Forumi Horizont
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- Kështu zbarkimi i grupit të Xhevdet Mustafës u bë më 25 shtator 1982. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9359)


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 22:38:

Kështu zbarkimi i grupit të Xhevdet Mustafës u bë më 25 shtator 1982.

Kështu zbarkimi i grupit të Xhevdet Mustafës u bë më 25 shtator 1982.

Pak ditë para se të zbarkonte grupi i Mustafës, Kadri Hazbiu ishte parë më 16 shtator 1982 në Pezë, me rastin e përvjetorit të Konferencës së Pezës përkrah Manush Myftiut, Simon Stefanit, Foto Çamit, Prokop Murrës, Haxhi Lleshit, Myslim Pezës, Pilo Peristerit, Jashar Menzelxhiut dhe Spiro Kolekës. Ky i fundit ka mbajtur edhe fjalën e rastit. Diferencimi që i kanë bërë Hazbiut në këtë takim duket fare qartë.

Vetëm një ditë më parë, pra më 24 shtator 1982, ishte mbledhur pleniumi i 4-ert i KQ të PPSH-së, ku u lexua e famshmja "tablo sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu". Nuk është pa rëndësi të thuhet se pikërisht një ditë përpara "zbarkimit të madh", u publikua "tabloja" e sipërpërmendur.

Megjithatë na duket me rëndësi të përmendim një fakt të papublikuar më parë. Kështu në prill 1982, veprimtari kosovar Enver Hadri, i ka dërguar një letër një miku të tij që banonte në Elbasan, me anë të së cilës e lajmëron se së shpejti do të zbarkonte në Shqipëri "një bandë e cila kishte lidhje me sekretarët e PPSH-së, njëri nga të cilët ndodhej në Elbasan". Pikërisht për shpjegimin e fundit kjo letër erdhi në Elbasan.

Marrësi i kësaj letre Q.R., (që ka qenë deputet në Kuvendin Popullor të dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991) që banon edhe sot e kësaj dite në Elbasan, duke menduar se letra ishte hapur më parë, dhe për siguri të familjes së tij, e dorëzoi atë në degën e Punëve të Brendshme të Elbasanit ku ishte kryetar Gëzim Hila. Pak orë më vonë, në Elbasan ka ardhur edhe funksionari i lartë i Sigurimit Hasan Luçi (që mund ta dëshmojë edhe vetë këtë ngjarje), i cili ka kërkuar më kot të lidhet në telefon në PTT-në e Elbasanit me Belgjikën nga ku ishte dërguar letra në fjalë. Nga Elbasani nuk i është mundësuar lidhja telefonike me jashtë sepse numri i kërkuar nuk është përgjigjur.

Marrjen e informacionit "nga një veprimtar kosovar" e ka pranuar në vija të përgjithshme edhe Hasan Luçi, kur në "Gazeta Shqiptare" të datës 20 qershor 2000, thotë se informacioni i parë për "bandën" është dhënë nëpërmjet "një veprimtari kosovar që jetonte në Perëndim". Gazeta jonë kohët e fundit ka arritur të sigurojë të dhëna të plota për këtë ngjarje. Kështu që "veprimtari kosovar" është Enver Hadri. Ky i fundit, kishte mike të tij të ngushtë një sekretare të Parlamentit Evropian me kombësi gjermane. Në sajë të kësaj miqësie, Hadri ka mësuar edhe sekretin e "bandës së Xhevdet Mustafës" për vetë faktin e thjeshtë se mikesha e tij ka qenë një punonjëse e shërbimit sekret amerikan. Ky shërbim e dinte fare mirë se grupi i Xhevdet Mustafës, kontrollohej nga Sigurimi i Shtetit me anë të Halit Bajramit. Vetë CIA nuk ka qenë përzier fare në çështjen e Xhevdet Mustafës, sepse ajo nuk merrej me aksione të tilla që kishin dështimin që në fillim dhe i shërbenin një qëllimi të udhëheqjes komuniste ne Shqipëri.

Nuk po e vazhdojmë më tej këtë histori e cila na shërben vetëm për të thënë se "bandës" i mungonte çdo lloj konspiracioni.

Agjenti i Sigurimit të Shtetit, Halit Bajrami kishte mundur të bindëte jashtë Shqipërisë Xhevdet Mustafën dhe pjesëtarin tjetër të grupit dhe i kishte bindur ata se në Shqipëri kishte njerëz që ishin të gatshëm të luftonin regjimin dhe se këtu vlonte një lëvizje e madhe antikomuniste që kishte nevojë për njerëz si Xhevdet Mustafa. Pikërisht këtu fillon edhe fataliteti i Mustafës dhe rënia në grackë e tij, ndonëse ai ishte i bindur se me dy - tri vetë regjimit kriminal të Hoxhës nuk i shkaktohej ndonjë goditje e madhe.

Ndërkohë grupi i Xhevdet Mustafës zbarkoi në bregdetin e Divjakës dhe depërtoi në atë mënyrë që dukesh sikur donte të binte në sy të njerëzve.

Në brendësi të territorit vritet anëtari i parë i grupit ndërsa Xhevdet Mustafa lejohet të futet në një shtëpi nga ku u eliminua disa orë më pas. Ndërkohë Halit Bajrami pasi e kishte mbaruar detyrën iu dorëzua forcave policore në Rrogozhinë. Ai u mbajt për disa kohë në burg ku dëshmoi ndër të tjera edhe kundër Kadri Hazbiut dhe më pas doli në gjyq.

Po kush ishte Halit Bajrami?

Nëse marrim deri diku si referencë gjyqin fals të zhvilluar ndaj tij nga n/kryetarja e Gjykatës së Lartë Eleni Selenica në vitin 1984, marrim vesh se Halit Bajrami në kohën e Luftës së Dytë Botërore kishte qenë partizan në Brigadën e Tretë. Në periudhën 1947 - 1950 ai kishte kryer detyrën e zv/shefit të Sigurimit në divizionin e Korçës. Më 4 gusht 1950 ai ishte arratisur nga Shqipëria bashkë me Sabaudin Haznedarin dhe kishin përfunduar në Zelandën e Re. Nga gjyqi nuk del fare e qartë nëse arratisja e tij ishte bërë sipas një skeme të Sigurimit apo jo, pavarësisht se ai vetë thotë se është vënë plotësisht në shërbim të Sigurimit në vitin 1958. Me Xhevdet Mustafën, Bajrami ishte njohur në vitin 1975, dhe duke përfituar nga kjo njohje kishte marrë pjesë edhe në dasmën e Mbretit Leka në tetor 1975 në Madrid.

Bajrami ka thënë ndër të tjera se ka lëvizur në disa vende të Evropës si në Belgjikë(ku kanë blerë disa armë) etj, për të përfunduar në Italinë e jugut nga ku janë nisur me skaf për në Shqipëri. Përveç Bajramit në këtë grup kanë qenë edhe Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznedari dhe Fadil Kaceli. Nuk dihet gjë mbi fatin e këtij të fundit. Sipas Bajramit pikat më të mundshme për të zbarkuar kanë qenë përveç pikës së njohur tashmë edhe grykëderdhja e lumit Erzen dhe Golemi i Kavajës.

Në "përfundim" të procesit gjyqtarja Eleni Selenica e dënoi "të pandehurin" gazmor me 9 vjet heqje lirie. Pak ditë më vonë ai do të largohej nga Shqipëria dhe do të udhëtonte qindra e qindra kilometra larg në Zelandën e Re ku do të niste një jetë të re, por pa harruar të vihej në shërbim të Sigurimit në ndonjë rast të veçantë. Atje jeton edhe sot.

Nga ana tjetër, Komunikata e Ministrisë së Punëve të Brendshme e datës 27 shtator 1982, në lidhje me këtë ngjarje ishte kjo:

"Natën e datës 25 shtator 1982, zbriti në bregdetin tonë një bandë kriminelësh shqiptarë të arratisur së bashku me banditin Xhevdet Mustafa. Në orën 6-të mëngjezit, banditët u diktuan dhe brenda 5 orëve u asgjesuan të tërë nga forcat e ndjekjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme, njësi të reparteve të Ushtrisë Popullore dhe nga populli i zonës ku desantuan kriminelët. Pas likuidimit të bandës, u zunë një sasi armësh automatike e pistoleta të kompletuara me dylbi e pajisje të tjera, radio komunikuese, monedha në dollarë amerikanë, lireta italiane, lekë shqiptare, mjete të nevojshme për makiazh, veshje të ndryshme etj" ("ZP" 28 shtator 1982).

Më 8 tetor 1982, Kadri Hazbiut i bëhet "gjyqi" siç i ishte bërë pak muaj më parë edhe Mehmet Shehut, ku kishte kontribuar edhe ai vetë. Të gjithë "shokët e Byrosë" janë tashmë kundër tij dhe e akuzojnë për atë që ai ka bërë në rreth 30 vjet. Në përfundim të mbledhjes Hoxha kërcënon Hazbiun se do ta arrestojë. Pak çaste më vonë e mohon një gjë të tillë. Pak ditë më vonë Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti etj u arrestuan dhe iu dhanë për dënim Aranit Çelës. Në vitin 1983 ata u pushkatuan dhe u varrosën në Linzë të Tiranës për t`u zhvarrosur disa vjet më vonë.

Në këtë mënyrë kishte "mbaruar" edhe grupi i Kadri Hazbiut. Për t`u kujtuar është se ish- ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, nuk kishte pranuar "vetëvrasjen" e Mehmet Shehut pasi nuk kishte qenë i bindur për një version të tillë.

Eliminimi i Kadri Hazbiut sidomos ishte një kërkesë e domosdoshme për familjen Hoxha dhe trashëgimtarin e planifikuar Ramiz Alia. Hazbiu paraqiste rrezikshmëri për të ardhmen e familjes Hoxha, pasi ai për shumë vite kishte drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që përfshinte edhe organin famëkeq Sigurimi i Shtetit. Thënë ndryshe, Hazbiu kishte krijuar një lob apo një klan të fortë në këto organe. Po ashtu ai njihte mjaft sekrete të shtetit komunist dhe mund të cilësohej si një njeri mjaft energjik për realizimin e qëllimeve që i vinte vetes. Kjo do të thotë që familja Hoxha nuk kishte asnjë garanci nga një njeri si Kadri Hazbiu. Mirëpo është për t`u kujtuar që Sigurimi dublohej ose kontrollohej në punën e tij edhe nga shërbimi sekret personal i Enver Hoxhës dhe nga ata që mbulonin punët e këtij organi në Komitetin Qendror ku ndër emrat më të njohur ishin Nexhmije Hoxha, Sulo Gradeci, Simon Stefani, Pëllumb Kapo etj.

Nga ana tjetër, Kadri Hazbiu është përfolur se ka pasur lidhje në mos e ka kryer vetë me vrasjen e Mehmet Shehut në mëngjezin e 18 dhjetorit 1981. Siç e thamë edhe më lart dëshmitarë të atij mëngjezi e kanë shquar Hazbiun të veshur keq të dalë nga drejtimi i vilës së Mehmet Shehut dhe të futet në vilën e Enver Hoxhës. Në atë kohë Hoxha ka pasur nevojë për një bashkëpunim me Hazbiun pasi ministër i Punëve të Brendshme ishte njeriu i Mehmet Shehut, Feçor Shehu.

Nuk duhet harruar që Hazbiu ishte në krah të Hoxhës në ditën e parë të shfaqjes së tij në publik më 24 dhjetor në Tiranë. Një element tjetër që të bën të dyshosh shumë për eliminimin e Hazbiut është edhe fakti se atij ju shkulën të gjitha dhëmbët nga "diktatura e proletariatit" gjatë ditëve të hetuesisë, mbase për të mos qenë në gjendje për të folur ndonjë sekret të madh.

Vdekja e Kadri Hazbiut dobësoi gjithashtu një klan të fortë të krijuar prej shumë kohësh dhe garantoi mbylljen përfundimtare të mjaft sekreteve të rëndësishme. Nga ana tjetër, Hazbiu plotësoi edhe një skemë sipas së cilës të gjithë ministrat e Punëve të Brendshme ishin pushkatuar nga pushteti që ata i shërbyen me aq devocion.

Si u dënua grupi i oficerëve që u akuzuan se do hakmerreshin për vrasjen e Mehmet Shehut?

Pas vrasjes së Mehmet Shehut dyshimet nuk kanë qenë të pakta ndaj versionit zyrtar të "vetëvrasjes". Kështu pas fortunës së madhe që ndodhi në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore pas eliminimit të titullarit të sa,j Kadri Hazbiu, u goditën edhe oficerë të tjerë në mbarë Shqipërinë me origjinë kryesisht nga krahina e Mehmet Shehut apo afër saj. Dyshimet që shprehën oficerë të ndryshëm në lidhje me këtë çështje u trajtuan nga Sigurimi i Shtetit si "organizime terroriste që përgatiteshin për hakmarrje". Sipas strukturave të Sigurimit, këto "organizata", kishin shprehur mosbesim në variantin zyrtar të vrasjes së Mehmet Shehut, kishin aluduar se ai ishte vrarë dhe se "përgatiteshin të vrisnin Ramiz Alinë për hakmarrje". Është interesant fakti se një goditje e tillë ka ardhur në momentin që Ramiz Alia ishte zgjedhur Sekretar i Parë i PPSH-së, dmth pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Kështu në vitet 1985 dhe 1986 u goditën grupet e ushtarakëve të Elbasanit, Durrësit dhe Vlorës.

Më 5 nëntor 1985 u arrestua "grupi i oficerëve të Elbasanit" të cilët ishin:

-Bajram Merko, sekretar i Byrosë së Partisë i Brigadës së Artilerisë në Elbasan.

-Sinan Elmazi, shef i shëndetësisë së Bazës në Elbasan.

-Reshat Silaj, shef i shtabit të Brigadës së Xhenios në Elbasan.

-Neim Muho, komandant i Korpusit të 4-t në Tiranë.

-Kadri Celibashi, shef i xhenjos në një repart të Peqinit.

-Hajro Islami, inxhinier elektrik në Kombinatin Metalurgjik "Çeliku i Partisë" Elbasan.

Nga të arrestuarit, Neim Muho, u arrestua në Lushnjë.

Para pak ditësh ne mundëm të marrim edhe dëshminë e z.Bajram Merko, i cili është njëri nga personat e mësipërm. Z. Merko u tregua i gatshëm të na tregonte ato që dinte në lidhje me akuzat ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë.

Sipas tij, ata janë arrestuar me akuzën që thamë më lart, pra atë të "krijimit të një organizate terroriste që po përgatiste një aksion kundër Ramiz Alisë si hakmarrje ndaj vrasjes së Mehmet Shehut". Për këtë qëllim të arrestuarit ishin me shumicë nga krahina e Mehmet Shehut. Akuza ishte formuluar në atë mënyrë sikur "grupi i Elbasanit" do të godiste me artileri Ramiz Alinë në kohën kur ky i fundit do të kalonte tranzit në Elbasan. Z. Merko thotë se vërtet në atë kohë një pjesë e madhe e oficerave nuk besonte në vetëvrasjen e Mehmet Shehut, pasi shenjat e goditjes së tij kishin filluar që më përpara, por gjithsesi ai shton se atyre as që u kishte shkuar ndër mend të organizonin ndonjë hakmarrje ndaj Ramiz Alisë. Si duket ky i fundit me goditjen e grupit të oficerëve ka dashur më tepër të mbysë çdo diskutim qoftë edhe të fshehtë në lidhje me vrasjen e Mehmet Shehut. Dhe mesazhi që ka lëshuar Alia nëpërmjet instrumentave të tij ka qenë ky: "Kush dyshon për vetëvrasjen e Mehmet Shehut goditet". Vetë koha kur janë kryer këto arrestime të bën të dyshosh më tepër në atë që Ramiz Alia ishte një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë dhe kryesor në vrasjen e Mehmet Shehut.

Pak muaj më vonë nga ngjarja e Elbasanit, në fillim të vitit 1986 u arrestua edhe "grupi i Durrësit" (ku "bënin pjesë" Petro Çela, Petrit Mahmunaja etj) dhe "grupi i Vlorës". Edhe këto ishin pak a shumë me të njejtat akuza. Të akuzuarit e Elbasanit kanë qëndruar për një vit në hetuesi ku janë pyetur nga hetuesit Mark Pëllumbi dhe Bujar Shehi. Fillimisht nga "shokët e udhëheqjes" si Simon Stefani, Prokop Murra dhe Hekuran Isai është kërkuar që "grupi i oficerëve të shkojë të gjithë në plumb". Më pas si duket me evoluime të tjera të situatave, akuza është zbutur disi duke kaluar në kanalet e "agjitacionit e propagandës" me përjashtim të akuzave ndaj Neim Muhos dhe Kadri Celibashit që u akuzuan edhe për "sabotash në fortifikimin e ishullit të Sazanit". Pasi nuk u vërtetua asnjë akuzë ndaj të pandehurve, me urdhër nga lart u dha porosi për të "mos i lënë pa gjë"(dmth të burgosen). Më 26 dhjetor 1986 në Tiranë është zhvilluar gjyqi ndaj "grupit të Elbasanit" ku prokurori Kruja ka kërkuar dënimin e të pandehurve. Më pas gjykatësi Aranit Çela ka dhënë dënimet që shkonin deri në 10 vjet heqje lirie. Nga "grupi i Elbasanit", Sinan Elmazi dhe Hajro Islami (të cilët ishin të sëmurë) i liruan para kohe në qershor 1990, ndërsa të tjerët u liruan më 5 janar 1991. Z. Merkaj dëshmon se dënimin e ka vuajtur në burgjet e Tiranës (tek 313-ta), Spaçit dhe Sarandës. Ai thotë gjithashtu se pas vrasjes së Mehmet Shehut ishin dënuar rreth 80 oficera. Vetëm në burgun e Spaçit gjendeshin 17 të tillë.

Kush i kontrolloi llogaritë bankare në perëndim pas vrasjes së Mehmet Shehut?

Pas vrasjes së Mehmet Shehut, sikurse e thamë edhe më lart, u rritën pozitat e Ramiz Alisë, i cili u bë për pak kohë kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe pas vdekjes së Hoxhës edhe Sekretar i Parë i PPSH-së. Natyrisht që njerëzit e Enver Hoxhës si bashkëshortja e tij Nexhmija dhe fëmijët vazhduan të kontrollojnë llogaritë e tyre bankare në perëndim pa shqetësimin më të vogël. Pas përfundimit të fortunës së madhe kundër Mehmet Shehut, pyetja që u shtrua ishte se ku përfundoi llogaria bankare e këtij të fundit pas shkatërrimit të plotë që pësoi klani i tij.

Për të shtënë në dorë llogaritë bankare të Mehmet Shehut u gjet një mënyrë e thjeshtë që kishte të bënte me bashkëshorten e burgosur të tij, Fiqeretin. Prej disa vitesh ajo vuajti dënimin e dhënë nga gjykata, në burgun e Tiranës. Ajo vdiq më 11 shtator 1981 në "ditën e novatorëve". Pak kohë para vdekjes së saj, u arrit të merrej edhe numuri i llogarisë bankare të saj nëpërmjet një plani të mirëmenduar të Sigurimit. Pas shtënies në dorë të këtij numuri, Fiqeret Shehu do të sëmurej, do të vdiste pas një muaji dhe do të varrosej në Zejmen të Lezhës.

Një tjetër version që ka qarkulluar në lidhje me pasurinë e Mehmet Shehut është edhe ekzistenca e një sasie floriri brenda shtëpisë së tij të mbuluar nga një mur që është zbuluar pas vrasjes së tij. Gjithsesi ky opcion do prova që të vërtetohet plotësisht.

Nga ana tjetër mund të kujtojmë që llogaritë bankare të klanit Kapo kanë qenë të paprekura dhe shpeshherë edhe shtypi ndërkombëtar ka përmendur fuqinë ekonomike dhe financiare të këtij klani, të cilit i pëlqen mjaft fjala "klan".

Si rodhi historia pas eliminimit të Mehmet Shehut "dhe grupit të tij"?

Vrasja e Mehmet Shehut dhe eliminimi më pas i njërit prej arkitektëve të diktaturës komuniste në Shqipëri si Kadri Hazbiu, nxorri në pah më shumë kurrë vetitë e njeriut hije në politikën komuniste të Shqipërisë, Ramiz Alia.

Si garancia më absolute e familjes Hoxha, ai vazhdoi pa asnjë lëkundje rrugën e babait të tij shpirtëror Enver Hoxha që e pat quajtur me përkëdheli "djali me zë të hollë". Pak kohë pas zgjedhjes së tij në vend të Enver Hoxhës, Ramiz Alia hoqi dorë nga posti i kryetarit të Frontit Demokratik dhe ia la këtë vend Nexhmije Hoxhës. Për herë të parë pra në historinë e Frontit, ky funksion nuk u ushtrua nga Sekretari i Parë i PPSH-së, por nga e veja e diktatorit Hoxha, Nexhmija. Siç duket Alia donte t`i jepte patjetër rolin e protagonistes së hapur politike bashkëpunëtores më të ngushtë të tij në gjithë ato vjet.

Ramiz Alia ishte gjithashtu edhe personi që bëri të mundur garantimin e pozitave të familjes Hoxha në periudhën e ndërrimit të detyrueshëm të sistemeve për shkak të falimentit të sistemit komunist. Edhe pasardhësi i Ramiz Alisë në Partinë Socialiste në vitin 1991, doli nga oborri i familjes Hoxha. Në dallim nga herët e tjera, këtë herë s`kishte nevojë të kryheshin "vetëvrasje" apo "shpartallime grupesh armiqësore" për t`i hapur rrugën beniaminit të ri të familjes Hoxha, i cili shumë shpejt para disa fanatikëve komunistë në Zvicër e quajti Enver Hoxhës "babë".

Pasardhësi i Alisë, Fatos Nano iu përmbajt besnikërisht vijës së mirëpërcaktuar nga dyshja Ramiz Alia - Nexhmije Hoxha .


 
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.