Forumi Horizont Gjithsej 49 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 [8] 9 10 11 12 13 14 15 16 17 » ... E fundit »
Trego 49 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Fizikë dhe Astronomi (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=10)
-- Mbi disa punime te miat-R.Th. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18794)


Postuar nga robert datë 14 Korrik 2015 - 23:32:

2 Hakmarrja e viktimës –tregime, 250 faqe, (në librin elektronik: 280 faqe), GlobusR, Tiranë, 2005, çmimi 330 lek.

Ironia, humori dhe sarkazma shoqërojnë thuajse të gjitha këto 33 tregime të para të autorit Robert Thomanikaj, tregime të skicuara dhe shkruara ndër vite. Titullin e librit e ka vënë botuesi, Petraq Risto, nga pëlqimi duket prej tij i njërit prej tregimeve të librit.
Duke qenë padashur tek ky tregim, po nxjerrim një pasazh të shkurtër prej tij, i cili tregon jo vetëm atë kohë të shkuar të monizmit, por edhe „profetizon“ kohën e ardhme të pluralizmit.
(Izeti) „…. U kthye të gjente një vend ku të kishte hapsirë. Ai ambient i merrte frymën. Së fundi duhet të gjente edhe një kosh plehrash ku të hidhte kaushin e mbetur. Nuk ish mësuar ta lëshonte ashtu për tokë, si shumë të tjerë. Po ecte i shkujdesur në kërkim të koshit, kur papritmas flegrat e tij të hundës u ngacmuan nga një parfum i këndshëm femre. Ndërkohë që insiktivisht po kthente kokën nga mrekullia femërore, sytë i panë koshin e plehrave… Për një moment tepër të shkurtër u tundua, sepse nuk po dinte kë të ndiqte, ku të përqëndrohej!.. Të ndiqte farfurimën e parfumit, apo të mos i ndante sytë nga koshi, i cili mund ti humbiste prej lëvizjeve të shumta të turmës!?.. Nuk i përkiste atyre njërëzve që rrinë e vështrojnë gratë kur kalojnë në rrugë. Mirpo kish kohë që nuk kish ndjerë aromë parfumi, për më tepër një aromë aq të këndshme, si ajo që sapo kaloi! Prandaj ai tundim e hutoi krejt! Vazhdoi insiktivisht ecjen pa e kthyer kokën, duke i hapur kështu dritën jeshile fantazisë. Kishte harruar fare seksin femëror dhe i erdhi pak çudi, që në një ditë si kjo do të puqeshin të tria: parfumi, femra dhe harresa e tij. Biles mund të shtonte: edhe vetja e tij me idetë sëbashku. Ufff, bëri njëherë. Ç’tundim!? Tundim i çuditshëm! Më i shkurtëri që kish patur ndonjëherë! E ndoshta më i forti! Jetë tundimesh, i tha vetes pastaj, duke përllogaritur edhe ato që mund të kalonte atë ditë. Ngriti dorën dhe me të përplasur lëshoi në kosh gjysmën e mbetur të kaushit…
Shefi i policisë së lagjes së tij e kish ndjekur nga larg të gjithë skenën e Izetit në koshin e plehrave. I erdhi çudi dhe mirë për atë skenë. Njëkohësisht ndjeu edhe një farë keqardhje për banorin e lagjes, që përmblidhte rajoni i tij. I shkreti, mendoi, fliska dhe me vete! Nuk e kish parë ndonjëherë ashtu. E dinte se ishte i liruar si i sëmurë nga koka, por se qysh e si…, dinte vetëm që i moshuari kish bërë nja njëzet vjet burg politik, …e patjetër atje duhet ta kishte kapur edhe sëmundja!.. Ah po, iu kujtua se i shkreti kishte bërë së fundi edhe disa muaj në psiqiatri. Siç ia kish thënë vetë i sëmuri, i bëheshin gjithsej tek nëntëmbëdhjet vjet e … muajt nuk i mbante mënd. Një jetë e tërë … sidoqoftë, mendoi. Kushedi përse gjith’ ajo odise?!. Gjëra të së kaluarës… Po nejse, tani kish rëndësi që ai banori i rajonit të tij i përkiste njerëzve të rregullt e me kulturë… të ishin të gjithë si ai, pa… pa le të kishte edhe armiq! Të hidhnin mbeturinat në vendin e caktuar, … kjo ishte boll e rëndësishme!.. Si mund të kërkohej zbatimi i ligjeve, kur njerëzit nuk zbatonin ato më elementaret?!. Më të thjeshtat!.. Më të domosdoshmet!.. Zbërtheu kopsën e jakës, duke nxjerrë nga xhepi shaminë e hundëve. Kish filluar të djersinte dhe kjo i ndodhte gjithnjë kur diskutonte me veten. Fshiu pak qafën dhe, njëkohësisht, përshëndeti me kokë një kolegun e tij. Duhej të kish kujdes, ndryshe do të merrte ndonjë të ftohur nga djersa e tharë në trup. Sëmundjet i urrente për qamet dhe, kësaj radhe, duket se po sëmurej edhe nga koka. Po bëhej si ai Izeti, i cili patjetër i gëzohej ardhjes së De Kuejarit!.. Tjetri ti gëzohej kujt të donte, por ai duhej të kish kujdes nga djersa! Kjo ishte e rëndësishme për ’të!.. Të tjerët le ti gëzoheshin ardhjes së perujanit, ai pak kishte të bënte me këtë. Në fund të fundit, edhe sheshi përpara muzeumit nuk i përkiste rajonit të tij!.. Biles nuk i përkiste asnjë rajoni!.. I erdhi çudi për këtë zbulim. Mund të ndodhte ndonjë incident, dhe asnjë rajon policie mbante përgjegjësi direkte për këtë! Përgjegjësia binte mbi të gjithë, edhe mbi ata lart. Pra sheshi, në një farë mënyre, simbolizonte qeverinë. Po të qe sheshi në rregull, qe edhe qeveria në rregull!.. Po të qe sheshi i pastër, qe edhe qeveria e pastër!.. Në fund të fundit, edhe çdo riparim që i bëhej sheshit, profetizonte ndryshimet në qeveri!.. Kështu duhej të kish ndodhur!.. Apo, përkundrazi, ndryshimet në qeveri sillnin edhe ndryshimet në sheshin kryesor të kryeqytetit?!.. Ohh, po i pëllciste koka nga mendimet e shumta!.. Do të përfundonte si ai Izeti, që fliste me vete!.. Po ku, … ku do të ishte tani i shkreti, mendoi për ’të…
Izeti, nga an’ e tij, ishte ulur në trojtuar, disi larg turmës që po rrallohej. Hapte sytë sa majtas e djathtas, por me shumë kujdes, si një i ngeshëm që nuk kishte ç’të bënte tjetër përveçse të shikonte njerëzit përreth, … ose, siç do ti pëlqente ti quante ata njerëz: shëtitësit më të kotë në botë!.. „

Por tregimet e këtij libri dalin edhe nga skenat reale, duke i sigmatizuar ato në pjesëza abstrakte të ngjarjeve irreale, apo më saktë: tematikave simbolike. Në këto tregime, si „Duke kërkuar punë“, „Specialist“, „Ndalohet „Përse-ja“ “, „Fjala“, „I keqi“, etj., metafora dhe hiperbolizimi janë simbiozuar aq shumë me sarkazmën dhe ironinë, sa fantazia e lexuesit përshkon skena reale të një teatri molieran. Këtu qëndron edhe bukuria e këtyre tregimeve të thjeshtë, irrealja flirtohet gjatë gjithë kohës me realen njerzore, kufijtë e tyre shpesh herë përzihen me njëri-tjetrin, aq sa lexuesit i mbetet në fund një idè e qartë në mëndje për botën dhe shoqërinë ku jeton. Ky duket se është dhe piksynimi i këtij libri, paraqitja e shoqërisë, nëpërmjet karaktereve individualë. Narrativja është sa indivi-duale aq dhe shoqërore, ndërthurrja e individit me shoqërinë e natyrshme dhe metaforike, ndikimi i tregimeve tek lexuesi vjen aq natyrshëm, sa ky edhe mund ta ndjejë veten pa kuptuar pjesë e atyre ngjarjeve.
Me karakteret e ndryshme të personazheve, autori fillon ta mbërthejë lexuesin e librit, por akoma jo tërësisht në gjithë shpirtin e tij, gjë të cilën ai e arrin më tej në librat e tij pasues.


  Gjithsej 49 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 [8] 9 10 11 12 13 14 15 16 17 » ... E fundit »
Trego 49 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.