Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Historia > Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore > Ja si vriteshin të burgosurit politikë në kampin e Laçit, në vitin 1966"
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
amoxil
I perjashtuar nga forumi

Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949

Ja si vriteshin të burgosurit politikë në kampin e Laçit, në vitin 1966"

Në Shqipëri janë burgosur për motive politike 26.768 burra dhe 7367 gra. Nga këta janë ekzekutuar 5037 burra dhe 450 gra. Ndër këta persona, 998 burra dhe 7 gra kanë vdekur gjatë kohës së hetuesisë dhe nëpër burgje. Përveç këtyre të burgosurve, gjatë asaj periudhe janë internuar edhe 48.217 burra dhe 10.792 gra, nga të cilët 7022 prej tyre kanë vdekur në kampet e internimit"


Dashnor Kaloçi

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Shqipëri janë burgosur për motive politike 26.768 burra dhe 7367 gra. Nga këta janë ekzekutuar 5037 burra dhe 450 gra. Ndër këta persona, 998 burra dhe 7 gra kanë vdekur gjatë kohës së hetuesisë dhe nëpër burgje, kurse 308 të tjerë kanë humbur përgjithmonë aftësitë mendore. Përveç këtyre të burgosurve, gjatë asaj periudhe janë internuar edhe 48.217 burra dhe 10.792 gra, nga të cilët 7022 prej tyre kanë vdekur në kampet e internimit". Këto shifra tragjike i dëshmon për herë të parë për "Gazetën", 68-vjeçari Tanush Kaso, që drejton një prej Shoqatave të ish-të Dënuarve Politikë të Shqipërisë, i cili për më shumë se dhjetë vjet me rradhë ka vuajtur vetë në burgjet famëkeqe të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Nisur nga fakti se këto ditë të gjitha Shoqatat e ish-të Dënuarëve dhe Persekutuarve Politikë të Shqipërisë janë bashkuar dhe kanë ndërrmarë disa protesta paqësore për të kërkuar nga qeveria aktuale, kompesimet dhe dëmshpërblimet e vuajtjeve të tyre, zoti Tanush Kaso, si për t'i sensibilizuar ato, bën publike disa prej atyre ngjarjeve tragjike të ndodhura në kampet e burgjet e atij regjimi ku mbetën të vrarë me mijra të burgosur dhe internuar.

Në Kampin e Uzinës së Laçit
Një nga kampet e punës së detyruar të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ka qenë edhe kampi i Laçit, ku mbetën të vrarë dhe të gjymtuar shumë të burgosr politikë. Lidhur me atë kamp, që u bë ferri i shumë prej bashkëvuajtësve të tij,Tanush Kaso kujton: "Kampi i Uzinës së Superfosfatit të Laçit ku brenda tij ishin rreth 700 të burgosur politikë, ndodhej brenda hapësirës së gjerë të rrethuar me truproje të armatosura e tela me gjëmba, në veri të fshatit të vogël të quajtur Laç, në krahinën e Kurbinit, e cila asokohe ishte nën administrimin e rrethit të Krujës Ajo uzinë që do të prodhonte plehra fosfatike për bujqësinë dhe acid sulfurik për industrinë, kishte nisur që të ndërtohej me ndihmën e kinezëve. Qeveria shqiptare e asaj kohe kishte menduar që atë uzinë ta ndërtonte me të dënuarit politikë dhe pas atij vendimi, Komandanti i Kampit, Kolonel Azbi Lamçja, (me origjinë nga Mallakastra) i shoqëruar nga roje të shumta shkoi vetë në Burgun e Burrelit dhe pasi zgjodhi rreth 200 të burgosur që ishin në gjendje të mirë shëndetësore e fizike për të punuar, i çoi në kampin e Laçit. Të gjithë ata të burgosur që erdhën nga Burgu i Burrelit, u sistemuan për të fjetur në një godinë të madhe, që më vonë do të shërbente si depo për mbajtjen e materialeve të ndryshme të ndërtimit. Komandanti i atij kampi Kolonel Azbi Lamçja, mbante atë detyrë edhe për kampet e Rubikut dhe të Fushë-Krujës. Ai ishte një figurë mjaft e pasur me ngjarje të ndryshme nga burgjet e kampet ku kishte shërbyer për shumë vjet. Azbiu kishte qenë vetë i burgosur ordiner, që në vitet e para të pasluftës, i dënuar për vrasjen e një vajze nga fisi i tij dhe ishte liruar me amnistinë që ishte dhënë pas rënies së Koci Xoxes. Në lirimin e tij kishte ndihmuar dhe Mehmet Shehu, me të cilin ai kishte lidhje farefisnore dhe po Mehmeti në atë kohë që mori funksionet e Koci Xoxes, e ndihmoi Azbiun duke e marrë në rradhët e Ministrisë së Punëve të Brendëshme me detyrën e komandantit në disa kampe dhe burgje. Azbiu donte të tregohej i mirë me të burgosurit (me që e kishte provuar vetë burgun) por e bënte më mirë se të tjerët "detyrën e Partisë", duke i përmbushur sa më mirë dhe biles duke i tejkaluar porositë e eprorëve të tij të Sigurimit të Shtetit. Edhe Ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiun, i cili kishte zëvëndësuar në atë post, Mehmet Shehun, ai e kishte të afërt në lidhje krushqie. Nisur nga ato lidhje miqësie dhe krushqie që ai kishte me dy nga figurat kryesore të shtetit komunist, kishte kopetenca të plota, deri edhe për lirimin e parakohshëm të ndonjë të dënuari. Azbiu spekullonte shumë me familjet e të dënuarve duke u marrë atyre rrushfete të ndryshme, të cilat i mbante edhe për vete, por edhe iu çonte eprorëve të tij. Azbi Lamçen e pushuan nga puna dhe e liruan nga ushtria, duke e akuzuar për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Pas asaj atë e çuan si drejtor në Tiranë në një ndërrmarje ujrash, por dhe aty vodhi. Pas asaj atë e dënuan me burg dhe kur doli akoma pa mbushur vitin, filloi të ankohej dhe të shante. Pas kësaj e dënuan përsëri për "agjitacion e propagandë" dhe mbasi u lirua nga burgu doli në pension dhe pas disa kohësh vdiq. Gjatë vitit të parë të dënuarit politikë që ishin në kampin e Laçit, u morën me ndërtime pallatesh, të cilat janë edhe sot në atë qytet që ndodhet në anë të djathtë të rrugës nacionale që të shpie për në Shkodër, si dhe një pjesë të trasesë hekurudhore të linjës Vorë-Laç. Fillimisht trajtimi i të burgosurve në kampin e Laçit, ishte më i mirë se në kampet e tjera, mbasi aty punohej me teknikë e inxhinierë kinezë dhe kishte nevoja për kryerjen urgjente dhe me cilësi të punimeve. Të burgosurit zgjidhnin lirisht profesionet e zanatet e tyre si murator, karpentier, saldator, mekanik, elektriçist, e deri teknik ndërtimi. Aty në atë kamp herë pas here lejohej shfaqja e filmave shqiptarë dhe amerikano-latinë, siç ishte "Qielli i lumturisë" e ndonjë tjetër që pëlqehej dhe përsëritej. Furnizimi me ushqime bëhej me një dyqan të çelur apostafat brenda kampit. Aty mund të blinin të burgosurit që fitonin pak para nga tejkalimi i normës, si psh ndonjë kile sheqer apo makarona. Për çudinë e madhe tonën, vitin e parë ne na u lejua që të festonim Vitin e Ri, duke ndenjur gjithë natën zgjuar, me biseda, humor, muzikë e filma. Në oborrin e kampit ishte vendosur pema e Vitit të Ri e cila ishte zbukuruar me drita dhe pambuk që imitonte dëborën, ashtu siç bëhej në vitrinat e dyqaneve nëpër qytete. E gjitha ajo gjë e pazakontë, nuk bëhej nga zëmërgjerësia e komandantit, Azbi Lamçes, por sepse ashtu kishin ardhur udhëzimet nga Tirana", kujton Tanush Kaso, ish-i burgosuri i atij kampi.

Vrasja e Mark Cufit nga Shkodra
Po si rrodhën ngjarjet më pas në atë kamp të burgosurish dhe a kishte tentativa nga të dënuarit për t'u arratisur që aty? Lidhur me këtë, Tanush Kaso dëshmon: "Në pragun e festave të 20-vjetorit të Çlirimit dhe Ditës së Flamurit, situata dukej disi më e zbutur dhe ne rrinim me shpresë të dhënies së ndonjë "amnistie të gjërë" me rastin e atyre festave. Por kjo nuk u realizua. Që nga ajo ditë nisi zhgënjimi dhe si rezultat i asaj gjëndje, të burgosurit filluan të keqtrajtoheshin nga komanda e kampit. Nisur nga ajo situatë e tmerrshme psikoillogjike ku ne ndodheshim, shumë nga të dënuarit mendonin se si të arratiseshin që andej. Njëri prej tyre ishte dhe djaloshi trim nga Shkodra, Mark Cufi, i cili mundi që të arratisej, por u vra nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, teksa kishte mbërritur diku në afërsi të qytetit të Shkodrës. Vrasja enigmatike e Mark Cufit, i cili tentoi dhe u arratis nga kampi, e acaroi shumë gjëndjen. Versioni zyrtar i vrasjes së tij ishte: "tentativë arratisje". Trupin e tij të çarë që më pas dukej që e kishin qepur, e sollën me një makinë dhe e hodhën në oborrin e kampit, atje ku më parë kishte qenë vendosur pema e Vitit të Ri. Pas kësaj aty na grumbulluan të gjithë ne të burgosurve dhe Kryetari i Degës së Brendëshme të rrethit të Krujës, Nuri Çakërri, (me origjinë nga Vlora) mbajti një fjalim shumë të ashpër. Edhe sot më kujtohen ato shprehje të tija, të thëna plot urrejtje si: "Kështu do të përfundoni të gjithë! Mos kujtoni se do të vijnë anglo-amerikanët t'ju shpëtojnë! Kallashnikovi do të punojë për ne…" Po atë ditë nuk mund ta harroj kurrë guximin e trimërinë e Islam Cenkos nga Përmeti, i cili doli para të gjithë të burgosurve e Komnadës së Kampit, dhe e puthi në ballë Mark Cufin e pajetë, gjë të cilën ai e pësoi me një muaj izolim në birucë", kujton Tanush Kaso lidhur me vrasjen e të dënuarit Mark Cufi, nga Shkodra, i cili tentoi të arratisej nga ai kamp.

Vrasjet e tjera në Laç
Vrasja e të riut shkodran Mark Cufi në kampin e Laçit, nuk ishte e vetmja, pasi në atë kamp pati edhe vrasje të tjera, për të cilat, ish- i dënuari Tanush Kaso, dëshmon: "Aty në atë kamp pati edhe disa vrasje të tjera nga plumbat e komunistëve. Më kujtohen si tani vrasjet e shokëve tanë të dënua si Eqerem Zeko, Naun Kondakçiu, Qerim Çaushi etj. Eqerem Zekon e vranë ushtarët me breshëri automatiku teksa ai po hidhte plehrat pranë rrethimit të kampit. Ndërsa Naum Kondakçiu, shoku im i fëminisë, u vra diku jo shumë larg kampit (atje ku sot është ura e vogël para varrezave publike të qytetit të Laçit) pasi ishte arratisur nga kampi së bashku me dy shokët e tij: Sazan Hadërin dhe Murat Martën. Ata të tre rrëmbyen një makinë "Zis" që punonte brenda kampit dhe me të goditën portën kryesore të Uzinës e u larguan që andej. Ndërsa Sazani me Muratin u kapën shpejt nga ushtarët dhe qentë me erë të kufirit, Naumi u largua pak më larg dhe u fsheh në disa shkurre pranë një përroi të vogël ku dhe e rrethuan ushtarët e policët. Ai nuk kishte pse të vritej sepse ishte i rrethuar nga të katër anët dhe ishte i pa armatosur e mund të kapej fare lehtë i gjallë, por u vra qëllimisht për të na terrorizuar ne të burgosurit e tjerë. Ndërsa Patriot Xhelo nga rrethi i Vlorës, në një çast dëshpërimi u hodh përmbi telat rrethues të kampit dhe menjëherë u qëllua me breshëri automatiku nga rojet ushtarake. Ai ra përdhe pak metra pasi kishte kaluar telat i goditur nga shumë plumba në trup, por mrekullisht shpëtoi nga vdekja. Ai u shtrua në spital dhe pasi u shërua, u ridënua përsëri dhe më pas vuajti dënimin dhe u lirua. Tani ai jeton shëndoshë e mirë, por natyrisht i plakur, tok me familjen e tij që e krijoi me njëmijë mundime pas daljes nga burgu. Ndërsa i riu Qerim Çaushi, i dha fund jetës së tij duke u hedhur me kokë nga taraca e godinë së kampit, pasi nuk mundi që t'i duronte dot vajtjet që e mundonin në atë burg skëterrë. Pas këtyre katër të vrarëve, aty në atë kamp pati edhe tetë të vdekur të tjerë nga aksidentet në punë dhe sëmundjet e ndryshme për shkak të kushteve tepër të vështira që kishte ai kamp. Nga aksidentet në punë pati edhe shumë që mbetën invalidë të përjetshëm, si Eqerem Çapaj nga Vlora, i cili punonte si montator. Eqeremi ra nga kapriata dhe iu dëmtua kolona vertebrale e njera këmbë. Që nga ajo kohë, ai ka mnbetur i gjymtuar dhe thuajse i paralizuar. Përveç Eqeremit nga ai kamp kanë mbetur të gjymtyuar edhe shumë të dënuar tjerë", kujton ish- i burgosuri i kampit të Laçit, Tanush Kaso, lidhur me vrasjet dhe aksidentet e shumta në atë burg, ku të dënuarit politik punonin për ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit.

Në kampin e Fushë-Krujës
Përveç kampit të Laçit, në atë kohë regjimi komunist kishte hapur dhe një kamp tjetër në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ku asokohe punohej për ndërtimin e Fabrikës së Çimentos. Po ç'ishte ai kamp dhe si trajtoheshin të burgosurit politikë aty? Lidhur me këtë, Tanush Kaso dëshmon: "Vendi ku do të ndërtohej Fabrika e Çimentos, ndodhej disa km. në lindje të Fushë-Krujës, rrëzë maleve poshtë qytetit të Krujës. Ngjitur me kantierin e punës, ishin ngritur në formë drejtkëndëshi, disa baraka me një oborr në mes, ku ndodhej edhe një mencë e vogël verore me stola druri, e pak më tej, banjat dhe disa qeli. Të gjitha këto përbënin atë kamp ku ishim rreth 600-700 të burgosur politikë dhe ordinerë. Disa ndarje në njërën prej barakave, shërbenin për infermeri dhe tek porta ndodhej kabina e rojeve të brendshme të kampit të paarmatosura. I gjithë kampi ishte i rrethuar me një rrethim me tela me gjëmba dhe një tjetër akoma dhe më i madh ishte përreth kantierit të punës. Në një largësi prej disa metrash nga njera tjetra, mbi disa karakolle druri qëndronin rojet e rrethimit, të armatosur me automatikë dhe mitrolozë të lehtë. Komandanti i atij kampi në fillim ishte kolonel Azbi Lamçe, por më pas ai u zëvëndësua me Qemal Nallbanin, i cili ishte me origjinë nga Vlora. Ndërsa Komisar i kampit ishte Besnik Çomo me origjinë nga Mallakastra, i cili shquhej për mëndjemadhësi dhe egërsi të rrallë. Mbas shumë vjetësh, për nevoja pune, ishte e para herë që në atë kamp bashkoheshin të dënuarit politikë dhe ata ordinerë. Fjetja bëhej në kapanone të veçantë, por oborri ishte i përbashkët dhe në punë nuk kishte ndarje në mes nesh. Ne shkonim shumë mirë me njeri tjetrin dhe kishte shumë solidaritet dhe mirëkuptim nga të dy palët. Të dënuarit ordinerë ne na respektonin shumë. Kur nga kampi i Laçit, rreth 100 vetë na çuan si për më keq në kampin e Fushë-Krujës, ne u ndjemë si më të lehtësuar, pasi duke menduar se atje kishte dhe të dënuar ordinerë, kujtonim se atje do të kishte liberalizëm. Edhe ajo fabrikë ashtu si edhe Uzina e Superfosfatit e Laçit, ndërtohej me ndihmën e kinezëve, të cilët ne i kishim pranë gjatë gjitha punimeve që bënim, të cilat drejtoheshin prej tyre. Në orët e para lexonim, loznim, shah e domino ose ia merrnim këngës, tok me bashkëvuajtësit ordinerë, midis të cilëve kishte shumë të pakënaqur nga politika e Enver Hoxhës dhe tregonin lloj-lloj barcoletash banale për të e për larot e tij. Midis tyre kishte instrumentistë e këngëtarë të talentuar. shumë Kur ndodheshim atje, na erdhi një i porsadënuar për motive politike, disi i ndryshëm nga të tjerët. Ishte një muzikant profesionist, që kishte kryer konservatorin në Çekosllavaki. Quhej Ali Hoxha dhe ishte nga Kamza e Tiranës. Përdorte kitarën dhe disa instrumenta frymorë. Me vete kishte sjellë një trombë dhe një saks, të blera në Kinë, ku kishte qenë me Ansamblin e Shtetit. Drama e tij ishte e thjeshtë. Duke u kthyer në Atdhe, ndërsa avioni ishte ndalur për një pushim të shkurtër në Moskë ai u fsheh dhe mbeti atje. Rusët e pritën mirë. I premtuan strehim politik dhe punë ose, në se dëshironte mund të shkonte në vend tjetër. Mbas dhjetë ditësh, duke menduar për pasojat që mund të kishin të afërmit e vet në Shqipëri për shkakun e ti, ai vendosi të kthehej. "Do të dënojnë" - i thanë rusët. "Për dhjetë dite që ndjenje, dhjetë vjet burg do të bësh". I njohim ligjet e vendit tuaj, janë si ato të tonat, të kohës së Stalinit…" Ai këmbënguli të kthehej në Shqipëri. E nisën me një aeroplan kinez. Sa zbriti në Rinas, e shoqëruan njerëzit e Sigurimit. Filloi hetuesia, izolimi, dyshimet për spiunash, e pastaj dhjetë vjet burg", kujton Tanush Kaso, lidhur me kampin e Fushë-Krujës dhe shokët e tij të cilët vuanin dënimin aty bashkë me të.

__________________
Në faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me të vërtetë kurrgja. Sa më pak kemi, aq ma tepër mundemi me dhan. Duket diçka e pabesushme, por kjo ashtë llogjika e dashunis.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 05 Shtator 2005 23:05
amoxil nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të amoxil Vizito faqen personale të amoxil't! Kërko mesazhe të tjera nga: amoxil Shto amoxil në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto amoxil në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
amoxil
I perjashtuar nga forumi

Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949

Në pjesën e parë të këtij shkrimi, nëpërmjet dëshmisë së 68-vjeçarit Tanush Kaso, i cili ka vuajtur për më shumë se dhjetë vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, u njohëm me jetën e vështirë që bënin asokohe të dënuarit politikë në kampet e Laçit dhe të Fushë-Krujës, ku në fillimin e viteve '60-të, kishte filluar ndërtimi i Uzinës së Superfosfatit dhe Fabrikës së Çimentos. Sipas dëshmisë së Kasos, në ato dy kampe ashtu si edhe në kampet e tjera që ishin hapur pothuajse në çdo skaj të Shqipërisë, kushtet ishin nga më çnjerzoret dhe shumë nga të burgosurit nga që nuk i duronin dot ato, tentonin të arratiseshin apo të hidheshin në drejtim të telave me gjëmba të rrethimit, ku i sharronte automatiku i rojeve. Gjatë asaj periudhe në kampin e Laçit, tentuan të arratiseshin disa të burgosur dhe tre prej tyre, si Mark Cufi, Naum Kondakçi dhe Eqerem Zeko, u vranë nga rojet e kampit teksa kishin dalë jashtë rrethimit. Po kështu në atë kamp vdiqën apo u gjymtuan edhe shumë të burgosur të tjerë nga kushtet e këqia. Tentativa për t'u arratisur pati edhe në kampin tjetër të Fushë-Krujës, siç ishte rasti i Ylli Tabakut dhe Maksut Xhomakës, të cilët pasi dolën jashtë rrethimit, më pas u kapën dhe u torturuan në mënyrën më barbare duke u dënuar përsëri.


Arratisja e dy të burgosurve në Fushë-Krujë
Nisur nga kushtet çnjerzore në të cilat ndodheshin të burgosurit politikë në kampet e punës së detyruar që regjimi komunist i kishte hapur pothuaj në çdo skaj të Shqipërisë, shumë prej tyre nuk i duronin dot ato vuajtje dhe tentonin që të arratiseshin që andej apo t'i jepnin fund jetës duke u hedhur në telat e rrethimit të kampit ku i sharronte automatiku i rojve ushtarake. Edhe në kampin e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, ngjarje të tilla ishin më se të zakonshme. Lidhur me këto, Tanush Kaso dëshmon: "Një nga ngjarjet më të bujshme në Kampin e Fushë-Krujës, ishte arratisja spektakolare e Ylli Tabakut nga Tirana dhe Maksut Xhomakës nga Margëlliçi i Çamërisë. Kishte disa ditë që ata rrinin bashkë dhe silleshin rrotull kantierit, sidomos aty ku shkarkoheshin makinat me tulla e materiale të tjera ndërtimi. Ata si duket studionin dhe përgatisnin planin e arratisjes nga ferri. Ajo gjë ishte një ndërrmarje e guximëshme, që mund ta paguaje me jetën. Kisha vënë re se Ylli, si romantik që ishte, ato ditë këndonte herë pas here një këngë të muzikës së lehtë, e cila nuk kishte shumë kohë që kishte dalë, me refrenin "Harro, gjithmonë harro…" Dhe ja një ditë, papritmas, ndërsa të gjithë ishin shpërndarë nëpër frontet e punës, një makinë me rimorkio iu vërsul me shpejtësi portës së madhe, të cilën e shqeu dhe e kaloi pa vështirësi. Rojet për një çast u befasuan dhe u hutuan: pastaj ata derdhën breshëri të gjata automatiku e mitrolozësh në drejtim të makinë e cila dukej se ishte pa shofer, mbasi që të dy të burgosurit kishin ulur kokat. Treqind metra më tej, në kthesën e parë, makina u batua, për shkak se rimorkio kishte mbetur frenato.Të dy djemtë më pas zbritën nga makina dhe u larguan me vrap në drejtim të kodrave . Ndërkaq, një numër i madh ushtarësh, policësh e civilësh, u vu në në ndjekje të tyre. Të burgosurit kishin lënë punën dhe ishin ngjitur nëpër skela, duke vështruar zhvillimin e ngjarjes. Nga aty ku ishim ne pamë se shokët tanë u larguan përtej kodrave, por pa kaluar as tre çerek ore, vume re se nga majat e kodrave po zbrisnin një numër i madh njerzish. Kuptohej se ata ishin kapur. Dhe s'mund të ndodhte ndryshe. Kur u afruan, pamë se i kishin lidhur me tela dhe vazhdonin t'i qëllonin me grushta e me shqelma, në ecje e sipër, duke i shoqëruar edhe me sharje e fyerje. I sollën brenda në kamp, ku puna ndërkaq ishte ndërprerë. U bë apeli i përgjithshëm dhe ata të dy, Yllin dhe Babaushin, (siç e thërrisnin Maksutin) i lidhën me tel mbas shtyllave dhe vazhduan t'i rrahin dhe t'i pështyjnë. Ai që godiste e shfrynte më shumë në drejtim të tyre, ishte Komisari, Besnik Çomo, një cinik i pështirë. Yllit i ra të fikët. E tërhoqën zvarrë dhe e futën në birucë. Babushi ende qëndronte dhe sharjeve të kapterrave, iu përgjigjej me sharje nga më ordineret. Ishte bërë si i çmëndur. Pastaj e çuan edhe atë në birucë. Mbas një muaj e nxorrën në gjyq dhe e ridënuan, por ajo që nuk mund të harrohet lehtë, ishte shpirti i sakrificës që treguan për ta shokët e tyre dhe sidomos të dënuarit ordinerë që shkonin fshehurazi nga rojet, madje duke rrezikuar dhe jetën dhe iu fusnin tek biruca ushqime, vitamina dhe cigare", kujton 68-vjeçari Tanush Kaso, lidhur me tentativën për arratisje të dy bashkëvujatësve të tij, Ylli Tabakut dhe Maksut Xhomakës, në kampin e Fabrikës së Çimentos të Fushë-Krujës, në vitin 1966.

Në Kampin e Elbasanit
Përveç kampeve të Uzinës së Superfosfatit në Laç dhe atij të Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, në fundin e viteve '60-të, regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte hapur dhe një kamp tjetër për të burgosurit politikë në periferi të qytetit të Elbasanit, ku punohej për ndërtimin e Fabrikës së Çimentos nga specialistët kinezë dhe "skllevërve të shtetit" shqiptar. Lidhur me ngjarjet në atë kamp, Tanush Kaso dëshmon: "Aty në atë kamp në atë kohë ishim rreth 1000 të burgosur politikë dhe ndërtesat e kampit, të cilat përbëheshin nga disa barraka dërrase, ishin ngritur fare pranë kantierit të punës. Ato ishin të vendosura fare pranë njera-tjetrës, duke krijuar në mes një oborr në formë drejtkëndëshi. Si kampi ashtu dhe vëndi i punës ishin të rrethuar me një gardh të lartë teli me gjëmba e trupëroje të shumta. Ai rrethim kontrollohej herë pas here për sigurinë e tij nga oficerët dhe komandanti i kampit. Familjet e të burgosurve nuk e kishin të lehtë që të arrinin atje, mbasi duhej të bënin disa kilometra rrugë në këmbë në mes shkurresh dhe gëmushash, nëpër baltë dhe me kalime kanalesh dhe pengesa të tjera. Nga ana e komandës herë pas here bëheshin kontrolle për libra e sende të ndaluara. Nga një herë shfaqeshin filma të kontrolluar me autokinemanë që vinte nga Elbasani. Punimet aty drejtoheshin nga specialistë kinezë dhe shqiptarë. Në atë periudhë në të gjithë vëndin pati një krizë buke, e cila u ndie më shumë në kamp. Mbas politikës, "patatja kishte dalë në plan të parë". Jepeshin vetëm 300-400 gram bukë dhe pjesa tjetër patate. Edhe buka gatuhej e përzier me patate. Të burgosurit vuajtën shumë nga uria dhe disa prej tyre u sëmurën, pasi nuk i hanin dot patatet. Për fat kjo nuk zgjati shumë, veçse disa muaj. Shërbimi shëndetësor në kamp ishte në gjëndje të vajtueshme. Kur dikush nga të dënuarit sëmurej rëndë, mund ta çonin në spitalin e Elbasanit ose të Tiranës. Myzafer Domnorin, një ish mësues nga Shkodra, që u sëmur nga verdhëza, e nisën me shumë vonesë dhe vdiq në spital. Një ish mësues tjetër, nga Berati, Reshat Ago, e vranë rojet e rrethimit të punës, mbasi ishte vonuar të rreshtohej e të hynte në kamp, në një kohë me shokët. Një i burgosur i vjetër, shumë i nderuar e i respektuar nga shokët, Ali Maliqi (Agolli), nga Peshkopia, u vra disa muaj para lirimit, nga një bashkëkrahinor i tij. Njëzetvjeçari Mitat Allushi, nga Dukati i Vlorës, u vra nga rojet e rrethimit të kampit, disa metra përtej telave me gjemba, të cilat arriti t'i kalonte. Kishin mundur ta kapnin, por nuk deshën. Roja që e vrau, u shpërblye nga komanda. Kjo ngjalli një revoltë të përgjithshme në kamp. Me këtë rast, disa u transferuan në Burrel. Për të tjerët që mbetën, nisi keqtrajtimi: rrahjet, dënimet me izolim, ndalimi i takimeve me familjet etj… Duhet ta themi se në këtë kohë, është bërë një përpjekje për të organizuar një dalje masive nga kampi, por u vonua shumë dhe ra në vesh të Komandës. Shquhen për egërsi në këtë kamp, operativët e Sigurimit: Remziu, mik e bashkëfshatar i ish Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, dhe Fehmi Mullaj, nga fshatrat e Korçës. Nuk mbetej as tyre edhe i ashtuquajturi mjek, major Filip Çunga, i cili në vend që t'i shëronte të burgosurit, i rrihte dhe i dënonte me izolim në birucë. Dorën e tij të rëndë e kanë provuar shumë të burgosur, midis të iclëve edhe unë. Vetëm pse demaskova një agjentin e tij, brigadierin D. DH, "doktori" më futi "në dhomën e sqarimit" ku kërciste dajaku dhe më dënoi me një muaj birucë. Atje, midis të tjerëve, gjeta edhe Ali Hoxhën, i cili gjithashtu ishte "kashaisur" nga major Lipja dhe qe dënuar prej tij me një muaj birucë, sepse kishte goditur me grusht një brigadier, i cili po keqtrajtonte një shokun tonë të pafuqishëm për punë. Fryma vëllazërore, bisedat, shakatë, këngët e kënduara me zë të ulët dhe kujtimet e largëta, na e lehtësonin vuajtjen e izolimit. Aliu kishte mall për një vajzë, që kish njohur dikur, me emrin Margarita. Krijoi një melodi në kujtim të saj. Unë i thura vargjet. Kështu lindi "Margarita", një këngë që u bë mjaft e dashur për ne e që do të na shoqëronte ashtu si "Lili Marlen", në marshimin e gjatë e të dhimbshëm drejt lirisë. Kënga ishte sfida, që të burgosurit iu bënin grabitësve të lirisë", kujton Tanush kaso me dhimbje ato pak "çaste të lumtura", në mes atij mjerimi të tmershëm që kishte gatuar regjimi i Enver Hoxhës për mijra shqiptarë të cilët i kishte kundërshtarë politik.

Në Kampin e Spaçit
Një nga kampet e tjera të regjimoit komunist dhe ndoshta nga më të tmerëshmit, ka qenë edhe ai i Spaçit, ku punohej për nxjerrjen e lëndës së parë për Industrinë e Bakrit. Lidhur me kët, Tanush Kaso dëshmon: "Italianët dhe më vonë sovjetikët, kishin projektuar hapjen e disa minierave në krahinën e Mirditës, për shfrytëzimin e nëntokës së pasur me minieral bakri e piriti. Një nga këto ishte edhe vend-burimi i Spaçit, një fshat i ashpër malor. Mbas prishjes me sovjetikët, punimet i vazhduan inxhinierët dhe teknikët gjeologë shqiptarë. Ishin çelur mjaft galeri kërkimi dhe qe përgatitur terreni për shfrytëzimin e mineralit. Më 1967, Ministria e Punëve të Brendëshme, e gjeti me vënd ndërtimin e një kampi të punës së detyruar në atë zonë të thellë malore, në një gropë, ku dielli shifej vetëm në pak orë të ditës. U dërguan fillimisht rreth njëqind të burgosur politikë, të cilët përfunduan punimet e mbetura, rrethuan me tel me gjemba një zonë të madhe, ku gjendeshin galeritë dhe në "gropën e vdekjes". Pikërisht atje ata ndërtuan kampin ku do të vendoseshin skllevërit e shtetit, të cilët do të punonin me tre ndërresa e me orar të zgjatur, nëpër galeritë e thella, me pluhur, gaz, lagështirë dhe rrezikun e jetës mbi krye. Mbas tyre, të lidhur dy nga dy me tel dhe të hedhur si kafshët mbi karroceritë e disa kamioneve ushtarake, të shoqëruar nga roje të armatosura me automatikë e mitralozë, në fillim e në fund të autokolonës, udhëtuan nga kampi i Elbasanit për në Spaç të Mërditës, disa qindra të burgosur politikë. Gjatë asaj rruge të mundimshme prej më shumë se njëqind kilometrash, makinat nuk u ndalën as për të kryer nevojat personale të burgosurit. Mbas shumë vjetësh, ishte e para herë që të burgosurit politikë dërgoheshin për të punuar në miniera. Pati reagime nga ana e tyre dhe disa refuzuan kategorikisht të punonin në galeri e shpallën grevë urie. Ai që u shqua për qëndresën më të gjatë në grevë, rreth pesëmbëdhjetë ditë, ishte Dilaver Radeshi, (nga fshati Radësh i Skraparit) njeri i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Kishte qenë kolonel në ushtri, dhe vetëm se i kish shprehur haptaz pikpamjet e tij, për strategjinë e gabuar të bunkerëve, e kishin burgosur. Disa të tjerë u përpoqën t'i shmangeshn galerisë me ndonjë raport mjekësor; por as këto nuk merreshin parasysh nga komanda e kampit, së cilës i kërkohej nga Ministria e Punëve të Brendëshme, realizimi me çdo kusht i planit të bakrit dhe piritit. Prandaj ajo e shtoi dhunën mbi të burgosurit, që refuzonin të punonin nëntokë. Rrahja ishte një nga torturat më të zakonshme. Gjithashtu edhe dënimi me izolim në birucë, pa batanije dhe me një minimum ushqimi, nën acarin e dimrit të ashpër; nganjëherë ditën me polic mbi krye në galeri dhe natën në qeli me muaj të tërë. Galeria nuk ishte e këndëshme as për policët, që na kishin shoqëruar nëpër kampet e tjerë dhe që i kishin detyruar të vinin në Spaç. Ata nuk guxonin të futeshin thellë në tokë. Kur nga tavani i galerisë shkëputej ndonjë copë shkëmb (ose kur ndonjë i burgosur e hidhte qëllimisht), ata ishin të parët që ia mbathnin vrapit për të shpëtuar lëkurën. Shpejt komanda i transferoi dhe i zëvëndësoi me ish-minatorë të veshur me unifomë, pa kryer kurrëfarë specializimi. Shumica e tyre ishin kafshë të pamëshirshme. Ata më njerzorët siç ishte "Murgesha" një mirditor me fytyrë femre dhe mjaft i butë, nuk mundën që të qëndronin gjatë nën uniformë. Shquhej për egërsi "Lleshi i zi", Kapter Prenga e të tjerë. Komandant kampi ishte Çelo Arrëza, ndërsa Komisar Shahin Skuraj, i cili më pas u zëvëndësua nga Niko Kolitari, i mbiquajturi "zgërbonja". Numri i të burgosrve në këtë kamp që qëndroi i hapur përgjatë një çerek shekulli, luhatej mga 800 deri 1200 persona.. Edhe në atë kamp, ndoshta shumë më tepër se në kampet e tjerë, ka pasur vazhdimisht aksidente në punë. Më kujtohen si tani, Hamdi Popovci nga Peja e Gjakovës, i cili mbeti me një këmbë, (pas burgut u kthye në Kosovë) apo Gani Qeraxhiu, nga Tirana, (tani ndodhet familjarisht në Itali) i cili mbeti i paralizuar gjithë jetën. Aty pati edhe shumë raste që të dënuarit vdisnin nga sëmundjet profesionale. Po kështu aty pati edhe disa tentativa për arratisje, siç ishte rasti i të riut Mustafa Bajraktari, një djalë mjaft energjik dhe inteligjent nga Tropoja. Ai duke shfrytëzuar daljen e bllokuar të një galerie të vjetër e të harruar, mundi të arratisej, por u kap në afërsi të Pukës dhe u ridënua. Më pas pati edhe dy tentativa të tjera me të dënuarit, Lefter Balldovani nga minoriteti grek dhe Rexh Alia nga Mitrovica e Kosovës, të cilët kaluan rrethimin, por u kapën pa shkuar shumë larg. Mbasi u rrahën barbarisht nga forcat policore të kampit, ata u nxorrën në gjyq dhe u ridënuan. Lefteri i cili ishte një djalë shumë i mirë dhe tepër i përvuajtur, vdiq më pas në burg. Për shkak të kushteve tepër çnjerzore në atë kamp, disa kohë më pas shpërtheu një revoltë mjaft e madhe e cila tashmë është e njohur si "Revolta e Spaçit", e përfundon rrëfimin e tij 68-vjeçari Tanush Kaso, Kryetari i Shoqatës së të Dënuarëve Politikë të Tiranës, lidhur me vuajtjet e tmerret e të dënuarëve politikë në Kampet e Laçit, Fushë-Krujës, Elbasanit dhe Spaçit, ku ai kaloi më shumë se dhjetë vjet të jetës së tij, në periudhën më të bukur, rininë.

__________________
Në faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me të vërtetë kurrgja. Sa më pak kemi, aq ma tepër mundemi me dhan. Duket diçka e pabesushme, por kjo ashtë llogjika e dashunis.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 05 Shtator 2005 23:07
amoxil nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të amoxil Vizito faqen personale të amoxil't! Kërko mesazhe të tjera nga: amoxil Shto amoxil në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto amoxil në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Petrit Kola
Mbushes topi.

Regjistruar: 10/06/2005
Vendbanimi: Ne autobuz
Mesazhe: 996

Torturat ne qelite dhe ne burgjet shqiptare gjatë periudhes se diktatures komuniste (

“Ne gjak kanë për te përfunduar ata,
që gjithë jetën e kaluan ne gjaksira”
Bajron

Tortura është perdorur qysh ne fillimet e shoqerise njerëzore. Ne Evrope, ajo arriti kulmin, ne periudhën e inkuizicionit. Tortura u perdor si mjet kryesor terrori ne Bashkimin Sovjetik dhe ne vende te tjera komuniste te Evropes Lindore. Sipas konventes se OKB-se, datë 26 Qershor 1987, tortura përcaktohet: “Torture quhet çdo veprim, me anën e te cilit një personi i janë shkaktuar me dashje dhimbje ose vuatje te renda fizike ose mendore, me synimin për te marrë informata ose pohime, për ta ndëshkuar për një veprim që ai ka kryer ose dyshohet e e ka kryer, për te frikesuar ose për te bërë presion, ose për çdo motiv tjetër”. Ne ish BS, torturat ishin bërë te zakonshme dhe masive, gjë që e detyroi shkrimtarin e madhe rus, Mihail Shollohov, t’i drejtohej Stalinit. Me 1 prill te 1933, me një leter, ku midis te tjerash i shkruan: “Policet ne Kaukazin Verior i zhveshin fshataret lakuriq dhe i lënë për ore te tera midis një te ftohti te padurueshem” (“Libri i zi i komunizmit”).
Diktaturat komuniste përdoren tortura nga me te llahtarshmet, te nxjerra nga arkivat e inkuzicionit, te vendeve te lashta aziatike dhe bizantit grek.
Ne Shqipërinë “socialiste”, për demagogji thuhej, që ushtrimi i tortures ne hetusi dhe ne burg ndalohej me ligj. Kjo ishte një hipokrizi cinike, që perdorej për konsum propagandistik. Ne realitet, tortura perdorej kudo, ne qelite e hetusise dhe ne vendet e vuajtjes se denimit. Qysh ne momentin e arrestimit, i ndaluari i nenshtrohej tortures. Ne shumicen e rasteve, te arrestuarit i vendosej një thes i zi ne kokë dhe duart i lidheshin nga mbrapa, te shtrenguara ne maksimum. Torturat ishin te shumellojshme, që nga me primitivet, deri te me modernet. Aty ndryshonin sipas personit ku perdoreshin dhe vendit ku ushtroheshin. Nga deshmitare okulare, është deklaruar se qysh ne kohën e Luftes Antifashiste, misionaret jugosllave pranë njesive ushtarake partizane shqiptare perdornin torturen ndaj “armiqve” te kauzes komuniste. Ne shtator 1943, ne katundin Surel te Tiranës, Dushan Mugosha rropi një njeri te gjallë dhe gjakun e thikes e fshinte ne buzen e tij. Ai u bënte thirrje kuadrove partizane te pranishem, që te vepronin si ai kundrejt çdo “armiku” te komunizmit. Ne Devoll te Korçes, një partizani 15-vjeçar, që ishte larguar pa leje për disa ditë nga njesiti luftarak, Dushan Mugosha urdhëroi që t’i lidhnin këmbë e duar dhe ta shtrinin pertoke. Me një shufer hekuri filloi ta godiste me gjithë fuqine e tij, duke i thyer gjymtyret. Partizani 15-vjeçar dha shpirt nën dhimbjet e tmerrshme, te shkaktuara nga goditjet. Ne katundin Shipcke te Korçes, janë gjetur kufoma te shumta njerezish te torturuar nga forcat komuniste, duke patur patkonj te gozhduar ne kembet e ne duart e tyre.
Ne Muzeun Historik Kombëtar ne Tiranë, ne pavionin e gjenocidit komunist, ne një tabele numerohen 20 lloje torturash fizike, që perdoreshin ne burgjet e diktatures enveriane. Ato ishin:

1. Jeleku i tortures.
2. Demtimi i organeve gjenitale.
3. Kamxhiku e druri.
4. Lenia pa buke, pa ujë, pa gjume ne këmbë për ditë te tera.
5. Perdorimi i korrentit elektrik, deri ne humbjen e ndjenjave.
6. Varje ne qafe te zinxhireve me peshe te rëndë.
7. Varje prej krahesh, te lidhur mbrapa ne një dritare ose ne çengel ne lartesi te tilla që vetëm gishterinjte e kembeve te preknin tokën.
8. Mbushja e gojes me kripe.
9. Dergimi gjoja për pushkatim, zbrazje armesh dhe ngritja ne trekembeshin e varjes.
10. Futje me kokë poshtë ne fuçi me ujë.
11. Djegje e mishit me cigare, ose me hekur te skuqur.
12. Hedhja e alkoholit ne duar apo ne floke dhe ndezja e tij.
13. Thyerje kockash dhe shkulje e mishit me dare.
14. Dhenie gjelle te kripur dhe me pas lenia pa ujë.
15. Futje ne ujë te ftohte e te denuarit dhe lenia lagur e tij ne dimer.
16. Pakesim graual i ushqimit, për te shkaktar vdekjen pas njekohe te caktuar.
17. Perdorimi i lendeve kimike për ngacmim, apo demtimin e sistemit nervor.
18. Helmeta te posaçme ne kokë, që i burgosuri të mos vetvritej.
19. Lidhja me pranga duar e këmbë, për një kohe te pacaktuar.
20. Perdorimi i zgjojve te bletes ndaj te burgosurve te zhveshur.

Ne këtë tabele janë “harruar” te renditen edhe torturat e poshteshenuara:

- Tortura e izolimit pa afat. Ajo ka shkaktuar shkaterrimin fizik te ndaluarit, qorrimin, deri ne humbjen e të folurit.
- Dollapi dhe arkivoli i hekurt.
- Futja deri ne fyt ne gropen e fekaleve (kjo torture është perdorur ne kampet e bonifikimit).
- Lidhja ne shtylla betoni ne vende te ekspozuara ne diell, deri ne vdekje.
- Tortura me shtrengimin e prangave gjermane, që ka shkaktuar paralizen e duarve.
- Perdhunimi i pjesetareve te familjes ne sytë e te ndaluarit.
- Kafshimi me qen kufiri ndaj atyre që tentonin te arratiseshin (kjo torture bëhej ne postat kufitare)
- Krevati i hekurt (te burgosurin e shtrinin lakuriq mbi krevatin e hekurt, që e nxehnin gradualisht)
- Futja e maces ne tumanet e grave dhe ngacmimi me shkop për t’i demtuar organet gjenitale dhe pjset e tjera te trupit.
- Fryerja me pompe nëpërmjet anusit.
- Tortura dentale (thyerje dhe heqje dhembesh e dhemballash pa mpirje).
- Hedhja ne trupin e zhveshur te vajit te djegur.
- Vendosja e vezeve te zjerra nën sqetulla.
- Heqja e thonjve me pinca.
- Thyerje arrash, ne koken e viktimes.
- Çarje e mishit me thike dhe mbushje me kripe.
- Ecja zbathur mbi prushin e ndezur.
- Futje nëpër vena me anën e injeksionit, e cila shkaktonte tek viktima semundjen e hembolise, që i shkaktonte te arrestuarit dhimbje te padurueshme derine vdekje.
- Ngacmimi i plageve te shkaktuara nga plumbat, me shufren e hekurt te pushkes (perdorej nga forcat e ndjekjes ndaj te arratisurve te plagosur ne përpjekje).


Perveç torturave fizike, ndaj te burgosurve perdoreshin edhe torturat psikologjike, për te shkaterruar personalitetin e viktimes.
Po permendim disa nga torturat psikologjike që perdoreshin rendome ne qelite dhe burgjet e diktatures.

1. Privimi. Kjo torture konsistonte ne privimin e viktimes ndaj ndijimeve shqisore: nga gjumi, kontakti me njerëzitë, drita natyrale dhe artificiale. Privohej nga larja (dushi) si dhe për kryerjen e nevojave fiziologjike. Tortura e privimit i shkaktonte viktimes depresione nervore dhe haluçinacione.
2. Kercenimi. Viktima kercenohej vazhdimisht me tortura, vrasje dhe asgjesim te familjareve dhe te miqve te tij.
3. Poshterimi. Viktima poshterohej nga hetuesi duke e tallur, share me fjale me te renda, jo vetëm atë, por edhe te afermit e viktimes. Ata detyroheshin te pinin urinen dhe te hanin fekalet e tyre. Torturat psikologjike ishin te shumellojshme dhe te panumerta.

Torturat fizike dhe psikologjike te përmendura me lartë, janë vetëm një pjesë e torturave që janë perdorur ndaj viktimave gjatë 45-vjeteve te diktatures komuniste. Gjatë hetuesise viktimat i torturonin jo vetëm për te marrë informacionin e duhur prej tyre, por dhe për t’i shkaterruar fizikisht dhe menderisht. Me mijra te ndaluar, për t’i shpetuar tortures pranonin “faje”, që s’i kishin bërë kurrë. Me dhjetra te tjerë, kur kishin mundësi, bënin vetevrasje për t’u shpetuar torturave. Me qindra te ndalaur, kanë dhënë shpirt gjatë torturave, ose kanë humbur aftësinë mendore për gjithë jetën. Po permendim dias prej tyre: Taho Sejko, Hajri Mane, Sule Domi, Mitat Ciu, etj, kanë bërë vetevrasje, për t’ju shpetuar torturave. Myzafer Pipa, Pal Zefi, Hiqmet Roshi, Arif Kazazi, Dede Pjetri, etj, kanë gjetur vdekjen gjatë torturave. Ali Goxhaj, Qemal Gega, Petro Rondo, Kujtim Çuni, Fadil Kokomani, Hajri Pasha, e te tjerë, mbeten te çmendur perjete. Duhet theksuar se Fadil Kokomanin dhe Hajri Pashen i pushkatuan mbas disa vjeteve, duke qenë te çmendur.
Tortura kishte për qëllim jo vetëm te shkaterronte viktimen fizikisht dhe shpirterisht, por t’i perdorte viktimat për te terrorizuar pjesen tjetër te shoqerise shqiptare, që jetonte jashtë hekurave te burgut, pasi veprime te tilla ushtroheshin ne 26 rrethe administrative te Shqipërisë, ku kishte 26 dege te Puneve te Brendshme. Ne Tiranë, Korçe dhe Shkodër, ato ishin ne një rang me te lartë dhe quheshin Drejtori te Puneve te Brendshme. Ne çdo dege te çdo rrethi, kishte një sasi qelish me dimensione 2m x 1,20m. Po krahas këtyre, kishte dhe qeli “speciale” me dimensione 1m x 0,5m x 1m, ku i arrestuari, as mund te shtrihej, as mund te rrinte me këmbë, por vetëm ulur, kembekryq. Numri i qelive ishte nga 30 deri ne 100 për çdo dege, ndërsa ne ato te Shkodrës dhe Korçes, kishte mbi 100 qeli., Tirana perveç qelive që kishte pranë Drejtorise ne “Rrugen e Dibres”, “Të Selvia” kishte qeli dhe ne katër rajonet e policise, ne katin perdhes te Ministrise se Puneve te Brendshme, ne bodrumet e Pallatit te Brigadave; ne Burgun e ri dhe te vjetër dhe te ashtequajturat “Qelite e Koçi Xoxes”. Po kështu, ne Tiranë dhe ne shumë qytete te Shqipërisë, kishte shtepi “sekrete” me qeli, që perdoreshin për punët misterioze te Sigurimit te Shtetit. Sipas thenieve te ish-gjenralit te organeve te Sigurimit te shtetit, Halim Xhelos që vdiq ne mënyrë misterioze ne burg, vetëm ne Tiranë ishin mbi 500 qeli, ku janë torturuar me mijra te arrestuar. Si kryemjeshter i tortures përmendet gjenerali Nevzat Haznedari, drejtor i deges se hetusise pranë Min. P. Brendshme, për një periudhe 20 vjeçare.

__________________
Kolonel Anastas Janullatosi, jashte nga Shqiperia!

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 26 Dhjetor 2005 19:29
Petrit Kola nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të Petrit Kola Kliko këtu për të kontaktuar me Petrit Kola (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale të Petrit Kola't! Kërko mesazhe të tjera nga: Petrit Kola Shto Petrit Kola në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto Petrit Kola në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 22:35 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Historia > Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore > Ja si vriteshin të burgosurit politikë në kampin e Laçit, në vitin 1966"

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.