Forumi Horizont | Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Lushnja (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2268)
KS. Lushnja
Humbja katastrofike me Tiranën për të gjithë të pranishmit në shkallët e stadiumit "Tomori" ka qenë pasqyrë e asaj çka dhanë në fushë lushnjarët e "tjetërsuar" të rumunit Cikleanu. Kështu mendojnë të gjithë futbolldashësit e këtij ekipi, të cilët nuk e prisnin këtë humbje kaq të thellë të ekipit të tyre, aq më tepër me një lojë kaq zhgënjyese. Pa mohuar vlerat e kampionëve, nga ekipi verdhjeshil nuk u pa asnjë shenjë dëshire për lojë. Madje, nga burime jo të sigurta brenda klubit, mësohet me keqardhje se, pa nisur mirë kampionati, në kampin lushnjar mund të ketë probleme të brendshme, që kanë të bëjnë me cenimin e hierarkisë së lojtarëve puro-lushnjarë. Ky ka qenë edhe mendimi i trajnerit rumun Aurel Cikleanu, kur, në pushim të pjesës së parë dhe në përfundim të ndshjes, u ka shprehur lojtarëve pakënaqësitë dhe rezervat e tij. Ndërkohë, befasuese ka qenë për tifozllëkun lushnjar përfshirja e portierit rumun Enea në 11-shen e parë, që Cikleanu hodhi në fushën e lojës kundër bardhebluve. Kjo, për arsyen e thjeshtë se në të gjitha takimet përgatitore (përveç atij kundër Tomorit) në portë është aktivizuar i mirënjohuri Hektor Prençe. Këtë habi e ka shtuar edhe paraqitja mjaft e dobët dhe aspak profesionale e portierit rumun. Kësisoj, pritet me interes analiza e kësaj ndeshjeje, që do të zhvillohet ditën e sotme në sallën e tribunës së "Roza Haxhiut". Në këtë takim, trajneri Cikleanu pritet të shfaqë mendimet dhe qëndrimin e tij në lidhje me të ardhmen. Problemet e brendshme në ekipin lushnjar kanë qenë një gangrenë më vete këto vitet e fundit. Madje, ato kanë ndikuar jo pak në ecurinë e këtij ekipi. Mendohej se fryma profesionale dhe disiplina e trajnerit Cikleanu do të ishte ilaçi më i mirë për shërimin e kësaj "sëmundjeje me rrënjë të thella" në gjirin e këtij ekipi.
Mesfushori kavajas premton se Lushnja do të jetë krejtësisht ndryshe në javët e ardhshme
Bardhi: Duhet ta gjejmë shpejt golin
Kur ka kaluar një javë nga humbja me Partizanin, ekipi i Lushnjës i ka mbyllur seancat stërvitore të javës së kaluar me një ngarkesë më të lehtë në krahasim me ato paraardhëse. Në përfundim të stërvitjes së fundit ne i morëm një mendim mesfushorit të qendrës të formacionit lushnjar, kavajasit Ervin Bardhi.
"Nga mënyra se si luajtëm ndaj Partizanit, Lushnja nuk duhet të kishte dalë pa pikë nga ajo ndeshje." Kështu është shprehur mesfushori shkatërrues i Lushnjës. Ai pohon se rastet e shumta të humbura në këtë ndeshje ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin që u arrit. Në vazhdim të deklaratës së tij Bardhi ka thënë: "Lojën tonë të mirë e konkretizuam me krijimin e shumë rasteve, të cilat fatkeqësisht nuk u shfrytëzuan si duhet".
Ky problem e ka shqetësuar jo pak stafin e skuadrës myzeqare, e cila ka aplikuar për këtë qëllim stërvitje speciale, ku kryesisht është punuar me sulmuesit dhe mesfushorët e ekipit. Këtë shqetësim e shpreh edhe mesfushori potent i Lushnjës kur thotë: "Problemi ynë është se duhet të dalim sa më shpejt te goli. Me sa kam dëgjuar nga lojtarët që kanë luajtur edhe vjet me Lushnjën, problemi i vazhdueshëm i mosfinalizimit ka qenë një nga arsyet që e çoi këtë ekip në ndeshjen e play-off-it me Apoloninë. Por sivjet punët janë ndryshe. Trajneri Cikleanu po bën ndërhyrjet e duhura taktike që ky fenomen të minimizohet maksimalisht. Me Partizanin luajtëm bukur dhe harxhuam shumë energji, duke humbur shumë raste, ndërsa kundërshtari i shfrytëzoi shumë bukur rastet që iu krijuan. Nëse do të vazhdojmë të luajmë mirë dhe të humbasim raste, kjo do të jetë fatale për ne".
Ndërkohë, Bardhi gjen kurajon t'i kërkojë falje publikut të zhgënjyer lushnjar për dy humbjet në këtë fillim të kampionatit. Ai, edhe në emër të lojtarëve të tjerë, u premton atyre se shumë shpejt do të jenë krejt ndryshe. Këtë premtim mesfushori i lagunarëve e argumenton kur thotë: "Mundësitë financiare janë. Baza dhe elementi ekzistojnë dhe në këtë ndërprerje kampionati kemi shansin për të ndryshuar diçka. Duke u bazuar në profesionalizmin drejtues të trajnerëve tanë dhe në mbështetjen e padiskutueshme të presidentit tonë, ne kemi krijuar besimin se brenda një kohe të shkurtër do të përmbysim gjithçka të keqe. Shumë shpejt do të rikthehemi në lojërat tona cilësore të shoqëruara me rezultate pozitive." Kështu e përfundon deklaratën e tij për "Sportin Shqiptar" kavajasi i palodhur i Lushnjës, Ervin Bardhi.
Lushnja barazon pa gola me Tomorin
Ka përfunduar 0-0 miqësorja mes ekipit lushnjar dhe atij beratas, që do të luajë në Grupin A2. Gjithsesi, me plot gojën, barazimi pa gola mund të quhet humbje për "lagunarët". Kjo, jo vetëm për arsyen se luanin me një ekip "inferior", por edhe pse loja e verdhejeshilëve nuk u ngjit asnjëherë në nivein e pritur. Edhe lëvizjet e shumta të lojtarëve në fushë që aplikoi rumuni Cikleanu, i cili luajti me skemën 3-4-1-2, nuk dhanë rezultatet që trajneri i Lushnjës priste. Në miqësoren e së shtunës, trajneri Cikleanu rreshtoi në fushë këta lojtarë: në portë Prençe; në mbrojtje Vrapi nga e majta, Bika në qendër dhe Dhima nga e djathta; përpara 3 mbrojtësve, Cikleanu vuri 4 mesfushorë, ku nga e majta u aktivizua për herë të parë në këtë rol mbrojtësi titullar Hasalla, në qendër Bardhi dhe Kadiu, nga e djathta titullari tjetër lushnjar Gazheli. Në një rol krejt të ri u aktivizua braziliani Zheraldinjo, i cili, si sulmues i fshehtë, duhej t'u bashkangjitej dy sulmuesve të deklaruar, Nora dhe Sorin.
Malko në pritje të "rehabilitimit"
Ndërkohë që ekipi lushnjar nuk po gjen vetveten, në sytë e tifozerisë lushnjare ka bërë përshtypje mungesa në seancat stërvitore e "legjendarit" Sajmir Malko. Idhulli i tifozerisë lushnjare i ka munguar ekipit që nga data 24 gusht, pra, 24 orë pas ndeshjes me Tiranën, kur lushnjarët, në një ballafaqim të turpshëm, janë mundur nga kampionët në fuqi me rezultatin e thellë 6-0. Për këtë mungesë të titullarit Malko nuk ka pasur asnjë prononcim nga kampi lushnjar, si dhe nga vetë futbollisti, i cili nuk ka pranuar të flasë për shtypin. Nga burime të pakonfirmuara, flitet se titullari Sajmir Malko ka shërbyer si "kokë turku" për atë paraqitje të dobët të verdhejeshilëve me Tiranën. Ndërkohë, tifozeria lushnjare është e ndërgjegjshme për lojën e dobët të kapitenit Malko në atë takim, ashtu siç është shumë e bindur se në mendjen e tij nuk ka pasur asgjë të qëllimshme. Ndaj, në qarqet futbolldashëse të qytetit myzeqar mirëpritet me padurim "rehabilitimi" i idhullit të tyre, Sajmir Malko, nga drejtuesit e klubit të Lushnjës.
Njëri nga titullarët lushnjarë analizon humbjen e skuadrës së tij ndaj Teutës
Gazheli: Lushnja duhet të ndërrojë "fytyrë"
Loja që zhvilloi Lushnja të shtunën, në stadiumin "Niko Dovana" të të Durrësit, i ka lënë të pakënaqur të gjithë fansët e verdhejeshilëve, që ishin të shumtë në numër, për ta ndjekur këtë takim. Askush prej tyre nuk e priste një humbje të tillë të skuadrës myzeqare. Gjatë ditëve të pragndeshjes, kampi "lagunar" dukej mjaft optimist për sfidën me Teutën. Kjo për faktin se, pas paraqitjes së dobët të lushnjarëve në javën e parë ndaj Tiranës, loja e tyre në vazhdim erdhi në rritje. Madje,. skuadra e Cikleanut vinte në këtë ndeshje me moral të ngritur, sepse kishte fituar një javë më parë ndaj Flamurtarit të Vlorës. Mirëpo gjithçka foli kundër Lushnjës në ballafaqimin e javës së katërt të kampionatit, ndaj Teutës. Loja e saj la mjaft për të dëshiruar, sidomos në pjesën e dytë. "Duhet të shfaqim një fytyrë tjetër, sa më shpejt, - ka thënë pas ndeshjes me Teutën titullari i formacionit lushnjar, Judmir Gazheli. - Duhet të mësojmë të luajmë futboll 90 minuta dhe jo vetëm një pjesë loje, siç bëmë në Durrës. Ne krijojmë volum loje, por, fatkeqësisht, nuk i shfrytëzojmë rastet, që në ndeshjen me Teutën i patëm me shumicë. Luajmë shumë bukur 60 minuta, por harrojmë një gjë themelore, se duhet të luajmë me të njejtin ritëm, gjatë gjithë ndeshjes. Sidoqoftë, në Durrës na është ngrënë edhe haku. Mosdhënia e një penalltie flagrante nga ana e gjyqtarit të takimit në favorin tonë na ndëshkoi jo pak. Po kështu, edhe nxjerrja me karton të kuq e qendërmbrojtësit Bika pati ndikimin e saj në këtë ndeshje." Më tej, mbrojtësi energjik i Lushnjës gjykon: "E kemi dominuar totalisht pjesën e parë të këtij takimi. Në 45 minutat e para të ndeshjes e kemi mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushën e tij. Këtë epërsi tonën e shoqëruam edhe me shumë raste të pastra për shënim që, fakteqësisht, nuk u shfrytëzuan si duhet nga Kadiu dhe rumuni Kornea. Ky i fundit humbi një rast ideal shënimi, në kohën kur rezultati ishte 0-0. Sikurse dihet, futbolli ka një ligj të pashkruar: po nuk shënove, do të pësosh."
Duke u thelluar në analizën e kësaj ndeshjeje të humbur, Gazheli dëshiron t'i rikthehet edhe një herë tjetër mohimit të një penalltie në favor të skuadrës së tij: "Mosdhënia e penalltisë nga gjyqtari i takimit ndikoi për keq në psikologjinë tonë. Pas këtij momenti, ne u bëmë shumë nervozë në veprimet taktike. Humbëm qetësinë dhe krijuam mjaft të çara në mbrojtjen tonë, çka solli edhe pësimin e golit të parë. Në minutat e mbetura nuk gjetëm forca për ta kaluar këtë moment të keq, por i dhamë mundësi kundërshtarit që të merrte frenat e lojës. Pas daljes me karton të kuq (pas dy të verdhave) të qendërmbrojtësit tonë Bika, ne kapitulluam plotësisht. Për rrjedhojë, pësuam edhe golin e dytë, në minutat e fundit të këtij takimi." Përveç moskonkretizimit të rasteve të krijuara, Gazheli evidenton si defekt kryesor në lojën e skuadrës së tij edhe mungesën e psikologjisë së fituesit, për t'u bërë ballë me sukses situatave të disfavorshme që krijohen gjatë 90 minutave. Duke e përfunduar mendimin e tij për takimin e së shtunës, ndaj Teutës, Gazheli nënvizon: "Së pari, duhet të korrigjohemi sa nuk është vonë, në mënyrë që të rifitojmë besimin e humbur të tifozerisë sonë të mrekullueshme. Edhe në ndeshjen me Teutën, ata na përkrahën fuqimisht, por ne i zhgënjyem."
Humbja me Besën dhe rezultatet negative të "lagunarëve" mund t'i "hanë" kokën trajnerit Cikleanu
Lushnja, sot dita e gjykimit
Lushnja regjistroi humbjen e 4-t në këto 5 javë kampionat. Këtë herë, "lagunarët" humbën përballë Besës, që as vetë nuk e kishte parashikuar një fitore kaq të lehtë. Lushnjarët kanë luajtur bukur në pjesën më të madhe të këtij takimi, por kjo nuk ka mjaftuar, qoftë edhe për të marrë një barazim "ngushëllues" përballë Besës së Faruk Sejdinit. Pësimi i shpejtë i golit i detyroi lushnjarët ta rrisin presionin ndaj kundërshtarit. Madje ata krijuan shumë raste për shënim. Mirëpo, si për forcë zakoni, sulmuesit Nora, Kornea, Byzhyti, duke shtuar këtu edhe mesfushorët Gazheli e Kadiu, nuk kanë arritur të finalizojnë. Vetë trajneri rumun i Lushnjës, Aurel Cikleanu, do të thoshte pas ndeshjes: "Luajtëm mirë, por nuk arritëm të merrnim maksimumin e asaj që kishim përgatitur gjatë javës në stërvitje. Megjithëse kemi punuar mjaft, edhe në mënyrë të diferencuar me disa lojtarë, për konkludimin, përsëri jemi penalizuar nga humbja e shumë rasteve për shënim." Ndërkohë, mjaft të tensionuar janë shfaqur pas përfundimit të këtij takimi drejtuesit e klubit lushnjar, të cilët kanë mbetur mjaft të pakënaqur nga rezultati përfundimtar i ndeshjes me Besën. Humbjet në trasfertë, duke shtuar këtu edhe humbjet në fushën e tyre, tregojnë se vazhdimësia e verdhejeshilëve po shkon drejt rrezikimit të qëndrimit në A1. Një gjë e tillë nuk është në sinkron me pretendimet e fillimit të këtij kampionati, apo me ndryshimet e bëra në skuadër nga drejtuesit e këtij klubi. Ndërkohë, "thashethemet" e kafeneve të frekuentuara nga tifozeria lushnjare, një ditë pas humbjes me Besën, paralajmërojnë një dorëheqje të mundshme të Cikleanut. Gjithashtu, nuk mungojnë zërat, gjithmonë të pakonfirmuar, për një shkarkim të tij nga drejtuesit lushnjarë. Së fundi, nuk ka munguar edhe mendimi i disa futbollistëve titullarë të Lushnjës, si Gazheli, Hasalla apo Endri Vrapi, të cilët janë për vazhdimësinë e trajnerit të tyre, duke e mbështetur këtë në konsolidimin me vonesë të ekipit, për shkak të ndryshimeve të shumta që janë kryer në përbërjen e tij. Ky kontigjent lojtarësh shpreh keqardhjen për mosdaljen nga kriza e rezultateve negative dhe njëherazi shpreh bindjen se momenti i kthesës nuk do të vonojë. Gjithsesi, në mjediset futbolldashëse të këtij qyteti pritet me padurim dita e sotme, kur do të zhvillohet një analizë mes stafit presidencial të "lagunarëve" dhe stafit teknik të skuadrës e futbollistëve. Kësaj here, në "bankën e të akuzuarve" do të jenë futbollistët dhe dy trajnerët, Cikleanu dhe Canaj.
Drejtuesit e klubit lushnjar vazhdojnë t'i besojnë trajnerit rumun të skuadrës së tyre
Lushnja "ribekon" Cikleanun
Ashtu siç pritej, klubi lushnjar i futbollit ka zhvilluar dje analizën e ndeshjes së fundit të kampionatit me Besën. Sikurse dihet, "lagunarët" e kanë humbur këtë sfidë, duke e ndërlikuar mjaft pozitën e tyre në tabelën e renditjes. Madje menjëherë pas ndeshjes me kavajasit, drejtuesit e lartë të klubit verdhejeshil nuk ngurruan të paralajmëronin për masa drastike ndëshkimore. Gjithçka pritej të ndodhte në analizën e djeshme, ku do të gjykohej më konkretisht humbja me Besën. Mirëpo nuk ka pasur ndonjë "krasitje", siç mendohej, as në stafin teknik të skuadrës, as në kontigjentin e futbollistëve. Janë marrë vetëm disa masa ndëshkimore, kryesisht gjoba me lekë. Konkretisht, është vendosur që t'u mbahet gjysma e rrogës mujore të gjithë futbollistëve për rezultatet e dobëta të javëve të fundit në kampionat. Gjithashtu, atyre u është vënë një kusht për ndeshjet në vazhdim. Sipas vendimit të djeshëm të kryesisë së klubit, në tri ndeshjet e ardhshme, ku përfshihet ndeshja e kupës dhe dy ndeshjet vijuese të kampionatit, duhet fituar patjetër. Në të kundërt, do të ketë të tjera masa ndëshkimore për lojtarët, deri në përjashtim të ndonjërit nga skuadra. Po dje, në analizën e radhës, pas humbjes me Besën, është vendosur që të pezullohet sekretari i klubit, Agim Mone. Shkaku i këtij pezullimi nuk është konfirmuar në analizë, por vetëm sa është komunikuar si vendim. Vetë trajneri Cikleanu ka bërë një analizë të përgjithshme të ecurisë së skuadrës, duke nxjerrë si konkluzion se mundësitë e skuadrës që drejton janë për më shumë. Ai ka thënë se është tërësisht i habitur sesi nuk po del ekipi në lojën e vet.
Myzeqarët frenohen nga të fundit e kampionatit në fushën asnjanëse të Beratit
Takimi Lushnja-Shkumbini, luajtur dje në Berat, nuk shënoi asgjë të re për lushnjarët, por solli një pikë të çmuar për peqinasit "e mbytur" në fundin e tabelës së klasifikimit. Peqinasit, me shumë sakrifica, mundën të marrin 1 pikë ndaj lushnjarëve me pretendime në këtë takim. Paralajmërimi i trajnerit Cikleanu se "i mbyturi të mbyt", në njëfarë mase doli i vërtetë. Lushnjarët me Norën, Gazhelin e Zheraldinjon, u treguan të pavëmendshëm, ndërkohë që peqinasit e administruan mirë lojën në mbrojtje. Në ato raste që u krijuan, peqinasit u treguan të rrezikshëm, por nuk arritën dot të shënojnë. Pjesa e parë, e mbylllur 0-0, u dha më shumë besim peqinasve, të cilët pjesën e dytë e filluan në një terren të rënduar nga shiu i vazhdueshëm. Rastet e të dyja skuadrave u shpërdoruan dhe loja doli jashtë kontrollit të trajnerëve respektivë. Këtë e vërteton edhe numri i kartonëve të verdhë, që shkoi në pesë. Gjithsesi, Lushnja në këtë takim "u mbyt nga i mbyturi", ndërkohë që Shkumbini fshin nga tabela shifrën e bardhë "0", duke marrë 1 pikë mjaft të vlefshme, të parën në këtë kampionat.
Të veçanta
- Pjesa e dytë e ndeshjes u zhvillua nën një shi të dendur, që e pengoi mjaft lojën e të dyja skuadrave.
- Në stadiumin e Beratit binte në sy mungesa e tifozëve. Vetëm në tribunë qendrore pati disa tifozë beratas, të cilësuar "vipa" të sportit.
Thanë pas ndeshjes:
Aurel Cikleanu, trajner i Lushnjës:
"E kisha paralajmëruar ekipin për rrezikshmërinë e kësaj ndeshjeje. Dhe në fakt kështu ndodhi. Duhet të kishim fituar patjetër. Barazimi për ne është humbje. Ndeshja me Shkumbini tregoi se Lushnja ka ende punë për të bërë."
Luan Deliu, trajner i Shkumbinit:
"Ky barazim na jep kurajo. Po të ishim më të kujdesshëm, edhe mund ta kishim fituar ndeshjen. Po na mundon shumë shënimi i golit."
Kornea: Nuk duhet humbur gjakftohtësia
Lushnja i vijon normalisht përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat. Përveç kavajasit Bardhi, i cili është i dëmtuar në kaviljen e djathtë, i gjithë kontigjenti i futbollistëve verdhejeshil është në dispozicion të dy trajnerëve, Cikleanu dhe Canaj. Në bisedat që shkëmbyem me disa lojtarë të Lushnjës, pas mbarimit të seancës së djeshme stërvitore, binte në sy optimizmi për një paraqitje të mirë ndaj Elbasanit dhe në vazhdimësi. Njëri prej tyre, rumuni i sulmit të Lushnjës, Sorin Kornea, i cili, së bashku me Norën, Kadiun apo ndonjë tjetër, mban mbi supe peshën e fajit për humbjen e sa e sa rasteve të pastra për shënim, mendon se nuk duhet humbur gjakftohtësia në një situatë të tillë. "Për të dalë nga kjo situatë jo fort e mirë e skuadrës, duhet të tregohemi të qetë," - thotë rumuni. Sorin Kornea po luan sezonin e tij të parë në Shqipëri. Në përgjithësi ka dhuruar lojëra të mira, si sulmues, por nuk ka qenë i tillë në finalizimet e aksioneve, duke mos e ndihmuar Lushnjën me shënimin e golave. "Nuk është gjë e mirë të fiksohesh në momentet e këqia dhe të humbasësh mendjen, - shton Sorin Kornea. - Nga nervat, lojtari mund të shkojë deri në atë pikë sa të mos besojë më në aftësitë e tij. Prandaj, po përpiqem ta evitoj këtë gjë." Megjithëse ka lënë përshtypje të mira në takimet miqësore të zhvilluara në përgatitoren para kampionatit, ku ka shënuar shumë gola, rumuni i sulmit lushnjar nuk ka arritur ta tregojë veten në kampionat. Sidoqoftë ai nuk dorëzohet. "Çdo skuadër, ashtu si çdo futbollist, ka momentet e veta të këqija. Kështu po ndodh edhe me ne. Po përpiqemi të gjejmë formën tonë më të mirë, në drejtim të finalizimit të aksioneve. Them se kemi aritur diçka në këtë drejtim. Shpresoj ta tregojmë veten që në ndeshjen e ardhshme me Elbasanin," - shprehet më tej rumuni. Ndërkohë, mendimeve për afrimin e ndonjë sulmuesi më produktiv te Lushnja, Kornea i përgjigjet qetë: "Çfarë t'iu them unë, le ta kërkojnë. Lojtarët më të mirë gjithmonë janë të mirëpritur. Mirëpo, unë i mbetem besnik mendimit tim se shumë shpejt, bashkë me Norën, do të kapim formën tonë më të mirë dhe do të shënojmë shumë gola për Lushnjën."
Lushnja, kthesa mban emrin Canaj
Në Berat, lagunarët fitojnë 2-1 ndaj Vllaznisë, duke ëmbëlsuar debutimin e trajnerit
Lushnja-Vllaznia 2-1
Lushnja
Premçe 6
Vrapi 6
Hasalla 6
Gazheli 6
Bardhi 6
Kadiu 6.5
Nora (Sulo 79') 6.5
Bika 6
Boriçi (Zheraldinjo 69') 6
Byzhyti (Mirashi 63') 6.5
Malko 6
Trajner: A. Canaj
Vllaznia
Grima 6
Zmijani 6
Teli 6
Osja 6
Belisha 6.5
Doçi 6
Xhahysa 6
Cungu 6
Salihi 6.5
Ahu (Martini 34') 5.5
Sinani 6.5
Trajner: D. Haxhiosmanoviç
Shënues: Kadiu 18', Sinani 45', Nora 77'
Gjyqtarë: G. Duraj (Tepelenë), Sh. Lamçe (Tiranë), A. Malaj (Patos)
Kartonë të verdhë: Teli, Byzhyti, Nora.
Radiografia
2'- Aksion model i lushnjarëve. Hasalla kroson nga e majta, ku ndërhyn me kokë Boriçi, por pret Grima në pozicion.
5'- Sinani provon me të djathtën, nga 25 metra, pret me vështirësi Premçe.
12'- Aksion perfekt i nisur nga këmbët e Byzhytit, por mbrojtësi Osja largon topin nga zona.
13'- Shkodranët kundërpërgjigjen me anë të Salihit, por veterani Malko tregohet i vëmendshëm.
15'- Sinani kroson nga e djathta, godet fort brenda zonës Salihi, por topi kalon mbi traun e portës.
18'- Nora pengohet jashtë zonës. Gjyqtari jep goditje dënimi. Godet mjeshtërisht Kadiu dhe lushnjarët kryesojnë 1-0.
22'- Byzhyti godet me kokë, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
24'- Rasti më i pastër për shkodranët. Sinani për pak sa nuk barazon rezultatin. Topi i goditur prej tij "fërkohet" me shtyllën pingule.
35'- Boriçi humbet një rast të pastër shënimi, pasi Grima pret në pozicion.
38'- Kadiu godet fluturimthi një top të marrë nga Hasalla, por topi largohet nga këmbët e Zmijanit.
45'- Martini manovron bukur nga e majta, kroson po bukur te kapiteni Sinani, që zhytet me kokë, duke barazuar rezultatin.
51'- Lushnjarët kanë një rast të pastër shënimi, por Kadiu heziton të godasë.
53'- Nora godet brenda zonës, por Osja largon topin.
56'- Ekzekuton Kadiu nga këndi, godet Boriçi, por topi kalon jashtë.
60'- Martini kthen një top në zonën lushnjare, por Sinani tregohet i pavëmendshëm.
66'- Martini, mjaft i lëvizshëm, ndërmerr një aksion individual, futet në zonë, por Hasalla dhe Vrapi i ndërhyjnë me vendosmëri.
70'- Nora rrezikon nga e djathta. Zmijani neutralizon aksionin.
75'- Sinani godet e Premçe pret.
77'- Goditje këndi për lushnjarët. Ekzekuton Vrapi dhe Nora brenda zonës godet fort, duke shënuar golin e epërsisë.
84'- Martini dhe Sinani kombinojnë bukur, por Xhahysa gabon në goditje.
89'- Rast tjetër për shkodranët. Gabon Xhahysa.
Thanë pas ndeshjes
Astrit Canaj, trajner i Lushnjës:
"Mendoj se kemi ndryshuar diçka në mentalitetin e lojës. Morëm një fitore të merituar, e cila më jep edhe mua kënaqësinë për takimin e parë si trajner. I gëzohem fitores së Lushnjës, por edhe shkodranët i uroj për lojën e bukur dhe korrekte që zhvilluan".
Esat Rakiqi, zëvendëstrajner i Vllaznisë:
"Nuk e meritonim humbjen. Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur dhe rezultati më i drejtë do të ishte barazimi. Jemi ndëshkuar kur duhet të ishim ne ata që duhet të kishin shënuar".
Komenti
Kishte kohë që në stadiumin "Tomori" të Beratit nuk ishte parë një ndeshje e tillë, që të kishte brenda spektaklin, lojën e fortë e korrekte, dhe plot 3 gola, njëri më i bukur se tjetri. Kjo për faktin se të dyja skuadrat kishin ardhur për fitore e patën mundësi për të zhvilluar një lojë të hapur, me sulme e kundërsulme. Haxhiosmanoviçi dhe Canaj u përballën gati me të njëjtën vendosje të skuadrave në fushë, me 5-4-2. Pjesa e parë nisi e shpejtë, me sulme nga të dyja skuarat, ku Salihi për shkodranët, dhe Nora për lushnjarët, ishin problematikë për portierët Premçe e Grima. Ndërkohë, Kadiu dhe Sinani u bënë promotorrë të vijës sulmuese, ndërsa mbrojtjet respektike luajtën mjaft të kujdesshme. Dy mesfushat krijuan mundësi për organizimin e kundërsulmeve. Ritmi i lojës ishte mjaft i lartë, me raste për shënim nga të dyja skuadrat. Në pjesën e parë "lagunarët" ishin më të rrezikshëm në sulm, ndërkohë që shkodranët u treguan më racionalë në mbrojtje. Kulmi arrin në minutën e 18-të, kur sulmuesi Nora pengohet jashtë zonës së 16-shes dhe gjyqtari Duraj akordon me të drejtë një goditje dënimi për Lushnjën. Kadiu ekzekuton mjeshtërisht, duke e bërë të pavlefshme hedhjen e portierit shkodran Grima. Një gol mjaft i bukur për nga ekzekutimi dhe realizimi. E ndërsa pritej që pjesa e parë të mbyllej në favor të lushnjarëve, Martini i futur në fushë në minutën e 39-të, duke zëvendësuar Ahun, kalon mjaft bukur në krahun e majtë, kroson bukur në zonë dhe kapiteni Sinani zhytet me kokë duke barazuar. Pjesa e dytë ishte vërtet në spektakël i vërtetë. Të dyja skuadrat kërkonin me çdo kusht golin e epërsisë. Lushnjarët kryen tre ndërrime, ndërsa shkodranët vetë një. Nora, Byzhyti e Boriçi për lushnjarët, Martini, Xhahysa e Sinani për Vllazninë, i afrohen golit, por pa mundur të shënojnë. Gjithçka mbyllet në minutën e 77-të, kur Nora pasi merr një top të Vrapit (më i miri në fushë) godet fort dhe mposht për të dytën herë portierin Grima. Në minutat e mbetura, gjithçka foli për shkodranët, por rezultati mbeti i pandryshuar. Lushnjarët marrin 3 pikë të merituara, ndërsa shkodranët humbasin një ndeshje, rezultati më i drejtë i së cilës do të ishte barazimi.
Të veçanta
- Ekipi shkodran është akomoduar qysh një natë para ndeshjes në hotel "Tomori".
- Ishte hera e parë që në stadiumin e Beratit nuk ka pasur tifozë vendës për shkak të takimit Tomori-Naftëtari, zhvilluar po dje në Kuçovë. Pjesa e majtë e tribunës ka qenë e mbushur me tifozë shkodranë, ndërsa pjesa e djathtë me tifozë lushnjarë.
- Në tribunën VIP ishte i pranishëm edhe presidenti i Vllaznisë Çela, i cili e ndoqi takimin deri në fund.
Vrapi: S'ka gjë që nuk arrihet
Mbrojtësi kryeqytetas i Lushnjës flet për ndeshjen e skuadrës së tij kundër Partizanit.
Në kampin lushnjar, prej ditësh, është lënë mënjanë humbja e pamerituar, sipas tyre, me Tiranën, sepse preokupimi i të gjithëve është përqendruar në takimin e nesërm, me të fortët kryeqytetas të Partizanit. Trajneri Agim Canaj dhe futbollistët e tij po stërviten maksimalisht për të bërë të mundur kalimin me sukses të kësaj sfide mjaft të vështirë, që do të luhet në fushën sportive të Peqinit. Shqetësime serioze për drejtuesit e "lagunarëve" janë dëmtimet e disa futbollistëve dhe skualifikimet e dy lojtarëve të tjerë për arsye kartonësh. Megjithatë, në prag të ballafaqimit me të kuqtë, në radhët e myzeqarëve mbizotëron optimizmi. Njëri prej tyre, i talentuari tiranas i formacionit lushnjar, Endri Vrapi, mezi e pret këtë sfidë. Kjo, pasi, sipas tij, dëshiron të japë të gjithë potencialin e tij tekniko-fizik për arritjen e një fitoreje të mundshme ndaj ekipit kryeqytetas. Për t'u evidentuar në këtë pikë është fakti që fantazisti i talentuar i mbrojtjes së "lagunarëve" është produkt i ekipeve zinxhirë të klubit të kuq, me të cilët ka veshur edhe fanellën e përfaqësueses sonë U-19. Vrapi flet për humbjen dinjitoze dhe të pamerituar me Tiranën, të shtunën e kaluar. Siç thotë ai, ekipi i tij ka zhvilluar një lojë mjaft dinjitoze, në të cilën minimumi që duhej të merrte ishte barazimi. Duke shprehur edhe njëherë tjetër rezervat për gjykimin e asaj ndeshjeje, bjondi tiranas i Lushnjës shprehet: "Po të ishte gjykuar me paanshmëri ndeshja me bardheblutë, nuk do të dilnim pa pikë nga Tirana. Sidoqoftë, ajo që iku nuk kthehet më. I rëndësishëm për ne është fakti që kjo humbje e pamerituar na ka motivuar më shumë për t'iu përveshur punës dhe për të qenë sa më të karikuar për ndeshjen e radhës me Partizanin." Për t'ia arritur kësaj, stërvitja e skuadrës lushnjare po zhvillohet me ritëm të lartë dhe sedër të admirueshme nga të gjithë futbollistët, të cilët, nën drejtimin e trajnerit të palodhur Canaj, kanë aplikuar ushtrime dhe variante të larmishme loje me topin, që synonin goditjen e portës kundërshtare. "Të gjithë futbollistët kanë shfaqur një dëshirë të madhe për të dhënë më të mirën në përballjen me Partizanin, - vijon më tej mbrojtësi i majtë i Lushnjës, Vrapi. - Problem shqetësues për ne mbetet dëmtimi i Kadiut, Byzhytit dhe Bardhit. Gjithsesi, Kadiu dhe Bardhi mund të riaftësohen, ndërsa Gazheli dhe Mindevi do të na mungojnë për efekt kartonësh." Për sa i përket forcës së kundërshtarit, ish-partizanasi i talentuar gjykon: "Fakti që do të luajmë me ekipin e vendit të dytë, nuk duhet të na trembë. Nuk ka gjë që nuk arrihet. Partizani u mposht të shtunën e kaluar nga Vllaznia, skuadër të cilën e mposhtëm dy javë më parë. Kjo tregon se, po të luajmë me shpirt dhe me disiplinë taktike, nuk është aspak çudi që t'i marrim 3 pikë Partizanit."
Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.