Forumi Horizont Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 86 87 88 89 90 91 92 93 94 [95] 96 97 98 99 100 101 102 103 104 » ... E fundit »
Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- FK Teuta (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=349)


Postuar nga qershor13 datë 15 Dhjetor 2003 - 15:08:

Teuta ndal "marshimin" e Tiranës

Bregdetarët barazojnë 0-0 me kryesuesit e kampionatit.

Teuta dhe Tirana kanë ndarë nga një pikë në sfidën e tyre të luajtur dje në "Niko Dovana". Kësisoj asnjëra palë nuk ka dalë nga fusha e lojës e kënaqur plotësisht, por edhe e dëshpëruar jo. Teuta me mungesat e ndjeshme që kishte, veçanërisht në repartet e mesfushës dhe të sulmit, e ka nisur lojën me vrull. Madje mund të kishte kaluar në avantazh në minutën e 7-të të ndeshjes, me anë të Kotomelos, i cili gjuan prirtazi nga e majta e sulmit durrsak, por topi godet shtyllën e djathtë pingule të Egbosë. Ky i fundit falënderon Zotin dhe shtyllën që i kanë ardhur në ndihmë. Pas këtij momenti Tirana zgjohet dhe shikon më tepër nga porta e Teutës. Krijon disa raste për shënim me anë të Bulkut dhe Fortuzit, por nuk shënon dot. Në fakt, loja në pjesën e parë të ndeshjes ishte e ekuilibruar, ndonëse kryeqytetasit kishin raste më të shumta shënimi. Në pjesën e dytë të ndeshjes, Teuta zgjedh kundërsulmin për ta rrezikuar Tiranën, e cila merr frenat e lojës në dorë. Kryesuesit krijojnë mjaft raste shënimi, të cilat, sa për meritë të portierit Shehi, që tregoi klas në kryerjen e detyrës së tij, aq edhe për pakujdesi të sulmuesve të Tiranës, nuk konkretizohen me gol. Mungesa e disa futbollistëve me eksperiencë te Teuta, si Babamusta, Renato, Mancaku etj., u ndie veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes, sepse kundërsulmi nuk e kishte fuqinë e duhur. Tirana kreu më tepër volum loje, por nuk e pati qartësinë e duhur përballë portës së mbrojtur nga Shehi. Ky i fundit, së bashku me një mbrojtje të hekurt, me në krye Zëren, tregoi se Teuta me rikthimin e futbollistëve të dëmtuar të mesfushës dhe të sulmit do të bëhet e frikshme për çdo kundërshtar. Përfundimisht, Teuta ka humbur dy pikë, që e largojnë disi nga pretendentët, në një kohë që Tirana ka lënë po kaq pikë, që e afrojnë ndjeshëm me Dinamon dhe Partizanin.
Thanë pas ndeshjes
Hasan Lika, trajner i Teutës
:
"Mendoj se ishte një barazim i mundimshëm, por edhe i merituar. Ishim të kushtëzuar nga shumë mungesa, për pasojë kualitetet e Tiranës bënë deri diku diferencën. Kështu, u detyruam të tregoheshim të kujdesshëm në mbrojtje dhe të kundërsulmonim në momente të veçanta të lojës. Mendoj se me vështirësi ia arritëm sadopak qëllimit, ndonëse barazimi nuk është rezultati që na kënaq plotësisht. Më duhet t'i falënderoj të gjithë futbollistët për shpirtin e garës që treguan, pavarësisht se gjatë zhvillimit të lojës isha i pakënaqur nga disa prej tyre."
Mirel Josa, trajner i Tiranës:
"Ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, pavarësisht se Teuta luante me mungesa. Pak a shumë të tilla kishim edhe ne. Erdhëm në Durrës që të merrnim një rezultat pozitiv, por nuk ia arritëm dot. Nisur nga loja që zhvilluam, them se meritonim më shumë se barazimi. Në pjesën e parë hymë në lojë pak të ftohtë, gjë që na ka ndodhur edhe në ndeshje të tjera. Erdhëm duke e ngritur lojën, por humbëm shumë raste shënimi, ku veçoj rastin e Bulkut. Kreu tashmë është bërë i vështirë, pasi Dinamoja ka fituar. Të presin sfidën direkte me të. Kampionati është i gjatë dhe vazhdimësia do të tregojë gjithçka.

Të veçanta:
- Një numër i madh spektatorësh, rreth 5000, kryesisht të Teutës, por edhe të Tiranës, i kanë dhënë si rrallëherë atmosferë stadiumit "Niko Dovana".
- Në tribunën VIP ndodhej edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka.
- Si rrallëherë, në tribunën e "Niko Dovnës" kishte edhe disa spektatore femra, tregues ky i emancipimit të tifozerisë durrsake.

Teuta - Tirana 0-0

Teuta
Shehi 7.5
Xhai 7
Zëre 7
Driza 6
Tetova 6
Kotomelo 6.5
Toshkollari 6
Khumalo (Kote 85') 7
Hasho (Mançe 46') 6
D.Xhafa 6
Godine (Bespalla 46') 6
Trajner: H.Lika

Tirana
Egbo 6
Dede 6.5
Pinari 7
Hajdari 7
Tafaj 7
E.Bulku 7
Agolli (Merkoçi 60') 6.5
Lici (Prenga 85') 6
Patushi 7
Muka 7.5
Fortuzi 7
Trajner: M.Josa
Gjyqtarë: K.Meta, L.Çuko (Tiranë), A.Mali (Patos).
Kartonë të verdhë: Kotomelo, Zëre, Tafaj, Agolli.

Radiografia
10'- Depërtim i bukur i Khumalos në zonën e Tiranës. Shmang dy mbrojtës miq, jep një asist për Kotomelon, që godet rrufeshëm rrafsh me tokën, duke e përplasur topin në shtyllën e djathtë pingule të Egbosë.
12'- Fortuzi gjuan fort në zonë, por pret Shehi.
18'- Fortuzi depërton bukur në hyrje të zonës, pengohet nga mbrojtja vendëse dhe gjyqtari jep një faull në një pozicion të volitshëm. Godet fort Agolli në drejtim të trekëndëshit të portës së mbrojtur nga Shehi, por ky i fundit eviton rrezikun me një kërcim akrobatik, duke e grushtuar në këndore topin.
20'- Goditje në ecje e sipër e Mukës, por topi pritet nga Shehi.
25'- E.Bulku gjuan nga distanca, por topi kalon mbi traun e portës durrsake.
28'- Muka futet në zonë dhe gjuan rrafsh me tokën, por topi kalon fare pranë shtyllës pingule të portës së mbrojtur nga Shehi.
31'- Tetova, pasi driblon Pinarin, futet në zonë dhe jep një pasim për Hashon, që nuk arrin të godasë pasi një nga mbrojtësit e Tiranës ia largon topin.
35'- Fortuzi gjuan brenda zonës në formë kthese, por topi kalon ngjitur me shtyllën transversale.
40'- Muka gjuan në hyrje të zonës, por topi kalon mbi shtyllën transversale.
42'- Godine pason për Khumalon, që nuk arrin të godasë, i frenuar nga mbrojtësit e Tiranës.
45'- E.Bulku, i vetëm në zonën e rreptësisë vendëse gjuan, por topi devijohet nga një mbrojtës.
48'- Khumalo futet në zonën e Tiranës, gjuan prirtazi, por topi kalon fare pranë shtyllës pingule.
60'- Bulku godet fuqishëm nga 25 metra, por jashtë kuadratit.
67'- Bulku pas një krosimi nga e majta e sulmit të Tiranës kërcen bukur fort me kokë, gjuan bukur, por topi kalon fare pranë shtyllës transversale.
70'- Patushi gjuan fort në zonë, por grushton bukur Shehi.
75'- Muka pas një lëmshi në zonë gjuan fort, por topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës së mbrojtur nga Shehi.
77'- Lëmsh në zonën e Teutës. Tri fanella të Tiranës nuk arrijnë dot ta shtyjnë topin për në rrjetë përballë një Shehi të pamposhtur.
85'- Muka gjuan fort nga një goditje dënimi, por pret në dy kohë Shehi.
87'- Kote godet në hyrje të zonës, por pret Egbo.


  Gjithsej 141 faqe: « E parë ... « 86 87 88 89 90 91 92 93 94 [95] 96 97 98 99 100 101 102 103 104 » ... E fundit »
Trego 141 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.