetin e sotëm të shqiptarve, konsiston në vetëm aq sa ky shitës, apo zanatçi, ka nevojë për klientin, në të kundërt as që i intereson se ç’kërkon një klient. Ndaj dhe një shumicë shitësish dhe shërbimesh të tjera nuk kanë kurrfarë obligimi dhe përgjegjsie ndaj punës dhe klientit. Ky mentalitet ishte dhe është një tragjedi e këtij populli, shteti, vendi. Ky mentalitet ishte bërë pjesë e jetës së këtij vendi. Ndaj nuk duhet të çuditeni që një shumicë dyqanesh, si ato me orar tek dera, ashtu dhe ato pa orar, do ti gjeni në orë të ndryshme të ditës të mbyllura, sidomos ato të pasdrekës, e sidomos dyqynet e artikujve të ndryshëm dhe jo aq ato të ushqimit, -këto të fundit kanë më tepër xhiro. E jo shumë më ndryshe është edhe nëpër disa shërbime të tjera private, apo ato zyrtare dhe institucionale, që ti illustroj me rastet e mia personale do të më duheshin fletët të tëra, pa llogaritur atë, që më vjen të vjell kur i kujtoj.
Tek shërbimet janë për tu veçuar taksitë, si ato të linçesuara e aq më tepër ato të palinçesuara, tek të cilat duhet patur shumë kujdes, sepse e ha sa krahu në periudhën korrik-gusht, ku shoferi me ta marrë vesh se vjen nga jashtë, ta gjen hilenë si e si ta paguash si frengu pulën. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për pagesën, që në fund të fundit e bën hallall kur caktohet qartë qysh në fillim, por më shumë për mënyrat se si zhvatesh kur nuk i ke qartësuar 100% gjërat qysh në fillim; këto mënyra janë midis atyre të një skileje dhe një grabitqari të hapur. Siç më ndodhi edhe këtë vit mua, teksa taksisti (i palinçesuar) na la pa arritur destinacionin e dëshiruar (Vermoshin) dhe pagesën e kërkoi si të një taksie nga ato me kronometër përpara. Të tilla momente ti zverdhin pushimet. Ç’ti bësh, muajt korrik-gusht janë të vetmit muaj ku mendohet të nxirret leku për të gjithë vitin! Jo më kot ka dalë ajo shprehja e re popullore, që përmenda më lart. Dhjetor 2017


  Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 67 68 69 70 71 72 73 74 75 [76] 77 78 »
Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.