Forumi Horizont Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 81 82 83 84 85 86 87 88 89 [90] 91 92 93 94 95 96 97 98 99 » ... E fundit »
Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- FK Teuta (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=349)


Postuar nga qershor13 datë 05 Dhjetor 2003 - 23:15:

Bespalla: Ndaj Elbasanit, më të tendosur se kurrë

Mesfushori durrsak e konsideron tepër të rëndësishme ndeshjen me portokallinjtë.

Futbollisti i Teutës, Bespalla, e konsideron sfidën e radhës në kampionat tepër të rëndësishme, për faktin se skuadra e tij, pas një humbjeje në fushën e saj, kërkon të bëjë autokritikë dhe të mos i largohet më kreut. Sipas tij, një rezultat i mundshëm pozitiv në Elbasan do ta ngrinte në maksimum moralin e "djemve të detit" për vazhdimësinë e kampionatit. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", Bespalla foli për përgatitjet e Teutës për këtë ndeshje dhe vështirësinë që paraqet fusha e Elbasanit:
- Bespalla, si po përgatitet Teuta për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit?
- Pak a shumë, si për të gjitha ndeshjet e tjera. Nëse i kemi kushtuar pak më shumë rëndësi këtij ballafaqimi, kjo vjen pasi duam të bëjmë kthesën e duhur. Në Elbasan shkojmë pas një humbjeje që pësuam në fushën tonë me Dinamon, të cilën do të përpiqemi ta rikuperojmë në aspektin e pikëve. Gjatë gjithë javës kemi punuar intensivisht, me qëllim që të eliminojmë problemet që u vunë re në ndeshjen paraardhëse.
- A mund të eliminohen mangësitë e vëna re me Dinamon në një kohë kaq të shkurtër, sipas jush?
- Mendoj që po. Skuadra ka reflektuar pas kësaj ndeshjeje, prandaj them se me Elbasanin do të shfaqet një Teutë tjetër.
- Ç'kuptoni me një Teutë tjetër?
- Kuptoj Teutën e këtij kampionati, që me lojën e grupit arriti ta udhëheqë atë disa javë dhe të tregojë vlerat e një skuadre pretendente për titull.
- A i druheni ndonjë tjetër hapi fals të Teutës?
- Jo, nuk i druhem. Sigurisht, kampionati është i gjatë dhe vështirësi të ndryshme do të ndeshim rrugës, prandaj dhe gabimet janë të pranueshme, sikurse bëmë me Dinamon. Sidoqoftë, me lojën tonë do të tregojmë se e synojmë realisht titullin.
- Si e parashikoni sfidën e radhës me Elbasanin?
- Parashikoj një ndeshje të vështirë, për faktin se Elbasani përbëhet nga futbollistë cilësorë. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të dalim medoemos në lojën tonë të grupit, sepse vetëm kështu mund ta arrijmë objektivin që i kemi vënë vetes.
- A do të ndikojnë në këtë ndeshje mungesat e disa futbollistëve të formacionit bazë të skuadrës suaj?
- Sigurisht, mungesat në mbrojtje dhe ndonjë tjetër në mesfushë përbëjnë shqetësim më vetë për ne. Megjithatë, mendoj se Teuta i ka potencialet e duhura që t'i përballojë këto mungesa dhe të tregojë se kush është. Fatmirësisht, në këtë ndeshje na kthehet në formacion një futbollist kyç në skuadër, siç është Zëre.
- Teuta ka shënuar javët e fundit, por ka pësuar njëkohësisht shumë gola. Si e komentoni këtë fakt?
- Natyrisht, ka ndonjë problem, i cili duhet rregulluar sa më parë. Për mua, golat janë pësuar për faj të të gjithë skuadrës. Çdo futbollist që i besohet një vend në formacionin bazë të Teutës duhet të reflektojë për gabimet. Me një fjalë, dua të them se duhen forcuar të tri repartet e skuadrës. Nëse funksionon mirë loja e grupit, ju siguroj se Teutës është vështirë t'i shënosh gol.
- A mendoni se do ta rifitoni besimin e sportdashësve tuaj?
- Patjetër. Duke filluar që në ndeshjen me Elbasanin, do të luftojmë që t'u rikthejmë buzëqeshjen sportdashësve tanë dhe t'u tregojmë se jemi të vendosur t'i arrijmë objektivat e sezonit.
- Si e shpjegoni faktin që Teuta luan më mirë jashtë fushe, se në "Niko Dovana"?
- Për mua, kjo ndodh ngaqë luajmë më të çliruar psikologjikisht jashtë fushës sonë, apo nga fakti që kundërsulmi funksionon më mirë në trasfertë. Gjithsesi, mendoj se edhe në fushën tonë kemi bërë ndeshje të mira. Edhe me Dinamon nuk është se luajtëm keq, por u ndëshkuam nga disa gabime tonat.
- Një parashikim për ndeshjen e nesërme me Elbasanin?
- Nëse bëhet fjalë për rezultatin, nuk mund të parashikoj asgjë. Personalisht, e konsideroj një ndeshje të hapur për të dy ekipet, të cilën do ta fitojë më i miri.


  Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 81 82 83 84 85 86 87 88 89 [90] 91 92 93 94 95 96 97 98 99 » ... E fundit »
Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.