Forumi Horizont
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Arkiva (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=385)
-- Hakerët e mapave (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=11537)


Postuar nga amoxil datë 29 Prill 2006 - 04:44:

Hakerët e mapave

Arbën Xhaferri







Filozofi i njohur Erich Fromm (1900-1980) në analizat e tij filozofike sjell konkludime se kafshët për të mbijetuar udhëhiqen nga instiktet, që ua përkufizojnë atyre itinerarin jetësor dhe nga ana tjetër, njerëzit në mungesë të instikteve, për mbijetesë dhe orientim në jetë, në kohë dhe hapësirë shfrytëzojnë mapën, sistemin e vlerave, adhurimin e diçkaje. Adhurimi mund të shfaqet ndaj një figure, prej ari, prej guri, ndaj stërgjyshërve, ndaj një prijësi karizmatik a diabolik, ndaj një Zoti abstrakt, ndaj kombit, parasë etj. Mapa e sajuar nga vlerat ofron orientimin në jetë, ndërkaq adhurimi i diçkaje ofron intencën, orientimin drejt një pike. Pa këtë mapë, pa këtë strukturim të brendshëm të tablosë për botën dhe rolin e njeriut në të, sipas konstatimeve të Fromit qeniet njerëzore do të ishin konfuze dhe të paafta për të vepruar në mënyrë intentionale ( të qëllimshme) dhe koherente. Pa këtë mapë, ose pikëmbështetje jeta e njeriut do të dukej kaotike, prandaj edhe nëse mapa është e gabueshme, megjithatë ajo kryen një mision të rëndësishëm psikik në jetën e njeriut dhe të shoqërisë. Nuk ekziston asnjë rast gjatë historisë së njerëzimit që një shoqëri, apo një bashkësi, madje as edhe një individ të funksionojë pa mapë, pa atë sistem të vlerave që lehtëson orientimin në situata të ndryshme. Po ashtu Erich Fromm hedh idenë se adhurimi është burim i religjionit pa marrë parasysh se çka është objekti i adhurimit, Zoti si vlerë absolute apo nocione të ndryshme, si kombi, kultura, totemi etj. Në vijë të këtyre përsiatjeve, ai në mënyrë ingjenioze konstaton faktin e ekzistimit të religjionit sekret dhe të atij zyrtar: “Nëse njeriu e respekton pushtetin

derisa predikon religjionin e dashurisë, religjioni i pushtetit është religjioni i tij sekret, ndërkaq i ashtuquajturi religjion zyrtar, bie fjala krishterizmi shndërrohet në ideologji”. Populli shqiptar aktualisht ballafaqohet me paqartësinë e mapës së tij kulturore që krijon konfuzion në orientim në situata kritike që sajohen vetvetiu, meqë në këtë kohë të globalizimit, interaksioni kulturor dhr ndikimet nga jashtë janë intensifikuar. Për ta kuptuar mapën shqiptare duhet shtruar pyetjen: çka

është objekti i adhurimit të shqiptarëve?. Të paktën në Kosovë dhe në vise të tjera jashtë territorit të shtetit amë objekti i adhurimit është kombi. Të gjithë shqiptarët, e kam fjalën për ata që kanë kaluar në aksion, ata që u janë kundërvënë sistemeve represive, që me dhunë tentonin t’ua ndërrojnë mapën e tyre kulturore, t’i asimilojnë, orientim të vetëm kanë pasur interesin kombëtar. Të gjitha kryengritjet, të gjitha flijimet, të gjitha burgosjet dhe sakrificat e tjera janë bërë për shkak të mbrojtjes së këtij interesi. Nuk njihet asnjë rast të organizimeve ilegale të shqiptarëve apo

aksioneve të ndryshme të orientuara nga idetë religjioze, si bie fjala në Bosnje. Populli boshnjak e ka ndërtuar mapën e vet mbi premisat religjioze dhe në kuadër të këtij sistemi të vlerave, të këtij botëkuptimi ka vepruar dhe ka hasur në probleme me organet shtetërore që nuk kanë pranuar ide të tilla brenda sistemit komunist të vlerave. Prijësi karizmatik i boshnjakëve z. Alia Izetbejgoviç ra në burg për shkak të një broshure, “Deklaratës islamike” që binte në kundërshtim me vlerat komuniste të asaj kohe. Madje, ai në veprën e tij autobiografike, “Kujtimet” përshkruan takimet e tij në burg me të dënuarit politikë shqiptarë, të cilëve, në emër të interesave të përbashkëta islame u ofron përkrahje. Sipas z. Izetbejgoviç, të burgosurit shqiptarë e refuzojnë këtë lloj përkrahje për shkak të orientimit të tyre “ateist”, apo marksist- leninist siç thotë ai. Gjithsesi ata që e njohin historinë e popullit shqiptar lehtë do të vijnë në përfundim se ky pozicionim i veprimtarëve politikë shqiptarë nuk buron nga ideologjia marksiste-leniniste, por nga bindjet e tyre të thella kombëtare, nga ai

adhurim religjioz i kombit, nga ajo mapë kulturore që u ndërtua në kohën e rilindasve tanë. Sot shqiptarët janë ballafaquar me dy lloj rreziqesh: i pari rrezikon substancën fizike të tyre dhe buron nga projektet gjenocidale të sllavëve të jugut që synojnë likuidimin fizik dhe biologjik të shqiptarëve dhe i dyti që e rrezikon mapën kulturore, autentike shqiptare duke e zëvendësuar atë me një mapë tjetër, ideologjike a religjioze që e fut popullin shqiptar në konflikt të brendshëm dhe në konflik me faktorin global. Të shprehemi me gjuhën e informatikës, kanosja e parë është drejtuar kundër hard-ëarit shqiptar dhe tjetri kundër soft-ëarit apo mapës së tyre kulturore. Identiteti i një populli ndërtohet mbi mapën e tij kulturore. Shqiptarët shpesh janë ballafaquar me rreziqe të tilla që kanë synuar t’ua

shlyejnë mapën e tyre kombëtare dhe t’i integrojnë ata në mapa të huaja kulturore, ideologjike, religjioze apo kombëtare. Madje në letërsi, film apo në veprimtaritë e tjera kulturore janë ndërtuar figura, personazhe të pëlqyeshme shqiptarësh që nuk rezistojnë të integrohen në sistemin e ri të

vlerave. Shqiptarët e këtyre viseve ende e kujtojnë personazhin e filmave luftarakë jugosllavë me emrin Kapiten Lleshi (në interpretim të Aleksandar Gavriq-it), i cili, si komunist, me orientime projugosllave i ndiqte këmba-këmbës ballistët e “urryer”, i vriste duke e mbrojtur Jugosllavinë nga

ata. Ideologët jugosllavë ofronin kodin përmes të cilit do të krijoheshin kushte për integrim të shqiptarëve atipikë në sistemin e ri të vlerave, mirëpo kot, shqiptarët e kishin përfunduar procesin e vetëdijësimit kombëtar dhe kishin krijuar një distancë sanitare që parandalonte depërtimin e vlerave të huaja, kështu që sot Kapiten Lleshi nuk figuron më në kujtesën e tyre. Edhe pushtuesit e tjerë janë përpjekur që të ndërrojnë identitetin shqiptar duke e dënuar atë. Me pushtimin bullgar të Shkupit filluan persekutimet e shqiptarëve, përkatësisht të identitetit të tyre kombëtar. Pushtuesit si objekt dënimi e zgjodhën qeleshen e bardhë shqiptare. Ata, xhandarë e qytetarë, ku shihnin shqiptarë me qeleshe të bardha i rrihnin, i torturonin, madje dhe i vrisnin. Shkupjanët shqiptarë, duke pandehur se qeleshja është burim i rrezikut dhe jo identiteti i tyre filluan ta ndërrojnë atë, duke e zëvendësuar me një kësulë të zezë, të shëmtuar, si opozitë ekstreme e së bardhës, duke pritur kështu që të sosen vuajtjet e tyre. Edhe sot e kësaj dite, edhe pse bullgarët janë larguar, ata ende i

mbajnë këto qelesha të zeza si relike që përkujtojnë trysninë e egër mbi ta. Ndërrimi i qeleshes ka një peshë të jashtëzakonshme simbolike. Popujt e ndryshëm kur dëshirojnë të manifestojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore, pra të tregojnë se i takojnë një mape vlerash autentike e vënë

kapuçin e tyre. Çifutët, qofshin ata krijues, politikanë, sportistë janë më të displinuar në këtë drejtim. Kur ndërrohet kapuçi, veçmas kur ai zëvendësohet me një tjetër paralajmëron krizën e madhe të identitetit. Ndërrimi i kapuçit paralajmëron dëshpërimin në vetvete dhe orientimin drejt një mape të re kulturore. Kohët e fundit bota është e ballafaquar me polemika të ashpra, debate politike, kulturore dhe juridike lidhur me lejimin apo moslejimin e mbajtjes së shamisë nga ana e nxënësve myslimane nëpër shkolla apo në institucione të tjera zyrtare. Ekzistojnë dy lloje debatesh, debate në mes të të krishterëve dhe myslimanëve dhe mes vetë myslimanëve. Kjo fushatë ka kapluar edhe hapësirat shqiptare, ndonëse jo në mënyrë aq intensive. Hapja e polemikave të kësaj natyre tregon se mapa kulturore shqiptare e ka humbur qartësinë e saj. Simptomat e para janë treguar edhe më herët, kur pleqtë tanë pas kthimit nga haxhillëku i ndërronin qeleshet e tyre të bardha me të ashtuquajturat terllëqe turko-arabo-çifute, saqë ato sot dominojnë dhe krijojnë atë imazh oriental të shoqërisë shqiptare. Fenomeni i shamisë nuk ka qenë i panjohur në hapësirat shqiptare dhe nuk ka pse të trishtohemi nga kjo dukuri me të cilën madje jemi familjarizuar. Por është diçka tjetër që brengos: projekti politik që përuron simbole për t’i spikatur dallimet fetare. Me këto simbole nuk madhërohet besimi, por imponohet ndasia. Kjo intencë politike për krijim dhe manifestim të ndasive mbi baza religjioze nuk ka pasoja për popujt që në tërësi i takojnë një besimi, por krijojnë kontradikta me pasoja shumë të rrezikshme konfliktuale për popujt që kanë besime të ndryshme, siç është populli shqiptar. Kjo mani që krijon shamia është projekt i pastër politik që manifestohet në tri faza: në atë të parën krijohet shoku, befasia nga risia që në opinion paralajmërohet si simbol ideologjik-religjioz. Duhet theksuar se përurimi i shokut është i inskenuar. Zgjidhen institucione atraktive, si Parlamenti ku një deputete për herë të parë shfaqet me shami (rasti i Parlamentit turk). Në fazën e dytë kjo befasi shokante vetvetiu hap debatin lidhur me të drejtat e njeriut, të tolerancës fetare e kështu me radhë që krijon kontestin dhe ngrit relevancën politike të inskenuesve të shokut që paralajm ron ndasinë. Në fazën e tretë krijohet antagonizmi: ne dhe ata. Mbrojtësit e shamisë, që grupohen në kategorinë “ne”, parapëlqejnë të jenë viktima, ndërkaq “ata”, si regjimi francez janë “satrapët” që dhunojnë të drejtat e njeriut. Përmes një simboli, shamisë, që karakterizon një mapë kulturore inagurohen projekte politike që nxisin antagonizma të rrezikshme për shoqëritë multikonfesionale siç është shoqëria shqiptare. Projekti, në të parë duket beninj, i parrezikshëm, por në thelb kanosës për identitetin kombëtar. Ashtu si ideologjia komuniste ashtu edhe ajo islame

(pra bëhet fjalë për ideologji e jo për religjion ) kanë tentuar t’i rrënojnë identitetet kombëtare duke ofruar shkrirjen në një identitet universal, që ishte paravan pas të cilit fshiheshin interesat, dikur të sllavëve apo sot të arabëve. Populli shqiptar në një kohë të gjatë po zhvillon beteja me këta hakerë klasikë a modernë që synojnë ta ndërrojnë identitetin e tyre kombëtar, duke imponuar orientime religjioze apo politike. Sot e kësaj dite qarkullojnë ide për krijimin e identitetit të ri mbi baza politike që e personifikuam me figurën e integralistit filmor Kapiten Lleshi, krahas atyre për ripërkufizim të identitetit mbi baza religjioze, ku terllëku ia zë vendin kapuçit të bardhë, apo përdorimi insistues i shamisë në institucionet laike shtetërore. Të mos harrojmë dukurinë e dhënies së emrave dhe mënyrave të përshëndetjes. Kur u bë i famshëm Gamal Abdel Naseri, një nacionalist arab, shoku i ngushtë i Titos, aspak religjioz dhe shumë antishqiptar, disa nga prindërit tanë, me mapa të dëmtuara i pagëzuan fëmijët e vet me emrin e tij: NASER. Këto projekte që instalojnë konfliktin, polarizimin në vete nuk ngërthejnë asnjë interes religjioz, por thjesht kanë të bëjnë me tendencat për ekspandim të vlerave, të mapave të ndryshme kombëtare, kulturore, qytetëruese. Sot, megjithatë nga burime të ndryshme imponohet ideja e konfrontimit planetar mbi baza religjioze përkundër faktit real se vetë religjionet nuk përmbajnë mesazhe konfliktuale. Por, prej nga burojnë këto politika konfliktuale? Është një fakt i pamohueshëm se mapa perëndimore depërton lehtazi në gjithë rruzullin tokësor në sajë të teknologjisë së përsosur, produkteve cilësore, organizimit shoqëror që i garanton të drejtat e njeriut dhe funksionimin e shtetit ligjor. Ky është një proces i pandalshëm dhe i pakontrollueshëm. Këto vlera, ç’është e vërteta nuk janë aspak religjioze. Ky depërtim kaq i lehtë i këtyre vlerave në kultura të tjera krijon nervozizëm dhe fustracion te elitat e popujve të ndryshëm që përfundojnë me reagime të natyrave të ndryshme. Dikush hedh idenë që të mos festohet dita e Shën Valentini e dikush hedh bomba. Reagimet më ekstreme vijnë nga disa qarqe arabe. Shumë

intelektualë, krijues, politikanë dhe demagogë ngrejnë zërin kundër këtyre formave të transplantimit të vlerave, mirëpo të vetëdijshëm se nuk mund të fitojnë betejën në fushën e teknologjisë, politikës, jurispondencës, demokracisë etj. prej nga lançohen këto vlera, e bartin garën në fushën e religjionit, ku retorikat, imagjinatat bëjnë më shumë punë sesa faktet. Logjika është e thjeshtë: ofrohet largimi nga terreni ku maten fenomenet, në një terren ku fenomenet janë të pamatshme, pra ofrohet ideja se nuk ka kurrfarë rëndësie nëse teknologjia perëndimore është shumë më e avacuar, ashtu si shoqëritë e tyre demokratike, por është me rëndësi se Zoti ynë, feja jonë, mapa jonë religjioze ( në fakt kulturore) është më superiore sesa Zoti i tyre, me çka sërish përurohet politeizmi. Një betejë e humbur teknologjike dhe shoqërore synohet të shndërrohet në fitore absolute përmes bartjes së krahasimit në fushën religjionit, ku vlejnë rregulla të tjera shumë intime, subjektive dhe të pamundura që të objektivizohen. Ky krijim artificial i antagonizmave në mes të krishterizmit dhe islamit, që nxitet

nga interesat banale politike apo frustracionet psikike të disa qarqeve, nga ajo mendësi irracionale antioksidentale nuk do të ngadhnjejë, por do të krijojë viktima të kota tragjike në periferi të shoqërive të ashtuquajtura islamike që kufizohen me ato krishtere. Ky antagonizëm nuk i ka rrënjët e veta në Perëndim, por në Lindje. Qytetërimi perëndimor ka hequr dorë nga nxitja e këtij lloji të antagonizmit që në kohën e kryqëzatave. Siç dihet logjikën e kryqëzatave, perëndimorët e zëvendësuan me atë të renesansës, humanizmit, iluminizmit dhe liberalizmit. Pra, krijimi i anatagonizmave fetarë është projekt politik që mëton të realizohet duke krijuar çdo ditë simbole të reja identifikuese përmes të cilave ndërtohet ndasia rigjide mes religjioneve. Këto ndasi planetare i zvetnojnë mapat kombëtare, në rastin konkret, atë shqiptare. Individë të ndryshëm, duke qenë të bindur se këto antagonizma janë sakrale, pa vetëdije i bashkangjiten këtij procesi artificial polarizues mbi baza fetare dhe bëhen bartës, avoketër të këtij projekti të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për ardhmërinë e popullit shqiptar. Është e dhimbshme kur ballafaqohesh me faktin se në mesin e këtyre avoketërve has në emra të respektuar në fushën e krijimtarisë, shkrimtarë, historianë, publicistë etj. Hakerët modernë që punojnë me projektin e ndërrimit të mapës kulturore shqiptare dhe zëvendësimin e saj me një mapë tjetër nuk perceptohen si të huaj, ngaqë fshihen prapa koncepteve religjioze dhe në emër të Zotit, përkatësisht në emër të keqpërdorimit blasfemik të Zotit i shkaktojnë dëme të pariparueshme popullit shqiptar duke e futur atë në konfikt me vetveten dhe me faktorët globalë që determinojnë të gjitha proceset teknologjike, financiare, historike, etj në botë.


marr nga http://www.balkancentre.org


Postuar nga RAIMONDI datë 06 Gusht 2007 - 02:42:

-------------Amoxil ky artikull esht shume i bukur ,te pyes ty ,cila eshte zgjidhja juaj ne kete rast?  ---ti si mendon ???/


 
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.