Forumi Horizont | Gjithsej 45 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9] 10 11 12 13 14 15 16 17 18 » ... E fundit » Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- FK. Partizani (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2264)
Trajneri i të kuqve shprehet i mërzitur për disa nga titullarët që bëjnë lojë individuale
Spahiu: Na ndëshkoi egoizmi
Partizani, pas javës së pestë të kampionatit, nuk ka bërë asgjë më shumë nga ç'pritej, apo flitej nga kampi i kuq, pasi është shkëputur edhe dy pikë të tjera nga kreu i renditjes. Të kuqtë kanë barazuar në "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit me vendësit, duke humbur kështu një mundësi për t'i qëndruar sa më pranë Tiranës, që, nga ana e saj, nuk ka gabuar këtë javë as ndaj Vllaznisë së Shkodrës. Në Elbasan, Partizani, edhe pse në formacionin e parë kishte një ndër lojtarët më të mirë të përfaqësueses, Klodian Duron, "u dënua" që në minutat e para të pjesës së parë, ku Ndreka, pas dy ndërhyrjeve të ashpra, e la ekipin e tij me 10 lojtarë. "Ishim të detyruar ta ndryshonim lojën, pasi edhe mund të ndëshkoheshim," - sqaron në një intervistë për "Sportin shqiptar," - trajneri i të kuqve, Spahiu. Sipas trajnerit të Partizanit, ekipi, ndonëse mbeti me 10 lojtarë që në minutat e para, mund ta kishte fituar ndeshjen në pjesën e dytë, nëse disa nga titullarët nuk do të tregoheshin shumë egoistë para portës:
- Barazimi i dytë në Elbasan, çka do të thotë katër pikë larg Tiranës kryesuese...
- Po, këtë javë barazimi na ka kushtuar shumë, sepse kryesuesja, nga ana e saj, nuk ka gabuar. Kësisoj, na mbetet ta tregojmë veten në javën tjetër, kundër Tiranës kryesuese, në takimin direkt me të.
- Partizani ka luajtur me 10 lojtarë, pasi Ndreka doli me karton të kuq. A ishte i drejtë gjykimi në këtë rast?
- E kam theksuar edhe më parë se gjyqtari është kompetent në gjykimin e tij, aq më tepër kundërshtimi nuk vlen asgjë, ndaj nuk më pëlqen të ndërhyj në këtë çështje. Pasi Ndreka doli shpejt nga fusha me të kuqe, m'u desh detyrë të ndryshoja modulin e lojës së ekipit. Ne duhet të ndryshonim në pjesën tjetër të lojës, sepse jo vetëm që fitorja u bë më e vështirë, por nuk ishte çudi që edhe mund të pësonim gol. Kështu, largova një sulmues, Kariokën, duke futur Hallaçin në mesfushë. Në pjesën e dytë, efektet ishin pozitive, ku në dy raste të pastra mund të kishin shënuar, por lojtarët tanë gabuan.
- Cilët ishin gabimet që u bënë gjatë pjesës së dytë?
- Ishin më tepër për shkak të egoizmit të futbollistëve, që shpërdoruan raste të pastra para portës. Nuk mund të tolerohen veprimet e pahijshme të disa prej lojtarëve, që luajnë në formacionin e parë. Lojtarët duhet ta kenë të qartë që loja individuale nuk ka vlerë para synimeve të ekipit. Ekipi kërkonte tripikëshin dhe mund ta kishte arritur, nëse Muzaka, në pjesën e dytë, do të kishte pasuar te shokët e tjerë të skuadrës. Ishte një aksion i qartë, ku katër nga lojtarët tanë dolën përballë dy mbrojtësve të Elbasanit. Po kështu, edhe Abilio nuk pasoi te Duro në një rast të ngjashëm, duke u treguar egoist, dhe si pasojë shpërdoroi një tjetër aksion goli. E kam në përgjithësi edhe për disa lojtarë të tjerë, që shpesh nuk luajnë për skuadrën, duke e dënuar pa dashje.
- Cilat mbeten detyrat për javën në vijim?
- Së pari, duhet të korrigjojmë shumë nga gabimet e Elbasanit. Do të luftojmë egoizmin e disa lojtarëve, që të mos na dëmtojë në takimet e tjera. Kampionati është shumë i gjatë, ndaj për të përballuar dhe arritur objektivat me sukses duhet të punojmë dhe të bëjmë ndryshime të tjera.
Gjithsej 45 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9] 10 11 12 13 14 15 16 17 18 » ... E fundit » Trego 45 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.