Forumi Horizont
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Futboll (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=13)
-- Akuzat njollosin tere sportin shqiptar. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17468)


Postuar nga BIONDIA datë 28 Nëntor 2009 - 19:50:

Akuzat njollosin tere sportin shqiptar.

Nuk është hera e parë që përfshihet një skuadër shqiptare në vorbullën e zërave për trukime ndeshjesh. Por kjo ka ngjarë më së shumti në media të ndryshme europiane, ndërkohë që ndërmarrja e një hetimi zyrtar nga UEFA, si në rastin e fundit, e bën më shumë se kurrë serioze këtë çështje. Në këtë këndvështrim, futbolli shqiptar, në nivel të kompeticionit kombëtar, ka marrë dy goditje të fuqishme të mërkurën. Pavarësisht se nuk kemi konferma konkrete dhe të vërtetuara, gjithsesi akuzat për trukime ndeshjesh, të dala në skenë nga brenda dhe nga jashtë, e kanë baltosur akoma më keq këtë sport. Lushnja akuzon Bylisin, se ka tentuar t'i blejë lojtarët (nënkupto ndeshjen), ndërsa UEFA njofton se dy skuadra simbol shqiptare, Tirana dhe Vllaznia, janë nën hetim për trukim të ndeshjeve europiane të tyre të këtij edicioni. Flakë për flakë kanë mbërritur këto dy akuza të rënda, pa u mbyllur akoma denoncimi publik i disa presidentëve, se gjyqtarët e futbollit në Shqipëri janë të korruptuar, se ky sport tek ne udhëhiqet nga dhuna e paraja, jo nga ndershmëria e "fair-play". Vllaznia dhe Tirana, kampionia dhe nënkampionia në fuqi, po përjetojnë atë makthin e "epokës para gjyqit". E bashkë me to, tërë opinioni futbolldashës shqiptar, i cili, në fakt, nga brenda vetes është tejngopur, në mënyrë sistematike, me kësi zërash për shitje e blerje ndeshjesh. Por kur dyshon UEFA për kësi gjërash, madje nis edhe një hetim, "fotografimi" duket vërtet tronditës. Në lojë është më shumë se nderi i Tiranës, 24 herë kampione e vendit, skuadra më e mirëfinancuar në Shqipëri, apo Vllaznia e Shkodrës, djepi i futbollit shqiptar. Ndoshta në lojë duhet të hyjë patjetër edhe Prokuroria, si organi i specializuar i hetimit, si për të konfirmuar ose jo të paktën pikëpyetjen e madhe se për një takëm shqiptarësh, futbolli është edhe mjet fitimi i paligjshëm. Futbolli i një klubi apo i një shteti, mes të tjerash, mbështetet edhe në statistikat e tij; humbje, barazime, fitore, gola të shënuar, gola të pësuar etj., etj., por ama një futboll që i qasen statistika të tjera, që i tejkalojnë caqet e fushës së blertë, nuk është veçse karikaturë, ose tallje për sportdashësit. Ka kohë që ndër veti, presidentë klubesh kanë akuzuar njëri tjetrin për trukime, shitje e blerje ndeshjesh, por asnjëri prej tyre nuk i ka shkuar kauzës së ngritur deri në fund. Jo më kot, dyshimeve të ngritura nga UEFA për dy skuadrat tona, drejtues të tyre u japin edhe një adresim kah "faktori i brendshëm", pa kuptuar të gjithë bashkë se tashmë loja është shumë serioze, se nuk mund të marrësh vesh nga "tyta e pushkës" së njërit apo tjetrit për çfarë po luftohet pikërisht, aq më pak kur kjo vijon të nxjerrë tym. Gjithsesi, pavarësisht nga rrethanat e deritanishme, të rrezikut real ose jo, që u kanoset Tiranës dhe Vllaznisë, futbollit shqiptar po i bëhet një dëm i madh nga të dyja palët, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.
Nëse atëherë ishte Kryeministri Berisha, që akuzoi për shitje të fanellës kuqezi, tashmë është vetë qeveria e futbollit europian, UEFA, që ka ngritur dyshime të forta mbi dy klube tonat. Ndoshta UEFA e ka vërtet seriozisht kësaj here, ngaqë prej vendit tonë kanë dalë aq shumë akuza, që nga goja e më të madhit, Kryeministrit të vendit, deri te sportdashësi më i thjeshtë, për futboll të shitur e blerë, thënë ndryshe të truku . Formula justifikuese që shpjegon këtë situatë jepet në çdo bar të Shqipërisë: "Ligjin e bën i fuqishmi, të vegjlit dëgjojnë dhe binden." . Nëse deri sot kemi besuar vetëm tek UEFA, për t'i bërë ballë këtij realiteti të dyshuar e të vetakuzuar në futbollin shqiptar, është momenti që të bëhet e gjallë edhe FSHF-ja, Prokuroria e vendit tonë. Tekefundit, edhe karrigia që e pret ndonjërin prej zyrtarëve të futbollit shqiptar në ndonjë mbledhje të komisioneve të UEFA s, që është vetëm karrige, brenda saj meriton dikë që t'i japë dinjitet, në emrin e futbollit shqiptar, kuptohet, jo personal. Një shprehje që vjen që përtej kufirit, nga vendet frëngjishtfolëse, ku ka zyrat edhe UEFA, thotë: "Fjala hedh më shumë baltë sesa varrmihësi". Thënë ndryshe, lakimi i emrit të dy skuadrave tona për trukime ndeshjesh, është një baltë që njollos fytyrën e tërë futbollit shqiptar. Sepse, në këtë rast "mandata" vjen nga Nioni, jo nga ne, të zakonshmit, gazetarët shqiptarë, të cilët drejtuesit edhe i kanë akuzuar se "keni për qëllim ta nxini akoma, sa nuk është nxirë mirë ky sport". Pavarësisht se kurrë s'i kemi besuar qorrazi proverbit të përmbysur: "Karvani le të lehë, qentë të ecin përpara". Po tani, kur po "leh" UEFA, ç'do të bëhet....
Alfred Lleshi (sporti shqiptar)


 
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.