Forumi Horizont
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Figura te njohura te Pavaresise (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=210)
-- Hafiz Ibrahim Dalliu (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=5394)


Postuar nga Indrit datë 16 Qershor 2004 - 14:30:

Hafiz Ibrahim Dalliu

Burri Që Nuk u mposht nga Persekutimet

Zhvillimi i kulturës islame, shtypi publicistik dhe ai fetar, beteja dhe lufta për mbrojtjen e pavarësisë, lidhen me emrin dhe veprat e Hafiz Ibrahim Dalliut. Me Kur’an në dorë dhe me pushkë nën sqetull, ai u priu vullnetarëve të Tiranës si komandant për ta mbrojtur vatanin kundër agresorëve jugosllavë.
Hafiz Ibrahim Dalliu si një figurë patriotike, i shërbeu arsimit në përgjithësi dhe atij pedagogjik në veçanti. Gjatë viteve të rinisë, pa mbushur ende 18 vjeç, në rrugë klandestine, përvetësoi alfabetin shqip dhe më 1901, së bashku me Filip Ashikun dhe Hoxhë Voglin, shërbeu si mësues i shkollës shqipe në Tiranë.
Më 1908 ai hapi shkollën e vajzave në Tiranë, ku u pregatitën mësueset e para vajza myslimane, si Servete Maçi etj. Mori pjesë në Kongresin Kombëtar për problemet e Arsimit, që u mbajt në Elbasan në shtatorin e vitit 1909. Së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Aleksandër Xhuvanin, Hafiz Ibrahim Dalliu qe nga të parët që themeloi Normalen e Elbasanit, e cila u hap me vendim të Kongresit të mësipërm.
Luigj Gurakuqi shkruan se normalja e Elbasanit kishte në themelet e saj djersen e mundin e Hafiz Ibrahim Dalliut, të Aleksandër Xhuvanit, Sotir Pecit, të tyre (të Luigj Gurakuqit, R.Z)e të atdhetarëve të tjerë.
Pas vitit 1912 Hafiz Ibrahim Dalliu iu kushtua publicistikës dhe letërsisë satirike. Më vonë drejtoi gazeten politike "Dajti". Duke nisur nga viti 1918 deri më 1924 botoi një varg veprash satirike duke u bërë kështu ndër të parët poetë satirikë që çanë rrugën e humorit në letërsinë shqipe. Këto vepra janë "Grenxat e kuqe"(1918), "Dokrat e hinit"(1920), "Kabineti i Xhafer Ypit" (1922) etj. Shkroi gjithashtu edhe librin me vjersha patriotike "Kreshniku i atdheut", si dhe monografine "Patriotizma në Tiranë"(1930). Por njohjen si poet ai e fitoi me elegjinë kushtuar Avni Rustemit, kurse popullaritetin e fitoi nga qëndrimi i tij stoik kundër torturave që atij i bënë pushtuesit e Shqipërisë.
Burrëria dhe heroizmi i Dalliut vihet në dukje dhe në një nga këngët e "Lahutës së Malësisë", ku poeti Gjergj Fishta mbi të tjera shkruan: "a isht’ "Shqiptar" apo "Osmanli", u përgjegj me trimëni: jam shqiptar me gjuh e fis.
Hafiz Ibrahim Dalliu ishte një ndër mbështetësit konseguentë të lëvizjeve demokratike të viteve 1920-1924. Vrasja e atdhetarit të shquar Avni Rustemi e brengosi pa masë. Por ai gjeti forca dhe i thuri këtij martiri të shquar, një këngë e cila gjeti jehonë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por në mbarë viset shqiptare.
Hafiz Ibrahim Dalliu edhe më vonë u përndoq nga forcat rrebele dhe nga rregjimi komunist. Ai njohu qelitë e burgut të Manastirit, Selanikut, Tiranës. Herën e fundit e akuzuan për botimin e poemës "Grenxat e kuqe", se ka sulmuar pansllavizmin. Por karakteri shumë i fortë, besimi në islam e ushqente atë për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë.
Vlen të përmendet edhe kontributi i tij i paçmuar gjatë viteve ’30 për botimet e shumta që bëri në shërbim të edukimit fetar. Numërohen gjithsej 15 vepra, përkthime, por shumica origjinale. Ndër të gjitha këto shquan"Tefsiri shqip i Kur’anit" në dy vëllime, përkthyer nga arabishtja.
Libra të tjerë me karakter fetar jane: "Udha muhamedane" (vepër afër 500 faqesh), botuar në Tiranë më 1936, "E lemja dhe jeta e të madhit Muhammed alejhiselam", vepër në vargje, me një vëllim prej 238 faqesh, Tiranë, 1933, "Mësime teorike dhe praktike të besimit islam", Tiranë, 1935 etj. Qe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.


Postuar nga Indrit datë 04 Dhjetor 2004 - 17:02:

Injoranca nuk zhduket me top, topi zhduk vetëm njerëzit."

Hafiz Ibrahim Dalliu
"Hafiz Ibrahim Dalliu është ndër figurat më të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare, si dhe ndër figurat më të përparuara ideologjike në fushën fetare. Ai ishte i pari që e kuptoi domosdoshmërinë e hapjes së shkollës shqipe dhe kjo për arsyen e thjeshtë, që populli i tij të mësonte fenë me gjuhën që fliste.

Dikush mund të thotë se hoxha ishte injorant pasi kërkonte të linte gjuhën e Kur’anit dhe të rrokulliste një gjuhë tjetër që ende nuk ishte formuar. Ai që e njeh jetën e këtij hoxhe të nderuar e di se ai nuk ka qenë vetëm një njeri i fesë, por ai ka qenë njeri i luftës dhe i pushkës, dijetar i penës, mësues i vegjëlis dhe rinisë, trim në shëmbëlltyrë, durimtar në sprovime si dhe në burgosje, pedagog i Normales, përfaqësues i popullit tiranas etj. Edhe në momentet më të vështira ai nuk e mohonte që ishte shqiptar dhe kjo gjë e nderonte. Ja çfarë thotë një klerik i njohur katolik për Dalliun.

“Shtrin të ngratin hafiz Myslimin,
Dhe në dru e rrahën trimin

Sado që ishte një ‘hafiz’
“Jam shqiptar me gjuhë e fis (thoshte ai)”

Jam shqiptar përgjigjet hafizi
Deri që ashti i kambës i krisi.”


Këto vargje kaq tronditëse nga njëra anë, por edhe madhështore nga ana tjetër nuk i ka shkruar vetëm se patrioti dhe kleriku i njohur katolik At Gjergj Fishta. Nuk është për t’u çuditur pasi vetë jeta e Hafiz Dalliut ishte e atillë që i çudiste të tjerët jo vetëm për nga dituria që ai kishte por edhe nga heroizmi e shembulli i lartë.
Ibrahim Dalliu sapo kishte lindur në 1878 kohë në të cilën Lidhja e Prizerenit i kishte shtruar sulltanit disa pika për shqyrtim. Lidhja i kishte kërkuar Portës bashkimin e katër vilajeteve me popullsi shqiptare si dhe hapjen e shkollave shqipe (po ashtu mos coptimin e tokave shqiptare prej shteteve fqinje). Për këtë gjë Lidhja ishte zotuar se do t’i mbronte këto vendime edhe me gjak po të ishte nevoja. Kështu Dalliu u lind dhe u rrit në një periudhë kur gjërat për Perandorinë Osmane po bëheshin gjithnjë e më të vështira. Pasi kreu mësimet e fëmijërisë në vendin e tij, duke qenë se ishte më i dalluari, kur arriti moshën madhore u dërguar për të vazhduar studimet në Stamboll. Aty ai kontaktoi me atdhetarë të shumtë të cilët kërkonin me ngulm nga Porta që të lejohej hapja e shkollave shqipe në të katër vilajetet. Po ashtu ai do të binte në kontakt edhe me idetë më të përparuara, siç ishte ajo për alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine. Por duke qenë se ishte shumë i varfër ai nuk arriti t’i përfundonte studimet e tij tërësisht, prandaj u kthye në atdhe.
Me t’u kthyer në atdhe filloi të jap mësim në gjuhën shqipe dhe ishte mësues në të parën shkollë të Tiranës, të drejtuar prej Filip Ashikut në 1901. Më vonë u mësonte shqip 23 vajzave tiranase, nga të cilat tri u dalluan dhe punuan si mësuese: Alije Këlliçi, Sabrije Haxhimehmeti dhe Servete Maçi. Populli e respektonte shumë për dijen e tij dhe patriotizmin e thellë. Shpesh herë u kërcënua që ta ndalonte mësimin në gjuhën shqipe, por Hafiz Dalliu nuk pranoi në asnjë moment. Kështu në 1908 me ardhjen e xhonturqve në pushtet – këta të fundit erdhën në pushtet me ndihmën e shqiptarëve – ai u kërcënua disa herë prej pushtetmbajtësve vendas xhonturq. Kur panë se hafizi ishte i vendosur për të vazhduar punën e tij si mësuës i popullit, ata e arrestuan dhe e burgosën atë disa herë gjatë viteve 1911-1912. Gjatë kohës së ekspeditës së Shefqet Turgut Pashës qe dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me dhjetë vjet burg. U internua në Manastir dhe Selanik.
Në burg nuk qëndroi gjatë por doli shpejt me ndërmjetësimin e disa shqiptarëve me pushtet në Perandorinë Osmane, sidomos me ndërhyrjen e deputetit shqiptar në parlamentin xhonturk Hasan Prishtinës. Më pas do të merrte pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, si dhe në atë të Elbasanit në 1909 si përfaqësues i popullit tiranas dhe do të ishte ndër pedagogët e parë të Normales së Elbasanit përkrah shumë figurave të njohura. Ai gjithashtu do të vazhdonte të merrte pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 1912 si dhe në Kongresin e Lushnjës më 1920. Më 1914-1918 aspiroi për një qeverisje perëndimore me qëllim që Shqipëria të bënte pjesë në vendet e Perëndimit. Prandaj përkrahu qeverinë e Vidit, ashtu siç bënë pjesa më e madhe e atdhetarëve. Në 1921-1924 mori anën e demokratëve dhe u rradhit në Partinë e “Xhokës”. Në vitet e para të pas Luftës Dytë Botërore shprehu mospajtimin e tij me pushtetin komunist në fuqi dhe dënohet me burgim. Vdiq në vitin 1951 në moshën 73 vjeçare. Duke parë vetëm aktivitetin e tij të krijohet përshtypja se përpara teje qëndron një figurë me dimensione të gjera, duke filluar nga mësues i popullit e deri tek atdhetari i flaktë.
Po të bënim një krahasim me figura të njohura të kohës së tij Hafiz Dalliu i përngjet shumë reformatorëve të mëdhenj të njohur, si Muhamed Abduhut, Xhemaludin Afganiut, Hasan Tahsinit (në fushën e arsimit), Muhamed Ikbalit etj.
Kahjet e Dalliut nuk përkufizohen vetëm në fushat e sipërpërmendura por ai ishte edhe një përkthyes i mirë i Kur’anit, një vjershëtor thumbues e një penëtar i pashtershëm (këtu mund të themi se Dalliu ka arritur të shkruajë rreth 10.000 faqe librash). Mund të themi bindshëm se Dalliu ishte i pari që na dha një komentim të plotë të Kur’anit edhe pse nuk arriti që ta përfundonte të gjithë komentimin, ai përsëri ka meritën se u mundua që t’i jepte muslimanëve shqiptarë një literaturë të mirëfilltë fetare. Një ndër veprat e tij më të plota (edhe pse është një përkthim i veprës së Imam Bergeviut ”Tarikati Muhammedije” ) është Udha Muhammedane botuar në 1936 në shtypshkronjën Tirana. Në hyrje të veprës ai shkruan:

“Ka hane qi kam pas nji dëshirë të madhe, më ka pas kap rreblli me përkthyë librin e famshëm ‘Tarikati Muhammedije’ qi të përfitojnë shqiptarët mysliman diçka nga ai, e ma mirë me thanë Të nxanë se prej çfarë sendesh janë ndaluem nga anë e Zotit dhe e profetit të tij, edhe me ç’farë detyrash janë t’urdhënuëm feëtarisht”.

Ndër veprat e tij më të njohura është edhe autobiografia e titulluar “Patriotizmi në Tiranë” botuar për herë të parë më 1930. Vepra bën fjalë për ngjarje të jetuara nga vetë autori dhe hedh dritë mbi shumë ngjarje historike që përshkuan Tiranën e asaj kohe.
Po ashtu vepra të tjera të këtij autori janë edhe:
Ajka e kuptimevet të Kur'ani Qerimit;Texhvid (i Kur'anit); Besimet e Myslimanvet; Mevludi; Hadithi erbeini; Dhuntië Ramazani; Mësime të moralit islam; Ç'është islamizma; Një broshurë mbi degat e imanit etj. Siç dihet këta libra janë dhënë të gjithë falas prej autorit. Po ashtu të njohura janë edhe veprat: Dokrrat e hinit; Kreshniku i atdheut; Grenzat e kuqe të Tiranës, e shumë artikuj publiçistik të botuar në gazetat e asaj kohe.


Përgatiti Bledar Komini


Postuar nga Isra datë 22 Dhjetor 2004 - 15:16:

Smile

ej ca behet ketu.....apo perfitoni se ska mundesi Indriti ti pergjigjet temes se vet dhe ju u leshuat si vaji ne lakra, se keshtu vajti puna...(bej shaka),

Sa per personazhin ne fjale, dija vetem qe ndodhej para Medreses se Tiranes dhe asgje me shume, po ja qe Indriti na i zgjeroi njohurite.
Dhe legjenda e venies se bustit te tij, per t'ju shuar kuriozitetin, eshte keshtu:
-Kisha ortodokse kishte ndermend te vinte nje personazh te fese se tyre para medresese, sepse po aty eshte bere dhe ajo klinika ortodokse, ateher ata i thane Komunitetit mysliman, -A do vini ndonje bust ju para medresese apo ta veme ne ate qe duam ?
..Keshtu Komiteti u mendua dhe vendosi nje personalitet te rendesishem te fese islame si Hafiz Ibrahim Dalliu.........
Kaq me thane e kaq ju thashe.
ju pershendes


Postuar nga Indrit datë 03 Janar 2005 - 11:55:

Ne vijim doja te postoja nje vjershe te Hafiz Ibrahim Dalliut qe e ka bere nga Burgu :

Po kerkove buken, te japin urine
Po kerkove jeten te japin paterdine
Po kerkove gjumin te japin llaftarine
Po kerkove nderin te japin poshtersine
Po kerkove shokun te japin pabesine
Po kerkove besen te japin tradhetine
Po kerkove meshiren te japin gjakesine
Po kerkove njeriun te japin kafsherine
Po te jesh shenjetor te bashkojne me qenerine
Po kerkove driten te japin erresiren
Po deshe shijen te japin te veshtiren
Po kerkove fene te japin mundimin
Po kerkove dhimbjen te japin acarimin
Po te duash paqen te bashkojne me krimin
Po te duash familjen te japin burgimin
Po kerkove rregullin te japin kukudhin
Po kerkove Zotin te japin te paudhin.


 
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.