Forumi Horizont | Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 68 69 70 71 72 73 74 75 76 [77] 78 » Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Të ndryshme (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=36)
-- Pushimet e Veres (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18746)
Përrallë nga e tashmja (3)
Gungën, gungën, ma fërko pak, hi-hi-hi, -e kush nuk e kujton këtë skenë me gungaçin, tek filmi francez “Kalorsit e natës”, me Zhan Marenë, ku artisti i madh luan edhe rolin e gungaçit, për tu maskuar dhe futur në qytet, përveç rolit të kalorsit, që kujdeset për vajzën e një markezi me emër. Kjo gungë dhe gjithë historia e këtij filmi mu kujtuan kur pashë gungën shqiptare, sheshin Skënderbej, si një qershizë kjo mbi atë tortë shqiptare të gatuar këto dy dekada e gjysëm tranzicioni. Sheshi Skënderbej si një gungë, mu duk gjëja më pa kripë që mund të përjetoja; shumica e njerëzve që e kanë parë dhe shkelur nuk e ka pëlqyer.
Pazari i Ri dhe disa vende të tjera në Tiranë po risilleshin në një pamje të bukur e qetësuese, çlodhëse dhe argëtimi. Edhe disa piaca qytetesh të ndryshme mu dukën jo keq. Ishte vënë dorë artisti dhe kishin dalë bukur. Diku mund të duheshin edhe ca lule më shumë, apo ndonjë stol, por dhe ato mund të viheshin më vonë.
Ndërsa sheshi kryesor i shqiptarve nuk kish patur këtë fat si ato të qyteteve të tjera. Duket kjo, për të treguar edhe një herë, se ai shesh tregonte jo thjesht punën e një bashkie qyteti, po ai shesh simbolizonte punën e të gjithë qeverisë shqiptare. Dhe vërtet, a nuk ka treguar gjëndja e sheshit Skënderbej punën e çdo qeverie shqiptare?!.
Kryeministri i tanishëm pretendoi se do të bënte shtet, pra do të forconte ato organizma në mbrojtje dhe zbatim të ligjit. Dhe në fillim kështu dukej se po bëhej. Ndërtimet pranë detit nuk po lejoheshin, apo edhe po prisheshin disa. Mirpo, nga viti 2015, kur unë kisha qenë për herë të parafundit, dhe deri në vitin 2017, kur unë isha për herë të fundit në Shqipëri, kishin nisur të ndërtoheshin restorante dhe hotele në buzë të detit, sa kalon Kalanë në Ujë të Ftohtë në Vlorë e deri tej pa vajtur në Pash Aliman. Si kërpudha pas shiut ato kishin nisur mu në buzë të detit, siç duket nga radhimasit, që banojnë jo larg prej aty. Nuk po flas për anën e tejme të xhadesë, në faqe të kodër-malit, se edhe aty kishin nisur ndërtimet pa sistem, por të paktën kjo anë ishte pakëz më larg detit. E gjithë kjo panoramë, se të tilla (ndërtime pa sistem e kuturu) vazhdonin akoma në çdo cep të Shqipërisë, tregonte se qeveria dhe shteti shqiptar nuk e kishin situatën në dorë. Kjo situatë tregonte se ky milet e kishte në gene ta përdhunonte dhe shkatërronte vendin e vet, po të mos dilte një Enver tjetër, që t’ua tregonte kufirin deri tek thana. Po të kemi parasysh se shumë shqiptarë kanë bërë vitet e fundit mjaft para, dhe shumë të tjerë kanë okupuar toka që nuk i kanë patur trashëgim, kuptohet se e gjithë kjo masë do të donte vetëm një dorë të fortë për ta përmbajtur në investimet kuturu e pa sistem, në të kundërt ky vend mund të thuash se ka marrë fund.
Po të kemi parasysh se, këta që kanë bërë para dhe kanë marrë toka, janë në shumicë të tyre edhe në punëra apo në lidhje nga më të ndryshmet shtetërore dhe qeveritare, i bie se shancet për të bërë një shtet të rregullt me ligje në Shqipëri janë pranë zeros. Për ta mbuluar këtë të vërtetë të hidhur duhet pak llustrafino, ndaj dhe kjo ngjiste përditë në shtypin shqiptar. Nëse do të hapësh televizorin, ke gjithkund të njëjtën pamje, si atë të televizioneve europiane në vitet ‘80 e ’90. Në një anë aksidentet dhe krimet, në anën tjetër arritjet e ndryshme. Në të parën ishin të përfshirë kryesisht ata të masës poshtë, në të dytën ishin të përfshirë qeveritarët dhe biznesmenët. Duke i shtuar këtyre edhe disa masturbime të tjera, si ato në lidhje me historinë, kuadri filmik dilte i përsosur. Ti shtoje këtyre edhe opiumin tjetër të telenovelave turke apo indiane, kuptohej se manipulimi i trurit të njerëzve kish arritur kulmin. Nuk kishte më syze ta mposhtëte miopinë kolektive.
Ca më bajat në Shqipëri janë bërë lëvizjet e ndryshme social-politike, gjoja për të mirën e Shqipërisë, mirpo thuajse të gjitha funksionojnë vetëm për qëllimin e rrjepjes së ndonjë kokrre leku nga ndonjë xhep i shtetit shqiptar apo ndonjë organizate të huaj. E biles, disa lëvizje duken sikur janë vetëm vullnetare, mirpo dhe në ‘to duket se skaliten karrierat e ardhme apo përfitime të tjera. Nuk di ç’të thuash, vetëm sheh se rezultatet e tyre janë qesharake. Si në rastin e atyre vullnetarve që mbollën pemë në liqenet e Lurës para dy vjetësh, dhe shumica e bimëve dhe pemëve të mbjella u prish nga klima. Kjo shtirje maskeradiste tashmë ka plasur si qelbi nga puçrat, sa është bërë bajat edhe për vetë pjesmarrësit në çfardo lloj lëvizje në Shqipëri, shtetërore apo civile. Torta është lëngëzuar sa nuk mban më. Shoqëria është bërë aq fluide, sa nuk gjen dot bazament për ta ringritur këtë vend, këtë shtet, këtë popull. Një fluiditet i paparë, më ra në sy këtë vit tek shoqëria në vendin tim! Nuk mund të ndalesh diku, nuk mund të ndalësh dikë, nuk mund të përmbledhësh një subjekt, temë apo idè! Gjithshka të rrëshqet përpara syve, as edhe një gjë të qëndron në dorë. Çdo diskutim është një shou në vetvete, sa për të ushqyer pregatitësit e tij. Çdo temë e rrahur i përngjet rrahjes së ujit në hava. Çdo spektakël mbush momental dhe pjesërisht vakumin e përgjithshëm shoqëror. Nuk di të thuash më mirë, apo më keq pa ‘to! Nuk e di si do i vej halli këtij vendi! Nuk di se çfarë boshti mund ta stabilizojë sado pak këtë shoqëri! Fol sa të duash, fjalët e tua do i marrë era! Xhevairë të nxjerrësh nga goja, fytyrat pa shprehje do të bëjnë sikur ngazëllehen, por asgjë nuk do të lëvizë. Thjesht, ke para, mund të bësh punë! Të mirë apo të keqe, nuk ka aftësinë kërrkush nga masa të mendojë! Gjithsejcili është i zënë me grabitjen e vet! Duket se dhe Zoti e ka harruar këtë vend! Disa trima dolën në mejdan për ti dalë zot këtij vendi gjatë këtyre dy-tre dekadave të fundit. Mirpo asnjëri prej tyre arriti të krijonte një sistem të rregullt e të thjesht juridik, asnjëri prej tyre arriti të ngrinte institucionet e rregullta dhe strikte shtetërore, asnjëri prej tyre arriti të ngrente ekonominë e këtij vendi! Të gjithë këta mashtruan duke thënë se, posi, këmba e tyre paste për këpucën e kryeministrit, mashtruan më keq se motrat e Hirushes, se helbete, patën bekimin e daj Samit dhe Xhon Bullit, e tashmë vazhdojnë grindjet aty brenda Shqipërisë, si të duket se aty gjindet qendra e botës.
E vërtet, po ta marrim Shqipërinë –qoftë dhe nga ana humoristike të paktën– si qendrën e botës, dhe Tiranën si qendrën e kësaj qendre, i bie se tek sheshi Skënderbej duhet të gjindet edhe kjo qendër e botës. Mirpo satirët e qiellit, përmes mëndjes së politikanve-biznesmenë, apo biznesmenëve-politikanë, (sepse vetëm në Shqipëri janë përzier kaq shumë këto karakteristika), e kanë vendosur këtë kulm-qendre botërore jo në mes të këtij sheshi, ku duhej ti binte gjeometrikisht, llogjikisht dhe estetikisht, por e kanë vendosur diku në një skaj të këtij sheshi, dhe këtë jo se kështu ua donte qejfi qysh në fillim, por se aty u doli ky kulm-qendre, i dalë aty si një gungë prej projektit tjetër, atij të parkingut të makinave që bënë më parë. Pra, e vunë sheshin kryesor dhe qëndror të kryeqytetit në funksion të një parkingu makinash poshtë këtij sheshi, e vunë simbolin e vendit, shoqërisë dhe shtetit në funksion të parasë. Duke bërë më parë parkingun, (dhe detyrimisht që parkingu i nëndheshëm do të bëhej më parë, dhe qartësisht që një apo disa parkinge aty rreth e rrotull qendrës janë të nevojshëm për atë sasi të madhe veturash lëvizëse aty pari), por duke marrë parkingu më shumë vend në njërin krah të sheshit, si dhe duke u bërë me dy kate në gjysmën e hapsirës së tij, ky shesh qendror i kryeqytetit dhe simbol i vendit ka dalë me një gungë, biles me një gungë të shëmtuar, sa kur gjindesh në ‘të, të duket sikur ia ke hypur gomarit mbrapsht! Dhe thanë pastaj, (siç kanë gënjyer përjetsisht), se ngritja (kupto: gunga) është bërë qëllimisht, që njeriu i gjendur në (mbi) ‘të të ndjehet dhe të vetsugjestionohet si një krijesë superiore, apo të paktën i barabartë me objektet përreth. Pika që s’u bie! Që edhe naivë të ishim e ta besonim këtë bajatizëm, nuk do të besonim rezultatin e saj, atë të nënvleftësimit në këtë rast të vetë sheshit dhe objekteve rrotull tij! Por ndoshta këtë nënvleftësim të sheshit dhe objekteve rrotull tij, arkitektët e Albanistanit besojnë se e kanë arritur; teksa atyre u duket Skënderbeu si Don Kishoti mbi Rosinat, apo Pallati i Kulturës si mehajne kafenesh dhe biznesesh, Muzeu Kombëtar si kuti dominoje, Banka Kombëtare si vend vjedhjesh, pallati 15-katsh si një kuti shkrepseje që do të digjet me ngritjen e grataçilave tre herë më të larta! Po-po, sipas këtyre arkitektëve të inspiruar nga paraja e vendeve islamike, duhet që simboli i vendit, sheshi kryesor i kryeqytetit, të mos sugjestionojë njerëzit në ‘të, mos ti frymëzojë, mos tu duket madhështor dhe i bukur, por përkundrazi, tu duket si një fush dominoje, ku kushdo mund të luajë si të dojë e kur të dojë, siç edhe po luajnë në fakt këto dy dekada të fundit me Shqipërinë shumë forca të errta dhe regresive nga bota! Ç’ironi! Fatkeqësi dhe aspak për tu gëzuar! E po të kemi parasysh se vetë “mbreti” i tashëm i këtij vendi u kujdes personalisht e në veçanti për rikonstruktimin e sheshit, i bie ta mbyllim me shprehjen latine: qualis rex, talis grex (siç edhe mbreti, ashtu dhe grigja (kopeja)! FUND Do.21.12.2017
Gjithsej 78 faqe: « E parë ... « 68 69 70 71 72 73 74 75 76 [77] 78 » Trego 78 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.