Fajtori
Apo jo?
Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706
|
Arkiv i mbyllur
Bashkangjitje: silvana mangano riso amasro 1949.jpg
Ky file është shkarkuar 17 herë.
Drejtoi për 17 vjet Arkivin Shtetëror të Filmit. Abaz Hoxha flet për kinemanë më të mirë evropiane që hynte në parajsën arkivore e cila dukej se s'kishte të bënte me një vend të izoluar.
Filma të neorealizmit italian, tregon ai, rrinë stok, bashkë me të tjerë që protagoniste kanë yje të ekranit. Një këshillë për Arkivin: të punësohen të apasionuarit.
Në 80-vjetorin e lindjes, Abaz Hoxha, flet për Arkivin Shtetëror të Filmit, institucioni me të cilën lidh 17 vjet të jetës (1973-1990) pasi kishte përfunduar studimet në Çeki si... inxhinier.
Askush më mirë se ai nuk mund të dijë se si pasurohej arkivi me vlera të kinemasë italiane, franceze, angleze, të Lindjes, ruse, çeke, polake.
Ai ngre një pyetje të thjeshtë: Përse nuk shfaqen? Kjo pyetje, ka të bëjë, në fakt, me politikat bashkëkohore për administrimin dhe promovimin e vlerave muzeore e arkivore.
Klasikët e neorealizmit italian, De Sica me "Vjedhësi i biçikletave", "Çatia", Giuseppe De Santis me "Romë ora 11.00", "Nuk ka paqe nën ullinj" apo "Oriz i hidhur", etj, që sillnin me vete yje të kinemasë si Gina Lollobrigida, Silvana Pampanini, Sophia Loren, janë vetëm disa që hynë në Arkiv në epokën e Hoxhës drejtor.
Trajtimi i arkivit si një hapësirë e zbrazët, është problemi kryesor që bashkëbiseduesi ynë ngre në intervistën e mëposhtme.
Abaz Hoxha lindi në Vlorë, më 14 prill 1930. Studimet i kreu për inxhinier elektronik. Përveç kontributit në Arkiv, ka dhënë mësim në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi".
Është hartues i Enciklopedisë së parë të Artit dhe autor i rreth 20 botimeve për kinematografinë shqiptare dhe të huaj. Ndër to: "Filmi Artistik Shqiptar 1957-1984" (1987), "Arti i Shtatë në Shqipëri, vëllimi I 1900-1944" (1994), "Enciklopedi e Kinematografisë Shqiptare" (1999), "100 vjet kinema në trevat shqiptare" (2002), "Kinematografia e vendeve skandinave" (2002), "Ne u shkolluam në Pragë" (2003), "Kinematografia shqiptare 1985-2005, shqip-anglisht" (2004), "Historia e kinematografisë botërore 1895-1945, vëllimi i parë" (2005), "Historia e kinemasë në Shqipëri, vëllimi i parë, 1897-1944" (2007), "Në gjurmë të filmave për Shqipërinë" (2007), "Shqiptarët në kinematografinë botërore" (2008).
Z. Hoxha, angazhimi juaj me kinemanë lidhet sidomos me drejtimin e Arkivit të Filmit. A mund të tregoni diçka më specifike për këtë përvojë?
Kur shkova në Kinostudio, arkivi ishte një magazinë. Kishte pak filma, një pjesë e tyre u dogjën në vitin 1947. Kryesisht filma të huaj, që ne i quanim "plaçkë lufte" sepse iu kapën armikut. Një pjesë na i morën rusët në mirëbesim, por nuk i kthyen më. Kishte mbetur një filmotekë, jo arkiv, me filma që kishin filluar të xhiroheshin nga viti 1947.
Futeshin atje me një inventar dhe ruheshin. Në vitin 1962, ngrita problemin që ky arkiv, të bëhej anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit, sepse nuk kishim asnjë përvojë. Një vit më vonë, me shumë luftë kërkesa u miratua dhe që nga 1963, ne jemi anëtarë të këtij organizmi.
Kishim nevojë për përvoja, sepse nuk dinim, si duhet të ruheshin filmat, si duhet të mirëmbaheshin, si duhet të krijohej aparati shkencor, për t'u regjistruar dhe për t'u shfrytëzuar në të ardhmen, për studime. Deri në 1966 isha kryeinxhinier, më pas u transferova në sektorin e kinemave, ku merresha me import-eksportin e filmave, zgjedhjen e filmave të huaj. Ishte përvojë për mua sepse u njoha me kinematografinë botërore.
Ne vërtet shfaqnim pak filma në kinema, por vinin shumë më tepër. Unë isha i detyruar t'i shikoja të gjithë, përpara se t'i zgjidhnim. Aty qëndrova për 7 vjet. Më 1972, më shqetësoi shumë gjendja e arkivit: një magazinë në kushte shumë të këqija, një magazinë me pllaka pupuliti, ku në çdo rast mund të binte zjarri.
Si u kthye Arkivi në gjendjen që është sot?
Në gazetën "Zëri i Popullit" botova dikur artikullin me titull: "Do të na duhet shumë Film-Arkiva". Isha i mendimit që Arkivi duhej konceptuar si një institucion shkencor. Si një shkollë për kineastët e rinj sepse nëpërmjet tij njihen me filmin shqiptar, por edhe me traditën e huaj. Në këtë kohë u hodh ideja që të krijohej një Arkiv Kombëtar, të kishte dhe një rregullore të përhershme që miratohej nga ministri.
Në shkrim ngrija edhe problemin që në Arkiv nuk duhet të punojnë njerëz të zakonshëm, por njerëz të pasionuar pas studimeve, studiues që të bëjnë analizën e filmit, analizën e krijimtarisë së regjisorëve, analizën e veprimtarisë së aktorëve. Në këtë pikë dështova, sepse si gjithnjë, ata që janë në krye mendojnë kë të fusin në punë. Pas kësaj u bë rregullorja e brendshme, u miratua në 1973, dhe më transferuan si drejtor të Arkivit. Aty qëndrova deri në '90-ën.
Çfarë pasurish nga fondi i huaj ruhen në Arkiv?
Të gjithë filmat e neorealizmit italian kanë hyrë në Shqipëri. Si një rrymë që lindi pas luftës, neorealizmi ishte një vijim i realizmit poetik francez të fundit të viteve '30. Duke qenë se trajton Italinë e pasluftës, të shkatërruar, të varfëruar, të sakatuar, në mendësi dhe në fizik, kjo shpjegon faktin pse filma të tillë u lejuan në Shqipëri, si për të nxjerrë në pah plagët e shoqërisë kapitaliste.
Kemi filma të Michelangelo Antonioni-t, Vittorio De Sica-s, të gjithë kolosët e neorealizmit dhe të kinemasë italiane. Erdhën filmat "Romë në ora 11.00" De Santis, "Vjedhësi i biçikletave" i De Sica-s, fitues i çmimit Oscar.
Nga ky regjisor kemi edhe filmin "Çatia" (Il Tetto), realizim i vitit 1956. Filmi i Giuseppe de Santis "Nuk ka paqe nën ullinj" (1950), ku luan një nga aktoret më të mëdha të asaj periudhe Lucia Bosè. Tek "Orizi i hidhur" (Riso Amaro, 1949), po i De Santis, për herë të parë shfaqet një nga yjet e kinemasë italiane, Silvana Mangano.
Neorealizmi karakterizohet nga një thjeshtësi dhe shumica e filmave të kësaj rryme janë xhiruar në natyrë dhe me aktorë jo profesionistë. Prej këtej dolën aktore si Gina Lollobrigida, Silvana Pampanini, Sophia Loren.
Për importimin e filmave, fillimisht, ne jemi orientuar nga Italia, Franca dhe Anglia. Ishin më të afërt me psikologjinë tonë. Nga kinemaja frënge ndisa vepra të mira e përfaqësuese të Nouvelle Vague-s dhe nga ajo angleze do të hynin asokohe ekranizimet e veprave të shkrimtarëve anglezë, kryesisht dramat e Shakespeare-it, "Otello" dhe "Henriku V" sepse lejoheshin dhe veprat qarkullonin. Hynë filma ku ka interpretuar Laurence Olivieri, një aktorët më të mëdhenj anglezë.
Po nga Lindja, duke patur parasysh që kjo kinema imponohej?
Fillimisht importin kryesor e kishim nga Bashkimi Sovjetik. 90% të importit e kishim nga ata. Kur u prenë marrëdhëniet ngeli një boshllëk në kinema, dhe jeta artistike ishte e vakët.
U kthye një problem politik dhe u detyruam të importonim. Në radhë të parë kanë qenë veprat e shkrimtarëve dhe kompozitorëve të njohur. Kemi filma të regjisorit rus, Grigori Chukhrai, që u bë shumë i njohur edhe në Perëndim me filmat "Balada e ushtarit" (1959), i "41-ti".
Nga një tjetër regjisor Mikhail Kalatozov, ose ekranizime të veprave të kompozitorëve të njohur rus. Çekosllovakia dhe Gjermania Demokratike ka numrin më të madh të filmave të importuar, pastaj Rumania, Polonia dhe Hungaria.
Ç'probleme vuan sot Arkivi?
Ne nuk kemi një muze të kinemasë, i cili duhet krijuar me kostume, skenografi, rekuizitë. Kjo bëhet nga njerëz të pasionuar pas studimeve, studiues të mirëfilltë, jo njerëz që shkojnë në arkiv për të marrë një rrogë.
Mungojnë botimet. Duhet të grumbullohen dhe të botohen të gjitha materialet që kanë të bëjnë me kinemanë. Duhen organizuar programe mujore, p.sh "Java e Filmit Francez". Filmat nuk duhet të rrinë të mbyllur në magazina, por të përdoren nga studentët, studiuesit, njerëzit e interesuar për kinemanë. Duhen organizuar ekspozita fotografike me afishe, fotografi gjatë provave, aparaturat që janë përdorur në xhirime etj. Mundësitë janë shumë.
(Shekulli)
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|