Forumi Horizont Gjithsej 84 faqe: « E parë ... « 72 73 74 75 76 77 78 79 80 [81] 82 83 84 »
Trego 84 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Ah, kjo gazetaria shqiptare!!! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=18478)


Postuar nga robert datë 01 Shtator 2019 - 17:37:

Mihalët dhe mbikalët

Ngjarja e pak ditëve më parë nxorri edhe një herë sheshit ato fenomene negative që kanë mbuluar këtë vend, e të cilat po i marrin frymën, duke mos e lënë të zhvillohet. Këto fenomene burojnë jo vetëm thjesht nga zona rurale dhe fshatare, këto fenomene janë jo vetëm tregues i arsimimit dhe kulturës së ulët të banorve të ardhur nga këto zona, por këto fenomene negative tregojnë edhe një herë, që në këtë vend nuk respektohen ligjet në fuqi dhe as ka kush ti mbrojë këto ligje. Fatkeqësi e këtij vendi, tragji-komedi e këtij populli, është për të ardhur keq!
Në radhë të parë kjo ngjarje na rrezaton si një skenar i kurdisur më parë, pak a shumë po si ai i ndodhur para nja 10 vjetësh me ministrin shqiptar të kulturës, Ylli Pangon, ku i gjithë opinioni pa vetëm ato sekuenca të filmit të fshehtë, që tregonin joshjen seksuale të tij ndaj një vajze të re, duke dënuar kështu njëzëri shpërdorimin e detyrës nga an’ e tij, ndërkohë që më vonë doli se kish qenë vetë vajza e paguar nga struktura të tjera në joshjen seksuale të ministrit! Në rastin e tanishëm, atë të kontaktit midis pronarit të restorant-hotelit në Qeparo, Mihal Kokëdhimës, dhe guidës turistike të udhëhequr nga dy shqiptarë, shohim po ashtu disa mangësi dhe manipulime në transmentimin e lajmit nga mediat, po ashtu shohim disa rrjedhime që lenë mjaft për të dyshuar, se e gjithë ngjarja ka qenë e piksynuar më parë.
Në filmin e hedhur në youtube dhe të transmentuar nga disa televizione më 17 gusht, ne nuk shohim se si ka nisur ky konflikt. Nga lajmet e TV-ve dhe gazetave të ndryshme marrim vesh tre lajme jo të njëjta. Njëri thotë, se klientëve turistë të huaj u ishte vonuar porosija e bërë. Ndërsa një lajm tjetër fliste për ardhje të tepërt të asortimenteve të porositur. Gjithashtu jepej edhe një lajm i tretë, se peshku i serivirur nuk ishte i egër, siç e përmbante menyja, por i rezervatit! Lajmi i parë ishte më i përdorur, ndërsa lajmi i dytë dhe i tretë më pak të përdorur nga mediat.
(Po shtoj tani më mbrapa, se edhe në lajmet e sapo-para në youtube të datës së djeshme dhe sotme, 22+23 gusht, tek Report-TV, ku pretendohet të jepet më i saktë shkaku i i nisjes së konfliktit, jepen tre variante të tjerë të nisjes së këtij konflikti. Njëri nga tashmë i arrestuari, Mihali, dhe dy variante të tjerë nga guida turistike, nga shqiptarët udhëheqës dhe spanjollët. Vetkuptohet, sipas variantit të Mihalit, fajtorë dalin dy guidistët shqiptarë me grupin e tyre turistik, ndërsa sipas variantit të guidistëve fajtori kryesor është Mihali me sjelljen e tij arrogante dhe agresive. Varianti i vajzës spanjolle dhe të afërmëve të saj e rëndon më pak Mihalin, por në deponimin e spanjolles nuk kemi fillimet e këtij konflikti. Një deponim tjetër, i një të njohuri të Mihalit, i cili pretendon se ishte aty atë kohë ku u zhvillua fillimi i ngjarjes, na flet për diçka akoma më tjetër, na flet për sharje të dy udhëheqësve të grupit në adresë të Mihalit, duke i rënduar kështu shumë më tepër guidistët shqiptarë, po dhe turistët spanjollë. Në mes të gjitha këtyre deponimeve deri diku jo të njëjta për fillimin e konfliktit, ne nuk mund të bazohemi në as edhe njërin prej tyre, por nxjerrim vetvetiu një të mesëm, i cili nuk përputhet me variantin mediatik dhe opinionin dënues të mijra komentuesve.)
Pas proçesit të porositjes së ushqimit, peshqëve të përzgjedhur në guzhinë, dhe pregatitjes së këtyre peshqëve nga vetë Mihali në guzhinë, nis një proçes akoma i pazbardhur saktë, ai i prishjes së kësaj porosie. Kjo i shkon në vesh Mihalit, i cili i nxehur del (me peshqit apo pa peshqit në zgarë) dhe konfliktohet me fjalë me grupin turistik. Të indinjuar këta çohen dhe ikin. Aty konflikti përshkallohet edhe në kapje trup me trup. Spanjollët futen në mikrobuz e pas tyre edhe dy guidistët shqiptarë. Mihali i del përpara makinës dhe kapet tek skrofonti i saj përjashta. Makina niset dhe Mihali mbetet i varur përballë shoferit dhe guidistit tjetër, duke qëlluar drejt xhamit dhe thirrur për ta ndaluar maqinën. Nga ky moment ne e kemi gjithshka pastaj të filmuar nga vajza e turistit spanjoll.
Në këtë filmim ne shohim dy guidistë të papërgjegjshëm, shoferi që vazhdon ti japi mikrobuzit, ndonëse jeta e njeriut të varur përpara makinës është në rrezik, kemi dhe guidistin tjetër që shan me fjalor banal dhe qëllon tek dora ku mbahet i varuri përpara makinës. Kemi rreth 5-6 minuta filmim, ku shohim një sjellje mjaft cinike dhe çnjerëzore të dy guidistëve shqiptarë.
Kemi pra deri tani një shitje mediatike të ngjarjes krejt ndryshe nga ajo e fillimit (e pafilmuar) dhe nga ajo që është zhvilluar më tej (e filmuar dhe e parë nga të gjithë ne). Gjithashtu shohim, se guida turistike shqiptare është mjaft e papregatitur profesionalisht, për t’mos thënë e udhëhequr nga dy shtazë prehistorike. Një prokurori e pavarur me hetues profesionistë, jo vetëm duhet të hetojë edhe dy udhëheqësit shqiptarë të grupit spanjoll, por duhet të hetojë edhe në një linjë tjetër, të cilën qytetari i rëndomtë shqiptar i telenovelave nuk arrin dot ta mendojë, atë se mos i gjithë ky konflikt ka qenë i pregatitur nga dy guidistët shqiptarë, (e ndoshta edhe të tjerë më lart), për ta futur familjen e milionierit spanjoll në një ngatërresë me viktima, ku atij do i duhej pastaj të paguante disa milionë euro për të dalë pa lagur nga hetuesia shqiptare.
Çfarë na tregoi tjetër kjo ngjarje alla-shqiptare? Mbas shfaqjes së filmimit në TV dhe Internet, ne pamë nga 99% e komentuesve shqiptarë një indinjim të madh ndaj pronarit të lokalit, një zemërim patollogjik, një lançim elektronik. Edhe një herë ne pamë, se si publiku shqip-folës është mjaft i manipuluar nga mediat. Rrallë e tek vumë re ndonjë koment neutral dhe objektiv, i cili dënonte edhe sjelljen e dy guidistëve shqiptarë, apo që kërkonte më tej. Ky lloj manipulimi pa kurrfarë dhune, ky lloj vetmanipulimi i publikut, kjo lënie e vetvetes për tu manipuluar nga cilado media, është mjaft e dhimbshme, boll për tu preokupuar, tepër për tu merakosur. Sepse në (l)lumin e lançimit elektronik mund të bjerë edhe një njeri i ndershëm, fati i të cilit mund të shkojë për keq, pikërisht nga kjo lehtësi e formimit të një opinioni të caktuar. Një publik të tillë kaq naiv e budalla Shqipëria nuk e ka patur më parë, një publik të tillë kaq të paformuar dhe të paarsimuar vështirë ta gjesh në tjetër vend të botës. Kjo është një e keqe mjaft e madhe për Shqipërinë.
Në këtë histori ne pamë një resort turistik mu në buzë të detit. Si me ligj, edhe me thëniet e kryeministrit të tanishëm, Edi Rama, në buzë të detit janë të ndaluara ndërtimet çfardo. Mihal Kokëdhima jo vetëm e ka ngrejtur resortin e tij Panorma mu në buzë të detit, por pa norma fare ka bërë të vetin edhe gjithë plazhin aty pranë dhe gjiun që gjindet përballë resortit pa norma e ligje. Ky ndërtim tërësisht pa norma dhe buzë detit nuk është i vetmi në Shqipëri. Janë me dhjetra të tjerë që bëjnë të fortin dhe gëzojnë resortet e tyre buzë detit. Jo vetëm kaq, por ngritja e këtyre resorteve ka vazhduar edhe pas 2013-ës, pikërisht matanë Ujit të Ftohtë në Vlorë nga (kryesisht) radhimasit. Pikërisht, në këto vite ku ka buçitur me të madhe se nuk do të lejohen më ndërtime buzë detit, pikërisht këto vite dhe nën hundën e gjatoshit piktor janë ngrejtur sërish të tilla resorte, dhe vazhdojnë akoma aktivitetin!!! A mund të quhet shtet ky?!? Apo për disa është shtet i nënës dhe për të tjerë shtet i njerkës?!?
Kjo ngjarje na tregoi akoma më shumë! Ajo na tregoi se jo vetëm lokali-hotel i Mihalit ishte ngritur ilegalisht, pra me miqësira, që do të thotë se administrata dhe shteti kanë mbyllur njërin sy, por edhe sa e sa lokale e resorte të tjerë janë ngritur përgjatë bregdetit dhe Bregut (Rivierës) pa leje e norma, pa ligje dhe plane urbanistike! Dhe shteti i sotëm, nuk paska ditur deri më sot fare për ndërtesën pa norma të Mihalit! Dhe ky shtet, nuk di akoma se dhjetra resorte të tjerë janë pa norma, pa ligje, pa plane urbanistike. Mos duhet të ndodhë edhe tek të tjerët përplasje, si tek Mihali, që ky shtet të ndalojë ndërtimet pa leje në bregdet!?! Apo do të vazhdojë prishja e të gjitha resorteve turistikë buzë detit?..
Kjo ngjarje solli në mejdan edhe një herë sjelljen pa kulturë të shumë punonjësve në sektorin e turizmit. Duke filluar nga kamarierët e deri tek pronarët vërejmë akoma një sjellje dhe shërbim të dobët. Sapo ulesh në tavolinë, të vjen shpejt një kamarier i ri e i vrerosur, i cili fshin tavolinën me një leckë të lagur e mavi! Shpesh merr njëbon me pagesë më të lartë nga sa kanë kushtuar porositë! Nervozizmi dhe grindja e punonjësve të një lokali tranmentohen hapur e pa kokçarje deri tek klienti i ulur në tavolinë. Pa i përmendur me dhjetra detaje të tjera të parregullta, mund të thuash i qetë, se nëpër lokale dallon ashiqari papregatitja profesionale e personelit shërbyes. (Ngaqë kam punuar vetë rreth 20 vjet në gastronomi, ngaqë kam marrë një kulturë të caktuar në familje, shkollë e shoqëri në lidhje me komunikimin, shërbimin, gatimin, etj., ngaqë nuk le emision televiziv pa parë në lidhje me kulinarinë, gastronominë, hotelerinë, etj., jam ndalur vetë tek disa lokale duke folur me shefin dhe punëtorë të çastit, dhe ua kam vënë në dijeni gabimet spontane dhe ato të shërbimit të përditshëm; jam falenderuar dhe nuk kam rënë as edhe një herë në konflikt me ndonjërin për kritikat dhe këshillat e dhëna.)
Si përmbledhje them edhe një herë, kjo ngjarje nxorri për të miliontën herë në dritë problemet e mëdha që ka ky vend dhe kjo shoqëri. 1) Ngjarja duket e sajuar dhe e parapregatitur për të shkuar në konflikt, si shumë ngjarje të tjera. 2) Media shqiptare vazhdon të duket e varur nga struktura të caktura të qeverisë dhe shtetit, si e tillë është e painteresuar të kërkojë të vërtetën e një ngjarje. 3) Në guidat shqiptare të turistëve gjinden fshatarë harbutë e pa shkollë, pse jo edhe kriminelë. 4) Publiku shqip-folës ka një formim të ulët intelektual, është mjaft i manipulueshëm nga mediat, e karakterizon banaliteti, –si i tillë ai nuk e kërkon kurrë të vërtetën. 5) Në Shqipëri ekzistojnë me dhjetra resorte me gurë e beton mu buzë detit, dhe ç’ka është më keq, ato kanë vazhduar të ngrihen edhe përgjatë viteve të fundit, –ky fakt tregon se në Shqipëri nuk ekziston shteti, por mafiozë drejtues të shoqërisë. 6) Shërbimi në shumicën e lokaleve turistike buzë dhe pranë detit çalon akoma shumë.
Kjo ngjarje tregoi edhe shumë më shumë. Por mendoj se këto më sipër ishin mjaft të dallueshme. E keqja më e madhe është se një shumicë njerëzish në Shqipëri dhe diasporë e kanë humbur shpresën, se ky vend do të rregullohet ndonjëherë.
22+23 gusht 2019
(gjindet edhe tek website im: fjale cimbuese, tek rubrika 2019)


  Gjithsej 84 faqe: « E parë ... « 72 73 74 75 76 77 78 79 80 [81] 82 83 84 »
Trego 84 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.