Forumi Horizont
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- Fragmente nga libri"Post-scriptum mbi diktaturen"shkruar nga V.Qesari (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9363)


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 23:10:

Fragmente nga libri"Post-scriptum mbi diktaturen"shkruar nga V.Qesari

DREJT VDEKJES A LIRISE ?! ...



Himara e kish njohur herët egërsinë komuniste.

Grushti i parë mbi të, kish renë fill pas zgjedhjeve maskaradë të 2 dhjetorit 1945, ku shumë himariotë patën votuar kundër listës së vetme me kandidatë të Frontit Demokratik. Në shenjë hakmarrje, mbi banorët e saj, Partia kish ushtruar një fushatë të egër terrori psikologjik të shoqëruar me denoncime, arrestime e burgosje. Nga frika populli qe tkurrur edhe më tepër brenda vehtes, duke pritur ditë edhe më të këqija.

Shumë njerëz, dhunës e rrezikut të arrestimeve, i'u kundërvunë me të vetmen rrugë të mundëshme shpëtimi: atë të arratisjes jashtë vendit. Në zgjedhjen e një alternative të tillë, propabiliteti i realizimit të qëllimit ishte mjaft i kufizuar, ndërkohë që, mundësia e vdekjes nga plumbat e kufitarëve apo e humbjes së përjetëshme në honet e thella të detit Jon, ishin pothuajse të pa evitueshme.

Arratisjet nga Himara e mbarë Bregdeti, u benë më të shpeshta, sidomos mbas valës së egër të persekutimeve të viteve '60 -'70 e më tej. Gjatë asaj periudhe, veprimtaria e Sigurimit dhe e bashkëpuntorëve të tij, u bë edhe më intensive, ndërkohë që lufta e klasave u ashpërsua më tepër. Drejtuesit dhe militantët e Partisë, si edhe ata të Frontit Demokratik të cilët përgjithësisht ishin bashkëpuntorë të zellshëm e servilë të Sigurimit, 1) provokonin e denonconin pa pushim, individë të ndryshëm që kryenin veprimtari armiqësore.

Për t'i shpëtuar rrezikut të burgosjes e jetës së padurueshme, shumë njerëz vendosnin të rrezikonin, duke shkuar drejt lirisë a ... vdekjes. Kështu, në një tentativë për t'u arratisur me not në ishujt grekë, dy vëllezer nga familja Konomi, u përpinë nga ujërat e detit Jon. Pas tyre, të tjerë grupe të rinjsh, provuan të njejtën gjë, por ose u zhdukën pa lenë gjurmë, ose u kapën e u kalbën burgjeve. Pas kësaj, përgjimet, pabesitë e denoncimet, u benë tiparet më banale të jetës së përditëshme, në mbarë Bregdetin.

Qe kjo arsyeja, pse, shumë individë apo grupe të cilët benin plane për t'u arratisur, arrestoheshin fill pas bisedave të para. Bile, kish ndodhur që, ata të denoncoheshin nga vetë pjestarë të familjes, kushërinj a farefis. Me menyra nga më të ndryshmet, informatorët e Sigurimit, kishin depërtuar brenda çdo familje. Nuk ishte paradoks e as çudi, të dëgjoje që babai denonconte të birin, dajua nipin e, vëllai-vëllain...

... Djaloshi A.Bala nga Himara, së bashku me një shok të ngushtë, kish arritur të ndërtonte fshehurazi, ( në një guvë buzë detit ) një varkë lundrimi për t'u arratisur në Korfuz. Por, pikërisht në çastet e fundit, atëhere kur ish duke e shtyrë atë drejt detit, qe kapur nga rojet e kufirit, të cilët ishin informuar pak orë përpara pikërisht nga shoku i tij më i besuar.

Por, aty nga mesi i shkurtit 1987, E. Stramarko, djali i H. Stramarkos nga Dhërmiu, i cili ndodhej prej vitesh në burg i dënuar për agjitacion e propagandë, kish mundur të arratisej nëpërmjet detit. Djaloshi, me siguri po shkonte drejt vdekjes, por kish qenë vërtet me fat. Ai, kish mundur të rrezistonte gjer në ujrat ndërkombëtare, ku detarët e tragetit të linjes Brindizi-Igumenicë, i kishin shpëtuar jeten, duke i dhuruar njëkohësisht edhe lirinë.

Një vit më pas, i riu P.Mertiri nga Qeparoi, së bashku me shokun e tij nga Narta V. Skarço, në vend të detit zgjodhën kufirin tokësor. Ata, udhëtuan pa probleme gjer matanë fshatit kufitar Peshkëpi, pranë Gjirokastrës. Por, ndërsa ndodheshin fare pranë klonit, një patrullë ushtarësh i diktoi dhe i goditi pa mëshire, me brësheri automatiku.

Djaloshi nga Qeparoi, i bërë shoshë nga plumbat vdiq në vend, ndërsa shoku i tij u plagos rendë. Dy ditë mbas përpjekjes në kufi, organet lokale të Sigurimit, organizuan një spektakël makabër. Banorët e Gjirokastrës e Sarandës u lemerisën kur, mbi karrocerinë e një kamioni i cili shëtiste nëpër rrugë, panë trupin e masakruar të një të riu, lidhur kokë e kembë me tela me gjemba.

1) Sot, kur flitet e diskutohet për ish - diktaturën, shpesh herë shprehet mendimi se, xhelatët kryesorë të viktimave që vdiqën burgjeve e internimeve, ishin vetem aty lart, në KQ të Partisë, në Byronë Politike apo vetë Diktatori. Pa dashur të bëhem aspak mbrojtës i strukturave diabolike që projektuan e zbatuan në masë Genocidin e Madh, do të dëshiroja të kujtoja se, ndër to bente pjesë edhe organizata e Frontit Demokratik, "shtabi" nga ku jepeshin informacione për çdo individ e familje. E pranishme kudo, nëpër qytete e fshatra, ajo kishte veprimtarët e saj, pjesa më e madhe e të cilëve ishin informatorë të zellshëm të Sigurimit. Njerëz të tillë, ishin gati të merrnin në qafë këdo, pa as më të voglën brerje ndërgjegjje. Për motive e interesa të dobëta: për një fletë pune, strehim, bursë, autorizim për blerje televizori apo frigoriferi. Në më të shumtën e rasteve, informatorët i dorëzonin raportet e tyre në dosjet e kryetarëve të Frontit të cilët pastaj u'a kalonin "operativëve" të lagjeve ... ( Shenim i autorit )

- 2 -



Sadizmi i Sigurimit, tronditi mbarë opinionin publik. S'kish ndodhur kurrë që, kufomat të sakatoseshin e të tregoheshin hapur të masakruara në publik. ( Përveçse nga nazistët e fashistet, gjatë luftës së fundit botërore ). Por, veprimi barbar, nuk qe rastësi. Gjithëçka qe organizuar me objektiv e paramendim të caktuar. Mesazhi i autoriteteve qe fare i qartë: të mbillte terror psikologjik e një dozë të re frike, veçanërisht në zonat jugore të vendit, ku njerëzit po tregoheshin si tepër guximtarë. E, përveç kësaj, të përcillte edhe një herë kërcënimin e kobshëm se, ashtu do t'a pësonin gjithë armiqtë e Shqipërisë. Kushdo që do të guxonte të shkelte kufijte e shenjtë të atdheut socialist.

Megjithatë, në zonat e jugut, arratisjet vazhdonin të ishin gjithmonë e më të shpeshta. Pikërisht, që andej ish arratisur në Greqi edhe shkrimtari i ri Bilal Xhaferri, i cili, më pas, kish përfunduar në SHBA. Por, për të, pothuajse nuk u muarr vesh më asgjë.

… Për fat të keq, ky autor mjaft premtues për prozën shqipe, nuk bëri ndonjë tentativë të dukëshme për të bërë të njohur në Perëndim, ferrin stalinist të vendit të vet, ashtu siç vepruan mjaft shkrimtarë e artistë sovjetikë, të cilët kishin mundur të delnin jashtë kufijve të "perandorisë ruse". (...) Bilal Xhaferri, kjo shpresë e letërsisë moderne shqiptare, u fik aty larg, në SHBA. Ai vdiq nga një semundje e pashërueshme e shkaktuar ndofta nga malli për vendlindjen e njerëzit e tij... 1)

Natyrisht, dëshira për t'i shpëtuar ferrit e për të gjetur lirinë përtej bunkerëve e telave me gjëmba, qe endërr edhe për pjesën dërrmuese të minoritetit grek. Kështu, aty nga fillimi i vitit 1988, dy vajza të reja i'a dolën mbanë të kalonin nga fshati i tyre në Greqinë fqinje. Po ashtu, të mikluar nga bota matanë ishin padyshim edhe shumë ushtarë që kryenin shërbimin në kufi. Më 9 prill 1984, dy prej tyre u arratisën ndërsa kryenin patrullimin në piramidë, duke marrë me vehte edhe gjithë armatimin personal.

Por, historia e një ish-oficeri xhenjer të quajtur M.Kola, pat qenë edhe më interesante. I akuzuar si sabotator në projektimin dhe ndërtimin e një ure, e cila qe rrëzuar sapo mbi të kish kaluar tanku i parë, ai qe denuar me 25 vjet burg. Më pas, ai kish mundur të arratisej duke u fshehur në një kamion të ngarkuar me drithë e, mbasi kish mbrritur në rrethinat e Gjirokastrës, qe nisur në kembë drejt kufirit.

Kish udhëtuar pesë ditë e pesë netë, duke u fshehur nëpër shkurre e përrenj. Duke ngrenë fruta të egra e duke pirë në vend të ujit, djersën e trupit të vet. Më 17 gusht 1984, kish mundur të kalonte kufirin e të mbrrinte në tokën greke. Në një intervistë dhenë revistës franceze Le matin, midis të tjerash, ai kish deklaruar se … në ushtrinë shqiptare ushqimi ishte i mjerueshëm. Fasule në mengjez, supë me lakëra në drekë dhe vetëm çaj e bukë në darkë ...

Në gusht 1984, dy motra e një vëlla, Izabela, Zamira e Klement Islami, vendosen të kalojnë me not kanalin e Korfuzit.

Ata rridhnin nga një familje e deklasuar. Gjyshi i tyre, kish qenë myfti e kish vdekur në burg, ndërsa tezja qe arratisur. Më pas, i akuzuar për agjitacion e propagandë, qe denuar dhe Klementi. Gjithë familja u internua në një fshat të Lushnjës. Mbas daljes së Klementit nga burgu, familja Islami, bëri kërkesë të kthehej përsëri në Tiranë. Por, urdhëri nga lart, qe i prerë. Ata, do të jetonin përgjithmonë aty, në Ndërmarjen Bujqësore të Çermës, në Lushnjë.

Duke përfituar nga leja e zakonëshme vjetore, pa rënë në sy, tre të rinjtë u nisën për në Sarandë me planin e fshehtë për t'u arratisur ose ... për të vdekur. Një natë, të pajisur me kamerdare, ata u nisën me not nga një gji shkëmbor matanë qytetit. Kishin parashikuar të benin 14 kilometra rrugë në 4 orë, gjer në takimin e parashikuar me tragetin e linjës, por në fakt, distancën e përshkuan për 11orë. Në intervistën dhenë revisten franceze VSD, ndër të tjera, ata rrëfyen:

…Në fillim, patëm shumë frikë, se mos na diktonin ushtarët e kufirit. Projektorët e rojeve bregdetare, venin e vinin, duke mbuluar plot dritë gjithë sipërfaqjen e detit. Herë pas here, mbi ne binin rrezet e tyre verbuese. Atëhere, për të mos u diktuar, nxitonim të zhyteshim sa më shpejt nenë ujë. Pastaj vazhdonim përsëri të notonim. Gjithmonë pranë e duke i dhenë zemër njëri-tjetrit :

- Edhe pak ... Edhe pak ... Kurajo! Pjesa më e rrezikëshme kaloi. Ja, fare pranë është Liria ! Eshtë Greqia !...

Por, lodhja e tmerrshme e një dëshirë e pashpjegueshme për gjumë, po na prisnin gjithmonë e më tepër fuqitë. Në orën 10 të mengjezit, për fatin tonë të madh, pranë nesh kaloi një jaht dhe ...

Izabela e Zamira mundën të hypin në bord e të shpëtojnë. Me të marrë pakëz vehten, ato nisën të kërkojnë Klementin, vëllain, i cili kish mbetur rreth 100 metra mbrapa.

Kërkuan shumë, por ishte e kotë.

Ai s'dukej gjëkundi.

Të rraskapitur e të dërmuar fizikisht, atë e kishin lenë fuqitë.

Deti e kish përpirë përgjithmonë, në thellësitë e honet e tij të zeza.



PUSHIME TE SURVEJUARA



... Të kaloje pushimet në Kampin e Punëtoreve të Dhërmiut ish një privilegj i rrallë. Natyra e mrekullueshme, ujrat e kaltra e të fresketa, peisazhet shplodhese dhe aroma e kopshteve me agrume - të gjitha këto, pjesa dërmuese e shqiptarëve i kishin parë vetëm në reportazhet e televizionit.

Pushimet në Dhërmi ishin vërtet luks e fat jo i zakonshëm !

Që të arrije të gjëje një fletë-kampi për të pushuar aty, duhej të ishe dikush ose të kishe miq drejtuesit e Bashkimeve Profesionale. Ndërkohë edhe pse kampi qe destinuar për punëtorë, në ndërtesat e tij 30 vjeçare, gjatë verës mund të mbrrinin vetëm 70-80 puntorë të pararojës. Pjesa tjetër, ishin zakonisht funksionarë partie, drejtorë ndërmarjesh e njerëz me influencë në organe e institucione të ndryshme shtetërore.

Tej godinave të vjetra të kampit, mes hijeve të palmave, ullinjve e portokalleve, ndodhej një vilë e madhe e ndërtuar me gurrë të gdhendur ku benin vazhdimisht roje ushtarë të armatosur. Aty pushonte Spiro K, anëtari i përjetshëm i Byrosë Politike. Pranë saj qe edhe vila e anëtareve të Komitetit Qendror ku, ndër të tjerë, për çdo sezon veror qe i abonuar edhe Sofokli L, eksperti i politikës së jashtme të PPSH. Shpesh, atë mund t'a shihje duke ecur kryelartë nëpër rrugicat e gjelbëra të qendrës pushuese, të shoqëruar plot servilizëm nga drejtori i përhershem dhe i pa zëvendësueshem i kampit, Theodhori T. Ky i fundit, çuditërisht, mbante veshje, kapele, xhaketë e çizme ushtarake, duke u dhenë kështu të gjitheve, më tepër përshtypjen e një operativi të Sigurimit, se sa të një drejtori.

Në Dhërmi, veçanërisht gjatë verës, puna e postave kufitare, operativëve të Sigurimit e bashkëpuntorëve të tyre bëhej edhe më intensive. Si zakonisht, gjatë çdo sezoni të tillë, aty caktohej të kalonte pushimet edhe një operativ sigurimi. Atë, mund t'a shihje shpesh nënë hije, buzë detit, gjithmonë me kostumin prej doku gri, pistoletën nenë xhaketë, por kurrë në plazh, me...rroba banje. Detyra e tij, ( si edhe e bashkëpuntoreve të fshehtë, të cilët, zakonisht, punonin aty si, kopshtarë, magazinjerë, kamarierë a roje nate ), ish të hetonin lëvizjet e bisedat e pushuesve. Të vigjëlonin ditë e natë, veçanërisht, për zbulimin e planeve për ndonjë arratisje të mundeshme ...

Ashtu si në plazhet e Sarandës, Himarës e Vlorës edhe në Dhërmi, mbas orës 9 të mbrëmjes, banjat në det qenë të ndaluara. Bashkë me rënjen e muzgut, niste dhe patrullimi i ushtarëve të armatosur, të cilët nuk lejonin askend të qendronte buzë detit. Ndërsa, gjatë ditës, për notarët e pasionuar, distanca e lejuar në det të hapur ish e kufizuar, ndërkohë që, përdorimi i kamerdareve e dyshekëve prej gome qe rreptësisht i ndaluar.

Lidhur me këtë fakt të fundit, më kujtohet një ngjarje, sa orgjinale aq edhe qesharake.

Gjatë verës së vitit 1986, pas shumë përpjekjesh, kisha mundur të gjeja një fletë kampi, për në Dhërmi. Rastësisht, qëlloi që në të njejtën periudhë, të ndodhej aty për pushime, edhe M.H, aso kohe drejtor i përgjithshëm i RTSH. I pasionuar pas rivierës, amator i flaktë i detit e kalitjes fizike, ai kishte sjellë nga udhëtimi i fundit në Austri, një varkë plastike. Qe një varkë e vogël, lara-lara, delikate e që mezi mund të mbante një njeri.

Ishte dita e parë e plazhit dhe, M.H zbriti buzë detit plot kënaqësi.

Nxorri varkën, e fryu mirë e mirë e, pastaj, nenë vështrimin kureshtar e plot zili të plazhistëve përreth, u fut në ujët kristal. Por, kenaqësia e tij nuk zgjati shumë. Pa kaluar as dhjetë minuta, papritmas, aty pranë se nga mbiu një ushtar i djersitur me kallashnikov në dorë. Ai, vrapoi drejt bregut, duke thirrur:

- Ej, shoku qytetar? Ti me varkë ... Kthehu mbrapsh !

Pas pak, M.H, zbriti në tokë duke tërhequr varkën zvarrë mbi zhavor.

I nevrikosur dhe i fyer, ai i tha ushtarit si quhej e se ishte anëtar i KQ të PPSH. Por, ushtari, as që donte t'i a dinte. Ai shpjegoi se, kish marrë urdhër që të ndalonte çfardo lloj mjeti lundrues në det e se, atë duhej t'a zbatonte, pavarësisht nga personi e pozita e tij.

Kështu, drejtori i RTSH, s'mundi t'a përdorë varkën e sjellur nga Austria.

Leja për daljen e saj në det u aprovua vetëm mbasi komandanti i postës kufitare të Dhërmiut, morri autorizimin nga dega e Punëve të Brendëshme të Vlorës, ku specifikohej se M.H, megjithatë, nuk mund të voziste më tepër se 50 metra larg bregut e se, do mbante përgjegjësi të rendë në rast humbje të saj.

( Sepse, mund të ndodhte që t'i a vidhnin e me të, të arratiseshin drejt ishujve të Greqisë... )



ARRATISJET NGA VLORA



... Arratisjet nga Vlora, kishin nisur fill mbas ardhjes së komunistëve në pushtet e pastaj, kishin vazhduar pa rreshtur në vite. Kështu, aty nga mesi i viteve '50, në qytet qe hapur vetëtimthi lajmi për një tentativë të dështuar arratisje. Ngjarja pat bërë bujë, sidomos mes rinisë shkollore, e cila nuk fliste veç për të. Dy gjimnazistë të shkëlqyer në mësime, por nga familje borgjeze, Dh.Doga e H.Bezhani, në fshehtësi të madhe kishin bërë prej kohësh planet për t'u arratisur me not në bordin e një anije të huaj çisternë.

Anija vinte shpesh për t'u furnizuar me naftë e qëndronte në radë, as dy-treqind metra larg shkëmbenjve të Ujit të Ftohtë. Por, plani i guximshëm kish dështuar, pak para realizimit. Ndërkohë që djemtë po hiqnin rrobat e po bëheshin gati të futeshin në det, qenë kapur në flagrancë nga njerëzit e Sigurimit. Siç u muarr vesh më pas, një prej shokëve i kish tradhëtuar, pikërisht disa orë para se ata të niseshin drejt shpresës së lirisë ...

Një arratisje tjetër, e cila pat bërë mjaft jehonë, qe edhe ajo e djaloshit Q.Gjonzenelaj, nip i nacionalistit të flaktë e ish-profesorit të njohur të Shkollës Tregtare, B.Gjonzenelaj. Qamili u arratis teksa kryente shërbimin ushtarak në të ashtuquajturat brigada të punës, ku caktoheshin djemtë e familjeve të deklasuara e me biografi të keqe.

Djalë, i rritur buzë detit, në lagjen Skelë, atlet me fizik të fuqishëm, notar i shkëlqyer e rezistent, ia kish dalë mbanë duke e përshkuar me not, distancën midis Ksamilit dhe ishullit të Korfuzit. Por, ngjarja në fjalë, kish qenë njëherësh edhe një goditje tjetër e rendë për gjithë fisin Gjonzenelaj, i cili gjer atëhere kish vuajtur jo pak, burgjeve e internimeve.

Në rrjedhen e viteve, si në mbarë vendin, seria e arratisjeve nga Vlora, qe vazhdimisht një fenomen në rritje. Të izoluar nga shoqëria, të përgjuar hap pas hapi, të kërcenuar nga arrestmet, internimet e burgjet, të drobitur nga persekutimet, pa shpresë për një jetë tjetër, shumë individë, përfundimisht, vendosnin të arratiseshin. Ai vendim, i marrë në rrethana psikologjike krejt të veçanta e, me shumë deshpërim, në një farë menyre, qe një tentativë për të shkuar me ndergjegjje, më teper drejt vdekjes së sigurtë, se sa drejt ... lirisë.

Në prill 1968 u arratisën në Greqi, e më pas përfunduan në SHBA, të rinjtë Th. Nikolla e Dh.Dilo. Pak me vonë, ndodhi arratisja e S.Gjonit, shofer në kombinatin e konservave. Edhe ai, si shumë të tjerë, kish kohë që përgatitej për të venë në jetë planin e menduar. Së bashku me nipin nga Dhërmiu, Spiros i erdhi rasti për t'a realizuar atë, gjatë një udhëtimi për në Korçë. Duke kaluar nga rruga e Këlcyrës e më pas nga ajo e Përmetit, ata qenë ndalur pranë kufirit, në vendin e quajtur Tri Urat. Kishin zbritur aty, në rrjedhën e lumit, gjoja për të mbushur një kanaçe ujë për ftohjen e motorrit të makinës. E pastaj, pa marrë parasysh asgjë, as jetën e as vdekjen, qenë sulur përpara. E kishin qëlluar me fat, sepse munden të çajnë drejt lirisë.

Aty nga fillimi i viteve '70, një tjetër tentativë arratisje provokoi një thashethemnajë të madhe në mbarë opinionin publik të Vlorës. Kësaj here, s'bëhej fjalë për një arratisje të zakonëshme nga kampi i armiqve, por përkundrazi, nga rradhët e kuadrove.

Mbas një kariere të shkurtër, Shyqyri D, dikur ish-kryetar i Komitetit Egzekutiv të qytetit, në fund kish përfunduar zv/drejtor i fabrikës së çimentos. Si i tillë, ai shoqëronte një grup specialistësh rumunë, të cilët punonin për montimin e një teleferiku që thuhej se do t'a lehtësonte tepër koston e transportit të lendës së parë, nga gurrorja e Shashicës në fabrikë.

Një fundjave, për të zbavitur specialistet e huaj, drejtoria e fabrikës kish organizuar një eskursion, me itinerar bregdetin e Himarës e qytetet e Sarandës dhe Gjirokastrës. Siç do të mësohej më vonë, kryetari i grupit, Shyqyri D do t'a shfrytezonte shëtitjen për të realizuar diçka tjetër: arratisjen jashtë vendit. Një mbrëmje, ndërkohë që ndodheshin në Gjirokastër, ai kish dalë vetëm e nuk qe kthyer më në hotel. Të shqetësuar, pjestarët e grupit kishin njoftuar policinë, e cila qe venë menjëherë në kërkim të të zhdukurit.

Shyqyri D, duke mos njohur terrenin, ish endur për ditë të tëra maleve. Në fund, qe pikasur nga policia në Malin e Thatë hipur mbi një pemë, i urritur dhe i nxirrë nga cfilitja e të ftohtit. Aso kohe, u dëgjuan shumë variante lidhur me motivet e tentativës së tij për arratisje. Nga autoritetet zyrtare, ngjarja qe kaluar anash e ish cilësuar si lajthitje e veprim prej psikopati. Procesi i tij gjyqesor u zhvillua në Vlorë e, përfundimisht, Shyqyriu e mbylli karierën me 15 vjet burg, të cilat s'mundi t'i kryejë plotësisht sepse vdiq në burg, më 1983. 1)

... Një natë dimri të vitit 1974, efektivi i degës së Punëve të Brendëshme në Vlorë, u ngrit në alarm të përgjithshëm. Qysh prej disa ditësh, një grup të rinjsh nga Narta qenë zhdukur pa lenë gjurmë e, këshilli popullor i fshatit kish njoftuar policinë. Fill pas kësaj u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Ndërkohë, me urdhër nga Tirana, në akset kryesore të rrugëve nacionale u ngritën postë-blloqet si dhe kërkimet pranë zonave kufitare të vendit. Por, qe tepër vonë. Grupi, i përbërë nga katër nartiotë dhe i kryesuar nga Llazar K, kish kaluar kufirin e ndodhej tashmë në Greqi.

Të veshur me rrobat ushtarake të zborrit, ata kishin mundur të depërtonin pa renë në sy e pa tërhequr vemendjen gjer në zonën kufitare të Përmetit, aty ku një prej tyre kish kryer shërbimin ushtarak e njihte mjaft mirë terrenin. Duke u fshehur gjatë ditës nëpër shkurre, e duke udhëtuar vetëm natën, ata kishin arritur në klon. Pastaj, për të mënjanuar tensionin elektrik dhe sinjalizimin e postës kufitare, për gjithë natën e gjer në agim kishin punuar si të marrë e me një rritëm të jashtëzakonshëm. ( Ashtu siç dinë të punojnë vetëm nartiotët ). Së fundi, me ndihmën edhe të lopatave xhenjere, kishin arritur të hapin një tunel poshtë telave me gjëmba të klonit.

Në mengjez, pa rënë drita mirë, grupi i urithave kish kaluar në tokën asnjanëse, e më pas, në territorin grek ...

Por, kjo histori nuk mbaroi me aq !

Çudia më e madhe, kish ndodhur mbas një viti.

1) Sipas tregimit të Spiro P. Athinë. Korrik 2000

- 4 -

Atëhere kur, i arratisuri Llazar K. ish kapur nga rojet e kufirit, por kësaj rradhe teksa po kalonte nga Greqia për në ... Shqipëri. Mbas disa muajsh hetimesh, në kino-klubin Perlat Rexhepi të Vlorës u organizua një proces gjyqësor publik, ku me lista e ftesa të posaçme qenë thirrur për të marrë pjesë, kuadro e punonjës nga shumë qendra pune e prodhimi.

Ata, të cilët kanë qenë të pranishëm në atë proces, tregojnë se Llazar K. ndër të tjera, pat dëshmuar se kish hyrë ilegalisht në Shqiperi i ngarkuar me detyra speciale nga asfalia greke. Sipas udhëzimeve të saj, misioni i tij ish të binte pikërisht në duart e Sigurimit, të gjykohej, të denohej e të burgosej. Pas kësaj, pikërisht në burg, ai duhej të kontaktonte me një agjent të burgosur të shërbimeve të fshehta greke, të cilit, duhej t'i komunikonte disa porosi top secret. Për atë shërbim të çmuar, sipas deponimve të thëna prej tij në gjyq, fill mbas përmbysjes së pushtetit popullor, ( gjë e cila do të ndodhte shumë shpejt ), Llazar K. do të shpërblehej, duke u bërë pronar i gjithë tokave të fshatit Nartë. ( ? )

Sipas rrëfimit, në aparencë, gjithëçka dukej e besueshme. Armiqtë, nuk pushonin së thurruri plane, për të minuar ndërtimin e socializmit në Shqipëri duke tentuar të ngrinin në vend rrjete agjenturore. Në fakt, me të pandehurin, ish punuar mjaft mirë. Në ato çka deklaronte, ai s'bente as gabimin më të vogël. Leksionet e marra në hetuesi, ishin mësuar përmendësh e deklaroheshin pa luajtur asnjë presje. Por duket se, e vërteta duhet të ketë qenë krejt ndryshe. Ka shumë të ngjarë që vetë Sigurimi, t'a ketë sjellë Llazar K. si pako postale nga jashtë, ( apo ndofta t'a ketë shkëmbyer me ndonjë agjent grek të kapur në Shqipëri ).

Natyrisht gjithë kjo, kish një mesazh tepër të rendësishëm. Në menyrë të veçantë për banorët e fshatit grekofon e plot probleme të Nartës. ( Fshat i cili, vazhdimisht i kish sjellë telashe jo të pakta Partisë në rreth e që, ish gjithmonë në qendër të vemendjes së punës së organeve të Sigurimit ). E, jo vetëm për Nartën, por dhe më tej. Mesazhi, pra, ish më se i qartë. Kushdo, që do tentonte të arratisej, do përfundonte si Llazari, i cili, mbas procesit gjyqësor, u dënua me vdekje me pushkatim.

Nisur nga kjo ngjarje, ndofta, dikush mund të bëjë pyetjen:

A qe e mundur që, një i arratisur, të rrëmbehej e të kthehej përsëri në vend ? !...

Së pari, duhet thenë se, midis Shqipërisë e shteteve fqinj, në periudha të ndryshme kohore, kanë egzistuar marrëveshje sekrete për kthimin mbrapsh të të arratisurve. I tillë ka qenë, për shembëll, akordi i fshehtë me autoritetet jugosllave, të cilët në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit kthyen mjaft të arratisur që përfunduan burgjve e kampeve të punës. Pikërisht, në atë kuadër, egzistonin e bëheshin edhe takime të fshehta, për shkëmbime agjentësh të kapur etj.

Së dyti, e vërteta ka qenë se kur ndodhte të arratiseshin individë tepër të rendësishëm, Sigurimi i ndiqte ata pas kudo që shkonin. Për atë qëllim, në ministrinë e Punëve të Brendëshme, sipas disa të dhënave gojore, ka egzistuar një sektor i veçantë i cili merrej me organizimin e atentateve politikë dhe rrëmbimin e individëve të arratisur.

( Zëra të ndryshëm në Tiranë përcaktonin bile se, Vila e Gjelbërt, një ndërtesë misterioze dhe e heshtur diku midis Postës Qendrore të Tiranës e Albimportit, ishte vetë selia e atij sektori tepër sekret i cili organizonte aksionet speciale në fjalë ).

Agjentët e kundërzbulimit shqiptar, të fshehur rëndom nën petkun e diplomatëve të ambasadave, i ndiqnin ata nga pas e këmba-këmbës. Shpesh, për të siguruar ekstradimin e tyre,organizmat speciale të vendeve të huaja, informoheshin me dokumente të falsifikuara nga kundërzbulimi, ku thuhej se, bie fjala, filan person i arratisur nga Shqipëria, ishte një kriminel ordiner ose edhe agjent i vetë Sigurimit shqiptar.

Rrjedhimisht, nuk kanë qenë të pakët rastet kur, shërbimi i fshehtë ka arritur të egzekutojë apo të rrëmbejë me aksione speciale, njerëz të tillë e t'i bjerë ata në Shqipëri. Natyrisht që, më i lehtë, pa telashe e me kosto të ulët, ka qenë eleminimi i tyre fizik, aty ku ata ndodheshin. Në vitet '50, me metoda nga më të ndryshmet, jane eleminuar shumë pjestarë të mërgates antikomuniste shqiptare. Ndërsa, në vitet '60 e më pas, sipas dëshmive të një agjenti anonim shqiptar në shtypin e huaj, për atë qëllim janë përdorur pistoleta elektrike të prodhimit sovjetik me silenciator e në formën e një pakete cigareje e cila godiste me plumba cianuri.

Në vitet '70, u vu në përdorim një aparat tjetër i vogël xhepi, prodhim kinez, i cili mund të hidhte në fytyrën e viktimës një spruco me avuj cianogjenë, të cilët shkaktonin infrakt zemre të menjëhershëm. ( Gjatë autopsisë, s'gjendej asnjë gjurmë avujsh dhe, ekspertiza ligjore konkludonte se, vdekja ish rrjedhim i një infractusi klasik. Me këtë rast, ndër të tjera, i kujtojmë lexuesit, vdekjen misterioze të sportistit të shquar A.Kondo, i cili u cilësua I vdekur aksidentalisht, por që dyshohet të jetë eleminuar nga shërbimet e fshehta shqiptare në SHBA )


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 23:15:

V- JUSUF VRIONI OSE "FANTAZMA ELEGANTE"

Nga Libri "Post-scriptum per diktaturen"shkruar nga V.Qesari

Kapitulli i V-te

( PJESA E PARE )

" A mund të ndodhin vallë në Europën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate aq verbues, aq të pasur, dramatikë e plot të papritura si jeta e atij njeriu ?... Me një fëmijëri ala - Nabukov e"rini të artë",shoqëruar me shumë vite studimesh, të cilat, më pas kultivuan tek ai nje shpirt e karakter të fortë, të aftë për t'u bërë ballë situatave nga me të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës "ala - Solxhenicin "...

Eric FAYE

"Mondes effacés " ( Souvenirs d' un européen ) Editions JC Lattés. 1998



PERKTHYESI I NDALUAR

Kur, në vitin 1970, u mësua se romani i Ismail Kadaresë Gjenerali i ushtrisë së vdekur, qe botuar në Francë, ngjarja bëri sensacion të bujshëm jo vetëm në qarqet intelektuale, studentët, lexuesit e rregullt e të pasionuar të librave letrarë, por edhe tek shumë njerëz të thjeshtë.

Të kam thenë, ai është një roman i madh ! - më thosh plot emfazë, shoku im i fakultetit, frankofili P.S. Ai ka brenda tij atmosferën e tragjedive të Shekspirit e frymën drithëruese të librave të Kafkës. Ke për të parë! Jehona e tij jashtë nuk do të jetë e pakët...

Lajmi i publikimit nga Albin Michel, një nga më të njohurat e më prestigjozet shtëpi botuese franceze, u bë i njohur nëpërmjet së përjavëshmes letrare Drita. Njoftimi, edhe pse i shkurtër e pa hollësira, u komentua në menyra nga më të ndryshmet. Ndërkohë, kritika letrare mbajti qendrim pothuajse të heshtur, ndërsa shtypi i përditshëm nxitoi t'a cilësonte atë, si afirmim të artit socialist jashtë vendit. Për shumë intelektualë, botimi i romanit të Kadaresë, atje larg, në Qytetin e Dritave, ( si dhe fakti që, më së fundi, në Europë do të lexohej edhe një shkrimtar shqiptar ), zgjoi ndjenja krenarie nacionale.

Për individë të tjerë, lajmi në fjalë u shoqërua me mendimin ngushëllues se, botimi i librit në Paris, tek e fundit, do t'i kujtonte botës se Shqipëria qe endé gjallë e se traditat e vyera letrare, s'kishin marrë fund. Disa, siç ish rasti ynë, ( një grup prej tre-katër studentësh ), uronim e luteshim që mesazhi i ngjarjes në fjalë, të ish krejt tjeter.

- O zot ! - thosh S.Y nga Shkodra - Ndofta, ky lajm është një ogur i mirë ! Jo vetëm për letërsinë, por edhe për jetën tonë!.

Në fakt, mendja jonë, punonte gjetkë. Na vinte mirë të supozonim se, ndofta, botimi i romanit mund të qe një sinjal hapje në mos ndaj Perendimit në tërësi, të paktën ndaj Francës. ( Për fat, Enveri nuk qe formuar, ashtu si shumë drejtues komunistë të Lindjes në atdheun e Stalinit, por pikërisht në Francë, ku edhe kish kaluar disa vite të rinisë. Ish ajo arsyeja pse, shpesh, në raporte e fjalime atij i pëlqente të përdorte, fjalë e ekspresione nga gjuha e atij vendi )

Ndërkohë, ndofta qe për t'u habitur por, aso kohe, askujt nuk i ra ndërmend të pyeste se cili qe përkthyesi i Gjeneralit...në frengjisht. Vetëm tek ca studentë të letërsisë, interesimi për të mësuar rreth përkthyesit të panjohur të Kadaresë, ish shfaqur në formë insistuese. Dhe arsyeja qe e thjeshtë. Në të nuk zihej në gojë se kush qe përkthyesi i romanit. Cili pra, e kish çuar Kadarenë në Paris? Zakonisht në çdo botim, emri i përkthyesit nuk mungonte. Pse, kësaj rradhe, ai ish anonim ?! Pyetjeve të tilla kembëngulëse, pedagogu i Letërsisë së Realizmit Socialist, i'u përgjegj duke ngritur supet e duke thenë se, nuk dinte absolutisht asgjë...

Megjithatë, misteri, u zbulua shpejt.

Një asistent-pedagog i frengjishtes, gjatë një bisede intime me ca studentë, kish treguar diçka shkurt e shkarazi, rreth emrit e biografisë së përkthyesit në fjalë. Fjala, pastaj qe hapur në gjithë fakultetin po aq shpejt sa edhe reagimi nga dekanati. Sipas sekretarit të rinisë të kursit tonë, i cili provokoi edhe një mbledhje të posaçme për sqarim politik, përkthyesi i Kadaresë qe dikush të cilit nuk i'a vlente t'i a zije emrin në gojë. Shkurt, një person, i cili kish qenë i denuar me burg për çështje politike. E, më keq akoma, pinjoll i Vrionasve…

( Një familje e pasur beratase, emri i së cilës na ish fiksuar në mend qysh në vegjëli, atëhere kur në tekstet shkollore të historisë kishim mësuar se bejlerët vrionas ishin gjakpirës e shtypës; shkurt, ndër përfaqësuesit më tipikë të feudalizmit shqiptar )

Mbas 8 vjetesh, në Francë do botohej romani i dytë i Kadaresë.

Lajmin e dha përsëri gazeta Drita. Shkurt e pa hollësi. Por, kësaj rradhe, e veçanta ish se informacioni shoqërohej me një foto të kopertinës së botimit në frengjisht. Ne krye të saj, me gërma goxha të medha qe shkruar emri i autorit, shoqëruar me titullin e romanit në frengjisht: Le Grand Hiver ( Dimri i madh ). Pak më poshtë, me shkronja më të vogla, shënohej: Traduit en français par Jusuf Vrioni ( Përkthyer në frengjisht nga Jusuf Vrioni ). Në fund të kopertinës, lexohej emri i shtëpisë botuese: Fayard.

Qe për herë të parë që lexuesi shqiptar, mësonte prej një gazete të kontrolluar rreptësisht nga Partia, emrin e përkthyesit anonim të Kadaresë. Por, si qe e mundur që ai emër i ndaluar të bëhej publik? Mos qe thjesht një gabim? Bie fjala, një lajthitje e kryeredaktorit? Apo, neglixhencë e redaktorit-dezhurn në shtypshkronjë ose nxitim në xingografi ? Apo asnjëra, as tjetra...

Mendja të shtynte të fantazoje dhe plot gjëra të tjera.

( Po sikur, ai gjest, të ish një harresë e qëllimeshme për rehabilitimin e tij ?!.. ( Ndërkohë që, në rrethe të ngushta qe marrë vesh se, Jusuf Vrioni ish përkthyesi kryesor i fjalimeve të Enver Hoxhës e materialeve të të PPSH në frengjisht ).

Por, siç u mësua më pas, hamendja e mësipërme, s'qendronte. Në fakt, gabimin e rendë, e kish bërë redaktori-dezhurn i gazetës, i cili nuk e kish parë fare pllakën e xingos ku qe stampuar fotoja së bashku me emrin e Vrionit. Natyrisht, masat e marra ndaj tij, qenë të rrepta e, skandali u përfol gjer në instancat më të larta të Partisë.

Do kalonin dhe shumë vjet të tjerë, atëhere kur vargu i librave të Kadaresë përkthyer në frengjisht do të shtohej, që emri fantazmë i Jusuf Vrionit të bëhej i njohur. Natyrisht, bëhej fjalë vetëm për disa rrethe të caktuara, sepse zyrtarisht, ai mbetej vazhdimisht i çensuruar dhe, e drejta e publikimit të emrit, jo vetëm që nuk i njihej, por ish absolutisht e ndaluar.

... Një ditë tetori të vitit 1980, një koleg gazetar, i cili gjatë një shërbimi kish udhëtuar me sekretarin e propagandes të Komitetit të Partisë, me tregoi se kish dëgjuar një bisedë sekrete rreth Jusuf Vrionit. Pak a shumë, ngjarja për të cilën qe folur, ishte kjo:

Një zyrtar i KQ të Partisë, e kish thirrur atë në një takim të veçantë e i kish dorëzuar një egzemplar të librit Hrushovianet, botuar në frengjisht. Fillimisht, Jusuf Vrioni i befasuar nga takimi i papritur me të, nuk e kish fshehur shqetesimin. Hape, hape! Shih shenimin në faqen e parë !, i kish thenë zyrtari me ton qetësues. Me duar të dridhura, Vrioni kish ngritur kopertinën. Në faqen e parë të librit, me vetë autografin e tij, Enver Hoxha e përgëzonte atë, personalisht, për punën e bërë si përkthyes ...

Tregimi i kolegut, krahas ndjenjës së habisë, më gëzoi. Së pari, sepse për aftësitë e Vrionit si përkthyes, kisha dëgjuar të diskutohej e të flitej. E, përveç kësaj, personalisht gjykoja se, puna e tij për përkthimin e krijimtarisë së Kadaresë ish me vlera të mëdha, veçanërisht për njohjen e letërsisë shqipe jashtë vendit.

E, së fundi, duke njohur orgjinën e tij sociale si dhe faktin që kish qenë i denuar politik, shpresoja se, në një farë mënyre, ai gjest klemence i diktatorit mund të qe edhe një lloj sinjali në zbutjen e luftës së klasave. Ndoshta, një shikim me sy tjetër, më tolerant, ndaj atyre pak intelektualeve me biografi të keqe, të cilët, edhe pse të dërrmuar nga vitet e kaluara në burgje, bënin punën e Jusuf Vrionit, pra, përkthenin për të nxjerrë bukën e gojës.

JUSUF VRIONI RREFEHET...

Çuditërisht, dhe mbas rënjes së komunizmit në Shqipëri, heshtja rreth përkthyesit të Kadaresë vazhdoi. Për publikun e gjerë, misteri Vrioni, vazhdoi të mbetej i pa zbuluar. Edhe pse në shtypin pluralist të kohës, subjektet, ngjarjet e kujtimet rreth personazheve të ndaluara të epokës totalitare zinin faqe të tëra, fantazma Vrioni, nuk kish arritur të hynte dot në sensacionet e Rubrikave Speciale. Do të kalonin endé mjaft vite të tjera që, ustai i përkthimit të shqipes në gjuhën e Molierit, të vendoste të fliste vetë, për të rrëfyer kulisat e jetës së tij. Po, kjo s'do të ndodhte në Shqipëri, por jashtë saj, në Francë.

Maj 1998.

Isha në librarinë Mollat të Bordosë, kur, ( siç më qe bërë refleks i vazhdueshem ), po u hidhja një sy kalimthi, botimeve të reja nga ish-vendet komuniste të Lindjes. Shikimi im, kaloi shkarazi mbi një varg titujsh e, pastaj, ndali i shokuar mbi njërin prej tyre. A ish vallë e vërtetë ajo që kisha para sysh ?

Po !

Fantazma Vrioni, më së fundi, kish vendosur të rrëfehej ? !...

Në duar mbaja librin e tij me kujtime. 1) Mbi 300 faqe në frengjisht. Në to qe shkruar historia pasionante e një shqiptari, i cili pat përjetuar tallazet e Europës bashkëkohore. Jeta e një njeriu, aktor e viktimë e një drame rrenqethëse të zhvilluar në vendin kampion të totalitarizmit. Në moshën mbi 80 vjeç, Jusuf Vrioni, kish vendosur të rrëfehej. T'i jepte përfundimisht përgjigje, misterit të jetës së tij plot peripeci e të papritura .

Për këtë, me sa dukej, sebep për botimin e kujtimeve të tij në Francë, qe bërë Eric Faye. Intelektual, publicist e shkrimtar i njohur parizien:

Në prillin e 1990 - ës, teksa ndodhesha në Tiranë për një seri intervistash me Ismail Kadarenë, më prezantuan me përkthyesin e tij, një "djalosh" 75 vjeçar. Gjatë takimit tonë, në kafén e hotel Dajtit ndjeva menjëherë se kisha të bëja me një njeri, historia e jetës të së cilit, qe krejt e veçantë. (... ) Me kalimin e kohës, mes nesh lindi një miqësi e sinqertë dhe e thellë. Kështu që, kur J.Vrioni më propozoi t'a ndihmoja në sistemimin e dorëshkrimeve me kujtime nga jeta e tij, nuk hezitova fare por iu vura punës me shumë dëshirë.

Duke hedhur në letër kujtimet e tij, shpesh pyesja vehten: A mund të ndodhin vallë në Europën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate njerëzorë, aq verbues, të pasur, dramatikë e plot të papritura si jeta e atij njeriu? Me një fëmijëri ala - Nabukov e rini të "artë", shoqëruar nga vite studimesh të gjatë, të cilat më pas kultivuan tek ai shpirt e karakter të fortë, të aftë për t'i u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës " ala – Solxhenicin ". ( ... )

… E, më pas, ajo heqje zvarrë e pastaj, ngritja në një jetë që ai s'e kish zgjedhur vetë, e me të cilën iu desh të luftojë ditë për ditë, deri sa arriti të bëhet i njohur e të vlerësohet, falë universit të letërsisë. Një __________________________________________________
___________________________________1) Jusuf Vrioni avec Eric Faye "Mondes effacés " ( Souvenirs d' un européen ). Editions JC Lattés. 1998

- 2 -

arritje kjo, tepër e vonuar për ta ndjerë vehten të lumtur, shoqëruar me plot kujtime e dhembje për vitet e humbura ... 1)

Jusuf Vrioni lindi në Korfuz më 1916. I ati, Iliaz Vrioni, pat qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë: në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1921 e më pas, pak muaj para revolucionit demokratik të Fan S.Nolit, më 1924. Mbas triumfit të Legalitetit, A.Zogu e emëroi Vrionin ministër të plotfuqishëm të Shqipërisë në Paris, kështu që krejt familja u instalua në 11 bis, avenue Victor Hugo.

Në qytetin Lumière, jeta e Jusufit të vogël 9 vjeçar, morri dimensione e hapësira të reja magjike. Rregjistrimi, së bashku me vëllanë, në liceun Janson-de-Sailly, integrimi në shkollë e në jetën e Parisit, zbavitjet, lodrat me patinazh, garat sportive, leximet, pushimet në Saint-Tropez, Bretagne e Loire, - të gjitha këto e benë të zbulojë e të përjetojë bukurinë e një bote të re, gjer atëhere krejt të panjohur.

Vitet kalojnë pa u kuptuar. E ja, mes argëtimeve e pasioneve rinore, papritmas, një dramë familjare. Në moshë 16 vjeç ai provon një humbje mjaft të rendë. Më 17 mars 1932, vdes i ati. Duke qenë Grand Officier du Légion d' honneur, Vrioni përcillet me nderime të veçanta. Trupi i tij varroset në Shqipëri, ndërkohë që familja vendos të qendrojë në Paris. Plaga mbyllet shpejt e djaloshi u përkushtohet pasioneve të moshës, veçanërisht muzikës, letërsisë e argëtimeve. Autorët e tij të preferuar ?...Proust, Mauriac, Montherlant, Gide. Dëfrimet ?... Në shoqëri të zgjedhur. Në Villa d'Este mes orkestrave të xhazit. Në Hotel de Caux, ku njihet me të famshmen Coco Chanel, stilisten dhe krijuesen e parfumit të njohur Chanel 5, etj.

Fundi i viteve '30, qe për mua diçka e mrekullueshme. Më ndodhte shpesh të zgjohesha në mes të natës e të thoshja me vehte: O Perëndi ? Ç'mrekulli është të jetosh këtu !. Ato ishin edhe vitet më të bukura të jetës sime... 2)

Në vjeshtën e vitit 1938, ai regjistrohet në fakultetin e drejtësisë e shkencave politike. Ndërkohë, atmosfera e një lufte të re në Europë, ndihet përditë e më e pranishme. Mars 1939. Gjermania pushton Çekosllovakinë. Gazetat shkruajnë se, pushtimi i Shqipërisë nga Musolini, pritet me ditë. E, vërtet, në 7 prill trupat italianë zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Të nesërmen, Jusufi me vëllanë, vendosin të kthehen në atdhe ...

Si pjestarë të një familje me emër e mjaft influencë, ai e rrethi i tij, shihen nga italianët me sy të mire e, ofertat për t'i shërbyer pushtetit të ri s'mungojnë. Vëllai emërohet me punë në ministrine e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Italiane, e bashkë me të në Romë, shkon dhe Jusufi, i cili dëshiron të vazhdojë studimet e lena përgjysëm në Francë.

Jeta në kryeqytetin italian, duket se është vazhdimi i asaj të Parisit. Vizita, gosti e miqësi të reja mes rinisë së artë romane. Me Edda Cianon, vajzën e Mussolinit, gjatë pushimeve në Sestriere. Me Susanna Agnellin, në mjediset e Albergo dei Duchi. Me Gioia Marconin, vajzën e të famshmit Gugleielmo Marconi, fitues i çmimit Nobel në fizikë. Me Luchino Viscontin, aso kohe asistent - regjisor i kineastit të shquar francez, Jean Renoir. Me Anna Magnanin, aktoren e madhe të kinemasë italiane...

Ndjeja adhurim të veçantë për njerëzit që kisha njohur. Por, jeta prej paraziti në mjedise të tilla mondanë, natyrisht, shpesh herë më provokonte një ndjenjë poshtërimi, sepse dëfrimet në thelb, nuk më sillnin veç kenaqësi të përciptë. Ndjeja se duhej të merresha me diçka më të rendësishme, por si, ku e qysh, nuk dija. Ajo gjendje shpirtërore, ato mendime e vrarje ndërgjegjje, nuk vazhduan gjatë. Një ditë, një mik i ngushtë, më tha: Jusuf ! Më fal që po të pyes, po ti ç'ben këtu ? Nuk mendon se, vendi yt është të __________________________________________________
___________________________________1) - 2) Jusuf Vrioni avec Eric Faye. Idem

- 3 -

ndodhesh në Shqipëri?. Dhe ish pikërisht gjatë verës së vitit 1943 që më së fundi vendosa të kthehem në atdhe. Ndofta, atje, mund të merresha me diçka. Bie fjala, të botoja një gazetë... 1)

Vrioni, kthehet në Tiranë duke bërë një jetë, siç shprehet ai, relativisht të sigurtë, por në një gjendje pasiviteti pothuajse fajtore.

Shoqërohesha me ca miq, të cilët ashtu si unë, kishin studjuar jashtë e nuk ishin të angazhuar. Takoheshim së bashku pothuajse çdo ditë dhe e kalonim kohën duke diskutuar në Tennis Club apo te Kafé Sahati, pranë xhamisë ( ... ) Ndërkohë, në 29 nentor 1944, qeveria partizane e formuar në Berat, mbrriti në Tiranë. Viti në vazhdim, shenoi një periudhë pritje për Shqipërinë. Komunistët nisën të zbatonin politikën e " dorashkave të kadifejta ". Ngado dukej fryma e një farë " tolerance ".

Megjithatë, në prill 1945 u zhvillua një proces i madh kundër " kolaboracionistëve ", i cili përfundoi me rreth 20 egzekutime. Shumë të tjerë, u pushkatuan në vend, nenë akuzat se kishin denoncuar tek pushtuesit, baza apo guerrilas të rezistencës. Ndërkohë, doli fjala se në fshehtësi, Garda e Mbrojtjes së Popullit me në krye sekretarin organizativ të Partisë Koçi Xoxe, kish nisur nga spastrimet... 2)

Në atë atmosferë frike, pritje e dyshimi, duket se e kaluara dhe orgjina familjare e tij, nuk merren parasysh. Ai, beson se nuk ben pjesë në listat e të dyshimteve. Bile, për çudi, vetë Hysni Kapoja e thërret në zyrën e tij dhe e njofton se e kishin caktuar anëtar të komitetit sportiv të Bashkimit të Rinisë Antifashiste.

Pra, në dukje, asnjë dyshim, asgjë e rrezikeshme.

Jusufi shkon edhe në Boegrad me ekipin shqiptar të tenisit. Më pas, nis miqësi me pjestarë të misionit ushtarak britanik, amerikan e francez në Tiranë. ( Një prej tyre, oficer parashutist francez, të cilit i kish besuar dyshimet e frikën për çka mund t'i ndodhte në të ardhmen, i propozoi t'a ndihmojë, duke i dhenë një uniforme ushtarake, e duke e kaluar me anije nga porti i Durrësit për në Francë ).

Propozimi i tij më prishi mendjen. Nena nuk ish kundër që të ikja. Bile, më bëri gati edhe nje lloj brezi, ku kish fshehur dhjetra monedha floriri, të cilat do ti vendosja përreth mezit kur të nisesha. Ajo kembëngulte që t'a lija Shqipërinë, për t'u shpëtuar kërcënimeve të cilat ndaj nesh ishin ende të mjegullta Ne fakt, nga dita në ditë, rreziqet po bëheshin gjithmonë e më të dukëshme edhe pse, akoma, gjatë verës së vitit 1945, jetohej me euforinë e çlirimit dhe fitores mbi armiqtë.

Shpesh herë mendoja e i thosha vehtes se, në se rreziku do të shkallëzohej më tepër, atëhere do vendosja vërtet për t'u larguar. Por, ndërkohë, mendime të tjera, më kurajoze e më dinjitoze, më mbanin që të mos nxitesha për t'a marrë atë vendim. Gjykoja se, ndofta kish ardhur momenti që ne, të rinjtë e kategorisë sime sociale, duhej të merrnim mbi vehte riskun për krijimin e një lëvizje të vërtetë demokratike ...

Por, sikur ai oficeri francez i quajtur Cochet, të m'a kish bërë propozimin për arratisje dy muaj më pas, atëhere kur unë kisha hequr dorë nga shumë iluzione, ndofta do të kisha ikur një orë e më parë. Por, hë për hë, mendoja të qendroja. Po, përse ? Për të organizuar një lëvizje demokratike ? Shumë ishin ata që e endërronin diçka të tillë, po askush s'qe i gatshëm të merrte mbi vehte rrezikun për t'i u futur asaj pune. (...)

Askujt s'mund t'i zije besë! Qoftë dhe një fjalë e vetme të çonte drejt trikëmbëshit! Sigurisht, unë isha në dijeni të një lloj rezistence pasive. Por, aso kohe, në Shqipëri një Saharov, as që mund të imagjinohej. Ai do të eleminohej në vend sapo të niste shqiptimin e frazave të para " subersive "... 3)

Në fakt, egzistenca e një farë opozite u bë evidente gjatë zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Personalitete të tilla si, Suad Asllani, Balthazar Beusi, Gjergj Kokoshi e intelektualë të tjerë, tentuan të konkurojnë për të formuar një opozitë serioze. Për atë qëllim, me anë të një momerandumi, u vunë në dijeni edhe vëzhguesit e huaj e përfaqësuesit e shtypit __________________________________________________
____________________

1) - 2) –3) Jusuf Vrioni avec Eric Faye. Idem.

- 4 -

perëndimor. I përkthyer dhe i redaktuar nga J.Vrioni, materiali pasqyronte gjendjen në vend e bente thirrje për verifikimin e saktesinë e zgjedhjeve.

Memorandumi, kërkonte gjithashtu të bëheshin sondazhe në se në vend egzistonin edhe opinione të ndryshme nga ato të Frontit Antifashist, si edhe cilat qenë arsyet pse ato nuk ishin paraqitur gjatë fushatës elektorale. Gjithashtu, në të kërkohej të hidhej dritë edhe mbi rolin e Partisë Komuniste në Shqipëri, ( e cila, gjer atëhere, nuk qe deklaruar haptaz ) e bëhej thirrje për të vëzhguar mashtrimet, kërcenimet e shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut.

PARADHOMA E VDEKJES

Ishte e shtuna e 13 shtatorit 1947 kur, dy punonjës të Sigurimit e thirren teksa po priste dikë, aty ku sot ngrihet monumenti i Skenderbeut:

- Ti je, Jusuf Vrioni ? Hajde me ne ! Kemi ca pyetje për të bërë !.

Këto ishin edhe fjalët e para të kalvarit të gjatë e të mundueshem që do të zgjaste për shumë e shume vite. E shtynë brenda në një jeep dhe e çuan në qelitë e nenëdheshme të Burgut të Vjetër.

Përse e kishin arrestuar ?

Ç'kish bërë ?

Askush s'i jepte shpjegime. Heshtje. Errësirë. Pastaj klithma e britma. Më tej, dikë po torturonin. Në qelinë e ftohtë ku e kishin rrasur, ndodheshin edhe pesë të arrestuar të tjerë. Ata, kishin kaluar me kohë në sallen e torturave ose, në atë që quhej ndryshe, mbajtja e proces - verbalit para kalimit në procesin gjyqësor.

I troshitur nga tensioni e ankthi, Vrionit s'i mbetet veç të qetesojë vetvehten duke sjellë para syve imazhin e nenës, e cila s'e di ende që e kanë arrestuar. Pastaj, të kujtojë të kaluarën, vitet e rinisë. Te atin e vdekur prej kohësh. Vellanë e motren të mbetur në Perendim. Por, edhe miq të tjerë, padyshim. Në mend i vijnë më pas, si në film, vendet ku kish kaluar pjesë të jetes: Parisin, Romën, Londrën, Beratin, Korfuzin e vegjëlisë ...

Paradhoma e vdekjes.

Kështu e quan J.Vrioni qelinë e tij.

Aty, ku e mbajnë të lidhur ditë e natë me zinxhirë dhe, e torturojnë mizorisht.

Kur erdhi rradha e seancës së pyetjeve, fillimisht kembëngula se nuk dija gjë. Atëhere, filluan sharjet me fjalët më të ndyra, shoqëruar me shuplaka, grushta e shqelma në pjesët më delikate të trupit. Pastaj metodat e torturës u ndryshuan. Nisën të më godasin me çomangë, vazhduan me elektroshok e përfunduan duke më shtrirë mbi një bangë të quajtur " jeleku ". Ajo lloj torture, niste me lidhjen e duarve e kembëve e kalimin mes tyre të një trari. Pastaj, në atë pozicion të kryqëzuar, pa pasur mundësi për mbrojtjen më të vogël, fillonin goditjet me shkopinj para e mbrapa, duke kërkuar që të rrëfeja. Atë metodë torture m'a benin gjashtë herë në javë.

( ... ) Por, më çnjerëzoret, ishin ato 15 ditë e 15 netë, kur më varën nga duart në tavanin e qelisë, duke më hedhur rreth qafës 30 a 35 kg. zinxhirë. Nuk kisha ku të mbahesha. Dyshemenë, arrija t'a prekja vetëm me gishtat e kembëve. Çdo gjë qe llogaritur që të mos mbështetesha diku. Pyetjet që më benin, ishin më tepër në drejtim të misioneve ushtarake angleze e amerikane si edhe rreth marrëdhenjeve që kisha pasur me personelin e tyre.

Donin të dinin se çfarë informacionesh u kisha dhenë. Pastaj, mundoheshin të provonin e të faktonin veprimtarinë time politike gjatë të ashtuquajturave zgjedhje " demokratike". Me kë isha takuar?Kush qene anëtarët e grupit tonë " armiqësor" ? Cili qe qëllimi i mbledhjeve tona?... Unë mohoja, duke pranuar vetëm një gjë: qëllimi ynë ish të formonim një opozitë legale sipas neneve të parashikuara nga Ligji Elektoral.

( ... ) Hetimet, vazhduan nga shtatori gjer në nentor e pastaj, më transferuan në një qeli tjetër. Aty pranë, ngjitur me mua, lengonte shkrimtari Mitrush Kuteli, i cili herë pas here, më recitonte me zë të ulët vargje nga poema e tij "Kosova". 1)

Mbas shkurtit të vitit 1948, për Vrionin nis periudha e izolimit të plotë, e cila zgjat 27 muaj. Në një qeli, të quajtur, ajo e Koçi Xoxes, ai vendos t'i japë fund gjithëçkaje:

Pikërisht, në atë qeli, provova t'i jap fund jetës duke prerë venat. Por, i vetmi mjet me të cilin mund t'a bëja atë, ishin tokëzat e buta metalike të pantoflave të mia. Kështu që tentativa nuk dha rezultate. ( Shenjat e prerjes, megjithatë, i kam dhe sot e kësaj dite mbi kyçe). Gardianët ndërhynë shpejt e më fashuan duart, ndërsa doktori tha se, s' kish ndonjë rrezik për jetën. Megjithatë, ai dha porosi që survejimi ndaj meje të forcohej dhe më tepër... 2)

Me sentencën e 29 qershorit 1950, Vrioni u denua me 15 vjet burg, i akuzuar si agjent i sherbimeve të huaja sekrete.

... Vizita e parë në burg, 34 muaj mbas arrestimit, qe ajo e nenës. E gjora, nenë ! ... Që përtej hekurave, mundohej t'a mbante vehten. Por, sytë i kish mbushur plot lotë. Ashtu si dhe unë nga ana tjetër. Më pyeti për shendetin e pastaj më foli për vehten, për gjithë ç'kish hequr mbas arrestimit tim. Fillimisht e kishin dëbuar nga Tirana dhe kish mundur të strehoej te ca kushërinj në Durrës. Por, edhe aty, s'e kishin lenë të qetë. E kishin çuar në fshatrat e Fierit, ku jetonte në një kasolle. Pa tavan e dysheme. Direkt e mbi argjil ... 3)

E pastaj, vijojnë, vitet e tmerrshme nëpër burgjet shqiptare.Vuajtje, punë e detyruar, poshtërime e fyrje. Takime me të burgosur, njerëz të njohur, intelektualë të shquar. Me Fiqri Llagamin, Arshi Pipën, Suad Asllanin e dhjetra e dhjetra të tjerë, të cilët lengonin në ferr. Në verën e vitit 1952 e transferojnë në Burrel. Aty, në kampin skëterrë e mbajnë tri vjet. Udha e Golgotës vazhdon pastaj nëpër gulagë të tjerë. Në Berat, Rinas, Shtyllas e Radostine, aty ku mijra e mijra të burgosur, punonin në kushte çnjerëzore.

E, së fundi, më 3 dhjetor 1959, mbas 12 vjetësh burg, vjen dita e lirimit...


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 23:17:

J.Vrioni- ( PJESA E DYTE )

PERKTHIME, PERKTHIME ...

... Po tani? - pyet vetvehten, J.Vrioni - Ç'do bëhet tani me mua ?.

I instaluar, bashkë me t'ëmen, në një fshat të Fierit e me 43 vjet mbi kurriz, ai përjeton një tjetër burg të dytë. Njerëzit përreth e shohin me urrejtje e dyshim. Arsyeja? Ai ka qenë në burg, ndërsa familja e tij qe armike. O Perëndi ? Si mund të shpëtonte nga ajo skëterrë? Të shkonte diku, në një vend tjetër ku njerëzit të mos t'a shihnin me përbuzje e dyshim?! Për shembëll, pse të mos shkonte përsëri në Tiranë ? Aty, mund të gjente edhe ndonjë punë ...

Dhe ja, duket se një dritëz optimzmi ringjallet e, shpresa për një jete normale rikthehet kur, fare rastësisht, në plazhin e Durrësit, ai njihet me një vajzë të re e të kendëshme. Ajo quhej Agi dhe, fati do t'a sillte që të bëhej gruaja e tij e ardhëshme.

Tashmë, i lidhur me Agin, unë kisha një arsye më tepër të mendoja për transferimin tim në Tiranë. Pastaj, aty, të merresha me diçka. Ndofta, me përkthime... Gjatë udhëtimeve të shpeshta në kryeqytet isha njohur dhe me disa persona, të cilët më kishin propozuar të përktheja tekste historike e letrare. Në fakt, pak kohë mbas daljes nga burgu, kisha nisur të provoja përkthimin e poezive të Migjenit, më tepër për qejf se sa për të provuar aftësitë e mia. Më pas, kish qenë pikërisht kunati i Migjenit, Skender Luarasi, i cili mbasi mësoi se unë kisha studjuar në Francë, më rekomandoi përkthimin e tij të plotë. Ai qe edhe përkthimi im i parë letrar edhe pse nuk pati fatin të botohej...

Edhe Petro Marko kish shumë dëshirë t'i përktheja një roman. Petroja, ashtu si unë, kish qenë në burg, por qe " rihabilituar " e shihej me sy të mirë nga autoritetet. Pak më vonë, historiani Kristo Frashëri më propozoi t'i përktheja një "Histori të Shqipërisë", autor i së cilës qe ai vetë. Më pas më angazhuan në Shtëpinë Botuese, për përkthimin e përmbledhjes me novela "Kenga dhe pushka" të Dh. Shuteriqit.

Kështu, për vetë rrethanat e kushtet në të cilat ndodhesha, punën e përkthyesit e shihja si të vetmen mundësi për të jetuar. 1)

Pas ca muajsh, martesa me Agin, e cila banonte familjarisht në kryeqytet, i hap dritën jeshile, për t'u pasaportizuar në Tiranë.

Pikërisht, gjatë asaj kohe, pra aty rreth vitit 1963, më lindi ideja të përktheja romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Për atë libër, kisha lexuar një artikull shkruar nga Javer Malo, të cilin unë e çmoja si gazetar. Sipas tij, ai ishte i vetmi roman i kohës, i cili mund të ngjallte ndonjë interes të mundëshëm për lexuesit e huaj. T'a konstatoje e t'a shkruaje atë mendim publikisht, padyshim që ish një gjest mjaft kurajoz. Kështu, mendova t'i futesha punës, për përkthimin e tij.

Atëhere, unë nuk e njihja fare Ismail Kadarenë, edhe pse ai kish krijuar një farë emri. Si shumë të rinj, edhe Agi, ishte admiruese e atij autori. Ajo, bile, më kish bërë dhuratë edhe një përmbledhje të tij me poezi, të titulluar Shekulli im. Aso kohe, kish njerëz që thoshin se Kadareja qe një Hemiguej i dytë, të nisur ndofta nga fakti se ai kish preferencë të veçantë për atë autor, e kish përkthyer në shqip edhe novelën e tij Plaku dhe deti. 2)

Para se të niste përkthimin e romanit ai u takua me Kadarenë dhe i foli për projektin. Ismaili, s'mungoi të shfaqte kenaqësinë e tij të madhe. Aso kohe, ai nuk e kish famën e prestigjin e sotëm, por qe thjesht një autor i cili pëlqehej për frymën e re që sillte në poezi. Shumë e vleresonin për stilin orgjinal e, ca të tjerë, për devijimin nga realizmi socialist. Sa për Vrionin, ai qe thjesht një adhurues i Gjeneralit të ushtrisë së vdekur. Për të, ai roman, kish diçka krejt të veçantë: s'ngjante aspak me librat e tjerë që botoheshin në Shqipëri.

Në këtë kontekst, është interesante të mësojmë se cilat qenë përshtypjet e para të Kadaresë, për Jusuf Vrionin. Në një nga librat e tij, ai e përshkruan kështu, njohjen me të:

... Ajo që pa dyshim më befasoi në takimin e parë me përkthyesin tim Jusuf Vrioni, ish jo vetëm eleganca e tij, nostalgjia për Francën e talenti i veçantë, por edhe 12 vjetët që ai kish vuajtur nëpër burgjet e llagëmet komuniste. Njohja jonë u bë në fillim të viteve '60. Shkova në dhomën e vogël, ku ai jetonte përkohësisht me të fejuarën, për të parë kapitullin e parë të " Gjeneralit të ushtrisë së vdekur " të cilin ai kish nisur t'a përkthente pa ndonjë shpresë për botim.

Atehere, unë s'dija frengjisht, por lexoja pak anglisht. Duke parë përkthimin nga i cili, unë, natyrisht, nuk kuptoja asgjë, pyeta vehten në se ai kish mundur t'a mbante vallë të gjallë në vetvehte gjuhën frenge, pas gjithë atyre që kish hequr nëpër hapsanat e errëta, transhetë e telat me gjemba. E ardhmja tregoi se, ai, prej saj jo vetëm që s'kish humbur asgjë, por përkundrazi, mes baltës e pisllëkut, frengjishtja e tij e
1) 1- 2) Jusuf Vrioni avec Eric Faye. Idem

- 2 -

lëmuar prej vuajtjeve, qe bërë edhe më fine e më e përkryer... 1)

Mbas shumë sorollatjesh e hezitimesh, më në fund, libri tashmë i përkthyer, u botua më 1967. Me pas, fati e solli që ai të dërgohej jashtë së bashku me ca libra të tjerë, të cilët aso kohe ishin botuar në Tiranë.

Një ditë, Helena, gruaja e Ismailit, më tha se kishin takuar një akademik francez qe e kish pëlqyer shumë përkthimin tim. Më vonë, mësova se Gjenerali i ushtrisë së vdekur do të botohej nga një shtëpi botuese franceze e quajtur Albin Michel ... 2)

Botimi i romanit në Francë qe një sukses i madh. Për Jusuf Vrionin hapej kështu rruga që përkthimi të bëhej jo vetëm mjet mbijetese, por edhe profesion, paçka se emri mbetej vazhdimisht anonim. Mbas botimit të romanit në Francë, Kadare ndërhyu tek Fadil Paçrami, ( në atë kohë sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës ) e pas kësaj, Jusufi mundi të gjejë një vend pune në shtëpinë botuese Naim Frashëri.

Ish pikërisht në atë periudhë, pra në vitin 1966, gjatë punimeve të Kongresit të V - të të PPSH, që unë nisa përkthimin e teksteve politike. ( ... ) Materiali i parë që më dhanë qe raporti që Enver Hoxha do të mbante para kongresit. 3)

Përkthimet e materialeve politike, bëhen objekti i vetëm i punës së tij intensive. Duke filluar nga raportet e fjalimet e E.Hoxhës, buletinet e Komitetit Qendror, dhjetra e dhjetra materiale të tjera të Partisë, e gjer tek Veprat e librat e ndryshme të diktatorit …

... Për çdo tekst zyrtar isha vigjilent gjer në kopjen e fundit të përkthimit. Korrigjoja, korrigjoja e përsëri korrigjoja. Kjo punë zgjati për pothuajse 20 vjet. Por, ajo, qe vetëm një anë e medaljes. ( ... ) Në kuadrin e punës që bëja në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri (e cila më vonë u pagëzua në 8 nentori ), përktheva vetëm romanet "Dimri i madh " e "Ura me tri harqe". Përsa i përket veprave të tjera, ato i kam përkthyer të gjitha jashtë orarit zyrtar. Çdo mbremje, ulesha në tavolinën time pranë dritares, në një dhomë të vogël në katin e parë të shtëpisë, e cila për një farë kohe pat qenë e djalit. Me tekstin në shqip nga njera anë e, makinën, nga ana tjetër...

Që nga viti 1963 e gjer para pak kohësh, kam punuar me të njejtën makinë shkrimi, të cilën m'a kish dërguar dajo Xhemili nga Italia. E shtrenjta makinë, shoqja ime besnike!... E ndjej që duhet t'i bëj homazhe asaj makine të markës Triumph, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra " karrierë" e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur" e shumë vepra të tjera të Kadaresë.

Asnjëherë, ajo s'më la në mes të rrugës. Për besnikërinë e saj, ruaj gjithmonë një ndjenjë të thellë mirënjohje ose, më saktë, një sentiment të veçantë dashurie. Të gjithë, bile edhe më ekspertët në daktilografi, thoshin se ajo qe shumë më superiore se të tjerat, si në lehtësinë ashtu dhe në butësinë e shtypjes. Habiteshin me ndjejshmërinë në goditjen e gërmave; nga qe ajo i përgjigjej me besnikëri edhe kontaktit më të lehtë, pa i ngatërruar kurrë shkronjat. Edhe kthimi i karelit bëhej me lehtësi. Kështu, nëpër vite e në çdo situatë, ajo u bë jo vetem shoqja por edhe artizanija e egzistencës sime ... 4)

Por, puna në Shtëpinë Botuese, për Vrionin nuk qe aq e lehtë sa dukej në aparencë. Vërtet, shumë njerëz e respektonin, po kish edhe që e shihnin shtrembër. Ndër ta, disa benin punën e informatorëve të Sigurimit. Kolektivi ku punonte, këshillohej herë pas here që të mos i bente shoqëri, e të mos harronte kurrë orgjinën e tij klasore si edhe të kaluarën, si ish i burgosur politik. E, Vrioni s'harron të tregojë për takimet me shefin e administratës, ish-gazetar i një një reviste ushtarake, i cili plot mllef, i përsëriste herë pas here kërcënimin:

- Mos harro, se ti je armik e këtë do t'a paguash!


1) Ismail Kadare "Dialogues avec Alain Bosquet ". Editions Fayards. 1995

2) - 3) - 4) Jusuf Vrioni avec Eric Faye. Idem

- 3 -

... Gjatë periudhës që punonte për përkthimin e materialeve të ndryshme të PPSH-së, Jusuf Vrioni bashkëpunoi edhe me një person të quajtur Nils Andersson, një marksist-leninist suedez, i cili merrej me botimin e përhapjen e Veprave të E. Hoxhës në botë. Në kujtimet e tij, ky i fundit, shkruan:

… Takimet e mia me Vrionin, gjatë përkthimit në frengjisht të Historisë së Partisë së Punës, ishin të rregullta e miqësore. Unë i vlerësoja dhe i konsideroja ato si momente të kendëshme diskutimi, jo vetëm për punën që benim së bashku, por edhe më gjerë. Por, shumë shpejt kuptova se afrimi im me të, nuk shihej me sy të mirë nga disa kolegë, të cilët shpesh më kishin venë në dukje se ata dyshonin për saktësinë e përmbajtjes ideologjike të përkthimeve të tij. Sipas tyre, Vrioni, mund të qe vërtet njohës i përkryer i frengjishtes, por s'kish edukatë e formim marksist, gjë që rrezikonte të bente edhe gabime ideologjike. 1)

Megjithatë, një ditë tetori të vitit 1980, J.Vrionit i dorëzuan një egzemplar të librit Hrushovianët ku autori, pra, Enver Hoxha, me anë të një autografi e përgëzonte atë për punën cilësore si perkthyes. Ngjarja bëri bujë. Vërtet, ai, i Madhi, i Pari, Kreu i Partisë dhe i vendit, i kish dhuruar atij një libër me dedikim ?!

Natyrisht, shumë njerëz e ndjenin vehten të fyer nga ajo "fitore" relative, e u munduan t'a kalojnë ngjarjen pa i dhenë rendësi dhe duke e harruar. Ndërkohë, kuptova se, për njerëzit e Sigurimit, fakti qe unë përktheja Enver Hoxhën, nuk ndryshonte asgjë përsa i përkiste shkallës sime të " rrezikshmërisë". Megjithatë, viti 1980 shenoi një farë kthese relative, ndaj gjendjes sime personale. Fakti që, puna ime qe çmuar aq lart, krijonte për mua një atmosferë disi të veçantë, po të kihej parasysh orgjina familjare dhe e kaluara si i burgosur politik ... 2)

Rehabilitimi i Vrionit u bë shkak i mjaft pëshpëritjeve në qarqe e mjedise të ndryshme të shoqërisë së asaj kohe. Veçanërisht nga armiqtë e tij të betuar për vdekje. Dhe vërtet, duket se, vdekja po i vinte rrotull, por nga një drejtim tjetër. Një infractus i pa pritur e çon në buzë të varrit, por autoritetet japin alarmin, duke ngritur gjithë mjeksinë shqiptare në kembë.

Partia s'e dëshironte vdekjen e tij.

Ai, duhej të jetonte, për të vazhduar përkthimin e Veprave të shokut Enver !..



1) Nils Anderson "Celui par qui Kadare est arrivé ". ( Les temps modernes ). Fevrier 1996

2) Jo vetëm gjatë viteve të fundit, por dhe sot e kësaj dite, lidhur me veprimtarinë e Vrionit si përkthyes, janë shfaqur opinione nga më të kundërtat. Një pjesë e ish -të denuarve e persekutuarve politikë, e akuzojnë atë se i ka shërbyer me devocion diktaturës e se, për rrjedhim, ai nuk ka të drejtën morale t'i përkasë së njejtës "kategori" me ta. Një pjesë tjetër, e kjo është, besoj, edhe më e madhja në opinionin publik shqiptar, e gjykojnë si diçka normale dhe të pa evitueshme, punën e tij si përkthyes i veprave politike. Ndërkohë, me "kategorinë" e të parëve, çuditërisht, bashkohen edhe disa individë, një pjesë e të cilëve intelektualë të diasporës, të cilët thonë se,"mëkati" më i madh i Vrionit nuk ka qenë përkthimi i veprave të Hoxhës, por ai i librave të...Kadaresë. ( ?! ) Por, le të ndalemi pak te gjykimi i atyre që e akuzojnë Vrionin si "kolaboracionist" me regjimin enverist. Në fakt, për të qenë realistë, është vështirë të mendosh një qendrim tjetër, për një njeri që pat vuajtur galerat komuniste e që rrezikonte të rifutej përsëri në to. A mund t'a refuzonte ai një rrugë dalje, një menyrë adaptimi të tillë për të mbijetuar?... Sa qenë ata, të cilët në atë kohë refuzonin që kulturën e dijet të mos i vinin në shërbim të sistemit, pikërisht për të gjetur një status quo që mund t'u siguronte egzistencën e një qetësie relative në shoqërinë totalitare?... Ky qendrim i komplikuar, i imponuar nga frika, ushtrimi i dhunës, terrori e indoktrinimi sistematik, kishin përfshirë, ne fakt, gjithë inteligencien shqiptare të kohës. Atëhere, si mund t'i rrezistonin atij presioni, individë të tillë si Vrioni, të cilëve, në një farë menyre, u jepej "shansi" i rrallë të shihnin pakëz "dritë" në tunelin e frikshëm të jetës totalitare?... ( Shenim i autorit )



HAPJA E " DRITES JESHILE "

Nica, motra e tij, e cila jetonte në Itali, e alarmuar, i shkruan një letër Enver Hoxhës për t'a lejuar që të kurohet pranë saj. Letra bie në duart e Nexhmijes, e cila është e interesuar që Vrioni të shërohet sa më shpejt. Pas kësaj, drita jeshile, hapet. Formalitetet bëhen me urgjencë. I jepet pasaporta për jashtë, i akordohet viza e, ai nuk u beson syve, kur avioni ulet mbi pistën e aeroportit të Fiumiçinos në Romë.

Ishte mars i vitit 1985...

Përveç shmalljes me motrën, mbas vitesh ndarje që s'mbahen mend, përveç kujdesjeve e kurave për rikthimin e shendetit, ai ndjen t'a pushtojnë ndjenjat e nostalgjisë për vitet e rinisë dhe kujtimet e paharruara të saj. Por, tashmë ai gjen një Itali tjetër e ndryshimet nuk i ndjellin veçse keqardhje.

I shëruar, Jusuf Vrioni, kthehet në atdhe ku e presin ngjarje të reja. Enver Hoxha ka vdekur dhe drejtimin e Partisë e ka marrë Ramiz Alia. Shumë shpejt, Vrionit i duhet t’i përvishet punës për përkthimin e librit të tij Enveri ynë. Më pas, më 1987, një tjetër lajm i mirë. Mbas shume hezitimesh, jepet aprovimi për përkthimin e romanit Koncert në fund të dimrit të Kadaresë, i cili gjer atëhere, konsiderohej pothuajse një libër i ndaluar.

E ja, pak më vonë, ndodh mrekullia...

Ministria e Jashtme franceze e fton në kremtimet e 200 vjetorit të Revolucionit Francez.

Një nga gjërat e para që bëra sapo mbrrita në Paris, ishte të shkoja e të shihja vendet ku kisha kaluar vitet e mia të rinisë, aty në avenynë Victor Hugo. Qysh prej 50 vjetësh, për mua aty fshiheshin kujtimet më të bukura të jetës. Shkova në shtëpinë ku kishim banuar e, me ndrojtje u ngjita gjer në katin e tretë, aty ku dikur qe një koridor i gjerë, në faqet e të cilit kisha bërë kushedi sa vizatime. Ai tashmë ish transformuar e qe ndarë në apartamente të veçantë. Kush banonte tani aty ?... S'i rashë asnjë zileje e, meqënse poshtë më prisnin, zbrita shkallët me dhembje e me sytë mbushur plot lotë... 1)

Parisi !...

Nostalgjia hap portat e ai vrojton, shikon, kujton.

Ndryshe nga imazhet e femijnisë, qyteti i duket i bardhë e me më tepër dritë. Ndërtesat e dikurëshme të nxirra nga shekujt, i gjen më të pastra, më të reja, më të ndritëshme. Ai përfshihet në jetën e tij plot gjallëri. Takime me miq të vjetër. Lotë e emocione. Pritje të ngrohta. Ndër të tjera edhe me Claude Durand, drejtorin e Shtëpisë Botuese Fayard...

Pas një viti, me 1990, e pret përsëri një udhëtim tjetër, po në Paris. Aty takohet me Liri Begenë, kineasten e njohur me orgjinë shqiptare. Merr pjesë në Kolokiumin Ndërkombëtar të Përkthyesve në Arles. Përsëri takime plot mall. Me miq e shokë të rinisë. E përsëri kthim në Shqipëri.Vendin e gjen në tension. Në gjendje të nderë. Pritet të ndodhë diçka. Mbas gjysem shekulli shtypje, dukej se po vinte shpërthimi. Ngjarjet precipitojnë për ditë. Ambasadat e huaja sulmohen e pushtohen nga mijra vetë. Me 25 shtator 1990, Ismail Kadare, kërkon strehim politik në Francë.



1) Jusuf Vrioni avec Eric Faye. Idem.

- 4 -

… Isha në shtëpi kur dëgjova lajmin e dhenë nga radjoja. Jehona e atij veprimi ishte shumë e fortë në mbarë vendin. Në princip, unë e konsiderova të drejtë vendimin e Ismailit, sepse në atë menyrë ai distancohej nga regjimi totalitar, ndërkohë që diktatura vazhdonte të ishte endé kërcenuese. Por, për mendimin tim, Kadareja iku në një moment kur prestigji i tij personal qe mjaft i madh, jo vetëm në letërsi por edhe më tepër... 1 )

Ngjarjet e asaj vjeshte tronditëse, ndjekin njëra-tjetrën me vërtik. Lejohet praktikimi i rriteve e hapen objektet fetare. Hiqen statujat e Stalinit e Leninit. Lëvizja studentore bëhet vatra e revoltës kunder regjimit komunist. Në sheshin Skenderbej, demostruesit rrëzojnë e heqin zvarrë statujën e Enver Hoxhës. Shqipëria flak tutje, me neveri e guxim, dyzetë e ca vjet frikë, vuajtje e terror të pashembëllt.

Dy - tre muaj pas ikjes së Ismailit, në shtëpi më erdhën Preç Zogaj e Pirro Misha. Më pyetën në se pranoja të paraqitesha si kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste. U thashë se e vlerësoja propozimin e tyre por s'kisha ndëmend t'i përkushtohesha karrierës parlamentare. Mendoja se kish edhe menyra të tjera për t'i shërbyer ngjarjeve në zhvillim. Ndërkohë, në vijim të ngjarjeve të vitit 1991, u kooptova në Komitetin e Mbrojtjes të së Drejtave të Njeriut. 2)

Rruga e Vrionit drejt Perendimit, tashmë është plotësisht e lirë. Në vjeshtën e vitit 1990 ai merr pjesë në manifestimin La fureur de lire, në Paris. Më 1993, dekorohet nga qeveria franceze me Urdhërin e Letërsisë e Arteve. Më 1994, merr çmimin Halperine Kaminsky, për përkthimet e tij në frengjisht. E së fundi, si për t'i u kthyer gjer në detajet më intime jetës e viteve të shkuara, në pranveren e vitit 1995, në shoqëri me ambasadorin francez në Tiranë, ben një vizitë në ishullin e Korfuzit, aty ku edhe kish lindur 79 vjet më parë.

Para tij, shpalosen përsëri, kujtime të largëta.

Çdo gjë përreth ka ndryshuar.

Pjesa më e madhe e njerëzve të njohur kanë vdekur.

Ndërsa, ai ?

Ai është gjallë.

I shpëtuar për fat e mrekulli, nga vorbullat e përgjakura të kohëve.

Por, ndërkohë, është vonë.

Tepër vonë, për t'a ndjerë vehten, tërësisht e thellësisht të lumtur !

... E, megjithatë, teksa mbi gjinjtë e vegjël e të bardhë të ishullit helen bie bryma ngjyrë trendafili e mengjezit e, një varkë me vela nis të rrëshqasë duke u përkundur lehtë-lehtë mbi detin vaj, ai bindet se jeta e njeriut s'ka fund dhe se, ngjarjet, kujtimet, ndjenjat e emocionet të cilat e shoqërojnë përjetësisht atë, nuk mund t'i përkasin kurrë Harresës dhe Vdekjes ... 3)


1) - 2 ) Jusuf Vrioni avec Eric Faye. Idem.

3) Në Francë, me të nderuarin Vrioni, pata fatin e rrallë të shkëmbej dy - tri letra e të bisedoj disa herë në telefon. Për herë të fundit i telefonova pikërisht një muaj para vdekjes. Ish i sëmurë e tejet i lodhur, por asnjëherë pesimist. Megjithatë, teksa e uroja për një shendet të plotë e pa probleme, më falënderonte duke më thënë se në, jetë fati e kish ndjekur ca si tepër për mirë por, kësaj rradhe me sa dukej, s'do të qe përsëri me të ... E vërtet, pas ca kohësh, Jusuf Vrioni dha shpirt në moshën 85 vjeçare. Ai vdiq të premten e fundit të majit 2001 në Paris duke mbajtur endé detyrën e ambasadorit tonë në UNESCO. Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, europianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që i'a doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së emës, e cila e kish dashur aq shumë ... ( Shenim i autorit )


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 23:23:

POST-SKRIPTUM PER DIKTATUREN

POST-SKRIPTUM PER DIKTATUREN

(Dy fjale per lexuesit)



...Libri "Post-scriptum per diktaturen"shkruar nga Vasil Qesari, me ra fare rastesisht ne dore. Ishim duke pire kafe ne Bar-Zampolli
kur,shoqja ime XH.J me tregoi kopertinen e tij te shtypur ne kompjuter dhe me tha: Lexoje pastaj me thuaj se si do te
duket...Eshte shkruar per ty ,qe vuajte aq shume e qe ai regjim t'i preu enderrat qysh ne rinine e hereshme...Por, eshte shkruar
edhe per ne, qe nuk e provuam direkt ne trup tehun e shpates se diktatures...Por,ne fund te fundit, them se ne ate sistem
sketerre, nuk kishim ndonje ndryshim te madh nga njeri tjetri...Ju ishit ne qeli e torturoheshit ne, merrnim "ajer te paster"ne
shetitjet e oborrit te burgut..."
Fillimisht, kur mikja ime XH.J me rekomandoi leximin e tij, te them te drejten, propozimin e saj e prita disi me indiferentizem e pa
kersheri. Sepse tashme kisha lexuar shume libra mbi kete teme dhe pak a shume ata ngjanin me njeri-tjetrin. Megjithate e
mora. Ate mbas dite e gjer vone naten ra shi e une u mbylla brenda. Nuk doja te dilja se koha e keqe me trishton edhe me teper
perbrenda....Libri rrinte aty, mbi komo. U ngrita dhe nisa te lexoj faqen e tij te pare....
...Kur te nesermen ne darke, pra pas njezete e kater oresh qe ai liber me kish rene ne dore, mbylla faqen e tij te fundit, ndejta per rreth gjysem ore pa folur, e zhytur ne tym duhani e trishtim perzier me emocione tronditese...Ky liber, thashe me vehte, nuk duhej te me shpetonte pa lexuar ...Ne fakt, siç thashe edhe me lart, kisha lexuar edhe libra te tjere per ate periudhe te eger e tiranike te sistemit komunist, por libri ne fjale, me solli para syve jeten time...E pastaj reflektova: Sa i nevojshem eshte nje dokument - esse i tille per Historine, per ne e, sidomos, per femijet tane e brezat qe do te vijne.
Ishte pikerisht ne keto "ujra" mbresash, reflektimesh, kthimesh prapa ne kujtime qe fola me disa antare te kryesise e te Keshillit
Kombetar te LSHB-se, te cilet shfaqen interesim per t'a lexuar. Atehere, per t'a lehtesuar kete pune e per te bere publike pjese te
ketij libri, i shkrova autorit. Pra, eshte kenaqesi per mua qe nene patronazhin e Lidhjes Shqiptare ne Bote te bej publike ne disa
prej "listave shqiptare ne internet", librin dokument-esse ( 2000 ), shkruar nga Vasil QESARI ( aktualisht reporer ne
France 3 Televizion ). Duke ndermarre kete nisme, te cilen lexuesit e bashkatdhetaret tane kudo qe ndodhen, urojme t'a
vleresojne, patem per qellim te bejme publik nje liber i cili, mendojme se ka vlera e perben "nje afresk dantesk" te historise
tragjike te shqiptareve ne pesedhete vjeteshin e fundit te shekullit te XX-te...>
Mendoj se, libri me esse "Post-scritum per diktaturen" i gazetarit dhe publicistit te mirenjohur Vasil Qesari, percjell mesazhin e qarte se "Nuk te harrojme !..."Nuk duhet te harrojme ato qe populli yne hoqi per gati pesdhjete vjet, nen nje nga diktaturat me te egra nder mbare vendet e Lindjes e me tej, pra Diktaturen Enveriste. Nuk duhet te harrojme veçanerisht ne , qe e jetuam dhe e pesuam nene ate diktature. Te mos t'a harrojne femijet tane e gjithe brezat qe do te vine.Sepse, siç thote edhe autori i ketij libri, "Kadavres edhe mbas vdekjes,vazhdojne t'i rriten thonjte e floket"...
MOS TE HARROJME NE MENYRE QE NJE TRAGJEDI E TILLE TE MOS PERSERITET KURRE !...

Pershendetje !
VITORE STEFA - LEKA Antare e keshillit kombetar te L:SH B-se


....Përmbysja e "ngrehinës" së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit shoqëruar me plot
shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e çgënjime nga më të
ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje e cila tronditi thellë shoqërinë duke përmbysur tërësisht shumë kode,
rregulla e koncepte të mëparëshme, njerëzit vazhdojnë endé t'i bëjnë vehtes pyetje të tilla, si:
Ç'kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës ? Si qe e mundur që sistemi arriti
të deformonte gjithëçka? Përse njerëzit e kishin pranur atë ? Cila qe "logjika" totalitare e transformimit të shoqërisë e individit?
Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë
së terrorit ? ...
Si ndodhi që, ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej "përjashtim" apo"rast i veçantë "?
Pse Enver Hoxha i qendroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika
e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve '80? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e
telash me gjemba ?
Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme? ...
Libri"Post-scriptum për diktaturën", s'pretendon t'u japë përgjigjje defintive pyetjeve të mësipërme apo kompleksitetit të
arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një "afresk" i plotë, i thellë e i gjithanshëm i
jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të
periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën "mbrapa", për të
dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t'i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e
thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimëm e njohur, se ... kadavrës
vazhdojnë t'i rriten thonjët e flokët edhe mbas vdekjes .
Dhjetë vjet e më shumë pas "përmbysjes së madhe", libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi
sepse, siç shprehet edhe një studjues shqiptar "... e keqja më e madhe që mund t'i ndodhë një populli, vjen atëhere kur
ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të
përsërisë përvojat e tij të dhembëshme... ".

Vasil QESARI - ka kryer studimet e larta në fakultetin Histori - Filologji ( dega gjuhë - letërsi ). Për shumë vite ka punuar si
korrespodent i Radio - Televizionit Shqiptar në Vlorë. Në janar të vitit 1997, krijoi kanalin e parë televiziv lokal, të
quajtur "Teleblu". Aktualisht jeton në Francë e punon si reporter në kanalin televiziv francez FRANCE 3. Eshtë anëtar i
Federatës Ndërkombtare të Gazetarëve Profesoniste, i Lidhjes se Gazetareve Profesioniste Franceze dhe veprimtar i
organizatave të njohura "Reporters sans frontiere" e "Amnesty International ". Mbas botimit në mars 2000 nga Toena, të
librit "44ditët e Teleblusë", autori ka shkruar librin e tij të dytë dokument-esse "Post - scriptum për diktaturën "


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 23:25:

VASIL QESARI-POST - SCRIPTUM PER DIKTATUREN

VASIL QESARI

POST - SCRIPTUM
PER
DIKTATUREN

( dokument - esse )


Kopertina e librit është punuar nga Laurent Monfort ( Francë )

Dhjetor 2000



NE VEND TE PARATHENJES


"Komunizmi ishte ( ... ) një sistem orgjinal totalitar, i cili mbizotëronte
në gjithë fushat e egzistencës njerëzore duke deformuar çdo gjë që "prekte",
përfshirë edhe gjithë kodet e traditat që njerëzit kishin ndërtuar në shekuj.
Ai infektonte në thellësi, gjithë sjelljet dhe zakonet e shoqërisë ( ... )
Për vite me rradhë, komunizmi, instaloi në ndërgjegjjen e shoqërisë
"vlera"e sjellje të reja. Ai qe një sistem pervers, i cili shtypte gjithë
tendencat e natyrëshme të zhvillimit njerëzor me anë të forcës, frikës
e detyrimit pa kusht ... "

Vaclav HAVEL
" Le cauchemar du monde post - communiste ". 1993




... Me të Keqen, pata rast të njihem indirekt qysh në adoloshencë. Ose më saktë, më herët, atëhere kur isha endé fëmijë e
vazhdoja shkollën në fshatin tim të lindjes, Qeparo. Lotët e gjyshes për të mos hyrë në kooperativë, arrestimi i papritur i një
fqinji, shpallja kulakë e disa prej bashkëfshatarëve, cilësimi i arratisur i një djaloshi nga fisi ynë, futja në burg e babait të
shoqes së ngushtë - të gjitha këto, qenë për mua fenomene e ngjarje të frikëshme, të cilave nuk arrija t´u jepja dot shpjegim.
Natyrisht, në atë moshë, ishte endé herët për t´a kuptuar të Keqen në thelb, në ligësinë, egërsinë, dinakërinë dhe mashtrimin e
saj të madh.
Më pas, me kalimin e viteve, gjithmonë e më tepër nisa të ndjej se bota që më rrethonte kish plot kontraste e pamje të
ndryshme, njëlloj sikur të qe ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë ishte ajo, me gjithë kompleksitetin, çuditë e të panjohurat e saj.
Nga ana tjetër isha unë që, me kureshtje e vemendje, vrojtoja e hetoja gjithëçka, duke dhenë shpjegime sipas mendjes sime.
Ishte pra, pikërisht në atë periudhë, që nisa të vras mendjen edhe ca më tepër, për të gjykuar ngjarjet që përjetoja. Ish atëhere
që, pak nga pak, po kuptoja se kisha lindur e jetoja në një vend krejt të veçantë, ku shumë gjëra bëheshin e ndodhnin ndryshe
nga ç' thuhej e nga si do të dëshironin njerëzit.
Ndërkohë, për fatin tim të mirë, familja jonë s'pat qenë kurrë viktimë direkte e regjimit. Falë, pjesëmarrjes në rezistencën
antifashiste e qenjes anëtar partie të atit tonë, si edhe faktit që shtëpia e gjyshes nga ana e nenës kish qenë bazë e luftës, ne
nuk patëm probleme. Kështu që, ashtu si edhe mijëra e mijëra fëmijë të moshës sime, edhe unë isha fillimisht, pionier i
dalluar e më pas, anëtar i BRPSH- së. Megjithë varfërinë e privacionet e kohës, si tek të gjithë bashkëmoshatarët e mi, edhe
tek unë egzistonte entusiazmi e besimi për të ardhmen.
Aso kohe, ne ishim fare të rinj, në prag të rrugës së madhe të jetës e, natyrisht, as që e vinim në mëdyshje se, e ardhmja do
të ish patjetër e lumtur e që, padyshim, do të na rezervonte surpriza tepër të bukura, ditë më të mira, gëzim e mirëqenje.
Çdo ndodhte vallë me ne, mbas 10 apo 20 vjetësh ?
Ku do të gjendeshim ?
Ç'punë do të bënim ?
Si do të qe jeta jonë ?
E dashura, e fejuara e pastaj, shoqja e përjetëshme e jetës ?...
Pyetje të tilla, plot dritë e pa fund, na përkundnin në ëndrra djaloshare, parashikime fantastike e ndjenja tepër ngazëlluese.
Krisja e parë dhe e fortë, me botën optimiste që na rrethonte, ndodhi mbas mbarimit të gjimnazit e nisjes së studimeve në
universitet. Ajo qe fillimisht një farë amalgame mërzitje e trishtimi së cilës, pastaj, shumë shpejt, i´u shtuan edhe nota të tjera
çgënjimi, qejfmbetje, inati, e pse jo, edhe proteste. Më pas, me kalimin e viteve, hendeku me realitetin u bë edhe më i thellë.
Por, duhet thenë se, natyra e kundërshtimit ndaj tij, ashtu si edhe për shumë e shumë shokë e miq, nuk qe as protestë e hapur
e as hyrje në konflikt me regjimin, por thjesht një lloj rezistence e heshtur, gjë e cila dalngadalë e detyrueshëm, na çoi drejt një
dyzimi të sforcuar të personalitetit, pra, bërjes me dy - fytyra. Qe pikërisht, gjatë asaj kohe që, ne njohëm mirë, qartë e direkt,
fytyrën e egër të së Keqes.
Ajo ishte aty, përherë midis nesh.
E prekshme, autoritare, imponuese e brutale.
Me terrorin e përditëshëm psikologjik. Me luftën e klasave e kërcënimet për arrestime e internime. Me mospërputhjen
hipokrite mes sloganeve që dëgjonim nga përfaqësuesit e Partisë, e vetë jetës sonë në përgjithësi. Mes kontrastit të
privilegjeve të nomenklaturës e varfërisë së njerëzve të thjeshtë. Mes hipokrizisë, gënjeshtrave, fallsitetit të fjalimeve e parrullave
zyrtare që hymnizonin lirinë, drejtësinë e begatinë e realitetit të zymtë e pa shpresë që ndeshnim e përjetonim për ditë.
Megjithatë, edhe pse mes një mjedisi të tillë asfiksues, një pjesë e mirë e njerëzve vazhdonin të rrezistonin e të ruanin endé
shumë cilësi të mrekullueshme. Mungesën e një jete publike normale, ata e zëvendësonin me jeten e tyre të pakët private, aty
ku edhe kontrolli i diktatures e kish të vështirë të hynte. Miqësitë, dashuritë, festat e vizitat familjare, pushimet në plazh, radiot
dhe kanalet e huaja televizive, endërrat e iluzionet e moshës së re, pasionet e kufizuara intelektuale, artistike e sportive - të
gjitha këto, arritën të mbushnin sado pak boshllëkun brengosës e erozionin shpërfytyrues të realitetit totalitar. Qenë pikërisht
ato, të vetmet privilegje, të cilat benin të mundur, deri diku, sigurimin e një farë mbijetese, për të mos humbur krejtësisht.
Që të bëje më tepër, ishte tragjikisht e pamundur !
Sepse, të kyçur në darën e jetës së kontrolluar nga Partia, të trembur e të mbyllur, njerëzit e kishin humbur përfundimisht
shpresën për një jetë tjetër. Megjithatë, ata që, ndofta, benin pjesë në rradhët e optimistëve, nuk u dorëzuan gjer në fund. E, jo
për shkak se shpresonin në një përmbysje të shpejtë të sistemit, por sepse besonin që, në mos një ditë, një herë, Liria do të
vinte.
Po, kur ?...
Atë, askush, s'e dinte.
Pa dyshim, Lirinë, do t'a gëzonin vetëm brezat e ardhshëm.
Në fund të fundit, edhe ky, qe një ngushëllim i madh.
...Në një kthinë të vogël e të ftohtë të shtëpisë së tij, miku e shoku im i fëmijnisë, Sotir K. në bisedë e sipër, me zë të ulët e të
dridhët, më pyeste:
Gjer kur do egzistojë ky regjim ?
Kështu, do shkojë jeta jonë, gjer në vdekje ?
Pyetjeve të tilla, qe e pamundur t'i u jepje përgjigjje! Për fatin tonë të keq e tepër tragjik, ne mendonim se një gjë ishte
absolutisht e sigurtë. Që, edhe po qe se, një herë, sistemi do të binte, ne s'do bënim absolutisht pjesë në atë gjeneratë
fatlumësh, e cila do t'a përjetonte atë ngjarje. Por, në jetën e tij, njeriu, asnjëherë nuk duhet të thotë: Kjo s'bëhet apo, s'do të
ndodhë kurrë !...
Koha tregoi se, parashikimi ynë qe i gabuar!
Dhjetë vjet pas asaj bisede, lumturisht e fatmirësisht, ne qemë endé gjallë dhe arritëm të bëheshim dëshmitarë të asaj të
cilën e konsideronim krejtësisht të pa imagjinueshme. Të përmbysjes së Ngrehinës së Stërrmadhe Totalitare, e cila do të linte
pas, jo vetëm klithma ekstaze e lumturie, endërra, shpresa e mirazhe të pafund, por njëkohësisht edhe tragjedi, dhembje,
plagë, viktima, pluhur, kurthe, llumra, mllefe, urrejtje e përçarje, pasoja që do t'i paguanim shumë më shtrenjtë nga sa e
pandehnim.
Ndërkohë, çuditërisht, në planin personal, mbas përjetimit haluçinant të asaj Dite të Madhe, fati i vlerësimit të botëkuptimit tim
u shoqërua me plot paradokse. Ndërkohë që, gjatë regjimit totalitar, nga autoritetet dhe veglat e tij, isha cilësuar vazhdimisht si
element i djathtë, ( në kuptimin e pasjes së lakrrave në kokë, antikonformizmit, ndikimeve të kulturës perëndimore, shoqërive
me të deklasuar, shprehjes së ideve të lira e dëshirës për të shikuar përtej horizontit ), gjatë instalimit të rendit të ri demokratik,
grupe partiakësh të rinj më akuzuan se i kisha shërbyer regjimit të vjetër, se ruaja ide kripto - komuniste, e bile, me keq
akoma, se kisha qenë agjent i shërbimeve të huaja sekrete. ( ?! )
Kur, mbas kaosit tragjik të vitit 1997, nisa egzilin tim në Francë, duke filluar kështu me dhembje e zemër të plagosur një jetë
tjetër të dytë, ngjarjet e kujtimet e përjetimit të dikurshëm të së Keqes, morrën një tjetër shtesë emocionale. Por, ndryshe nga
më parë, refleksionet, brengat, mendimet e kthimet mbrapa në të kaluarën, u bënë më racionale e shumë më të qeta; pra, larg
mllefeve, ngacmimeve e pasioneve të rrugës shqiptare. Dhe, ish pikërisht në ato rrethana që, çuditërisht, më hypi dëshira të
analizoja qetësisht e më me ngé epokën, kohën, fenomenet dhe ngjarjet e periudhës totalitare, shoqëruar me ndjenjën e
shikimit retrospektiv të një historiani si edhe zellin e analistit të shkencave politike.
Ishte pra, për herë të parë që po i vija vehtes qëllimin modest, por edhe tepër serioz e të menduar mirë, jo vetëm për të
treguar apo dëshmuar, por edhe për të analizuar atë që kish ndodhur në vendin tonë. Natyrisht, në rradhë të parë, me dëshirën
për të shtuar një post-scriptum, në emër të brezit tim, për jetën, shoqërinë totalitare si dhe fatin tragjik të gjithë atyre që e
përjetuan atë.
Por, ndërkohë, ideja e shkrimit të një libri mbi diktaturën, sipas meje, nuk do të qe hartimi i një vepre të mirëfilltë historike a
filozofike, e cila do të pretendonte të analizonte në thellësi fenomenin kompleks të totalitarizmit shqiptar. Për shumë arsye, një
ndërmarje e tillë, do të qe një ngarkesë e detyrë e papërballueshme për mua. Puna, angazhimi, kërkimet e gjykimet e mia, do të
kishin për objektiv diçka tjetër. Realizimin e një libri të natyrës esse - dokument, i cili do përpiqej të pasqyronte, sa më realisht e
me objektivitet, ngjarje, fenomene, situata e konstatime të ndodhura veçanërisht gjatë harkut kohor 1970-1990.
Pra, libri në fjalë do të ishte, nëqoftese do të shpreheshim në mënyrë figurative, një lloj sprove e re e ripërjetimit të përvojës
totalitare:
... e cila, po qe se do të analizohej e paraqitej mirë, mund të ish e dobishme e të merrej prej seicilit si diçka serioze. E, kjo,
para së gjithash, jo vetëm për faktin se sistemet totalitare tentojnë gjithmonë të rishfaqen, por edhe thjesht në emër të afirmimit
të një rendi më të cilivizuar. 1)
Përveç kësaj, pikësynimi im ish që, libri, në tërësinë e vet, të mos përbente vetëm një mozaik konfesionesh e kujtimesh, por
të qe dhe një tentativë e sprovë, për t'i u përgjegjur pyetjeve të tilla themelore, si:
Ç'kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të diktaturës ?
Pse kish ndodhur ? Si qe e mundur ?
Cilat qenë arsyet ? Cila qe logjika totalitare e transformimit të individit e shoqërisë ?
Si u zbatua ajo ? etj.
( Përgjigjjet që kanë mbizotëruar gjer tani rreth këtyre pyetjeve, në më të shumtën e rasteve, mendoj se kanë qenë më tepër të
natyrës mediatike, të mbështetura shpesh mbi pozicionime partiake si edhe mbi qendrime e gjykime të çastit, të shoqëruara
me shumë ngarkesa emfatike, patetike e volontariste ).
Gjatë punës për shkrimin e librit, rastësisht, më lindi ndërkohë dhe ideja që, krahas kërkimeve, refleksioneve e gjykimeve
rreth pyetjeve që parashtrova më lart, të pasqyroja në të, edhe të dhëna, fakte, kujtime e interpretime që autorë të ndryshëm
francezë, kanë publikuar rreth Shqipërisë së asaj epoke. Kështu, duke gërmuar nëpër librari, biblioteka, dyqane, panaire e
tezga bukinistësh, vura ré se, fenomeni orgjinal i komunizmit enverist shqiptar, qe trajtuar nga autorë francezë të tillë, si:
G.Castellan, E.Guinard, T.Schreiber, E & J. P Champseix, J.Bertolino, N.Martin, G.Jandot etj. 2)
Ndërkohë, duke lexuar e shfletuar një varg librash nga autorë të tjerë, të korrenteve e opinioneve të ndryshme politike e
filozofike, munda të mësoj shumë më tepër nga ç'dija, veçanërisht rreth historisë, konceptimit dhe funksionimit të strukturave e
mekanizmave totalitare. Organizimit të tyre, rolit të masave e individit, propagandës, policisë sekrete si edhe zbatimit të
idologjisë e praktikës së terrorit. 3) Elementë, të cilët më ndihmuan shumë për të pasur një vështrim sa më objektiv, racional, të
thellë e bashkëkohor, rreth të kaluarës sonë totalitare, si edhe rreth gjithë asaj çka ndodhi në Shqipëri, gjatë pesë dekadave të
fundit të mijëvjeçarit që sapo kaloi.
Dhjetë vjet e ca, mbas rrëzimit të komunizmit në vendet e Lindjes, si edhe përmbysjes së regjimit ekstrem stalinist në
Shqipëri, shpresoj se, një libër i tillë do të ketë vlera aktuale e do të konsiderohet i dobishëm prej lexuesit. Sepse, siç ka thënë
një studjues shqiptar, e keqja më e madhe që mund t'i ndodhë një populli, vjen atëhere kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së
kaluarës së vet. Një popull amnezik, është i detyruar të jetë neuropatik e të pësërisë përvojat e tij të dhimbëshme...

1) Vaclav Havel "Pour une politique post - moderne ". Editions L' Aube. 1999
2) Në Francë, ato pak libra që janë shkruar mbi regjimin totalitar e botën shqiptare të asaj epoke, duke përjashtuar atë të
gazetarit J. Bertolino me titull " Shqipëria - Roja e Stalinit " (L' Albanie - La sentinelle de Stalin ) botuar në vitin 1976, janë
publikuar vetëm mbas rrëzimit të komunizmit, pra duke filluar nga viti 1991 e më pas. ( Shenim i autorit )
3) Për shembëll, vepra e shquar e filozofes Hannah Arendt "Orgjinat e totalitarizmit", apo të tjera të shkruara nga Raymond Aron,
Primo Levi, Vaclav Havel, Tzvetan Todorov etj. të cilat citohen herë pas here edhe në këtë libër.
4) A.Fuga "L'Albanie entre la pensée totalitaire et la raison fragmentaire ". Editions L'Harmattan. 1999


Postuar nga Sykaltra_Shqiptare datë 05 Shtator 2005 - 23:27:

Arrow

amoxil, te pergezoj per materialet qe ke sjellur dhe vazhdon te sjellesh ne forumin tone!

Jeni me te vertete per tu admiruar!

Urime per temat pikante qe ke hapur!
Shpresoj dhe uroj t emarin pjese qe te gjithe me ndonje shkrim plotesues!

Mire u shkruafshim!


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 23:45:

Nene_trysnine_totalitare...Vazhdim i post-skriptum, per diktaturen

Nene_trysnine_totalitare...Vazhdim i post-skriptum, per diktaturen




II- HOMO ALBANICUS SUM

( vijon )

NENE TRYSNINE TOTALITARE
------------------------------------------------


Sipas ideologjisë marksiste-leniniste të PPSH, objektivi final i zbatimit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri, ishte
ndërtimi i një shoqërie ideale, e cila, në qendër të vemendjes do të kish jetën e lumtur të njeriut, lirinë, të drejtat, barazinë e
mirëqenjen e tij. Për t'a bërë sa më të besueshëm atë mision të shenjtë, në çdo hap të jetës, kudo e kurdoherë, individi
ndodhej vazhdimisht nenë trysninë e propagandës idealizuese, sipas së cilës, ai duhej të besonte vazhdimisht se, vendi i tij
lulëzonte e ai ish me fat që jetonte në shoqërinë socialiste. Në një shoqëri ku, pushteti e vullneti i popullit, qenë bërë realitet. Ku
të gjithë, të bashkuar grusht rreth Partisë, punonin e sakrifikonin gjithëçka, për realizimin e ambicjeve të saj...
Por, në realitet, ideologjia e PPSH - së nuk ish veçse një pseudo-ideologji e cila, vërtet kish në qendër të vemendjes (
shenjestrës ) shoqërine e njeriun, por në një sens tjetër. Në shpërfytyrimin, cfilitjen e tjatërsimin e tij të plotë. Në krijimin e një
ateljeje industriale gjigande, ku realizohej prodhimi në seri i njeriut të ri. Për instalimin dhe konsolidimin e një strategjie të tillë
diabolike, Enver Hoxha me shokë, më tepër se prej mësimeve të marksizëm-leninizmit, ndër të tjera, përfituan me mjeshtëri
edhe nga shumë aspekte primitive të shoqërisë shqiptare. Nga rivalitetet e xhelozitë klanore, ndarjet e armiqësitë fisnore,
ndryshimet fetare e krahinore, mercenarizmi e zelli për t'i shërbyer më të fortit etj.
Pikërisht, mbi bazën e defekteve të tilla të trashëguara në shekuj, udhëheqësit komunistë shqiptarë projektuan Përçarjen e
Madhe, e cila, e realizuar nëpërmejt Luftës së Klasave, do sillte pasoja katastrofale për mbarë shoqërinë dhe vendin. Qëllimi
final i asaj kryqëzate, e cila përgjaku e vrau jetën e brezave të tërë, qe një e vetëm një: ruajtja me çdo kusht dhe përjetësisht e
pushtetit, zhdukja pa mëshirë e kundërshtarëve, poshtërimi dhe shtypja totale e njeriut, glorifikim i Partisë e, mbi të gjitha, i
patriarkut të saj eternel, Enver Hoxhës.
Megjithatë, në Shqipëri, komunizmi ndryshonte mjaft nga ai i vendeve të tjera të Lindjes. Ndryshe nga ato, tek ne, ai nuk ishte
thjesht komunizëm stalinist i importuar nga Bashkimi Sovjetik, por mbi të gjitha, produkt specifik i vetë përvojës shqiptare të
krye-marksistit orgjinal, Enver Hoxha. Stalinizmi enverist, pra, sipas shumë analistëve të huaj perëndimorë, nuk ishte gjë tjetër
veçse, një amalgamë, fuzion i një ideologjie të veçantë nacional-socialiste, unike në Europë.
Ja, pse, ndryshe nga shumë vende të tjerë, ku tradicionalisht nacionalizmi qe kundërshtar i betuar i komunizmit, në Shqipëri,
ai doli në plan të parë. Enver Hoxha me shokë, u bënë idhtarë të flakët të tij, duke i dhenë edhe emrin e ri patriotizëm socialist.
Në fakt, qëllimi i asaj krijese egzaltuese, qe ruajtja, forcimi dhe hymnizimi i sistemit, Partisë e pushtetit të saj absolut totalitar.

1) Sipas Ismail Kadaresë "... në Shqipëri, para së gjithash, bëhej fjalë për një totalitarizëm pasional, i cili nuk kish as një farë
logjike e nuk i përgjigjej as edhe një lloj "ideologjie" totalitare. Ai ishte më tepër një pasion totalitar i udhëheqësve të atij vendi.
(...) Ne ishim të nenështruar të jetonim nenë influencen e gjendjes së tyre shpirtërore. Të paranojës dhe semundjeve të tyre
mendore. . . ". ( Ismail Kadare " Temps barbares ". Editions L'Archipel. 1999 )

- 2 -

Ndërsa, përsa i përket tezës së njohur të Karl Marksit mbi diktaturën e proletariatit, në Shqipëri zbatimi i saj, në fakt, u kthye
në diktaturë mbi proletariatin. 1) Në diktaturë absolute ndaj mbarë shqiptarëve. Diktaturë e pakicës mbi shumicën. Ushtrimi i
egër i saj nga PPSH-ja, sidomos nëpërmjet luftës së klasave, përveç dhunës, vuajtjeve, privacioneve, përçarjes e shkatërrimit
të kodeve tradicionale të shoqërisë, solli për pasojë edhe ndarjen e saj në grupime të veçanta.
Kështu, në krye, ndodhej Nomenklatura e lartë. ( Partia, Shteti, Sigurimi ). Ndërsa, në skajin tjetër ekstrem, armiqtë e popullit
të ndarë në kategori, sipas rrezikshmërisë. ( Në burgje, internime apo në gjendje të lirë, por nenë vëzhgimin e policisë sekrete).
Së fundi, midis dy grupimeve të mësipërme, ndodheshin ata që përbënin shumicën e shoqërisë: masat e gjëra të popullit. Ata,
të cilët, s'ishin as të privilegjuar e as të denuar. Këto ndarje apo shtresëzime të diferencuara sociale, vërtetonin të kundërtën e
asaj që propagandonte me të madhe ideologjia marksiste, e cila pretendonte se, shoqëria që ajo ndërtonte nuk kish klasa. 2)
( Në fakt, ajo kish pjesërisht të drejtë. Kategoritë e mësipërme, nuk përbënin klasa në kuptimin e strukturave sociale
kapitaliste të shekullit të XIX-të. Ato ishin thjesht kasta të privilegjuarish e grupime njerëzish të destinuar të vuanin përjetësisht ).
Ndërkohë, ndarja në kasta shoqërohej me një fenomen tjetër, i cili konsistonte në faktin që, edhe vetë brenda tyre, kish
diferenca. Një anëtar partie i thjeshtë, për shembëll, s'mund të kish të njëjtat atribute si ato të një instruktori të Komitetit të
Partisë apo, të një drejtori ndërmarje. Po ashtu, një anëtar i KQ të Partisë, nuk qe në një rang me një anëtar të Byrosë. Ndërsa,
pushteti i një polici përmblidhej në rrogën e tij ordinere, uniformën blu dhe rrobat e brendëshme gratis, ndërkohë që operativi i
Sigurimit gëzonte privilegjin e një shpërblimi mujor shumë më të madh e, veshëmbathjen civile gratis, pa folur pastaj për
pushtetin e tij autoritar dhe avantazhe të tjera speciale.
Nga ana tjetër, lëvizjet apo kalimi nga një kastë në tjetrën, kishin edhe rregullat e tyre të lojës. Kështu, jo rrallë herë, ndodhte
që dikush e niste karrierën nga shtresat më të ulta për t'u ngjitur pastaj në majat më të larta. Shpesh, ndër ta, njerëz mediokër,
shoferë, karrocierë, mekanikë, mjelse lopësh e saldatorë, qenë ngjitur gjer në instancat më të larta drejtuese të Partisë e
shtetit. Por ndodhte edhe e kundërta. Pra, që të kaloje nga kasta më e lartë, në një tjetër më të ulët. Apo, më keq akoma, të bije
direkt e në humnerë.

1) Sipas Enver Hoxhës "diktatura e proletariatit ishte demokracia më e gjerë, më e thellë dhe më e plotë se çdo demokraci
tjetër ". ( Nga fjala mbajtur në Kongresin e VII - të. 1976 )
2) Diferencimi klasor ishte aq ekstrem, sa që ai e ndiqte individin dhe pas vdekjes. Si kudo, edhe varrezat publike të qytetit të
Vlorës, qenë të ndara në "parcela", ku të vdekurit vendoseshin sipas postit që kishin mbajtur në nomenklaturën partiake e
shtetërore apo kontributit të dhenë në ndërtimin e shoqërisë "socialiste". Në hyrje të tyre, në një pozicion të dukshëm,
ndodhej "Parcela e Kuadrove". Më poshtë, vijonin varret e njerëzve të rendomtë e, në fund fare, të atyre të "deklasuar". (
Ndërkohë, ata që vdisnin nëpër burgje, nuk kishin të drejtë të kishin varre! ). Në "Parcelën e Kuadrove", varroseshin zakonisht
kuadro të partisë e shtetit në rreth, Heronj të Popullit e të Punës Socialiste, ish-drejtues të formacioneve partizane, veteranë të
luftës etj. Kësisoj, edhe mbas vdekjes Partia mendonte për bijtë e saj besnikë. Ata vërtet nuk ndodheshin në Varrezat e
Dëshmorëve, aty lart në kodrën e Kuzbaba - it, por ama, ishin në një "parcelë" të nderuar. Veç nga turma, nga njerëzit e
rendomtë. Edhe aty, pra, në atë vend të heshtur ku bëhej gjumi i përjetshëm "njerëzit e dekoratave", mbeteshin gjithmonë të
dalluar nga të tjerët. Si gjithmonë në "tribunë "... ( Shenim i autorit )

- 3 -
Ky fenomen, quhej ndryshe: përjashtim nga Partia, deviacion, veprimtari armiqësore ose tradhëti. Kështu, qenë të shpeshta
rastet kur, ish-luftëtarë të orëve të para apo militantë të shquar të Partisë, binin papritmas nga majat e Olimpit në birruca, qeli e
burgje ku pjesa më e madhe e tyre eleminoheshin fizikisht.
Përsa i përket njeriut të thjeshtë, pra atij që s'bënte pjesë as në kastën e nomenklaturës e as në atë të armiqve apo të
njerëzve të dyshimtë, ai bente jetën e tij të përditëshme: me strese pa mbarim, shoqëruar me frikë, dyshime, dëshpërim,
pasiguri e ngushticë të madhe ekonomoke. Në rrethana të tilla, pra në kushtet e fatalitetit, izolimit e trysnisë totalitare, për të
siguruar një lloj mbijetese të lirisë së tyre të brendëshme, një kategori e caktuar individësh, i përshtateshin realitetit duke
ndërtuar një strategji sjellje dhe personaliteti të dyfishtë.
Ajo konsistonte në dyzimin e vullnetshëm të vetvehtes. Në mbajtjen e një lloj maske e cila fshihte prapa saj, mendime, ide,
sjellje e qendrime të dyfishta. Ca për konsum publik e ca për vete. Ato për konsum publik, ishin në unison të plotë me
propagandën e atmosferën politike në vend. Me orientimet e përditëshme dhe ideologjinë e Partisë. Pra, konform me fjalorin
shabllon zyrtar, sloganet e shtypit, radios e televizionit.Me direktivat e mbledhjeve të organizatave të partisë, rinisë, frontit etj.
Faqja tjetër e maskës, ajo e fshehta, e padukshmja, personalja, konsistonte në mbajtjen gjallë të mendimit të lirë nëpërmjet
dialogut të brendshëm, d.m.th. duke vëzhguar, interpretuar e përjetuar çdo fenomen e ngjarje, nëpërmjet një analize tërësisht
personale, larg çdo ndikimi, influence a deduksioni të jashtëm.
Por, që të arrije të realizoje e të ruaje me sukses, një ekuilibër e një pozicion sa më të besueshëm, midis shfaqjes në publik
dhe asaj çka ishe në të vërtetë, ajo ishte një torturë e vërtetë e tepër cfilitëse. Diçka që kërkonte një mobilizim kolosal forcash të
brendëshme. Një pjesë individësh arrinin të i'a delnin mbanë, por s'ishin të pakët ata që dështonin. Këta të fundit, shpejt a
vonë, përfundonin në kthetrat e Sigurimit dhe e kalonin jetën që u mbetej në burgje, internime a në ndonjë spital psikiatrik.
Një fund i tillë shkatërrues, qe krejt i natyrshëm. Në një shtet totalitar, ata që mendonin ndryshe nga të tjerët, cilësoheshin pa
mëdyshje, armiq ose të çmendur. Të ishe kundër Partisë e pushtetit, do të thoshte të ishe kundër normave, kundër rrymës, pra
të ishe anormal.
E, ndërkohë që, një kategori e caktuar njerëzish arrinin t'a përballonin asfiksinë e jetës duke thithur oksigjen nëpërmjet
dyzimit të vetvehtes, pjesa dërmuese e popullsisë, masat e gjera: punëtorët, blegtorët, kooperativistët, njerëzit e thjeshtë kudo
që ndodheshin, në malsi apo në bregdet, në fshatra apo qytete, jetonin në konformizëm të plotë me realitetin. Në çdo çast e
kurdoherë, ata duartrokisnin fort e pa mëdyshje çdo thirrje, veprim e direktivë të regjimit. Nenëteksti i atij fenomeni tipik të një
shoqërie totalitare, shprehje e një lloj skizofrenie kolektive, ishte ky:
Besojmë pa asnjë rezervë te Partia dhe mësimet e saj.
Pra, rrjedhimisht, jemi dakord me diktaturën.
Jo në aparencë e me fjalë.
Përkundrazi ! Jemi me të në thellësi të shpirtit.
Me ndjenja, zemër e bindje...


Postuar nga amoxil datë 05 Shtator 2005 - 23:51:

Ardhja e Antikrishtit ( post-scriptum per diktaturen ) Nga Vasil Qesari

ADVERTISEMENT



Kapitulli i pare

ARDHJA E ANTI - KRISHTIT


"Terror, spastrime, egzekutime në masë ... Pothuajse për një gjysëm
shekulli, në zemren e kontinentit europian e në sekretin më të madh,
e izoluar dhe e shkëputur nga bota, Shqipëria i'u nenështrua
marrëzisë megalomane të prijsit dhe zotit të saj të plotfuqishëm
Enver Hoxhës, nun dhe patriark i komunizmit integral ..."

Thomas SCHREIBER
"Enver Hoxha - Le sultan rouge ". 1994



IKONA E NJE TIRANI

Përgjithësisht, çdo shqiptar që instalohet jashtë, ka kërshërinë të njihet me opinionin e shoqërisë ku jeton, rreth ngjarjeve që
kanë ndodhur e ndodhin në vendin e tij. Ndër ta, pjesa më e madhe kënaqen me pak, pra me një informacion të pjesëshëm. Të
tjerë, interesohen për më shumë hollësi, fakte e detaje. Të dinë, bie fjala, se ç´është shkruar nga analistë, studjues a gazetarë
vendas për ish-regjimin totalitar ? Si na kanë parë e vëzhguar gjatë asaj periudhe? Cili ka qenë opinioni rreth Enver Hoxhës,
sistemit, shoqërisë e jetës shqiptare në përgjithësi ?...
Një interesim i tillë, shpesh, ndodh që tek individë të veçantë të shndrrohet në një obsesion të vërtetë, i cili duket se merr
fund, vetëm me zbulimin e gjithe informacionit egzistues mbi pyetjet e mësipërme. Kjo kembëngulje ekslporimi tepër e
mundueshme, ky fenomen, shoqërohet rëndom edhe me një gjendje të veçantë psikologjike. Herë-herë, siç thuhet, me
simptomat e të ashtu quajturës sindromë post-komuniste. Ose më shkoqur, me një gjendje shpirtërore të tronditur, që zgjon
endërra e kujtime të frikëshme. Me ringjalljen e anktheve të jetës totalitare e, dyshimin se, ai kalvar mund të rikthehet përsëri.
Me merakun përbetues se, ajo kohë, nuk duhet harruar kurrë etj.
Gjendjet shpirtërore që përjetojnë individë të tillë, në menyrë të pakuptueshme, shoqërohen edhe me një proces analizash,
meditimesh e refleksionesh, ku ballafaqohen, nga njëra anë, realiteti, jeta, rrëfimet e përvojat personale të asaj kohe e, nga
ana tjetër, përvojat, kronikat, vëzhgimet, faktet, botimet, librat e konsideratat e njerëzve të vendit, ku ai përjeton egzilin. Një situatë
të tillë të përafërt, provova edhe unë, fill mbasi mbylla disa nga telashet e para të egzilit. Atëhere kur, pasi e ndjeva vehten disi
më të qetë, nxitova të eksploroj ish-Shqipërinë totalitare, ashtu siç e kishin parë, gjykuar e shkruar francezët.
Ishte një mbasdite e lagësht shkurti kur, për herë të parë, shkova në bibliotekën municipale të Bordosë ( Bordeaux ). Një
godinë shumëkatëshe e me arkitekturë moderne. ( E ndërtuar krejtësisht në beton, dural e xham. Dhuratë për qytetin më të
madh të Sud - Ouest-it francez, nga ish-kryetari i bashkisë, Jacques Chaban-Delmas.1) Por, shumë shpejt kuptova se, të gjëje
diçka për Shqipërinë, mes një universi të pafund botimesh e disa miliona egzemplarësh, nuk ishte aspak një punë e lehtë.
Edhe pse, kërkimi i librave, aty, është i kompjuterizuar e kryehet me anën e paisjeve-robot.
Por, krahas kësaj, kish edhe disa vështiresi të tjera. Botimet dokumentare e historike për Shqipërinë, veçanërisht për
periudhën kur ajo qe endé një fosile e gjallë staliniste, ( duke përjashtuar, natyrisht, librat e shumta e mjaft të njohura të Ismail
Kadaresë ), janë fare të pakta. Megjithatë, një herë tjetër, për rastësi apo fat, teksa isha në vazhdim të kërkimeve të mia
kembëngulëse, nuk dola duarbosh. Një nga punonjëset e bibliotekës, aty për aty, më rekomandoi një libër, të cilin ajo s´kish
veçse pak kohë që e kish shfletuar rastësisht, e që


1 ) Jacques Chaban - Delmas. ( 1915 - 2000 ) Burrë shteti e personalitet i njohur politik francez. Shok lufte i Charles de
Gaulle - it, veprimtar i shquar i rezistencës antifashiste, kryetar i Bashkisë së Bordosë që nga viti 1947. Anëtar i shumë
qeverive gjatë Republikës së IV - të. Disa herë president i Asamblesë Kombëtare si edhe kryeministër i Francës gjatë viteve
1969 - 1972. ( Sipas Grand Dictionnaire Hachette. 1999 )

- faqe 2 -

fliste për Shqipërinë, a për dikë që dikur kish qenë diktatori i saj, siç u shpreh ajo.
U bëra jo vetëm tepër kureshtar, por edhe i paduruar. Por, kur, pas pak çastesh, ajo u kthye e më la plot mirësjellje librin në
duar, m´u duk sikur më vendosi mbi to, një bllok të rendë prej akulli. E, teksa librarja po largohej, duke lenë pas parfumin e
lehtë e provokues si edhe imazhin e buzëqeshjes së saj të ngrirë, në krejt trupin ndjeva valën e një rrënqethje të thellë e të
ftohtë.
Para syve, kisha një botim biografik e voluminoz për Enver Hoxhën, shkruar nga Thomas Schreiber.1) Mbi kopertinë, nenë
titullin Enver Hoxha - Sulltani i kuq, 2) ish fotografia e tij me ngjyra. Qe një foto e njohur, pikërisht ajo e cila ish publikuar në ditën
e tij të vdekjes. Me flokë të bardhë e të gjatë që i mbulonin veshët. Me mollëzat e faqeve të grimuara, gushën e varur e qafën e
holluar nga erozioni shumëvjeçar i diabetit...
Me sy e shikim cerberi.
Tejçpues si thikë !
Të ndritshëm e të lengëzuar. Ca nga pasojat e ishemive të përsëritura cerebrare, e ca nga ajo aftësi e tij e rrallë që i
mbushte ata me lotë, sa herë që delte në publik, kur xhirohej në televizion a ndodhej i rrethuar nga turmat. Me nenëqeshjen e tij
të njohur prej xhelati dhe aktori. Sa turbulluese, aq edhe rrënqethëse. E së fundi, me kostumin e tij shik: xhaketë gri, këmishë e
bardhë, jakë e ngrirë e kollaro të kuqe...
Për një çast humba në mendime të trishta, apo më saktë, në një boshllëk surealist shpërqendrimi. M´u duk se, ai nuk kish
vdekur, por vazhdonte të ishte endé në jetë. Sikur aty, në vendin tim, asgjë nuk kish ndryshuar, por vazhdonte të qe gjithmonë si
më parë. Pastaj, një konstelacion i humbur qelizash të fjetura trunore, diku në një cep të humbur të kortekstit, provokoi vetëtimthi
një imazh tjetër, sa absurd aq edhe të frikshëm.
Sikur ai qe ngritur nga varri e ish prapë në krye.
Aty në Shqipërinë e largët.
Të mbyllur.
Të izoluar.
Të ftohtë e të harruar nga bota.
Si gjithmonë, në tribunën e festës së 1 Majit. Me borsalinën tepër të madhe mbi kokë. Me tufën e karafilëve të kuq në dorë. E
pastaj, duke mbajtur fjalime pas fjalimesh. Në mbledhjet e Byrosë, në pleniume e kongrese. Duke dhenë direktiva për lëvizje të
reja revolucionare, a duke përpiluar prognoza e tablo sinoptike, mbi grupet e reja armiqësore.
E mora librin në shtëpi dhe e lexova. Natyrisht, as që prisja t´a zbuloja Enver Hoxhën, nga Thomas Schreiber-i. E,
megjithatë, në raste të tilla, kureshtja është e mbetet e madhe. Konkretisht, ajo e cila m'u duk edhe gjëja më interesante e më
pozitive në librin në fjalë, qe fakti se, ai kish brenda tij një forcë të çuditëshme, e cila të shtynte t´i riktheheshe edhe një herë
vështrimit të asaj epoke. Analizës e vëzhgimit retrospektiv të saj. Meditimeve e refleksioneve. Gjykimit rreth një individi tepër të
dhunshëm, i cili dominoi plotësisht jetën shqiptare, për me se 41 vjet me rradhë.

1) Fillimisht, gazetar në Radio France International e më pas, në të përditëshmen e njohur Le Monde, Thomas Schreiber
është autor i shumë librave e analizave mbi Europën qendrore e lindore. Aktualisht, ai konsiderohet si një nga specialistët më
të njohur të historisë bashkëkohore shqiptare.( Shenim i autorit )
2) Thomas Schreiber "Enver Hoxha - Le sultan rouge ". Editions J. C. Lattés. 1999


- faqe 3 -

Në rrethana të tilla, së bashku me dëshirën për të përjashtuar nga vehtja çdo mllef a subjektivizëm personal, si dhe
influencave të mundëshme nga leximet, shkrimet, komentet e analizat anekdoteske të shumë prej gazetave e mediave
shqiptare, çdokush ka të drejtë të pyesë edhe një herë vetvehten:
Kush ishte, pra, Enver Hoxha ?
Cili qe ai njeri, i cili gjatë gjithë jetës, u mundua me tërë mundësitë e mjetet më gjakatare, të ruante të pacënuar pushtetin e
tij absolut, duke e shkëputur vendin nga gjithë pjesa tjetër e botës ? Ai, që kish ndërtuar diktaturën më ekstravagante e më të
frikëshme që Europa pat njohur mbas lufte ? E, pastaj... Ku e kishin pasur burimin fuqitë e tij të mbinatyrëshme ? A do të kish
mundur vallë, Enveri, sado inteligjent apo diabolik që ishte, t´i realizonte i vetëm, gjithë ambicjet e tij ?...
Nisur nga një logjikë e tillë intriguese e njëkohësisht interrogative, nuk qe e rastit pse, edhe Thomas Schreiber, e nis librin e
tij, pikërisht, me një seri pyetjesh të kësaj natyre:
Cili qe, pra, Enver Hoxha ?... Një diktator gjakatar i verbuar nga paranoia ? Një aventurier pa skrupull, mbret i bllofit a
mashtrues i madh ?! Apo, mos vallë, heroi tjetër i madh i shqiptarëve, mbas vetë Skenderbeut ?... Ai, që gjatë luftës u bëri
ballë pushtuesve italianë e gjermanë e, pas çlirimit, aleateve të tij më të ngushtë, jugosllavëve, sovjetikëve e kinezeve? Ai,
admiruesi i Robespierrit, i gjuhës e letërsisë franceze, (... ) Autori i dhjetra librave, ku përshkruhen portrete të egër e mizore të
miqve të tij të dikurshëm, të shndrruar me pas në armiq të betuar ? 1)
Shtjellimi i plotë, serioz e i detajuar i pyetjeve të mësipërme, si edhe përgjigjjet e plota ndaj tyre, do të preokupojnë edhe për
shumë e shumë kohë, jo vetëm historinë e sotme e të ardhme shqiptare e specialistët e saj ( të vendit e të huaj ) por mbi të
gjithë, vetë shqiptarët, pavarësisht se kur, sa e si janë prekur ( direkt a indirekt ) nga pasojat shkatërrimtare të pushtetit të tij
totalitar. ( Pa përfshirë natyrisht ata, të cilëve, kujtimi i komandantit edhe sot e kësaj dite vazhdon t´i u tundojë fort shpirtërat ).
Aktualisht, gjykimet, analizat e mendimet e dhëna në këtë fushë, përgjithësisht, kanë qenë të pjesëshme e të përcipta,
stereotipe, konfuze e tepër emfatike. Ndërkohë, për fat të keq, librat që janë botuar gjer tani mbi Enver Hoxhën në Shqipëri, janë
ose të periudhës totalitare ose të shkruara më pas, nga shokë të idealit a pjestarë të familjes.
Por, megjithatë, lidhur me këtë temë, le të vijmë tek vështrimi i një prej hipotezave mjaft të diskutuara prej shqiptarëve të
sotëm. Një pjesë e mirë e tyre, gjykojnë se fataliteti i kombit shqiptar, nisi pikërisht me daljen e papritur të Enver Hoxhës dhe jo
të ndonjë individi tjetër, në krye të P K të Shqipërisë. 2) Pse, të mos kish qenë në krye të saj, dikush tjetër, pyesin ata me
trishtim. Ndofta, kështu, Shqipëria nuk do të kish pasur atë fat tragjik që dihet...
Të tjerë mendojne se, megjithatë, nuk ka qenë kurrë vonë të veprohej, të bëhej diçka, në menyrë që ai të mos lejohej të
mbante pushtetin. E kjo, sidomos në situata të veçanta, atëhere kur, pozitat e tij qenë mjaft të lëkundura. Fill mbas prishjes me
jugosllavët, për shembëll. Atëhere, kur opozita ndaj tij, nuk kish qenë kurrë më e fortë. ( Përse, të mos qe

1) Thomas Schreiber. Idem.
2) Përse, Kominterni kish zgjedhur pikërisht atë, për të udhëhequr Shqipërinë ? Ajo ishte një enigmë të cilën ne nuk jemi ne
gjendje t'a dëshifrojmë endé - më pat thenë Ismail Kadareja. ( Sipas emisionit " Un siècle d' écrivains " - prodhim i kanalit
televiziv France 3 )

- faqe 4 -

zëvendësuar, bie fjala, me Sejfulla Maleshovën ? ). Të tjerë, zenë në gojë, ngjarje e kohë të mëvonëshme. Pikërisht, periudhën
mbas denoncimit të krimeve të Stalinit nga Krushovi. Konferencën e Partisë të Tiranës. Apo, qoftë edhe më pas, gjatë prishjes
me sovjetikët.
Ndërkohë, ka dhe nga ata që, pavarësisht nga fataliteti e pasojat e dhunës së tij, arrijnë i´a falin gjithë mëkatet e periudhës
1944-1960, e arsyetojnë se, megjithatë, ai pati endé shanse e kohë që të ndreqej. Por, fatkeqësisht, ajo gjë, nuk ndodhi...
Ja pse, ... krimi më i madh i Enver Hoxhës është se ai e shkëputi Shqipërinë nga Europa perëndimore. Nëqoftëse ai, do t´a
kish kthyer atë nga Europa më 1961, atëhere kur u shkëput nga sovjetikët, apo edhe më pas kur u nda me kinezët, historia e saj
moderne do të qe krejt ndryshe dhe, tragjeditë që ndodhën më pas, do të ishin evituar... 1)
Natyrisht, është absolutisht e padiskutueshme se, në Shqipëri, pa Enver Hoxhën shumë gjëra do të kishin rrjedhur ndryshe.
Por, njëkohësisht, s´duhet harruar se, ajo nuk bënte përjashtim nga blloku komunist i Lindjes. Nga sistemi i diktaturës së
proletariatit. Nga modeli sovjetik i socializmit, ndikimi i pushtetit totalitar të Stalinit etj. Udhëheqësit e saj, nuk ndryshonin aspak
nga plejada e liderëve militantë stalinistë të Lindjes si, Titoja në Jugosllavi, Dezhi në Rumani, Dimitrovi në Bullgari, Rakoshi në
Hungari, Godvaldi në Çekosllovaki, etj.
E, përveç kësaj, duhet nenëvizuar fakti se, një veçori tjetër përcaktuesee procesit të konsolidimit të udhëheqësve totalitarë në
ish-kampin socialist në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë në Shqipëri, ishte edhe gjendja politike, sociale e psikologjike e
popujve të tyre fill mbas fitores ndaj pushtuesve nazi-fashistë. Dihet tashmë se, ashtu si në ato vende edhe tek ne, partia
komuniste e shefi i saj, u mbështetën gjerësisht nga masat e gjëra popullore, të cilat dolën nga lufta të varfëra e të urritura e që
pastaj, me gëzim e entusiazëm, besuan në utopinë e ndërtimit të një shoqërie të re, të drejtë e të begatë.
Shkurt, në atë që quhet ndryshe: iluzioni totalitar.
Mbështetja nga masat - ky ka qenë një nga çelësat kryesorë të triumfit të shoqërive totalitare, e rrjedhimisht, edhe të pushtetit
e autoritetit absolut të liderëve të tyre tiranikë. Lidhur me këtë, Hannah Arendt, 2) ndër të tjera shkruan se :
... regjimet totalitare, për sa kohë janë në fuqi e, gjithashtu, udhëheqësit totalitarë për sa kohë janë gjallë," komandojnë duke
u mbështetur tek masat ". Marrja e pushtetit nga Hitleri ishte legale e sipas rregullave mazhoritare ( çka do të thotë se, ishte
shumica e popullit që votoi për të. - shenimi ynë ) dhe, as ai e as Stalini, nuk do të kishin mundur t´a mbanin autoritetin e tyre
mbi masat e gjera të popullit, e s'do t´u bënin dot ballë aq e aq krizave të brendëshme e të jashtëme, ( ... ) në se s'do të gëzonin
besimin e mbështetjen e tyre të plotë ... 3)
Edhe në rastin e Shqipërisë, Enver Hoxha, nuk do të kish qeverisur e nuk do të kish mundur t'a mbante autoritetin e pushtetin
e tij absolut për dekada të tëra, në se nuk do të

1) Ismail Kadare " Temps barabares ". Editions L´ Archipel.1999
2) Hannah Arendt ( 1906-1975 ). Lindi në Hanover. Fitoi doktoratën në filosofi në Heidelberg duke qenë studente e Karl
Jaspers -it. Mbas marrjes së pushtetit prej nazistëve, u largua nga Gjermania duke shkuar fillimisht në Francë, e më pas në
SHBA ( 1941 ). Eshtë një nga figurat më të shquara të mendimit politik bashkëkohor, veçanërisht ne saje të veprës
madhore "Orgjinat e totalitarizmit", botuar për herë të parë në New -York, më 1951.
3) Hannah Arendt "Le système totalitaire ". Editions Seuil. 1972

- faqe 5 -


kish patur mbështetjen e masave.
Sepse, karizma e diktatorëve të kalibrit të tij, nuk bazohej më tepër mbi fuqinë e gënjeshtrës e demagogjisë, se sa në faktin
që, ata ishin të aftë të organizonin masat në një njësi të vetme kolektive e cila më pas, jo vetëm që duhej t´u bindej, por edhe t´i
mbështeste në çdo thirrje e direktivë, me nenështrim e besueshmëri impresionante.1)
Por, procesi i sugjestionimit e verbimit të masave, s'mbaronte me aq. Fill, pas krijimit të sigurisë e konsolidimit të pushtetit,
diktatorët i përvishen punës për glorifikimin e kultit të tyre.( Në fakt, ngritja e perfeksionimi i kultit të Njëshit, është një proces i cili
kryhet pa vështirësi të madha. Sepse, është vetë sistemi totalitar ai, i cili sekreton në shoqëri kultin e Shefit, ashtu si edhe
gjarpëri helmin e tij ). Natyrisht, kësaj dukurie nuk do t´i shpëtonte as Enver Hoxha, i cili për më tepër, qysh në rini qe shquar për
ambicjet e tij ekstravagante e narcizizmin egzemplar. 2)
Kështu, në rrjedhën e viteve, kulti i tij u ngrit gjithmonë e më lart, si një piramidë faraonike. Ai mishëronte jo vetëm trurin dhe
largpamësinë e Partisë, por ish njëkohësisht edhe klasik i marksizëm-leninizmit, shkencëtar, historian, shkrimtar e strateg
ushtarak.
Ai, kish në duart e në kokën e tij, Monopolin e së vërtetës.
Figura e tij qe absolute.
Jo vetëm idetë, direktivat, mesazhet e fjalimet, por edhe veprimet, lëvizjet, sjelljet e gjestet e tij të rendomta, merrnin një
rëndësi magjike, qiellore e hipnotizuese.
Ikona e kultit të Enver Hoxhës, ose siç është quajtur ndryshe me plot eufemizëm, në fjalorin totalitar: e Atij, të Parit, të Madhit,
Shefit, nisi të rrezatojë qysh në 29 nentor 1944. Pikërisht, atëhere, kur, nënë cilësinë e komandantit, hypi në tribunën e ngritur
para Hotel Dajtit për të përshendetur popullin, me rastin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi -fashistë. 3) Me kalimin e kohës,
figura e tij u stolis edhe më tej e morri përmasa tipike ekstreme totalitare, e kjo, sidomos gjatë fundit të viteve `60 e fillimit të
viteve `70.
Atëhere, kur ai e cilësonte vehten si kalorësin më besnik e të vetëm të marksizmit të vërtetë në krejt rruzullin. Atëhere, kur jo
vetëm Kinën, por dhe një pjesë të mirë të lëvizjes së majtë botërore, e pushtoi miti i Mao Ce Dunit dhe Ungjillit të tij të kuq.
Ishte pikërisht

1) " Pa dyshim, një nga karakteristikat më të rendësishme të regjimeve totalitare, veçanërisht në format e tyre më ekstreme,
ishte krijimi, zhvillimi e forcimi i lidhjeve reciproke e të forta, midis majës së pushtetit e "bazës", midis Shefit Karizmatik e
masave. Të manipuluara, por edhe plot entusiazëm e devotshmeri ato ishin "motorri", i cili vinte në lëvizje ideologjinë zyrtare.
Pikërisht, këtu qendronte edhe forca e regjimeve totalitare ..." ( Sipas V.V.Dame's - J. S. Drabkin "Le phénomène totalitaire"
botuar ne librin "Nazisme et communisme " të Marc Ferro. Editions Pluriel. 2000. )
2) Ne fakt, Enveri, ishte vetë, ndërtuesi i kultit të tij. Për këtë, ndër të tjera, dëshmon edhe menyra se si ai e manipuloi atë, duke
bërë shumë kujdes për të mos pasur asnjë variant tjetër të jetës së tij. Në këtë kuadër dihet, eleminimi prej vetë atij, i gjithë
atyre të cilët e kishin njohur dikur nga shumë afër, e që mund të dëshmonin se, figura e tij nuk përputhej aspak me mithin e
udhëheqesit legjendar. ( Shenim i autorit )
3) Qe pikërisht mbas konsolidimit të pushtetit që, Enver Hoxha dhe Partia e drejtuar prej tij, morën edhe cilësi të tjera të reja.
Kundërshtarët, brenda gjirit të Partise, u eleminuan pa mëshirë ose u burgosën e u internuan, të akuzuar për krimet më
monstruoze Ishte pikërisht atëherë që, lirshmëria relative për të menduar e për të vepruar, u zëvendësua me unanimitetin, që
votimet nisën të bëhen hapur e duke ngritur dorën etj. Kësisoj, pak nga pak, edhe udhëheqja drejtuese u reduktua e u
identifikua tërësisht me Njëshin e Kultin e tij. ( Shenim i autorit )


Postuar nga amoxil datë 06 Shtator 2005 - 00:22:

Nga libri"Post-scriptum per komunizmin"shkruar nga Vasil Qesari



E denuar me vdekje !

... Reona Peterson, nje vajze nga Zelanda e re, adhuruese e flakte e Bibles dhe Jezuit, u njoh per here te pare me emrin e Shqiperise gjate nje konference evangjelistesh ne Zvicer, ne vitin 1970. Unë u tmerrova kur mësova se, në atë vend regjimi komunist kish shkatërruar gjithë objektet e kultit dhe, njerëzve u ndalohej me dhunë çdo lloj veprimtarie fetare - tregon ajo, në librin e saj Edhe po të duhej të vdisja, botuar ne Lozanë me 1976 - Pas kësaj, nisa t'i lutem Zotit çdo ditë për atë vend krejt të panjohur, dhe vendosa që të shkoj aty për të çuar mesazhin e Fjalës së Tij.

Natyrisht, një ide e tillë ishte çmenduri, po të kihej parasysh pamundësia absolute për të hyrë në Shqipëri e më keq akoma, për të kryer një mision të tillë tepër të rrezikshëm. Por, Reona Peterson, ishte e vendosur. Ajo qe e gatëshme të bënte çdo lloj sakrifice për realizimin e misionit të saj. Në verën e vitit 1973, me ndërhyrjen e një të afërmi, anëtar i një grupi maoist nga Suedia, ajo dhe shoqja e saj e ngushtë, Evey Muggleton arritën t'i bashkohen një grupi të rinjsh marksistë-leniniste francezë, të cilët, në bashkëpunim me Albturizm-in do të bënin një udhëtim dy javor në Shqipëri. Të dy shoqet, fshehën në një çantë me fund të dyfishtë, 50 bibla të botuara në format të vogël, në gjuhën shqipe. Për fat, gjatë hyrjes në kufi, mundën t'u shpëtojnë kontrolleve në doganën shqiptare duke kaluar mrekullisht thesarin e tyre të çmuar.

Qysh në ditët e para të qendrimit në Tiranë, kudo që shkuan, në stolat e parkut përballë Hotel Dajtit, në shkallët e Pallatit të Kulturës, në parmakët e xhamisë së Et'hem Beut, ato harronin padashje, nga një egzemplar të Biblës.Çdo gjë dukej se po shkonte për mrekulli, gjer atë ditë kur, mbas një nate të kaluar në Hotel Adriatik të Durresit, ndodhi e papritura. Reona Peterson, tregon:



Atë natë nuk mbylla dot sy nga ca dhembje të forta në stomak. Në mëngjez u binda se nuk isha në gjendje të shkoja në eskursionin dy ditor që ish organizuar për të vizituar Beratin e Sarandën. Megjithatë, mendova të prisja dhe pak, me shpresën se ndofta përmirësohesha. Por, për fat të keq, spazmat më filluan përsëri. Atëhere, shoqja ime Evey, shkoi tek përgjegjsja e grupit e i tha se do të ish më mirë që unë të qendroja në hotel.

Në orën tetë grupi u nis, ndërsa unë u përpoqa të flija pakëz, për të plotësuar kështu kohën e humbur të gjumit. Aty, rreth mesditës, dëgjova një trokitje në portë. Ashtu, e përgjumur siç isha, me gjysëm zeri u përgjegja : Hyrë !. Në dhomë u fut një burrë, i cili me një frengjishte të keqe, më tha se duhej të ngrihesha nga shtrati e të vija me të. Të shkoja me të ?! ... I thashë se isha semurë e s'mundja. Ai, përsëriti prerë se më priste jashtë, deri sa të vishesha e t'a ndiqja pas. Nuk kundërshtova. Vesha fustanin, këpucet e dola. Duke ecur përgjatë korridorit, u përpoqa të merrja me mend se ç'mund të kish ndodhur, por qe e pa pamundur. Burri u ndal para portës 201 e më tha të futesha brenda.

Dhoma qe e errët, me perde të mbyllura, mbushur plot tym duhani. Brenda saj ndodheshin pesë vetë. Dikush më zgjati një karrige e më ftoi të ulesha. Siç mësova më pas, një prej tyre qe përkthyes, tjetri përfaqësues i Albturizmit e tre të tjerët, të ministrisë së Puneve të Brendëshme në Tiranë. Hetimi filloi me pyetjet e njohura: emri, mbiemri, kombësia, profesioni ...

Pastaj, një burrë thinjosh, i cili me sa dukej qe shefi i grupit, nxorri nga çanta e vendosi mbi tavolinë një egzemplar të Biblës. Përkthyesi, më pyeti, në se e njihja atë libër. I thashë se një të tillë e kisha parë por nuk qe i imi. Atëhere, shefi, qetësisht, m'u përgjegj: Zonjushë! Eshtë e kotë t'a mohoni. Ky është libri juaj!. Kundërshtova kategorikisht. Atëhere, ai nuk e përmbajti dot vehten e bërtiti: Ne, nuk do të lejojmë të luani teatër me ne! Sepse kemi prova që ky libër është i juaji... Më pas, duke parë se unë vetëm heshtja, ai ndryshoi taktikë. Më sugjeroi se, nëqoftëse do të tregohesha e sinqertë, s'do kisha asnjë pasojë e do të më linin të lirë.

Gjatë hetimeve, ata ishin të interesuar të dinin sidomos, se nga vinin këto lloj librash, ku botoheshin e si kishin hyrë në Shqipëri. Me ato pyetje të tërthorta, ata mendonin se do bija në kurth. Por, unë bëja gjithmonë të paditurën e u shmangesha pyetjeve provokuese. Atehere, shefi nuk duroi por, i nevrikosur, i ra me grusht tavolinës, duke bërtitur përsëri: Mashtruese! Gënjeshtare! Nuk flisni, hë?! Atëhere, këtu do t'i u mbajmë! Mos t'i u shkojë mendja, se do të dilni nga kjo dhomë, pa treguar...

Orët kalonin e mezi mbahesha në kembë. Dy prej hetuesve dolën. Ndofta për të ngrenë diçka. Pasi ata u kthyen, dolën tre të tjerët. Hetimi rifilloi. Pse kisha ardhur në Shqipëri? Kush më kish dërguar me mision? A e dija se Bibla aty ishte e ndaluar? Se Shqipëria qe vendi i vetëm ateist në botë?... Dikush trokiti në portë. Në dhomë hyri një fotograf ngarkuar me ca aparate e blica jashtë mode. Duke iu bindur urdhërave, ai më fotografoi ulur, duke ecur, përballë e në profil. Pas ikjes së fotografit, dera u hap përsëri e dikush futi brenda dy burra të veshur keq, të ndrojtur e të frikësuar. Pasi shkëmbeu ca fjalë me ta, shefi i pyeti duke treguar diçka në drejtimin tim. Ata pohuan duke aprovuar me kokë. Atëhere, ai më pyeti, në se i njihja ata persona. Kur i'u përgjegja në mënyrë mohuese, ai shpërtheu përsëri: E pa cipë ! Këta janë dëshmitarët e krimit tuaj ! Ju do të dënoheni, pikërisht, mbi bazen e deponimeve të tyre...

Ndërkohë, kish renë mbremja e të gjithë po jepnin shënja lodhjeje. Një nga hetuesit porositi të më sillnin një gotë ujë. Shefi u afrua përsëri pranë meje dhe pyeti në se i kisha prindërit gjallë. Ju përgjegja se po. Atëhere, ai bërtiti përsëri: Mirë, pra! Dijeni! Ju, s'keni për t'i parë kurrë më, ata !... Sepse, ju jeni armike e Republikës Popullore të Shqipërisë. E, tek ne, njerëz si ju, pushkatohen ! Nesër, në orën nentë, do vijme përsëri...

Kuptova që e kish me gjithë mend, por nuk e shfaqa tronditjen. Shefi vazhdoi përsëri: E morre vesh, ç'të thashë?!. Mblodha vehten e i'u përgjegja: Po, zotëri! Ju thatë se, nesër, do të vini për të më pushkatuar!... Heshtje. Askush nuk foli. Qe ora një e mengjezit. Kisha kaluar plot 13 orë pa venë gjë në gojë. Aty, në një dhomë të vogël me ajër mbytes, e terrorizuar nga pesë burra të panjohur. Më pas, më çuan në dhomën time e aty, para syve të mi, kontrolluan çdo gjë me imtesi. Hoqën çarçafët e krevatit, këllëfët e jastëkeve, sirtarët e komodinës, shqyen astarin e çantës dhe nxorrën që andej gjithë biblat që gjetën brenda. Mbasi mbaruan punë, para se të delnin nga dhoma, shefi me tha: Ne, e dimë që ju jeni agjente e Vatikanit, por këtë dëshirojmë t'a dëgjojmë nga vetë goja jote... Pra, mendohu mirë. Nesër do të vijmë përsëri. Nuk hapa gojë. Përse më akuzonin si agjente? Unë s'kisha asnjë lidhje me Vatikanin ...

Kalova një natë plot endërra të këqija. Në orën 9 të mëngjezit më çuan përsëri në dhomën 201. Çuditërisht, atë mengjez, shefi kish ndërruar mend rreth qenjes sime si agjente e Vatikanit. Ai më paraqiti një variant tjetër akuze: Ne e dinim qysh në fillim që ju nuk jeni agjente e Vatikanit. Në fakt, ju punoni për një tjetër shërbim të huaj, i cili ju ka ngarkuar të mblidhni informata sekrete për vendin tonë.

Ai "arsyetim", m'u duk aq qesharak, sa që mblodha buzët me përçmim e ironi. Shefit nuk i shpëtoi reagimi im e m'u drejtua plot nervozizëm: Në se nuk do tregoni të vërteten, atëhere do t'ju dënojmë me burgim të përjetshëm !. Një drithmë m'a përshkoi trupin nga këmbët gjer te koka. Burgim të përjetshëm? Në Shqipëri?! Oh, jo!... Do preferoja më mirë të më pushkatonin ...

Të nesërmen në mesditë, fill mbas kthimit të grupit nga eskursioni dy ditor, më urdhëruan të zbrisja në hollin e hotelit. Aty qe vendosur një tavolinë e madhe, ku kishin zenë vend hetuesit e mi, përkthyesi shqiptar si edhe një person tjetër, i cili u prezantua si Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë. Përballë, rradhitur në formë gjysëm rrethi, qenë ulur nëpër karrige gjithë pjestaret e grupit, e para tyre, në qendër, zumë vend unë e shoqja ime, Evey.

Së pari, e mori fjalën prokurori i cili, me një pamje tepër serioze e solemne, shprehu pakënaqesinë që, pikërisht mes një grupi të huajsh që vendi i tij i konsideronte " miq", kishin penetruar dy " kriminele", të cilat kryenin veprimtari spiunazhi në dëm të Shqipërisë Socialiste. Në fund të fjalimit, prokurori urdhëroi: Dy kriminelet të ngrihen në kembë!. I'u bindëm menjëherë urdhërit. Ai nisi të lexojë akt-akuzën. Në të thuhej se, ne kishim kaluar ilegalisht në Shqipëri botime fetare dhe i kishim shpërndarë ato në mjedise publike, duke kryer kështu një krim të rendë.

Në fund, prokurori na u drejtua me këto fjalë: Jemi menduar gjatë për të vendosur mbi masën e denimit. Sipas provave që ne disponojmë, ju jeni plotësisht fajtore dhe meritoni burgim. Por, duke marrë parsysh moshën tuaj të re, kemi vendosur t'i u lëshojmë. Qysh nga ky çast ju konsideroheni " persona non grata" e, brenda 12 orëve, duhet të largoheni nga territori i vendit.

Mbas gjysëm ore, së bashku me Eveyn, na hipën në një makinë policie dhe na nisën drejt kufirit shqiptar...


Sipas librit të Emile Guinard "Inoubliable Albanie "( E paharruara Shqipëri ). Editons Godefroy de Bouillon.1966


Diplomat ne Tirane...
Emile GUINARD, zv - konsull i Francës në Shqipëri gjatë viteve 1966 - 1970. Doktor në gjuhësi, i diplomuar për gjuhën shqipe në Institutin Kombëtar të Gjuhëve Orientale në Paris.



Në fillim të viteve '70, në Tiranë midis 15 ambasadave të huaja vetëm tre prej tyre përfaqësonin vendet perëndimore, ose siç quheshin ndryshe vendet borgjezo - kapitaliste. Ato ishin ambasadat e Francës, Italisë e Turqisë. Ambasada më e madhe në kryeqytet qe ajo e Republikës Popullore të Kinës e cila kish një personel me mbi 50 vetë. Në të, bënin pjesë, së pari, ambasadori, i cili qe një prej veteranëve të Marshimit të Madh, 20 diplomatë e, pjesa tjetër, specialistë që mbulonin fusha të ndryshme si, ato të ndihmave, livrimit të tyre, ndërtimit të objekteve industriale, ushtarake, bujqësore etj.

Ndryshe nga ambasadat e tjera vetëm ambasada kineze, ( që i ngjante një kështjelle të vërtetë mes Tiranës ), gëzonte besimin dhe simpatinë e autoriteteve. Por, krahas saj, edhe ajo e vietnamezëve qe disi e respektuar për shkak të luftës që populli i saj bënte kundër imperialistëve amerikanë. Të tjerat, kapitaliste a socialiste, ishin gjithmonë të dyshimta e, funksionarët e tyre survejoheshin e ndiqeshin hap pas hapi nga policia sekrete.

Disi më të qetë, mes luleve e gjelbërimit, ishin ndofta italianët. Ata qenë instaluar në territorin e ish përfaqësisë së dikurëshme amerikane. Ndërsa, rekordin e dëbimeve për veprimtari të dyshimtë, e mbante sidomos përfaqësia tregtare bullgare. Pothuajse çdo tre muaj, një nga punonjësit e saj, sipas autoriteteve shqiptare, kapej me presh në duar dhe konsiderohej persona non grata, nenë akuzën se zhvillonte veprimtari agjenturore në dobi të shërbimeve sekrete sovjetike.

Edhe marrëdhenjet me polakët qenë tepër të acaruara, jo vetëm për shkak se ishin revizionistë, por dhe pse ambasadori shqiptar në Varshavë qe dëbuar nga autoritetet polake për ndërhyrje në punët e brendëshme të atij vendi. Ndërsa ambasada kubane, shihej me sy të keq për shkak të flirtit të Fidel Kastros me sovjetikët. Pak më të privilegjuar ishin, në një farë mase, ambasadat e vendeve arabe e, deri diku, edhe ajo e Rumanisë.

Herë pas here me diplomatët ndodhnin incidente të ndryshme. Me sa dukej ato u sillnin autoriteteve një kënaqësi të veçantë. Por, një herë, plasi një skandal i madh për vetë shqiptarët. Kjo ndodhi, pas dëbimit të diplomatëve të ambasades së Ganës e mbylljes së përfaqësisë së tyre për shtatë-tetë muaj. Misteri i atij incidenti doli në dritë më pas. Një vajzë e re tiranase që shërbente në atë ambasadë si pastruese, kish renë papritur shtatëzanë e, kur kish ardhur momenti i lindjes, mamitë e maternitetit qenë shtangur kur mbi duar u kish renë një goxha vogëlush i ngjyrës së ... zezë.

Ndërsa, ambasada çekosllovake, pat përjetuar një dramë të rendë. Atasheu i saj tregëtar, ia kish hequr vehtes me plumb në kokë, gjë e cila sipas disa zërave, kish ndodhur për shkak të një depresioni nervor. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, në ambasadën e Turqisë, sekretari i tretë qe hedhur nga dritarja, edhe ai për shkaqe neuro-psikike. Në vorbullën e një realiteti të tillë, kuptohet se, të ishe aso kohe diplomat në Tiranë, nuk qe aspak diçka e kendëshme, interesante apo euforike.

Me përjashtim të kinezëve, pothuajse gjithë diplomatët e tjerë të huaj, konsideroheshin si armiq të Shqipërisë. Por, ajo çka ishte revoltuese dhe më e bezdisëshme, qe prania e përherëshme e agjenteve të policisë sekrete, të cilët i ndiqnin pas, kudo që shkonin.

Puntorët tanë shqiptarë të shërbimit -tregon Emile Guinard 1), ish-zv/konsull i Francës gjatë viteve 1966-1970 - ishin të gjithë të caktuar nga Sigurimi. Ne e dinim fare mirë që, bie fjala, kopshtari ynë shqiptar qe agjent i tyre. Ai, për çdo vit, merrte nga një palë këpucë të reja në komisariatin e policisë aty pranë. ( ... ) Çdo muaj, në shtëpitë tona, vinte një teknik i PTT-së i cili ndërronte kufjet e telefonave e, po për çdo muaj, ne shkonim për t'u qethur te berberi i Hotel Dajtit, një agjent i njohur i policisë sekrete shqiptare.Gjatë stinës së nxehtë të verës, për familjet e diplomatëve të vetmet zbavitje qenë ditët e kaluara në plazhin dhe hotelin Adriatik të Durrësit. Por, edhe aty, nuk gjenim qetësi. Në shëtitjet buzë detit, nenë rrezet e diellit, në banjat në det apo në restorant, ne ishim vazhdimisht të survejuar nga civilë që mbanin syze të errëta. Gjatë ditës, ata zakonisht benin plazh pranë nesh, kurse drekave e darkave hanin në heshtje, ulur përballë tavolinës sonë në restorant.

" Mbrojtja" jonë, ai gjurmim i vazhdueshëm e këmbë pas këmbe, ishte me të vërtetë i " shkëlqyer" ! ( Por, njëkohësisht edhe aq i bezdisshëm, stresues e revoltues sa që, pjesa më e madhe e diplomatëve, kishin hequr dorë përfundimisht të dilnin nga shtëpitë e tyre, qoftë edhe për të bërë ndonjë shëtitje të vogël, sepse, gjithmonë ata do të kishin nga pas ndonjë prej tyre.Kjo gjë, qe bërë aq rutinë, sa që ish kthyer në një mënyrë jetese të cilën e kishim pranuar pa asnjë kundërshtim ).

Një ditë - vazhdon tregimin e tij, Emile Guinard - provova të dal në këmbë duke tentuar të humbisja mes turmës. Kështu, shpresoja se do mund t'u shpëtoja gjurmuesve të mi të zakonshëm.Por, pa bërë as dhjetë hapa, ndjeva se dikush më ndiqte pas. Pra, qe e kotë të vazhdoja. Bëra një kthesë 180 gradëshe e mbrrita përsëri në shtëpi. Ndërsa, një herë tjetër, ndërsa po vizitonim një muze, i dhurova drejtorit të tij një libër historik me ilustrime, thjesht në shenjë mirënjohje për mirësjelljen dhe shpjegimet e tij interesante e të hollësishme.

Drejtori e pranoi dhuratën me ndrojtje e duke parë rrotull me frikë. Mbas vizitës, sa bemë pak hapa drejt daljes se muzeut, me bisht të syrit vura ré se njeriu i Sigurimit që na ndiqte, ia rrembeu librin nga dora duke e shfletuar me kujdes. ( Me shpresën se mos gjente mes fletëve të tij, ndonjë mesazh sekret, të cilin unë mund t'i a kisha futur brenda ). Kur e pashë atë skenë, më erdhi vërtet për të vjellë.

... Kur kujtoj e krahësoj jetën prej diplomati në Tiranë, me atë të homologut tonë në Paris, ambasadorit shqiptar Javer Malo, nuk gjej asnjë pikë të përbashkët mes kushteve të jetesës në dy vendet respektive. Zoti Javer Malo, frekuentonte pa pengesën më të vogël, gjithë familjet e politikanëve, sindikalistëve apo njerëzve të artit e kulturës që e ftonin.

Ai, mori pjesë në krijimin e shoqatës së miqësisë franko-shqiptare, në kremtimin e 50 -vjetorit të MauriceThorez -it, në Kongresin e XII-të Partisë Komuniste Franceze si dhe, në shumë raste, ndiqte nga afër vizitat e presidentit Charles de Gaulle në provinca të ndryshme të Francës. Ai, vizitonte gjithashtu disa herë në vit e pa më të voglën pengesë, bashkëpatriotët e tij emigrantë në Saint-Etienne, Marseille, Strasbourg etj. Ndërsa ne nuk na u dha leje kurrë, të takonim të paktën një herë në vit, pesë a gjashtë gra vejushe me orgjinë franceze, të cilat banonin në Shqipëri...

Pra, të ishe diplomat në Tiranë, do të thoshte të bëje një punë aspak të kendëshme, të vështirë e, bile edhe me risk të madh. Incidentet me Sigurimin ishin të shpeshta e brutale. Atasheu ynë ushtarak, një kolonel francez, i cili vinte zakonisht në ambasadën tonë në Tiranë dy-tri herë në vit, u arrestua nga policia e pastaj iu dorëzua ambasadorit tonë, me kusht që të largohej nga territori shqiptar brenda 24 orëve si " persona non grata".

Ai kish dalë shëtitje nëpër rruget e kryeqytetit, duke mbajtur në krahë një aparat fotografik me një goxha objektiv e kish marrë foto pa çarë kokën, andej e këndej, që nga ministritë në qendër të Tiranës e gjer tek " blloku " i udhëheqjes pranë KQ të PPSH. Kaq kish mjaftuar që ai të kapej nga agjentët civilë të Sigurimit, të arrestohej në vend, të cilësohej spiun e të shpallej person i padëshiruar...



Vdekja e ambasadorit francez ....


Ngjarja kish ndodhur krejt papritur...

Një mbremje tetori, në orën 6, gruaja e ambasadorit, zonja Pinauldt, më morri në telefon e shqetësuar dhe më tha të telefonoja urgjentisht në poliklinikën e Tiranës sepse i shoqi s'e ndjente vehten mirë. Telefonova në çast e, mjeku i rojes më siguroi se do vinte menjeherë. Por, megjithëse kaluan 20 minuta, ai s'po dukej. Ndërkohë, gjendja e ambasadorit po rëndohej edhe më tepër. Atëhere telefonova përsëri në poliklinikë e pyeta për arsyen e vonesës.

Dikush nga urgjenca më shpjegoi se, për raste kërkesash nga personeli i ambasadave, mjeku mund t'a kryente vizitën vetëm me urdhër të zyrës së Shërbimit të Protokollit në ministrinë e Punëve të Jashtëme. Më hypën nervat nga ajo logjikë idiote dhe i shpjegova personit matanë receptorit se, nuk ish fjala thjesht për një vizitë mjekësore po për një rast tepër urgjent. Megjithatë, s'e zgjata, i hipa shpejt makinës e mbrrita me një frymë në ministri, e cila nuk ndodhej më tepër se 2 km. larg rezidencës sonë.

Për fat të mirë, aty munda të gjej, fare rastësisht, një nga punonjësit e Shërbimit të Protokollit, të cilit i shpjegova se ambasadori qe në gjënde shumë të rendë e se nuk dija si t'a shpjegoja qendrimin e pakuptueshëm e aspak human të mjekëve të urgjencës në poliklinikën qendrore. Punonjësi i ministrisë më tha se për këtë problem, " do mbante shënim" e se do të jepte menjëherë porosi që të dërgonin urgjentisht një mjek.

I lehtësuar nga premtimi, me të mbrritur në ambasadë, shkova e i dhashë zemër zonjës Pinauldt e cila priste e alarmuar e plot ankth mbi krye e të shoqit që lëngonte i shtrirë mbi shtrat, i zbehtë e pothuajse pa ndjenja. Ndenja pranë saj, duke i thënë herë pas here fjalë inkurajuese, me sigurinë se mjeku duhej të qe tashmë në rrugë e sipër. Por, minutat kalonin dhe përsëri më hypi dyshimi e frika se, edhe kësaj rradhe, ardhja e tij mund të zvarritej. Atëhere, mendova se do të ish mirë që, ndërkohë të shkoja për të kërkuar ndihmë te një mjek shqiptar që banonte fare afër ambasadës.

U ngrita e, brenda dy minuatave, u gjenda në shtëpinë e tij. I thashë që, ambasadori ish në gjendje shumë të rendë e se, ndofta, qe goditur në zemër nga një infraktus. Ai ish duke vdekur, ndërkohë që, mjeku i urgjencës që prisnim, nuk po vinte endé. Fqinji ynë, më dha një përgjigjje, e cila më shtangu në vend e që s'doja t'a besoja. I qetë e prerë, ai më shpjegoi se " s'mund t'i vinte në ndihmë zotit amabasador, sepse edhe vetë nuk e ndjente vehten mirë, e se në ato momente e kishte tensionin 17".

I'u luta, duke i thënë se, mund t'a çoja në ambasadë me makinën time për disa sekonda e, kjo nuk do t'i shkaktonte asnjë lodhje. Por, përsëri ai refuzoi duke u justifikuar e duke më lenë të kuptoj se, pa urdhër nga lart e pa qenë i shoqëruar nga një person i autorizuar nga organet e Partisë, nuk mund të hynte në një amabasadë të huaj. E vetmja gjë që ai sugjeroi, ishte rekomandimi që më dha për t'i bërë të sëmurit dy gjëlpëra me kamfor, e pastaj të prisja mjekun e autorizuar për vizita mjekësore në ambasadat e huaja...

Kur u ktheva në rezidencë, gjendja e zotit Pinauldt ish pa shpresë. Rojet franceze po i bënin frymëmarrje artificiale, ndërkohë që sekretari i parë i ambasadës qe nisur vetë në poliklinikë për të kërkuar mjekun. I çoroditur, vrapova te telefoni e kërkova disa herë rradhaz ndihmë në Zyrën eProtokollit. Por, që andej më jepnin po të njejtën përgjigjje: Mjeku është nisur. Tani është duke mbërritur...

Më në fund, mbas 45 minutash, në portën e jashtme të rezidencës u paraqitën dy mjekë të cilët nxituan për në dhomën e të sëmurit. Por, tashmë, qe tepër vonë. Ambasadori kish vdekur. Në orën 9 të darkës, mbrriti edhe mjeku" zyrtar" i autorizuar për Trupin Diplomatik i cili arriti të konstatonte veçse...vdekjen. Ndërkohë ne e kishim humbur fare. Të gjithë ishim të shokuar e të tmerruar. Jo vetëm nga ajo humbje e rendë dhe tragjike, por në menyrë të veçantë, nga vonesa skandaloze e mjekëve, si dhe nga qendrimet absurde e të papërgjegjeshme të autoriteteve shqiptare.

Të nesërmen, trupin pa jetë të ambasadorit e vendosëm në sallën kryesore të rezidencës, ku gjithë trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, ( i cili tashmë qe në dijeni për zhvillimin e ngjarjes e qëndrimin cinik të autoriteteve), erdhi për të bërë homazhe dhe ngushëllimet e rastit. Pas tyre, erdhën mbi 20 zyrtarë të lartë shqiptarë, të cilët u përulën në heshtje para arkivolit duke shprehur " keqardhjen" e tyre të thellë. Njeri prej tyre, z. R.Malile, u afrua pranë zonjës Pinauldt e i tha me zë të ulët: Më besoni, zonjë, unë kam humbur një mik të vërtetë!, ndërsa z.M.Treska, i cili aso kohe drejtonte Komitetin Shqiptar për Marrëdhenje Kulturore me Botën e Jashtme, u shpreh: Zoti Pinauldt ishte ambasador i vërtetë i francezëve në vendin tonë .

Më 4 nentor, në orën 14:00, arkivoli me trupin e të ndjerit doli nga rezidenca i shoqëruar nga një kortezh i gjatë me më se 50 vetura nga gjithë personelet e ambasadave që ndodheshin në Tiranë. Me atë rast, qarkullimi i automjeteve, qe bllokuar gjer në dalje të qytetit. Me të mbrritur në sallën e aeroportit të Rinasit, fëmijët e diplomatëve francezë vunë tufa me lule mbi arkivolin e mbuluar me cohë mendafshi të zezë me bordura të praruara. Një togë ushtarësh shqiptarë bente roje nderi. Ndërsa dëgjoheshin tingujt e Marshit Funebër të Chopin -it, zonja Pinauldt e mbytur në lotë, gjeti kurajon e fuqinë të thosh dy fjalë falënderimi për të pranishmit e shumtë.

Në orën 16:00, avioni special francez i ardhur posaçërisht nga Parisi, u ngrit nga pista e Rinasit me zonjën Pinauldt e arkivolin e të ndjerit në bord, ndërkohë që ne, me sytë plot lotë, morrëm rrugën e kthimit drejt Tiranës. Pjesa më e madhe e ambasadave në kryeqytetin shqiptar, me atë rast ngritën flamujtë në gjysëm shtize, ndërkohë që shumë diplomatë, shprehën revoltën dhe përçmimin e tyre për qendrimin cinik e aspak human të regjimit, i cili pa kokëçarje e në indiferencë të plotë, kish lenë të vdiste pa asnjë ndihmë mjekësore, një diplomat 52 vjeçar.

Një mik të vërtetë të shqiptarëve!

Njeri që kish harxhuar shumë energji e aftësi për të forcuar bashkëpunimin franko - shqiptar... 1)


Postuar nga amoxil datë 06 Shtator 2005 - 00:32:

EPITAF PER KOMUNIZMIN

Nga libri"Post-scriptum per komunizmin"shkruar nga V.Qesari

( Kapitulli i dhjete )





Ne shpresojmë të shohim një Botë të mbështetur mbi Katër Liri Themelore:

E para - Lirinë e Fjalës dhe të Shprehjes.

E dyta - Të drejtën që kushdo të mundë të nderojë Zotin sipas dëshirës e besimit.

E treta - Zhdukjen e Varfërisë.

E katërta - Çlirimin nga Frika ...



Franklin ROOSEVELT

( Mbi "Katër Liritë Themelore" - 6 janar 1941 )



PLAGA E VJETER E " TIGRIT"

7 nentor 1984...

Para bustit të V.I.Leninit, në sheshin e fabrikës së çimentos me të njëjtin emër, ishin mbledhur dy-tre qind vetë. Përkujtohej 67-vjetori i revolucionit socialist të tetorit në Rusi. Sekretari i parë i komitetit të Partisë të rrethit E.Halili nisi të flasë për vazhduesen besnike të idealeve të atij revolucioni dhe PPSH-në e udhëhequr nga marksist-leninisti i shquar i epokës moderne, Enver Hoxha. Pas pak, nga rradhët ngjyrë gri të punëtorëve dikush hodhi një parrullë, duke brohoritur me sa zë që kish.

Për një çast, turma u duk sikur u shkund nga një gjumë i thellë. Punëtorët, si statuja prej argjili të mbuluara nga një cipëz pluhuri çimentoje, lëvizën nga vendi. Më pas, kur folësi kryesor, amplifikuar nga disa altoparlantë, zuri në gojë emrin e komandantit, një grup militantësh që kishin zenë vend në rreshtin e parë, nisën kengën e njohur: Enver Hoxha, o tungjatjeta !.

Që lart nga tribuna, sekretari i parë vazhdoi:

- Armiqtë tanë të betuar, të brendshëm e të jashtëm, qëllimisht hapin fjalë se udhëheqësi ynë i lavdishëm Enver Hoxha, qenka i sëmurë...

- Të na marrin të keqen! - u dëgjua një zë nga nga grupi i militantëve.

- Ashtu, të lumtë goja !... - aprovuan ca të tjerë.

- Por, shoku Enver Hoxha, ashtu si dhe populli ynë, janë të pavdekshëm ! - vazhdoi sekretari i parë - Ai është shendoshë e mirë dhe kuq si molla !

Qe për herë të parë që, me qëllime të paramenduara, flitej publikisht për temën tabu mbi shendetin e Enver Hoxhës.

E, jo vetëm në Vlorë, por kudo.

Në çdo rreth, sekretarët e parë qenë porositur që, në takimet me popullin të evidentonin gjendjen e tij të shkëlqyer shendetësore, por pa bërë as një koment tjetër. ( Në fakt, veprimi në fjalë, krahas të tjerash, qe përgjigjja ndaj një lajmi që televizioni italian kish dhenë disa ditë më parë, e në të cilin qe thenë se, sipas disa burimeve të pakonfirmuara zyrtarisht, Enver Hoxha, lideri i Shqipërisë - bastionit të fundit stalinist në Europë - ose ka vdekur ose është në grahmat e fundit nga një semundje e gjatë dhe e pashërueshme, e kjo gjë nuk i është bërë e ditur popullit ). Pas atij lajmi rrënqethës, gojët e liga kishin nisur të pëshpërisnin se Ai, i kish ditët të numëruara. Kish dalë, bile edhe fjala se, një profesor i shquar japonez, kish ardhur posaçërisht në Tiranë me avion special, për të egzaminuar gjendjen e tij të rendë.

E vërtet, me gjithë konspiracionin e jashtëzakonshëm, fjalët s'kishin dalë kot. Ne fakt, Enver Hoxhës, i kish mbetur fare pak për të jetuar.Vetëm ca muaj më parë, pikërisht në mbremjen e 16 shkurtit 1984, gjatë një takimi me sekretarët e KQ të Partisë, ai qe larguar nga salla i mbajtur për krahësh e duke hequr kembët zvarrë. Më pas, po atë darkë, ai qe goditur fort nga një atak tjetër në zemër. E alarmuar, Nexhmija kish thirrur urgjentisht mjekët e, bashkë me ta dhe Ramiz Alinë. Të nesërmen, ky i fundit kish mbledhur me ngut Byronë Politike, për t'a njoftuar mbi situatën.

Por, plaga e tigrit, qe tashmë tepër e thellë dhe e vjetër.

Ajo qe shfaqur për herë të parë qysh më 1948, gjatë një feste familjare të organizuar me rastin e Vitit të Ri. Ishte pikërisht atëhere që, Enver Hoxhës, iu shfaqën shenjat e para të diabetit. Qysh prej asaj kohe, ai s'do gëzonte kurrë shendet të mirë. Mbas egzaminimeve, mjekët i rekomanduan të bëjë më tepër kujdes e, sidomos, të mbajë regjim. Por, problemi s'qe dhe aq i lehtë. Enver Hoxha ish qejflli i madh për të ngrenë. Veçanërisht, kur qe fjala për meny me gjellë franceze, të cilat ia përgatiste një guzhinjer i cili kish jetuar shumë vite në Lion. Pa folur pastaj, për djathrat lloj-lloj që i vinin me anë të valixheve diplomatike.

Vitet kalonin ...

Burri i ri dhe azgan, patriarku 53 vjeçar Enver Hoxha, i shkon vitet e jetës midis zyrës së tij bibliotekë, " kështjella " e vërtetë e pushtetit dhe një vargu vilash të shpërndara në të katër anët e vendit. ( ... ) Por, megjithë aparencën impozante, ai s'gëzon shendetin që paraqet. Edhe mbas ndërhyrjeve të shumta e kembëngulëse të Nexhmijes, ai s'arrin dot t'a presë duhanin. Për më keq akoma, vazhdon të mos u ndahet ushqimeve e gjellëve të renda, ndërkohë që duke qenë me diabet, lypset të mbajë një dietë shumë të fortë ... 1)

Në pranverën e vitit 1966, Enveri sëmuret më tej.

Tani, veç diabetit, kanë lindur dhe probleme të tjera të natyrës kardiake. Doktorët e këshillojnë të shplodhet, të bëjë pa tjetër pushim. Pas dy vjetësh, pothuajse në të njejtën periudhë, ai bëhet përsëri keq. Kësaj rradhe, mjekët e urdhërojnë të ndërrojë klimë e të shkojë për pushime në Vlorë.

1969.

Mars.

Enver Hoxha pushon në Ujë të Ftohtë.

Klima mesdhetare, me sa duket, i bën mirë. Por, rruga nga buza e detit e gjer tek vila e tij, e lodhin tepër. Në ditët e verës, ai s'mund të zbresë dot në plazh, për të bërë banjë. Atëhere, Nexhmija sugjeron që, pranë vilës të ndërtohet një pishinë. Për realizimin e asaj ideje, angazhohen posaçërisht H.Kapo e R.Alia. Pishina, nenë mbikqyrjen e ushtarëve të Gardës e Sigurimit, ndërtohet në kohë rekord. Brenda 10 ditësh. ( Ndërkohë që ai ish duke vizituar vendlindjen ). Kur kthehet nga Gjirokastra, Enveri shikon i befasuar pishinën dhe thërret me sytë e përotur e plot ngazëllim: Të rrojë Partia !. 2)

1970.

Eshtë periudha e fërkimeve të para shqiptaro-kineze.

Shqetësimet shtohen.

Edhe gjatë atij viti, gjendja e Enver Hoxhës vazhdon të keqësohet. Si pasojë e diabetit, shikimi i dobësohet më shumë e, vështirësitë për leximin e gazetave, buletinëve të lajmeve e librave, shtohen. Mjekët porosisin jashtë, syze të teknologjisë së re speciale, por pa sukses. Atëhere, vendoset që një anëtar i sekretariatit, t'i shkojë për ditë në shtëpi e t'i lexojë materialet e nevojëshme. Por, duket, se Enverit kjo s'i pëlqen. Atëhere mbetet vetëm një zgjidhje. Jashtë vendit, porositet një projektor i paisur me zmadhues figure. Kështu, shkrimet e artikujt, priten prej ndihmësit të tij e vendosen mbi aparatin zmadhues. Duket se, kështu, Enveri arrin të lexojë ...

__________________________________________________
_____________________

1) Thomas Schreiber "Enver Hoxha - le sultan rouge ". Editions J. C. Lattes. Paris. 1994

2) S. Gradeci "Tridhjetë vjet pranë shokut Enver ". Tiranë. 1986

- 2 -

Më 1973 ndodh edhe e papritura.

Për herë të parë, ai goditet nga një infarkt i rendë i miokardit. ( Ndërkohë që, gjithmonë e më tepër, shfaqen hapur edhe shenjat e manisë së persekutimit. Ai shikon rreth vehtes armiq e vetëm armiq ). Tetor 1973. Enver Hoxha kremton 65-vjetorin e lindjes. Vetëm pak orë, pas ceremonisë së organizuar me atë rast, ai bie plasur për tokë i goditur nga një krizë e re kardiake më e fortë se e para. Mjekët, me në krye profesorin e njohur Petrit G, i rekomandojnë përsëri pushim absolut.

Ndërkohë, Nexhmija, jep urdhër të prerë:

... për goditjen e re në zemër, duhet të vihen në dijeni, vetëm familja dhe shokët e Byrosë Politike. Të tjerët, nuk duhet të dinë asgjë, sepse, nga njera anë nuk duam të hidhërojmë zemrat e anëtarëve të Partisë e popullit e, nga ana tjetër, s'duam t'i u japim rast armiqve që të fërkojnë duart nga gëzimi... 1)

1976.

Problemi i shikimit të tij, bëhet përherë e më shqetësues. Ai pothuajse është verbuar. Atëhere, porositet jashtë një manjetofon, me të cilin ai dikton urdhëra, porosi, instruksione apo pjesë nga Kujtimet. Kasetat e regjistruara, zbardhen pastaj nga daktilografistja e tij personale.

1979.

Prill. Plaku i sëmurë, goditet përsëri në zemër. Ai, tashmë, s'arrin të lexojë as me lupë, e as me aparatin projektues zmadhues. Gjatë shëtitjeve të shkurtëra në vilat e Vlorës apo Pogradecit, ai mban rregullisht bastun. Drejtimin e Partisë, faktikisht e merr në dorë, Nexhmija. Eshtë ajo e cila, ndër të tjera, i lexon për ditë telekset e ambasadave shqiptare apo shenimet e mbajtura nga mbledhjet e Komitetit Qendror.

Gjatë daljeve të rralla në publik, fshehja e gjendjes së tij të vërtetë shendetësore, bëhet gjithmonë e më e vështirë. Kështu, gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të VIII-të (1981 ), Enver Hoxha shfaqet në tribunë si një kukull prej qiriri, me buzëqeshje të ngrirë e syze me xhama shumë të trashë. Ai shqipton me zor vetëm frazat e para të raportit, pastaj leximi i tij vazhdon i regjistruar në manjetofon.

Dhjetor 1981.

Mehmet Shehu vret vehten. Plaga e tigrit derdh shkulmet e fundit të gjakut. Por, megjithatë, populli e armiqtë e Shqipërisë duhet të sigurohen se, ai është aty. Gjithmonë i gjallë e i pavdekshëm. Me shpatën xhveshur për të goditur armiqtë. Improvizohet kështu, me kujdes e sipas stilit të njohur stalinist, dalja e tij në publik. Pikërisht në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative. Por, në kronikën televizive të Lajmeve të mbremjes, megjithë truket e montazhit, s'arrihen të bëhen çudira. Në ekran, shfaqet fantazma Enver. I zbehtë, i tretur e me shikim të përhumbur. Ulur në kolltuk. Pas asaj dalje, ai do të rishfaqet përsëri, më 7 korrik 1983. Kësaj rradhe, në stadiumin Qemal Stafa, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Ushtrisë. Përsëri, i ngrirë si statujë e pa folur as gjysëm fjalë.

Më 28 nentor, Enver Hoxha, merr pjesë në paradën ushtarake organizuar me rastin e 40-vjetorit të çlirimit. Ajo është dhe dalja e tij e fundit në publik. I dobët, i tretur e me fytyrë që s'ngjan e tij. Me njërin krah të paralizuar e, me syrin e djathtë, të ngrirë nga ishemia cerebrare. Meqënse, nuk është në gjendje të flasë, mesazhi i tij drejtuar popullit, __________________________________________________
______________________

1) S. Gradeci. Idem.

- 3 -

nëpërmjet radios e televizionit. Ai është edhe mesazhi - testament i tij:

… Për ne, ushtarët e Partisë, s'ka gëzim më të madh se kur shohim që populli ynë është zot i fateve të veta, i gëzuar, i lumtur dhe i lirë në Shqipërinë sovrane. Në Shqipërinë e transformuar në kështjellë të pamposhtur, e cila ecën pa u lodhur në rrugën e ndërtimit të socializmit ... 1)

Tigrit plak i ka ardhur fundi.

Kreshta e bardhë e flokëve, i ka renë mbi qafë si paruke. Tashmë, ai s'është veç një kadavër e pakallur në varr. Megjithatë Partia, e dëshpëruar por stoike, përpiqet të mbajë heshtje rreth shendetit të tij. Ndërkohë që, shqiptarët endé nuk dinë që, komandanti i tyre i lavdishëm, tani lëviz mbi një karrocë handikapatesh me rrota e përqesh ushtarët e gardës, duke i sharë ata me gjithfarë fjalësh të ndyra.

9 prill 1985.

Aty nga ora 09:30 e mengjezit, bisha plaset përfundimisht për tokë. Me konvulsione. Pa frymë. Me gojën mbushur plot jargë e shkumë. Ai ka marrë kështu goditjen e fundit në zemër. Asnjë ndërhyrje mjekësore, s'mund t'a kthejë më në jetë ...



VDEKJA E SULLTANIT



A do të ndodhte vërtet kataklizma, atëhere kur Enver Hoxha, do të jepte shpirt ?!

A qe ai një qenie e vdekëshme si gjithë të tjerët, ndërkohë që shumë prej shqiptarëve e konsideronin eternel, si perënditë e Olimpit ? Në fund të fundit, a mund të vdiste ai, i cili qe kthyer në simbol të Shqipërisë ? Ai, emri i të cilit kendohej, glorifikohej, hymnizohej e ngrihej në qiej, për çdo ditë ? Në festa publike, private, në lindje, vdekje e martesa ?…

Më 11 prill 1985, në Komitetin e Partisë në Vlorë, dritat qenë ndezur qysh pa gdhirë. Kuadrot e larta të Partisë, shtetit e policisë, venin e vinin me vetura të cilat ecnin me shpejtësi të madhe. Në orën 07: 00, sekretari i parë thirri me urgjencë mbledhjen e aparatit. Në sallën e mbushur plot kish renë heshtje mortore. Sekretari i parë, veshur me kostum të zi, me rrathët e syve të mavijosur, me zë të dridhur e fraza të copëzuara nga emocioni, dha lajmin e kobshëm:

Më 11 prill 1985, në orën 2 e 15 minuta të mengjezit pushoi së rrahuri zemra e udhëheqësit të dashur e të lavdishëm të Partisë e popullit tonë, shokut Enver Hoxha. 2)

Ca gra klithën me të madhe, ndërsa burrat rrënkuan thellë e nxorrën shamitë. Pastaj, në sallë u krijua pështjellim e rrëmujë, por sekretari vuri qetësi e vijoi leximin e Komunikatës së KQ të PPSH e Buletinin Mjekësor, të nenëshkruar nga 8 mjekë. Në të thuhej se, vdekja, kish ndodhur fill mbas:

__________________________________________________
_____________________

1) E. Hoxha. Nga "Përshendetje drejtuar popullit me rastin e 40 - vjetorit të çlirimit ". Tiranë. 29 nentor 1984.

2) Teksti i "Komunikatës" së vdekjes së Enver Hoxhës si edhe i Buletinit Mjekësor, ishin të njejtë me atë që kish përdorur Moska, për lajmërimin e vdekjes së Stalinit më 1953. ( Shenim i autorit )

- 4 -

... disa liezoneve të forta të sistemit kolateral periferik dhe dëmtimeve në zemër, veshka e organe të tjera. ( ... ) Qysh në vitin 1973, Enver Hoxha kish pësuar një infraktus të miokardit të shoqëruar me aritmi të zemrës. Në vitet më pas, evoluoi një isufiçencë e rendë koronare e cila, para një viti, u bë shkak për goditje nga ishemia cerebrare. Në mengjezin e 9 prillit, pa pritur, zemra e tij pushoi së rrahuri për shkak të infiltracioneve ventrikulare ... 1)

Vdekja e Enver Hoxhës, u shoqërua me tension e alarm të pa parë në krejt udhëheqjen e Partisë. Por, për dy ditë me rradhë, ajo u mbajt e fshehtë e në sekret të madh. Pse vallë ?! Pa dyshim, për organizimin e Spektaklit të Madh të homazheve, varrimit, caktimit të zëvendësit të tij si dhe hartimit të strategjisë së vazhdimësisë. Tek njerëzit e thjeshtë, të cilet qenë mësuar me idenë se, komandanti legjendar qe i pavdekshëm, lajmi i papritur shkaktoi tronditje, konfuzion, hutim e mpirje.

( Por, megjithatë, ata që mendonin se vdekja e tij do shenonte fundin e botës, panë me habi se jeta vazhdonte si më parë e se, dielli lindte përsëri. Ndërsa, të tjerë, të cilët kishin vite e vite që prisnin me padurim fundin e tij, ishin pak a shumë të bindur se, zhdukja e Enver Hoxhës qe edhe fundi i një epoke e cila, për fat të keq, kish qenë më e zeza në historinë e saj moderne ).

Megjithë pështjellimin, udhëheqja e Partisë, nisi shpejt nga puna për ngritjen e kultit të Pavdekësisë. Mobilizimi i propagandës, shtypit e radio-televizionit me sloganin kryesor T'a kthejmë dhembjen në forcë, kish për qëllim jo vetëm forcimin e mëtejshëm të unitetit, por veçanërisht ruajtjen e përjetëshme të Ikonës. Pra, Messia vërtet kish vdekur por, ikona do të qe edhe më tej e pranishme kudo. Impozante, autoritare e sidomos e frikëshme dhe kërcenuese,në çdo çast ajo duhej t'u kujtonte njerëzve, se asgjë s'kish ndryshuar. Se, Enver Hoxha, ish gjallë e i pavdekshëm e se, ata që mendonin ndryshe, do të ndëshkoheshin brutalisht si edhe më parë ...

Funeralet zyrtare u caktuan për në 15 prill. Arkivoli u vendos në hollin e ndërtesës së Kuvendit Popullor. Televizioni transmetonte për natë skena nga homazhet. Pamje histerie. Lotë, klithma e çjerrje faqesh. Në mbarë vendin, plasi një garë e shfrenuar për shkrime telegramesh, letrash, mesazhesh, rapsodish e poezish të cilat, pastaj, nëpërmjet komiteteve të Partisë në rrethe, i dërgoheshin Komitet Qendror në Tiranë. 2)

Gazeta Zëri i Popullit evokonte për ditë, figurën poliedrike e historike të udhëheqësit të pavdekshëm. Ata që patën fatin e madh të jetojnë epokën e lavdishme të Enverit, - shkruhej ndër të tjera, në një shkrim të saj - do të jenë padyshim ndër më fatlumët e të gjithë brazave që do të vijnë pas. Ne ishim, ne punuam e jetuam së bashku me të! - do të thonë ata plot krenari.

__________________________________________________
______________________

1) Nga teksti i "Komunikatës". Idem.

2) Në një letër e cila, tek mjaft militantë ngjalli ngazëllim e kërshëri te madhe, një inxhinjer kimist i cili kish mbaruar studimet në Kinë, shkruante: Në bazë të leximeve e studimeve të mia, unë i propozoj shoqes Nexhmije Hoxha dhe KQ të Partisë që, trupi i shokut Enver Hoxha të ballsamoset. Unë jam i bindur se, në të ardhmen, shkenca do të arrijë të bëjë mrekullira. Atëhere, nuk do të jetë aspak çudi që, duke përdorur elementë të materies njerëzore mund të arrihet në riprodhimin e tij fiziko - gjenetik. Do të vijë një ditë, pra, që nga materia jo e gjallë njerëzore, njerëzimi do të jetë i aftë të krijojë përsëri figurat e tij të mëdha historike. Atëhere, populli shqiptar, do të ketë sërishmi të gjallë e midis tij, të shtrenjtin e te lavdishmin, Enver Hoxha ... ( Shenim i autorit )

- 6 -

Ndërkohë, në atmosferën e zisë kolektive, poetë e shkrimtarë të njohur e të panjohur, botuan proza e elegji, ku shprehej pikëllimi i madh për humbjen e pa zevendësueshme të njeriut më të shquar që kombi shqiptar kish lindur ndonjëherë. Ceremonia funebre u zhvillua në 15 mars. Në një ditë të zymtë e me shi. Arkivoli me trupin u vendosën mbi një shtrat topi. Në ballë të kortezhit ecnin 14 ushtarë që mbanin në duar jastëkë të kuq me dekorata. Pas tyre vinin familja e anëtarët e Byrosë Politike. Kamerat e fotoreporterët përqendroheshin vazhdimisht në grupe njerëzish që vajtonin e çirrnin faqet.

Pastaj, kortezhi u ndal, në sheshin Skendërbej.

Ndërkohë që pasardhësi i tij, Ramiz Alia, mbante fjalën e rastit, regjia e televizionit shkrinte herë pas here me imazhin e mitingut një kuadër filmik i cili, më pas, u cilësua si gjetje artistike gjeniale. Shiu binte mbi monumentin e Skenderbeut. Nga sytë dhe mjekrra e heroit kombëtar rridhnin lotë.

Ideale, apo jo ?!...

Skendërbeu qante për humbjen e birit të vet !...

Vdekja e diktatorit ngjalli reaksione edhe në ambasadat e huaja. Sepse, vërtet Enver Hoxha kish qenë në krye të një regjimi ekstrem e gjakatar, por ajo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër qenë interesat gjeopolitike, të cilat për Perëndimin, kishin rendësi të veçantë. Në fund të fundit, Perëndimi s'mund të harronte se, Enver Hoxha ishte ai i cili qe shkëputur nga Bashkimi Sovjetik e kish hequr nga vendi i tij, gjithë arsenalin e raketave bërthamore, drejtuar nga Kontinenti i Vjetër.

Për këtë, ai, padyshim qe shpërblyer.

Perëndimi e shërbimet e tij sekrete, e kishin fshirë përfundimisht Shqipërinë nga planet e tyre të Luftës së Ftohtë, duke mbajtur rreth saj një indiferencë e heshtje totale, thuajse ajo s'egzistonte fare. Diktatorit, i qenë lenë kështu duart të lira, për të vazhduar qetësisht krimet e tij. Kësisoj, pa as më të voglën brerje ndërgjegjje, bile me koshiencë të plotë, Perëndimi kish kontribuar e ligjëruar me cinizëm gjakosjen e tragjedinë e një populli të tërë. 1)

Megjithatë, në botën e jashtme, ndryshe nga ç'mendohej brenda vendit, jehona e vdekjes së Enver Hoxhës qe fare e vogël. Sipas gazetës franceze Le Monde të 13 prillit 1995

... vdekja e Hoxhës ka shkaktuar pak komente zyrtare në kryeqytetet e mëdha europiane, të cilat në përgjithësi, janë mjaftuar me dërgimin e mesazheve të shkurtëra të ngushëllimit, drejtuesve të Tiranës. Kryeministri grek z.Papandreu, i cili ndikoi kohët e fundit në

__________________________________________________
______________________

1) Jo vetëm shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare i cili e ka theksuar disa herë këtë arsyetim, por edhe studjues të tjerë, në veprat e analizat e tyre kanë shtruar vazhdimisht pyetjet: Përse Perëndimi, për vite me rradhë, kish mbajur heshtje të plotë rreth shtypjes totalitare në Shqipëri ? Përse, radjoja e televizioni i një vendi fqinj siç qe Italia, e cila nuk ish as 100 km. larg në vijë ajrore nga brigjet shqiptare, mbante gjithmonë një heshtje misterioze rreth natyrës së sistemit të saj politik ? ( Ndërkohë që, Europa në përgjithësi, bente shumë zhurmë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demaskimin e natyrës së dhunëshme të regjimeve autoritarë e komunistë të Lindjes ? ). Për ç'arsye u kontribua me aq zell që ai vend, i cili cilësohej si "bastioni i fundit i stalinizmit në Europë ", të mbetej larg çdo lloj vemendje, njëlloj sikur të ndodhej diku mes Afrikës apo Amazonës ? Pyetjet dhe misteri i tyre janë të shumta e përgjigjet mjaft të vështira. Megjithatë, me sa dukej, një gjë ishte e qartë. Në menyrë direkte apo indirekte, Europa me " harresën " e saj, kish ndikuar mjaft në zgjatjen e jetës së diktaturës enveriste si edhe në vuajtjet e izolimin e një populli i cili, vazhdimisht, përtej detit kish parë lirinë dhe shpëtimtarët e tij ... ( Shenim i autorit )

- 7 -

zhvillimin e marrëdhenjeve ekonomike me Shqipërinë, ka shprehur " hidhërimin e tij ". Po ashtu, për dërgimin e një mesazhi ngushëllues njoftoi edhe Partia Komuniste Franceze. Në Washington, departamenti i Shtetit njoftoi se, SHBA ishin të gatëshme të rifillonin një dialog vëllazëror me Shqipërinë, në se kjo e fundit do t'a kërkonte...

Ndërsa, në 12 prill, në edicionin e orës 20:00, televizioni italian dha një lajm të shkurtër të shoqëruar me imazhe, ku lideri shqiptar cilësohej si njeriu që arriti t'i nxjerrë shqiptarët nga mizerja ekstreme në një varfëri dinjitoze. Kurse, agjencia e lajmeve Hsinhua si dhe e përditëshmja e PK të Kinës Zhenminzhibao, e botuan lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës, të shoqëruar me një fotografi të të ndjerit në madhësinë e një pulle poste të rrethuar me shirit të zi. 1)

Nga Moska, me katër rreshta të botuara në të përditëshmen Pravda dhe agjencinë e lajmeve TASS, KQ i PK Sovjetike i shprehte ngushëllimet PPSH me rastin e vdekjes së Hoxhës. 2) Diçka më tepër, i kushtoi ngjarjes shtypi jugosllav që e cilësoi ngjarjen si, fundin e epokës së Enver Hoxhës. Në të, u botua shkurtimisht biografia e tij, si edhe u theksuan konfliktet e shumta që kishin karakterizuar marrëdhënjet mes dy vendeve... 3)

Ndërkohë, Shqipërinë, e kish mbuluar zia.

Gratë u udhëzuan të mos vinin të kuq buzësh e dasmat, të shtyheshin për më vonë e të bëheshin pa muzikë. Pas vdekjes, kulti i diktatorit u bë më frenetik e gjer në absurditet ekstrem. Kështu, fill pas vdekjes, organizata e pionierëve, e ngritur sipas modelit sovjetik, u quajt Pionierët e Enverit. Pas saj, në 16 të çdo muaji tetor, ( që ish dita e tij e lindjes ) u iniciua lëvizja Java e Enverit. E, po në atë kuadër, Bashkimet Profesionale ( BPSH ), krijuan një titull të veçantë nderi për kolektivat e punonjësit e pararojës, i cili u quajt, Flamurtar i zbatimit e venjes në jetë të mësimeve të shokut Enver.

Në çdo anë të vendit, në qytete e fshatra, në çdo shkollë, uzinë, sheshe e lagje, nisën të shfaqen të ashtuquajturat Kende të Enverit.

Ato ishin edhe vendet ku do të vendosej Ikona e Shenjtë.

Regjimi po ngrinte kështu, totemet e Zotit të Ri.

Të shoqëruara kudo me stenda, parrulla, foto, slogane, nisma revolucionare e yje të mëdhenj prej betoni, të cilat mbanin mbishkrimin Enver Hoxha, 1908 - I pavdekshëm, ato u kthyen në chapelle-at e Perëndisë Enver. Por, zelli e veneracioni ndaj Zeusit, s'mbaruan me aq. Më pas, me vendim të posaçëm të KQ të Partisë, emri i Enverit iu dha njëherësh Hidrocentralit të Fierzës, Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, Universitetit Shtetëror të Tiranës e Uzinës Traktori.

Më 1986, nga vajza e dhendëri i vetë Enver Hoxhës, u hartua projekti, e në qendër të Tiranës, nisën punimet e ndërtimit të muzeut madhështor kushtuar Prijsit të Pavdekshëm. Vendi, i caktuar për atë qëllim u rrethua me murre, panele e ushtarë të armatosur.

Një inxhinjer, i cili punoi në ndërtimin e tij, rrëfen:

... Përse Nexhmija kish preferuar ndërtimin e një muzeu e jo të një mauzoleumi ? A kish qenë ai një " amanet" i Enverit apo vendim a zgjedhje e vetë Nexhmijes ? Ky qe vërtet mister. Për mendimin tim, ajo çka kish ndodhur në Bashkimin Sovjetik me trupin e ballsamosur të Stalinit, pa dyshim që do t'a kenë tunduar mjaft atë, duke e çuar rrjedhimisht në vendimin që, trupi i Enver Hoxhës s'duhej ballsamosur...

__________________________________________________
______________________

1-) -2) -3 ) Sipas gazetës "Le Monde", 13 prill 1985

- 8 -

... Natyrisht, aso kohe asaj, as që i shkonin ndër mend ngjarjet që do të ndodhnin pesë - gjashtë vjet më vonë, por përveç një farë dyshimi dhe në saje të traditës, ajo gjykonte se trupi i tij, si do që të vinin punët, do të ish më i mbrojtur në thellësi të tokës. ( ... ) Qysh në fillimin e ndërtimeve, shumë njerëz, kur panë projektin e tij, e quajtën atë " Piramida ". (Emër i cili ka mbetur edhe sot e kësaj dite )

... Për ndërmarjen e ndërtimeve 21 dhjetori, objekti u cilësua i rendësisë së veçantë. Punohej jo vetëm ditën po dhe natën nenë dritën e projektorëve. Për ndërtimin e tij, Partia s'i kurseu milonat e dollarëve, në një kohë kur rezervat valutore të vendit ishin fare minimale. Grupe teknikësh e inxhinjerësh, u dërguan në vende të ndryshme perëndimore për të porositur e blerë pa kursim, gjithëçka që nevojitej për madhështinë dhe luksin e " objektit "... 1)

Por, përpjekjet për mbajtjen gjallë të Enverit, vazhdonin pambarim. Më 16 tetor 1988, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij, në Shqipëri u përuruan tri statuja gjigande. Njëra në Korçë, ku ai paraqitej në moshë të re, kur ish profesor në liceun francez. Tjetra në Tiranë, në moshë më burrërore, me pardesy, kostum e gravatë. Dhe, e treta, në Gjirokastër, ulur, në moshë të thyer e duke medituar.

Më 1991, bashkë me rrëzimin e diktaturës, u shembën edhe idhujt e saj, të cilët shumëkush i quante eternelë. Piramida e ngritur në kujtim të Faraon - it të Tiranës, u kthye në Qendër Kulturore si për paradoks të faktit që, edhe Enver Hoxha i pat kthyer shumë kisha e xhami në shtëpi kulture e ahengu. Objekti i parë që u hap brënda saj qe, çuditërisht, një kafene e cila u rikujtonte njerëzve se, edhe i zoti i shtëpisë ( Faraoni ), e pat filluar karrierën e tij si pronar i një pijetoreje, po në Tiranë.

... Kësisoj, jeta e fundi i Enver Hoxhës, na japin shembëllin e përkryer të një tirani totalitar aq sa edhe Stalini e Hitleri. Ashtu si edhe mësuesi i tij i adhuruar Stalini, ai vdiq në shtrat e u quajt i pavdekshëm në jetë të jetëve, ndërsa mbi varrin e tij u vendos mbishkrimi tipik totalitar, Enver Hoxha 1908 - I pavdekshëm.

Pastaj, siç ka ndodhur rëndom me historitë e tiranëve, që nga kohë të cilat s'mbahen mend, erdhi një ditë që kufoma e tij u çvarros natën e u hodh në një gropë të varrezave të Sharrës, pa i venë as edhe një gur përsipër.

Përfundimisht, me bindje të plotë themi se, jeta prej despoti e Enver Hoxhës e meriton plotësisht si Epitaf, një maksimë të njohur të Makiavelit, në të cilën thuhet se:

... janë të denuar të dështojnë me turp, mallëkim e neveri gjithë ata njerëz që shkatërrojnë fetë e përmbysin shtetet. ( ... ) Gjithë armiqtë e talenteve dhe kurajos humane, të letërsisë e arteve të dobishme, të vlerave të nderuara nga qeniet njerëzore. ( ... ) Pra, shkurt, gjithë ata të cilët, në aktet dhe veprimet e tyre, karakterizohen nga paudhësitë, egërsia, dhuna, injoranca, ultësia e kotësia. 2)

__________________________________________________
___________________________________

1) Sipas rrëfimit të ing. B. B ( Tiranë 1991 )

2) Për fat të keq, aktualisht në Shqipëri, po ndodh një tentativë diskrete për rihabiltimin e diktatorit, e cila shpesh shoqërohet me mesazhe të tilla si: "... ishte Enveri ai që udhëhoqi luftën nacional - çlirimtare, qe ai i cili krijoi një shtet të vërtetë e me autoritet, që ushqeu e ngriti lart krenarinë kombëtare, që krijoi barazi mes shtetasve, qetësi në jetën e përditëshme etj". Ndërkohë, shumë nga ata që i përkasin brezave të shkuara, shpesh bien viktimë e kësaj propagande për të vetmen arsye se, denoncimin e diktatorit Enver Hoxha dhe epokës socialiste, e kanë përjetuar, ndër të tjera, edhe si një humbje të madhe të vetë jetës, punës e sakrificave të tyre.( Shenim i autorit )


 
Trego 10 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.