Forumi Horizont | Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 89 90 91 92 93 94 95 96 97 [98] 99 100 101 102 103 104 105 106 107 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Kur lajmet behen prekese (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8819)
Historia e Engjëllushes, e zhdukur pas martesës
Engjëllushe Krasaliu, në vitin 1994, është martuar në fshatin Stranik të Librazhdit, ku ka qëndruar tre vjet dhe nga kjo martesë ka patur edhe një fëmijë. Por, krejt papritur, në trazirat e vitit 1997, ajo zhduket. U tha se u trafikua në Itali. Familja Krasaliu jetonte me ankthin e zhdukjes së vajzës së tyre, por pas 5 vitesh pa asnjë lajm, në familje vjen një letër nga vajza e tyre e zhdukur, Engjëllushe.
Në letër, Engjëllushja i shpjegonte familjes së saj të gjithë kalvarin e vuajtjeve të saj në Itali. Dëshmonte se trafikantët që e kishin rrëmbyer, e kishin detyruar që të prostituonte në trotuaret e Milanos. Por, Engjëllushja, me ndihmën e një prifti italian në një kishë të Milanos, ishte strehuar atje dhe më pas ajo ishte lidhur me një shtetas italian, të quajtur Viktor, nga Breshia.
Më pas ishin martuar, madje ajo i dërgoi familjes edhe një video të martesës. Që nga kjo periudhë, Engjëllushja vazhdonte të kishte kontakte të vazhdueshme me familjen ne telefon, madje u nxirrte prindërve në telefon edhe bashkëshortin e saj, Viktorin. Ata dukeshin të lumtur. Po ashtu edhe prindërit e saj në fshatin e thellë malor të Buzaishtës në atë familje të varfër.
***
E djegur nga malli për të bijën, nëna e Engjëllushes, Dashuria, përdor një "dredhi". I shkruan së bijës se, "Babai i saj, Myftari, është shumë i sëmurë dhe Engjëllushja duhet të vinte patjetër". Më 2 korrik 2003, Ëngjëllushja mbërrin në fshatin e saj pranë familjes.
"Erdhi vetëm, - thotë e ëma. Ka qëndruar dy javë pranë familjes së saj dhe dukej shumë e lumtur. U tha prindërve se e keqja kishte kaluar dhe për atë tani kishte filluar një jetë e re. Ajo nuk ka pranuar që t'u tregojë prindërve emrat e trafikantëve që e rrëmbyen, pasi kishte frikën e dy vëllezërve të saj, të cilët mund të hakmerreshin dhe dëmtoheshin. Pas dy javësh ajo kthehet në Itali.
Më datën 8 mars 2004, Engjëllushja e merr nënën e saj në telefon dhe i uron 8 marsin. Më 1 maj 2004, kontaktoi edhe me motrën e saj, Lidën, që ndodhet emigrante në Greqi. Ishte telefonata e fundit. Pas datës 2 maj 2004, është shkëputur çdo komunikim. Numri i telefonit që ka pasur Engjëllushja është: 00393337057731, por ky numër ka qenë i mbyllur vazhdimisht për gati 5 vjet.
Familja Krasaliu i binte vazhdimisht këtij numri, me shpresën se do të mësonte diçka për vajzën e saj, pasi e vetmja mënyrë për të mësuar diçka ishte ai numër telefoni, por më kot, nga ana tjetër e telefonit vinte mesazhi që ky numër është jashtë shërbimit. Vetëm para dy muajsh, i njëjti numër telefoni është rihapur, por më kot, sepse sinjali vazhdon të bjerë dhe telefoni mbyllet pa asnjë përgjigje.
***
"Kemi ngelur në udhëkryq,- thotë Myftari, babai i Engjëllushes, - dhe jetojmë me ankthin dhe shpresën se një ditë do të marrim një lajm të mirë nga vajza, por më kot kanë kaluar pesë vjet".
"Shpresa vdes e fundit", - thonë vëllezërit e Engjëllushes, Mentori dhe Kristiani. Jemi shumë të varfër nga gjendja ekonomike dhe nuk kemi mundësi financiare që të shkojmë në Itali dhe ta kërkojmë motrën.
Kjo është drama e kësaj familjeje të varfër mokrare, e cila prej pesë vitesh pret një zile telefoni. Ata jetojnë mes ankthit dhe shpresës, duke kërkuar ndihmë edhe nga gazeta: nëse dikush di diçka për Engjëllushen, t`i japë një lajm familjes së tyre në Buzaishtë të Mokrës.
(marre nga Shekulli)
Gjithsej 376 faqe: « E parë ... « 89 90 91 92 93 94 95 96 97 [98] 99 100 101 102 103 104 105 106 107 » ... E fundit » Trego 376 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.