Forumi Horizont | Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 75 76 77 78 79 80 81 82 83 [84] 85 86 87 88 89 90 91 92 93 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Kur lajmet behen prekese (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8819)
50 mijë lekët e para për të shpëtuar të kuqtë
Reportazh nga gjimnazi “Ismaili Qemali”: Të rinj pasionantë për stemën e Partizanit
Me një kuti në dorë, një parrullë ku shkruhet “Shpëtoni Partizanin”, dhe sigurisht të veshur me bluzat e skuadrës së kuqe. Është një ditë ndryshe nga të tjerat për disa prej nxënësve maturantë të “Ismail Qemalit”. Janë tifozë të çmendur të “demave” dhe i dhemb në shpirt kjo gjendje që po kalon skuadra e tyre e zemrës. E kishin lajmëruar një ditë më parë fillimin e nismës për të mbledhur para në shkollën e tyre. Si zakonisht, disa minuta përpara orës 8, Andi Kasmi dhe Besart Doda që shoqërohen edhe nga disa shokë të tyre, hyjnë në shkollë duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Nxënësit e tjerë fillojnë menjëherë të bëjnë komente dhe kurioziteti nuk i lë rehat. “Çfarë ka ndodhur kështu”, i pyesin çunat e veshur me fanellat e Partizanit. Ai që mban parrullën e shpalos duke u treguar të gjithëve se për çfarë bëhet fjalë. Ka të qeshura dhe shumë pasthirrma habie. Femrat e kanë paksa të vështirë ta kuptojnë, por ultrasit e kuq ua shpjegojnë menjëherë. Drejtoria nuk i lejon pasi nuk është një aktivitet që ka lidhje me shkollën, por janë të vendosur ta startojnë nismën me të gjitha mënyrat. U afrohen nxënësve duke u kërkuar që të kontribuojnë për Partizanin, por nuk e kanë të lehtë që të mbledhin para. “Doni të bëni party me paratë tona”, u thonë shumica e shokëve të tyre të shkollës dhe nuk pranojnë të derdhin asnjë lek në kutinë ku shkruhet “Shpëtoni Partizanin”. Nxënësve nismëtarë u duhet që tu tregojnë gazetat që kanë shkruar për fillimin e kësaj nisme që të gjithë ta besojnë. Efekti është i menjëhershëm. Shumë fillojnë të derdhin kontributet e tyre me aq mundësi sa kanë. “Bëjmë gjithçka për skuadrën tonë të zemrës. E filluam këtë nismë për të ndihmuar sadopak Partizanin. Te kjo shkollë ka shumë tifozë të kësaj skuadre. Madje, edhe femrat janë të shumta që po kontribuojnë. Do ta vazhdojmë gjatë të gjithë javës dhe gjithashtu i bëjmë thirrje edhe gjimnazeve të tjera që ta fillojnë këtë nismë. Më pas, do të grumbullohet e gjithë shuma që do të mblidhet dhe do ta derdhim në llogarinë bankare që pritet të hapet këto ditë për këtë çështje”, shprehet Andi Kasmi që është edhe organizatori kryesor i kësaj nisme. Kanë menduar gjithçka deri në detaje. Koha e pushimit mes orëve është e pakët dhe nuk mjafton. Bisedojnë me mësuesen e Anglishtes, Sadete Prifti, e cila është tifoze e kësaj skuadre. Ajo në çdo fillim ore në klasën ku ka mësim, i merr nxënësit?tifozë me vete, të cilët pasi shpalosin idenë e tyre kalojnë bankë më bankë për të mbledhur kontributet nga nxënësit që dëshirojnë të derdhin para. Mësuesja kontribuon edhe vet, në një kohë që nuk mbeten mbrapa edhe shumë mësues apo mësuese të tjera. Midis nxënësve të shumtë, ka edhe armiq” që janë tifozë të Tiranës. Sapo shohin nismëtarët me bluzat e Partizanit lëshojnë batutat e tyre: “Yyyy, nuk i duam “morrat”. Ne japim para, por vetëm për Tiranën”, flasin tifozët bardheblu. Gjatë pushimit të gjatë, ultrasit e kuq dalin në oborrin e shkollës dhe aty kanë mundësi ti gjejnë të gjithë nxënësit. Grumbullojnë jo pak dhe duken të gëzuar që gjithçka po ecën mirë. Kanë mundësi të ndihmojnë ekipin e tyre të zemrës. Rituali vazhdon edhe gjatë orëve të fundit të ditës. Lëvizin në çdo klasë dhe nuk lënë nxënës pa i afruar kutinë nga e cila shpresojnë të nisë shpëtimi i Partizanit. Për ta, mësimi kalon në plan të dytë. Ia vlen të paktën për disa ditë. Një prej dashurive të tyre që kanë në jetë ndodhet drejt shpërbërjes. Nuk duan që ta humbasin dhe për këtë bëjnë gjithçka për ta ndihmuar. Orët kalojnë dhe zilja sinjalizon se edhe për këtë ditë shkolla mbaroi. Të gjithë vërshojnë për të dalë dhe maturantët që kanë filluar nismën janë po aty. Qëndrojnë afër derës së jashtme të oborrit dhe mbajnë kutinë përpara. Ata që nuk kanë pasur mundësi e bëjnë tani dhe hedhin paratë e tyre në të çarën që ka kutia. Shkolla boshatiset dhe nxënësit?tifozë largohen të qeshur pas ditës së parë të nismës. Në fund të ditës, llogariten diçka më shumë se 50 mijë lekë të vjetra të grumbulluara. Si fillim nuk është keq. Gjithçka nis në një gjimnaz dhe nuk kanë të ardhura të tjera përveç parave që u japin prindërit. Sot do të jenë sërish aty me kutinë “Shpëtoni Partizanin”...
Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 75 76 77 78 79 80 81 82 83 [84] 85 86 87 88 89 90 91 92 93 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.