Forumi Horizont | Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Arkiva (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=309)
-- Kamarieri dënohet me 3.4 vjet për dy cigare hashash (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=11103)
Kamarieri dënohet me 3.4 vjet për dy cigare hashash
Kamarieri dënohet me 3.4 vjet për dy cigare hashash
Flamur Vezaj
**** Prokuroria kërkoi lirimin me kusht për Ilir Doracin, por gjykata e dënoi atë me 3.4 vjet burg për cigaret e hashashit
TIRANË- Jo të gjitha veprat penale, të cilat kryhen nga individë të ndryshëm mund të dënohen me burgim nga gjykata. Kështu deklaroi para disa ditësh, ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, pas një mbledhjeje me ekspertët juridikë të Këshillit të Evropës, të cilët diskutuan për mundësinë e futjes së dënimeve alternative në Kodin Penal. Sipas ministrit Bumçi, me futjen e dënimeve alternative mund të përfitojnë vetëm ata persona që kanë kryer vepra penale të lehta dhe që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore. Por për ironi të fatit, 34-vjeçari Ilir Doraci është lënë për 3 vjet e 4 muaj në burg, edhe pas kërkesës së organit të akuzës që të lirohet me kusht për dy vitet e ardhshme. Shkaku që e la Doracin për 3-vjet e 4 muaj në burg ishin dy cigare hashash, të cilët babai i një fëmije i kishte për përdorim vetjak. Këtë fakt, jo vetëm që e pranoi i dënuari para gjykatës, por ky fakt u konstatua edhe në akt -ekspertimin e bërë nga organi i akuzës gjatë vitit të kaluar, ku ekspertët vërtetuan se kamarieri i një lokali në zonën e “ish-Bllokut” është përdorues i cigareve të hashashit.
Vendimi
Në konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës, prokurori i çështjes, Ervin Karanxha, pas leximit të fabulës së akuzës, renditi para togave të zeza një mori faktesh që i lehtësojnë të pandehurit sadopak akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Ai i kërkoi gjykatës, që në caktimin e masës së dënimit t’i ketë parasysh disa rrethana, që mendohej se do t’i shërbenin caktimit të një dënimi alternativ, pasi vetë i pandehuri ka shprehur pendesën për veprën penale, moshën e re të tij dhe faktin që më parë nuk ka qenë i dënuar për vepra të ndryshme penale. Prokuroria kërkoi nga togat e zeza që 34-vjeçarit Ilir Doraci t’i pezullohet ekzekutimi i dënimit me burg dhe vënien e tij në provë për një periudhë dyvjeçare, pasi ishte kapur me hashash, për të cilën ekspertiza vërtetoi se e përdorte vetë. Ndërkohë, avokatja e tij mbrojtëse, Vjollca Pustina, në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata që për klientin e saj të merren parasysh rrethanat lehtësuese, pasi sipas saj dy cigaret e kapura gjatë arrestimit janë shfrytëzuar për përdorim vetjak dhe se i arrestuari kishte shprehur pendesë për vepren penale. Por përkundër kërkesës së prokurorisë, togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, pas tërheqjes për vendim vendosën të dënojnë 34-vjeçarin Ilir Doraci me 5-vjet burg, por me pranimin e gjykimit të shkurtuar atij i mbeten për të vuajtur 3-vjet e 4 muaj heqje lirie, me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Akuza
Sipas organit të akuzës, mbrëmjen e 2 dhjetorit të vitit të kaluar, forcat e policisë së seksionit të luftës kundër drogës, në një kontroll të ushtruar përballë dy lokaleve në zonën e Bllokut kanë arrestuar në flagrancë kamarierin e njërit prej këtyre lokaleve, gjatë kohës që ky i fundit po shkëmbente cigare hashashi me një person tjetër me inicialet Xh.Xh. Dy të dyshuarit u arrestuan dhe u shoqëruan në komisariat, ku më pas Xh.Xh. u lirua, pasi rezultoi se ishte përdorues hashashi. Ndërsa mbi 34-vjeçarin u ngrit akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, pasi i arrestuari tjetër që më pas u la i lirë, Xh.Xh. deklaroi se kishte marrë edhe dy herë të tjera, cigare hashashi tek kamarieri Doraci. Ndërkaq, edhe ky person rezultoi se ishte përdorues i hashashit, por gjykata, ndryshe nga raste të tjera ku trafikantë të drogave të rënda dënohen po kaq, ka vendosur të lërë për 3 vjet e 4 muaj në burg 34-vjeçarin Doraci.
05/03/2006 ( Shekulli )
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.