amoxil
I perjashtuar nga forumi

Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949
|
Libri dhe fati i tij
Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor v (5) dit. Gjon Buzuku
Gjithkush e di se libri më i vjetër shqip që njohim deri sot, njëkohësisht edhe vepra më e vjetër e shkruar shqip, ka dalë nga penda e Gjon Buzukut. Ky meshtar i thjeshtë që i dha vetes lavdi me frymëzimin atdhetar, me aftësinë letrare dhe me guximin e tij për të përkthyer shqip Shkrimin e Shenjtë, e nisi veprën e vet të pashoqe plot 450 vjet më parë, pikërisht më 20 MARS 1554, dhe e përfundoi më 5 JANAR 1555. Me sa merret vesh, po atë vit u krye dhe shtypja e librit. Të kujtojmë se Johannes Gutenbergu kishte shpikur më 1445 shtypshkronjën me shkronja të derdhura të lëvizshme dhe shtypshkrimi kishte marrë zhvillim në Europë.
Libri dhe fati i tij
Një tok rrethanash ende të pandriçuara bënë që libri i Gjon Buzukut të binte në harresë të plotë për gati dy shekuj. Atë e zbuloi një klerik shqiptar nga Gjakova, i cili, duke u ndodhur në Romë më 1740 (ku u emërua argjipeshkv i Shkupit), pa me habi të madhe këtë libër në bibliotekën e kolegjit të Propagandës së Fesë (Propaganda Fide), ku kishte studiuar vetë më parë. I ngazëllyer nga ky zbulim, Gjon Kazazi kopjoi Pasthënien e librit dhe një pjesë tjetër të shkurtër e ia dërgoi timzot Gjergj Guxetës, themeluesit të Seminarit shqiptar të Palermos, i cilësuar si "prototip i fisnikërisë së shpirtit e i burrërisë e i bujarisë së kombit shqiptar". Kleriku gjakovar e përshkruan librin si "Meshar" fort i lashtë shqip krejt i grisur prej vjetërsie". Nga fundi i sh. XVIII libri kaloi në koleksionin e librave orientalë të kardinalit Stefan Borxha e së këtejmi në Bibliotekën e Vatikanit, ku u rizbulua më 1909. Nxitës i këtij zbulimi qe Pal Skiroi, peshkopi i arbëreshëve të Sicilisë (1866-1941), i cili kishte në bibliotekën e Seminarit të Palermos pikërisht ato dy fletë të kopjuara nga Gjon Kazazi. Pal Skiroi është edhe studiuesi i parë i "Mesharit" të Buzukut, por puna e tij ka mbetur pak e njohur sepse pak gjë arriti të botojë sa qe gjallë.
Më 1929 atë Justin Rrota, atëherë profesor i gjuhës shqipe dhe i gjuhëve klasike në gjimnazin e Shkodrës, u dërgua në Romë për të nxjerrë kopje fotografike të librit e për t'i sjellë në Shqipëri. Në 400-vjetorin e botimit të librit të Buzukut, J. Rrota ka botuar kujtimet e atij shërbimi në Romë dhe emocionet e forta që përjetoi kur më në fund përgjegjësi i botimeve liturgjike të kishave orientale, C. Korolevski, u kthye nga pushimet verore dhe e pyeti:
"Po Ju jini ai Frati nga Shqipënia, që më kërkoni tash një javë?… Buzukun lypni? Qe; më falni sa t'i jap fund njëkësaj letre që kam në dorë, dhe Jua pruna."
"Të më kishte thanë - kujton J. Rrota - se m'ishte ngjallë prej vorrit njëni robësh së mi të dekunë, nuk e dij, se do t'ishem gëzue ma fort. Sa s'kjeshë tue i ra ndë gjuj përpara, me i puthun kambën. Kaq!
Tre minuta nuk vonoi ma, për t'a krye atë shkresë, por mue m'atëherë, …ata minuta m'u duknë orë. Dikur u çue, …e shkoi e humbi mbas do raftesh së mëdhaj librash. Nuk vonoi sa ndora, kur, si triumfalisht, m'a dorëzoi blenin e dëshruem. Sa s'qava prej gëzimit. E mora ngrykë Buzukun e dashun, e putha me nderim dhe u vuna mbë tryesën e madhe të studjuesavet. Edhe nisa t'a shfletsoj si i dëshruem me mall e poni… Kaqë i kishem këcye përsypri atij visari të çëmueshëm, sa më bje ndër mendë, se njëni rojtarësh m'u afrue e më tha ndë vesh: "Ma kadalë! Këqyrni, mos t'a damtoni tue e shfletsue: âshtë gjâ e vjetrë…
Kishte arsye, e pashë, të m'i qitte ndër mendë rregullat ma elementaret e këtyne rasave; por, ç'ti bâjsh!… Unë atëherë kishem tretë faret, edhe s'dijshem ku ishem prej gëzimit e mallit." (rev. "Nëndori", 1955, nr. 3).
Me tre "Buzukët" që solli J. Rrota në Shqipëri më 1929 nisën te ne edhe studimet buzukiane, ku J. Rrota ka dhënë ndihmesat e para themelvënëse.
Po në ç'gjendje paraqitet ky "Meshar" fort i lashtë shqip? Libri i plotë ka pasur 220 faqe me nga dy shtylla të formatit të madh (20x14), secila me nga 45 radhë. Me një përllogaritje të përafërt mund të thuhet se libri ka pasur rreth 790.000 shenja (shkronja bashkë me hapësirat ndërmjet fjalëve), d.m.th. rreth njëzet fletë tipografike të sotme. Për fat të keq, të vetmes kopje të ruajtur të librit i mungojnë 16 fletë (32 faqe). Më e dhimbshme është mungesa e tetë faqeve të para, ndër të cilat edhe ballina e librit e ndonjë fjalë drejtuar lexuesit. Bashkë me to kanë humbur të dhëna të pazëvendësueshme, që nuk ka qenë e mundur të plotësohen nga burime të tërthorta. Pra jemi në errësirë të plotë për vendin a shtypshkronjën ku u shtyp libri dhe për autoritetin që lejoi botimin e tij (dhe ndoshta nxiti Buzukun ta përkthente). Sepse në libra të tillë ka gjithmonë një Imprimatur (le të shtypet, - d.m.th. miratim për botim) nga një autoritet kishtar. Nuk dihet në sa kopje është shtypur libri, gjithsesi duke pasur parasysh se në atë kohë shtypi dhe letra kanë qenë të kushtueshëm, nuk mund të mendohet ndonjë tirazh i madh. Dhe me këtë ndoshta shpjegohet pjesërisht pse ka mbetur një kopje e vetme e cungulluar prej këtij libri.
Por është një fat i madh që ka shpëtuar fleta e fundit me Pasthënien, nga e cila njohim autorin, kohën kur e filloi dhe e përfundoi veprën e tij dhe atë shtysë të brendshme që e ka bërë t'i hyjë një ndërmarrjeje të pashembullt deri atëherë, për të cilën rrëfehet vetë: "nukë çuditem se në paça fëjyem (gabuar), këjo tue klenë maa e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom mbë gluhët tanë". Mund të themi pa droje se, po të mos kishte qenë kjo fletë e fundit me të dhënat e kursyera që përmban, sot do të qarkullonin një qerthull hipotezash nga më të largëtat ndaj së vërtetës që dimë për autorin dhe kohën kur vepëroi vepërën e vet.
A ka pasur një traditë të shqipes së shkruar para Buzukut?
Është pohuar qenia e një tradite letrare në gjuhën shqipe të paktën që nga fundi i sh. XIII (Dh.S. Shuteriqi. M. Domi), ose gjithsesi para pushtimit osman. Guillaume Adam, një klerik frëng, që shërbeu si kryepeshkop i Tivarit më 1324-1341, autor i një parashtrese "Udhëzim për të bërë udhëtimin për në Tokën e Shenjtë", shkruar latinisht më 1332 në Tivar, pohon se: "Sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë ata kanë në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine (literam latinam)". Ky pohim është marrë sikur G. Adami ka dashur të thotë se shqiptarët e shkruajnë gjuhën e tyre (ndonëse të ndryshme nga latinishtja) me shkronja latine. Me një analizë të imtë filologjike S. Riza arrin në përfundimin se shprehja e mësipërme shkronjën latine (litteram latinam), mund të shënojë jo vetëm shkronjat e alfabetit, po edhe vetë gjuhën e shkruar të popullit përkatës, d.m.th. G. Adami ka dashur të thotë që shqiptarët, duke pasur një gjuhë të ndryshme nga latinishtja, përdorin latinishten si gjuhë shkrimi (dhe jo se e shkruajnë gjuhën e vet me shkronja latine).
Si dëshmi e shkrimit të gjuhës shqipe para Buzukut është sjellë edhe një pohim i Marin Balecit, që bën fjalë për disa anale të shkruara në "vernacula lingua", sipas të cilave njëfarë Roza me motrën e vet Fa kanë qenë themeluesit e parë të Shkodrës. S. Riza i bën përsëri një analizë të imtë filologjike dhe shprehjes "vernacula lingua" dhe del në përfundimin se ajo nuk duhet kuptuar si "në gjuhën e vendit (d.m.th. në gjuhën shqipe)", por "në gjuhën popullore", d.m.th. në gjuhën italiane, në kundërvënie me latinishten si gjuhë e të diturve.
S. Riza e quan të papërligjshëm, madje kombëtarisht të papranueshëm ngulmimin e disa studiuesve për ta çuar traditën letrare të shqipes dy-tre shekuj para Buzukut, duke mos pasur mbështetje të sigurt për këtë. Sipas tij, të gjitha rrethanat historike e kulturore flasin se para Buzukut nuk ka ekzistuar ndonjëshkrim madhor në gjuhënshqipe. Në një studim të shkruar në fillim të viteve '60, por që u botua vetëm para dy vjetësh, ai shprehet se "imperialistët botërorë e sidomos ata ballkanikë serbomëdhenj e grekomëdhenj kanë bërë çmos në të kaluarën (madje edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të bëjnë gjithçka) me qëllim që ne shqiptarët të na zhvishnin nga çdo vetëbesim kombëtar, nga çdo sedër kombëtare, e për pasojë edhe nga çdo vullnet vetëmbrojtjeje kundër orvajtjeve të tyre ekspansioniste skllavëruese…Por njëherë Rilindja jonë Kombëtare me Lidhjen e Prizrenit, pastaj Kongresi i Lushnjës me Luftën e Vlorës, e më tëhu çlirimi ynë kombëtar përfundimtar: këto tri kundërgoditje vetëmbrojtëse heroike shqiptare këtë fushatë imperialiste difamacioni antishqiptar e bënë më në fund jo vetëm kryekëput të pafuqishme kundër nesh, por njëherazi edhe përsosurisht të përbuzshme prej nesh.
Madhëria morale e Gjon Buzukut qëndron pikërisht këtu që "en së dashunit së botësë sanë" Gjon Buzuku u bë ideator dhe realizator i një vepre, me të cilën ai neve shqiptarëve përgjithmonë e jetës na zbardhi faqen në lëmin deri atëherë të palavruam të kulturës së fjalës së shkruame (sikundërqë afro një shekull më herët Gjergj Kastrioti ne shqiptarët na pat mbuluar me lavdi në fushën jo të panjohur të luftërave vetëmbrojtëse ngadhnjimtare)". ("Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe", 2002).
Edhe shpresa që na u zgjua para dy vjetësh se do të shihnim së afërmi të botuar një dorëshkrim shqip të vëllimshëm të vitit 1210 (hartuar nga njëfarë Teodor Shkodrani), që e kishte gjetur në arkivat e Vatikanit gjurmuesi kosovar Musa Ahmeti, tashmë është shuar edhe te më besëplotët. Në ato dy radhë që janë bërë të njohura prej këtij dorëshkrimi, nuk ndihet asnjë amëz stërlashtësie gjuhësore. Me sa duket Gjon Buzuku do të ruajë vendin e tij prijatar dhe autoritetin e patriarkut në shkrimin shqip dhe në letërsinë shqipe.
Megjithëse duket e kotë të shpresojmë ende se do të gjendet ndonjë shkrim shqip parabuzukian (jo ndonjë frazë e shkëputur si Formula e Pagëzimit), ka një radhë shenjash e rrethanash që të shtyjnë të supozosh se Buzuku, kur u ul në tryezën e punës më 20 mars 1554, nuk e filloi punën duke shpikur ai vetë alfabetin që do të përdorte e duke stërvitur dorën, po duke vënë në zbatin ato shprehi që tashmë i kishte fituar nga mjedisi e i kishte zhvilluar vetë. Tregues gjuhësorë dhe historiko-kulturorë flasin në të mirë të kësaj hipoteze. Kështu, E. Çabej, studiuesi më i thelluar i Buzukut, shprehet se "kush ka lexuar këtë tekst disa herë me radhë, besojmë se do të ketë përshtypjen që gjuha e përdorur në të nuk është një arë fare e papunuar më parë." Ai bashkohet me tezën e arbëreshit G. Petrotta, se në Shqipëri do të ketë pasur para sh. XVI një traditë ortografike dhe mbase edhe një gjuhë të përbashkët, së paku në shkrimet e përdorimit praktik. Edhe duke e shikuar këtë çështje nga ana e historisë së vendit, me një vështrim të gjithanshëm të gjendjes kulturore në Shqipërinë mesjetare, - shton Çabej, - teza e Petrottës do të dilte më fort e përforcuar sesa e kundërshtuar, sepse shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut.
Historiani Injac Zamputi, një nga studiuesit më të rysur mesjetës së vonë shqiptare, duke hulumtuar posaçërisht kohën dhe rrethanat kur u botua "Meshari", arrin në përfundimin se Buzuku "nuk mund ta kishte marrë në dorë gjithë atë punë kolosale për kohën dhe për gjendjen e gjuhës shqipe, sikur të mos kishte qenë aktive në mjedisin e tij shoqëror, praktika e të shkruarit shqip." (Studime filologjike, 1986, 3). Megjithatë, rrethana që nga ai prodhim letrar i hamendësuar nuk ka arritur asgjë deri në ditët tona, ngre mjaft pikëpyetje e dyshime.
Nga ishte Gjon Buzuku dhe ku u shtyp "Meshari"?
U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut…- kaq na thotë autori ynë më i vjetër për veten e vet, duke na lënë në fushën e hipotezave për të zgjidhur pyetjet që shtruam më lart. S'ka asnjë dyshim se gjuha e Gjon Buzukut është një gegërishte veriore, por për të shkuar më tej nuk është aspak lehtë. Mendja të shkon sigurisht te Shkodra me rrethina, si qytet me traditë kulturore e kishtare, po N. Jokli me të drejtë e ka përjashtuar këtë mundësi duke u nisur nga fakti se Buzuku përdor grupet bashkëtingëllore gl, kl (gluha, kloftë), kur sipas dëshmive të toponimisë këto grupe në Gropën e Shkodrës ishin ndërruar në g-j, kj, përkatësisht në gj e q. Por gjuha e Shkodrës, si qendra më e madhe kulturore për gjithë Veriun, gjithsesi ka luajtur rol nivelues për varietetet dialektore të shkrimtarëve. (E. Çabej). Këtë e thotë shkoqur Pjetër Bogdani për veprën e vet "Çeta e profetëve" (1685): … përse tue kjanë unë prej Guri ndë Hast… m'anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të Shkodërsë. Për sa i takon Buzukut, fjala zgiedh me kuptimin "lexoj", është vështruar si përdorim i vetëdijshëm i një forme shkodrane, sepse pritej që ai të shkruante zgledh.
Gjuha e Gjon Buzukut nuk ka një bazë dialektore të vetme e të pangatërrueshme që të na çonte në njëjtësimin e prejardhjes së tij krahinore. Madje është theksuar se përkatësia dialektore e "Mesharit" dhe prejardhja krahinore e Buzukut nuk janë medoemos e njëjta gjë. Justin Rrota pati vënë re me kohë një tok përkimesh të gjuhës së "Mesharit" me të folmen e malësisë së Krajës dhe të fshatit Arbënesh (pranë Zarës në Dalmaci) të themeluar ndërmjet 1726-1733 prej shqiptarësh të ikur nga Brisku, Ljarja e Shestani në anën perëndimore të liqenit të Shkodrës. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen është përzierja e formave dialektore të gegërishtes veriperëndimore me format e gegërishtes verilindore. Mjafton të përmendim fjalën e parë të Pasthënies: U Doni Gjoni…- ky përemër vetor gjendet sot në të folme të ndryshme të Kosovës, si në Malësinë e Gjakovës etj., po ashtu forma si (ai) të ban, të del në vend të të banjë, të dalë etj. Një pjesë e formave dialektore verilindore ndeshen edhe në të folmen e Arbëneshit të Dalmacisë, dhe kjo ka çuar në hipotezën se dukuri të tilla lidhen me ndonjë shpërngulje popullsish nga trevat verilindore drejt viseve bregdetare. Pra, Gjon Buzuku mund të jetë rritur në një mjedis me përzierje të tillë popullsish dhe rrjedhimisht edhe formash dialektore.
Gjurmë të mbiemrit Buzuku dëshmohen në sh. XV në zonat nga mendohet se mund ta ketë origjinën shkrimtari ynë, por më tej humbasin dhe sot nuk ka mbetur familje me këtë mbiemër në ato anë, as në Shqipërinë Veriperëndimore. Krejt rastësisht kam mësuar se familje me mbiemrin Buzuku gjenden sot në rrethinat e Gjilanit dhe kështu fiton mbështetje hipoteza e shpërnguljes së një popullsie, që u përmend më lart.
Mjaft diskutime janë bërë për vendin ku u shtyp "Meshari". Një palë mendojnë se shtypshkronja do të ketë qenë diku në Shqipërinë Veriperëndimore (Shkodër, Ulqin, Tivar a në rrethina të tyre. Një palë tjetër mendojnë se në qytetet e bredgetit shqiptar nuk mund të ketë pasur ndonjë shtypshkronjë të përshatshme për të shtypur një libër të tillë dhe veç kësaj aso kohe në Perandorinë Osmane shtypja e librave ishte e ndaluar me dënim me vdekje. Gjurmuesi frëng i teksteve të vjetra shqipe Mario Rok pati vënë re se letra e librit është italiane dhe shkronjat janë të tipit që përdorej në shtypshkronjat e Venedikut. Në këtë qytet mendohet përgjithësisht se ka qenë shtypshkronja ku u shtyp "Meshari". Zgjidhja e enigmës së botimit ka qenë sigurisht në ballinën e zhdukur përgjithmonë të librit. Por gjithsesi për një gjë jemi të sigurt: tipografët nuk dinin shqip (nuk ishin shqiptarë) dhe shtypshkronja nuk ka qenë larg nga vendi ku shërbente Buzuku. Në Pasthënie ai thotë se ata që shtypnin, mundoheshin shumë me librin e tij dhe ai nuk mund t'u rrinte pranë përherë, pasi duhej të mbante edhe një kishë e kështu të shërbente më dy anë (ata qi shtamponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, përse përherë ndaj ta nukë mundë jeshë; u tue mbajtunë një klishë, mbë të dy anët më duhe me shërbyem).
Kush ishte Buzuku dhe kush e nxiti për veprën e tij?
Nga citimi i mësipërm prej Pasthënies së librit merret vesh qartë që Gjon Buzuku ishte një famullitar i thjeshtë dhe jo një klerik me shkallë të lartë në hierarkinë kishtare katolike. Mund të mendohet se në kohën kur i hyri përkthimit të "Mesharit", ai shërbente në ndonjë nga bashkësitë shqiptare të mërguara në Republikën e Venedikut, që dëshmohen nga burimet e kohës. Pra autori ynë i parë ka qenë një bir i thjeshtë i popullit të vet, me një kulturë jo aq të plotë, siç del edhe nga vendet ku nuk ka arritur ta kuptojë drejt tekstin latin dhe e ka shtrembëruar a gjymtuar kuptimin e origjinalit. Por Gjon Buzuku kishte përbrenda zjarrin e dashurisë për popullin dhe atdheun e vet, prandaj iu vu punës, siç shkruan vetë, "tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom (të kuptueshme) en së Shkruomit shenjtë, en së dashunit së botës sanë desha me u fëdigunë për sa mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne që të ndiglonjinë…".
Vetëkuptohet se një ndërmarrje e tillë nuk mund të bëhej pa mbështetjen edhe financiare eprorëve të kishës dhe pa lejen e tyre për ta botuar. Këtë mbështetje dhe leje e patën më vonë Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, po për Buzukun nuk mund të thuhet gjë, nga shkaku i mungesës së ballinës dhe të fletëve të parathënies së librit. Po në ç'rrethana mund ta ketë fituar Buzuku këtë mbështetje?
Është koha kur në Europën katolike kishte marrë hov lëvizja e Reformës e nisur nga Martin Luteri (1517), që synonte ta përtërinte kishën, duke e kthyer në thjeshtësinë burimore të doktrinës së krishterë. Ai përktheu Biblën gjermanisht në mënyrë që populli analfabet të kuptonte fjalën e Zotit dhe të mos qëndronte i shtangur duke dëgjuar predikimet latinisht të priftërinjve. Gjysma e popullsisë së Europës u shkëput nga autoriteti i Papës dhe përqafoi protestantizmin. Selia e Shenjtë ndërmori një kundërveprim të rreptë e të gjithanshëm, që njihet me emrin Kundërreformë. Si Reforma, ashtu edhe Kundërreforma patën si pasojë lëvrimin e gjuhëve të popujve, shtimin e interesit për studimin e tyre.
"Meshari" i Buzukut është vështruar si fryt i Kundërreformës, d.m.th. si një lëshim që qe e detyruar të bënte Selia e Shenjtë, duke lejuar shërbesat fetare në gjuhën e gjallë të popullit dhe rrjedhimisht përkthimin e "Mesharit" (librit të këtyre shërbesave). Lidhur me këtë temë Justin Rrota ka shkruar se në Shqipërinë katolike "nuk luftohet, si ndokun ngjeti nd'Europë, kundra Papës dhe Perandorit; këtu lufta ishte krejt kundra turkut…As nuk mund të thuhet se ndë Shqipni të ketë pasë ndonjë rrymë herezie fetare. Këtu ndë vendin tânë kemi ndryshime fetare, të thuesh ma shumë, se kishte mbarë Europa: katolik (latin), ortodoks (grek e slav) dhe mysliman. Prandej një rit i ri katolik shqiptar nuk e kishte të pregatitun terrenin as fetarisht e ideologjikisht, as politikisht." Edhe E. Çabej i mbahet kësaj pikëpamjeje dhe e lidh punën e Buzukut me veprimtarinë që kishte ndërmarrë aso kohe argjipeshkvi i Tivarit Gjon Bruni për të ruajtur e zgjeruar besimin katolik në dioqezën e tij, ku antagonizmit fetar ndërmjet besimit katolik dhe ortodoks (sllav), që ekzistonte që moti, iu shtua edhe rreziku i islamizimit që po përparonte.
Por në vitin 1986 Injac Zamputi e rishikon kryekëput pikëpamjen e mësipërme dhe përpiqet të bëjë një përsaktësim të tezës së Dh. Shuteriqit se "puna e Buzukut dhe e pasuesve të tij fetarë nuk i përket veprimtarisë tipike humanistike, kur shkruajnë shqip. Nga kjo anë, puna e tyre, edhe pse bën pjesë në qëndresën e përgjithshme antiosmane të popullit shqiptar, nuk frymëzohet nga idetë e mëdha që pushtuan kulturën europiane dhe iu kundërvunë Mesjetës. Nuk duhet kërkuar pra çfarë nuk gjendet te Buzuku e Budi." Duke u nisur nga një vërejtje e hollë e Mario Rokut se "Gjon Buzuku, ndryshe nga autorët shqiptarë të shekullit XVII, nuk qëndron nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Romës", historiani I. Zamputi me një analizë të gjithanshme të gjendjes kishtare, politike e kulturore të kohës përkatëse e zhvendos Buzukun nga kampi i Kundërreformës në atë të Reformës ("Studime filologjike", 1986, nr. 3). Autorët tanë të vjetër pas Buzukut dihet se nuk përkthyen pjesë të liturgjisë (pjesë të Biblës), po libra për mësimin dhe shpjegimin e fesë. Në fushën e liturgjisë vazhdonte të zotëronte latinishtja. Në këtë kuptim I. Zamputi e vlerëson veprën e Buzukut si një "hap i guximshëm kulturor, sepse bën pjesë në luftën ideologjike të kohës së tij dhe, në këtë luftë mban anën e kampit më të përparuar që po përmbyste konceptet e rrënjosura të Mesjetës për përbotshmërinë e kishës katolike." Kështu mund të shpjegohet edhe fakti që ka mbetur një kopje e vetme e "Mesharit", edhe ajo e gjymtuar, ndoshta me qëllim, që të mos njihej dhe t'i shpëtonte asgjësimit prej Inkuizicionit.
Ringjallja e Buzukut
Katërqindvjetori i botimit të "Mesharit" më 1955 u përkujtua me një sesion shkencor të organizuar nga Instituti i Shkencave, pasardhëse e të cilit është Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Me atë rast u vendos që të përgatitej një botim kritik i kësaj më të hershmes vepër në gjuhën shqipe dhe me këtë detyrë u ngarkua Eqrem Çabej. Ndonëse ky botim kritik, një punë e pashoqe tekstologjike, u përgatit më 1958, vepra, në dy vëllime dhe e pajisur me një studim hyrës shembullor, u shtyp pas dhjetë vjetësh në Rumani, falë bujarisë dhe dashamirësisë së Akademisë së Shkencave të Rumanisë, që vlerësoi rëndësinë e librit dhe punën e kolegut të çmuar shqiptar. E. Çabej bëri transliterimin e teksit, d.m.th. e rishkroi atë me alfabetin e sotëm, dhe transkriptimin e tij, d.m.th. vendosi vlerat fonetike të shkronjave të përdoruara nga Buzuku, rindërtoi si të thuash formën tingullore të këtij teksti në kohën që u shkrua.
Ndërkaq edhe filologu Namik Resuli në Itali i kishte hyrë punës së ribotimit të Buzukut dhe më 1958 libri i tij, që përmban fotokopjen dhe trankriptimin, pa ndonjë hyrje studimore, doli nga shtypi. Me një punë të stërmundimshme mbi njërën nga kopjet që pati sjellë më 1929 në Shqipëri Justin Rrota, filologu shkodran Kolë Ashta nxori fjalorin e plotë të veprës së Gjon Buzukut, që u botua fillimisht pjesë-pjesë te "Buletini i Institutit Pedagogjik të Shkodrës" dhe më 1996 në një vëllim të veçantë. Studimit të gjuhës së Gjon Buzukut iu kushtua për disa vjet edhe Selman Riza duke e pasuruar këtë fushë të gjuhësisë sonë me ide të reja. Por problematika dhe temat lidhur me Buzukun dhe "Mesharin" e tij nuk janë shteruar, madje janë ende larg cakut të dëshiruar.
Pandehet shpesh se vepra e Buzukut, si përkthim që është, nuk ka ndonjë vlerë letrare. Kjo është një pandehje e gabuar. Me gjithë luhatjet e shumta të formave të fjalëve e të shkrimit të tyre, në libër gjallon një frymëzim letrar, një aftësi e çuditshme shprehëse dhe një ritëm i brendshëm që e bën E. Çabejnë të përfundojë se ky autor "jo vetëm nga pikëpamja e kohës, po përgjithësisht dhe e nivelit, zë kryet e vendit në literaturën shqiptare të vjetrën; në fushën e prozës poetike edhe për më vonë është vështirë t'i vihet ndonjë tjetër përkrah."
Gjon Buzuku është i pari autor që përmend fjalën shqip si dhe emrin e lashtë Arbani si një përcaktim tërësor të atdheut të atyre që flasin shqip. Libri i Buzukut nuk është aspak për t'u kundruar si një objekt i ftohtë muzeor. Ai flet me shqipen e kohës së vet, që nuk është e vështirë për ta kuptuar edhe në kohën tonë, sepse gjithmonë te shkrimtarët shqiptarë regëtin ajo ndjenjë që Buzuku e ka skalitur i pari me fjalët "en së dashunit të së botësë sanë." Kjo ndjenjë që zë fill te shkrimtari ynë më i hershëm, e bëri letërsinë shqiptare pjesë të pandashme dhe shprehëse të vetëdijes së popullit që e lindi. Prandaj themi me bindje se 20 MARSI është një Ditë e Madhe në kulturën shqiptare, dita e guximit për të shkruar në kartë fjalët e gjuhës së zjarrtë, dita kur një shqiptar fitoi betejën e parë të madhe me penë dhe nuk e shkëputi nga dora derisa fitoi krejt luftën më 5 JANAR 1555. Në nderim të atij burri që "na zbardhi faqen", siç shprehet Selman Riza, le të jetë ky vit, që sot e deri më 5 janarin e ardhshëm, VITI I GJON BUZUKUT, viti kur u hodhën themelet e kulturës së shkruar në gjuhën shqipe.
__________________
Në faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me të vërtetë kurrgja. Sa më pak kemi, aq ma tepër mundemi me dhan. Duket diçka e pabesushme, por kjo ashtë llogjika e dashunis.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|