Forumi Horizont Gjithsej 8 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 [8]
Trego 8 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Marin Barleti (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=73)
-- Kush eshte Marin Barleti (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=76)


Postuar nga amoxil datë 20 Gusht 2005 - 08:31:

ARQIPESHKVI PAL ENGJËLLI

(1417 - 1470)

HUMANIST I SHQUAR SHQIPTAR DHE
BASHKËPUNËTOR I AFËRT I SKËNDERBEUT

Në plejadën e humanistëve të shquar shqiptarë të shekujve
XV, XVI, një vend të merituar ka Imzot PAL ANDREA
ENGJËLLI nga familja e njohur e Engjëllorëve, dukë të
Drishtit, familje e njohur patriote që luajti një rol me rëndësi
në mesjetën shqiptare e sidomos në periudhën e Skënderbeut.
Kjo familje me titull fisnikërie kishte lidhje të ngushta me
familjet kryesore princërore shqiptare të kohës.

Pal Engjëlli jetoi e veproi në epokën e Skënderbeu si prelat
fetar e si humanist i përmendur dhe diplomat i shtetit të
përqëndruar arbëresh të kësaj kohe. Pothuajse bashkëmoshatar
me Heroin Kombëtar, ai qe njëheri edhe mik i tij, siç
pohon disa herë Marin Barleti në veprën e njohur "De vita et
Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis" Roma 1508 - 1510,
qe këshilltar dhe diplomat i tij.
Pal Engjëlli lindi në 1417 dhe vdiq rreth viteve 1469 - 1470.
Ai qe arqipeshkëv i Durrësit.

Në kryeveprën e tij kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti
jep këtë karakterizëm për Pal Engjëllin:
"Ky kryepeshkop qe epirot, nga kryeqyteti i Drishtit, bir i Andrea
Engjëllit për të cilin folëm më lart, burrë i pajisur me
mendje shumë të lartë e me zotësi të rallë në të folur (në gojtari),
me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë dhe në
letërsinë humane, si greke ashtu dhe latine, sidomos i shquar
për rreptësi në jetë e zakone... burrë që Skënderbeu e mbajti
mbi krye për maturinë e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë
që e respektonin dhe e dëgjonin si ndonjë orakull të gjithë
epirotët dhe arbërit..." (M. Barleti "Historia e Skënderbeut"
T, 1964, fq. 395, 430)

Imzot Pal Engjëlli është i njohur sepse prej tij kemi të shkruar
në gjuhën shqipe "Formulën e Pagëzimit", të parin dokument të
gjuhës shqipe të shkruar. Është viti 1462. Duke u gjurmuar në
bibliotekën Laurentiana të Firencës, dijetari rumun Nikolae
Jorga e gjeti këtë frazë në gjuhën shqipe dhe e botoi më 1915
në veprën e tij "Notes et extraites pour servir Ã_ l'histoire des
croissades au XV siècle" (Bukuresht, 1915, f. 195).

Në udhëzimet e porositë që Pal Engjëlli, me cilësinë e
kryepeshkopit të Durrësit, i jepte klerit të dioqezës së Lisit
në Mat, ku shërbente peshkop Andrea, ndër 37 fletët në
pergamenë që përmbante ky dokument në gjuhën latine
(formati i fletëve 20 x 14 cm), dijetari rumun gjeti dhe dy radhë
të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet latin: "Unte' paghesont peremnit
Atit et Birit et Spertit Senit". Këto radhë janë shkruar
në faqen 4 (në krye) të këtij dorëshkrimi latin. Duke lexuar këtë
raport të Pal Engjëllit mësojmë se ai si kryepeshkop kishte
mbledhur gjithë klerin e dioqezës së Matit në kishën e Shën
Trinisë, më 8 nëntor 1462 dhe se atje ndër udhëzime të tjera i
jepte porosi klerit që prindërit në mungesë të priftërinjve mund
t'i pagëzonin fëmijët e tyre me këtë formulë duke u hedhur pakëz
ujë mbi krye. Dihet se dioqezi i Matit varej nga Ipeshkvia e Durrësit
dhe se në Mat janë mbajtur në atë kohë shumë kuvende kishtare. Formula e
shkruar në shqip dhe e përdorur në ritet fetare të kohës tregon një
shfaqje të gjallë të patrotizmit nga vetë Pal Engjëlli dha
nga vartësit e tij. Jemi në kohën e luftrave fitimtare të Skënderbeut
kur heroi ynë kombëtar quhej në dokumente "DOMINUS
ALBANIAE" - Zot i Arbërit.

Në Bibliotekën Laurentiana të Firencës ky raport i shkruar nga
dora e Pal Engjëllit në 37 fletë, mban numrin e inventarit 1167
dhe ruhet si një ndër dokumentet e çmuara të kësaj biblioteke
të kohës së Rilindjes Europiane.

Në vitet 60-të të shekullit XV, Pal Engjëlli, si diplomat e
këshilltar për punët e jashtme i Skendërbeut, qe aktivizuar
shumë. Ai e shoqëroi Skënderbeun në vizitën katërditore që bëri
në Raguzë (Dubrovnik) dhe në Itali më 1461.

Dihet historikisht se Republika e Raguzës pati marrëdhënie të
mira me Gjergj Kastriotin gjatë gjithë kohës që Shqipëria kalonte provën
e rëndë të ballafaqimit luftarak me forcat e pushtuesve
osmanë. Në Raguzë, fjalimeve mburrëse të udhëheqësve raguzanë
për Skënderbeun dhe popullin e tij, Pal Engjëlli, siç na tregon
Marin Barleti, iu përgjigj paralelisht me një oratori të rrallë,
duke lavdëruar zhvillimin kësaj republike dalmate, shkencën humaniste
dhe artet që atje kishin lulëzuar. Ndër të tjera në
fjalimin e tij ai tha: "... Këtu në Raguzë lulëzojnë të gjitha artet
e lira, filozofia, teologjia, shkenca e ligjeve dhe
disiplinat e tjera... Unë ju jap fjalën e zotohem se për të mirat
që na keni bërë, kujtimi juaj, emri juaj dhe i qytetit tuaj do të
jenë përgjithmonë të nderuar sa të rrojë Epiri, do të jenë
ngulitur thellë në shpirt, në mendjet dhe zemrat tona".
Vërtetë se kjo pjesë e fjalimit të Pal Engjëllit është krijim i
penës mjeshtërore të Marin Barletit, po dihet gjithashtu
mirë fort se në farkëtimin e miqësisë mes Raguzës dhe shtetit
të Arbërit, një rol me rëndësi ka luajtur Pal Engjëlli. Natyrisht
të dy shtetet fshqinje ishin të interesuara për një bashkëpunim
në luftrat mbrojtëse kundër hordhive osmane. Dihet
gjithashtu se Pal Engjëlli qe një humanist dhe konsiderata e tij
për lëvizjen humaniste përparimtare të njerëzimit qe e madhe.

Imzot Pal Engjëlli, si diplomat, u përpoq të afrojë shtetet e
interesuara në aleancën kundërosmane. Shqipërisë në
atë kohë i interesonte të kishte marrëveshje e aleanca me
Raguzën, Hungarinë, Venedikun dhe me vende të tjera. Në këtë
drejtim përpjekjet nuk munguan, e sidomos nga ana e Pal
Engjëllit. Autoritetin e tij fetar e shfrytëzoi plotësisht në dobi
të atdheut. Kështu, si shoqërues i Skënderbeut në vizitën në
Itali më 1461, ai u tregua i shkathët në marrëveshje me mbretërinë
e Napolit, me Papatin dhe në takime me princër të tjerë.
Gjithashtu edhe Traktati i Gaeta - s është vepër e Pal Engjëllit
(1461). Shteti i përqëndruar i Arbërit nën udhëheqjen e Skënderbeut
kishte nevojë për ndihma materiale e morale, kishte
nevojë për aleatë në luftën e pabarabartë kundër pushtuesve
osmanë që derdheshin çdo vit kundër kështjellave tona me sulmet
e tyre të tërbuara.

Më 1464, Pal Engjëlli, si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut, kreu
një mision diplomatik pranë kontit Sforza të Milanos. Në
letërkredencialet e paraqitura shprehet qartë misioni i tij i
rëndësishëm në kërkim të një aleance dhe të ndihmave materiale.
Skënderbeu, siç na e tregon dhe Fan Noli, kishte pasur
letërkëmbim me kontin Sforza që në vitin 1461. Siç duket,
misioni diplomatik i Pal Engjëllit pati sukses fillimisht, po më
vonë nuk dihet përse ndihma materiale për Shqipërinë trime qe reduktuar.
Pikërisht në ditët kur Pal Engjëlli ishte në Milano, humanisti i shquar
italian, Françesk Filelfo u drejtonte letra
princërve italianë si dhe dogjës së Venedikut, Kristofor Maurit,
në të cilat shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për luftën e
drejtë që bënin shqiptarët. Përmbajtja e letrave lë të kuptohet se
Pal Engjëlli e ka takuar edhe Françesk Filelfon, njëri me influencë
dhe humanist i përmendur. Në letrat e tij Filelfo shkruan:
"Skënderbeu është shpirtmadh dhe i stërvitur në mes të turqve
që në moshë të re... Pas tij janë shumë kalorës dhe këmbësorë shqiptarë
nga më trimat. Midis gjithë kombësive të tjera ndërmjet
Danubit e Adriatikut dhe kufijve të Italisë, shqiptarët qenë të
vetmit që u bënë ballë turqve me trimëri të madhe..."
Dhe më poshtë: " Skënderi pra, do të ketë mundësi të japë një kontribut
jo të vogël në çështjen tonë të përbashkët... Fuqive
të tij do t'i vinë në ndihmë dhe fuqitë ushtarake të Kontit Sforza,
të këtij princi trim e të përmendur..."

Pal Engjëlli diti të mbrojë drejt çështjen shqiptare dhe të bëjë
përkrahës edhe në principata të tjera të Italisë. Nuk duhet të na
habisë fakti që një kryepeshkop luan kaq mirë rolin e një diplomati.
Në Mesjetë, klerikë, shkencëtarë, shkrimtarë kryenin këto detyra
duke përfituar nga prestigji që gëzonin, gojëtaria dhe mençuria.
Kështu, në Mesjetë edhe Dante e Bokaçio qenë ambasadorë, po
ashtu si matematikani e stronomi shqiptar, Gjon Gazulli,
presbiter, (prift i nderuar) qe për disa vite sherbeu si i dërguar i
posaçëm i Skënderbeut në Republikën e Raguzës, radhazi me
vëllezërit e tij Pali dhe Andrea. Në dokumentet e kohës: "Johannes
Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus (Gjon
Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar)
qe edhe profesor i Universitetit Al'Bo' të Padovës.

Pal Engjëlli qe diplomat i Skënderbeut edhe në marrëdhëniet
komplekse e të vështira me Republikën e Venedikut. Këtë e
dëshmon edhe një marrëveshje e datës 13 shtator 1465, në të
cilën Pal Engjëlli nënshkruan "në emër të madhnueshmit
Skënderbe" si dhe konsultimet e shpeshta e të herëpashershme
që bëri Skënderbeu me të lidhur me marrëdhëniet me Venedikun.

Duke punuar me ngulm, mençuri e atdhetarizëm për një
politkë të jashtme sa më aktive në dobi të çështjes kombëtare,
Pal Engjëlli nuk harron asnjë çast se burimi kryesor i forcës
shqiptare qëndronte në bashkimin e popullit të të gjitha
krahinave nën udhëheqjen e Skënderbeut, nën një komandë
të vetme e të drejtë. Prandaj në fjalimet e tij para popullit ai
mburri kurdoherë këtë figurë kryesore të qëndresës shqiptare.
Në një nga fjalimet e tij para luftëtarëve shqiptarë, sipas Marin
Barletit, Pal Engjëlli më 1641 tha këto fjalë për kryetrimin
e atdheut tonë:

"Fatbardha dhe fort të lumtura janë ato republika, mbretëri e
shtete, që qeverisen nga njerëzit më të mirë dhe më të ditur...
Në kohën e sotme ne e shohim qartë si drita, se këtë fat e kanë
pasur Arbërit tanë, të cilët qeverisen nga Skënderbeu, i vetmi
princ aq i ditur, aq i mirë dhe kapidan i pathyeshëm..." Këto
fjalë tregojnë konsideratën e lartë të Pal Engjëllit për
Skënderbeun. Ata ngjallën besimin e krenarinë e popullit
për këtë figurë politike e ushtarake, për këtë njeri me virtyte
të larta, simbol i popullit të vet.

Me autoritetin e tij kishtar Pal Engjëlli u përpoq të realizojë
dhe bashkimin e koherencën mes princërve shqiptarë nën
udhëheqjen e Skënderbeut. Një vepër e mirë e tij është sidomos
ajo që, me përpjekje e maturi, më 1459 pajtoi mes
tyre princërit dukagjinë me Skënderbeun, duke shmangur
një përçarje mes rradhëve të shqiptarëve apo një gjakderdhje
të kotë.
Nuk ka dyshim se në politikën e jashtme të shtetit arbër,
në shekullin XV, një rol të rëndësishëm ka luajtur Imzot Pal
Engjëlli si një i ditur, i kulturuar dhe i besuar i Skënderbeut,
si prelat kishtar që me autoritetin e prestigjin e tij ndikoi me
atdhetarizëm në ngjarjet e kohës.
Ai është figura e diplomacisë shqiptare së kësaj periudhe që
shënoi një epokë dhe diplomati i parë shqiptar që njohim
deri tani.
Pal Engjëlli, si figurë historike, atdhetare e humaniste i
atribuohet dhe një meritë tjetër. Mendohet se ai është autori
i një historie të Skënderbeut në gjuhën latine e botuar në
Venedik më 2 prill 1480, pra gati 30 vjet para veprës së Marin
Barletit. Për herë të parë dhe i vetmi që e shfrytëzoi këtë vepër
është historiani italian G. Biemmi i cili botoi më 1742 në
Breshia (Brescia) "Istoria di Giorgio Scander'begh". Ai pohon
se historinë e Skënderbeut të vitit 1480 e gjeti në një
bibliotekë dhe e shfrytëzoi gjërësisht për veprën e tij, ashtu
si dhe vepra të tjera, si atë të Barletit dhe të shumë autorëve të
huaj mbi Skënderbeun. Vetë Biemmi na e jep titullin e kësaj vepre,
titull të cilin e gjeti në fund të librit, meqenëse fletët e
para qenë të grisura: eksplicit Historia Scanderbeghi, EDITA PER QUONAM
ALBANENSES..." (Këtu merr fund Historia e Skënderbeut, botuar prej një
shqiptari...) Meqenëse autori mbeti
anonim, Biemmi e quajti "Antivarino" apo në gjuhën shqipe
"Tivaresi". Biemmi na thotë edhe se Tivaresi e shkroi
historinë e Skënderbeut edhe mbi bazën e dëshmive të vëllait
të tij, i cili shërbeu si oficer në gardën e Skëndebeut. Duke
marrë parasysh këto të dhëna si dhe të tjera, historiani ynë i
njohur Fan Noli, me të drejtë mendon se ky autor anonim nuk
ka kush të jetë tjetër veçse Pal Engjëlli. Historiani gjerman
Franz Babinger e ndonjë tjetër, pa u thelluar, e kanë menduar historinë
e Skënderbeut të vitit 1480 një shpikje të Biemmit, po
kjo kundërshtohet me të drejtë se kjo histori ka të dhëna e
datime më tepër se ajo e Barletit dhe se më vonë këto të dhëna
janë vërtetuar nga dokumentacioni, se kjo histori është një
burim i pavarur, se ajo është më realiste e me një vështrim më
kritik se veprat e tjera dhe së fundi, një gjë të tillë Biemmi nuk
kishte arsye të bënte. Duke arsyetuar mbi këtë çështje,
domethënë mbi autorësinë e veprës dhe mbi veprën, Fan Noli bie në
konkluzion e arsyetuar se kjo vepër është shkruar nga
Pal Engjëlli, sepse prej një njeriu të ditur si ky mund të pritej
një vepër e tillë, se Engjëllorët vërtetë kanë qëndruar në Drisht,
po në zotërimin e tyre ka qënë Tivari dhe se Pal Engjëlli,
kryepeshkopi i Durrësit, kishte vërtetë një vëlla të tij, Pjetër
Engjëllin, oficer të gardës së Skënderbeut dhe pikërisht ai duhet
t'i ketë shërbyer me të dhëna të sakta për luftimet kundërosmane
e ngjarje të tjera nga balli i përgatitjeve për luftë. Më në fund, duhet
të themi se Pal Engjëlli, dhe i vëllai Pjetër Engjëlli, vdiqën në
mërgim, në Itali dhe vepra ka mundësi të jetë shkruar në
periudhën e mergimit dhe të jetë botuar në Venedik, pikërisht
aty ku bashkëvëllazëria shqiptare (ConfraternitÃ_ albanese) e
asaj periudhe kishte krijuar një vatër të kulturës shqiptare. Të
kujtojmë Barletin, Biçikemin, Karpaçin e viganë të tjerë të
mendimit e të artit humanist shqiptar dhe të Rilindjes
europiane. Dy studiues të huaj, të mirëinformuar, të kësaj
periudhe e që kanë shkruar vepra me vlerë si, Johann
Fallmerayer dhe Hof (Hoph), kanë pohuar se Lukari, analist
i mirënjohur raguzan, në veprën e tij "Analet e Raguzës",
shprehet qartë se kryepeshkopi i Durrësit ka lënë një vepër
të shkruar për Skënderbeun. Është fakt se Pal Engjëlli
ka vdekur më 1469 dhe se vepra mbi historinë e Skënderbeut
u shtyp më 1480, po kjo nuk përjashton mundësinë që
dorëshkrimi i tij të jetë botuar si vepër postume (pas vdekjes).
Pikëpyetja kryesore mbetet te vepra e Tivarasit (apo
Pal Engjëllit), që nuk është gjetur deri sot. Në kohën kur u botua
kjo vepër shtypshkrimi në Venedik, po dhe në mbarë botën, ishte
në hapat e para. Kjo nuk është e para vepër incunabula (kështu
quhen veprat e botuara nga fillimi i shtypshkrimit e deri në 1500)
që ka humbur. Sidoqoftë ne mbështetemi tek studimet e thelluara
të Fan Nolit dhe shpresojmë të vërtetohet një ditë vepra dhe
autori.
Të gjithë janë të mendimit se prej Imzot Pal Engjëllit pritej një
vepër e tillë për Motin e Madh shqiptar dhe kryetrimin e arbërve,
Skënderbeun, sepse ai qe një ndër bashkëpunëtorët e afërt të
heroit, mik, shok e bashkëmoshatar me te. Ai më mirë se asnjë
bashkëkohës i tij, me erudicionin, me atdhetarizmin, me idetë humaniste,
mund të shkruante këtë vepër në kujtim të atyre
ngjarjeve të mëdha që përjetoi Arbëria, një vepër për brezat që
do vinin.

Autor i dokumentit të parë të shkuar në gjuhën shqipe,
diplomat, atdhetar, humanist i njohur, Imzot Pal Engjëlli
si bashkëpunëtor e bashkëluftëtar i Skënderbeut për çështjen
shqiptare ka një vend të merituar në historinë religjoze e
kulturore të atdheut.
Imzot Pal Engjëlli ka luajtur një rol të rëndësishëm në
marrëdhëniet e Shqipërisë së kohës së Skënderbeut me Papatin,
dhe konkretisht me Papët, Nicola V (1447 - 1453) humanist i përmendur,
Kalisti III (1453 - 1458), Pio II (1458 - 1464) dhe
Paolo II (1464 - 1471), gjatë pontifikateve të tyre.

Enea Silvio Piccolimini, humanist i shquar që më vonë u bë
Papë, e çmoi shumë humanistin Pal Engjëlli si prelat fetar dhe humanist.
Dihet historikisht se ky Papë (Pio II) qe nisur për
Shqipëri për t'i ardhur në ndihmë Skënderbeut dhe kishte
ndërmend të kurorëzonte Heroin Kombëtar mbret të Shqipërisë.
Por dihet se Papa Pio II, gjatë rrugës për në Shqipëri, vdiq në
Ankonë më 15 gusht 1464.

Bibliografia

1. M. Barleti. "Historia e Skëndërbeut", Tiranë, 1964 (përkth.
prof. Stefan Prifti) fq. 395, 396, 397, 430, 467.

2. N. Jorga. "Notes et extraites per servir Ã_ l'histoire des
croissades au XV siècle", Bukuresht, 1915, fq. 195.

3. Fan S. Noli "Historia e Skënderbeut", Tiranë, 1967, fq. 245,
251, 270, 120, 159, 170; George Castrioti Scanderbeg (1405-1468)
by Bishop Fan Stylian Noli Ph.D., International Universities Press,
New York, 1947.

4. Giammaria Biemmi. "Istoria di Giorgio Castrioto
Scanderbegh, Brescia, Giam. Battista Bissimo, 1742
(Biblioteka e Muzeut Shkodër).

5. M. Barlezio "De vita et Gestis Scanderbeghi Principes,
Romae 1508 - 1510. (Biblioteka e Universitetit Shkodër).

(Shënim i autorit: Në librin tim "Kontribut shqiptar në
Rilindjen Europiane" Tiranë 1980, mungojnë humanistët
Imzot Pal Engjëlli dhe prifti nga Drishti Dhimiter Frangu,
historian i Skenderbeut. Me botimet që po i bën "Phoenix"
këtyre dy figurave, plotësohet
edhe kuadri i kësaj trajtese).


  Gjithsej 8 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 [8]
Trego 8 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.