Forumi Horizont
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kampionati Francez (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=174)
-- Te ndryshme nga Kampionati. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1940)


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:33:

Te ndryshme nga Kampionati.

Ndonëse e ndërprenë serinë e fitoreve, futbollistët e Lilës arritën ta ruajnë pozitën e parë në renditjen e kampionatit francez edhe pas javës së katërt, megjithëse një kohë të gjatë do të pendohen që kundër Mecit nuk rrëmbyen tri pikë të reja.
Në të vërtetë, mysafirët patën vetëm një rast në këtë ndeshje, të cilin edhe e shfrytëzuan në minutën e 3-të. Delpier dhe Moreno shëtitën nëpër mbrojtjen e Lilës, kurse Tiav e mposhti portierin Vimbea. Pas këtij goli e gjithë loja u zhvillua në gjysmëfushën e mysafirëve. Megjithatë përkundër presionit të vazhdueshëm të futbollistëve të Lilës dhe rasteve të shumta për shënim, porta e portierit të Mecit, Agas, u tund vetëm një herë dhe atë në fillim të pjesëlojës së dytë, kur bullgari, Mançev shënoi golin e barazimit. Skuadra e Olimpikut të Marsejit e vërtetoi edhe një herë faktin se në këtë kampionat është favorite për titull kampioni, duke e mposhtur Soshon, pa ndonjë problem të madh me golat e Drogbës dhe Hemdanit. Në anën tjetër, skuadra kampione, Lion i zhgënjeu adhuruesit e saj edhe një herë. Kësaj radhe kampionët e Francës luajtën pa gola me Tulluzin, skuadër e cila në dy javët e kaluara ka pësuar madje 11 gola.

Rezultatet:

Bordo-Okser 2:0
Olimpiku-Sosho 2:0
Strazburg-Lens 0:1
Ren-Guingamp 0:0
Nant-Le Man 1:0
Bastia-Monpellie 1:0
Lion-Tulluz 0:0
Lilë-Mec 1:1
Nica-Ajasio 2:2
PSZH-Monako 2:4


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:35:

Futbollisti i deritashëm i Bajernit të Munihut, braziliani Xhovani Elber karierën do ta vazhdojë në skuadrën franceze, Lion. Transferimi i Elberit në radhët e kësaj skuadre është i vlefshëm 4 milionë euro. “Kemi arritur marrëveshjen dhe Elberi është anëtar i ri i klubit tone”, kanë pohuar zyrtarët e Lionit. Elber në gjashtë vitet e fundit ka qenë anëtar i Bajernit, kurse në fanellën e skuadrës bavareze ka luajtur 256 ndeshje, në të cilat ka shënuar 133 gola.

Ndonëse edicionin e kaluar ishte golashënuesi më i mire i Bundesligës, me 21 gola të shënuar, ardhja e holandezit, Roj Makaj e lëkundi pozitën e tij në skuadrën bavareze. “Jam tepër i moshuar për të qëndruar ulur në bankinë. Unë dëshirojë të luajë, meqë jamë afër përfundimit të karierës”, ka pohuar Elber. “Kam shpresuar se Elberi megjtihatë do të qëndroj tek ne. Por tash kur gjithçka ka përfunduar rreth transferimit të tij, unë i dëshirojë fat në klubin e ri”, ka pohuar trajneri i Bajernit, Otmar Hitcfild.


(Sjell ne forum nga BUCS)


Postuar nga i_lire datë 03 Shtator 2003 - 05:37:

Lioni dhe Paris SG-in humbasin. Nanta i bashkohet në krye Lilës, pas fitores ndaj Bordosë
Nanta ngjitet në krye
Nanta iu bashkua Lilës, në krye të renditjes së Ligës 1, pasi barazoi pa gola ndaj Bordosë, ndërsa Lioni, kampion në fuqi dhe Paris SG-ni vazhduan të zhgënjenin në këtë fillimsezoni. Nanta nuk arriti të thyente mbrojtjen e Bordosë, megjithëse dominoi takimin, por barazimi ishte i mjaftueshëm për ta ngjitur atë në krye me 10 pikë. Monako dhe Marseja, që kanë nga nëntë pikë, mund të ngjiten në krye pas ndeshjeve të sotme. PSG-i, që kishte shumë ambicje para fillimit të sezonit, pësoi humbjen e tretë në pesë ndeshje në Montpelje. Dy gola të Habid Bamogos dhe një tjetër i Rui Patakas i siguruan Montpeljesë fitoren 3 2. Humbja e ka lënë PSG-in në vendin e 17-të në renditje. Lioni humbi 2 0 ndaj Gengompit, që arriti fitoren e parë të sezonit të ri të Ligës 1. Pas ndeshjes, Gengompi iu ankua Ligës Franceze (LFP) për përfshirjen në formacion të sulmuesit të ri të Lionit, Elber, pasi mendon se ai nuk mund të luante. Drejtuesit e Gengompit thanë se Elberi nuk e ka marrë ende licencën nga LFP-ja, por Lioni u përgjigj se kishte numrin e licencës dhe dokumentet e identitetit, që mjaftojnë për një lojtar të luajë.
Monako, në kërkim të sulmuesit
Monako do të synojë sot të vazhdojë sulmin ndaj titullit të Ligës 1 në takimin ndaj Metzit, por trajneri Didier Deshamps nuk është përqendruar te ndeshja, pasi ka qenë në kërkim të një sulmuesi. Ai nuk ka pasur shumë sukses, pasi Xhohn Kerju dhe Xhiovane Elber kanë kthyer mbrapsht ofertat e Monakos dhe kanë zgjedhur klube të tjera. Deshampsi ka lejuar të largohet sulmuesi veteran Marko Simone, i cili ka zgjedhur Fiorentinën. 34 vjeçari ishte detyruar të ulej në stolin e rezervave dhe ra dakord me klubin të kthehej në vendlindje. Monako arriti të fitonte 4-2 ndaj Paris SG-it javën shkuar, por humbi sulmuesin Shabani Nonda, i cili do të qëndrojë jashtë fushave të futbollit gjatë të gjithë sezonit. Megjithatë, trajneri i Metzit, Zhan Fernandez, tha se Monako është një pretendente serioze për të fituar titullin e Francës. Nëse Monako do të luajë si në Paris, Fernandezi pret që lojtarë të tij, të cilët barazuan 1 1 ndaj Lilës javën e shkuar, të hasin shumë vështirësi. "Duhet të paraqitemi më mirë se ndaj Lilës, - tha ai. - Nëse do të kalojmë një ditë të mirë dhe nëse Monako luan nën nivelin e saj, atëherë mund të bëjmë një surprizë. Por, nëse Monako do të përsërisë paraqitjen ndaj Parisit, atëherë do të hasim shumë vështirësi." Shpresat e Fernandezit varen te fakti se si do të luajë Monako pa Nondën. "Ata kanë humbur sulmuesin kryesor dhe këtë gjë do ta ndiejnë gjatë sezonit, - tha Fernandezi. - Ata do të luajnë çdo tri ditë, sepse marrin pjesë në Ligën e Kampioneve dhe për këtë fakt kërkojnë një sulmues të ri." Megjithatë, dje është bërë e ditur se Monako i është afruar shumë blerjes së sulmuesit të Realit të Madridit, Fernando Morientes. Sulmuesi spanjoll nuk gjen vend në skuadrën e Madridit dhe shpreson që në Francë të mund të fitojë një vend në përfaqësuesen e Spanjës.


Postuar nga qershor13 datë 10 Shtator 2003 - 16:12:

Emanul Pëti largohet nga futbolli ndërkombëtarë. Mbrojtëësi francez i ka dhënë lamtumirën kombëtares së vendit të tij si pasojë e një mosmarrëveshjeje me trajnerin Zhak Santini.

Me kombëtaren fraceze Pëti ka rritur të fitojë titullin botëror në 1998 dhe Evropianin e 2000-shit.


Postuar nga qershor13 datë 12 Shtator 2003 - 18:03:

Santini: Duhet të përmirësohemi
Trajneri i Francës, Zhak Santini, është një njeri që synon perfekten dhe ka filluar të kërkojë se ku mund të përmirësohet skuadra, pasi "Les Bleus" siguruan kualifikimin në Ruro 2004 pas fitores së shtatë në po kaq ndeshje. Kampionët në fuqi e siguruan kualifikim me një fitore 2 0 ndaj Sllovenisë, që ka siguruar një vend në play off. Santini duhet të jetë kënaqur nga fakti se Franca është e vetmja skuadër që i ka fituar të gjitha ndeshjet e grupit, por ai sheh përpara dhe kërkon të gjejë se në cilët aspekte skuadra dhe lojtarët mund të përmirësohen. "Nëse Franca synon të paraqitet mirë në Euro 2004, duhet të përmirësohemi. Miqësoret e ardhshme do të jenë mësime të reja, që do të përdoren në qershor, në Portugali," - tha Santini. Fabien Bartez ishte në formë të shkëlqyer, duke bërë disa pritje, që ruajtën epërsinë e Francës, dhe portieri ishte kënaqur me paraqitjen e tij. "Kjo është një skuadër e madhe. E rëndësishme është që u kualifikuam. Jam shumë i kënaqur," - tha Bartezi, i cili nuk është më titullar te Mançester Junajtidi. Santini është kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij jashtë fushe dhe shpreson që Franca të arrijë fitoren e tetë në takimin ndaj Izraelit. "Eshtë e rëndësishme që po fitojmë në të gjitha fushat dhe në këtë pikë do të përgatitemi, - tha Santini. - Kualifikimi na jep një gëzim të madh."


Postuar nga qershor13 datë 22 Shtator 2003 - 16:04:

Monako bëri një hap të rëndësishëm në garën për titullin e Ligës 1, pas fitores me rezultatin 2-1 ndaj Montpeliesë.

Emanuel Adebajor e kaloi skuadrën e Principatës në avantazh në minutën e 17-të, por Montpelieja u përgjigj menjëherë me një gol të Pierr LëgleSë. Monako, e cila fitoi të mërkurën ndaj PSV-së në Ligën e Kampioneve, e siguroi fitoren falë golit të Ludovik ZhuliSë, kur kishin mbetur vetëm 18 minuta nga përfundimi i krejt takimit. Skuadra e Didië Deshampit regjistroi fitoren e 5-të dhe u ngjit në kuotën e 16 pikëve. Në takimet e tjera të së dielës, Xhovane Elber shënoi 2 herë për Lionin, që fitoi 2-0 ndaj La Manshit. Sulmuesi brazilian shënoi në minutën e 11-të dhe të 88-të, duke u siguruar 3-pikëshin kampionëve në fuqi të Francës. Lioni regjistroi fitoren e 3-të të sezonit dhe u ngjit në kuotën e 11 pikëve. Të dyja skuadrat e përfunduan ndeshjen me nga 10 lojtarë, pasi Sidni Govu i Lionit dhe Frederik Tomas i La Manshit u dënuan me kartonë të kuq. Si Monako, ashtu edhe Lioni, erdhën në javën e 7-të të Ligës 1 pas fitoreve në ndeshjet e para të fazës në grupe të Ligës së Kampioneve. Në ndeshjet e së shtunës, Paris San Zhermeni arriti të fitonte me rezultatin 2-0 ndaj Gengomit, paçka se luaji për një kohë të gjatë me 10 lojtarë. Mesfushori Branko Boshkoviç u dënua me karton të kuq në minutën e 32-të, por skuadra e kryeqytetit kaloi në avantazh në minutën e 65-të me anë të Fabricio Fiorezes dhe vetëm pas 5 minutash ishte golashënuesi portugez Pauleta, i cili vulosi fitoren falë një 11-metërshi.


Postuar nga qershor13 datë 29 Shtator 2003 - 20:29:

Bordoja rigjen ritmin

Bordoja arriti të siguronte një fitore të ngushtë me rezultatin 1-0 ndaj Ajaços dhe u ngjit në vendin e 14-të të renditjes së Ligës 1, pas ndeshjeve të së dielës, të vlefshme për javën e 8-të të kampionatit francez. Bordoja, që u ngjit në kuotën e 10 pikëve, po aq sa edhe Ajaço, që renditet në vendin e 15-të, e shënoi golin e vetëm të takimit me anë të Zhan Klod Darshevilit në minutën e 78-të. Tabela e Ligës 1 kryesohet nga Monako, që të shtunën fitoi me rezultatin bindës 3-0 ndaj Tuluzës, duke u ngjitur në kuotën e 19 pikëve, ndërsa Marseja mban vendin dytë, me 18 pikë, pas fitores 2-1 ndaj Nisës. Lioni, skuadra kampione në fuqi, u ngjit në vendin e 3-të, duke u bashkuar me grupin që kryeson tabelën, pas fitores së thellë me rezultatin 4-0 ndaj Lensit.


Postuar nga qershor13 datë 06 Tetor 2003 - 20:05:

Monako çon Deshampin në eufori
Trajneri i Monakos, Didië Deshamp, e pranoi se ishte në eufori pasi skuadra kryesuese e Ligës 1 më në fund ka arritur të çlirohet nga "fantazma" e humbjes së titullit të sezonin e kaluar. Fitorja me rezultatin 2-1 ndaj Gengomit jo vetëm që e mbajti Monakon në krye të renditjes, por bëri që skuadra e principatës t'i shkaktonte humbje ekipit që veniti shpresat e saj për titullin e kaluar.
Fitorja e Gengomit me rezultatin 2-1 majin e kaluar, në javën e parafundit të sezonit, bëri që titulli t'i kalonte Lionit. Deshampi, skuadra e të cilit po kalon një periudhë të mirë edhe në Ligën e Kampioneve, ka mbetur shumë i kënaqur me skuadrën e tij që fitoi falë golave të Ludovik Zhulisë. "Skuadra dëshiron të arrijë nivele më të larta,- tha Deshampi.- Liga e Kampioneve është një përvojë shumë e vlefshme për ne. Ne arritëm ta shfrytëzonim euforinë që na shkaktoi fitorja ndaj AEK-u të Athinës edhe në kampionatin francez." Edhe klubi që është në krizë, Paris San Zhermeni, duket se më në fund është rikthyer në formë të mirë pas fitores 1-0 ndaj Soshosë. Pas golit të sulmuesit portugez Pauleta, trajneri boshnjak Vahid Halilhoxhiç tha se fitorja e së shtunës ndihmoi që skuadra e tij ta ndryshonte mentalitetin e saj. "Ne arritëm diçka me këtë fitore,- tha Halilhoxhiçi.- Jam shumë i kënaqur me lojën e skuadrës. Ne nuk jemi më humbës." Ndërkohë, dje, Marseja fitoi 3-1 ndaj Bastias, duke e rikthyer në një pikë distancën me Monakonë kryesuese.


Postuar nga qershor13 datë 09 Shkurt 2004 - 16:55:

Lion, zvogëlohen shanset për titull

Humbja e Lionit 1-0 ndaj Gengompit mund t'u ketë dhënë fund shpresave të tij për ta mbrojtur titullin e Ligës 1. Kampionët në fuqi renditen të tretët, me 7 pikë më pak se Monakoja kryesuese. Okseri është ngjitur në vendin e dytë, me pikë të barabarta, por me diferencë më të mirë golash. "Kemi dëmtuar veten tonë dhe nuk do të jetë e lehtë në pjesën e mbetur të sezonit, - tha portieri Gregori Kupe. - Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm." Presidenti i klubit, Zhan Mishel Aulas, tha se humbja ishte një goditje e rëndë psikologjike për Lionin, që në janar kishte arritur ta shkurtonte në katër pikë distancën me Monakon. "Diferenca matematike midis humbjes dhe barazimit është shumë e vogël. Por psikologjikisht ajo diferencë është shumë e madhe, - tha ai. - Tani na duhet të shërojmë shpirtrat." Megjithatë, sulmuesi i Lionit, Sidnej Govu, nuk pranoi që të dorëzohej, kur kanë mbetur edhe 15 ndeshje nga përfundimi i sezonit. "Ka qenë e vështirë më parë dhe vazhdon të jetë edhe tani, - tha Govu. - Tani na duhet të fitojmë ndeshje të tjera dhe llogaritë do t'i bëjmë në fund të sezonit." Lioni do të përballet me Monakon të mërkurën në Kupën e Francës, ndërsa të dielën e ardhshme do të luajë ndaj Okserit në Ligën 1. Trajneri i Monakos, Didië Deshamps, tha se ndeshja e kupës do të vendosë se cila skuadër do të kualifikohet në çerekfinale dhe mund të ndikojë në përfundimin e kampionatit. "Do të shohim se kush do të dorëzohet i pari," - tha ish-mesfushori i përfaqësueses franceze.


Postuar nga qershor13 datë 12 Shkurt 2004 - 22:39:

Monako shkatërron sërish Lionin

Sulmuesi spanjoll Morientes i dhuron Monakos një tjetër fitore ndaj rivalëve për titull.

Një 3-golësh i shkëlqyer nga Fernando Morientes fundosi kampionët e Lionit në fitoren me rezultatin 4-1, që i siguroi Monakos një vend në fazën çerekfinale të Kupës së Francës. Lioni, që kërkonte hakmarrje pasi humbi me rezultatin 3-0 në një ndeshje të Ligës 1 në Principatë pothuaj para një muaji, luajti më mirë në fillim të ndeshjes, duke shënuar që në minutën e 14-të me anë të brazilianit Elber. Morientesi, i marrë hua nga Reali i Madridit në fund të merkatos së verës së kaluar, e barazoi rezultatin në minutat e fundit të pjesës së parë. Dy gola me kokë nga spanjolli brenda 3 minutave, 58' dhe 61', i siguruan Monakos fitoren. Dado Prso i përfaqësueses kroate e vulosi fitoren duke shënuar golin e 4-t në minutën e 86-të. Fitorja ishte edhe më mbresëlënëse, pasi trajneri Didië Deshamp kishte kërcënuar se do të aktivizonte një skuadër rezervë në shenjë proteste për kalendarin e ngjeshur dhe mbajti në stol disa nga lojtarët e tij më të rëndësishëm. Kapiteni Ludovik Zhuli, i cili është dëmtuar ashtu si mbrojtësit e Francës Patris Evra dhe Sebastien Skilaçi, ishte mes lojtarëve që mungonin. Lioni, që ka pësuar 7 gola në 2 ndeshjet e fundit me rivalët për titull, rrezikoi me anë të sulmuesve Sidni Govu dhe Pegi Lyindula, por portieri italian i Monakos, Flavio Roma, luajti shumë mirë. Kampionët e Francës do të kenë një tjetër ndeshje të vështirë për të luajtur në fundjavë, kur të përballen me Okserin, që u eliminua të martën në Kupën e Francës ndaj Brivesë, skuadrës së kategorisë së 3-të. Okseri, që renditet në vendin e 2-të, dhe Lioni kanë nga 44 pikë, 7 më pak se Monako që kryeson renditjen.


 
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.