Klodel
.
Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233
|
Decentralizimi
Albin Kurti
Në fillim të viteve ‘90, Serbia e udhëhequr nga regjimi i Milosheviqit kërkonte vetëvendosje etnike për serbët në Kroaci dhe Bosnjë. Mirëpo, ajo nuk ua pranonte këtë të drejtë shqiptarëve në Kosovë, hungarezëve në Vojvodinë dhe myslimanëve në Sanxhak. Serbia kërkonte që territoret e banuara me serbë në Kroaci e Bosnjë t’i bashkoheshin asaj ndërkohë që territoret e banuara me shqiptarë, hungarezë dhe myslimanë, duhej t’i takonin Serbisë dhe ishin çështje e brendshme e saj. Serbia thirrej në një të drejtë që duhej t’ju përkiste vetëm serbëve kudo që ata janë. Në këtë mënyrë, sigurisht se nuk bëhej fjalë assesi për parim universal të së drejtës por për interes partikular politik.
Kjo m’u pat kujtuar përderisa Serbia fillonte ofensivën e saj për realizimin e procesit të decentralizimit. Ajo madje edhe stërtheksonte dobitë e decentralizimit për Kosovën dhe faktin se ai është në frymën evropiane. Mirëpo, ngjashëm sikurse dikur, edhe me rastin e decentralizimit, Serbia donte që ai të kryhet në Kosovë por jo edhe në Serbi. Serbia konstatonte vlerën dhe rëndësinë e decentralizimit si të tillë, dhe e kërkonte atë për Kosovën dhe në Kosovë. Pasi që decentralizimi na qenka kaq i mirë dhe i nevojshëm pse qeveria e Serbisë nuk e provon dhe nuk e bën atë në vetë Serbinë? Përgjigja është e thjeshtë: nëpërmjet decentralizimit si hap i parë Serbia synon kantonizimin, autonominë brenda autonomisë dhe pastaj ndarjen e Kosovës. Këtë edhe e kanë deklaruar hapur shumë herë zyrtarë dhe politikanë të ndryshëm të Serbisë si Slobodan Samarxhiq, Aleksandar Simiq, Dushan Prorokoviq, Çedomir Antiq, Mirolub Labus, Zoran Zhivkoviq etj. të prirë nga babai i nacionalizmit dhe hegjemonizmit serb Dobrica Qosiq. Ky i fundit, ndarjes së Kosovës tani së fundi ia kushtoi edhe një libër. Nëpër pllakate në Serbi që reklamojnë librin e Qosiqit e i cili menjëherë është shitur në 30.000 kopje shkruan “Libri që e kemi pritur tash 40 vjet!” Vizioni dhe qëllimet e Serbisë janë po ato të vjetrat dhe tashmë ato janë bërë edhe projekt qeveritar i përshtatur rrethanave të reja. Pasi që nuk mundën ta kenë Kosovën dhe atë pa shqiptarë në të – më 1999 i dëbuan rreth 1 milion shqiptarë! – atëherë i duan pjesët e banuara me serbë dhe si zakonisht t’i rrisin ca. Mediat në Serbi dhe qarqet intelektuale ka kohë që kanë filluar fushatë për projektin e ndarjes së Kosovës.
Zëvendësimi i prioriteteve
Para ngjarjeve tragjike të 17 dhe 18 marsit të vitit 2004, prioritet në axhendën ndërkombëtare për Kosovën ishin bisedimet Prishtinë-Beograd për çështje teknike si dhe kthimi i refugjatëve (posaçërisht i atyre serbë) në Kosovë. Pas këtyre ngjarjeve prioritet bëhet decentralizimi. Ky ndërrim drastik vjen si pasojë e kategorizimit tërësisht të ndryshëm që i bëhet Kosovës pas 17 dhe 18 marsit të vitit 2004. Deri atëherë Kosova ishte edhe problem politik e ekonomik, kurse pastaj ajo konsiderohet para së gjithash si problem i sigurisë. Kategoria e sigurisë paraqet nivelin më të ulët të mundshëm. Prandaj, çdo projekt ose ide që arrin të interpretohet si i rëndësishëm për sigurinë në Kosovë, pranohet të trajtohet nga UNMIK-u. Pikërisht këtë gjë e ka bërë Serbia. Ajo ka arritur t’ia bëjë prioritet UNMIK-ut decentralizimin në emër të përmirësimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë. Kjo nuk ishte e vështirë pasi që sikurse Serbia, tashmë edhe UNMIK-u në masë të madhe, sigurinë në Kosovë e reduktojnë në siguri të serbëve. Mbi të gjitha, kjo i leverdis edhe UNMIK-ut sepse e amniston atë. UNMIK-u përpiqet me të gjitha mjetet që ta paraqesë problemin e Kosovës si problem dhe konflikt inherent etnik në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Kjo ia krijon hapësirën UNMIK-ut, që përkundër pushtetit absolut që ka, të shfajësohet për gjendjen katastrofale të ekonomisë në Kosovë, për mbi një milion njerëz të varfër ose të papunë, për dështimin e drejtësisë në Kosovë dhe për mungesën e çfarëdo vizioni ose plani për të ardhmen. Kjo është shumë e padrejtë dhe e rrezikshme. Sepse, së pari, nëse konflikti na qenka etnik atëherë zgjidhja do të jetë etnike, e kjo është ndarja e Kosovës në pjesën shqiptare dhe serbe. Dhe së dyti, nëse konflikti na qenka etnik atëherë Milosheviqi dhe Serbia nuk paskan pasur aq shumë faj dhe lufta në Kosovë nuk u shkaktua nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë dhe fashizmi i regjimit të Milosheviqit nga njëra anë dhe përpjekjet për çlirim të shqiptarëve (dhe jo vetëm të tyre) nga ana tjetër! Lufta kësisoj na paska qenë vetëm intensifikim i armiqësive etnike historike dhe tani UNMIK-u po luan rol të mrekullueshëm duke siguruar paqe dhe duke i mbajtur dy popujt ndaraz nga njëri-tjetri!
Për çështjen e decentralizimit, Serbia mbase ka përdorur edhe një atu shtesë. Para një viti, pas dështimit të forcave ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë në Kosovë gjatë marsit të vitit të kaluar, Serbia me gjasë ka kërkuar nga UNMIK-u që meqenëse ai nuk mundi t’i mbrojë serbët në Kosovë, atëherë t’ua krijojë atyre mundësinë që ta mbrojnë veten. Pra, në vend se siguria e serbëve të bazohet në mossulmimin e tyre ose në mbrojtjen ndërkombëtare, ajo tani duhet të bëhet duke u dhënë serbëve nëpër enklava më shumë pushtet përmes decentralizimit. Kësisoj, edhe pse UNMIK-u dhe Serbia kanë motive dhe interesa të ndryshme (i pari që të shfajësohet për dështimin, kurse i dyti që ta ndajë Kosovën) ata përputhen në qasjen ndaj problemit të Kosovës si problem e konflikt etnik. Bërja prioritet e decentralizimit nuk ka të bëjë me interesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ajo është tërësisht rezultat i planit të Serbisë për ndarje të Kosovës.
Edhe më larg BE-së. Pafundësisht larg.
Në Bashkimin Evropian nuk mund të integrohemi duke u decentralizuar. Decentralizimi do ta bëjë ndarjen e Kosovës. Në shansin e parë menjëherë do të ndërtohet asociacioni i komunave serbe në Kosovë i kontrolluar nga Serbia. Ose madje do ta bëhet palestinizimi i Kosovës duke e shndërruar atë në shumësi të copëzave të territoreve të ndara me kontroll të pavarur. Në këtë mënyrë do të shndërroheshim në vatër të përhershme të krizës. Askush nuk do të na donte as në afërsi e lëre më në BE. Në BE integrohemi duke u bërë shtet i pavarur së pari. Ndërkaq, decentralizimi do të na largojë edhe më shumë nga ky synim i yni. Edhe në shumë vende të BE-së decentralizimi nuk është prioritet dhe madje as që është kryer. Franca është shembull tipik për këtë. Ndërsa te ne, decentralizimi imponohet si prioritet ndonëse jemi vend shumë i varfër dhe do të na duhej zhvillimi i ekonomisë gjermane që ta mirëmbanim tërë atë dinosaur të administratës burokratike që do të krijohet e do ta mbushë Kosovën me zyra. Lidhur me këtë ekziston edhe një bindje e vërtetë dhe e pasaktë ndërkombëtare. Bindja se burokracia integron. E vërtetë pasi që nga përvoja me Bosnjën e madje edhe Kosovën dihet se nuk ka ngjarë asnjë incident ndërmjet punonjësve lokalë të etnive të ndryshme nëpër administratë. E pasaktë, sepse nuk i ka integruar dhe nuk i ka bërë më tolerantë njerëzit burokracia por fakti se në Kosovë, e po ashtu edhe në Bosnjë, nuk ka qenë konflikti etnik dhe sepse pikërisht kur kanë vend pune dhe mirëqenie sociale njerëzit komunikojnë e bashkëpunojnë. E këtë gjë nuk e kanë edhe pjesa tjetër e popullsisë që përbën shumicën dërrmuese e që lëngon në mjerimin e vet ekonomik e social. Kjo bën që ajo burokraci të shkëputet nga populli dhe nga realiteti. Edhe ashtu zyrat disi s’janë reale.
Kufijtë e brendshëm
Përveç bërjes prioritet as origjina e decentralizimit në Kosovë s’ka të bëjë me qytetarin e Kosovës dhe me kualitetin e jetesës së tij. Edhe ajo është plotësisht e politizuar. Instituti KIPRED shumë mirë ka vërejtur dhe shpjeguar këtë gjë në raportin e vet kur thekson se decentralizimi është shfaqur fillimisht si premtim i ish-PSSP-së z.Michael Steiner dhënë komunitetit serb në Mitrovicë në kuadër të planit shtatëpikësh me qëllim që t’i joshë serbët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2002. S’ka dyshim se edhe rezultati do të jetë politik. Strukturat paralele nëpër enklava thjesht do të legalizohen dhe forcohen, do të bëhet territorializimi i problemit të Kosovës mbi baza etnike dhe do të krijohen kufij të brendshëm në dëm të kufijve të jashtëm të Kosovës.
Të dy aspektet themelore të decentralizimit, afrimi i pushtetit kah qytetarit dhe krijimi i njësive të reja administrative dhe territoriale në kuadër të një sistemi shumënivelësh hierarkik, janë të dëmshme për Kosovën në kohën dhe formën që janë propozuar dhe po realizohen. Fundja decentralizimi, si edhe çdo gjë tjetër, do të duhej t’i përshtatej njerëzve dhe kontekstit shoqëror të tyre e kurrsesi anasjelltas siç po ndodh tani. Afrimi i pushtetit kah qytetarit pa dyshim se është shumë i dëshirueshëm. Por, ne kemi shumë më tepër nevojë për demonopolizimin e pushtetit të UNMIK-ut sesa për decentralizimin e pushtetit vendor i cili ekziston kryesisht në masën që është simbolik. Aq më tepër, IPVQ-të ende nuk i kanë as kompetencat e kapitullit të pestë të Kornizës Kushtetuese, pra as atë të paktën që shkruan se ju takon, dhe tani duhet t’ju decentralizohet “pushteti”! Megjithatë, për këtë aspekt të decentralizimit enklavat dhe veriu i Kosovës nuk kanë edhe aq shumë nevojë. Atje, për shkak të strukturave paralele të Serbisë, çdo institucion është më i fuqishëm dhe shumë i fuqishëm. Është e vërtetë se do të përfitojnë nga legalizimi i strukturave paralele por këtë nuk e kanë edhe aq të rëndësishme. Fokusi i vëmendjes do të jetë te përcaktimi i njësive të reja administrative dhe territoriale, i cili kurdo që do të bëhet do të përputhet me ndarjet etnike të cilat në këtë mënyrë do të bëhen edhe territoriale e institucionale. Problemi do të shfaqet te fshatrat dhe arat e fshatarëve të cilët do të brengosen dhe frikësohen se mos do të përfundojnë në njësinë e gabuar administrative. Banalisht e arsyeshme! Decentralizimi asisoj do ta shkatërrojë multietnicitetin aty ku ai ekziston dhe do ta pamundësojë atë aty ku ende nuk është. Në Kosovën e enklavizuar dhe me Serbinë ende mbi qafë, decentralizimi është e kundërta e multietnicitetit. Decentralizimi si projekt kryesor që është bërë edhe ashtu nuk është i orientuar kah qytetarit dhe nuk bazohet në të. Aty përherë operohet me termin komunitet, duke u menduar në bashkësitë nacionale në Kosovë.
Mirëpo, jo vetëm kaq. Serbia gjithashtu do që të ketë njësi sa më të gjëra territoriale me kufij të definuar qartë, duke përfshirë edhe fshatra shqiptare, e në të cilat serbët do të ishin sërish shumicë e pakontestueshme dhe që nuk do të mund të rrezikohej. Serbët aktualisht përbëjnë vetëm 5% të popullatës në Kosovë. Edhe me kthimin e serbëve nga Serbia ata realisht nuk do të munden të jenë më shumë sesa 8%. Ndërkohë me enklavat e tyre që do të zgjerohen në Kosovën e decentralizuar serbët do të mund të kenë afër 25% të territorit të Kosovës. Prandaj, decentralizimi i cili duke marrë parasysh gjendjen aktuale në Kosovë është territorializim etnik i konvenon shumë interesave të Serbisë. Kjo natyrisht se do të bëhet e pashmangshme përderisa nuk shpërbëhen strukturat paralele, gjersa të mos përcaktohet statusi final i Kosovës dhe mbi të gjitha për shkak se ky është plani i Serbisë ndërkohë që ne jemi të defaktorizuar. Mospjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit, decentralizimi dhe shpikjet e reja që do të na shfaqen në të ardhmen, të gjitha këto janë pjesë e projektit për ndarjen e Kosovës që po has gjithnjë e më shumë në miratimin e politikës dhe opinionit publik në Serbi.
Nuk është se në Kosovë nuk dihen këto. Psikologu suedez Parknas thotë se për gjërat e tmerrshme njerëzit gjithmonë janë më të informuar sesa që mendohet se janë. Skepticizmi, posaçërisht i shqiptarëve të Kosovës për decentralizimin, është bile edhe intuitiv. Për shkak të refuzimit që hasi inicialisht, jo shumë kohë pas lançimit të tij edhe decentralizimin e ndoqi fati i “Standardeve para Statusit”. Pasi që u korruptua si term ju ndërrua emërtimi në “reformë e pushtetit lokal” që të mos i ndryshohet përmbajtja dhe për hir të efekteve psikologjike që duhej të shkaktonte te populli. Jo pa sukses, fatkeqësisht.
Nga zhvillimet e viteve të fundit, një gjë është shumë e qartë: përderisa Serbia ka këso tendencash për Kosovën, çdo gjë që nuk është status final do të matet nëpërmjet efekteve që mund t’i ketë në statusin final. Pra çka nuk është status final bëhet status final. Kështu ngjau më herët me privatizimin, kështu edhe tani me decentralizimin. Por gjersa në rastin e parë bllokimi vinte nga Serbia që kishte forcën tani këtë duhet ta bëjnë shqiptarët dhe atë populli sepse “pushtetarët” e IPVQ-ve tani ndodhen në anën tjetër. Edhe për këtë çështje. Ata e pranuan me lehtësi neveritëse decentralizimin dhe për më tepër asgjë s’fituan për kundërvlerë por madje filluan fushatën për ta bindur popullin se si decentralizimi na qenka shumë i mirë për Kosovën. Edhe dobia që mund të bëjë decentralizimi diku, siç është rasti i qytetit të Prishtinës, është e pakrahasueshme me dëmin që do ta shkaktojë gjithandej nëpër Kosovën e enklavizuar.
Veriu dhe Lindja
Decentralizimi duhet të jetë i papranueshëm sepse është i padrejtë dhe i dëmshëm. Më së shumti është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për komunën e Gjilanit dhe Dardanës të cilat kufizohen me Serbinë, dhe natyrisht për veriun e Kosovës. Veriu dhe pjesa lindore e Kosovës janë interesimi i Serbisë dhe do të jenë në shënjestër të saj në dy vitet e ardhshme. Por, qeveria e Serbisë njëherë do që ta sigurojë mundësinë e realizimit të skenarit në lindje para se të bëjnë çkadoqoftë më shumë në veri sesa që tashmë e kanë. Kësisoj, Serbia aspiron që të krijojë një tampon zonë, një brez territorial që do ta ndante nga Kosova Luginën e Preshevës dhe do ta izolonte atë. Edhe në rast se dikush nga politikanët në Kosovë do të mundohej që ta përdorte Luginën e Preshevës si argument balancues për veriun e Kosovës, pas kësaj, kjo nuk do të ishte e mundur më. Komuna e Gjilanit dhe e Dardanës do të kenë sfida të mëdha. Këtë e vërteton edhe vetë qeveria e Serbisë, nënkryetari i së cilës, Miroljub Labus për gazetën “Politika” të datës 6 nëntor 2004 ka thënë: “Në kuadër të Kosovës dhe Metohisë do të duhej të formoheshin dy entitete. Entitetin serb do ta përbënin këto zona: Kosova Veriore (komuna e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe veriut të Mitrovicës së Kosovës) dhe Anamorava e Kosovës (komuna e Kamenicës së Kosovës, Novo bërda, Graçanica dhe pjesë të Gjilanit dhe Lipjanit)”. Miroljub Labus nga Perëndimi konsiderohet si i moderuar dhe demokrat.
Kriza në Kosovë po thellohet drejt shpërthimit të saj, për shkak të dështimit të UNMIK-ut dhe IPVQ-ve që t’ia mbrojnë interesat popullit, dhe t’i ofrojnë atij mirëqenie e perspektivë. Dhe, për shkak se këto s’kanë ide se si të dilet nga kjo situatë. Përderisa ne këtë shpërthim e shohim si rrezik, Serbia e sheh si shans për të zbatuar konkretisht planin e saj. Për këtë qëllim, në Luginën e Preshevës në afërsi të Bujanovcit, në fund të vitit 2005 do të përfundojë ndërtimi i bazës së madhe ushtarake të ushtrisë serbe. Nebojsha Çoviqi, me 20 janar 2005, për radion B-92 ka deklaruar se prezenca e armatës së Serbisë në Luginën e Preshevës është e domosdoshme në mënyrë që serbët nga regjioni i Anamoravës në Kosovë të ndihen të sigurtë. Agresioni i ri i Serbisë tashmë është më afër sesa horizonti.
gazeta shekulli
__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|