sarandaebukur
Veteran ne forum
Regjistruar: 21/06/2003
Vendbanimi: New-York
Mesazhe: 817
|
Pse fitoi PDK-ja?
Agim Popoci
Gazeta Shqip
27 Dhjetor 2007
Pas zyrtarizimit të koalicionit qeverisës PDK-LDK, askush nuk e ka të qartë se pse fitoi Partia Demokratike e Kosovës: që të zëvendësojë AAK-në, Agim Çekun, apo të jetë patericë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e abonuar kjo që të jetë në pushtet.
Qeveria e Kosovës, pikërisht nga PDK-ja është akuzuar për shumë dështime në qeverisje, dhe për të gjitha këto akuza që qëndrojnë, fajtorë në asnjë mënyrë nuk mund të jetë vetëm AAK-ja dhe Çeku, që ishin pakicë në kabinetin qeveritar, dhe aq më shumë që nuk kishin as kompetenca “mbi ministrat e LDK-së”.
Po çfarë kërkon LDK-ja sërish në pushtet?!
AAK-ja në qeveri
Të gjithë e kujtojnë koalicionin qeverisës të vitit 2004 në Kosovë, kur dr. Ibrahim Rugova vendosi që të krijojë qeverinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, si parti e tretë fituese në zgjedhje.
Përkundër thirrjeve që bënte për një qeveri gjithëpërfshirëse, Partia Demokratike e Kosovës nuk u përfshi në koalicionin qeverisës, me idenë, sipas dr. Rugovës se Kosova duhet të ketë edhe opozitë. Kjo gjë u kuptua si logjike si nga politikëbërësit, ashtu edhe nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, por kur u bë ndarja e posteve ministrore, askush nuk e kishte të qartë se nga u shpikën këta emra. Me përjashtim të emrave që vinin nga AAK-ja, ministrat nga radhët e LDK-së nuk i njihte askush, madje as vet elektorati i kësaj partie.
Dhe, Kosova, me shumicë dhe pakicë parlamentare, vazhdoi politikëbërjen e pakuptimtë, duke radhitur dështimet deri në pafundësi. Për katër vjet, qeveria e Kosovës nuk shënoi asnjë rezultat për të cilin mund të flasim sot me krenari, dhe janë pikërisht këto rezultate që i shkaktuan humbje jo AAK-së, por LDK-së, sepse ajo ishte shumicë edhe në kabinetin qeveritar. Ndërsa filluan të konsumohen ditët e mandatit të qeverisjes, askush nuk e mendonte, e lëre më ta besonte se Kryeministri që vinte nga radhët e AAK-së mund t‘i japë urdhër ndonjë ministri rugovian. Ky relacion u bastardua aq shumë sa Sekretari i LDK-së, Eqerem Kryeziu, i dërgoi edhe një letër Kryeministrit të Kosovës, Agim Çekut, duke i bërë me dije se shef i ministrave të LDK-së është zv.kryeministri, Lutfi Haziri. Kjo shpikje ldk-iste nuk ishte parë dhe as dëgjuar në analet e qeverisjes së një shteti, por që kjo gjë ndodhi në Kosovë, aty ku qeveria është edhe nën kontrollin e përhershëm ndërkombëtar.
Agim Çeku si Kryeministër i Kosovës dhe shef i asnjërit ministër, sepse edhe ata të AAK-së e kishin shefin e tyre, pasqyroi një performancë të paparë kryeministrore, dhe asnjë nga dështimet e shumta nuk mund t‘i adresohen atij.
Këtë e konfirmoi edhe vota e 17 nëntorit, e cila nuk dënoi AAK-në, por ekskluzivisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila pësoi një tkurrje shumë të madhe. Në një situatë të tillë, ku PDK-ja doli fituese, u kuptua se mazhoranca do të pësojë ndryshime edhe në qeveri, përveçse në Parlament. Por ja që nuk ndodhi kështu!!!
Amputimi i këmbës së shëndoshë
Qeveria e Kosovës, si rezultat i zgjedhjeve të zhvilluara, ndryshoi përbërjen, po për çudinë e të gjithëve, në vend se të amputohet këmba kanceroze, u shkurtua ajo e shëndosha, me idenë se edhe kështu mund të vjen shërimi.
Nëse kanceri i qeverisë së Kosovës ishte LDK-ja, gjë që u konfirmua me votë, pse duhet PDK-ja të jetë patericë e kësaj partie, e cila siç duket është abonuar të jetë në pushtet.
Koalicioni me secilën nga partitë tjera fituese është shumë më i arsyeshëm dhe madje i domosdoshëm për një Kosovë të re dhe më të mirë. Nga ana tjetër, Hashim Thaçi, për dallim nga Agim Çeku, nuk ka pse bëhet shef i ministrave të PDK-së, kur ai është kryetar i partisë, ndërsa bota dhe teknologjia moderne nuk njeh Kryeministër që i dërgon email zëvendësit të tij, në këtë rast nga radhët e LDK-së, që t‘i japë urdhër një ministri, për një çështje të caktuar?!
Nëse Thaçit ose dikujt tjetër edhe i ka shkuar nëpër mend se mund t‘i japë urdhër ndonjë ministri të LDK-së, atëherë thellësisht ka gabuar. Pas vdekjes së dr. Rugovës, një gjë të tillë nuk ka arritë ta bëjë as Haziri dhe as Kryeziu, sepse në të kundërtën kjo parti do të ishte fituese e radhës, dhe nuk do të merrej kush as me PDK-në dhe as me Hashim Thaçin. Dihet që karriget nuk fluturuan as në Kuvendin e PDK-së dhe as në atë të AAK-së, dhe nëse radhët në këtë parti nuk janë të konsoliduara, atëherë këtë duhet ta analizoj kryesia e kësaj partie dhe askush tjetër.
Nëse presioni ndërkombëtar, ashtu siç përflitet thotë se LDK-ja duhet të jetë në pushtet, atëherë le ta krijojë ajo qeverinë e re të dështimeve, ndërsa elektorati i PDK-së le t‘i japë përgjigjen e merituar. Ndërkombëtarët që ndërhyjnë, në rast se ndodh kjo, le të merren pak me partinë e dr. Rugovës e cila nuk po e merr dot veten. Ndërsa nëse i referohemi arsyes absurde të momentit historik, më mirë është që për hir të këtij momenti, LDK-ja të mbyllë gojën dhe le të shërojë radhët e veta, për t‘u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme, dhe për gjithë këtë manovër politike nuk duhet të pësojnë qytetarët e Kosovës, të cilët zgjedhjet e ardhshme edhe mund t‘i bojkotojnë fare.
Ndërsa, koalicioni tashmë i zyrtarizuar PDK-LDK, ose më mirë të themi LDK-PDK, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka vendin e rezervuar në koalicionin qeveritar të Kosovës, ashtu sikur se edhe serbët në Parlament, do të dështoje, gjë që e kanë të garantuar, askush nuk do të fajësoje LDK-në dhe Fatmir Sejdiun.
Zgjidhjen në këtë rast e ka bërë PDK-ja dhe Hashim Thaçi, dhe të gjitha mëkatet do të shkarkohen në kurriz të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila për arsye se nuk diti apo nuk kishte mundësi të zgjedhë, do ta paguajë në zgjedhjet e ardhshme. Dhe, ajo që është më e rëndësishme, nëse ndodh kjo edhe pse urojmë që JO, atëherë sërish PDK-ja do të kalojë në opozitë, sepse nuk do të dijë të japë sqarime se pse ndodhi gjithë kjo zallamahi qeverisëse !!!
Ndërsa për fitoren e asaj ose kësaj partie, dhe fitoren e këtyre përfaqësuesve të popullit, shqiptarët e Kosovës më në fund e kuptuan se në Parlament gjithkush mund të futet. Parlamenti është shtëpi publik.
Shkrimet e fundit tek Peshku
-->
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|