Forumi Horizont | Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Lushnja (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2268)
KS. Lushnja
Humbja katastrofike me Tiranën për të gjithë të pranishmit në shkallët e stadiumit "Tomori" ka qenë pasqyrë e asaj çka dhanë në fushë lushnjarët e "tjetërsuar" të rumunit Cikleanu. Kështu mendojnë të gjithë futbolldashësit e këtij ekipi, të cilët nuk e prisnin këtë humbje kaq të thellë të ekipit të tyre, aq më tepër me një lojë kaq zhgënjyese. Pa mohuar vlerat e kampionëve, nga ekipi verdhjeshil nuk u pa asnjë shenjë dëshire për lojë. Madje, nga burime jo të sigurta brenda klubit, mësohet me keqardhje se, pa nisur mirë kampionati, në kampin lushnjar mund të ketë probleme të brendshme, që kanë të bëjnë me cenimin e hierarkisë së lojtarëve puro-lushnjarë. Ky ka qenë edhe mendimi i trajnerit rumun Aurel Cikleanu, kur, në pushim të pjesës së parë dhe në përfundim të ndshjes, u ka shprehur lojtarëve pakënaqësitë dhe rezervat e tij. Ndërkohë, befasuese ka qenë për tifozllëkun lushnjar përfshirja e portierit rumun Enea në 11-shen e parë, që Cikleanu hodhi në fushën e lojës kundër bardhebluve. Kjo, për arsyen e thjeshtë se në të gjitha takimet përgatitore (përveç atij kundër Tomorit) në portë është aktivizuar i mirënjohuri Hektor Prençe. Këtë habi e ka shtuar edhe paraqitja mjaft e dobët dhe aspak profesionale e portierit rumun. Kësisoj, pritet me interes analiza e kësaj ndeshjeje, që do të zhvillohet ditën e sotme në sallën e tribunës së "Roza Haxhiut". Në këtë takim, trajneri Cikleanu pritet të shfaqë mendimet dhe qëndrimin e tij në lidhje me të ardhmen. Problemet e brendshme në ekipin lushnjar kanë qenë një gangrenë më vete këto vitet e fundit. Madje, ato kanë ndikuar jo pak në ecurinë e këtij ekipi. Mendohej se fryma profesionale dhe disiplina e trajnerit Cikleanu do të ishte ilaçi më i mirë për shërimin e kësaj "sëmundjeje me rrënjë të thella" në gjirin e këtij ekipi.
Mesfushori kavajas premton se Lushnja do të jetë krejtësisht ndryshe në javët e ardhshme
Bardhi: Duhet ta gjejmë shpejt golin
Kur ka kaluar një javë nga humbja me Partizanin, ekipi i Lushnjës i ka mbyllur seancat stërvitore të javës së kaluar me një ngarkesë më të lehtë në krahasim me ato paraardhëse. Në përfundim të stërvitjes së fundit ne i morëm një mendim mesfushorit të qendrës të formacionit lushnjar, kavajasit Ervin Bardhi.
"Nga mënyra se si luajtëm ndaj Partizanit, Lushnja nuk duhet të kishte dalë pa pikë nga ajo ndeshje." Kështu është shprehur mesfushori shkatërrues i Lushnjës. Ai pohon se rastet e shumta të humbura në këtë ndeshje ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin që u arrit. Në vazhdim të deklaratës së tij Bardhi ka thënë: "Lojën tonë të mirë e konkretizuam me krijimin e shumë rasteve, të cilat fatkeqësisht nuk u shfrytëzuan si duhet".
Ky problem e ka shqetësuar jo pak stafin e skuadrës myzeqare, e cila ka aplikuar për këtë qëllim stërvitje speciale, ku kryesisht është punuar me sulmuesit dhe mesfushorët e ekipit. Këtë shqetësim e shpreh edhe mesfushori potent i Lushnjës kur thotë: "Problemi ynë është se duhet të dalim sa më shpejt te goli. Me sa kam dëgjuar nga lojtarët që kanë luajtur edhe vjet me Lushnjën, problemi i vazhdueshëm i mosfinalizimit ka qenë një nga arsyet që e çoi këtë ekip në ndeshjen e play-off-it me Apoloninë. Por sivjet punët janë ndryshe. Trajneri Cikleanu po bën ndërhyrjet e duhura taktike që ky fenomen të minimizohet maksimalisht. Me Partizanin luajtëm bukur dhe harxhuam shumë energji, duke humbur shumë raste, ndërsa kundërshtari i shfrytëzoi shumë bukur rastet që iu krijuan. Nëse do të vazhdojmë të luajmë mirë dhe të humbasim raste, kjo do të jetë fatale për ne".
Ndërkohë, Bardhi gjen kurajon t'i kërkojë falje publikut të zhgënjyer lushnjar për dy humbjet në këtë fillim të kampionatit. Ai, edhe në emër të lojtarëve të tjerë, u premton atyre se shumë shpejt do të jenë krejt ndryshe. Këtë premtim mesfushori i lagunarëve e argumenton kur thotë: "Mundësitë financiare janë. Baza dhe elementi ekzistojnë dhe në këtë ndërprerje kampionati kemi shansin për të ndryshuar diçka. Duke u bazuar në profesionalizmin drejtues të trajnerëve tanë dhe në mbështetjen e padiskutueshme të presidentit tonë, ne kemi krijuar besimin se brenda një kohe të shkurtër do të përmbysim gjithçka të keqe. Shumë shpejt do të rikthehemi në lojërat tona cilësore të shoqëruara me rezultate pozitive." Kështu e përfundon deklaratën e tij për "Sportin Shqiptar" kavajasi i palodhur i Lushnjës, Ervin Bardhi.
Lushnja barazon pa gola me Tomorin
Ka përfunduar 0-0 miqësorja mes ekipit lushnjar dhe atij beratas, që do të luajë në Grupin A2. Gjithsesi, me plot gojën, barazimi pa gola mund të quhet humbje për "lagunarët". Kjo, jo vetëm për arsyen se luanin me një ekip "inferior", por edhe pse loja e verdhejeshilëve nuk u ngjit asnjëherë në nivein e pritur. Edhe lëvizjet e shumta të lojtarëve në fushë që aplikoi rumuni Cikleanu, i cili luajti me skemën 3-4-1-2, nuk dhanë rezultatet që trajneri i Lushnjës priste. Në miqësoren e së shtunës, trajneri Cikleanu rreshtoi në fushë këta lojtarë: në portë Prençe; në mbrojtje Vrapi nga e majta, Bika në qendër dhe Dhima nga e djathta; përpara 3 mbrojtësve, Cikleanu vuri 4 mesfushorë, ku nga e majta u aktivizua për herë të parë në këtë rol mbrojtësi titullar Hasalla, në qendër Bardhi dhe Kadiu, nga e djathta titullari tjetër lushnjar Gazheli. Në një rol krejt të ri u aktivizua braziliani Zheraldinjo, i cili, si sulmues i fshehtë, duhej t'u bashkangjitej dy sulmuesve të deklaruar, Nora dhe Sorin.
Malko në pritje të "rehabilitimit"
Ndërkohë që ekipi lushnjar nuk po gjen vetveten, në sytë e tifozerisë lushnjare ka bërë përshtypje mungesa në seancat stërvitore e "legjendarit" Sajmir Malko. Idhulli i tifozerisë lushnjare i ka munguar ekipit që nga data 24 gusht, pra, 24 orë pas ndeshjes me Tiranën, kur lushnjarët, në një ballafaqim të turpshëm, janë mundur nga kampionët në fuqi me rezultatin e thellë 6-0. Për këtë mungesë të titullarit Malko nuk ka pasur asnjë prononcim nga kampi lushnjar, si dhe nga vetë futbollisti, i cili nuk ka pranuar të flasë për shtypin. Nga burime të pakonfirmuara, flitet se titullari Sajmir Malko ka shërbyer si "kokë turku" për atë paraqitje të dobët të verdhejeshilëve me Tiranën. Ndërkohë, tifozeria lushnjare është e ndërgjegjshme për lojën e dobët të kapitenit Malko në atë takim, ashtu siç është shumë e bindur se në mendjen e tij nuk ka pasur asgjë të qëllimshme. Ndaj, në qarqet futbolldashëse të qytetit myzeqar mirëpritet me padurim "rehabilitimi" i idhullit të tyre, Sajmir Malko, nga drejtuesit e klubit të Lushnjës.
Njëri nga titullarët lushnjarë analizon humbjen e skuadrës së tij ndaj Teutës
Gazheli: Lushnja duhet të ndërrojë "fytyrë"
Loja që zhvilloi Lushnja të shtunën, në stadiumin "Niko Dovana" të të Durrësit, i ka lënë të pakënaqur të gjithë fansët e verdhejeshilëve, që ishin të shumtë në numër, për ta ndjekur këtë takim. Askush prej tyre nuk e priste një humbje të tillë të skuadrës myzeqare. Gjatë ditëve të pragndeshjes, kampi "lagunar" dukej mjaft optimist për sfidën me Teutën. Kjo për faktin se, pas paraqitjes së dobët të lushnjarëve në javën e parë ndaj Tiranës, loja e tyre në vazhdim erdhi në rritje. Madje,. skuadra e Cikleanut vinte në këtë ndeshje me moral të ngritur, sepse kishte fituar një javë më parë ndaj Flamurtarit të Vlorës. Mirëpo gjithçka foli kundër Lushnjës në ballafaqimin e javës së katërt të kampionatit, ndaj Teutës. Loja e saj la mjaft për të dëshiruar, sidomos në pjesën e dytë. "Duhet të shfaqim një fytyrë tjetër, sa më shpejt, - ka thënë pas ndeshjes me Teutën titullari i formacionit lushnjar, Judmir Gazheli. - Duhet të mësojmë të luajmë futboll 90 minuta dhe jo vetëm një pjesë loje, siç bëmë në Durrës. Ne krijojmë volum loje, por, fatkeqësisht, nuk i shfrytëzojmë rastet, që në ndeshjen me Teutën i patëm me shumicë. Luajmë shumë bukur 60 minuta, por harrojmë një gjë themelore, se duhet të luajmë me të njejtin ritëm, gjatë gjithë ndeshjes. Sidoqoftë, në Durrës na është ngrënë edhe haku. Mosdhënia e një penalltie flagrante nga ana e gjyqtarit të takimit në favorin tonë na ndëshkoi jo pak. Po kështu, edhe nxjerrja me karton të kuq e qendërmbrojtësit Bika pati ndikimin e saj në këtë ndeshje." Më tej, mbrojtësi energjik i Lushnjës gjykon: "E kemi dominuar totalisht pjesën e parë të këtij takimi. Në 45 minutat e para të ndeshjes e kemi mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushën e tij. Këtë epërsi tonën e shoqëruam edhe me shumë raste të pastra për shënim që, fakteqësisht, nuk u shfrytëzuan si duhet nga Kadiu dhe rumuni Kornea. Ky i fundit humbi një rast ideal shënimi, në kohën kur rezultati ishte 0-0. Sikurse dihet, futbolli ka një ligj të pashkruar: po nuk shënove, do të pësosh."
Duke u thelluar në analizën e kësaj ndeshjeje të humbur, Gazheli dëshiron t'i rikthehet edhe një herë tjetër mohimit të një penalltie në favor të skuadrës së tij: "Mosdhënia e penalltisë nga gjyqtari i takimit ndikoi për keq në psikologjinë tonë. Pas këtij momenti, ne u bëmë shumë nervozë në veprimet taktike. Humbëm qetësinë dhe krijuam mjaft të çara në mbrojtjen tonë, çka solli edhe pësimin e golit të parë. Në minutat e mbetura nuk gjetëm forca për ta kaluar këtë moment të keq, por i dhamë mundësi kundërshtarit që të merrte frenat e lojës. Pas daljes me karton të kuq (pas dy të verdhave) të qendërmbrojtësit tonë Bika, ne kapitulluam plotësisht. Për rrjedhojë, pësuam edhe golin e dytë, në minutat e fundit të këtij takimi." Përveç moskonkretizimit të rasteve të krijuara, Gazheli evidenton si defekt kryesor në lojën e skuadrës së tij edhe mungesën e psikologjisë së fituesit, për t'u bërë ballë me sukses situatave të disfavorshme që krijohen gjatë 90 minutave. Duke e përfunduar mendimin e tij për takimin e së shtunës, ndaj Teutës, Gazheli nënvizon: "Së pari, duhet të korrigjohemi sa nuk është vonë, në mënyrë që të rifitojmë besimin e humbur të tifozerisë sonë të mrekullueshme. Edhe në ndeshjen me Teutën, ata na përkrahën fuqimisht, por ne i zhgënjyem."
Humbja me Besën dhe rezultatet negative të "lagunarëve" mund t'i "hanë" kokën trajnerit Cikleanu
Lushnja, sot dita e gjykimit
Lushnja regjistroi humbjen e 4-t në këto 5 javë kampionat. Këtë herë, "lagunarët" humbën përballë Besës, që as vetë nuk e kishte parashikuar një fitore kaq të lehtë. Lushnjarët kanë luajtur bukur në pjesën më të madhe të këtij takimi, por kjo nuk ka mjaftuar, qoftë edhe për të marrë një barazim "ngushëllues" përballë Besës së Faruk Sejdinit. Pësimi i shpejtë i golit i detyroi lushnjarët ta rrisin presionin ndaj kundërshtarit. Madje ata krijuan shumë raste për shënim. Mirëpo, si për forcë zakoni, sulmuesit Nora, Kornea, Byzhyti, duke shtuar këtu edhe mesfushorët Gazheli e Kadiu, nuk kanë arritur të finalizojnë. Vetë trajneri rumun i Lushnjës, Aurel Cikleanu, do të thoshte pas ndeshjes: "Luajtëm mirë, por nuk arritëm të merrnim maksimumin e asaj që kishim përgatitur gjatë javës në stërvitje. Megjithëse kemi punuar mjaft, edhe në mënyrë të diferencuar me disa lojtarë, për konkludimin, përsëri jemi penalizuar nga humbja e shumë rasteve për shënim." Ndërkohë, mjaft të tensionuar janë shfaqur pas përfundimit të këtij takimi drejtuesit e klubit lushnjar, të cilët kanë mbetur mjaft të pakënaqur nga rezultati përfundimtar i ndeshjes me Besën. Humbjet në trasfertë, duke shtuar këtu edhe humbjet në fushën e tyre, tregojnë se vazhdimësia e verdhejeshilëve po shkon drejt rrezikimit të qëndrimit në A1. Një gjë e tillë nuk është në sinkron me pretendimet e fillimit të këtij kampionati, apo me ndryshimet e bëra në skuadër nga drejtuesit e këtij klubi. Ndërkohë, "thashethemet" e kafeneve të frekuentuara nga tifozeria lushnjare, një ditë pas humbjes me Besën, paralajmërojnë një dorëheqje të mundshme të Cikleanut. Gjithashtu, nuk mungojnë zërat, gjithmonë të pakonfirmuar, për një shkarkim të tij nga drejtuesit lushnjarë. Së fundi, nuk ka munguar edhe mendimi i disa futbollistëve titullarë të Lushnjës, si Gazheli, Hasalla apo Endri Vrapi, të cilët janë për vazhdimësinë e trajnerit të tyre, duke e mbështetur këtë në konsolidimin me vonesë të ekipit, për shkak të ndryshimeve të shumta që janë kryer në përbërjen e tij. Ky kontigjent lojtarësh shpreh keqardhjen për mosdaljen nga kriza e rezultateve negative dhe njëherazi shpreh bindjen se momenti i kthesës nuk do të vonojë. Gjithsesi, në mjediset futbolldashëse të këtij qyteti pritet me padurim dita e sotme, kur do të zhvillohet një analizë mes stafit presidencial të "lagunarëve" dhe stafit teknik të skuadrës e futbollistëve. Kësaj here, në "bankën e të akuzuarve" do të jenë futbollistët dhe dy trajnerët, Cikleanu dhe Canaj.
Drejtuesit e klubit lushnjar vazhdojnë t'i besojnë trajnerit rumun të skuadrës së tyre
Lushnja "ribekon" Cikleanun
Ashtu siç pritej, klubi lushnjar i futbollit ka zhvilluar dje analizën e ndeshjes së fundit të kampionatit me Besën. Sikurse dihet, "lagunarët" e kanë humbur këtë sfidë, duke e ndërlikuar mjaft pozitën e tyre në tabelën e renditjes. Madje menjëherë pas ndeshjes me kavajasit, drejtuesit e lartë të klubit verdhejeshil nuk ngurruan të paralajmëronin për masa drastike ndëshkimore. Gjithçka pritej të ndodhte në analizën e djeshme, ku do të gjykohej më konkretisht humbja me Besën. Mirëpo nuk ka pasur ndonjë "krasitje", siç mendohej, as në stafin teknik të skuadrës, as në kontigjentin e futbollistëve. Janë marrë vetëm disa masa ndëshkimore, kryesisht gjoba me lekë. Konkretisht, është vendosur që t'u mbahet gjysma e rrogës mujore të gjithë futbollistëve për rezultatet e dobëta të javëve të fundit në kampionat. Gjithashtu, atyre u është vënë një kusht për ndeshjet në vazhdim. Sipas vendimit të djeshëm të kryesisë së klubit, në tri ndeshjet e ardhshme, ku përfshihet ndeshja e kupës dhe dy ndeshjet vijuese të kampionatit, duhet fituar patjetër. Në të kundërt, do të ketë të tjera masa ndëshkimore për lojtarët, deri në përjashtim të ndonjërit nga skuadra. Po dje, në analizën e radhës, pas humbjes me Besën, është vendosur që të pezullohet sekretari i klubit, Agim Mone. Shkaku i këtij pezullimi nuk është konfirmuar në analizë, por vetëm sa është komunikuar si vendim. Vetë trajneri Cikleanu ka bërë një analizë të përgjithshme të ecurisë së skuadrës, duke nxjerrë si konkluzion se mundësitë e skuadrës që drejton janë për më shumë. Ai ka thënë se është tërësisht i habitur sesi nuk po del ekipi në lojën e vet.
Myzeqarët frenohen nga të fundit e kampionatit në fushën asnjanëse të Beratit
Takimi Lushnja-Shkumbini, luajtur dje në Berat, nuk shënoi asgjë të re për lushnjarët, por solli një pikë të çmuar për peqinasit "e mbytur" në fundin e tabelës së klasifikimit. Peqinasit, me shumë sakrifica, mundën të marrin 1 pikë ndaj lushnjarëve me pretendime në këtë takim. Paralajmërimi i trajnerit Cikleanu se "i mbyturi të mbyt", në njëfarë mase doli i vërtetë. Lushnjarët me Norën, Gazhelin e Zheraldinjon, u treguan të pavëmendshëm, ndërkohë që peqinasit e administruan mirë lojën në mbrojtje. Në ato raste që u krijuan, peqinasit u treguan të rrezikshëm, por nuk arritën dot të shënojnë. Pjesa e parë, e mbylllur 0-0, u dha më shumë besim peqinasve, të cilët pjesën e dytë e filluan në një terren të rënduar nga shiu i vazhdueshëm. Rastet e të dyja skuadrave u shpërdoruan dhe loja doli jashtë kontrollit të trajnerëve respektivë. Këtë e vërteton edhe numri i kartonëve të verdhë, që shkoi në pesë. Gjithsesi, Lushnja në këtë takim "u mbyt nga i mbyturi", ndërkohë që Shkumbini fshin nga tabela shifrën e bardhë "0", duke marrë 1 pikë mjaft të vlefshme, të parën në këtë kampionat.
Të veçanta
- Pjesa e dytë e ndeshjes u zhvillua nën një shi të dendur, që e pengoi mjaft lojën e të dyja skuadrave.
- Në stadiumin e Beratit binte në sy mungesa e tifozëve. Vetëm në tribunë qendrore pati disa tifozë beratas, të cilësuar "vipa" të sportit.
Thanë pas ndeshjes:
Aurel Cikleanu, trajner i Lushnjës:
"E kisha paralajmëruar ekipin për rrezikshmërinë e kësaj ndeshjeje. Dhe në fakt kështu ndodhi. Duhet të kishim fituar patjetër. Barazimi për ne është humbje. Ndeshja me Shkumbini tregoi se Lushnja ka ende punë për të bërë."
Luan Deliu, trajner i Shkumbinit:
"Ky barazim na jep kurajo. Po të ishim më të kujdesshëm, edhe mund ta kishim fituar ndeshjen. Po na mundon shumë shënimi i golit."
Kornea: Nuk duhet humbur gjakftohtësia
Lushnja i vijon normalisht përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat. Përveç kavajasit Bardhi, i cili është i dëmtuar në kaviljen e djathtë, i gjithë kontigjenti i futbollistëve verdhejeshil është në dispozicion të dy trajnerëve, Cikleanu dhe Canaj. Në bisedat që shkëmbyem me disa lojtarë të Lushnjës, pas mbarimit të seancës së djeshme stërvitore, binte në sy optimizmi për një paraqitje të mirë ndaj Elbasanit dhe në vazhdimësi. Njëri prej tyre, rumuni i sulmit të Lushnjës, Sorin Kornea, i cili, së bashku me Norën, Kadiun apo ndonjë tjetër, mban mbi supe peshën e fajit për humbjen e sa e sa rasteve të pastra për shënim, mendon se nuk duhet humbur gjakftohtësia në një situatë të tillë. "Për të dalë nga kjo situatë jo fort e mirë e skuadrës, duhet të tregohemi të qetë," - thotë rumuni. Sorin Kornea po luan sezonin e tij të parë në Shqipëri. Në përgjithësi ka dhuruar lojëra të mira, si sulmues, por nuk ka qenë i tillë në finalizimet e aksioneve, duke mos e ndihmuar Lushnjën me shënimin e golave. "Nuk është gjë e mirë të fiksohesh në momentet e këqia dhe të humbasësh mendjen, - shton Sorin Kornea. - Nga nervat, lojtari mund të shkojë deri në atë pikë sa të mos besojë më në aftësitë e tij. Prandaj, po përpiqem ta evitoj këtë gjë." Megjithëse ka lënë përshtypje të mira në takimet miqësore të zhvilluara në përgatitoren para kampionatit, ku ka shënuar shumë gola, rumuni i sulmit lushnjar nuk ka arritur ta tregojë veten në kampionat. Sidoqoftë ai nuk dorëzohet. "Çdo skuadër, ashtu si çdo futbollist, ka momentet e veta të këqija. Kështu po ndodh edhe me ne. Po përpiqemi të gjejmë formën tonë më të mirë, në drejtim të finalizimit të aksioneve. Them se kemi aritur diçka në këtë drejtim. Shpresoj ta tregojmë veten që në ndeshjen e ardhshme me Elbasanin," - shprehet më tej rumuni. Ndërkohë, mendimeve për afrimin e ndonjë sulmuesi më produktiv te Lushnja, Kornea i përgjigjet qetë: "Çfarë t'iu them unë, le ta kërkojnë. Lojtarët më të mirë gjithmonë janë të mirëpritur. Mirëpo, unë i mbetem besnik mendimit tim se shumë shpejt, bashkë me Norën, do të kapim formën tonë më të mirë dhe do të shënojmë shumë gola për Lushnjën."
Lushnja, kthesa mban emrin Canaj
Në Berat, lagunarët fitojnë 2-1 ndaj Vllaznisë, duke ëmbëlsuar debutimin e trajnerit
Lushnja-Vllaznia 2-1
Lushnja
Premçe 6
Vrapi 6
Hasalla 6
Gazheli 6
Bardhi 6
Kadiu 6.5
Nora (Sulo 79') 6.5
Bika 6
Boriçi (Zheraldinjo 69') 6
Byzhyti (Mirashi 63') 6.5
Malko 6
Trajner: A. Canaj
Vllaznia
Grima 6
Zmijani 6
Teli 6
Osja 6
Belisha 6.5
Doçi 6
Xhahysa 6
Cungu 6
Salihi 6.5
Ahu (Martini 34') 5.5
Sinani 6.5
Trajner: D. Haxhiosmanoviç
Shënues: Kadiu 18', Sinani 45', Nora 77'
Gjyqtarë: G. Duraj (Tepelenë), Sh. Lamçe (Tiranë), A. Malaj (Patos)
Kartonë të verdhë: Teli, Byzhyti, Nora.
Radiografia
2'- Aksion model i lushnjarëve. Hasalla kroson nga e majta, ku ndërhyn me kokë Boriçi, por pret Grima në pozicion.
5'- Sinani provon me të djathtën, nga 25 metra, pret me vështirësi Premçe.
12'- Aksion perfekt i nisur nga këmbët e Byzhytit, por mbrojtësi Osja largon topin nga zona.
13'- Shkodranët kundërpërgjigjen me anë të Salihit, por veterani Malko tregohet i vëmendshëm.
15'- Sinani kroson nga e djathta, godet fort brenda zonës Salihi, por topi kalon mbi traun e portës.
18'- Nora pengohet jashtë zonës. Gjyqtari jep goditje dënimi. Godet mjeshtërisht Kadiu dhe lushnjarët kryesojnë 1-0.
22'- Byzhyti godet me kokë, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
24'- Rasti më i pastër për shkodranët. Sinani për pak sa nuk barazon rezultatin. Topi i goditur prej tij "fërkohet" me shtyllën pingule.
35'- Boriçi humbet një rast të pastër shënimi, pasi Grima pret në pozicion.
38'- Kadiu godet fluturimthi një top të marrë nga Hasalla, por topi largohet nga këmbët e Zmijanit.
45'- Martini manovron bukur nga e majta, kroson po bukur te kapiteni Sinani, që zhytet me kokë, duke barazuar rezultatin.
51'- Lushnjarët kanë një rast të pastër shënimi, por Kadiu heziton të godasë.
53'- Nora godet brenda zonës, por Osja largon topin.
56'- Ekzekuton Kadiu nga këndi, godet Boriçi, por topi kalon jashtë.
60'- Martini kthen një top në zonën lushnjare, por Sinani tregohet i pavëmendshëm.
66'- Martini, mjaft i lëvizshëm, ndërmerr një aksion individual, futet në zonë, por Hasalla dhe Vrapi i ndërhyjnë me vendosmëri.
70'- Nora rrezikon nga e djathta. Zmijani neutralizon aksionin.
75'- Sinani godet e Premçe pret.
77'- Goditje këndi për lushnjarët. Ekzekuton Vrapi dhe Nora brenda zonës godet fort, duke shënuar golin e epërsisë.
84'- Martini dhe Sinani kombinojnë bukur, por Xhahysa gabon në goditje.
89'- Rast tjetër për shkodranët. Gabon Xhahysa.
Thanë pas ndeshjes
Astrit Canaj, trajner i Lushnjës:
"Mendoj se kemi ndryshuar diçka në mentalitetin e lojës. Morëm një fitore të merituar, e cila më jep edhe mua kënaqësinë për takimin e parë si trajner. I gëzohem fitores së Lushnjës, por edhe shkodranët i uroj për lojën e bukur dhe korrekte që zhvilluan".
Esat Rakiqi, zëvendëstrajner i Vllaznisë:
"Nuk e meritonim humbjen. Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur dhe rezultati më i drejtë do të ishte barazimi. Jemi ndëshkuar kur duhet të ishim ne ata që duhet të kishin shënuar".
Komenti
Kishte kohë që në stadiumin "Tomori" të Beratit nuk ishte parë një ndeshje e tillë, që të kishte brenda spektaklin, lojën e fortë e korrekte, dhe plot 3 gola, njëri më i bukur se tjetri. Kjo për faktin se të dyja skuadrat kishin ardhur për fitore e patën mundësi për të zhvilluar një lojë të hapur, me sulme e kundërsulme. Haxhiosmanoviçi dhe Canaj u përballën gati me të njëjtën vendosje të skuadrave në fushë, me 5-4-2. Pjesa e parë nisi e shpejtë, me sulme nga të dyja skuarat, ku Salihi për shkodranët, dhe Nora për lushnjarët, ishin problematikë për portierët Premçe e Grima. Ndërkohë, Kadiu dhe Sinani u bënë promotorrë të vijës sulmuese, ndërsa mbrojtjet respektike luajtën mjaft të kujdesshme. Dy mesfushat krijuan mundësi për organizimin e kundërsulmeve. Ritmi i lojës ishte mjaft i lartë, me raste për shënim nga të dyja skuadrat. Në pjesën e parë "lagunarët" ishin më të rrezikshëm në sulm, ndërkohë që shkodranët u treguan më racionalë në mbrojtje. Kulmi arrin në minutën e 18-të, kur sulmuesi Nora pengohet jashtë zonës së 16-shes dhe gjyqtari Duraj akordon me të drejtë një goditje dënimi për Lushnjën. Kadiu ekzekuton mjeshtërisht, duke e bërë të pavlefshme hedhjen e portierit shkodran Grima. Një gol mjaft i bukur për nga ekzekutimi dhe realizimi. E ndërsa pritej që pjesa e parë të mbyllej në favor të lushnjarëve, Martini i futur në fushë në minutën e 39-të, duke zëvendësuar Ahun, kalon mjaft bukur në krahun e majtë, kroson bukur në zonë dhe kapiteni Sinani zhytet me kokë duke barazuar. Pjesa e dytë ishte vërtet në spektakël i vërtetë. Të dyja skuadrat kërkonin me çdo kusht golin e epërsisë. Lushnjarët kryen tre ndërrime, ndërsa shkodranët vetë një. Nora, Byzhyti e Boriçi për lushnjarët, Martini, Xhahysa e Sinani për Vllazninë, i afrohen golit, por pa mundur të shënojnë. Gjithçka mbyllet në minutën e 77-të, kur Nora pasi merr një top të Vrapit (më i miri në fushë) godet fort dhe mposht për të dytën herë portierin Grima. Në minutat e mbetura, gjithçka foli për shkodranët, por rezultati mbeti i pandryshuar. Lushnjarët marrin 3 pikë të merituara, ndërsa shkodranët humbasin një ndeshje, rezultati më i drejtë i së cilës do të ishte barazimi.
Të veçanta
- Ekipi shkodran është akomoduar qysh një natë para ndeshjes në hotel "Tomori".
- Ishte hera e parë që në stadiumin e Beratit nuk ka pasur tifozë vendës për shkak të takimit Tomori-Naftëtari, zhvilluar po dje në Kuçovë. Pjesa e majtë e tribunës ka qenë e mbushur me tifozë shkodranë, ndërsa pjesa e djathtë me tifozë lushnjarë.
- Në tribunën VIP ishte i pranishëm edhe presidenti i Vllaznisë Çela, i cili e ndoqi takimin deri në fund.
Vrapi: S'ka gjë që nuk arrihet
Mbrojtësi kryeqytetas i Lushnjës flet për ndeshjen e skuadrës së tij kundër Partizanit.
Në kampin lushnjar, prej ditësh, është lënë mënjanë humbja e pamerituar, sipas tyre, me Tiranën, sepse preokupimi i të gjithëve është përqendruar në takimin e nesërm, me të fortët kryeqytetas të Partizanit. Trajneri Agim Canaj dhe futbollistët e tij po stërviten maksimalisht për të bërë të mundur kalimin me sukses të kësaj sfide mjaft të vështirë, që do të luhet në fushën sportive të Peqinit. Shqetësime serioze për drejtuesit e "lagunarëve" janë dëmtimet e disa futbollistëve dhe skualifikimet e dy lojtarëve të tjerë për arsye kartonësh. Megjithatë, në prag të ballafaqimit me të kuqtë, në radhët e myzeqarëve mbizotëron optimizmi. Njëri prej tyre, i talentuari tiranas i formacionit lushnjar, Endri Vrapi, mezi e pret këtë sfidë. Kjo, pasi, sipas tij, dëshiron të japë të gjithë potencialin e tij tekniko-fizik për arritjen e një fitoreje të mundshme ndaj ekipit kryeqytetas. Për t'u evidentuar në këtë pikë është fakti që fantazisti i talentuar i mbrojtjes së "lagunarëve" është produkt i ekipeve zinxhirë të klubit të kuq, me të cilët ka veshur edhe fanellën e përfaqësueses sonë U-19. Vrapi flet për humbjen dinjitoze dhe të pamerituar me Tiranën, të shtunën e kaluar. Siç thotë ai, ekipi i tij ka zhvilluar një lojë mjaft dinjitoze, në të cilën minimumi që duhej të merrte ishte barazimi. Duke shprehur edhe njëherë tjetër rezervat për gjykimin e asaj ndeshjeje, bjondi tiranas i Lushnjës shprehet: "Po të ishte gjykuar me paanshmëri ndeshja me bardheblutë, nuk do të dilnim pa pikë nga Tirana. Sidoqoftë, ajo që iku nuk kthehet më. I rëndësishëm për ne është fakti që kjo humbje e pamerituar na ka motivuar më shumë për t'iu përveshur punës dhe për të qenë sa më të karikuar për ndeshjen e radhës me Partizanin." Për t'ia arritur kësaj, stërvitja e skuadrës lushnjare po zhvillohet me ritëm të lartë dhe sedër të admirueshme nga të gjithë futbollistët, të cilët, nën drejtimin e trajnerit të palodhur Canaj, kanë aplikuar ushtrime dhe variante të larmishme loje me topin, që synonin goditjen e portës kundërshtare. "Të gjithë futbollistët kanë shfaqur një dëshirë të madhe për të dhënë më të mirën në përballjen me Partizanin, - vijon më tej mbrojtësi i majtë i Lushnjës, Vrapi. - Problem shqetësues për ne mbetet dëmtimi i Kadiut, Byzhytit dhe Bardhit. Gjithsesi, Kadiu dhe Bardhi mund të riaftësohen, ndërsa Gazheli dhe Mindevi do të na mungojnë për efekt kartonësh." Për sa i përket forcës së kundërshtarit, ish-partizanasi i talentuar gjykon: "Fakti që do të luajmë me ekipin e vendit të dytë, nuk duhet të na trembë. Nuk ka gjë që nuk arrihet. Partizani u mposht të shtunën e kaluar nga Vllaznia, skuadër të cilën e mposhtëm dy javë më parë. Kjo tregon se, po të luajmë me shpirt dhe me disiplinë taktike, nuk është aspak çudi që t'i marrim 3 pikë Partizanit."
Kadiu: Me Besën, ndeshje vendimtare
Mesfushori korçar i "lagunarëve" shprehet optimist në prag të ndeshjes me kavajasit.
Lushnjarët, edhe pse janë skualifikuar nga Kupa e Shqipërisë, nuk e kanë ulur aspak ritmin e përgatitjeve. Tashmë sytë e tyre janë kthyer nga ndeshja e radhës në kampionat, që do ta luajnë në trasfertë përballë Besës. Më shumë se të mendonte për kupën, trajneri i Lushnjës, Agim Canaj, duket se ka pasur dëshirë të mos i aktivizojë disa futbollistë titullarë, për t'i ruajtur për ndeshjen e kësaj të shtune. Midis të munguarve ishte edhe mesfushori i talentuar, Bledi Kadiu, i cili shpreson që në takimin e javës së 14 të, Lushnja të marrë një rezultat pozitiv në stadiumin e Kavajës. Bledi Kadiu, pas eliminimit nga kupa, duke folur për "Sportin shqiptar", u shpreh: "Edhe pse u eliminuam, mund të them fjalët më të mira për ekipin tim. Kemi pasur përballë një Tiranë që i synon të dy trofetë dhe nuk ishte i lehtë kualifikimi. Sidoqoftë, e përballuam mirë këtë skuadër, në të dy takimet e zhvilluara. Ndeshjet e kupës ishin një test i mirë për kampionatin, pikërisht për aty ku synimet tona janë edhe më të mëdha."
Me pak fjalë, sikurse kuptohet edhe në fjalët e korçarit Kadiu, të gjithë myzeqarët po mendojnë për javën e 14 të të kampionatit. Lushnja, para ballafaqimit të nesërm me Besën e Kavajës, mban vendin e 7-të në renditje, me 14 pikë, me dy pikë më pak se Besa, që do të favorizohet nga faktori-fushë. Për ndeshjen e së shtunës, që do të luhet në Kavajë, Kadiu gjykon: "Është një ndeshje vendimtare për ne, ku do të kërkojmë të marrim maksimumin. Luajmë në trasfertë, përballë një Bese që ndodhet vetëm dy pikë para nesh, çka do të thotë se do të zhvillohet një ndeshje e ekuilibruar. Javët e fundit ekipi, ynë ka paraqitur rritje në lojën e tij dhe të njëjtën gjë shpresoj ta shpalosim edhe në këtë 90-minutësh. Një fitore e mundshme ndaj Besës do të thotë ngjitje në mesin e tabelës, aty ku është edhe synimi ynë për këtë fazë të dytë. Shpresoj ta kalojmë me sukses këtë ndeshje. Njëkohësisht u bëj thirrje të gjithë shokëve të ekipit që të mos lëshojnë pe për asnjë moment përballë Besës."
Sulmuesi gjirokastrit i Lushnjës vlerëson lojën e skuadrës së tij, pas ardhjes së Canajt.
Nora: Lushnja, tani e harmonizuar
Fantazisti gjirokastrit i Lushnjës, Arlind Nora, krahas dhuntisë dhe aftësive teknike, thotë se në këtë minifazë përgatitore të dimrit ka kapur një formë të shkëlqyer fizike. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", Nora do të komentonte shumë gjëra që kanë lidhje me skuadrën ku luan edhe vetë:
- Nora, jeni kthyer në idhull të tifozerisë lushnjare, edhe pse jeni nga Gjirokastra. Ç'përbën për ju ky fakt?
- Është shumë domethënës. Madje do ta konsideroja një arritje. Për çdo futbollist, të fitosh zemrat e tifozerisë ku luan do të thotë sukses. Në dy vitet e aktivizimit me fanellën e Lushnjës jam munduar të luaj me shpirt dhe pa kompromis, prandaj them se u kam hyrë në zemër edhe tifozëve. Jam ndier i befasuar vërtet kur ndonjë tifoz fanatik i Lushnjës më ka krahasuar me "Batigolin" e larguar lushnjar, Artan Bano. Gjithsesi, unë nuk e pranoj këtë krahasim, pasi nuk kam bërë as sa gjysma e Banos për Lushnjën. Karriera ime sportive është e shkurtër. Jam ende i ri dhe vetëm pas 6 - 7 vitesh mund t'i pranoj këto krahasime.
- Si ndihet skuadra juaj në prag të rifillimit të kampionatit?
- Mjaft mirë. Gëzojmë një formë të mirë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Fitorja e miqësores me Dinamon ka krijuar një psikologji të shëndoshë te të gjithë futbollistët. Kjo duket qartë edhe në motivimin e të gjithëve në seancat stërvitore.
- A ndiheni të sigurt për qëndrimin në Grupin A1, ndonëse kanë mbetur për t'u luajtur edhe 2 faza të tjera kampionat?
- Unë mendoj se nuk mund të flitet me siguri në këtë drejtim, të paktën nëse u referohemi llogarive matematike. Lushnja, krahas luftës për t'u ngjitur më lart në tabelën e renditjes, duhet të bëjë kujdes për të mos iu afruar fundit. Çfarëdolloj neglizhence apo hapi i gabuar mund të sjellë rrëshqitjen në grupin e skuadrave që kërkojnë të mbijetojnë në Grupin A1.
- Po për sa i përket nevojës për përforcime apo konkurrencës në skuadër, çfarë mund të na thoni?
- Afrimi i Mukës dhe i Iljazit do të ndikojë për mirë në organizimin e lojës sonë në mesfushë. Kjo është njëra anë e medaljes. Nga ana tjetër, ardhjet e Mukës, Iljazit, Likës dhe Xhemës do ta rrisin së tepërmi konkurrencën për një vend në formacionin bazë. Kështu, në repartin e mbrojtjes, krahas Malkos, Vrapit dhe Bikës do të luftojnë për një vend titullari edhe të rinjtë Nikolli, Dhima apo edhe ndonjë tjetër. Edhe në repartin e mesfushës, i cili është më i ngarkuari me futbollistë, do të ketë konkurrencë të madhe. Unë mendoj se trajneri Canaj do ta ketë më të vështirë për të bërë përzgjedhjen e elementëve të duhur në këtë repart, sepse duhet të vendosë mes Mukës, Bardhit, Iljazit, Gazhelit, Hasallës, Çelës, Kadiut dhe Gegës.
- Po në repartin e sulmit, ku luani edhe ju, si paraqitet situata?
- Mos ma merrni për modesti, por mendoj se edhe në sulm nuk do të ishte keq për të bërë ndonjë përforcim.
- Disa rivalë tuaj për mbijetesë në Grupin A1 janë forcuar ndjeshëm në merkaton e dimrit. A i druheni këtij fakti?
- Jo, ky fakt nuk më shqetëson aspak. Fjala vjen, nëse Vllaznia apo Besa mund të kenë afruar në radhët e tyre lojtarë cilësorë, kjo është punë e tyre. Neve na mjafton fakti që kemi krijuar një grup cilësor lojtarësh dhe që e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit. Ky grup, të cilin trajneri Canaj e ka "çimentuar" më së miri, do të mund t'i arrijë objektivat e klubit lushnjar.
Arbri: Premtoj shumë gola për Lushnjën
Sulmuesi i njohur beratas flet për dy golat dhe eksperiencën e re te skuadra myzeqare.
Në intervistën e tij të parë për ngjyrat e "lagunarëve", goleadori beratas, i sapoardhur te Lushnja, jep mendimin e tij për situatën aktuale dhe vazhdimësinë e skuadrës myzeqare. Humbja ndaj Partizanit, edhe për Klodian Arbrin ishte e papritur në këto përmasa, pasi Lushnja vinte nga një barazim dinjitoz me kampionët në fuqi të Tiranës.
- Klodian, keni shënuar sërish, por keni humbur thellë me Partizanin. E prisnit një disfatë të tillë?
- Kurrsesi jo. Personalisht mendoj se bëhet fjalë për një humbje të paparashikuar, që nuk duhet të vinte në këto momente. Ç'është e vërteta, ishte një ndeshje e rëndësishme, si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin. Ne vinim disi të qetë, pas barazimit të bujshëm me Tiranën, ndërsa Partizani vinte i etur për fitore, pas humbjes shokuese me Vllazninë në "Qemal Stafa". Jo se nuk mund të humbisnim, por sepse ishte i papranueshëm një rezultat kaq i thellë, aq më tepër i shoqëruar me një lojë mjaft të dobët.
- Pra, ju pretendonit më shumë në atë ndeshje?
- Sigurisht. Asnjëri nuk e priste që të dilnim pa pikë nga "Qemal Stafa", nisur nga mundësitë tona dhe mobilizimi që kishim pas barazimit me Tiranën.
- Tani keni 3 javë pushim. Sipas jush, a do të ndikojnë për mirë kjo ndërprerje për Lushnjën?
- Çdo ndërprerje e kampionatit ndikon për keq, aq më tepër që bëhet fjalë për një ndërprerje të paparashikuar, si kjo e tanishmja. Personalisht mendoj se, krahas të këqijave, kjo ndërprerje ka edhe të mirat e saj, sidomos për ne. 3 javët pushim do të na shërbejnë shumë për rikuperimin e anës psikologjike, pas humbjes me Partizanin.
- Dy ndeshje, 2 gola me Lushnjën. A keni ndonjë objektiv personal si sulmues?
- Synim të paracaktuar jo. Kam luajtur dy ndeshje me Lushnjën dhe kam shënuar dy gola, ndaj Tiranës dhe ndaj Partizanit. Goli ndaj Tiranës ka vlera, pasi ndryshe nga ai që shënova ndaj Partizanit, ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes. A do të shënoj në të ardhmen? Kjo mbetet për t'u parë. Gjithsesi, duke pasur në krah një partner të talentuar, si Nora, jam i sigurt se golat e mi për Lushnjën do të jenë të shumtë.
Kadiu: Kolektiviteti, arma kryesore e Lushnjës
Korçari, pasi ka parë miqësoren e së shtunës me Elbasanin, analizon lojën e të tijve.
Si të gjitha skuadrat e tjera të Grupit A1, edhe Lushnja ka zhvilluar të shtunën një miqësore me elbasanasit, në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta". Me këtë miqësore, që nuk do të jetë e fundit për "lagunarët" në këto ditë ndërprerjeje të kampionatit, tekniku Canaj ka dashur të verifikojë nivelin e lojtarëve dhe të grupit, në prag të rifillimit të fazës së tretë. Canaj ka hedhur në fushë, në fillim të këtij takimi, formacionin më të mirë të mundshëm të Lushnjës. Evidente dhe e pritshme ka qenë mungesa e Kadiut dhe e beratasit fantazist të sulmit lushnjar, Klodian Arbri. Ndërkohë, Nora, i cili ka munguar në disa seanca stërvitore, për shkak të gjendjes gripale, është aktivizuar për verdhejeshilët në gjysmën e pjesës së dytë të këtij takimi miqësor. I vetmi ndryshim në formacionin bazë të "lagunarëve" ka qenë aktivizimi në portë i veteranit Prençe, i cili nuk është aktivizuar në 11?shen e parë që në ndeshjen e fazës së dytë, kundër Shkumbinit. Korçari Kadiu kishte udhëtuar nga Korça drejt Elbasanit për ta ndjekur këtë takim miqësor të ekipit të tij. Duke shprehur keqardhjen për dëmtimin serioz që ka pësuar në gju, ai vlerësoi lojën e ekipit të tij ndaj portokallinjve. "Më vjen keq që po flas si spektator, apo si kritik i Lushnjës, sepse hëpërhë jam i pamundur për të kontribuar për të këto ditë. Miqësorja me Elbasanin tregoi se jemi lart në aspektin tekniko-taktik. Përveç golave të shumtë të shënuar, të gjithë futbollistët treguan se kanë një kolektivitet i admirueshëm. Për mua ishte ky faktor që bëri edhe diferencën, në krahasim me lojën e kundërshtarit. Harmonizimi i veprimeve të lojtarëve në të tri repartet, - thotë mesfushori Kadiu, i cili e ndoqi këtë takim nga stoli myzeqar, - dhe dublimi i saktë që i bënin lojtarët tanë njëri?tjetrit, bëri të mundur të shënoheshin 4 gola." Sikurse dihet, futbollisti në fjalë ka disa ndeshje që qëndron larg fushave të blerta. Shkak për këtë është bërë një dëmtin që ka në gju. Sipas vetë korçarit Kadiu, ai pret të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale në gju këtë javë.
LUSHNJA PRET E QETE NDESHJEN ME FLAMURTARIN PER TU SHKEPUTUR NJE HERE E MIRE NGA ZONA E FTOHET.
SAPO I KA DHENE NJE DUSH TE FTOHTE ELBASANIT...
FORCA LUSHNJA ..............
NE TIFOZAT LUSHNJARE MEZI PRESIM QE TE SHTROHET TAPETI DHE TE NDJEKIM EKIPIN TONE NGA AFER DHE ME ME ZJARR.
KUSH E MOHON QE PAS VLLAZNISE LUSHNJA KA ME SHUME TIFOZA QE E NDJEKIN?...DHE NUK KEMI EKIP SHUME TE MIRE .IMAGJINO SIKUR TE KISHIM EKIP KAMPION CFARE TIFOZERIE DO TE KEMI.....
Canaj: Dëmtimi i Malkos dhe Bikës, alarmues
Dje, Lushnja ka barazuar 0-0 miqësoren me Naftëtarin, ku nuk kanë luajtur dy titullarët e mbrojtjes.
Ka përfunduar në barazim pa gola ndeshja e dytë miqësore e "lagunarëve" të Agim Canajt me Naftëtarin. Sipas trajnerit të palodhur të verdhejeshilëve, rezultati nuk është parësor për Lushnjën, por konsolidimi i lojës së grupit dhe testimi i elementit të ri. "Në miqësoren e sotme (djeshme) të Kuçovës isha i detyruar të luaja me një formacion eksperimental, krahasuar me miqësoren ndaj Elbasanit. Nuk desha të sakrifikoja aspak, sepse vendësit luajtën rëndë, të përkrahur edhe nga gjyqtari," - u shpreh Canaj pas miqësores se djeshme me Naftëtarin. Njëkohësisht, "arktitekti" i kthesës lushnjare e ka vënë dorën mbi plagën e vjetër të "lagunarëve", finalizimin e dobët. "Edhe në këtë miqësore, ne humbëm shumë raste për gol. Madje disa prej tyre, si ato të Arbrit, Norës, Sefës dhe Byzhytit, ishin flagrante,"- nënvizon ish-dinamoviti në intervistën për "Sportin shqiptar":
- Canaj, keni zhvilluar një miqësore tjetër me Naftëtarin, ku nuk morët më shumë se një barazim pa gola. A lë vend për kritika ky rezultat?
- Ç'është e vërteta, zhvilluam një miqësore jobindëse, për sa u përket mundësive tona reale. Qëllimi kryesor imi në këtë miqësore ishte testimi i lojtarëve rezervë në repartin e mbrojtjes. Kjo për faktin se dy lojtarët titullarë të këtij reparti, Malko dhe rumuni Bika, janë të dëmtuar. Malko ka pësuar një tërheqje serioze muskulare në miqësoren me Elbasanin, ndërsa Bika ka shqetësime në shpatullën e majtë, që në ndeshjen zyrtare me Partizanin.
- Pra, dy futbollistët në fjalë mund t'ju mungojnë në ndeshjen me Flamurtarin?
- Këtë nuk mund ta saktësoj tani për tani. Pavarësisht se Malko dhe Bika mund të riaftësohen deri në ditën e ndeshjes me Flamurtarin, unë duhet të jem i përgatitur për çdo të papritur në këtë drejtim. Rëndësi ka fakti që në këtë miqësore, të rinjtë Nikolli dhe Dhima, shto këtu edhe titullarin Vrapi, bënë një paraqitje të mirë. Jam disi i pakënaqur me lojën e mesfushës, ku u vu re paaftësi organizuese dhe mosimpenjim i disa lojtarëve të këtij reparti.
- Sipas jush, krahasuar me miqësoren paraardhëse me Elbasanin, është rritur apo jo skuadra?
- Nuk pashë ndonjë përmirësim në këtë miqësore. Madje, ndryshe nga ndeshja me Elbasanin, në këtë takim kemi humbur shumë raste të pastra për shënim. Përveç të rinjve Sefa dhe Byzhyti, krejtësisht të pasaktë para portës kundërshtare janë treguar edhe Nora me Arbrin. Këto të meta duhet t'i korrigjojnë sa më parë, pasi në derë po troket sfida me Flamurtarin.
- A mendoni se koha që keni në dispozicion është e mjaftueshme për riparimin e këtyre defekteve?
- Pa diskutim që po. Mosparaqitja e mirë e dy sulmuesve Nora dhe Arbri vjen si rezultat i dëmtimeve që ata kanë pasur. Shumë shpejt ata do të rikthehen në formën e tyre reale, të cilën do ta vërtetojnë që në miqësoren e së premtes ndaj Shkumbinit. Problem shqetësues për mua mbetet riaftësimi i dy mbrojtësve, Malko dhe Bika, pasi dihen vlerat dhe pesha e tyre në ekipin tonë.
O qershor13
HALLALL .BRAVO TE QOFTE QE I INFORMON NJEREZIT SE CFARE NDODH NE KAMPIONATIN SHQIPTAR SE NDODH NJE PARADOKS.DIME PERMENDESH FORMACIONIN E MILANIT INTERIT,JUVES DHE NUK DIME KUSH LUAN PER EKIPIN TONE TE ZEMRES SEPSE GAZETARIA JONE SPORTIVE VENDASE VERTET KA BERE HAPA PERPARA PO PERSERI ESHTE DILETANTE.
KY KAMPIONATI SIVJET ESHTE VERTET I FORTE.DUHET PERGEZUAR FEDERATA PER KETE FORMULE E CILA STIMULON EKIPET QE TE JAPIN MAKSIMUMIN.
PER SA I PERKET LUSHNJES E GJITHE VEMENDJA ESHTE PERGJENDRUAR TE TAPETI I RI QE FEDERATA NUK PO E MBAN FJALEN E DHENE SEPSE GJITHCKA ESHTE GATI.VETEM TAPETI QE DO DERGONIN ATA KURVAT MUNGON.
PASTAJ DO SHIKOSH LUSHNJEN E VERTETE TI qershor13
----PO TI O qershor13
NGA JE?NGA LUSHNJA?ME KTHE PERGJIGJE PO PATI MUNDESI
Nora: Fituam një finale të parakohshme
Autori i golit ndaj Besës e konsideron të merituar dhe të pastër fitoren e fundit të skuadrës së tij.
Ndeshja e së shtunës, e luajtur në stadiumin e Kuçovës, ndërmjet Lushnjës dhe Besës, është konsideruar një finale e parakohshme nga kampi lushnjar. Kjo pasi ballafaqoheshin dy skuadra që luftojnë për t'iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë të tabelës së renditjes. Një fitore e mundshme u siguronte lushnjarëve një diferencë prej 9 pikësh ndaj Besës, që mban vendin e parafundit në klasifikim. Dhe djemtë e Agim Canajt e kanë arritur këtë me plot me meritë ndaj kundërshtarit direkt, duke zhvilluar një lojë agresive dhe me theks sulmues, që nga minuta e parë e deri në fund. Një nga lojtarët më të mirë në fushë për lushnjarët në këtë takim ka qenë gjirokastriti Arlind Nora. Ky i fundit, krahas golit të fitores, ka kryer një volum të madh loje, plot grintë e fantazi, në vijën e sulmit të "lagunarëve". "E kishim vlerësuar në maksimum këtë takim për nga vetë rëndësia që kishte për ne, - thotë Nora. - Pothuajse gjatë gjithë këtij 90-minutëshi e kemi mbajtur nën presion kundërshtarin. Futbollistët e Besës pothuajse ishin mbyllur të gjithë në gjysmëfushën e tyre, duke shpresuar te kundërsulmi, për të na zënë në befasi. Fatmirësisht, kjo nuk ndodhi, sepse ne vërtet sulmuam gjatë gjithë ndeshjes, por nuk lejuam asnjë hapësirë në mbrojtje. Përfundimisht, fituam një finale të parakohshme, sepse thelluam diferencën ndaj një kundërshtari direkt në luftën për t'iu larguar fundit të klasifikimit. Ç'është e vërteta, ishte mjaft e vështirë ta qarkulloje topin. Kjo nuk lejonte ndërtimin e aksioneve të rrjedhshme sulmuese. Gjithsesi, Lushnja e arriti fitoren në sajë të një motivimi dhe këmbënguljeje më të madhe se kundërshtari." Autori i 4 golave për lushnjarët në këtë kampionat, duke vlerësuar grupin e futbollistëve dhe lojërat e mira që ka zhvilluar, nuk ngurron të pohojë meritën e padiskutueshme të teknikut Canaj në arritjen e kësaj fitoreje kaq jetike ndaj Besës. "Trajneri ynë ka meritë të padiskutueshme në këtë fitore. Kjo për faktin se diti të na mbante në pozita të forta pune dhe psikologjike pas asaj humbjeje të pamerituar me Teutën. Krahas punës së tij të palodhur në proceset stërvitore, trajneri ka meritë në vendosjen e normalitetit të plotë psikologjik te të gjithë futbollistët, edhe kur vijmë pas humbjesh. Kjo ka bërë të mundur që në shumicën e ndeshjeve të japim më të mirën. Mendoj se kjo fitore do të na motivojë më shumë për të pretenduar pikët edhe në takimin e radhës me Dinamon. Të gjithë e dinë mirë se kemi forca për ta kërkuar suksesin në çdo fushë dhe përballë çdo kundërshtari. Do të stërvitemi fort gjatë kësaj jave, sepse do të udhëtojmë drejt Tiranës vetëm për fitore. Vetëm kështu do të jemi larg surprizave të pakëndshme të fundkampionatit," - e përfundon komentin e tij Nora.
faleminderit per lajmet qe na jep po Nora ka shenuar 5 gola jo 4 nejse.
FORZA LUSHNJA.
NE JEMI PER A1 DHE DO TA TREGOJME SAPO TE NA SHTROHET TAPETI SE JEMI BERE SI CIFUTET QE BREDHIN NE SHKRETETIRE............
Canaj: Eshtë ende herët të "flemë" mbi dafina
Trajneri i Lushnjës kërkon nga të tijtë vlerësim maksimal për ndeshjet e mbetura të kampionatit.
Lushnja, duke fituar ndaj Besës e vuri në njëfarë mënyre nderin në vend pas asaj humbjeje me Teutën, të cilën "lagunarët" e kanë kontestuar gjatë. Po kështu, duke fituar me verdhezinjtë rivalë, myzeqarët e Agim Canajt rifituan vendin e gjashtë në renditje. Ndërkohë, trajneri Canaj, i vlerësuar nga drejtuesit e klubit lushnjar si njeriu i punës dhe jo i llafeve, ka zhvilluar dy seancat e para stërvitore për këtë javë. Në palestrën e shkollës "Foto Puka" ai po i stërvit të tijtë me mjaft përkushtim për ndeshjen e radhës në kampionat me Dinamon. Për t'u evidentuar është fakti që në kampin lushnjar nuk ka dëmtime, përveç gjendjes së lehtë gripale që po kalon Nora, Arbri dhe Bardhi. Vetë Canaj e vlerëson të kënaqshme formën fiziko?taktike të futbollistëve që ka në dispozicion. Ndërkohë, i pyetur për fitoren e fundit me Besën, trajneri i Lushnjës shprehet: "Mbi të gjitha më kënaqën 3 pikët e marra. Zhvilluam një ndeshje perfekte, sidomos në planin taktik. Luajtëm në bllok dhe me një dëshirë të madhe për të fituar, ç'ka ishte edhe çelësi i suksesit ndaj një kundërshtari të fortë. Besa na bëri mjaft rezistencë, sidomos në mbrojtje. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë futbollistët e mi, të cilët kontribuan në arritjen e kësaj fitoreje sigurie."Përveç fitores, tekniku i "lagunarëve" ka mbetur i kënaqur edhe nga reagimi i të tijve pas asaj humbjeje të pamerituar në Durrës. Kjo i jep shpresa Canajt edhe për trasfertën e radhës në kryeqytet me Dinamon. "Lushnja po kalon një moment mjaft të mirë sportiv, prandaj jam i bindur që do të paraqitet denjësisht edhe ndaj Dinamos. Megjithatë, nuk duhet kaluar në eufori. Pavarësisht distancës që kemi krijuar me tri ekipet e fundit në klasifikim, nuk duhet ta ulim ritmin dhe të "flemë" mbi dafina. Duhet të luftojmë për të marrë pikë në çdo ndeshje, sepse 2?3 rezultate negative na fundosin sa hap e mbyll sytë në zonën e ftohtë të tabelës. Me këtë dua të them se duhet të udhëtojmë drejt kryeqytetit për të mos dalë pa pikë. Po të luajmë me të njëjtin impenjim si ndaj Besës dhe të mos shfaqim shenja nënvlerësimi apo euforie, jam i sigurtë se do ta "vjedhim" Dinamon," - thotë në fund trajneri i ekipit lushnjar.
Hasalla: Duhet vigjilencë ndaj Flamurtarit.
Lushnja nuk e vlerëson kundërshtarin e radhës nga pozicioni aktual në klasifikim, por nga emri.
Lushnjarët, tashmë nën drejtimin e trajnerit Ilir Gjyla, e kanë harruar zhgënjimin që pësuan nga mosarritja e fitores në takimin e fundit me Partizanin. Në këtë përballje, verdhejeshilët nuk shkuan më shumë se barazimi, megjithëse fitorja qe shumë pranë tyre. 3-pikëshi u iku nga duart "lagunarëve", të cilët fituan të drejtën e një 11-metërshi dhe humbën mjaft raste të tjera për shënim. Sidoqoftë, nuk ka kohë për t'u qarë dhe këtë e dinë më së miri edhe vetë futbollistët e drejtuesit e Lushnjës. Këtë fundjavë, një tjetër trasfertë i pret "djemtë e Lagunës", ajo me Flamurtarin vendës. Mesfushori lushnjar i krahut të majtë, Blerim Hasalla, e konsideron kundërshtar të vështirë Flamurtarin, pavarësisht vendit që mban në klasifikim, prandaj bën thirrje për vigjilencë në kampin e tij.
- Hasalla, a mendoni se pozicioni juaj aktual në klasifikim e garanton qëndrimin e Lushnjës në Grupin A1?
- Aspak. Për sa i takon sigurisë sonë në A1, asgjë nuk është përcaktuar. Kanë mbetur për t'u luajtur edhe 7 ndeshje të tjera, çka do të thotë se në lojë mbeten edhe 21 pikë. Pra, diferenca prej 8 pikësh që kemi me vendin e parafundit, nuk është ndonjë garanci e madhe. Këtu kam parasysh jo vetëm llogaritë matematikore, por edhe dallaveret dhe pazarllëqet që bëhen rëndom në fund të kampionatit. Lushnja do ta bëjë gjumin të qetë vetëm kur llogaritë matematikore t'i garantojnë mosrënien në Grupin A2.
- Së fundi, barazuat me Partizanin, duke lënë 2 pikë të tjera rrugës. Cili është komenti juaj për këtë?
- Kuptohet, neve nuk na kënaqi pika e marrë ndaj të kuqve, sepse pretendonim për më shumë. Kjo, nisur nga nevoja jetike që kemi për pikë në këto momente, sepse, në të kundërt, edhe barazimi ndaj këtij kundërshtari do të ishte rezultat pozitiv. Nëse do të kishim pasur më shumë fat në finalizimin e rasteve që krijuam në këtë 90-minutësh, me siguri do të kishim fituar.
- Të shtunën do të luani në Vlorë me Flamurtarin. A mendoni se do ta keni të lehtë ndaj kuqezinjve vlonjatëve, që ndodhen në vendit të fundit dhe janë të pashpresë në A1?
- Që s'do ta kemi të lehtë, kjo është më se e kuptueshme. Megjithatë, Lushnja i la fituar të tri takimet e para ndaj Flamurtarit. Madje kemi fituar edhe kur vlonjatët e kanë pasur motivin për të luajtur, sepse nuk i kishin humbur shpresat e qëndrimit në A1. Neve na intereson vetëm fitorja në këtë takim, prandaj do të bëjmë çmos që ta arrijmë. Flamurtari ka treguar se në Vlorë dhe jashtë saj nuk lëshon, prandaj do t'i bëjmë mirë llogaritë për këtë 90-minutësh.
K. Arbri: Në Kavajë për fitore.
Sulmuesi beratas i Lushnjës kërkon siguri matematikore për qëndrimin e skuadrës së tij në A1
Fitorja ndaj Teutës ka krijuar një ambient më të qetë dhe më lehtësues në radhët e tifozerisë së zjarrtë lushnjare, për sa i përket rrezikut të rënies së ekipit të tyre në A2. Mirëpo krejt e kundërta ka ndodhur në kampin verdhejeshil, ku përqendrimi dhe serioziteti në këto ditë të stërvitjes së kësaj jave kanë qenë në limitet maksimale si nga dy trajnerët Gjyla dhe Gjika, ashtu edhe nga i gjithë kontigjenti i futbollistëve. Kjo sepse, sipas titullarit beratas të sulmit lushnjar, Klodian Arbri, tek ekipi nuk duhet të futet ndjenja e nënvlerësimit të asnjë ndeshjeje deri në momentin që të jetë siguruar edhe matematikisht qëndrimi i Lushnjës në ligën superiore.
- Arbri, cilat janë efektet e fitimit të ndeshjes ndaj Teutës, që përkon me inagurimin e tapetit të ri të "Roza Haxhiut"?
- Mund t'i konsideroj të shumta. Së pari, në aspektin moral, pasi përpara atij tifozllëku special ishim të detyruar të bënim një paraqitje dinjitoze, e cila logjikisht duhej shoqëruar me fitore. Gjithashtu, kjo fitore ka ndikuar pozitivisht, pasi na ka karikuar që të përkushtoheshim më shumë për trasfertën e radhës me Besën.
- Si paraqitet gjendja e skuadrës në këtë fundsezoni?
- Mjaft inkurajuese. Kampionati nuk ka mbaruar ende, pasi janë edhe 4 ndeshje për t'u bërë dhe ne aktualisht nuk kemi lojtarë të dëmtuar apo të skualifikuar me kartonë. Shpresojmë që ta ruajmë këtë gjendje deri në fund.
- Si e mendoni sfidën e radhës kundër Besës?
- Nuk ka alternativë tjetër, përveç fitores, pasi kështu e mbyllim edhe matematikisht çështjen e qëndrimit në Grupin A1. Duhet të mos tolerojmë ndaj kavajasve, për ta mbyllur këtë kapitull që këtë javë. Rezultatet e tri ndeshjeve të para flasin për superioritetin që kemi ne në shumë aspekte ndaj këtij kundërshtari. Por situata kritike që kanë të dy ekipet, sidomos e kavajasve, na detyron që të mos pranojmë asnjë lloj kompromisi të heshtur.
- Nëse arrini fitore të shtunën ndaj Besës, çfarë do t'ju kërkojë trajneri më pas?
- Me aq sa kam arritur ta njoh trajnerin Gjyla, mendoj se edhe në rast fitoreje me Besën kam përshtypjen që ai do të tregohet i rreptë edhe kërkues, duke mos toleruar ndaj asnjë kundërshtari. Kështu që ne do të vazhdojmë stërvitjen dhe do të luajmë në maksimumin tonë, në mënyrë që ta kënaqim sa më shumë publikun tonë të mrekullueshëm.
- Së fundi, dy fjalë për kolegun tuaj te Lushnja, Arlind Nora...
- Të dy jemi titullarë me eksperiencë në sulmin tonë. Ndoshta mungesa e një sulmuesi të tretë që të na konkurrojë e ka zbehur disi kërkesën tonë ndaj vetes. Por për mua, Norën, falë aftësive të shkëlqyera tekniko-taktike dhe fizike që zotëron, do ta kishte zili çdo ekip. Mbi të gjitha, ai është një shok shumë i mirë edhe jashtë stërvitjes.
Nora: Meritonim më shumë ndaj Besës
Sulmuesi gjirokastrit i Lushnjës është optimist edhe për sfidën e radhës ndaj bluve të Bicit.
Edhe pse kanë barazuar me kavajasit e Besës të shtunën në stadiumin e këtyre të fundit, "lagunarët" e drejtuar tashmë nga Ilir Gjyla, kanë cikluar një hap të madh sigurie për sa i përket qëndrimit në Grupin A1. Kjo jo për pikën e marrë në këtë ndeshje, sesa për faktin se ky barazim ka bërë të mundur ruajtjen e avantazhit prej 9 pikësh me Besën. Gjirokastriti Nora, pas ndeshjes, është shprehur tepër entuziast për lojën që kanë zhvilluar lushnjarët në atë trasfertë tepër të nxehtë. "Meritonim më shumë dhe e kishim në dorë fitoren, pasi kemi humbur shumë raste të pastra për shënim. Ishim të ndërgjegjshëm për superioritetin që kemi karshi ekipit të Besës, por nuk arritëm ta konkretizonim në maksimum atë për shumë arsye,"- thekson njëshi i sulmit verdhejeshil. Fantazisti Nora mendon se, krahas finalizimit të dobët, një nga arsyet që pengoi jo pak në arritjen e fitores nga të tijtë ishte edhe loja e rëndë që zhvilluan vendësit, e cila nuk u frenua siç duhet nga gjyqtari i atij takimi. "Pamundësinë e tyre për të na mundur, - thotë Nora, - kavajasit e shoqëruan me një lojë të ashpër, që shpeshherë i kalonte caqet. Gjyqtari i atij takimi, kam mendimin se i toleroi shumë futbollistët e Besës në këtë lojë të rëndë, ndërsa nuk gjente guximin të ndëshkonte edhe veprime e fyerje të hapura nga këta lojtarë në adresë të tij. Pavarësisht se nuk i korrigjuam rastet e finalizimit, - vazhdon më tej Nora, - mendoj se e kemi përmirësuar shumë lojën mbrojtëse, kur nuk kemi pësuar gol." Këtë paraqitje të mirë të repartit të mbrojtjes, bjondi gjirokastrit e krahason me dy ndeshjet e fundit që lushnjarët kanë pësuar gola për gabime elementare të këtij reparti. Natyrisht, Nora nuk i kursen komplimentet për veteranin Malko, kur thotë: "Kur Sajmiri është në lartësinë e duhur, porta jonë është mjaft e sigurt." Më tej, Nora jep një mendim për ndeshjen e radhës me Dinamon, që do të luhet të mërkurën në "Roza Haxhiu". "Dinamo është ekipi më në formë i kampionatit. Ne do të hyjmë në fushë për fitore, por edhe barazimi do të na kënaqte, pasi dihet potenca që zotërojnë dinamovitët. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të fituar, duke pasur edhe përkrahjen e fuqishme të publikut tonë,"-përfundon mendimin e tij Nora.
Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.