Forumi Horizont Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 61 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- S.K Tirana (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1942)


Postuar nga Ami- datë 31 Dhjetor 2002 - 04:21:

Klubi i Tironës ish 17 Nëntori

Ftoj të gjithë tifozat historikë të Tironës të hedhin kujtimet e tyre në këtë forum. Unë jam një nga ata që para viteve 90' kur isha ende i vogël shkoja aty te cepi i Tironës dhe shihja Kolën, Muçën, Hodjën, Memën etj. Besoj se shumë prej jush i kujtojnë ato kohë ose edhe kohë përpara tyre apo të këtyre kohëve të tashme qe Tirona ka fituar më shumë kampionate se kurrë por që sipas meje nuk e kanë atë shijen që kishin atëherë.
Të ndertojmë së bashku historikun e K.F. Tironës


Postuar nga i_lire datë 21 Gusht 2003 - 07:22:

S.K Tirana

Ekipi i mirenjohur i Kryeqytetit Shqiptar Sport-Klub Tirana u krijua me 16 Gusht 1920. Nje grup personash te nderuar Nika, Hoxha, Frasheri, Zajmi, Erebara, Fortuzi, Koja, Jakova, Pazari, Berisha, Gjitomi, Alizoti, Fekeçi krijuan Klubin Sportiv “Agimi”. Ndeshja e pare ne historine e ekipit Kryeqytetas ka qene kundra “Juventusit” te Shkodres ne vitin 1920. Ndersa ndeshja e pare nderkombetare e kesaj skuadre ka qene ne vitin 1925 kundra “Cernagorec te Cetines”. Nje tjeter ngjarje e rendesishme ne historine e ekipit ndodhi po ne kete viti dhe kjo ishte zgjidhja e Keshillit Drejtues se Klubit “Agimi”, qe u formua nga S. Stermasi, A. Koja, B. Toptani, A. Zajmi dhe I. Gjinali. Por emrin e vertete, qe ka dhe sot skuadra do e merrte 7 vjet mbas krijimit te saj me kembenguljen e A. Zajmi, A. Erebara, S. Stermasi dhe A. koja, duke e nderruar emrin nga “Agimi” ne “SportKlub Tirana”.
Vitet 1927-1930 shenuan per S.K Tirana nje mori ndeshjesh miqesore me skuadrat vendase. Historia do, qe Tirana te jete ekipi i pare ne historine e futbollit Shqiptar, qe eshte shpallur e para Kampione e Shqiperise ne vitin 1930, ku kampionati i pare filloj me 6 Prill te po ketij viti. Deri para Luftes se Dyte Boterore u bene 7 kampionate ku S.K Tirana fitoj 6 prej tyre. Tirana ishte ekipi i pare i Shqiperise, qe krijoj nje rendiment fiks te lojes, po ashtu nje pune te trajnerit teper te sakte dhe e para, qe mori nje trajner te huaj ne ambjentet e saj ne vitin 1934, trajneri i famshem hungarez Samo Singer
Por vitet te mbas luftes, me ardhjen e regjimit te ri, do te ishin vertete nje periudhe mbytese per skuadren teper te dashur S.K Tirana. Kampionati i pare i mbasluftes qe ai i vitit 1945, ku Tirana u mund denjesisht ne finale kundra Vllaznise, se Shkodres dhe mbas kesaj do fillonte periudha e zeze per ekipin. E trajtuar shume keq nga drejtuesit e larte te shtetit asaj do i ndrrohej emri padrejtesisht ne Mars te vitit 1946 nga S.K Tirana ne “17 Nentori” duke i dhene nje dhimbje te madhe si drejtuesve te ekipit, lojtareve dhe tifozerise se Bardh e Bluve. Drejtuesit e atehershem nuk u mjaftuan vetem me kaq per te mposhtur akoma me shume ekipin me te mire te momentit ne Shqiperi, por krijuan dhe dy ekipe te tjera duke i perngjare akoma dhe me shume “vellezerve” tane te Bashkimit Sovjetik. Pra u krijuan dy skuadrat me “pjellat” e tyre ajo e “Partizanit”(skuadra e ministrise se mbrojties) dhe “Dinamo”(skuadra e ministrise se puneve te brenshme). Edhe mbas gjithe kesaj drejtuesit e larte nuk ishin akoma te kenaqur nga “puna” e tyre “sport-dashese”, por i moren Tiranes dhe lojtaret e saj me te mire. Te gjithe keto nderhyrje bene, qe Tirana te binte ne qetesi per nje 10 vjecar te mire, por duke u munduar gjithmone te tregohej e denje brenda kufijve, qe drejtuesit i lejonin te shkonte, (1947-1957). Renditja e saj vazhdoj te ishte stabel rreth vendit te trete edhe per 20 vjetet e ardheshme, dhe duke bere me shume tifozerine e S.K Tiranes te kerkonte me shume per Kampionen e tyre te paharruar si ajo e paraluftes me drejtimin e te madhit Myslym Alla. Mbas nje periudhe teper te vuajtur nga shume faktore – Tirana arrin te shpallet Kampione e Shqiperise mbas plot 28 vjetesh diktature ndaj saj. Kjo arritje e shumedeshiruar erdhi ne Kampionatin e 22-te dhe ne ate te rradhes ne Kampionatin e 23-te. Sigurisht kjo ishte tejkalim i kufijve te “pjellave” “Partizani” dhe “Dinamo”, e ben gjithcka te mundur, qe Tirana te perjashtohej nga Kampionati i viteve 1966-67, kur e kishte siguruar titullin 3 jave me pare, e qe degjenerueshmerit ju dha “Dinamos”. Mbas rikthimit te saj nga perjashtimi i pa drejte, dhe mbas nje pritjeje teper te perzemert te tifozerise kryeqytetase Tirana arriti te shpallej Kampione e Shqiperise perseri per dy vjet rresht 1969-70, e duke hyre ne rekordet e historise se futbollit Shqiptar (1969 vetem 2 humbje, ’70 vetem 1 humbje), sigurisht duke treguar shpirtin e saj sportiv kundra kundeshtareve te saj dhe nivelin e larte ku qendronte. Por persekutimi ndaj skuadres te madhe do te vazhdonin edhe per nje 10 vjecar ne vazhdim (1971-80) dhe shfaqet teper lekundese ne rrezultatet e saj, duke ndryshuar renditje teper shpesh ne te gjitha postet, edhe pse djemte e S.K Tiranes nuk nguruan te fitojne gjate kesaj periudhe krize dy Kupa te Republikes se Shqiperise. Tirana rikthehet si Kampione e Shqiperise ne vitin 1981-82 dhe duke e fituar dhe tre here te tjera kampionatin midis viteve 1981-90 duke i bashkengjitur dhe tre Kupa te Republikes se Shqiperise. Pas nje periudhe disa dhjetra vjecare Tirana rimer emrin e saj te denje SportKlub Tirana ne Gusht te vitit 1991. Periudha e tranzicionit te ketyre viteve, me daljen nga komunizmi ndikoj te gjithe sportin Shqiptar dhe gjithashtu dhe Tiranen. Shumica e lojtareve ne te gjitha ekipet u larguan jashte Atdheut duke e bere Futbollin Shqiptar te kalonte nje krize 4 vjecare, deri kur ne 1995 S.K Tirana rishpallet perseri Kampione e Shqiperise me 12 pike diference nga vendi i dyte ne renditje. Tani po flasim per Tiranen momentale, qe kushdo simpatizant e dine sesi ajo po ecen ne Futbollin Shqiptare. S.K Tirana eshte nje nga ekipet me te forta momentale te Futbollit Shqiptar dhe nje nga ekipet me nje organizim fiks dhe pa luhatje. Rendimenti i saj eshte gjithmone konstant. Tirana e madhe vazhdon te na dhuroje akoma emocione e kujtime te paharrueshme, per kedo qe ndjehet brenda ne shpirt tirons. Po e mbyll kete historik te shkurter te Tiranes me shprehjen e mirenjohur nga tifozeria e ketij ekipi: Te duash “Tironen” eshte kenaqesi shpirterore, te urresh “Partizonin” eshte detyre morale.


Postuar nga i_lire datë 21 Gusht 2003 - 11:17:

Sezoni 2002-2003 - Kampionet e Shqiperise

Skuadra dhe stafi i S.K Tirana


President:
Abdelrrahman Metwally El Sayed


Sekretar:
Shkelqim Muça


Trajnere:
Fatmir Frasheri
Krenar Alihmehmeti
Astrit Nallbani


Portjere:
Ndubuisi Egbo
Gerti Sharra
Isli Hidi


Mbrojtes:

Elvis Sina
Fjodor Xhafa
Nevil Dede
Gentian Hajdari
Rezart Dabulla
Alban Tafaj
Rudi Vata
Suad Liçi


Mesfushore:
Ervin Bulku
Ansi Agolli
Ardian Mema
Sokol Bulku
Florian Manastirliu
Saimir Patushi
Devi Muka
Redi Jupi



Sulmues:
Mahir Halili
Arjan Veraj
Indrit Fortuzi


Mjek:
Edi Gjika


Masazhator:
Ylli Skorovodi


Postuar nga mallim datë 22 Gusht 2003 - 11:27:

Pune t-bukur ke ba miku jem.

Te lumte!


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:44:

Titujt:

20 here Kampion i Shqiperise: 1930, 1931, 1932, 1934, 1936, 1937, 1965, 1966, 1968, 1970, 1982, 1985, 1988, 1989, 1995, 1996, 1997, 1999, 2000, 2003.

12 here Fitues i Kupes se Shqiperise: 1938, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986, 1995, 1996, 1999, 2001, 2002.

Lojtaret me te medhenj: Selman Stermasi, Naim Kryeziu ("Roma" 1939-47, "Napoli" 1948-54), Sllave Llambi "Ambrosiana" (Inter) (1941-42), Riza Lushta ("Juventus" 1940-43, "Napoli" 1945-46), Skender Merja, Ali Mema, Panajot Pano, Fatmir Frasheri, Petrit Dibra, Shkelqim Muça.
Trajneret me te mire: Samo Singer, Myslym Alla, Selman Stermasi, Shyqyri Rreli, Enver Shehu.

Ngjyrat: Fanella shirita Bardh e Blu, te shkurtrat dhe corapet te bardha ose blu.
Ngjyrat rezerve: Fanella e te shkurtrat gri me shirita anesore te zij, corape gri.


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:48:

Kampionet kerkojne fitoren ndaj Lushnjes.

Për trajnerin e Tiranës, Sulejman Mema, zhvillimi i ndeshjes së javës së parë të kampionatit ndaj skuadrës së Lushnjes në fushën asnjanëse të qytetit të Beratit, nuk është një favor. Tekniku bardh e blu është i mendimit se kudo të luhej ky takim, bardh e blutë do të hynin në fushë me një qëllim të vetëm, atë të fitores. Kanë mbetur pak më shumë se 24 orë nga përballja midis të dy ekipeve dhe gjendja te kampionët është përmirësuar, pas rikthimit të lojtarëve nga kombëtarja kuq e zi. I vetmi shqetësim për njëshin e stolit bardh e blu është formacioni, i cili nuk është ravijëzuar ende. Për këto dhe më shumë, Mema ka dhënë sqarimet e tij në një deklarim për "Sportin Shqiptar". "Për Tiranën nuk është favor që takimin e javës së parë ndaj lushnjarëve do ta luajë në fushë asnjanëse, siç është ajo e Beratit. Këtë e them, pasi ekipi që unë drejtoj është në gjendje të luajë kudo dhe të arrijë objektivin",- shprehet trajneri i suksesshëm i kampionëve. Dje pasdite në drejtimin e tij ka qenë në dispozicion i gjithë grupi i lojtarëve, duke përfshirë të rikthyerit, por edhe të dëmtuarit. Trajneri Sulejman Mema është ende i paqartë në lidhje me formacionin që do të zbresë nesër në stadiumin "Tomorri", pasi, që nga dje dhe sot, ai do të shohë më mirë gjendjen e secilit prej lojtarëve. "Nuk mund të flas ende në lidhje me formacionin që do të hedh nesër në fushë, duke qenë se dua të shoh më mirë gjendjen fizike të secilit prej futbollistëve të rikthyer nga kombëtarja dhe atyre të dëmtuar. Gjatë stërvitjes që do kem sot (dje) dhe nesër (sot), do të krijoj edhe ide më të qartë për secilin. Në fushën e lojës do të zbresë ai lojtar që do ta meritojë dhe që i ka mundësitë për të vrapuar",- thotë trajneri i Tiranës. Në lidhje me kundërshtarin, Mema shprehet se e respekton, por nuk druhet, ndonëse presupozohet që Lushnja është ekipi pritës. Mema është në dijeni të gjendjes së mirë që po kalojnë "lagunarët" si përsa i takon stërvitjes, por edhe merkatos që ka bërë, duke filluar nga trajneri rumun, Aurel Cikleanu. "E respektojmë skuadrën myzeqare për përgatitjet ka bërë në këtë sezon të ri dhe besoj se ballafaqimi midis nesh do të jetë i vështirë. Ne kemi synimet tona për këtë ndeshje dhe do të mundohemi që gjatë 90 minutave të tregojmë në fushë një futboll korrekt",- sqaron Mema. Për të, marrja e tri pikëve në këtë takim është parësore, duke qenë se është dhe ndeshja hapëse e kampionatit dhe duhet që çdo gjë të shkojë për mbarë. Nëse arrihet ky objektiv, ai shprehet se më pas do të kërkohet edhe spektakli, për të kënaqur atë numër tifozësh që do të mbushin shkallët e stadiumit. "Parësore për ne është të fitojmë këtë ndeshje të parë të kampionatit të ri. Do ta kërkojmë golin që nga minuta e parë deri te e fundit. Një gjë është e sigurt: nëse e sigurojmë fitoren sa më shpejt, do të dhurojmë edhe spektakël në fushë, për të kënaqur sadopak tifozët që do të na mbështetin",- i ka dhënë fund deklarimit të tij trajneri i Tiranës, Sulejman Mema.
Devi Muka, Nevil Dede, Rezart Dabulla dhe Ansi Agolli janë lojtarët që i janë rikthyer stërvitjes me Tiranën, pas ndeshjeve të kombëtares shqiptare me atë maqedonase. Të katër futbollistët dje pasdite kanë qenë nën urdhrat e teknikut Mema. Ata janë shprehur se nuk kanë asnjë lloj dëmtimi dhe janë në dispozicion për ndeshjen ndaj Lushnjarëve nesër.
Ervin Bulku, kapiteni i Shpresave dhe mesfushori i Tiranës, është shprehur dje për "Sportin shqiptar" se e ka lënë pas dëmtimin në gju dhe do të rifillojë stërvitjen me grupin. 22-vjeçari u dëmtua në gjurin e majtë ndaj gjeorgjianëve në Ligën e Kampioneve dhe nuk pati mundësi të aktivizohej më ndaj GAK-ut dhe në finalen e Superkupës. Pas një kure intensive në sallë force, ai tashmë ndihet i gatshëm plotësisht për Tiranën.
Bardh e blutë, dje kanë zhvilluar seancën e tyre të parafundit në prag ndeshjen me myzeqarët. Në orën 17:00, në fushën "Skëndër Halili" kanë qenë të gjithë lojtarët në dispozicion. Sot paradite skuadra ka stërvitjen e saj të fundit dhe pasdite do të grumbullohet për t'u nisur drejt qytetit të Beratit.
Hotel "Turizmi" përfundimisht do të jetë streha e kampionëve sot në Berat. Pas shumë diskutimesh, drejtuesit e skuadrës e kanë parë të arsyeshme të qendrojnë më mirë në një hotel me lushnjarët, sesa të nisen e të udhëtojnë për dy orë nga Tirana për në Berat. Kjo mund t'i lodhte futbollistët dhe ndaj është parë e udhës që sot stafi bardheblu të udhëtojë dhe ta kalojë natën aty.
Kampionët, përpara se të nisen drejt Beratit, ku sot në do të luajnë ndaj Lushnjes në fushë asnjanëse, do të marrin edhe çmimet e fitimit të Superkupës. Një fakt të tillë e kanë konfirmuar vetë drejtuesit e skuadrës, pasi presidenti El Sajed e kishte lëvruar të gjithë shumën e nevojshme.


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:50:

Sa herë që Tirana shënon në ndeshjen e parë të kampionatit, është e sigurt që goli i parë do të jetë i sulmuesit Mahir Halili. U bënë katër vjet rresht që dibrani starton me gol veprimtarinë më të madhe futbollistike në vend. Tri sezone me parë ai kishte mundur të dërgonte topin në rrjetë dy herë ndaj Skënderbeut, dy herë ndaj Luftëtarit, një herë ndaj Apolonisë dhe së fundmi dopieta me Lushnjen. Në një farë mënyre, e çuditshme, por që është e vërtetë. Dibrani është bërë zot i fushave të futbollit shqiptar, falë golave të tij shpëtimtarë për bardheblutë. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", Halili është shprehur i kënaqur për fitoren e thellë 6-0 të arritur ndaj Lushnjës si dhe për dygolëshin e tij. "S'ka sesi të mos jem i kënaqur për këtë dy golësh të shënuar. Jo vetëm se i fitoi skuadra, por edhe për një fakt domethënës. Ky është viti i katërt rresht që unë arrij të shënoj i pari në ndeshjet hapëse të kampionatit. Më parë një gjë të tillë e kisha bërë me Skënderbeun, Luftëtarin dhe Apoloninë në sezonin e kaluar. Tashmë që shënova dhe me Lushnjën, mund të them me plot gojën se jam unë fatsjellësi i Tiranës. Sa herë kam shënuar i pari, kemi fituar kampionat ose kupë",- shprehet numri 14 i kampionëve. Për sa i takon përmbledhjes së ndeshjes, Mahiri është shprehur se në minutat e para të lojës Tirana e kishte të vështirë të dilte në lojën e saj, si rrjedhojë e terrenit të rënduar. Më pas, ai mendon se dy golat në fund të pjesës së parë e bënë edhe më të lehtë fitoren e thellë 6-0. "Takimin nuk e kemi nisur ashtu siç duhej, pasi edhe terreni i fushës nuk ishte i mirë dhe e kishim të vështirë të ambientoheshim. Në disa momente u dhamë mundësi myzeqarëve të na rrezikonin, gjithsesi në fundin e pjesës së parë shënuam dy gola të shpejtë. Pjesa e dytë ka nisur edhe më e mirë për ne, pasi jo vetëm shënuam katër gola të tjerë, por e kemi dominuar të gjithë takimin. Ajo që duhet thënë, me aq sa pashë unë, është se Lushnja kishte një ekip me lojtar cilësorë, por kurrsesi nuk mund të përballej me ne. Tirana hëpërhë po gëzon një formë të mirë fizike, pasi vjen pas disa ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, ku rivaliteti ishte mjaft i ashpër",- thotë më tej golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar. Pas këtij takimi të parë, bardheblutë kryesojnë klasifikimin, falë golevarazhit më të mirë. Mahir Halili është i mendimit se, deri në fund të kampionatit, Tirana do ta ruajë këtë pozicion, pasi është e vështirë të ketë ekip që ta ndalë. "Pas kësaj jave të parë, ne udhëheqim renditjen të parë falë golevarazhit më të mirë. Besoj se do të vazhdojmë në këtë rrugë të nisur deri në fund, pasi është e vështirë të na ndalë kush. I kemi të gjitha mundësitë të shpallemi për së dyti kampionë të Shqipërisë",- komenton "Këpuca e Artë". Për sa i takon fitimit të këtij trofeu, dibrani deklaron se në radhë të parë duhet të fitojë Tirana. "Në lidhje me fitimin e "Këpucës së Artë" edhe në këtë sezon, do të preferoja që më parë të fitonte ekipi kampionatin dhe më pas të mendoja për të. Ndërsa, për sa i takon se cilët do të jenë disa prej golashënuesve më të mirë, jam i bindur se së bashku me Fortuzin, Xhafën dhe Merkoçin do të përbëjmë sulmin e frikshëm të këtij kampionati",- përfundon idenë e tij dibrani Mahir Halili.


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:50:

Kur kanë kaluar 48 orë nga përballja me Lushnjën, trajneri i kampionëve Sulejman Mema bën të ditur se nuk e kishte menduar një fitore të thellë 6-0. Tekniku bardheblu shprehet se në pamje të parë takimi me myzeqarët dukej i vështirë për vetë përgatitjet që ata kishin bërë para fillimit të kampionatit dhe publicitetit që kishte bërë media. Ndërkohë, në fushë ndodhi e kundërta dhe "lagunarët" u shpartalluan thellësisht përballë një rivali si Tirana. "Që ishim të bindur për fitoren ndaj Lushnjes nuk diskutohet, por të fitonim me këtë rezultat të thellë, të them të vërtetën, nuk e prisja. Me aq sa ishim të informuar, dinim se përballë do të kishim një Lushnjë tejet të karikuar për vetë përgatitjet që kishin bërë, por në fushë ata nuk treguan gjë",- shprehet Mema. Këtë të shtunë, trajneri ka bërë edhe debutimin e tij në Kampionatin e 65-të Kombëtar, pas rikthimit në krye të skuadrës. Kjo ndeshje për të qe shumë e rëndësishme, për ta nisur me këmbën e mbarë kampionatin. "Për mua ky takim ishte deciziv dhe duhej fituar me çdo kusht. Të nisësh kampionatin me një fitore në transfertë, do të thotë moral i lartë, sidomos për futbollistët",- thotë ai. Në lidhje me komentin e gjithë 90 minutave, Sulejman Mema deklaron se skuadra e tij pavarësisht nga fitorja e thellë bëri gabime, sidomos në mbrojtje. Ndërkohë, sipas tij, minutat e para të lojës, nuk ishin në nivelin e kërkuar. "Ndonëse fituam me të tilla shifra, unë mund të them se skuadra gaboi në disa raste, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të na rrezikonte. Fillimi i lojës nuk ka qenë në nivelin e kërkuar prej meje, si rrjedhojë e disa faktorëve të jashtëm dhe vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë mundëm të zhbllokonim dy herë rezultatin. Në pjesën e dytë, me ndryshimet e bëra dhe me udhëzimet që dhashë, arritëm të shënonim edhe katër gola të tjerë. Për momentin, unë i gëzohem kësaj fitoreje, me idenë se në ditët në vazhdim na duhet të përmirësohemi ende, për sa i takon lëvizshmërisë",- thotë tekniku i suksesshëm i Tiranës. Në vazhdim të komentit të tij, Mema deklaron se skuadra që ai drejton këtë sezon ka shumë kualitete në përbërje, të cilat më pas bëjnë diferencën në fushë. Ai nuk harron të përmendë edhe dy golat në formë parabole, të shënuar nga Indrit Fortuzi. "Po ta shikosh ndeshjen me vëmendje, diferencat në fushë kishin të bënin te kualitetet që Tirana ka në përbërje. Çdo rast që na paraqitej, ne mundoheshim të shfrytëzonim në maksimum. Rasti i dygolëshit të Fortuzit ishte komplet intuitë e tij. Ndërsa golat e Halilit, Mukës apo dhe Bulkut ishin rrjedhojë trysnisë së ushtruar. Tashmë s'na mbetet gjë tjetër veçse, duke filluar që sot, të mendojmë për takimin e radhës, ku sërish do të luajmë në transfertë ndaj Flamurtarit",- ka përfunduar trajneri bardheblu, Sulejman Mema.


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:51:

Duro tek Tirana... ?!

Mesfushori kuqezi, Klodian Duro, mund të konsiderohet tani e tutje futbollist i Tiranës. Elbasanasi prej kohësh stërvitet me ekipin e drejtuar nga Mema dhe, duke parë që nuk po gjen një ekip jashtë Shqipërisë, ka vendosur t'i rikthehet kampionatit shqiptar të futbollit. Sipas burimeve afër futbollistit të kombëtares, Klodi duket se ka rënë dakord me presidentin El Sajed për t'u bashkur me Tiranën në këtë fillim sezoni. Por Duro ende nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë me njëshin e bardhebluve. Nga drejtuesit e Tiranës bëhet e ditur se Duro sot do të takojë presidentin e Tiranës, për të saktësuar detajet e kontratës dhe kohëzgjatjen e saj. Kështu, Klodian Duro duket se do të jetë përforcimi i fundit i Tiranës, në këtë Kampionat të 65-të të Futbollit, që ka nisur të shtunën, me një fitore të thellë të bardhebluve kundër Lushnjes.


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:52:

Flamurtari 0 - 3 S.K Tirana

S.K Tirana
Flamurtari - Tirana 0-3
Shënues: Muka 6', Patushi 32', Fortuzi 80'

Flamurtari
Dine 5
Resuli 5
Daiu 5
Diamanti 5
Idrizi (Çela 63') 5
Sakaj 5
Çerçizi (Vito 30') 5
Veizi 5
Sejfullai 5
D. Xhafa 5
Serjani (Bubeqi 75') 5
Trajner: A. Bozhani

Tirana
Egbo 7
Sina 7
Dabulla (Hajdari 74') 7
Dede 7
Pinari 7
Muka (S. Bulku 74') 7
Fortuzi 7
Halili (F. Xhafa 55') 6
Agolli 6
Lici 6
Patushi 7
Trajner: S. Mema
Gjyqtarë: S. Jareci, L. Duka (Tiranë), Sh. Gega (Korçë)
Kartonë të verdhë: Serjani, Dede

Radiografia
4'- Halili ka shmangur dy mbrojtës vlonjatë dhe pason tek Lici. Ky i fundit gjuan në formë harku, por pret Dine pa vështirësi.
6'- Në një aksion pa shumë pretendime, pas pasimeve të shkurtëra të Halilit dhe Fortuzit, topi shkon te Muka, i cili gjuan dhe topi shkon në anën e majtë të portës së portierit Dine. 1-0 për Tiranën.
10'- Krosim i gjatë i Idrizit, pas një goditjeje dënimi. Xhafa kërcen mbi mbrojtjen tiranase, gjuan fort, por portieri Egbo fluturon dhe grushton topin jashtë vijës fundore.
17'- Xhafa, pasi ka marrë një pasim nga Idrizi, nuk shënon dot me kokë, ndonëse 3-4 metra përballë me Egbosë.
24'- Aksion model i vlonjatëve me një takim. Veizi shërben për Gjatën. Ky i fundit pason te Serjani, i cili gjuan tokazi, por jashtë.
32'- Patushi, pasi ka marrë një pas të shkurtër nga Sina, në ballë të zonës së rreptësisë vlonjate, gjuan fort. Topi përfundon në rrjetë. 2-0 për Tiranën.
38'- Mbrojtësit vlonjatë, të pavëmendshëm ndaj Fortuzit, i kanë krijuar atij hapësirë. "Zogu" ka gjuajtur shpejt dhe për pak ka shënuar golin e tretë.
42'- Gjuajtje e fortë e Vitos, nga 20 metra, por topi ka përfunduar jashtë vijës fundore.
54'- Aksion i shpejtë i Sinës nga krahu i djathtë i sulmit tiranas. Depërton në zonën vlonjate, gjuan, por topi përfundon jashtë.
67' - Topi qarkullon në mesfushë dhe nuk bëhet asnjë gjuajtje në portat respektive.
67' - Fjodor Xhafa ka humbur rastin më ideal për të shënuar golin e tretë. Pasi ka marrë një top të saktë nga shokët e tij, vetëm për vetëm me Dinen ka gjuajtur drejt portës, por topi është larguar nga vija fatale nga mbrojtësi Çela.
69' - Anesti Vito ka gjuajtur në një distancë prej 30 metrash në formë harku, por Egbo ka pritur me vështirësi, në trekëndëshin e majtë të portës së tij.
75'- Xhafa ka gjuajtur fort, por topi është devijuar nga Sina jashtë vijës fundore.
76'- Portieri vlonjat Dine ka shpëtuar portën mrekullisht nga gjuajtja e befasishme e Fortuzit, duke e grushtuar topin me një fluturim akrobatik.
80'- Fortuzi përfiton nga hutimi i mbrojtësve vlonjatë, merr një top të dhuruar prej tyre, shmang dhe portierin dhe shënon golin e tretë.
82'- Vito, i ndodhur brenda zonës kundërshtare, gjuan fort, por topi përfundon mbi tranversën e sipërme të Egbosë.
90'- Xhafa me një harkore nga 25 metra e ka detyruar portierin Dine të Flamurtarit të fluturojë në ajër dhe ta nxjerrë topin jashtë.

Thanë pas ndeshjes:
Sulejman Mema, trajner i Tiranës:
"Jam kënaqur nga loja e skuadrës sime. Megjithatë duhet të luanim më shpejt, pasi kam dhënë detyra të konsolidojmë më tepër skuadrën. Ekipi i Flamurtarit u shfaq i papërgatitur gjatë 90 minutave, pavarësisht se ka edhe problemet e veta. Kam vërejtje për 2-3 lojtarë të mirë, të cilët shfaqën shenja mendjemadhësie gjatë lojës. Flamurtari, në të ardhmen, mendoj se do ta marrë veten. Në fakt na u duk i vështirë, në bazë të traditës, por realisht loja kundër tyre na rezultoi mjaft e lehtë".
Ardi Bozhani, trajner i Flamurtarit:
"Eshtë një humbje jashtëzakonisht e rëndë. Superioriteti i Tiranës ishte i dukshëm. Ekipi im shfaqi shenja lodhjeje. Mendoj se këto dy javë do të të rikuperojmë diçka në këtë drejtim".

Të veçanta
- "Rrjedhje" e tifozerisë vlonjate. Nga 6 tribuna që ka stadiumi i Vlorës, vetëm në 3 prej tyre kishte sportdashës.
- Ora elektronike, e cila nuk funksionon prej 12 vjetësh, në ndeshjen e djeshme është kthyer në tribunë anësore për rreth 50 fëmijë, të cilët kanë rrezikuar të ngjiten në 10-12 metra lartësi.
- Trajneri Mema, pas ndeshjes, në konfidencë kolegësh, me dashamirësi e ka këshilliluar trajnerin e ri vlonjat Bozhani, të mos mbajë mbi shpatulla një ngarkesë me 40 lojtarë. "E mira për ty,- i ka thënë Mema Bozhanit,- do të ishte të stërvisje 20 lojtarë".
- Menaxheri i Tiranës, Florian Riza, në një bisedë të lirë në hollin e tribunës qendrore, ka shpallur parashikimin afatshkurtër se Tirana në 7 ndeshjet e para do të ketë vetëm fitore.

Komenti
Flamurtari e ka filluar kampionatin mjaft keq. Në dy ndeshjet e para ka pësuar vetëm humbje dhe ka një golaverazh negativ 1-5. Pra, sikurse shihet, nuk ka ku të shkojë më keq ky Flamurtari i këtij fillimkampionati. Në ndeshjen me Tiranën skuadra e kuqezinjve është paraqitur mjaft anemike, pa shpirt gare dhe me gjendje fizike për të dëshiruar. Flamurtari nuk arriti gjatë 90 minutave t'i kundërvihej Tiranës dhe, në momente të veçanta, kur loja ishte e ekuilibruar, tiranasit e kanë qarkulluar lirshëm topin me një takim. Bardheblutë kanë shënuar 3 gola, për faj të gabimeve në vendosje të mbrojtësve vlonjatë, të cilët, me lëvizjet e tyre krijonin hapësira të lira për kundërshtarin. Madje, golin e tretë ia kanë dhuruar vetë Fortuzit, i cili ka shënuar nga afër. Aksionet e vlonjatëve ndërtoheshin me vështirësi dhe thyheshin lehtë nga mbrojtësit Dede, Sina e Dabulla. Madje, në momente të veçanta, mbrojtësit tiranas kanë guxuar të ndërmarrin inkursione drejt portës së Dines. Kuqezinjtë, në pjesën e dytë, kanë korrigjuar skemën e pjesës së parë, që ishte 3-5-2, duke rreshtuar në momentet e kundërsulmit tiranas 4 dhe 5 mbrojtës. Mirëpo edhe këto lëvizje nuk kanë dhënë rezultat. Ndërrimet që bëri Bozhani me "veteranët" Bubeqi e Vito nuk kanë dhënë rezultat, pasi, siç dihet, futbolli nuk kërkon vetëm pasionin, por edhe moshën e gjendjen fizike. Trajneri i ri dhe i pasionuar Ardi Bozhani nuk mund të përballojë të stërvisë një "mal me lojtarë", për më tepër, i duhet të caktojë skuadrën dhe të përballojë vështirësitë që ka ajo në raport me problemet financiare.


Postuar nga qershor13 datë 10 Shtator 2003 - 20:42:

Tirana-Besa, të premten ora 16:30
Dje paradite, në zyrat e klubit "Tirana" ka mbërritur njoftimi nga ana shefit të garave, Hito Hitaj, se ndeshja e javës së tretë midis Tiranës dhe Besës do të luhet ditën e premte, ora 16:30, në stadiumin "Selman Stërmasi". Ndryshe nga java e parë e kampionatit, kur Partizani me Dinamon luajtën të dyja ditën e shtunë, këtë herë drejtuesit e FSHF-së kanë vendosur që t'i rikthehen idesë së sezoneve të kaluara. Pra, një skuadër kryeqytetase të luajë ditën e premte dhe tjetra ditën e shtunë. Kështu, do të jenë bardheblutë ata që do ta nisin javën e tretë të kampionatit, ndërsa një ditë më pas Dinamo do të presë në "Qemal Stafa" Vllazninë.


Postuar nga qershor13 datë 11 Shtator 2003 - 16:16:

Mbrojtësi kuqezi do t'u mungojë fushave 6-8 javë
Nevil Dede i shpëton bisturisë

Kapiteni i Tiranës dhe mbrojtësi i kombëtares, Nevil Dede, do t'u mungojë fushave 6-8 javë. Ky ka qenë konfirmimi i fundit që mbrojtësi kuqezi ka marrë dje pas rezonancës magnetike të bërë ditën e martë. Në këtë mënyrë, hidhet poshtë hipoteza që Nevil Dede të operohet dhe të qëndrojë 3 muaj pa luajtur. Rezonanca e djeshme ka treguar se Dede ka dëmtim të ligamentit të gjurit të majtë, i cili mund të riaftësohet me stërvitje individuale. Kështu, fatmirësisht, mbrojtësi ynë luftarak i është shmangur bisturisë, çka mund t'i hapte jo pak telashe. Brenda një viti, Nevil Dede është dëmtuar tri herë. Si fillim, është operuar në menisk në fillim të sezonit të kaluar, duke munguar 6 muaj. Më pas erdhi dëmtimi i dytë, më datë 30 prill, në miqësoren e luajtur në Sofje ndaj Bullgarisë. Ky dëmtim e mbajti larg për afro tre muaj. Ndërkohë, kur Nevili arriti formën e tij më të mirë, duke u bërë i pazëvendësueshëm te Tirana dhe për kombëtaren, vjen K.O i tretë. Pra, dëmtimi i së shtunës në Tbilisi, kur pas 5 minutash lojë, në një dyluftim me sulmuesit gjeorgjianë, mbrojtësi Dede ka lënë fushën i dëmtuar. Tanimë 28-vjeçarit i duhet t'i kthehet punës edhe një herë nga e para, siç di të bëjë një lojtar me vullnetin e tij të pashembullt. Nuk mbetet gjë tjetër, veçse t'i urohet shërim sa më i shpejtë.

------------------------------------///////////////----------------

Tirana shtyn zgjedhjet e asamblesë
Klubi "Tirana" ka vendosur të shtyjë zgjedhjet e asamblesë, të planifikuara për muajin shtator, për në fund të fazës së parë të kampionatit. Një fakt të tillë e pohon vetë sekretari i klubit, Shkëlqim Muça, i cili shprehet se është parë e udhës që zgjedhjet e asamblesë për presidentin e ri të zhvillohen në fund të fazës së parë dhe jo tani në shtator. Sipas tij, do të ishte në të mirë të klubit që këto zgjedhje 4-vjeçare të zhvillohen rreth muajit dhjetor, kur kampionati ka pushimet e tij të zakonshme. Deri tani, me sa mësohet, brenda klubit nuk ka pasur oferta konkrete nga financues të rinj, të cilët duan të sfidojnë në postin e presidentit egjiptianin El Sajed. Gjithsesi, në muajt e ardhshëm çdo gjë do të konkretizohet.


Postuar nga qershor13 datë 12 Shtator 2003 - 17:15:

Njëshi i stolit bardheblu kërkon përqendrim maksimal dhe marrjen e tri pikëve ndaj kavajasve
Mema: Nuk ka sfidë mes meje dhe Sejdinit

Java e tretë e kampionatit nis me takimin Tirana-Besa, që do të luhet sot, në orën 16:30, në stadiumin "Selman Stërmasi". Kampionët e drejtuar nga trajneri Sulejman Mema vijnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve jashtë fushe dhe një jave pushim. Tekniku bardheblu është i ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj sfide dhe u kërkon lojtarëve të tij vlerësim maksimal për kundërshtarin. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", Mema shprehet: "Skuadra e Besës nuk duhet nënvleftësuar në asnjë mënyrë, si për traditën që ka në futbollin shqiptar, por edhe për rivalitetin që i ka bërë Tiranës sidomos viteve të fundit. Nëse kërkojmë ta fitojmë këtë ndeshje në fushën tonë, duhet me çdo kusht që futbollistët të japin maksimumin në fushë. Jemi të ndërgjegjshëm se, nëse kërkojmë të shpallemi kampionë, nuk duhet të lëmë asnjë pikë brenda." Në dy javët e para të kampionatit, kavajasit kanë koleksionuar një humbje dhe një barazim. Për vetën situatën që ndodhen në tabelën e klasifikimit, verdhezinjtë do të përpiqen të dalin me një rezultat pozitive ndaj kampionëve. Prania në krye të Besës dhe e trajnerit të ri, Faruk Sejdini, ua shton ambiciet atyre. Gjithsesi, 20 herë kampionët janë më se të gatshëm që të mos lëshojnë pe, pavarësisht synimeve të kundërshtarit. Tekniku Sulejman Mema kërkon nga djemtë që të shënohet një gol sa më shpejt të jetë e mundur, për ta pasur më tej nën kontroll rezultatin. "Ardhja në krye të Besës e trajnerit Sejdini mund të sjellë një frymë optimiste në radhët e kavajasve, duke qenë se çdo lojtar që do të luajë si titullar do të përpiqet të japë shumë nga vetja në fushë. Ata ndoshta mund të jenë të kënaqur edhe me një barazim ndaj nesh dhe ka shumë gjasa të mbyllen në mbrojtje. Ajo çka duhet të bëjmë është ta gjejmë rrugën e golit sa më shpejt të jetë e mundur, për ta pasur më pas takimin nën kontroll,"- thotë njëshi i stolit bardheblu. I pyetur nëse, përveç një ndeshje futbolli, përbën një sfidë teknikësh takimi i sotëm me Besën, Mema është përgjigjur: "Jo, nuk ka arsye pse të jetë e tillë për mua. Vlerat e trajnerit Sejdini njihen nga të gjithë dhe, normalisht, ai do të përpiqet që në radhë të parë t'i shërbejë skuadrës, ashtu siç do të bëj edhe unë." Për sa i takon formacionit, Sulejman Mema bën të ditur se do të ketë ndryshime, duke qenë se Devi Muka dhe Rezart Dabulla vijnë nga dy ndeshjet me kombëtaren, ndërsa kapiteni Dede është i dëmtuar. Rikthim entuziast mund të quhet vetëm ai i mesfushorit Ervin Bulku, i cili ndoshta sot mund të marrë një rol të ri. "Besoj se formacioni i parë që do të luajë ndaj kavajasve do të ketë disa ndryshime. Na është dëmtuar Dede, ndërkohë që i riaftësuar është Ervin Bulku, i cili mund të luajë që nga fillimi. Për sulmin jam në mëdyshje, duke qenë se kam në dispozicion katër sulmues për dy vende. Xhafa dhe Merkoçi i kanë lënë pas shqetësimet dhe në dy ndeshjet miqësore të zhvilluara dhe në seancat stërvitore kanë qenë në formë." Sa do të ndikojë dëmtimi i Dedes? "Nevili është lojtar dhe kapiten i pazëvendësueshëm në skuadër dhe normalisht do të na mungojë. Megjithatë, unë kam besim se me vullnetin që ai ka, do të rikthehet shumë shpejt në gjirin tonë. Ndërsa zëvendësues i tij besoj se do të jetë një lojtar brenda ekipit,"- i ka dhënë fund fjalës së tij trajneri i Tiranës, Sulejman Mema.


Postuar nga qershor13 datë 12 Shtator 2003 - 17:17:

Devi Muka dhe Rezart Dabulla kanë qenë dje dy të mbërriturit e fundit nga kombëtarja në stërvitjen e skuadrës së Tiranës. Ata, së bashku me Bulkun dhe Agollin e Shpresës, të rikthyer në ekip më parë, do të jenë të gatshëm për sfidën e sotme ndaj kavajasve.
Nevil Dede do të jetë mungesa e vetme e teknikut Mema për përballjen me Besën. Kapiteni është larguar para 5 ditësh nga grumbullimi me kombëtaren, pas dëmtimit të pësuar në Tbilisi. Nga rezonanca magnetike e bërë të martën, doli që mbrojtësi i Tiranës ka dëmtim të ligamentit të gjurit të majtë. Aktivizimi i tij pritet të jetë në fillim të nëntorit.
Ervin Bulku, mesfushori i kampionëve, pritet të luajë për herë të parë në këtë kampionat të ri. 22-vjeçari nuk është aktivizuar në dy takimet e para të Tiranës, ndaj Lushnjës dhe Flamurtarit, si rrjedhojë e një dëmtimi në gju. Me shumë mundësi, sot Bulku mund të luaj si stoper, përkrah Dabullës dhe Pinarit.
Kampionët kanë vendosur të mos grumbullohen në asnjë prej hoteleve të kryeqytetit 24 orë përpara takimit me Besën. Një fakt të tillë e konfirmojnë vetë drejtuesit e skuadrës. Ndoshta Tirana, në këtë sezon, do ta bëjë zakon që të grumbullohet vetëm kur luan ndaj kundërshtarëve të saj direktë në luftën për titull.
Treshja e gjyqtarëve që do të drejtojë takimin e sotëm, midis Tiranës dhe Besës, do të jetë: Albano Janku kryesor dhe dy anësorët Arben Pregja dhe Sokol Avdo.
Halili apo Xhafa? Agolli apo S.Bulku? E.Bulku apo Hajdari? Këta janë gjashtë lojtarët që luajnë për një fanellë titullari sot ndaj verdhezinjve. Trajneri do të vendosë vetëm në minutat e fundit.
Porta, po ashtu, është sektori i mëdyshjeve. Nëse do të vazhdohet me idenë e rotacionit, i bie që sot "gardian" të jetë shtatlarti Isli Hidi.
Stërvitja e fundit e kampionëve, e zhvilluar dje në orën 16:30, në fushën "Skënder Halili", ka qenë e karakterit taktik. Mema ka aplikuar disa variante loje, të cilat pritet të përdoren sot ndaj Besës. Stërvitja ka zgjatur 90 minuta.


Postuar nga qershor13 datë 12 Shtator 2003 - 17:18:

Mesfushori shkatërrues është plotësisht i gatshëm për Tiranën në ndeshjen e nesërme ndaj Besës
E.Bulku: Tiranë, më prit se erdha!
Një dëmtim në gju, pësuar ndaj gjeorgjianëve të Dinamos së Tbilisit, dhe gati një muaj e gjysmë stërvitje individuale për t'u rikthyer sërish në formë. Ervin Bulku, mesfushori i dalluar i Tiranës dhe kapiteni i ekipit Shpresa, u ka munguar jo pak kampionëve në këtë fillimsezoni. Falë një pune intensive individuale dhe disa kurave riaftësuese, ai tashmë ka filluar të luajë si dikur. Këtë e kanë vërtetuar edhe dy ndeshjet e fundit që Ervini është aktivizuar. Si fillim ka luajtur disa minuta në miqësoren e bardhebluve të shtunën ndaj Bylisit. Ndërkohë, të mërkurën, për 90 minuta, ka luajtur me Shpresën kuqezi në atë fitore 3-0 me bashkëmoshatarët gjeorgjianë. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", 22-vjeçari është shprehur: "Për mua, tani dëmtimet i përkasin së kaluarës. Jam riaftësuar plotësisht nga goditja që kisha marrë në gju në ndeshjet eliminatore për Ligën e Kampioneve. Nuk ishte e lehtë ta rimerrja veten, por falë disa terapive të ndjekura me rigorozitet, tashmë ndihem mirë. Deri tani kam luajtur në një ndeshje miqësore dhe në një zyrtare. Te kjo e fundit jam aktivizuar 90 minuta dhe nuk kam pasur probleme fizike dhe ambientimi, çka do të thotë se që nga ballafaqimi me Besën të shtunën, do të jem i gatshëm për trajnerin Mema,"- thotë numri 8 i kampionëve. Për takimin e fundit me Gjeorgjinë, ku Shpresa kuqezi triumfoi 3-0 në stadiumin "Niko Dovana", Ervini ndihet i kënaqur. Për të, kjo fitore duhej arritur medoemos për t'u renditur të tretët në Grupin 10. "Sa për fitoren e së martës me Shpresën gjeorgjiane, mund të them se ishte plotësisht e merituar. Rezultati flet vet. Ne ditëm t'u bënim një mbyllje dinjitoze këtyre ndeshjeve eliminatore, duke u renditur të tretët në grup, me 10 pikë. Për mua, kjo qe ndeshja e fundit që luajta si kapiten, pasi më ka kaluar edhe mosha. Jam shumë i kënaqur për këtë sukses të arritur, duke qenë se ishte fryt i një pune të palodhur të të gjithë shokëve të skuadrës dhe trajnerit Hasan Lika,"- shprehet Ervin Bulku. Normalisht, i vetmi shans për mesfushorin për të riveshur ngjyrat kuqezi të kombit të tij është kombëtarja. Ai ka provuar më parë të luajë me të në disa ndeshje miqësore. Ndërkohë shpreson që në të ardhmen, me një stërvitje të vazhdueshme, të arrijë që të jetë pjesë e kësaj skuadre. Ky është dhe një ndër objektivat e tij të shumtë për sezonin e ri. "Duke qenë se nuk do të luajë më me Shpresën, mundësia e vetme që të veshë fanellën kuqezi është ajo e kombëtares. E kam provuar dhe më parë ta bëj një gjë të tillë dhe shpresoj që në të ardhmen të jem pjesë efektive e saj. Për çdo lojtar është kulmi i karrierës të luajë me përfqësuesen e vendit të tij dhe besoj se kam për ta bërë të mundur këtë dëshirë,"- komenton Bulku "i vogël" i Tiranës. Në fund të deklarimit të tij, mesfushori energjik nuk harron të flasë edhe për bardheblutë, ekipin me të cilin aktivizohet në kampionatin shqiptar. Duke filluar nga kjo javë, ai pritet të jetë titullar në formacion dhe për të zënë vendin kapitenit Dede në repartin e mbrojtjes. "Sezonin e kemi nisur mbarë, pasi në dy takime në trasfertë kemi koleksionuar 6 pikë të plota. Ndeshjen e radhës e kemi në fushën tonë me Besën dhe synimi i vetëm është fitorja, për të ruajtur kryesimin. Do të jetë paksa e vështirë për ta arritur, por ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë gjithçka që Tirana të arrijë majat e futbollit në vend. Vetë shpresoj që të luaj, pavarësisht se ku, në mesfushë apo në mbrojtje. Ndërsa për objektivat e ekipit, nuk është nevoja që të përsëriten shumë herë, pasi dihen. Luajmë për t'i fituar të dy trofetë kombëtare dhe për t'u bërë sfidë kundërshtarëve direktë,"- i jep fund deklaratës mesfushori luftarak, Ervin Bulku.


Postuar nga i_lire datë 14 Shtator 2003 - 02:23:

Tirana sërish më e mira.

20 herë kampionët shkërmoqin Besën 7-1 për javën e tretë të kampionatit. Bardheblutë fitojnë thellësisht edhe këtë herë, duke treguar supremacinë e tyre në futbollin shqiptar. "Viktima" e radhës ishte Besa, e drejtuar tashmë nga Faruk Sejdini. Në stadiumin "Selman Stërmasi", të dyja skuadrat vinin pas një jave pushim dhe e nisën takimin me formacionet e tyre më të mira. Bardheblutë e nisën takimin keq, pasi që në minutat e para hasën në barrikadën e mbrojtësve miq dhe e kishin të vështirë të depërtonin. Kavajasit, me moral të ngritur, ditën t'u bënin ballë kampionëve dhe të kundërsulmonin rrezikshëm. Goli i tyre erdhi si rrjedhojë e kësaj takike të ndjekur, kur Kuli del i vetëm me Hidin dhe shënon një gol të bukur. Bardheblutë, në moment, shokohen dhe mundohen të marrin iniciativën për të sulmuar. Do të mendonte Sina për të barazuar rezultatitin, duke i dhënë shans skuadrës së tij për të qenë më e lirshme në minutat në vazhdim. Pika kulmore e takimit ka qenë dalja nga loja me karton të kuq për Shetën. Besa duhet të luante për me shumë se 60 minuta me një lojtar më pak. Pjesa e parë përfundon me shifra të barabarta dhe me sulme të njëpasnjëshme të kampionëve. E dyta nis e vrullshme për bardheblutë, të cilët menjëherë shënojnë dhe kalojnë në avantazh me anë të Licit. Truri i skuadrës së Tiranës në ndeshjen e djeshme ishte mesfushori Devi Muka. Vlonjati pothuajse ishte iniciatori i sulmeve të njëpasnjëshme të ekipit të tij, të cilat finalizoheshin me gola. Besa, nga ana e saj, u godit psikologjikisht pas daljes me karton të kuq të një lojtari dhe nuk mundi ta ndalte "tërmetin 7-ballësh" të Tiranës. "Xhaxhi", edhe pse kishte pak ditë në krye të skuadrës, i kishte mobilizuar djemtë e tij, por në fund u dorëzua dhe e pranoi disfatën. Tirana, nga ana e saj, me këtë fitore të thellë, del në krye të klasifikimit të paktën disa orë, me 9 pikë të plota dhe 16 gola të shënuar.


Postuar nga qershor13 datë 22 Shtator 2003 - 15:08:

Goleadori bardheblu pranon se po kalon një gjendje jo të mirë psikologjike dhe nuk kërkon të shfajësohet
Fortuzi: Penalltia? Më mungoi fati


E ndien peshën e humbjes së penalltisë, megjithatë nuk kërkon të shfajësohet, kur thotë se penallti kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj. Indrit Fortuzi, sulmuesi kryesor i Tiranës, nuk ka mundur dot ta barazojë rezultatin në minutën e 58-të të shtunën, ndaj Shkumbinit, pas një 11-metërshi të fituar nga Xhafa. Ishte pikërisht portieri vendës Morina, i cili i privoi të drejtën për të shënuar golin e tij të pestë në këtë kampionat falë një grushtimi spektakolar. Megjithatë, gabimin e "Zogut" e kanë korrigjuar shokët e tjerë të skuadrës, të cilët jo vetëm që barazuan, por ditën edhe të kalojnë në avantazh dy herë të tjera. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", goleadori më i mirë i kampionëve vitet e fundit pranon se nuk po kalon një gjendje të mirë psikologjike. "Më vjen shumë keq për penalltinë e humbur në Peqin. Në ato momente e kishim mbyllur në disavantazh pjesën e parë dhe u hodhëm të gjithë në sulm në kërkim të golit. Penalltia e fituar nga Xhafa qe e merituar për ne, por nuk e shfrytëzova ashtu siç duhet. Më mungoi fati, gjithashtu më ndëshkoi edhe gjendja psikologjike jo fort e mirë që po kaloj së fundmi. Gjithsesi, dua të falënderoj shokët, të cilët nuk e humbën kurajon dhe luftuan deri në minutën e fundit të ndeshjes për ta fituar atë,"- thotë numri 11 i kampionëve. Penalltia e humbur me Shkumbinin ishte e dyta që Indrit Fortuzi humbet brenda dy muajsh, pas asaj të humbur në Gjeorgji me Dinamon e Tbilisit për Ligën e Kampioneve. Sidoqoftë, ai nuk dorëzohet dhe pranon se 11-metërsha kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj. "Kjo penallti e humbur së fundmi ishte dyta që humbas në një periudhë të shkurtër kohë, pas asaj në Ligën e Kampioneve. Nuk dua të shfajësohem kur them se penallti kanë humbur edhe lojtarë me famë të madhe botërore. Çdo futbollist mund të kalojë periudha të këqija, por, gjithsesi, unë nuk dorëzohem dhe, nëse më jepet sërish mundësia për të gjuajtur 11-metërsha, nuk do të hezitoj të godas,"- bën të ditur 30-vjeçari. Duke lënë mënjanë aspektin personal, Indriti bën edhe një "radiografi" të ndeshjes me peqinasit. Sipas tij, skuadra e Shkumbinit ishte tej mase e mobilizuar për marrjen e pikëve të para në këtë sezon. "Me Shkumbinin e patëm të vështirë, duke qenë se ai nuk kishte asnjë pikë në tri ndeshjet e para. Kemi pësuar një gol që në minutat e para ta lojës dhe më pas e patëm të vështirë të depërtonim. Në pjesën e dytë, zëvendësimet dhe loja sulmuese e krijuar nga ana jonë solli dhe fitoren 3-1. Edhe pse humbëm penallti dhe ishim me një lojtar më pak në fushë, treguam karakterin e fortë të Tiranës. Për këtë javë jemi të vetëm në krye të renditjes dhe ky fakt na jep kënaqësi dhe kurajo për të punuar akoma më shumë. Dy javët e ardhshme do të jenë të nxehta për ne, pasi do të ndeshemi me dy kundërshtarë direktë në luftën për titull, siç janë Vllaznia dhe Partizani. Është momenti më i mirë për të treguar që këto katër fitoret e thella të arritura nuk janë rastësi dhe se jemi skuadra që duhet të mundemi në kampionatin shqiptar,"- i ka dhënë fund deklaratës së tij sulmuesi bardheblu, Indrit Fortuzi.


Postuar nga qershor13 datë 23 Shtator 2003 - 18:17:

Njëshi i stolit bardheblu komenton dy golat e pësuar së fundmi dhe ndeshjen e radhës me Vllazninë
Mema: Nënvleftësimi, problemi ynë


Që kampionët kanë fituar me vështirësi ndaj Shkumbinit, ky tashmë është një fakt i njohur. Por nëse ka probleme në mbrojtje Tirana, duke qenë se në dy ndeshjet e fundit ka pësuar dy gola në minutat e para të lojës, është trajneri Sulejman Mema që e jep përgjigjen. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", tekniku bardheblu shprehet se prapavija nuk ka probleme që të shqetësohet. "Nuk besoj se kemi probleme në repartin e mbrojtjes, edhe pse në dy takime e kemi nisur ndeshjen në disavantazh. Po t'i shikosh me vëmendje si golin me Besën dhe atë me Shkumbinin, kanë qenë rrjedhojë e një nënvleftësimi që i kanë bërë mbrojtësit tanë topit në kundërsulm, por edhe në goditje standarde. Gjithsesi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në katër ndeshjet e para kemi shënuar 19 gola dhe kemi pësuar 2 dhe jemi të vetëm në krye të klasifikimit,"- thotë tekniku Mema.
Megjithatë, edhe pse Tirana është skuadra e vetme në Grupin A1 që udhëheq e vetme me pikë të plota, njëshi i stolit, me eksperiencën e tij, nuk kërkon të ndalet këtu. Ai e di që deri tani janë luajtur vetëm 4 "akte", nga 36, dhe rruga drejt titullit kampion është e gjatë. "Nuk duhet të kënaqemi me kaq sa kemi arritur deri tani. Sezoni është i gjatë dhe ka oshilacione të ndryshme, të cilat ne duhet t'i shmangim për të mos na hapur telashe. Duhet të vazhdojmë të punojmë me dëshirë çdo ditë të javës, që më pas ta kemi të lehtë në ndeshje. Ky grup futbollistësh që drejtoj është në gjendje të bëjë shumë dhe t'i bindë të gjithë njëkohësisht se janë kampionë të vërtetë,"- bën të ditur Sulejman Mema. Duke u rikthyer te ballafaqimi me peqinasit ditën e shtunë, trajneri thotë se ekipi i tij hasi vështirësi të mëdha për ta fituar ndeshjen, pasi vendësit kërkonin pikë me çdo kusht. "Me Shkumbinin e kemi pasur tej mase të vështirë, duke qenë se ata ishin pa asnjë pikë në renditje, ndaj nesh u përpoqën të merrnin pikë me çdo kusht. Gjithsesi, ne ia dolëm mbanë dhe fituam, edhe pse me 10 lojtarë në fushë."
Penalltia dhe kartoni i kuq ishin ekzistentë? "Besoj se po. Xhafa u pengua dukshëm në zonë dhe penalltia qe e rregullt. Ndërkohë, për kartonin e kuq të Pinarit, jam me dyshime, por në të tilla situata ku ishte ndeshja ishte e sigurt marrja e kartonit të kuq,"- vijon komentin e tij Mema.
Java e pestë i rezervon Tiranës një ndeshje të vështirë në "Qemal Stafa", ku mysafirë do të jenë shkodranët e Vllaznisë. Kuqeblutë kanë marrë tri pikët e para në këtë kampionat me Elbasnin dhe vijnë me moral të lartë. Gjithsesi, gjatë javës në vazhdim, bardheblutë do të përpiqen të përgatiten denjësisht për marrjen e fitores. Trajneri e pranon se do të jetë një sfidë delikate për mbarëvajtjen e kampionatit, kur thotë: "As diskutohet që takimi me Vllazninë do të jetë i vështirë për vetë traditën që ka në futbollin shqiptar. Gjithmonë në kryeqytet, shkodranët na kanë vënë në vështirësi, prandaj gjatë gjithë javës do t'i marr të gjitha masat e duhura për t'i neutralizuar pikat e forta të tyre. Besoj se do të zhvillohet një lojë e bukur dhe në fund ka për të fituar skuadra më e mirë,"- i jep fund komentit të tij trajneri Sulejman Mema.

-----------------///////////--------------------------

Bardheblutë në kërkim të mbrojtësve për Vllazninë

Edhe pse vetëm një ditë ka kaluar nga stërvitja e fillimjavës, bardheblutë, pas fitores së vështirë në Peqin, janë në telashe për gjetjen e zëvendësuesve në repartin e mbrojtjes. Tekniku Mema nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Dede, të dëmtuar, si dhe të skualifikuarin me karton të kuq, Pinarin. Aktualisht, Tirana ka vetëm dy mbrojtës të deklaruar, Hajdarin dhe Dabullën. Me një mbrojtje treshe, që aplikon trajneri bardheblu, duhet medoemos të gjendet një lojtar brenda grupit. E vetmja gjë që mund të bëhet është sakrifikimi i tre mesfushorëve: Lici, Ervin Bulku dhe Alban Tafaj. Tre lojtarët e fundit e kanë provuar disa herë për ta bërë rolin e stoperit edhe gjatë sezonit të kaluar dhe këtë herë duhet të rikonfirmohen. Nëse përkrah Hajdarit dhe Dabullës do të luajë Lici, atëherë Agolli do të kalojë nga qendra në krahun e majtë të mesfushës. Ndoshta në rolin e liberos mund të provohet edhe Ervin Bulku, i rikthyer së fundmi nga dëmtimi. Gjithsesi, këto janë enigma që do të marrin zgjidhje vetëm gjatë kësaj jave stërvitje.
Për sa i takon stërvitjes së djeshme, ajo ka qenë, si zakonisht, me dy seanca, paradite dhe mbasdite, dhe nuk ka pasur probleme dëmtimesh të futbollistëve.


Postuar nga i_lire datë 25 Shtator 2003 - 22:13:

Kater ndeshje të luajtura dhe vetëm dy gola të pësuar e megjithatë në kritikat e shtypit, mbrojtja e Tiranës është më e kritikuara. Kundër Vllaznisë do mungojnë dy titullarë, Dede i dëmtuar dhe pinari i skualifikuar, megjithatë një nga shtyllat e këtij reparti, Rezart dabulla mendon se skuadra ka forca dhe futbollistë të aftë për të luajtur me suskses në këto role.

Vërtet, a është mbrojtja problem për bardheblutë. Realisht skuadra në katër ndeshje ka arritur po kaq fitore, duke mos vënë në dyshim asnjëherë triumfin. Fakt është se ka fituar ndaj skuadrave që mbyllin tabelën e klasifikimit, por lojtari i kombëtares shqiptare ka mendim tjetër, pra është filozofia e lojës së tiranës, ajo që dominon dhe mbrojtja më parë se të mendojë për të ruajtur portën, mendon për të ndihmuar ekipin të shënojë. Kjo është një filozofi loje, e cila me 19 golat e shënuar për momentin i ka dhënë të drejtë skuadrës. Kundër Vllaznisë e më pas kundër Partizanit do jetë tjetër muzikë, do jenë të tjera ndeshje, por duket e pamundur që skuadra kampione, e destinuar të fitojë të gjitha ndeshjet të ndryshojë strategji, aq më shumë që në pankinë ka një trajner si Sulejman mema, adhuruesin e lojës sulmuese.


Postuar nga Prifti i fshatit datë 25 Shtator 2003 - 22:57:

I nderuar Amin

Kur lexoj ato qe shkruan ti me duket sikur lexoj per veten time. Ju lutem te gjitheve qe kqne materiale ti çojne ne kete faqje me adresen zebraklub@aemail4u.com


Pershendetje te gjitheve


Postuar nga i_lire datë 29 Shtator 2003 - 00:47:

TIRANA fiton kundra Vllaznise

Tirana fiton me shumë vështirësi 3-2 ndaj Vllaznisë për javën e pestë të kampionatit. Një tripikësh me shumë vlera për bardheblutë, pasi tani e shohin veten të shkëputur katër pikë nga dy ndjekëset më të afërta, Teuta dhe Partizani.

Takimi ka nisur emocionues që në minutat e para, ku të dyja skuadrat hodhën vështrimin nga portat respektive. Do të jetë Tirana e para që do të kalojë në avantazh falë një goli të ideuar dhe të përfunduar me sukses nga Devi Muka. Vlonjati si gjithmonë bënte diferencën në fushë me futbollistët e tjerë, duke qenë "mushkëria" e Tiranës falë edhe organizimit të përsosur që i bënte lojës. Goli i shënuar nga kampionët i entuziazmoi disi ata, nga ku më pas lëshuan disi në lojën e tyre. Vllaznia, e cila vinte në kryeqytet pas fitores së parë me Elbasanin, dilte rrezikshëm në kundërsulm, pasi edhe mënyra e lojës qe ndërtuar e tillë, ku do t'i shërbehej me topa vetëm Sinanit, ndërsa pesë mesfushorë të tjerë do ta mbështesnin nga prapa. Mungesa e Martinit dhe e Telit e detyroi Haxhiosmanoviçin të bënte ndryshime në formacionin titullar. Edhe Mema kishte spostuar Licin në vend të Pinarit të skualifikuar. Mbrojtja bardheblu në momente të veçanta të lojës tregoi dobësi dhe si rrjedhojë shkodranët gjetën rrugën e golit me anë të Osjes. Kampionët nuk pajtohen me këtë barazim dhe hidhen të gjithë në sulm në kërkim të golit të fitores. Ai do të vinte vetëm në fundin e pjesës së parë falë edhe një goditje spektakolare nga jashtë zone nga qendërmbrojtësi Hajdari. Pjesa e dytë do të nisë me sulme dhe kundërsulme nga të dyja palët. Tekniku bardheblu bëri disa ndryshime në formacion, duke kthyer Sinën stoper dhe duke nxjerrë Licin në krahun e majtë të mesfushës. Ndërkohë në të djathtin kaloi Halili, i cili zëvendësoi Agollin. Diçka ndryshoi në lojën e bardhebluve, por goli i barazimit nga kuqeblutë do të vinte menjëherë. I riu Salihi në hyrje të zonës i fiton një penallti Dabullës, e cila kthehet në gol nga kapiteni Sinani. Kishin mbetur edhe 15 minuta lojë dhe rezultati qe i barabartë 2-2. Mema sërish lëviz në stol, ku aktivizon Merkoçin në vend të Xhafës dhe Ervin Bulkun për Sokol Bulkun. Këtu ndryshon dhe rrjedha e lojës, ku të dy të sapofuturit i japin frymarrje sulmit. Fortuzi nxjerr të lirë Merkoçin brenda zonës, i cili shënon golin e avantazhin dhe të parin personal në këtë kampionat. Kampi dhe tifozeria bardheblu kalojnë në "ekstazë". Minutat fundit të lojës kanë qenë drithëruese për të dyja ekipet. Gjithçka përfundon këtu, ku Tirana fiton një ndeshje me dorë në zemër, ndërsa Vllaznia tregoi se po rikthehet në nivelet e saj të kaluara, duke lënë pas fillimkampionatin. Kjo javë e sheh sërish të vetme Tiranën në krye të klasifikimit, por me një ndryshim se është e shkëputur 4 pikë dhe jo 2 nga rivali i drejtpërdrejtë Partizani.

Minutat e lojës
1'- Muka pason për Sinën në të djathtë, i cili kroson në zonë për Xhafën. Vlonjati gjuan me kokë dhe pret Grima.
3'- Salihi nuk përfiton brenda zonës për të shënuar, pasi Lici tregohet më i shpejtë duke i larguar topin.
4'- Kundërsulm i Tiranës me Sinën në të djathtë, mesfushori i krahut pason për Mukën, i cili godet dhe grushton portieri mik.
7'- Kombinim dysh spektakolar ndërmjet Mukës dhe Fortuzit. "Zogu" nxjerr të lirë brenda zonës vlonajtin, i cili se ka të vështirë të shënojë golin e parë të takimit. 1-0 për Tiranën.
9'- Agolli kroson nga e majta për Fortuzin, por goleadori nuk arrin ta prekë topin për ta dërguar në rrjetë, pasi është një hap prapa.
15'- Një top nga goditje këndi gjen të lirë brenda zonës Dabullën. Mbrojtësi gjuan fort dhe i gatshëm për të grushtuar është Grima.
20'- Muka ekzekton një goditje dënimi dhe pret i sigurt portieri shkodran.
25'- Salihi del i vetëm përballë Hidit dhe gabon fatalisht për të barazuar rezultatin.
29'- Cungu pason për Osjen në të djathtë, mbrojtësi pasi gënjen Agollin, gjuan në drejtim të portës dhe gol. Shkodranët barazojnë dhe 1-1.
32'- Muka shpërthen nga e djathta, kroson për Xhafën në zonë, por sulmuesi godet keq.
38'- Fortuzi pason për Pastushin, i cili gjuan fuqimisht nga jashtë zone, por jashtë.
45'- Xhafa futet brenda zonës dhe fiton një goditje këndi. Kroson Muka dhe Hajdari nga jashtë zone, gjuan me të majtën, duke shënuar një eurogol. Tirana kalon në avantazh sërish dhe këtu mbyllet pjesa e parë.
48'- Halili nxjerr të lirë brenda zonës Xhafën, i cili tregohet shumë altruist në vend të godiste vetë dhe humbet një rast goli.
55'- Kombinim tresh Muka-Fortuzi-Xhafa, ky i fundit del i lirë brenda zonës, gjuan dhe topi përplaset në tranversë.
57'- Salihi godet lehtë brenda zonës dhe Hidi pret i sigurt.
62'- Sinani ekzekuton keq një goditje dënimi jashtë zone.
64'- Ahu del i lirë brenda zonës, gjuan fort por jashtë, duke humbur një rast goli.
70'- Muka kroson nga goditje dënimi, Patushi në zonë gjuan me kokë dhe jashtë.
73'- Salihi fiton një penallti pasi ndërpritet brenda zonës nga mbrojtësit bardheblu. Ekzekuton Sinani dhe gol. Rezultati barazohet në 2-2.
76'- Muka ndërpritet me faull nga Zmijani dhe fiton nga goditje dënimi. Kroson E.Bulku dhe topi është i paarritshëm për sulmuesit bardheblu.
80'- Sina pason për Fortuzin në zonë, i cili bën një mur me Merkoçi, duke e nxjerrë të lirë atë dhe duke i dhënë mundësinë për të shënuar golin e tretë për kampionët. Tirana e sheh sërish veten në avantazh 3-2.
85'- Merkoçi, i lirë brenda zonës, nuk godet si duhet një top të dhënë nga mesfusha.
90'- E.Bulku gjuan lehtë nga jashtë zone, duke ia dhuruar topin në dorë Grimës.
92'- Fortuzi del i lirë me Grimën, nuk gjuan vet dhe pason për Merkoçin. Belisha, i ndodhur në zonë, largon topin në fundore, duke evituar në gol të sigurt.
94'- Në minutën e fundit shtesë, i riu Salihi gjuan brenda zonës dhe Hidi kthehet në shpëtimtarin e Tiranës, duke grushtuar topin.

Sulejman Mema, trajneri i Tiranës:
Ishte një fitore me shumë vuajtje nga ana jonë. Bëmë shumë gabime dhe detyrimisht u ndëshkuam. Vllaznia zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe unë një fakt të tillë e dija dhe përpara fillimit të takimit. Fitorja qe e merituar, pasi gjatë gjithë 90 minutave ishim ne të parët që kalonim në avantazh. Kemi akoma punë për të bërë, për momentin duhet t'i gëzohemi tri pikëve të marra dhe kryesimit në renditje. Për barazimin e Partizanit nuk mund të them asgjë, pasi ne shohim rrugën tonë dhe nuk presim favore prej të tjerëve.

Dervish Haxhiosmanoviç, trajneri i Vllaznisë:
U largua pa u prononcuar.
Ilir Dibra, futbollist i Vllaznisë:
Mendoj se më i drejtë do të ishte barazimi për mënyrën se si rrodhën ngjarjet. Kemi humbur shumë raste të pastra përpara portës kundërshtare. Njëkohësisht kemi zhvilluar një nga lojërat tona më të bukura në këtë kampionat. Më vjen keq për këtë humbje, pasi nuk e meritonim. Por futbolli ky është, ndëshkohesh kur s'e pret. Tani na mbetet që të shohim për ndeshjen e radhës.

Të veçanta
- Një numër i madh tifozësh shkodranë ishin mbështetje për Vllazninë në shkallët e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa".
- Edhe këtë herë televizoni publik shqiptar transmetoi "Live" takimin, duke qenë se ka blerë të drejtën televizive të kampionëve.
- Të dy presidentët respektivë El Sajed dhe Çela e kanë ndjekur me shumë emocione ndeshjen.
- Në tribunën VIP ndodhej presidenti i FSHF-së, Armando Duka, dhe sekretari Sulejman Starova. Ndër politikanët binte në sy prania e tifozëve bardheblu Bamir Topi dhe Dashamir Shehi.


Postuar nga qershor13 datë 29 Shtator 2003 - 19:29:

Qendërmbrojtësi i kampionëve ka shënuar një eurogol të shtunën ndaj Vllaznisë në fitoren e vështirë 3-2
Hajdari: Kjo, "bingoja" ime bardheblu


Gentian Hajdari, mbrojtësi luftarak i Tiranës, duhet të priste shumë gjatë për të shënuar të parin gol me fanellën bardheblu. Dhe jo një gol dosido, por një eurogol të shënuar nga 25 metra. Ky është sezoni i tij i katërt në radhët e kampionëve, por ai asnjëherë nuk kishte mundur ta gjente rrugën e rrjetës. Kjo edhe për shkak të pozicionit të tij si qendërmbrojtës, siç e pohon vetë Gentiani. Gjithsesi, ndoshta ia vlen të presësh kaq gjatë.
Në një deklarim për "Sportin shqiptar", Hajdari shprehet mjaft i kënaqur pas suksesit të arritur me shkodranët për javën e pestë të kampionatit. "Jam shumë i lumtur për atë gol të bukur që shënova ndaj shkodranëve. Kjo ishte, si të thuash, "bingoja" ime e parë bardheblu që kur ndodhem në skuadrën e Tiranës. Në atë moment, kur pashë që topi po më afrohej, nuk u mendova dy herë dhe godita menjëherë në drejtim të portës. Sfera mori një trajektore vërtet të çuditshme dhe nuk i dha mundësi portierit kundërshtar ta shmangte,"- thotë numri 16 i kampionëve. Përpara shënimit të atij eurogoli, rezultati i ndeshjes ishte i fiksuar në shifrat e barabarta 1-1. Tirana u hodh e gjitha në sulm në fundin e pjesës së parë dhe në këto momente erdhi dhe goditja "vdekjeprurëse" e Hajdarit, çka solli një gëzim në kampin bardheblu. Ish-dinamoviti ka marrë plotësisht karakteristikat e lojës plot grintë të Tiranës dhe është një ndër "kartat" e vlefshme të Memës në të gjitha sektorët mbrojtës të fushës. Një gjë të tillë ai e shpreh edhe vetë: "Ndihem i motivuar në këtë skuadër, pasi kam afro katër vjet që jap kontributin këtu. Gjithmonë mundohem të jap maksimumin në lojë, pavarësisht nëse luaj në mbrojtje apo në mesfushë. Për mua ka rëndësi që Tirana të fitojë në çdo ndeshje."
Duke lënë mënjanë aspektin personal, Gentiani flet edhe për atë 90-minutësh me vuajtje ndaj kuqebluve. "Takimin e kemi nisur mirë, kur shënuam që në minutat e para të lojës. Kjo solli njëfarë euforie në lojën tonë dhe shkodranët na barazuan. Gjithsesi, ne nuk e ulëm ritmin dhe gjithmonë ishim në nivel më të lartë se shkodranët. Edhe pse ata na barazuan dy herë, të gjithë në grup ishim të bindur se do ta fitonim ndeshjen. Fati e deshi që golin e fitores ta shënonte Merkoçi, një nga sulmuesit e talentuar që kemi në skuadër. Jemi të kënaqur me këtë fitore të merituar dhe tashmë shohim përpara,"- bën të ditur mbrojtësi energjik.
Po penalltia? "Gjatë lojës ishin dy raste të dyshimta, një për ne dhe një për shkodranët. Në rastin kur sulmuesi i Vllaznisë u pengua në zonë, gjyqtari akordoi menjëherë penallti kundër nesh, ndërkohë që kur topi u prek në zonë me dorë, Sazan Velçani hezitoi ta jepte. Gjithsesi, unë nuk dua të polemizoj, pasi tani çdo gjë ka përfunduar dhe ne e shohim veten të shkëputur 4 pikë nga rivali i drejtpërdrejtë, Partizani,"- përfundon mbrojtësi-gol i kampionëve, Gentian Hajdari.


Kampionët, sot përgatitjet për Cërrikun

Pas suksesit 3-2 të shtunën në kampionat ndaj Vllaznisë, bardheblutë sot do t'i rikthehen stërvitjes së tyre të zakonshme. Ajo do të jetë e ndarë në dy seanca, si zakonisht, paradite dhe pasdite. Ndërkohë, përpara derbit me Partizanin të shtunën, kampionët do të luajnë ndeshjen e kthimit për turin e dytë të kupës me Cërrikun. Ndeshja e parë, siç dihet, ka përfunduar me fitoren e pastër 3-0 të Tiranës, ndërkohë që në takimin e kthimit pritet që tekniku Mema të aktivizojë një pjesë lojtarësh të rinj dhe atyre "veteranë", që nuk u është dhënë mundësia për të luajtur. Në këtë ballafaqim me cërrikasit do të jetë i gatshëm edhe Pinari, i skualifikuar me karton të kuq në ndeshjen me Shkumbinin.


Postuar nga qershor13 datë 30 Shtator 2003 - 19:06:

Sulmuesi bardheblu ka shënuar golin e parë në këtë kampionat dhe atë të fitores ndaj shkodranëve
Merkoçi: Më në fund, e gjeta golin


Eldorado Merkoçi, sulmuesi këmbëshpejtë i Tiranës, duhet të priste javën e pestë për të gjetur golin e tij të parë në këtë kampionat. Një gol në minutat e fundit të lojës, që u dhuroi kampionëve një tripikësh me vlera ndaj një kundërshtari të vështirë, si Vllaznia. Sulmuesi bardheblu e ka nisur takimin nga stoli dhe, në ato pak minuta që iu dha mundësia për të luajtur, tregoi se është një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit dhe pikë e fortë e bardhebluve. Pa dyshim, ndihet i kënaqur për këtë sukses dhe, në një deklarim për "Sportin shqiptar," shprehet: "Më në fund, e gjeta dhe golin tim të parë në këtë kampionat. Jam shumë i kënaqur që arrita të bëja më të mirën për Tiranën në atë fitore të vështirë, e cila na shkëput të vetëm në krye të klasifikimit. Nuk ka qenë e lehtë që ta rigjeja golin, duke qenë se kam kaluar disa dëmtime njëri pas tjetrit. Gjithsesi, shpresoj që ky gol të ketë këmbën e mbarë dhe të vazhdoj me këto ritme dhe ne të ardhmen, ku na presin sfida të rëndësishme,"- thotë 25-vjeçari. Nuk duhet harruar që Merkoçi ka qenë edhe autori i dy golave në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, me cërrikasit. Megjithatë, për të, ato gola nuk kanë të njëjtin rëndësi sa me ato të kampionatit.
Si për koincidencë, Eldorado ka shënuar shpesh ndaj Vllaznisë. Goli i fundit regjistrohet në kampionatin e kaluar, në atë fitore 3-1 të Partizanit në kryeqytet. Ndërkohë, për të, kuqeblutë janë një ndër ekipet ku ai ka dhënë kontributin e tij në kampionatin shqiptar. Ka qenë një huazim që drejtuesit bardheblu i bën atij te shkodranët e Vllaznisë, në kuadrin e ndeshjeve evropiane para tri sezonesh, prandaj dhe pas golit të së shtunës ai nuk gëzoi për respekt të tifozerisë kuqeblu, siç e pohon edhe vetë. Ndërsa për ecurinë e deritanishme të skuadrës së Tiranës, Eldo komenton se deri tani, nga ana e të gjithë drejtuesve dhe futbollistëve, është bërë një punë shumë e mirë. "Deri tani jemi në rrugë të drejtë, sepse në pesë ndeshje kemi koleksionuar pesë fitore. Skuadra, ndonëse në momente të veçanta të lojës, ka treguar neglizhim, por më pas ka ditur ta rimarrë veten. Hëpërhë, e shohim veten katër pikë të shkëputur nga dy kundërshtarët direktë, si Partizani dhe Teuta. Për mua, të kuqtë janë skuadra së cilës duhet t'i ruhemi. Derbi i së shtunës me ta do të tregojë më së miri forcën e të dy ekipve. Edhe pse kemi ndeshjen e kthimit për kupë të mërkurën, përgatitjet këtë fillimjavë i kemi nisur me synimin për ditën e shtunë. Të jeni të bindur se ky ballafaqim do të jetë edhe më spektakolar se me Vllazninë,"- i ka dhënë fund deklarimit të tij sulmuesi i talentuar Eldorado Merkoçi.


Trajneri Mema, analizë gabimeve

Kampionët kanë nisur dje përgatitjet e tyre të zakonshme për këtë fillimjavë. Pas fitores së të shtunës 3-2 ndaj Vllaznisë dhe pas një dite pushim, dje bardheblutë kanë zhvilluar dy seanca stërvitore, paradite dhe pasdite. Përpara tyre, tekniku Sulejman Mema i ka mbledhur të gjithë lojtarët rreth vetes dhe ka bërë analizën post-Vllaznia. Njëshi i stolit bardheblu i ka përgëzuar të tijtë për fitoren dhe u ka vënë në dukje dobësitë e shfaqura gjatë atij 90-minutëshi me kuqeblutë. Sipas Memës, ishte Tirana ajo që e vështirësoi takimin me shkodranët me gabimet që bëri sidomos në mbrojtje. Si në momentin e golit të parë, ashtu dhe në rastin e penalltisë, mbrojtësit Agolli dhe Dabulla gabuan në markimin një për një me kundërshtarin. Mema e analizoi ndeshjen në çdo detaj dhe u kërkoi futbollistëve të jenë më të kujdesshëm për në vazhdim, pasi çdo gabim mund të jetë i ndëshkueshëm. Më pas, skuadra ka vijuar përgatitjet e saj, të cilat, ashtu si një javë më parë, do të jenë shumë të nxehta. Edhe pse nesër do të luhet takimi i kthimit me Cërrikun për turin e dytë të kupës, stafi drejtues i kampionëve po mendon seriozisht për ndeshjen derbi të së shtunës ndaj Partizanit. Për këtë ballafaqim të rëndësishëm për javën e gjashtë të kampionatit, do të jetë i gatshëm edhe stoperi Luan Pinari, i skualifikuar në sfidën me shkodranët. Ndërkohë, pjesa tjetër e futbollistëve (me përjashtim të Dedes, të dëmtuar), gëzon formë të mirë. Sot, Tirana ka seancën e fundit stërvitore dhe nesër, në stadiumin "Selman Stërmasi", do të presë miqtë cërrikas. Takimi i parë ka përfunduar me fitoren 3-0 për bardheblutë, me gola të shënuar nga Merkoçi (2) dhe Tafaj.


Postuar nga qershor13 datë 02 Tetor 2003 - 17:51:

Goleadori i kampionëve është i bindur në fitoren e skuadrës së tij të shtunën ndaj rivalëve të kuq
Fortuzi: Derbi do të flasë bardheblu


Kur na ndajnë edhe dy ditë nga derbi kryeqytetas Partizani-Tirana, kanë filluar të lëshohen edhe "shigjetat" e para bardheblu për këtë ballafaqim të rëndësishëm për javën e gjashtë të kampionatit. Ai që lëshon "dorashkën" është goleadori i Tiranës, Indrit Fortuzi. Numri 11 i kampionëve është i bindur në fitoren e skuadrës së tij ndaj rivalëve të përjetshëm të Partizanit. Në një deklarim për "Sportin shqiptar, "Zogu" shprehet: "Jam i sigurt në idenë time se derbi me Partizanin do të flasë bardheblu. Për ne, ky takim është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për tri pikët që luhen në mes, por edhe për dëshirën e madhe të tifozerisë. I kemi të gjitha mundësitë të bëjmë një paraqitje dinjitoze në këtë ndeshje të madhe,"- shprehet Indriti. Në pesë javët e para, ai e ka gjetur rrugën e golit 4 herë, po aq sa dhe Muka, duke përbërë njëkohësisht dyshen sulmuese më të mirë të kampionatit. Duket se Fortuzi i ka lënë pas të gjitha dëmtimet e sezonit të kaluar dhe tashmë është plotësisht i gatshëm për të dhënë kontributin e tij. Në rolin e kapitenit (pas dëmtimit të Dedes), ai kërkon që t'i mbajë sa më shumë në tonus shokët e skuadrës. Megjithatë, është i ndërgjegjshëm për vështirësinë që do të ketë ky 90-minutësh i radhës dhe kërkon përqendrim maksimal. "Është normale që përballjet derbi kanë vështirësitë e tyre. Ne, gjatë gjithë kësaj jave po përgatitemi fort që të minimizojmë sadopak gabimet që bëmë ndaj Vllaznisë. Gjatë gjithë lojës duhet të jemi të vëmendshëm për të mos rënë viktimë e kundërsulmeve të Partizanit. Atyre ua njohim mirë mënyrën e lojës që aplikojnë dhe ky do të jetë sekreti nga i cili kemi menduar t'u kundërpërgjigjemi,"- thotë sulmuesi bardheblu. Për ndeshjen me Partizanin, bardheblutë cilësohen skuadër udhëtuese, megjithatë kjo nuk i ndryshon aspak objektivat e Tiranës. "Edhe pse normalisht cilësohemi skuadër udhëtuese në këtë takim, për ne nuk ka ndryshim në objektiva apo në mënyrën e lojës. Ne do të bëjmë lojën tonë karakteristike, duke treguar se jemi kampionë në fuqi dhe 5 fitoret e arritura deri tani nuk janë surprizë. I pyetur në fund të deklarimit, sesa ndikon në luftën për titull ky derbi i parë, Indrit Fortuzi thotë: "Natyrisht, ndikon shumë, por nuk është përcaktues në luftën për titull. Kampionati është shumë i gjatë këtë sezon dhe është e vështirë të flasësh që tani. Nëse arrijmë ta marrim këtë tripikësh të radhës, do të na japë një moral të lart për takimet e radhës. Partizani është rivali ynë i drejtpërdrejtë, prandaj fitorja ndaj tij ka vlera dyfishe,"- i jep fund idesë së tij goleadori bardheblu, Indrit Fortuzi.


Postuar nga qershor13 datë 03 Tetor 2003 - 12:50:

"Gardiani" i kampionëve është i bindur se nesër, në derbi, asnjë prej të kuqve nuk do të shënojë
Egbo: Me Partizanin, porta me "çelës"


Ka afërsisht tre vjet që luan në radhët e Tiranës dhe ka treguar se është i vetmi lojtar cilësor i huaj që u ka rezistuar ndryshimeve të klubit bardheblu vitet e fundit. Ndoshta fakti që presidenti El Sajed e ka një ndër lojtarët e tij të preferuar (e ka sjellë nga klubi i tij në Egjipt, El Masri) dhe ambientimi i shpejtë me klimën shqiptare, e ka bërë nigerianin Emanuel Egbo një ndër pikat më të forta të kampionëve. Ndihet i lumtur në kryeqytet dhe duket se do të jetë shumë e vështirë të ndahet nga Tirana. Duke u futur në emocionet e ndeshjes derbi me Partizanin, 30-vjeçari shpreh bindjen e tij se porta nuk do të preket gjatë gjithë 90-minutëshit. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", "gardiani" i katërkëndorit bardheblu thotë: "Për derbin e së shtunës me Partizanin kam një besim në vetvete se nuk do të pësojmë gol. Edhe nëse do të jem unë titullar apo dhe Hidi, të dy i kemi të gjitha mundësitë për ta ruajtur të paprekur kuadratin. Këtu duke përfshirë edhe ndihmën e madhe të tre mbrojtësve që kemi përpara, sepse i kemi të gjitha mundësitë që të mendojmë vetëm për sulmin,"- citon Egbo.
Në pesë javët e para të kampionatit, Tirana ka pësuar 4 gola (2 me Vllazninë, 1 me Besën dhe 1 me Shkumbinin) dhe ka shënuar 22 të tillë. Me këtë golaverazh, kampionët po tregojnë më së miri forcën e tyre në futbollin shqiptar. I këtij mendimi është edhe Emanueli, kur shprehet se Tiranës i duhen gjetur kundërshtarë. "Me këtë ecuri të deritanishme, po i tregojmë më së miri vlerat e skuadrës më të mirë të kampionatit shqiptar, si dhe kampiones në fuqi. Të arrish të marrësh pikët e plota në pesë javë dhe të shkëputesh 4 pikë nga rivalët direktë, do të thotë që deri tani Tiranës po i mungojnë kundërshtarët. Gjithsesi, kampionati është më i gjatë se herët e tjera në këtë sezon të ri dhe ne duhet të mbajmë këtë ritëm edhe në vazhdim." A është kjo Tirana më e mirë që ju njihni? "Pa dyshim që po. Unë kam tre vjet në Shqipëri dhe kam vënë re se kjo skuadër e sivjetme është më e fortë nga ajo që u shpall kampione. Jemi pothuajse i njëjti grup lojtarësh, me përjashtime të vogla, çka do të thotë se ia njohim mirë lojën njëri-tjetrit. Ndërmjet nesh ekziston një klimë e ngrohtë dhe miqësore, sepse edhe trajneri Mema ka ditur t'i gjejë ekuilibrat e duhura,"- vazhdonë në idenë e tij nigeriani Emanuel Egbo. I pyetur në lidhje me rotacionin që trajneri po aplikon këtë edicion, njëshi i portës kampione thotë: "Të përdorësh metodën e rotacionit edhe në portë, do të thotë që të kesh në dispozicion dy portierë të zot. Tirana e ka këtë mundësi, sepse së bashku me Hidin përbëjmë një garanci më shumë për objektivat e skuadrës. Për mua nuk është problem nëse luaj apo jo në çdo ndeshje. Rëndësi ka që kur të jem titullar të jap më të mirën time,"- bën të ditur 30-vjeçari. Në fund të deklarimit, duke u rikthyer të derbi me Partizanin, për Emanuelin nuk është hera e para që do të provojë shijen e një 90-minutëshi të zjarrtë. Ai është i bindur se Tirana do të dijë të dhurojë spektakël në këtë takim dhe në fund do të marrë frytet. "Loja spektakolare me rivalët e kuq do të jetë e garantuar. Besoj se do të jetë një ndeshje emocionuese, ku tifozëve tanë do t'u dhurojmë kënaqësi dhe në fund do t'i gëzojmë me tri pikët,"- përfundon me shqipen e tij të përmirësuar portieri nigerian, Emanuel Egbo.


Postuar nga qershor13 datë 06 Tetor 2003 - 19:24:

Tekniku bardheblu komenton humbjen shkatërruese 3-1 të skuadrës së tij ndaj rivalëve të kuq
Mema: Të paktën jo me Partizanin


Më shumë se çdokush tjetër në skuadrën e Tiranës, peshën e humbjes në derbi e ndien trajneri i kampionëve, Sulejman Mema. E ndien veten të tradhtuar nga ajo çfarë të besuarit e tij dhuruan në fushë gjatë 90 minutave me Partizanin, megjithatë nuk dorëzohet. Edhe pse është e vështirë të komentosh disfata të tilla në derbi, Mema, si një profesionist i vërtetë, ka pasur kurajon të flasë dhe të vërë në dukje dobësitë e djemve të tij. Sipas Memës, humbja erdhi si rrjedhojë e një loje pa karakter dhe ide e të gjithë futbollistëve që u aktivizuan. "Ndeshja me Partizanin ka qenë më e dobëta që ekipi im ka zhvilluar deri tani. Të gjithë futbollistët zhvilluan një lojë pa karakter, një cilësi që Tirana e ka pjesë të strategjisë së saj. Normalisht, kur je i pamotivuar dhe luan një futboll demode, rezultati është i pritshëm,"- shprehet njëshi i stolit bardheblu. Duke bërë një radiografi të minutave të luajtura, Sulejman Mema thotë: "Takimin e nisëm mirë, kur që në sekondat e para të lojës e gjetëm rrugën e golit. Kjo solli njëfarë euforie në lojën tonë dhe, si pasojë, lëshuam shumë në mesfushë dhe në mbrojtje. Lojtarët e Partizanit nuk u dorëzuan dhe filluan gradualisht të merrnin frenat e lojës, duke fituar pjesën më të madhe të dyluftimeve. Qe e pabesueshme t'i shikoje ato gabime që bënin futbollistët e mi. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për portierin, por të gjithë skuadrën në tërësi. Dolëm tërësisht nga detyrat që u dhashë djemve para fillimit dhe në mes të ndeshjes. Kjo solli një shkëputje të reparteve nga njëri-tjetri dhe sulmuesit ishin larg portës,"- vazhdon në idenë e tij trajneri bardheblu. Në lidhje me zëvendësimet e kryera, Mema pranon që edhe ato nuk rezultuan të suksesshme. "Me zëvendësimet e kryera, u mundova t'i jepja një impuls të ri lojës, por sërish qe e pamundur." Po Prenga? "E aktivizova Sokolin për vetë mënyrën e lojës dhe pasimet e sakta që ai di të japë. Ndërkohë, rrezikova gjithçka kur lashë në fushë katër sulmues, pasi nuk kishim çfarë të humbisnim,"- bën të ditur trajneri i 20 herë kampionëve. Ndërkohë, për kundërshtarin, Sulejman Mema shpreh fjalët më të mira, kur deklaron: "Partizani e meritoi fitoren, pasi në lojën e tij ishte më i fortë, më i motivuar dhe i saktë njëkohësisht."
Në fund të komentit të tij, ai thotë se i vjen shumë keq për humbjen e pësuar nga rivalët historikë të Partizanit dhe falënderon tifozët bardheblu për mbështetjen që i dhanë skuadrës në shkallët e stadiumit. "Ajo që më vjen keq, është fakti se të paktën nuk duhet të kishim humbur me Partizanin. Dihet që të kuqtë janë rivalët tanë historikë dhe humbje të tilla lënë pas një shije më të hidhur. Gjithsesi, së bashku me tifozët, nuk duhet të dorëzohemi në asnjë mënyrë këtu, duke menduar për ndeshjen e radhës ndaj Teutës, që e kemi në prag. Nuk ka kohë dhe duhet medoemos të korrigjojmë gabimet e bëra, që të mërkurën ta lëmë pas imazhin e keq që krijuam me Partizanin,"- i ka dhënë fund deklarimit të tij trajneri i suksesshëm, Sulejman Mema.



Kampionët, flamuri bardheblu në "gjysmështizë"

Hidhërimi në kampin bardheblu pas humbjes të së shtunës me Partizanin është i madh. Jo vetëm për faktin se u humbën tri pikë të radhës, por sepse është e vështirë të pranohet realiteti që të humbasësh një derbi me një rival historik. Rezultati 3-1 në disfavor është shumë për një Tiranë, e cila në këtë kampionat lufton me petkun e kampiones. Lojtarët bardheblu kanë zhgënjyer jo vetëm veten e tyre, por edhe atë tifozeri të zjarrtë që kishte mbushur shkallët e stadiumit. Javë për javë, trajneri Mema e kishte vënë theksin e tij në nënvleftësimin dhe lojën me shumë gabime që bënin djemtë e tij. Megjithatë, Tirana vazhdonte të fitonte, edhe pse në disa momente (me Shkumbinin dhe Vllazninë) sharra në një moment i ngeli në gozhdë. Dy ndeshjet e fundit ishin paralajmëruese për kampionët, se diçka nuk po shkon si duhet në skuadër, sidomos në mbrojtje. Kambanat e alarmit kishin rënë disa herë, por bardheblutë vazhdonin të qëndronin stoikë në idenë e tyre se janë të pamposhtur këtë sezon. Ata harruan që Partizani (me ardhjen e Duros) nuk është më një rival si të gjithë të tjerët dhe çdo gjë e morën lehtë në këtë derbi të dytë të sezonit, pas atij me Dinamon në Superkupë. Dhe goditja erdhi, madje e fuqishme. Normalisht, flamuri bardheblu për kampionët në këto momente është në "gjysmështizë". Është e vështirë që prej lojtarëve të nxjerrësh të paktën një fjalë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se çdo gjë ka përfunduar me kaq. Është luajtur vetëm java e gjashtë dhe janë akoma edhe 30 të tjera. Bardheblutë humbën një betejë, por jo luftën. Më mirë se kushdo tjetër, ata do të dinë ta rimarrin veten edhe pas kësaj humbjeje. Dhe Teuta, të mërkurën pasdite, mendohet që do të jetë pika e kthesës për 20 herë kampionët.


Postuar nga i_lire datë 09 Tetor 2003 - 23:09:

Tirana lëshon “fronin e mbretërimit” në kampionatin tonë pas 32-javësh.

Humbjet e Tiranës në dy javët e fundit kanë rrëzuar jo vetëm mitin mediatik të një skuadre të pathyeshme, por për më tepër që kampionati tashmë të kthehet në një aktivitetet futbollistik, në të cilin të jenë të pranishme emocionet, rivaliteti dhe spektakli.Java e shtatë ka patur për protagoniste skuadrat udhëtuese, të cilat kanë marrë katër fitore, ndërsa një sfidë është mbyllyr në barazim, por sërish mund të cilësohet sukses pasi është marrë nga Shkumbini i vendit të fundit. Partizani dhe Teuta më shumë se sa nga gabimet e kampionëve kanë përfituar nga momenti i tyre i mirë, me anë të të cilit kanë arritur të sigurojnë fitoret e rradhës dhe gjithashtu të ngjiten në kreun e renditjes. Megjithatë kampionati nuk mund të cilësohet i mbaruar për bardheblutë, pasi diferenca me kreun është vetëm dy pikë dhe se ata që mbajnë veshur këtë bluzë nuk mund të dorëzohen kaq lehtë. Gjithashtu në valle janë edhe dinamovitët, të cilët janë riktthyer tek fitorja pas një agjirimi tre javor. Lëvizje ka patur edhe në fundin e tabelës së renditjes.

Është zgjuar më në fund Shkumbini, që ka marrë pikën e parë, ndërsa Lushnja dhe Flamurtari kanë këmbyer vendet mes tyre. Ndërkohë në takimet e javës së shtatë kanë rënë në sy gabime skandaloze të gjyqtarëve, për të cilat drejtuesit e tyre duhet të ndalen gjatë dhe t’i analizojnë për të frenuar Dy javët e fundit të kampionatit më shumë se rezultatet surprizë, golat spektakolar dhe këmbimeve në vendet e renditjes mund të cilësohet një provë e ngritjes në një nivel më cilësor të kampionatit tonë dhe gjithashtu edhe për një vlerësim pozitiv për formolën e re të aplikuar nga organizmi drejtues i futbollit tonë.


Postuar nga qershor13 datë 20 Tetor 2003 - 15:21:

Njëshi i stolit bardheblu pranon që skuadra nuk po del në lojën e saj pas dy humbjeve të kaluara
Mema:Tirana ka humbur besimin

Barazimi pa gola në derbin e së shtunës ndërmjet Dinamos dhe Tiranës nuk e ka kënaqur sa duhet trajnerin bardheblu, Sulejman Mema. Ai e pranon se skuadra nuk doli në lojën e saj ndaj dinamovitëve, pasi dy humbjet e kaluara me Partizanin dhe Teutën patën ndikimin e tyre në gjendjen psikologjike të lojtarëve. Ashtu siç rrodhën ngjarjet, u duk shumë mirë se të dyja skuadrat ishin të trembura dhe nuk donin të humbisnin. Në deklarimin e tij, Sulejman Mema shprehet: "Futbollistët tanë po vuajnë momentin e vështirë psikologjik pas dy humbjeve të mëparshme me Partizanin dhe Teutën. Kjo bën që ata të mos dalin në lojën e tyre karakteristike, duke shfaqur mangësi sidomos në drejtim të sulmit,"- thotë ai. Në një radiografi që i bën të gjithë takimit, Mema, në rolin e spektatorit (e pa ndeshjen nga kabina qendrore e tribunës së stadiumit "Qemal Stafa") komenton: "E kishim parashikuar një ndeshje të vështirë ballafaqimin me Dinamon dhe faktikisht, ashtu si rrodhën ngjarjet, rezultati ishte i drejtë. Jemi munduar që gjatë gjithë lojës ta mbanim topin nën kontroll, duke mos u dhënë mundësi kundërshtarëve të na rrezikonin. Rastet për gol nuk kanë qenë të shumta për ne, por edhe ato pak që ishin, nuk janë shfrytëzuar në maksimum prej sulmuesve tanë. Për sa i takon Fortuzit, nuk kemi pse të mbetemi të zhgënjyer, pasi ai për mua është një nga lojtarët titullarë të padiskutuar në ekip. Ndihma që na ka dhënë ai më parë, por edhe në fillim të kampionatit, nuk duhet hedhur poshtë. Të mos harrojmë se Indriti vjen pas një periudhe të gjatë dëmtimesh dhe nuk është aq e lehtë të ingranohet. Të jeni të bindur se, duke filluar që nga ndeshja e ardhshme, kontributi i tij ka për të qenë vendimtar për ne,"- vazhdon idenë e tij trajneri i kampionëve në fuqi. Pas kësaj jave të 8-të të kampionatit, sërish e udhëheqin klasifikimin Partizani dhe Teuta, me 20 pikë, ndërkohë që Tirana ka vetëm 16. Kjo diferencë prej katër pikësh për teknikun Sulejman Mema është e papërfillshme, pasi kampionati ka edhe 28 javë për të luajtur dhe jo gjithçka ka përfunduar. "Katër pikët diferencë që kemi me kundërshtarët, për ne janë të papërfillshme, duke parë kalendarin që kemi në vazhdim. Të mos harrojmë gjithashtu se kampionati sapo e ka nisur rrugën e tij të gjatë dhe të vështirë, kështu që nuk mund të bëjmë parashikime se cila skuadër e ka fituar kampionatin. Ajo që ne duhet të bëjmë tani, është të vazhdojmë të punojmë me këto ritme dhe në të njëjtën kohë të rikthejmë besimin te vetja për forcën që posedojmë,"- deklaron njëshi i stolit bardheblu. I pyetur në fund se çfarë ndryshimi kishte ndeshja nga tribuna me atë nga stoli, Mema ironikisht u përgjigjë: "S'diskutohet që ka ndryshim, sa që mua do të më pëlqente ta drejtoja skuadrën gjithmonë nga tribuna."


Postuar nga qershor13 datë 27 Tetor 2003 - 14:07:

Tirana - Elbasani 0-0

Kampionët barazojnë 0-0, duke e detyruar trajnerin bardheblu të japë dorëheqjen
Tirana-Elbasani, pika që "rrëzon" Memën


Hidi 6
Sina 5
Dabulla 5
Hajdari (Fortuzi 55') 5
Pinari 5
Lici 5
Agolli (S.Bulku 39') 5
Patushi 5
Muka 5
Halili 5
Xhafa (Merkoçi 67') 5
Zv.trajner: K. Alimehmeti

Mustafa 5
Osmani (Dalipi 35') 5
Brahja 5.5
Shahini 5.5
Muça 5.5
Çapja 6
Ablade (Kasollja 85') 6
Ceno 6
Mehmeti (Guranjaku 86') 6
Memelli 6.5
Stojku 6.5
Trajner: E.Mustafaraj
Gjyqtarë: A.Likja (Lushnje), E.Pjetrushi (Lezhë), L.Çuko (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Dabulla, Lici, Memelli, Ceno, Muça

Minutat e lojës
3'- Muka kroson nga e majta e sulmit për Halilin, por më i shpejtë tregohet Mustafa, i cli zotëron topin.
5'- Halili humbet një rast të pastër para portierit mik, ku gjuan jashtë.
9'- Memelli gjuan fort nga jashtë zone, por pret i sigurt Hidi.
15'- Dabulla ndërpret Memellin në kufijtë e zonës dhe goditje dënimi. Kroson Osmani në zonë, por një asnjë prej lojtarëve miq nuk arrin të prekë topin dhe largon mbrojtja bardheblu.
20'- Shpërthim i Mukës nga e majta, del i lirë me Mustafën, gjuan dhe pret shkodrani. Ndërkohë Halili i ndodhur nga e majta nuk përfiton dot, duke gjuajtur jashtë.
25'- Kundërsulm i Tiranës me Halilin, por që nuk kuptohet si duhet me Xhafën.
30'- Muça kroson nga goditje këndi dhe topi parakalon gjithë pasqyrën e portës së mbrojtur nga Hidi.
36'- Xhafa depërton fuqishëm në zonë, pason për Halilin, i cili gjuan dhe Mustafa i përgjigjet shkëlqyeshëm duke grushtuar topin.
45'- Halili depërton bukur brenda zonës, pason për Xhafën, por vlonjati është një hap larg topit.
50'- Memelli depërton brenda zonës, gjuan dhe topi përplaset në këmbët e mbrojtësve bardheblu.
57'- S.Bulku pason për Fortuzin, i cili i lirë brenda zonës, nuk përfiton për të shënuar golin e avantazhit.
59'- Hidi shpëton mrekullisht portën e tij, kur Memelli i vetëm përballë tij gjuan keq.
60'- Muka futet brenda zonës zonës, pason për Fortuzin, i cili gjuan keq me kokë përballë me portën e lirë.
63'- Memelli ekzekuton fort nga godsitje dënimi dhe Hidi pret me vështirësi në dy kohë.
66'- Kombinim tresh ndërmjet Mukës, Fortuzit dhe Xhafës, por ky i fundit gjuan lehtë, duke ja dhënë topin në dorë Mustafës.
70'- Merkoçi depërton në zonë dhe fiton një goditje këndi. Kroson Muka, gjuan Patushi dhe topi për pak sa nuk pushon në rrjetë.
75'- Memelli futet brenda zonës, pason për Dalipin, i cili gjuan fare lehtë me kokë, duke shpërdoruar një mundësi për gol.
80'- Merkoçi gjuan fort nga jashtë zone, por pa rezultat.
85'- Muça pasi merr një top të saktë nga Memelli, del i lirë me Hidi dhe ngatërrohet me këmbët e tij, duke humbur një tjetër shans për gol.
88'- Pinari kroson nga e majta dhe Sokol Bulku me kokë gjuan jashtë.
90'- Muka kroson në zonë nga goditje dënimi dhe pret i sigurt Mustafa.

Deklaratat e trajnerëve:
Sulejman Mema, trajneri i Tiranës
:
"Krijuam volum loje, por nuk e gjetëm golin. Humbëm shumë raste të pastra para portës, çka solli një nervozizëm në radhët e skuadrës. Kundërshtari u mbrojt mirë dhe kundërsulmoi rrezikshëm".
Edmond Mustafaraj, trajneri i Elbasanit:
"Kishim ardhur në Tiranë për një rezultat pozitiv dhe ia arritëm qëllimit me një pikë të fituar me meritë. U munduam që ta prisnim kundërshtarin në fushën tonë dhe të kundërsulmonim. Kemi humbur disa raste për gol, madje mund ta kishim fituar ndeshjen nëse do të ishim treguar më të qetë para portës. Gjithsesi edhe me këtë pikë të marrë, jam i kënaqur, pasi skuadra në dy ndeshje ka marrë katër pikë. Shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen".

Sulejman Mema, dorëheqje të parevokueshme
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Tiranës, Sulejman Mema ka deklaruar përpara të gjithë gazetarëve dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i teknikut të skuadrës. Katër rezultatet e fundit negative të bardhebluve në "Qemal Stafa", e kanë detyruar Memën të marrë këtë vendim. Një gjë të tillë ai e shpreh edhe vetë kur thotë: "Nuk mund ta duroj dot këtë situatë, ku në katër takime kemi marrë vetëm dy pikë. Tirana nuk i kapërdin dot të tilla rezultate dhe unë e shoh të arsyeshme që të jap dorëheqjen e parevokueshme. Mendoj se mund të jem unë e keqja e skuadrës, duke parë që ajo në përbërjen e saj ka lojtarë cilësor."

Shkëlqim Muça, acarohet me tifozët
Sikur të mos mjaftonte dorëheqja e trajnerit, pas përfundimit të takimit me Elbasanin, sekretari i klubit bardheblu, Shkëlqim Muça është acaruar me tifozët e skuadrës. Këta të fundit e kanë fyer, madje janë prekur edhe me duar me ish-lojtarin bardheblu, duke nxjerrë inatin e barazimit të arritur nga lojtarët. Duhej ndërhyrja e policisë dhe e disa prej miqve të Muçës, që situata të qetësohej. Vet shefi i klubit u shpreh i paqartë për këtë situatë, pasi ai nuk ka pjesë në fajin e rezultateve negative të skuadrës, duke qenë se edhe ndeshjen e pa si tifoz i thjeshtë nga shkallët e stadiumit.

Komenti
Kampionia në fuqi, Tirana, nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 ndaj Elbasanit për javën e 9-të të kampionatit. Një barazim i cili ka sjellë edhe dorëheqjen e trajnerit Mema nga stoli drejtues. Në katër javët e fundit bardheblutë kanë koleksionuar vetëm dy pikë në "Qemal Stafa", duke thelluar dita-ditës krizën. Ndeshja ndërmjet të dyja skuadrave nuk është ngritur mbi nivelin mesatar si rrjedhojë e gabimeve foshnjarake nga të dyja palët. Pritej që Tirana këtë javë t'i rikthehej fitores, por me atë sa dha në fushë, ajo mund të merrte një humbje të merituar. Trajneri Sulejman Mema (edhe pse jo në stolin drejtues) propozoi një 11-ëshe me ndryshime nga java e kaluar, ku Xhafa luajti në vend të Fortuzit dhe Hajdari në vend të Tafajt në krahun e majtë. Ndërkohë u rikonfirmuan Lici në rolin e liberos dhe i Hidit si titullar. Me formacion të plotë u paraqit edhe Elbasani, i cili vinte pas një fitore të bujshme me Lushnjën. Ndeshja është luajtur pothuajse në mesfushën e miqve, pasi Tirana e kërkoi me ngulm golin, por që hasi në një barrikadë të vështirë para portës së Mustafës. Gjithashtu, edhe sulmuesit bardheblu u treguan shumë konfuzë para Mustafës, duke humbur gola të sigurt. Ndërkohë portokallinjtë sulmonin rrallë dhe ishin më të rrezikshëm se vendasit, madje mund të kishin kaluar në avantazh në tri raste flagrante me Memellin, Dalipin dhe Muçën. Gjithsesi, takimi mbyllet me shifra të paprekura 0-0, çka thellon më tej krizën e kampionëve, të cilët detyrohen të lënë edhe vendin e tretë në renditje. Ndërsa miqtë elbasanllinj marrin një pikë të vyer në kryeqytet, me shpresën e ringjitjes sa më shumë në tabelën e klasifikimit.

Të veçanta
- Një tifozi të Tiranës i ra të fikët në shkallët e tribunës A, kur ndeshja sapo kishte filluar.
- Presidenti El Sajed nuk qe i pranishëm në tribunën VIP, pasi ndodhej në vendlindje. Gjithsesi gjatë gjithë takimit ai ka kominukuar me njerëzit më të afërt të tij për rezultatin e ndeshjes.
- Tifozët bardheblu edhe pse të shumtë në shkallët e stadiumit, kanë dalë të zhgënjyer, madje në disa momente kanë brohoritur lojën e Elbasanit.
- Trajneri Mema edhe këtë herë e ka parë ndeshjen nga larg dhe jo në stolin drejtues, duke qenë se ishte i skualifikuar për dy javë.


Postuar nga qershor13 datë 27 Tetor 2003 - 14:37:

Shkëlqimi dhe rënia e trajnerit Mema

Pas një suksesi në kupat evropiane, tekniku bardheblu nuk arrin ta përfundojë sezonin në krye të Tiranës


Rikthimi në krye të Tiranës për trajnerin Sulejman Mema ka korresponduar me një nga "telenovelat" më të gjata dhe të diskutuara të verës. Ishte presidenti El Sajed ai që bëri të mundur "rrëzimin" e tij me një "lumë" dollarësh nga poltrona e shefit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit. I ndodhur në të tilla kushte, Mema u detyrua të largohej (në konsensues me presidentin Duka) për t'u rikthyer në shtëpinë e tij të dytë, klubin "Tirana". Rikthimi i tij në krye të stolit bardheblu korrespondoi me një Tiranë të porsashpallur kampione, që duhej përgatitur për ndeshjet eliminatore në Ligën e Kampioneve. Koha në dispozicion ishte e pakët dhe Sulejman Mema i mori menjëherë frenat e skuadrës në dorë, duke zhvilluar një fazë përgatitore moderne në Hungari. Dhe sfida e parë për të si teknik do të vinte, ku përballë do të kishte lindorët e Dinamos së Tbilisit. Takimi i parë përfundoi me një humbje të thellë 3-0 në Gjeorgji, ndërkohë që i dyti korrespondoi me një përmbysje të madhe. Bardheblutë në kryeqytet arrijnë të zhvillojnë një nga lojërat e tyre më spektakolare këto vitet e fundit, duke e çuar ndeshjen në shtesë dhe më pas drejt penalltive. Në këto momente, Tiranës i buzëqesh fati dhe arrin të kualifikohet më dorë në zemër në turin e dytë. Qe e pabesueshme dhe askush s'e priste atë përmbysje të madhe të kampionëve. I vetmi që besoi deri në fund ishte Mema dhe djemtë e tij, të cilët u kthyen në heronj për të gjithë shqiptarët. Madje i pari mori edhe lëvdatat më të madha, pasi ishte trajneri ai që risolli buzëqeshjen në kupat evropiane pas 8 vjetësh. Ky mund të quhet edhe shkëlqimi i trajnerit Mema, i cili më parë kishte provuar të drejtonte edhe ekipin Shpresa. Përballja në turin e dytë do të vinte me nënkampionen e Austrisë, Gracerin. Për Tiranën, kjo ishte një skuadër e panjohur, e cila fillimisht u mendua se mund të kalohej si Dinamo e Tbilisit. Faktikisht ndodhi e kundërta dhe shpresat e bardhebluve u bën pluhur e hi pas humbjes 5-1 në kryeqytet, ndërkohë që takimi i kthimit ishte një formalitet. Tirana e mbyll këtu aventurën e saj evropiane, duke filluar të mendojë për kampionatin. Në dispozicion Sulejman Memës i mbetet i njëjti grup futbollistësh (me përjashtim të Jupit, i cili u largua gjatë fazës përgatitore) që mbyllën sezonin, kjo falë edhe mbështetjes së fuqishme financiare të presidentit El Sajed. Katër ndeshjet e para, 20 herë kampionët i fitojnë me rezultate tenistike, duke krijuar iluzionin se sërish në fushë kishim skuadrën-ëndërr të edicionit të fundit. Por faktikisht nuk ndodhi kështu, pasi Tirana i dha sinjalet e para të krizës që në ndeshjen me Vllazninë, ku fitoi vetëm në minutat e fundit. Megjithatë, rezultati për një moment i mbylli të gjitha gojët e liga. "Grushti" i parë dhe i vërtetë për Memën dhe futbollistët e tij do të vinte në derbin me Partizanin, pas një humbjeje shkatërruese 3-1 nga të kuqtë. Kjo solli një acarim të madh në radhët e kampionëve, të cilët e kanë të vështirë të pranojnë disfata në një derbi të tillë. Gjithsesi, pas katër ditësh, në "Qemal Stafa" do të zbriste Teuta e drejtuar nga Hasan Lika dhe për Memën kjo qe një ndeshje që duhej fituar. Faktikisht nuk ndodhi kështu dhe lojtarët e "tradhtuan" sërish teknikun e tyre, ku marrin tre gola dhe shënojnë vetëm një. Në të vërtetë, nga të gjithë (madje dhe nga vetë Mema) u mendua një largim i trajnerit, por kushtet sollën që ai të priste reagimin e skuadrës. Reagimi nuk erdhi as në derbin tjetër me Dinamon, as me Elbasanin së fundmi, ku bardheblutë barazojnë në të dy takimet 0-0 dhe koleksinojnë 2 pikë, nga 12 të mundshmet, dhe e shohin veten në vendin e katërt në klasifikim. Shumë pak për një ekip profesionistësh dhe nga më të paguarit në kampionatin shqiptar. Elbasanasit qenë shansi i fundit për durimin e teknikut Mema, i cili, i gjendur nën një presion të madh dhe në kushte emocionalisht të vështira, detyrohet të thotë pas ndeshjes: "Nuk mund ta duroj dot këtë situatë, ku në katër takime kemi marrë vetëm dy pikë. Tirana nuk i kapërdin dot të tilla rezultate dhe unë e shoh të arsyeshme që të jap dorëheqjen e parevokueshme. Ndoshta mund të jem unë e keqja e skuadrës, duke parë që në përbërje ajo ka lojtarë cilësorë, ndërkohë që rezultatet e arritura deri tani janë kokëforta dhe më detyrojnë të largohem,"- është shprehur Sulejman Mema.
Pas këtyre fjalëve, ndoshta nuk na mbetet tjetër, veçse të heqim një paralele me fatin e heroit të librit të Dritëro Agollit, "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo".


Postuar nga qershor13 datë 07 Nëntor 2003 - 21:01:

Pinari: Mos prisni "show" ndaj vlonjatëve

Stoperi do të ishte i kënaqur edhe me një fitore minimale sot në "Selman Stërmasi" me Flamurtarin.

I ardhur në radhët e kampionëve në muajt e verës, ish-mbrojtësi dinamovit Luan Pinari, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës, është i qartë në idenë e tij për takimin e radhës ndaj Flamurtarit. Në një deklarim për "Sportin shqiptar", 26-vjeçari bën të ditur se sot, ndaj Flamurtarit, do të luhet me qëllimin e vetëm, marrjen e tri pikëve. Sipas tij, nuk duhet të pretendohet që dhurohet spektakël në fushë, duke qenë se vlonjatët do të luajnë pa pjesën më të madhe të lojtarëve të saj kryesorë. "Sot, ndaj vlonjatëve nuk duhet të pretendojmë që të dhurojmë "show", por të arrijmë të fitojmë një ndeshje, që ka vlerën e tri pikëve në vetvete. Jemi të ndërgjegjshëm që Flamurtari mund të zbresë në fushë me një formacion emergjence si rrjedhojë e të skualifikuarve dhe të larguarve, por kjo për ne nuk përbën shkak për të nënvleftësuar,"- thotë Pinari. Madje, një pikë shumë e diskutuar nga ana e trajnerit Mirel Josa gjatë gjithë javës në stërvitje, ka qenë respektimi në maksimum i kundërshtarit. Ai ua ka bërë të qartë lojtarëve se duhet të japin maksimumin e mundësive të tyre në një sfidë delikate, siç mund të jetë kjo e sotmja, që do të luhet në stadiumin "Selman Stërmasi". Ndaj Flamurtarit, stoperi bardheblu Luan Pinari do të marrë rolin e stoperit të majtë, pasi në qendër të mbrojtjes do të luajë kapiteni Nevil Dede. Së bashku me Rezart Dabullën, dy të fundit do të përbëjnë treshen e mbrojtjes, që do të vendoset përballë Hidit. Ish-dinamoviti, në vazhdim të deklarimit të tij, komenton se do të ishte i kënaqur edhe me një fitore minimale ndaj kuqezinjve vlonjatë. "Të gjithë sa jemi, duhet të përpiqemi të japim maksimumin e mundësive tona për këtë takim të radhës, pasi kjo ka qenë dhe ideja e trajnerit gjatë gjithë stërvitjeve të fundit. Duhet të shfaqim të njëjtin karakter që treguam ndaj Lushnjës një javë më parë dhe më pas jam i bindur se fitorja do të vijë. Qoftë dhe minimale, duke parë dhe situatën në të cilën ndodhet rivaliteti në kampionat, ku tri pikë vlejnë më shumë se loja e bukur,"- mundohet të sqarojë shtatlarti i kampionëve në fuqi. Për sa i takon rolit të tij në fushë, me rikthimin e Dedes në skuadër dhe ardhjen e trajnerit të ri, Josa, Luani ka kaluar nga qendërmbrojtës në stoper. Ai ndihet mirë në të dy rolet, megjithatë shprehet se si stoper jep më shumë. "Që kur kam ardhur te Tirana, kam luajtur qendërmbrojtës dhe stoper njëkohësisht. Të dy këto role nuk janë të vështira për mua që t'i mbuloj, megjithëse në këtë të fundit jap maksimumin tim,"- citon Pinari. Në fund të deklarimit të tij, mbrojtësi bardheblu bën komentin e tij në lidhje me shortin e Kupës së Shqipërisë, ku Tirana do të luajë dy takime ndaj Lushnjës. "Për momentin, mendojmë që të kalojmë me sukses ndeshjen e sotme me Flamurtarin, pasi Lushnja ka kohë për t'u menduar. Gjithsesi, dua të them se shorti i kupës nuk ka qenë favorizues për ne, duke parë se kundërshtarët tanë do të luajnë me skuadra të A2-shit ose B1-shit. Por kjo nuk do të thotë që për ne Lushnja do të jetë e pakalueshme, pasi do të mundohemi ta kërkojmë kualifikimin që në ndeshjen e parë, në fushë asnjanëse. Më pas, për të tjerat do të flasë fusha,"- përfundon deklarimin e tij mbrojtësi luftarak Luan Pinari.


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:03:

Tirana serish mund vlonjatet e Flamurtarit!!!

Java e 11-të e kampionatit ka nisur me fitoren minimale 2-1 të Tiranës ndaj Flamurtarit. Kjo fitore i ngjit përkohësisht kampionët në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm, në kuotën e 23 pikëve, një më pak se Teuta. Të dyja skuadrat kanë zbritur dje në orën 14:00 në stadiumin "Selman Stërmasi" për të luajtur një ndeshje që në pamje të parë dukej një formalitet për vetë situatën e vështirë që po kalojnë vlonjatët. Faktikisht ka ndodhur e kundërta dhe kuqezinjtë e Flamurtarit i kanë bërë një rezistencë të konsiderueshme kampionëve në fuqi. Trajneri Mirel Josa ka hedhur në fushën e lojës një formacion me ndryshime, në krahasim me një javë më parë ndaj Lushnjës, ku në vend të Xhafës u aktivizua Merkoçi dhe Ervin Bulku në vend të Halilit në mesfushë. Ndërkohë, Muka luajti në rolin e organizatorit. Për sa i takon 11-shes që tekniku Bozhani kishte hedhur në fushë, ajo ishte "e sakatuar" si rrjedhojë e të skualifikuarve dhe të larguarve ditët e e fundit. Gjithsesi, ata djem të rinj që luajtën, treguan shpirt gare në fushë dhe u munduan t'i ndalnin sulmet e njëpasnjëshme të kampionëve. Në përgjithësi, ndeshja nuk u ngjit mbi nivelin mesatar, pasi Tirana u tregua praktike, duke shënuar dy gola dhe më pas ka kontrolluar topin. Në një ditë shumë të mirë ishte vlonjati Devi Muka, i cili këtë herë luante me fanellën bardheblu dhe tregoi klasin e tij në veprimet organizuese të skuadrës. Madje arriti deri aty sa shënoi një gol ndaj ish-skuadrës së tij (një gjë të tillë e bëri edhe në fazën e parë në Vlorë) dhe të pestin në këtë kampionat. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e vendësve 2-0, ndërkohë që e dyta e shikon sërish Tiranën të orientuar në drejtim të sulmit, por pa sukses. Zëvendësimet e bëra nga Josa dhe Bozhani e ngritën disi nivelin e lojës, ku miqtë nga Vlora, vetëm në minutat e fundit të 90-minutëshit, e gjejnë rrugën e rrjetës me anë të të riut Johan Papa. Por minutat në vazhdim nuk mjaftuan që Flamurtari t'i hidhte sërish sytë nga porta e Hidit, ndoshta për të pretenduar një barazim. Gjyqtari Gashi e përfundon takimin dhe 20 herë kampionët marrin fitoren e dytë radhazi në erën "Josa" dhe tashmë e shohin vetën shumë afër me kreun. Për bardheblutë, periudha e errët katërjavore është lënë pas dhe kthesa e madhe ka filluar të ndihet, edhe pse jo me shifra tenistike si në fazën e parë.

Deklaruan

Mirel Josa, trajner i Tiranës:
"Ishte një fitore e merituar e skuadrës ndaj një Flamurtari, i cili po kalon një moment të vështirë. Ndeshjen për asnjë moment nuk e vumë në diskutim, madje, po të ishim treguar më të qetë, mund të kishim shënuar më shumë. Jam i kënaqur me djemtë për sa i takon rezultatit, por jo shpejtësisë në veprime. Gjithsesi, i falënderoj për kontributin e dhënë. Tashmë duhet të fillojmë të mendojmë për vazhdimin, pasi këtë të mërkurë do të luajmë për kupë ndaj Lushnjës."
Ardi Bozhani, trajner i Flamurtarit::
"Jam i kënaqur nga loja e skuadrës, pasi prisja që sot (dje) të mundeshim thellë nga Tirana. U mbrojtëm mirë dhe goli i shënuar nga Papa më entuziazmoi, ndonëse nuk kishte më minuta kohë për të vazhduar lojën. Kam besim te ky grup futbollistësh dhe them se në ndeshjet e ardhshme, me kthimin e disa lojtarëve të skualifikuar, do t'ia arrijmë qëllimit për të qëndruar në A1."


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:06:

S.K Tirana 1930, Kampionet e Pare te Futbollit Shqiptar...!!!


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:08:

1930 Tirana - Teuta


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:09:

Kerkuar nga Juventus i Italise prej S.K Tiranes me 1942, Riza Lushta:


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:11:

'82 S.K Tirana - Linfild Belfast


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:14:

1962 S.K Tirana - Dinamo


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:19:

1986 S.K Tirana - Dinamo Bucuresti


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:21:

Ekipi i Tiranes 1986


Postuar nga i_lire datë 16 Nëntor 2003 - 07:23:

Tirana 2001


Postuar nga qershor13 datë 28 Nëntor 2003 - 14:07:

Prenga: Nuk kam harruar të shënoj

Mesfushori me tipare organizatori ka shumë besim në forcën e skuadrës për ndeshjet në vazhdim.

Për fantazistin e bardhebluve, Sokol Prenga, Tirana e sivjetme, ndryshe nga sezonet e kaluara, është edhe më e etur në rrugën drejt sukseseve. Rezultatet e deritanishme të skuadrës i japin të drejtë mesfushorit, sepse Tirana e sheh veten në vendin e parë në renditje në kampionat dhe midis 8 ekipeve më të mira të Kupës së Shqipërisë. Vetë Prenga, aktualisht, po gëzon një formë të mirë dhe këtë e kanë treguar ndeshjet e fundit ku ai është aktivizuar. 2 janë golat që Sokoli ka gjetur në këtë sezon, ku i pari regjistrohet në fitoren 5-2 në kupë, ndaj Cërrikut, dhe i fundit, si për koincidencë, në fitoren 5-2 me Shkumbinin për kampionat, para një jave. Goli ndaj peqinasve ka mbetur në mendjen e të gjithëve për mënyrën sesi u ekzekutua, ndërkohë që për vetë Prengën ky është një gol normal, sepse në të kaluarën ka shënuar edhe më të bukur. Në një koment për "Sportin shqiptar", numri 17 i kampionëve flet për objektivat e tij personalë, si dhe për ato të klubit të tij. "Nëse më pyesni për emocionet që ndieva në çastin kur shënova gol ndaj Shkumbinit, mund të them se ato kanë qenë të veçanta, sepse, sapo hyra në fushë, menjëherë e godita portën. Ishte një gol ndryshe nga të tjerët, por jo më i bukuri që kam shënuar deri tani, pasi më parë e kam provuar shijen e golave nga 30 metra në goditje standarde. Ajo që dua të them është se unë nuk kam harruar të shënoj,"- thotë ish-lojtari i Dinamos, Teutës dhe Partizanit. Edhe pse ka një karrierë të pasur sportive në kampionatin shqiptar, Sokol Prenga shprehet se nuk i kanë shterur forcat dhe ka shumë për të dhënë me fanellën e Tiranës, që cilëson kulmin e karrierës së tij. "Ndonëse kam më shumë se një dekadë që luaj futboll si profesionist, sërish jam në gjendje që të luaj në nivele të larta. Tirana është skuadra me të cilën kam fituar çdolloj trofeu dhe për këtë ndihem krenar, por shpresoj që në të ardhmen të jap akoma më shumë nga vetja,"- vazhdon idenë e tij mesfushori bardheblu. Për sa i takon ecurisë së Tiranës në kampionat, Sokoli mendon se, me përjashtim të disa oshilacioneve, ajo ka qenë e mirë. "Kampionati i sivjetëm, me përjashtim të disa problemeve që hasëm parr katër javësh, në përgjithësi mund të konsiderohet i mirë. Hëpërhë jemi në krye të renditjes, të shkëputur një pikë larg Teutës dhe dy ndaj Partizanit. Gjithsesi, asgjë nuk është e sigurt, duke parë që kalendari që na pret në vazhdim do të jetë i vështirë. Brenda një muaji do të përballemi me rivalët tanë direktë, si Vllaznia, Partizani, Teuta e Dinamo, ku na duhet që të jemi sa më të qetë për të arritur suksesin që na mungoi në fazën e parë. I kemi të gjitha mundësitë që ndaj tyre të tregojmë "fytyrën" e vërtetë të Tiranës dhe më pas të krijojmë shkëputjen,"- thotë Prenga. Në lidhje me kualifikimin në kupë ndaj Lushnjës (luajti 55 minuta), fantazisti shprehet se ishte i merituar, madje i përfunduar që në takimin e parë, ku Tirana kishte fituar 1-0 në Peqin. "Ndeshja e kthimit ndaj Lushnjës në kupë, për ne ishte një formalitet, pasi e kishim fituar takimin e parë 1-0. Sidoqoftë, ne fituam 2-0 dhe e merituam të kualifikoheshim midis 8 skuadrave më të mira. Tani shpresojmë që shorti të na vendosë me Besën, Elbasanin, ose Shkumbinin,"- citon më tej ai. Në fund të deklarimit, 31-vjeçari flet edhe për supersfidën e nesërme me Vllazninë, të cilën e cilëson ndeshjen më vendimtare në luftën për titullin kampion. "Jam i bindur se do të jetë një ballafaqim sa emocionues dhe aq i fortë ai i nesërmi me Vllazninë. Do të luajmë një 90-minutësh të nxehtë, ku ajo skuadër e cila jep shpirtin në fushë dhe do të gabojë më pak, do ta fitojë ndeshjen. Vetë shpresoj që të luaj sa më shumë minuta, madje jam i bindur se nuk do të dalim duarbosh nga "Loro Boriçi,"- përfundon komentin e tij mesfushori bardheblu.


Postuar nga qershor13 datë 05 Dhjetor 2003 - 23:09:

Tirana, "ethet" e derbit në kampin bardheblu

Kampionët kanë zhvilluar dje stërvitjen e parafundit. Formacioni do të jetë i njëjtë si një javë më parë.


Futbollistët bardheblu kanë rënë në heshtje disa orë përpara derbit të shumëpritur Tirana-Partizani. Ndryshe nga faza e parë, lojtarët kanë marrë urdhër nga stafi drejtues që dy ditë para ndeshjes të mos bëjnë asnjë deklaratë për shtypin. Kjo për të vetmen arsye që të gjithë të përqendrohen maksimalisht në fushë dhe jo në media. Megjithatë, po ta vështrosh disa çaste stërvitjen e kampionëve, ajo që të bie në sy është përkushtimi i tyre maksimal që këtë derbi të tretë të radhës (i dyti me të kuqtë) ta kurorëzojnë me një fitore. Një fitore e cila vlen më shumë për prestigj sesa për pikavarazh, duke parë edhe rivalitetin që ekziston në vite ndërmjet këtyre dy skuadrave. Fitorja e fundit e Tiranës ndaj Vllaznisë në "Loro Boriçi" ka qenë kulmi i suksesit të 7-të takimeve të fundit në "erën" Josa. Bardheblutë kurorëzuan me meritë një ndeshje, e cila në letër dukej e paarritshme, duke parë edhe rritjen e shkodranëve kohët e fundit. Tashmë, 20 herë kampionët, edhe pse nuk dalin hapur, nën zë deklarojnë se të kuqtë do të kenë fatin e Vllaznisë, vetëm të gjithë të jenë të qetë dhe të kenë durim.
Harmonia brenda grupit
Edhe pse serioziteti është në maksimum për zbatimin me përpikëri të udhëzimeve të trajnerit Josa, futbollistët e Tiranës gjejnë kohë edhe për shaka. Përpara fillimit të stërvitjes së djeshme, për disa minuta, lojtarët në stadiumin "Selman Stërmasi" bisedonin me njëri-tjetrin, duke hedhur batuta gazmore. Ai që gjithmonë shquhet për humorin brenda skuadrës është mesfushori Alban Tafaj, i cili i bën për vete të gjithë shokët. Ndërkohë, në valle me të hyn edhe Luan Pinari, apo Fjodor Xhafa me nigerianin Emanuel Egbo. Kampionët janë me të vërtetë për t'u marrë shembull edhe në këtë aspekt.
Tifozët mbushin shkallët edhe në stërvitje
Rëndësia e derbit me Partizanin i ka detyruar tifozët fanatikë që t'i shtojnë radhët e tyre në shkallët e stadiumit për të ndjekur seancat stërvitore të skuadrës së tyre të zemrës. Gjatë gjithë kësaj jave ka pasur interesim të konsiderueshëm nga tifozët bardheblu, të cilët duan t'i shikojnë vetë stërvitjet dhe përkushtimin e idhujve të tyre përpara një derbi me një rivalitet kaq të madh. Dje pasdite, në "Selman Stërmasi", ata kanë ndjekur me vëmendje përgatitjen e parafundit të Tiranës dhe janë larguar të kënaqur, me mendimin se të shtunën do t'i mbushin si gjithmonë shkallët e "Qemal Stafës".
Josa-Zengla-Tafaj, "valle" treshe
Sikur të mos mjaftojnë vite të tëra që kanë mbajtur mbi shpatulla së luajturi futboll, dje, disa minuta përpara fillimit të stërvitjes, treshja e mirënjohur e trajnerëve Josa-Zengla-Tafaj luajtën disa çaste me njëri-tjetrin. Pasimet e shkurtra dhe xhonglimet ishin ato veprime që të binin në sy midis tre prej lojtarëve më të shquar ndër vite të Tiranës (17 Nëntorit). Ai që u mundua të bënte disa figura me topin, ishte ish-portieri Gud Tafaj, i cili, edhe pse ka shumë vjet që e ka lënë futbollin, tregoi se i kishte ruajtur reflekset më së miri.
Ilir Spahiu, një "tifoz" më shumë për Tiranën
Sikur të mos mjaftonin tifozët e saj, një shikues që menjëherë binte në sy në stërvitjen e djeshme të Tiranës, ishte ish-trajneri i Partizanit, Ilir Spahiu. Duke qenë se momentalisht është i papunë (është shkarkuar edhe si trajner i Nacionalit), Spahiu dje preferoi që orët e pasdites t'i kalonte në shkallët e "Selman Stërmasit, duke ndjekur seancat stërvitore të bardhebluve. Një nga tifozët e Tiranës nuk ngurroi që ta "thumbonte" teknikun, i cili me të kuqtë i shkaktoi Tiranës humbjen e parë 3-1 në kampionat. "Mos ke ardhur që t'u japësh ndonjë "informacion" të kuqve sesi do të luajë Tirana në derbi? E ke të kot, se do të jemi ne që do të fitojmë këtë herë, se deri tani ju kemi toleruar vetë,"- i ka thënë tifozi Spahiut. Ndërkohë, ky i fundit, me ton të qetë i është përgjigjur: "Pse duhet ta bëj një gjë të tillë? Unë kam ardhur për qejf të shoh sesi stërvitet Tirana, meqë hëpërhë jam i papunë." Mos vallë në këtë derbi do ta shohim Spahiun si tifoz të Tiranës?
Derbi nuk do të luhet me drita
Kur nga të dyja palët interesimi ka qenë maksimal që këtë derbi në "Qemal Stafa" ta luanin me drita, ka ardhur përgjigjja përfundimtare e drejtuesve të stadiumit, se ndeshja do të luhet në drekë. Kjo për shkak se KESH-i nuk merr përsipër furnizimin me energji elektrike të projektorëve të stadiumit, pasi, nëse do të realizohej kjo, një pjesë e madhe e Tiranës për dy orë do të mbetej pa drita. Kështu, derbi Tirana-Partizani do të luhet të shtunën në orën 14:00.


Postuar nga qershor13 datë 09 Dhjetor 2003 - 14:38:

Patushi: Derbi, "oksigjeni" që na mungonte

Mesfushori shkatërrues, i kënaqur pas fitores në derbi, kërkon përqendrim për ndeshjen e radhës ndaj Durrsakëve.

Derbi i së shtunës ndaj Partizanit ka qenë një nga paraqitjet e jashtëzakonshme të mesfushorit me tipare shkatërruese, Saimir Patushi, i cili e ka konfirmuar veten si një nga shtyllat e skuadrës bardheblu. Loja e tij me rendiment, si në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese, ka qenë një nga pikat e suksesit në fitoren 1-0 të Tiranës ndaj të kuqve. Madje matjani, falë kësaj loje me karakter, arriti deri në "sakrifikim", sepse në minutën e 70-të u zëvendësua si rrjedhojë e një dëmtimi. Gjithsesi, deri në ndeshjen e radhës me Teutën, numri 21 i kampionëve do të jetë i gatshëm për teknikun Josa. Në një koment për "Sportin shqiptar", Patushi është i mendimit se Tirana fitoi një derbi, të cilin kishte kohë që e priste dhe e kishte përgatitur me mënyrën më të mirë të mundshme. "Fitorja në derbin me Partizanin, për ne ishte synimi kryesor, ose ndryshe "oksigjeni që na mungonte, sepse kishim një javë që përgatiteshim për ta nxjerrë me sukses. Ndaj të kuqve duhet të merrnim tri pikë medoemos, duke parë që ata janë rivalët tanë të drejtpërdrejtë në luftën për titull dhe kanë qenë të parët që na shkaktuan humbjen në këtë kampionat. Pa harruar që rivaliteti ndërmjet dy tifozerive është i madh, çka bëri që të gjithë këta faktorë të mblidheshin në një emërues të përbashkët, me emrin fitore. Tanimë që ia arritëm qëllimit, edhe kënaqësia te secili prej nesh është e madhe,"- thotë 26-vjeçari. Për sa u takon minutave të lojës, pas shënimit të golit, kampionët u tërhoqën disi në mbrojtje, duke kundërsulmuar rrezikshëm nga krahët. Sipas Saimir Patushit, kjo strategji e ndjekur ishte më e mira për ta goditur Partizanin, pasi, duke u hedhur të gjithë në sulm, ata linin shumë hapësira në prapavijë. "Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë dhe kemi qenë disa herë pranë golit. U munduam të merrnim zotërimin e topit dhe më pas ta shpërndanim lojën në të gjithë sektorët e fushës. Ndërkohë, kundërshtarit i bllokuam lojën nga krahët, të cilën ata e kanë "armën" më të fortë. Në pjesën e dytë, si rezultat i udhëzimeve të trajnerit Josa, ndryshuam diçka në lëvizjet e sulmit dhe goli nuk mungoi. Në lidhje me kthimin në mbrojtje që aplikuam, ishte një ndryshim taktik, pasi lojtarët e Partizanit u hodhën të gjithë në sulm dhe në të njëjtën kohë linin shumë hapësira në mbrojtje. Në këtë mënyrë, fitorja në fund na buzëqeshi neve,"- vazhdon komentin e tij mesfushori i palodhur. Pas javës së 15-të, Tirana e sheh veten të shkëputur 5 pikë, duke ecur me ritme vërtet të larta për kundërshtarët. Tashmë, duke filluar që dje, nuk ka më kohë për të gëzuar, pasi një trasfertë e vështirë është në prag. Teuta do të jetë rivalja e radhës për bardheblutë të shtunën, në stadiumin "Niko Dovana", në një takim që pritet të jetë shumë emocionues për vetë renditjen që kanë të dy ekipet. Patushi, në lidhje me këtë përballje që e pret Tiranën të shtunën, bën të ditur se fitorja do të jetë rezultati i vetëm që do të kërkohet nga fillimi deri në fund të 90-minutëshit. "Edhe pse e njohim forcën e kundërshtarit, duhet që ndaj tij, përveçse të zhvillojmë një lojë të mirë, të marrim edhe tri pikët. Teuta na ka shkaktuar humbjen e dytë, pas Partizanit, në fazën e parë, kështu që, në njëfarë mënyre, duhet t'i kthejmë reston."


Postuar nga qershor13 datë 12 Dhjetor 2003 - 19:05:

Josa: Nuk na falen gabimet me Teutën

Tekniku i kampionëve në fuqi parashikon një 90-minutësh emocionues dhe rezultativ ndaj durrsakëve

Skuadrës së Tiranës i ka mbetur edhe një seancë tjetër stërvitore për të zhvilluar në pragballafaqimin e nesërm me Teutën në stadiumin "Niko Dovana". Megjithatë, duket se çdo gjë është gati për këtë sfidë. Është pikërisht trajneri bardheblu, Mirel Josa, i cili, në deklarimin për "Sportin shqiptar" një ditë para ndeshjes, konfirmon çdo gjë. "Duhet të zhvillojmë akoma edhe një seancë stërvitore deri në përballjen me durrsakët, por mund të them se përgatitjet janë pothuajse drejt përfundimit. Që nga dita e hënë, kur jemi rikthyer në stërvitje, kemi filluar të mendojmë për trasfertën e radhës që na pret. Probleme lojtarësh të dëmtuar nuk kam pasur, përveç Sinës dhe Dabullës, të cilët nuk do t'i kem në dispozicion për arsye kartonësh. Pjesa tjetër ka punuar me intensitet, për ta marrë si duhet ngarkesën fizike,"- thotë njëshi i stolit bardheblu. Për sa u takon dy të skualifikuarve me kartonë të verdhë, Josa bën të ditur se ato janë mungesa të rëndësishme, duke qenë se të dy futbollistët konsiderohen titullarë në ekip. "As diskutohet që për mua, si trajner, është "ndrydhje" që të mungojnë dy nga lojtarët e formacionit bazë, siç janë Dabulla dhe Sina. Gjithsesi, gjatë kësaj kohe, jam munduar t'i gjej zgjidhjet brenda skuadrës, pasi në dispozicion kam një grup prej 18-19 lojtarësh të aftë për një vend në skuadër. Te secili prej tyre kam besim se do të japë më të mirën nga vetja në ato momente kur i kërkohet,"- komenton ish-mesfushori i Tiranës në vitet '80-'90.
Për sa i takon mënyrës së lojës, që 20 herë kampionët do të zhvillojnë në qytetin e Durrësit, Mirel Josa e shpjegon në këtë mënyrë: "Ne, si gjithmonë, do të kemi për bazë lojën tonë karakteristike dhe, në të njëjtën kohë, do t'u kundërpërgjigjemi varianteve të kundërshtarit. Gjithashtu, duhet të bëjmë kujdes që në asnjë moment të mos biem viktimë e presionit, sepse do të ishte fatale për ne,"- vazhdon idenë e tij trajneri. Ndërkohë, në lidhje me kundërshtarin, Josa flet fjalët më të mira jo vetëm për futbollin që luan sot, por edhe për historinë që kanë bërë ndër vite Teuta dhe Tirana. "Teuta është një nga skuadrat që e ka rivalizuar ndër vite Tiranën, e cila edhe sot zhvillon një lojë të admirueshme dhe është me meritë në listën e ekipeve kryesuese. Durrsakët i kam parë në disa ndeshje së fundmi dhe me bindje them se takimi që do të luajnë me ne do të jetë një sfidë rivalësh të vërtetë. Madje më i fortë se ai që kemi luajtur me Vllazninë dhe Partizanin. Uroj që në këtë 90-minutësh të mbeten të kënaqur të gjithë të pranishmit që do të jenë në shkallët e stadiumit,"- shprehet 40-vjeçari.
I pyetur në lidhje me rezultatin e këtij takimi, Josa bën të ditur se Tirana udhëton në drejtim të Durrësit për një rezultat pozitiv. "Në këtë ndeshje të radhës, jam i mendimit se nuk do të influencojnë rezultatet që, si ne, ashtu edhe Teuta kemi koleksionuar në dy ballafaqimet e fundit. Do të jetë një përballje e hapur, ku ai ekip që gabon më pak do të përfitojë më shumë. Ndërkohë, synimi ynë ndaj "djemve të detit" do të jetë vetëm marrja e një rezultati pozitiv, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të vazhdojmë të qetë rrugën e gjatë të kampionatit,"- përfundon idenë e tij tekniku i kampionëve, i cili në 8 ndeshje ka korrur 8 fitore.


Postuar nga qershor13 datë 15 Janar 2004 - 14:06:

"Këmbëshpejti" bardheblu ka bindjen se në fund të sezonit Tirana do të fitojë titullin dhe Kupën e Shqipërisë
Sina: 2004-a, viti i dy kurorave

Fillimviti po i sheh bardheblutë me petkun e kampionëve në fuqi dhe njëkohësisht si ata të dimrit. Djemtë e Mirel Josës e kanë nisur me këmbën e mbarë 2004-n, duke fituar 2-1 ndaj Ruandës ditën e hënë. Edhe pse ishte një ndeshje miqësore, skuadra e Tiranës tregoi në lojën e saj progres, në krahasim me takimet që ka zhvilluar në fund të kampionatit. Tanimë trajneri Josa duket se do të marrë frymë më lirisht për këtë skuadër "ëndrrash", që kërkon gjithmonë maksimumin, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë. Prej 5 ditësh, kampionët po vijojnë përgatitjet në minifazën që po kryejnë në Egjipt dhe mezi presin rifillimin e kampionatit. Një nga lojtarët titullarë në ekip, siç është mesfushori i krahut të djathtë, Elvis Sina, mendon se Tirana, në përfundim të sezonit, do t'i fitojë të dy trofetë kombëtarë. Në një koment për "Sportin shqiptar", i palodhuri i krahut të djathtë të mesfushës së Tiranës shprehet i kënaqur me fazën përgatitore në Port-Said. "Prej 5 ditësh ndodhemi në Egjipt dhe jemi të kënaqur me kushtet që na janë afruar për t'u stërvitur. Në ndryshim me ato në Tiranë, këtu në Port-Said kemi favor edhe klimën e ngrohtë që mbizotëron, si dhe terrenet sportive që janë moderne. Në njëfarë mënyre, të gjitha këto na e lehtësojnë ngarkesën fizike që po marrim,"- thotë Sina. Faza përgatitore që po zhvillohet në vendin e piramidave e sheh për herë të katërt Elvisin një nga protagonistët e padiskutuar të skuadrës. Sa herë që Tirana stërvitet në këtë shtet, ai gjithmonë ka qenë pjesë e pandarë e Tiranës, ashtu si Dede, Fortuzi, Bulku, Tafaj dhe Hidi, që nga periudha kur është president El Sajedi. Në lidhje me ndeshjen miqësore ndaj Ruandës, 25-vjeçari bën të ditur se Tirana bëri një lojë të mirë dhe në fund u kurorëzua me sukses. "Ndaj Ruandës zhvilluam një lojë të rrjedhshme dhe me shumë raste për gol, nga të cilat shfrytëzuam vetëm dy. Edhe pse kishim vetëm pak ditë stërvitje, ndaj kombëtares ruandeze nuk ndryshuam shumë në modulin e lojës, duke bërë lojën tonë karakteristike. Largimi me karton të kuq nga loja i Tafajit dhe mbetja me 10 veta në fushë, te ne solli një mobilizim më të madh për ta fituar këtë takim, edhe pse ishte miqësor. Tanimë përpara kthimit për në Shqipëri kemi edhe një ballafaqim tjetër me skuadrën e El Masrit, me të cilën jemi ndeshur sa herë që kemi qenë në Port-Said,"- thotë nëpërmjet linjës telefonike këmbëshpejti Elvis Sina. Në fund të deklarimit të tij, numri 2 i kampionëve në fuqi gjykon se Tirana në fund të edicionit do t'i rrëmbejë të dy trofetë kombëtarë. "Besoj se viti 2004 do të jetë ai i dy kurorave, sepse jam i bindur se kemi për të fituar titullin kampion, por edhe Kupën e Shqipërisë. Ndryshe nga sezonet e kaluara, këtë herë jemi më të konsoliduar se kurrë dhe në fund kemi për të marrë frytet. Jemi të ndërgjegjshëm që rruga do të jetë e gjatë dhe e lodhshme, por në skuadër ndodhen 18-19 lojtarë për një vend dhe mungesa e njërit me karton të verdhë apo i dëmtuar nuk ndihet. Kjo është dhe diferenca që kemi me rivalët tanë të drejtpërdrejtë, si Partizani, Dinamo, Vllaznia dhe Teuta,"- i jep fund idesë së tij ish-mesfushori i kombëtares kuqezi në periudhën e Dosenës, Elvis Sina.


Postuar nga qershor13 datë 02 Shkurt 2004 - 18:49:

Sina: Në Vlorë patëm dy kundërshtarë

Lojtari bardheblu thekson se fituan ndaj Flamurtarit dhe terrenit shumë të rënduar.

Për mesfushorin e krahut të djathtë të kampionëve, Elvis Sinën, fitorja 2-0 e Tiranës në trasfertë ndaj Flamurtarit erdhi në momentin e duhur. Në dy takimet e fundit jashtë fushe, pikërisht ndaj Elbasanit dhe Lushnjës, kampionët kishin koleksionuar dy barazime 1-1, duke e shkurtuar diferencën me pikë me kundërshtarët. Në të tilla kushte, fitorja ndaj vlonjatëve ishte domosdoshmëri për të qenë kryesues të kampionatit. Edhe pse me mungesa të shumta në formacion për shkak pezullimesh dhe dëmtimesh, Tirana ia arriti qëllimit për të dalë me tri pikë nga fusha e lojës. Dy golat e Xhafës dhe Fortuzit u mjaftuan bardhebluve për të fituar ndaj një kundërshtari me shumë probleme, siç ishte Flamurtari. Tashmë si rrjedhojë e ndërprerjes së kampionatit për turneun miqësor të Norçias, të gjithë në skuadër bëjnë analizën e dy javëve të para të fazës së tretë. Njëri prej tyre është edhe futbollisti i palodhur i krahut të djathtë, Elvis Sina, i cili në një koment për "Sportin shqiptar" jep opinionin e tij për ecurinë e Tiranës: "Fazën e tretë nuk e kemi nisur aq mirë sa e kishim parashikuar, pas atij barazimi 1-1 ndaj Lushnjës. Kemi lënë rrugës dy pikë të tjera të çmuara, duke përfshirë këtu edhe barazimet me Teutën dhe me Elbasanin në fundin e fazës së dytë. Gjithsesi, fitorja e fundit me Flamurtarin të premten na ka çliruar disi moralisht në këtë ndërprerje trijavore që i është bërë kampionatit si rrjedhojë e ndeshjeve miqësore të kombëtares,"- bën të ditur numri 2 i bardhebluve. Ndryshe nga terreni me baltë i fushës asnjanëse të Kuçovës, ku kampionët në fuqi luajtën me Lushnjën, ndaj Flamurtarit u përballën me një "liqen". Stadiumi i Vlorës ishte i mbushur me ujë nga shirat e fundit, duke mos i lejuar të dyja skuadrat të shfaqnin në fushë një futboll që u shkon për shtat të dy ekipeve. Sina, i cili ishte një ndër "notarët" e këtij takimi, i shpjegon në këtë mënyrë 90 minutat ndaj vlonjatëve: "Në Vlorë patëm dy kundërshtarë, skuadrën e Flamurtarit dhe terrenin e rënduar nga shiu. Qe e pamundur që në të tilla kushte të pretendoje të luaje një ndeshje futbolli, megjithatë ato ishin kushtet dhe ne kishim si detyrë vetëm të fitonim. Ia arritëm qëllimit falë një loje me karakter të të gjithë skuadrës, duke shënuar dy gola dhe duke e mbyllur shpejt atë takim. Ndërkohë, keqardhje më vjen për skuadrën e Flamurtarit, njëra prej skuadrave që i ka dhënë tonusin kampionatit ndër vite, e cila po rrezikon shumë që këtë sezon të bjerë në Grupin A2. Do të jetë e vështirë për vlonjatët që ta përballojnë kampionatin me lojtarë pa shumë eksperiencë,"- vazhdon idenë e tij 25-vjeçari. Që sot, kur të fillojnë stërvitjen, dhe deri më datë 21 shkurt, që rifillon kampionati, bardheblutë kanë në dispozicion kohën e përshtatshme për të kolauduar formacionin. Elvis Sina mendon se gjatë këtyre ditëve stërvitje, përfshi edhe ndonjë ndeshje miqësore, Tirana do të kapë formën e saj më të mirë. "Ditët e pushimit në kampionat do t'i shfrytëzojmë për të ndrequr ato pak të meta që janë shfaqur së fundmi. Besoj se deri sa të rifillojë kampionati, do të jemi në formën tonë më të mirë."
Ndërkohë, në fund, mesfushori i krahut jep opinionin e tij dhe për kundërshtarët direktë në luftën për trofetë. "Besoj se titullin do ta diskutojmë me 4 skuadrat që vijnë pas nesh. Pra, ndeshjet direkte do të jenë ato që do të përcaktojnë 90 % të skuadrës fituese të kampionatit."


Postuar nga qershor13 datë 03 Shkurt 2004 - 13:51:

Josa: Suedia, pasqyra e vlerave të Norçias

Tekniku analizon situatën më të fundit në kampin e tij, duke mos qenë dakord me ndërprerjen e kampionatit.

Për trajnerin e Tiranës, Mirel Josa, ndërprerja e kampionatit për turneun e Norçias nuk i shërben skuadrës së tij në rrugën e gjatë për fitimin e të dy trofeve kombëtare. Sipas tij, nëse nga këto turne pritet të nxirren talente, kjo do të duket më së miri në aktivizimin e tyre në miqësoren e 18 shkurtit ndaj Suedisë. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", trajneri që ende nuk e njeh humbjen me bardheblutë, flet edhe për planin e skuadrës gjatë këtyre ditëve pushim të kampionatit.
- Josa, riktheheni në stërvitje pas fitores 2-0 ndaj Flamurtarit dhe dy ditëve pushim. Cila është gjendja e skuadrës?
- Në stërvitjen e sotme (të djeshme) kam disa mungesa, duke filluar me Mukën dhe Deden të dëmtuar, si dhe Bulkun me Agollin të grumbulluar me kombëtaren B në turneun e Norçias. Pjesa tjetër është e plotë dhe nuk ka probleme.
- Si do ta komentonit fitoren e fundit në trasfertë ndaj vlonjatëve?
- Ishte një fitore e rëndësishme për ne në luftën për fitimin e titullit kampion. Ndonëse luajtëm në një terren mjaft të rënduar nga balta, djemtë ditën të përshtateshin si duhet, duke shënuar dy gola.
- Ç´farë konkluzionesh keni nxjerrë nga ky 90-minutësh?
- Nuk mund të pretendosh të nxjerrësh konkluzione nga një ndeshje futbolli e luajtur në kushte ku edhe makina e ka të vështirë të lëvizë. Rëndësi për mua kishte sedra që shfaqën lojtarët dhe për këtë dua t'i falënderoj.
- Prej disa ditësh, kampionati ka marrë "lejen e zakonshme", e cila do të zgjatë deri më 21 shkurt, kur do të përballeni me Besën. A mendoni se është e drejtë një ndërprerje e tillë për një turne të kombëtares B?
- Jo, nuk është e drejtë që kampionati të ndërpritet në momentin që sapo nisi. Kemi të bëjmë me një shkëputje shumë të gjatë, e cila ka pasojat e saj negative për çdo skuadër. Tirana vjen nga një fazë përgatitore dhe me këto "pushime", nëse mund t'i quajmë, humbet shumë nga forma e saj fizike. Megjithatë, janë drejtuesit më të lartë të FSHF-së dhe trajneri Brigel, të cilët programojnë gjithçka, ndërkohë që neve, si klube, s'na mbetet gjë tjetër veçse t'u përshtatemi kërkesave të tyre.
- Brigeli pretendon se ky turne që do të zhvillohet në Norçia shërben për gjetjen e talenteve nga kampionati shqiptar. Ju çfarë do të shtonit?
- Nëse trajneri Brigel mendon kështu, kjo do të duket në takimin miqësor të 18 shkurtit, ndaj Suedisë. Pra, për mendimin tim, Suedia do të jetë pasqyra më e mirë e turneut të Norçias, ku do të shihet sesa nga këta lojtarë aktualë do të zbulohen si talente dhe do të luajnë si titullarë në miqësoren e kombëtares.
- Çfarë mund të na tregoni për planin e stërvitjes së Tiranës gjatë këtyre 3 javëve?
- Edhe pse kampionat nuk do të ketë, së bashku me stafin tim drejtues kemi hartuar një plan stërvitjeje, që do t'i mbajë plotësisht futbollistët në tonus. Kështu, dy javët e para kemi menduar që djemtë t'i ngarkojmë maksimalisht si nga ana fizike, por edhe tekniko-taktike. Ndërkohë, që në javën e tretë, disa ditë përpara ndeshjes me Besën, kjo ngarkesë do të ulet. Gjithashtu, në planin tim figurojnë edhe dy ndeshje miqësore, të cilat do të më ndihmojnë të shoh se në çfarë gjendjeje do të jetë skuadra.
- A do t'jua prishin planet mungesat e Mukës, Dedes, Agollit dhe Bulkut?
- Nuk besoj. Rëndësi për mua ka që Muka dhe Dede të riaftësohen plotësisht, sepse ata janë dy lojtarë që përshtaten shpejt me ekipin. Ndërkohë, Bulku dhe Agolli, edhe pse nuk do t'i kem në dispozicion, mendoj se do të stërviten maksimalisht me kombëtaren.
- Përveç këtyre problemeve që përmendëm më lart, a ka shqetësime të tjera brenda ekipit?
- Normalisht, ashtu si në çdo skuadër tjetër, edhe ne mund të kemi probleme të ndryshme, të cilat nuk mund t'i bëj të ditur, sepse presim presidentin El Sajed që të kthehet ditën e enjte në Tiranë.


Postuar nga qershor13 datë 03 Shkurt 2004 - 13:52:

Tirana-Naftëtari, miqësorja e parë bardheblu

Pas disa bisedimesh, më në fund skuadra e Tiranës e ka siguruar miqësoren e parë në këtë ndërprerje trijavore të kampionatit. Naftëtari i Kuçovës do të jetë kundërshtari që do të përballet ditën e shtunë me kampionët në fuqi. Kështu, në orën 14:00, në stadiumin "Selman Stërmasi", djemtë e Josës do të zbresin në fushë për të parë gjendjen në të cilën ndodhen pas fitores 2-0 ndaj Flamurtarit. Në këtë 90-minutësh, ndaj kuçovarëve që luajnë në grupin A2, njëshi i stolit bardheblu do të ndiejë mungesën e disa prej titullarëve, siç janë Muka, Dede, E. Bulku dhe Agolli, ku dy të parët janë të dëmtuar, ndërkohë që dy të fundit janë grumbulluar me kombëtaren B. Gjithashtu, sipas drejtuesve të skuadrës, për javën e ardhshme po bëhen përpjekjet që të sigurohet edhe një kundërshtar tjetër, emri i të cilit nuk është konfirmuar hëpërhë.


Postuar nga qershor13 datë 09 Shkurt 2004 - 14:06:

Merkoçi: Do të vijnë edhe golat e mi

Sulmuesi bardheblu beson se do të jetë i rëndësishëm për skuadrën në dy fazat e mbetura.

Eldorado Merkoçi është i bindur se do të jetë deciziv për skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit. Sulmuesi bardheblu ka shënuar vetëm 3 gola në dy fazat e para të kampionatit, pikërisht ndaj Vllaznisë, Teutës dhe Lushnjës, dhe është i bindur se do ta rritë këtë kuotë. I rikthyer te Tirana pas një eksperience të shkurtër 6-mujore në radhët e Partizanit, 26-vjeçari përbën një prej katër sulmuesve kryesorë të kampionëve në fuqi. Në takimin e fundit ndaj Flamurtarit, Merkoçi luajti titullar përkrah Xhafës dhe Fortuzit, por nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës. Në një koment për "Sportin shqiptar", sulmuesi energjik flet për veten dhe skuadrën. "Nuk kam shënuar shumë gola në dy fazat e para të kampionatit, sepse kam qenë i dëmtuar dhe pjesën më të madhe të takimeve i kam nisur nga stoli. Megjithatë, në ato raste që më janë paraqitur kam shënuar 3 herë, kur ndaj Vllaznisë dhe Lushnjës morëm tri pikët, ndërsa me Teutën humbëm fatalisht. Gjithsesi, jam i bindur se në takimet e mbetura të sezonit do të vijnë edhe golat e mi,"- shprehet numri 23 i kampionëve.
Në këtë ndërprerje trijavore të kampionatit, si rrjedhojë e ndeshjeve miqësore të kombëtares B, bardheblutë po stërviten me nga dy seanca ditën. Madje, ditën e shtunën, në stadiumin "Selman Stërmasi", Tirana luajti një takim miqësor me Naftëtarin, të cilin e fitoi me rezultatin e thellë 6-1. Çdo gjë për kampionët në fuqi shkoi sipas parashikimeve, edhe pse ishin të shumta mungesat e lojtarëve të grumbulluar me kombëtaren. Për sa i takon kësaj pauze të kampionatit, Merkoçi mendon se nuk është në favor të Tiranës. "Nuk është në favorin tonë kjo ndërprerje. Megjithatë, nga ana e stafit drejtues po merren të gjitha masat që skuadra të mos bjerë fizikisht, por edhe taktikisht. Po stërvitemi me nga dy seanca ditën dhe, nga ajo që u pa në ndeshjen me Naftëtarin, forma jonë ishte relativisht e mirë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ditët në vazhdim,"- bën të ditur numri 23 i bardhebluve.
Në lidhje me kundërshtarët në rrugën e gjatë për të dy trofetë kombëtarë, Merkoçi, si një ish-lojtar i Partizanit dhe i Vllaznisë, i sheh të dy këto ekipe rivalë kryesorë. "Kundërshtarë të drejtpërdrejtë shoh Partizanin dhe Vllazninë. Megjithatë, mënjanë nuk lihen as Dinamo dhe Teuta. Do të jetë një luftë e hapur ndërmjet nesh dhe këtyre katër skuadrave ajo që do të përcaktojë gjithçka. Nëse fitojmë sërish ndaj tyre, ashtu siç bëmë në fazën e dytë, atëhere titulli kampion do të jetë yni,"- gjykon Eldorado. Në fund të deklarimit të tij, sulmuesi këmbëshpejtë parashikon një betejë delikate ndaj Besës më datë 21 shkurt. Merkoçi mendon se, nëse ndaj kavajasve merren tri pikët, atëhere vihet një dorë të titulli, duke parë edhe përballjen direkte të Teutës me Partizanin. "Ndeshja me Besën do të jetë ndoshta më e vështira e kësaj faze të tretë, duke parë situatën që po kalojnë kavajasit. Nëse fitojmë ndaj tyre dhe kundërshtarët direktë dalin barazim, atëherë normalisht kemi vënë një dorë të titulli,"- i jep fund idesë së tij sulmuesi bardheblu, Eldorado Merkoçi.


Postuar nga qershor13 datë 12 Shkurt 2004 - 22:22:

Tafaj: Kam ende për t'i dhënë Tiranës

Mesfushori i krahut, "i ringjallur" me ardhjen e trajnerit Josa, kërkon të japë ende kontributin e tij.

Ndonëse mbi shpatullat e tij regjistrohen mbi 12 kampionate të luajtura në nivel të lartë, ai nuk ndien të lodhur në fushë. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut të majtë të Tiranës, Alban Tafaj, i cili mund të quhet zbulimi i fazës së dytë. Ardhja në krye e trajnerit Mirel Josa i hoqi Tafajt "pluhurin e stolit", që mbante në periudhën kur ekipin e drejtonte Sulejman Mema, duke u shndërruar në një prej pikave kyçe të mesfushës. Falë eksperiencës dhe zhdërvjelltësisë së tij, Tafaj së bashku me Patushin dhe Ervin Bulkun kanë qenë një mur i pakalueshëm për çdo skuadër. Në njëfarë mënyre, ky ka qenë dhe sekreti i bardhebluve në fitimin e ndeshjeve direkte me Vllazninë, Partizanin dhe Dinamon. Moduli i lojës 3-5-1-1 i ka dhënë të drejtë teknikut Mirel Josa për të marrë të gjitha komplimentet. Një gjë të tillë e pohon vetë Alban Tafaj në deklarimin e tij për "Sportin shqiptar", kur thotë: "Sigurisht, mënyra e lojës me 3 mesfushorë shkatërrues ka qenë siguri për skuadrën në takimet direkte me kundërshtarët tanë për titull. Edhe pse zakonisht kam luajtur alf i majtë, në qendër të mesfushës kam gjetur një dialog të shkëlqyer me Patushin dhe Bulkun. Me këtë mënyrë loje i kemi dhënë më frymëmarrje skuadrës dhe e kemi goditur kundërshtarin në çastet kur nuk e priste. Besoj se një mënyrë e tillë loje do të shfaqet sërish në të ardhmen,"- thotë numri 7 i bardhebluve.
Për sa i takon vetes së tij, Albani komenton se ndihet në formë shumë të mirë, të cilën kërkon ta vendosë në dispozicion të skuadrës. "Jam i ndërgjegjshëm se kam ende për t'i dhënë Tiranës. Po kaloj një formë shumë të mirë fizike dhe këtë kërkoj ta vë në shërbim të ekipit për arritjen e objektivave. Një meritë këtu për formën time ka edhe trajneri Mirel Josa, i cili më ka dhënë mundësinë të aktivizohem si titullar në fazën e dytë. Besoj se edhe unë ia kam shpërblyer,"- vazhdon idenë "sallaksi" i kampionëve në fuqi. Në lidhje me skuadrën, Albani shprehet se Tirana e sivjetme është më e mira e këtyre viteve të fundit. Sipas tij, forca e ekipit mbështet në konkurrencë, kualitetet dhe në frymën harmonike mes stafit dhe lojtarëve. "Tiranën e sivjetme mund ta përkufizoj thjesht më të mirën e këtyre viteve të fundit. Në skuadër ka një konkurrencë të madhe mes 19 futbollistësh të përafërt në cilësi, si dhe ekziston një klimë harmonike ndërmjet lojtarëve dhe drejtuesve. Kjo sjell atë që Tirana të jetë absolute në kampionat dhe të kihet zili prej të gjithë kundërshtarëve,"- gjykon 30-vjeçari.
Për ndërprerjen trijavore të kampionatit, Tafaj mendon se nuk i shërbeu skuadrës, pasi i uli vrullin fazës përgatitore të zhvilluar në Egjipt. "Ndërprerja e kampionatit për miqësoret e kombëtares B nuk ishte në të mirën tonë, sepse ne vinim pas një faze përgatitore intensive në Egjipt. Megjithatë, trajneri Josa u mundua që me nga dy seanca stërvitore ditën, si dhe me ndeshje miqësore të na ruajë gjendjen fizike për vazhdimin e kampionatit. Tashmë presim të luajmë ndeshjen me Besën, e cila do të thotë shumë për ne në luftën për fitimin e titullit, duke parë edhe sfidat direkte që kanë rivalët."


  Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 61 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.