Forumi Horizont | Gjithsej 84 faqe: « E parë ... « 74 75 76 77 78 79 80 81 82 [83] 84 » Trego 84 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Ah, kjo gazetaria shqiptare!!! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18478)
AURON TARE DHE ZBULIMI I AGJENTEVE TE PAFUNDEM!
Tashmë, pas “zbulimeve†të fundit të historianit tonë, Auron Tare, bazuar në dokumentat e deklasifikuara të CIA-s amerikane, zbulime keto që aludojnë e provojnë agjenturizmin e poetit dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Martin Camajt, popullit shqiptar dhe sejcilit individ në Shqipëri i hapet perspektiva e mos-harrimit nga brezat e ardhshëm, duke “u vërtetuar†gjithsejcili nga Auronët e ardhëm si një agjent, apo dopjo-agjent, pse jo edhe si poli-agjent. Kështu do të mbetet gjithsejcili i dokumentuar në të ardhmen, i paharruar, i skalitur në kujtesën popullore, paçka se si spiun, si agjent, si poli-agjent, çfarë nuk do t’përbëjë më problem, sepse ky shanc do tu takojë të gjithve, –falë Tareve të ardhëm!
Punimi i imët investikativ i Auron Tares me titull “Dritëhije në histori†përmbledh jo vetëm shkrimtarin Martin Camaj, por edhe shkrimtarin tjetër, Ernest Koliqi, i cili njihet edhe më pak sot në Shqipëri, për faktin se është edhe më i hershëm, gjithashtu sepse ka qenë në partinë fashiste në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-1943), si i tillë i dënuar në mungesë nga Pushteti Popullor i periudhës “socialisteâ€, si i tillë edhe i ndaluar qysh në vitin 1946 dhe i hequr nga tekstet shkollore diku në këto vite (1946-48).
Tashti, faktet që sillen nga Auroni për ish-ministrin e arsimit në kohën e Italisë, Ernest Koliqin, nuk përbëjnë sesancion, pasi Koliqi ka qenë i njohur për qëndrimet e tij politike edhe në emigrim, teksa njihej jo vetëm si emigrant politik në Itali, ku jetonte pas L2B, por njihej edhe si eksponent politik i grupeve të njohura anti-komuniste. Ndaj, kontaktet që njerëz të shërbimeve të huaja perëndimore merrnin me ‘të, nuk përbejnë ndonjë çudi të madhe. Biles, shihet më poshtë, se Koliqi paska patur kontakte edhe me njerëz që i shërbenin KGB-s sovjetike, çfarë njihej prej kohësh se si këta lloj agjentësh kanë qenë dopjo-agjentë, sa të perëndimit, edhe të lindjes, dhe çfarë lihet të kuptohet se vetë Koliqi ka qenë në dijeni të gjithë kësaj maskerade spiunësh dhe hafijesh “internacionalëâ€, të cilët –edhe pa u kuptuar se kujt i kanë shërbyer në të vërtetë– të paktën i kanë shërbyer xhepit të tyre, në fund të fundit, siç mund ti ketë mbetur edhe Koliqit ti shërbejë xhepave të tij, apo ti shërbejë të arratisurve shqiptarë, siç shohim më poshtë, duke i ndihmuar ata. Ndaj nuk ia vlen ta analizojmë “zbulimin†e Tares në lidhje me Koliqin, se sa atë në lidhje me Camajn, që është njohur si i tërhequr nga politika dhe i përkushtuar letërsisë.
Në lidhje me Camajn, Tare fillon duke sjellur një fakt të njohur vite më parë nga shtypi dhe publiku shqiptar, të sjellë nga Kastriot Dervishi, (siç pashë dje në internet), atë të arrestimit të tij 5 ditor në maj të 1948-es, ku ai ka pranuar mjaft nga akuza që mund ta çonte në burg të gjatë, biles ka rënduar me deponimet e tij edhe të tjerë, përveç këtyre ka nënshkruar për të qenë informator i Sigurimit të Shtetit, nën nofkën “Bregu i Kuqâ€.
Në lidhje me këtë nënshkrim, Tare e pranon se Camaj nuk mund të bëhet me faj, për gjith sa gjindet në dosjen shqiptare, me faktin e mirditur të nënshkrimit nën dajak, tortura e kërcënime, që ishte i zakonshëm ato vite të para pas çlirimit e që i arrestuari Camaj nuk ka dashur ti provojë nga fillimi e deri në fund. Mirpo, megjithse Tare e di dhe e pohon këtë gjë, ai sërish vazhdon duke u bazuar tek ky nënshkrim i Martin Camajt!
Vazhdimi më tej i Tares mbështetet tek dokumenta të deklasifikuara të CIA-s amerikane, të cilat, po të bazohemi në komentin e një komentuesi të vëmëndshëm tek shkrimi i Auronit tek Peizazhe të Fjalës, me emrin Arjan, na qenkan disa dokumenta mjaft të rëndomta të shërbimit informativ amerikan, vërtet të klasifikuara sekret në vitet ’50, por jo të sekretit të lartë, por më së shumti kofidenciale. Dhe çfarë shohim në këto dokumente? Thjesht emri i Martin Camajt përmendet (1950) si një i arratisur nga Shqipëria, (është arratisur në shtator 1948), përmendet (1951) si një nga studentët shqiptarë që studjon në Universitetin e Beogradit. Kaq!
E më tej Tare na tregon faktin e martesës së Camajt me vajzën serbe, Nina Bogdanoviç, e cila na qenka vajza e ish-nënkryetarit të bashkisë së dikurshme të Beogradit, një fakt ky që i hap Tares fantazinë e filmave me spiunazh, duke e kaluar kufirin e aludimit për agjent të UDB-s së Camajt, gati pohuar këtë tej-aludim përmes një fakti provues të agjenturizmit të Camajt, e pikërisht vajtjen e çiftit të ri (duket për muajin e mjaltit) në pikën e turizmit elitar të skive në Zlatibor. Me çfarë të ardhurash pushonte në këtë resort malor ky i ri refugjat? –pyet Tare, duke vazhduar po me pyetje, “që provojnë†se UDB-ja duhet të ketë gisht në këto shpenzime! Mirpo Tare harron tre gjëra, e para: familja e vajzës nuk ishte e varfër, e dyta: shqiptarët janë klasikë në kursime dhe mbledhjen e lekve, e treta: çifti jetonte në një sistem që pretendonte se ishte socialist dhe, si i tillë, përpiqej tu krijonte kushte dëfrimi të gjithë qytetarve pa dallim klase. Përse u dashka parë medeomos pas një holiday pagesa e një shërbimi informativ?! Atëhere kjo duhet thënë për të gjithë çiftet që shkonin në këtë pikë turistike!
Në punën e tij të “zbulimit†(kupto: të leximit) të dokumentave të deklasifikuara prej vitesh të CIA-s, Auron Tare sjell përmëndjen e Martin Camajt si një antar i shoqatës “Komiteti i Prizrenitâ€, por që sipas dokumentit të CIA-s ky Komitet vepron si një organizatë politike në favor të Titos; gjithashtu sjell dhe faktin se Martin Camaj ishte tashmë (mes i viteve ’50) punonjës në Radio-Beograd! Këto dy fakte “madhore†vendosin për Taren vulosjen si agjent të UDB-s së Martin Camajt. Këtë ai e pohon përmes pyetjeve të lëshuara: “Ndërkohë lind pyetja se si Martin Camaj, një emigrant politik shqiptar, pa njohje dhe pa kontakte, papritur të punësohet në qëndrën më të rëndësishme të propagandës jugosllave? Camaj për më shumë nuk ishte as gazetar. Deri më sot askush nuk i është përgjigjur kësaj enigme.
Dhe enigmat e Tares në rëndimin e Camajt si të dyshuar në rolin e agjentit të UDB-s shtohen me vazhdimin e leximit të dokumentave (kupto: fletushkave) të deklasifikuara të CIA-s, të cilat flasin për drejtimin e “Komitetit të Prizrenit†nga Dushan Mugosha. Por prisni, prisni, se Tarja, përmes fjalëve nxitëse të kërshërisë së lexuesit në njërën anë, dhe të provuarit si agjent të Camajt në anën tjetër, e pikërisht fjalës “papritmasâ€, ai gati ia arrin qëllimit. Bëhet fjalë se Camaj na qenka larguar papritmas nga Beogradi për në Romë! Në fakt, kjo “papritmas†e Tares, po sipas fakteve që sjell po ai vetë, na qenkësh një mërzitje e Camajt ndaj kosovarve, që e shihnin vëngër, për shkak të martesës së tij me një vajzë serbe, na qenkësh një bezdisje e Camajt ndaj autoriteteve jugosllave, (patjetër sjellje megallomanësh të ndonjë, apo dy a tre, zyrtarve jugosllavë), na qenkësh një përpjekje e tij përmes letrash me të njohur të tij në Romë të Italisë. Pra, kjo papritmas-i na qenkësh një përpjekje disa mujore e tij, siç e çdo njeriu tjetër, që bezdiset nga vendi ku gjindet, dhe dëshiron të shkojë atje ku ka shokë e të njohur.
Si ka mundësi, pyet Tare, kur emigrantët e tjerë të arratisur në Jugosllavi kërkonin të iknin në Amerikë e Australi, ndërsa ky dëshironte të ikte në Itali!?! Sa çudi e madhe! Si ka mundësi, pyet Tarja –që padashur ka pohuar indirekt, se emigrantët shqiptarë marrin lejen nga autoritetet jugosllave për tu larguar drejt Amerikës e Australisë– si ka mundësi që ky njeri (Camaj) të merrte lehtësisht miratimin e autoriteteve jugosllave për t’u larguar nga Beogradi? Këtu ka dritë-hije, thekson Tare, gjë që ai e sheh vetëm tek Martin Camaj, por jo tek shqiptarët e tjerë, që po kaq lehtësisht marrin lejet e largimit nga Jugosllavia!
Por kaq lehtë nuk e le të largohet nga Beogradi prenë e vet, Tarja! Ai na tregon se ishte koha kur Nikita Hrushovi i kish kërkuar udhëheqjes shqiptare të mos ndërmerrte propagandë agresive ndaj Jugosllavisë. Dhe këtë Tare e gjen tek fletushkat e deklasifikuara të CIA-s, sepse nuk e ka ditur nga veprat e PPSh dhe gjithë propaganda në Shqipëri, ku ai ka jetuar, siç edhe ne të tjerët! Tani, pas këtij zbulimi kaq të madh që Tare na bën në vitin 2020, (në Shqipëri ai do të ketë fjetur gjumë, prandaj e mësoi tani këtë gjë), atë të një zbutjeve të toneve Beograd-Tiranë dhe anasjelltas, Tarja bie sërish në gjurmë agjenturash, duke ngrejtur pyetjen: mos vallë “Brezi i Kuq†dërgohej me mision të ri? Apo shërbimet jugosllave kërkonin të depërtonin diasporën politike shqiptare në Itali? [Pseudonimi Bregu i kuq na u kthye në Brezi i kuq!]
Ja pra si e mbërthen Tare poetin e ri Martin Camaj, i cili duhet të zgjedhë midis dy alternativave, ose është agjent i Shqipërisë, ose është agjet i UDB-s! Sepse, përkundër këtyre insinuatave ndërkombëtare, që sapo zbuloi Tarja, vajtja e Camajt në Romë nuk ka si të jetë dëshirë e tij vetë, por ndonjë urdhër! Dhe Tarja, si studjues i paanshëm që është, nuk do ti bjeri njeriu në qafë kot! Ndaj ai bën dy pyetje, mos agjenti shqiptar “Brezi i Kuq†mori urdhër nga Tirana të ikë në Romë! Apo mos UDB-ja i ka dhënë urdhër agjentit të saj! Për të gjetur të vërtetën midis këtyre të dyjave, Tarja shoqëron Camajn edhe në Romë. Le ti shohim zbulimet e tij.
Nga dy letra që poeti i ri u ka dërguar miqve të tij në Romë, na sillet në punimin shkencor të Tares njëra letër, e cila qenka fotokopjuar nga agjentët e CIA-s, më parë se të shkojë tek dërguesi i saj në Romë. Duke lexuar letrën dallohet qartë gjëndja dhe sikletet e nisura tek Camaj. Atij nuk i pranohen më poezitë e tij nga shtëpitë botuese në Kosovë, është kritikuar nga shumë eksponentë kosovarë, është dhënë urdhër që të largohet nga puna në Universitetin e Beogradit, për ‘të flitet se është nacionalist dhe irredentist, të njohurit i largohen nga frika, vetë Camaj ka frikë mos e kthejnë në Shqipëri, siç paskan kthyer Selman Rizën, një person (mendohet se Dushan Mugosha) e paska quajtur bandit, jezuit, etj., ndaj ai don të largohet nga Jugosllavija, se ka frikë për jetën e vet. I gjithë ky shqetësim i poetit të ri, për studjuesin tonë Tare është diçka e stisur, diçka jo e vërtetë. Ja si thotë Tare, në shumës: “... analiza jonë është se kjo letër duhet marrë me shumë rezerva, pasi ka mundësi që arsyet e vërteta të mos jenë treguar në këtë letër. Përse?†Si argument Tare na thotë, se tek dy vëllimet e tij poetike të botuara deri atë kohë, 1953 dhe 1954, nuk ka gjurmë të irredentizmit shqiptar.
Nuk e di se cilin libër me irredentizëm shqiptar do të lejonin autoritetet jugosllave, përfshi aty edhe ato kosovare!?! Me sa shoh në internet, libri i dytë i Martin Camajt flet mjaft për vendlindjen, mallin ndaj saj. Ndoshta kaq ka mjaftur që autoritetet jugosllave të shqetësoheshin sado pak. Ose vjersha e tregime të tjera kanë qenë jo aq socialiste. Apo diçka tjetër jashtë krijimtarisë letrare mund të ketë ndikuar në vënien e tij në rreth. Siç përmendet në letër dhe në shkrimin e Tares, shumë kosovarë, funksionarë e të thjeshtë, nuk e shikonin mirë edhe nga fakti i martesës së tij me një serbe, gjë që mund të jetë shfrytëzuar nga autoritetet serbe për ta trashur edhe ca më shumë muhabetin, që të shtinin kështu në ftofje dhe grindje të mëtejshme shqiptarët e arratisur nga Shqipëria me shqiptarët-kosovarë të Jugosllavisë. Diçka dallon qartë, që Camaj ndihet mjaft i shqetësuar, gati i friksuar për jetën e vet në Beograd. Dhe ky shqetësim është i ri dhe jo i vjetër. Ndaj është Tare ai që vë veten e tij këtu në dyshim, duke kundërvënë fakte të viteve më parë me aktualitetin e vitit 1956.
Por Tare nuk ndalet në deduktimet e tij: “Me shumë gjasë, Gjeneral Mugosha ka parë në figurën intelektuale të Camajt një mundësi të artë për të depërtuar qarqet e diasporës shqiptare në Perëndim dhe, si rrjedhim, portretizimi i tij si një antijugosllav, pro irredentist mund të ketë qenë një tymnajë për ti dhënë atij një alibi në qarqet shqiptare të diasporës.†Mirë se Mugosha ka parë flori para syve, por ç’kish bërë deri tani ky agjent i regjur i UDB-s, intelektuali i ri Martin Camaj, për UDB-n jugosllave, që kjo Zyrë të kishte kaq besim tek ky intelektual-agjent i saj?!? Ky agjent i sprovuar i UDB-s, letrari i ri Camaj nuk ka bërë asgjë për UDB-n! Mirë se Mugosha na qenka qërruar prej floririt që ka parë, por zotërinjt e UDB-s dhe shtetit jugosllav ç’do kërkonin tani nga të arratisurit e Shqipërisë në Itali? Ky emigracion politik shqiptar ishte i përqëndruar tek shteti i E. Hoxhës. Dhe shtetin e Enver Hoxhës Jugosllavia e kësaj kohë nuk e shante më. Biles, Tare na sjell edhe një fakt tjetër, atë të vajtjes këtë kohë të një qeveritari jugosllav tek organizatat e shqiptarve në Itali, i cili konfirmoi mbështetjen e Jugosllavisë titiste për Shqipërinë; pra Jugosllavia nuk ishte kurrë e interesuar për ndonjë ndarje të Shqipërisë, siç gjoja na kish propozuar vite më parë djali i Çurçillit. E së fundi, mirë Camaj paska marrë urdhër nga UDB-ja për aktivitet në Itali, po si ka mundësi që ky agjent i regjur i UDB-s, na largohet pas nja tre vjetësh për në Gjermani?!? Pse, kështu punojnë agjentët e shteteve? Apo kështu punojnë agjentët e Tares?!..
Meqë Tare nuk gjen as edhe një gjurmë spiunazhi dhe agjenture të Camajt në Itali në ato rreth tre vjet ndënjie, përveç një angazhimi të tij me revistën e re letrare, Shejzat, ai gjen aty personalitete të rëndësishme anti-komuniste, si Ernest Koliqi p.sh., me të cilët vazhdon thurrjen e rrjetës agjenturore të letrarit Camaj. Dhe kuptohet, me të tillë personalitete, të cilët i kanë kontaktet me gjithfarë njerëzish të tjerë të agjenturave të huaja anti-sovjetike, kryesisht me njërëz të CIA-s dhe BND-s gjermane, tashmë Auroni ynë mund të aludojë dhe provojë poli-agjenturizmin e Camajt! E lezeçme është, se tek flet për kontaktet e Ernest Koliqit, ish-ministrit shqiptar të arsimit në kohën e Italisë, me një agjent të Gjermanisë, mësojmë se ky agjent i shiste “të dhënat†e marra nga Koliqi tek agjenti tjetër i KGB-s sovjetike. Kuptohet se fantazia e Auronit nuk ka kufinj pas kësaj. Ndonëse ai na bën fjalë për fillimin e punës së Camajt në Universitetin e Romës, njëkohësisht ai na flet për një pagesë që Camaj na merrka nga shteti italian. Mirpo Tare nuk sqaron atë që e di çdo kush, se Camaj ishte i regjistruar tashmë si azilant politik. Dhe, si i tillë kishte të drejtën e marrjes së pagesës së azilantit. Në këtë pikë, Tare duhej të na shpjegonte se kur filloi punë si mësues në Universitet dhe si paguhej aty! Pasi mund të ketë qenë –siç ndodh me të gjithë mësuesit fillestarë– me orë dhe pagë të reduktuar. Por nuk përjashtohet edhe mundësia alla shqiptarçe, e regjistrimit të emrit të Camajt nga Koliqi tek listat e njerëzve që kishin ndihmuar Italinë, apo kulturën italiane, apo diçka e këtillë.
Në punimin investigativ të Tares sillet edhe fakti i shpëtimit të Petro Markos, shkrimtarit të dëgjuar shqiptar, në vitin 1943 në Itali, nga Ernest Koliqi, pak para se mund të pushkatohej nga gjermanët. Kështu që edhe Petro Marko nuk shpëton nga pena e Tares pa u aluduar si agjent! Kot nuk bëri burg politik në Shqipëri ai!
Nga dosjet shqiptare të sigurimit, dyshohet se Camaj punonte në Itali për UDB-n jugosllave. Ky dyshim i sigurimit shqiptar është provë për Taren, se Camaj punonte për UDB-n! “Nëpërmjet raporteve të agjenturës shqiptare në Itali ne mund të ndjekim aktivitetin e Camajt, si dhe bindjen që Inteligjenca Shqiptare kishte për të, se ai vepronte për llogari të UDB-së dhe Inteligjencës Gjermane. ... Po kështu të duket e pamundur që Koliqi, i cili kishte rekomanduar për Shërbimin Sekret Gjerman eksponentë të diasporës kroate, rumune dhe bullgare, të mos kishte afruar edhe Camajn për llogari të Shërbimeve sekrete, që ai kish bashkpunim. Për këtë, puna për nxjerrjen e “Shejzat†i ofronte atij një mbulim të shkëlqyer.â€
Ja pra sa kollaj u provua gjithshka! Dedektivi Tare gjeti agjentin e katër agjenturave, asaj shqiptare në fillim, asaj jugosllave pastaj, më tej asaj italiane, dhe në fund asaj gjermane! Ky agjent quhet Martin Camaj!
Sikur të ndalemi pak këtu, do të thonim se shumë nga këto informacione dhe dyshime, sigurimi shqiptar i merrte edhe nga shqiptarët e Jugosllavisë, kryesisht kosovarë. Dallohet qartë, se këto informacione për njerëz intelektualë e letrarë si Martin Camaj kanë qenë trillime dhe shpifje, për njërën e tjetrën arsye. Pa u ndalur këtu në arsyet e inateve kosovare ndaj shqiptarve që nuk tregojnë urrejtje si ‘ta ndaj ndonjë gjëje serbe, me interes do të ishte këtu projekti jugosllavo-serb për përçarjen e shqiptarve me kosovarët, gjë që ata do e kenë arritur edhe me serbë të hequr si kosovarë, e që kanë penetruar kështu si kosovarë në shërbimin shqiptar të Kadri Hazbiut. Ky është një fenomen i mundshëm dhe llogjik, që duhet të ketë ndodhur përgjatë Luftës së Ftohtë, pse jo edhe para saj e deri më sot. Ndaj dhe sigurimi shqiptar i kohës vetëm sa dyshon, por nuk beson në informacionet e sjellura. Tani çudia nuk është kjo lojë jugosllave dhe sot serbe, dhe as shpifjet e kosovarve inatçinj, (për hir të sime vjerre do fle me mullixhinë); çudia është se sot këto lojra gjytryme na vijnë nga një historian shqiptar, i cili duket ka vendosur ta sedimentojë në lapidar thënien –tashmë– popullore: gërmo Tare, gërmo, se qenin e ngordhur ke për të gjetur! Dhe më e keqja, gjen njerëz, që nisin të besojnë në këto përrlla alla taresh!
Edhe për periudhën e vajtjes dhe shpërnguljes në Gjermani, Tarja ynë vazhdon me të njëjtin stil: “Mos vallë lëvizja e Camajt për Gjermani kishte të bënte me interesimin e UDB-së për organizatat kosovare? Apo bashkpunimi i Ernest Koliqit me ish-Shefin e SD gjermane Karl Hass i kishte hapur rrugë edhe Camajt për të qenë në kontakt me këtë Shërbim?â€
Dhe si gjithnjë, përmes fjalëve kyçe, si dokumenti, roli i tij, një informacion, mori kontakte, takoi në fshehtësi, rezultoi, ka mundësi, është parë i shoqëruar, ngrihet dyshimi, u identifikua, e konfirmoi, raportoi, erdhi një dëshmi, kjo enigmë, e të tjera si këto të shoqëruara me emra njerëzish, gati sugjestionojnë lexuesin e pamësuar më të këtilla “zbulimeâ€. Përmendet një profesor kosovar në Austri, Kris Maloki, të cilit gjithashtu i ka vajtur emri në dosjet amerikane të CIA-s, ku kjo thjesht mblidhte informacione mbi shqiptarët e shquar në diasporë, dhe ku një agjent i saj propozonte shfrytëzimin e këtij profesori për të vjelë informata nga profesorët e tij kolegë në Tiranë, mbi udhëheqësit e Shqipërisë!!! Kuptohet, se as mund të besohet, që CIA amerikane kish mbetur të mblidhte informata mbi udhëheqësit shqiptarë nga lëng pas lëngut të lëngut! Ajo këto informata i merrte më pastër nga ambasadat perëndimore në Tiranë dhe agjentët jugosllavë apo grekë në Shqipëri, apo dhe në Jugosllavi e Greqi.
Por Tare nuk preokupohet nga budadallëqet që sjell, ai vazhdon –po ti përafrohemi komentit të një komentueseje me emrin Alba– po si Schvejku në të folurën e tij: “Mos vallë Koliqi, rekrutues informatorësh për zbulimet e huaja, ka tentuar të fusë në lojën e shërbimeve sekrete të huaja edhe Prof. Malokin? Mos vallë refuzimi i Malokit është edhe shkaku i mosmarrveshjeve [me Camajn], të cilat ndoshta i sollën edhe humbjen e Katedrës së gjuhës shqipe në universistetin e Mynihut?†Tare është i palodhshëm ti zbërthejë të gjithë agjentët! Deri dhe në vitet ’80 ai gjen prova të agjenturizmit të Camajt, e pikërisht tek dëshmi të shqiptarve që e kanë takuar letrarin Camaj në Mynih, ku shkonin për të studjuar, biseda këto në të cilat Camaj kalonte –pas diskutimit të problemeve gjuhësor– tek pyetjet mbi Shqipërinë! Ja pra, a nuk provon kjo katërcipërisht agjenturizmin e Camajt?!?
Ehh, i shkreti shkrimtari ynë i dashur e i nderuar, Martin Camaj! I dhimte të shkretit në shpirt vendlindja e paparë, Shqipëria e largme, jeta e dikurshme mbetur vetëm në kujtime. Dhe pyeste i shkreti, siç pyesnin të gjithë shqiptarët e ikur herët në perëndim ata që sapo vinin nga Shqipëria. Mirpo ja që ka mëndje të ndritura si Auron Tare, të cilat shohin pas kësaj dhimbje shpirtërore të shprehur me interesimin për atdheun, spiunazhin anti-atdhetar! Sa mëndje të ndritura që kemi! Mos vdekshin kurrë mëndje të këtilla, se kam dy ditë që po qesh së brendshmi me zbulimet e Auron Tares. Dhe shpresoj, që këto zbulime të nxisin lexuesit ti kërkojnë dhe lexojnë poezitë, tregimet, novelat dhe romanet e Martin Camajt! 9.7.2020
(Gjindet edhe ne faqen time te internetit: fjale cimbuese)
Gjithsej 84 faqe: « E parë ... « 74 75 76 77 78 79 80 81 82 [83] 84 » Trego 84 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.