Klodel
.

Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233
|
Fragmente të zgjedhura
Një anthologji shqiptare e kësikohëshme
Prej Dr. Lazar Gusho
Për HAMID GJYLBEGAJN:
Në botën e panteizmit bektashian shqiptar, që gjeti, mundësisht, një interpretim dogmatik dhe poetik në Jugë te Naim Frashëri me “Fletoren e bektashinjet” (Bukuresht, 1896), thellohet në Shqipërinë e Veriut poeti Hamid Gjylbegaj, i lindur në Shkodër më 1888. Gjylbegaj intencionon të përforcojë, dyke e rithemeluar religjionin panteist me anën e dëshmimeve të shkencës dhe të arsyes njerëzore, dhe të hirit të shpirtit të Shënjtë, i cili na relevon të Vërtetën që është njohtja e virtutit dhe praktikimi i vetëmohimshëm i tij.
Një seri publikacionesh me vjersha [“Fjala e Virtutit” - Elbasan, 1929; “Monumenti i atdheut” - Elbasan, 1930; “Fleta e jetës” - Shkodër, 1932], përmban këtë ideologji të re, të vënë, si gjithë Bektashizma shqiptare, në shërbim të Atdheut. Poezia themelore është “Kuptimi i jetës”.
Për LUMO SKËNDON:
Nën pseudonimin Lumo Skëndo, të iluminuar prej një fame që kufizon venerimin, fshihet emri i një burri të madh, me aktivitetin e shumëanshëm të pathyer të të cilit lidhet drejtpërdrejt një e katërt shekulli e analeve të përpjekjes shqiptare për kulturë e indipendencë. Ky është Midhat Frashëri, djali lartësisht i denjshëm i Abdyl Frashërit, që bashkë me vëllezërit e tij Sami Frashëri dhe Naim Frashëri përbën trisinë familjare që lojti rol preponderant në lëvizjen nacionale të filluar më 1878… Vepra letrare e bukur e Lumo Skëndos është “Hî dhe shpuzë” (Sofje, 1915), ku përshkruhet në rrëfime të një stili të thjeshtë po me ekspresion të ngrohtë një çip i jetës plot origjinalitet dhe i zakoneve milenare të popullit shqiptar, të cilit ay vazhdon t’i shërbejë me apostullatën e një misionari të bindur në vetvete.
Për MIHAL SHERKON:
Një kontribucion i ri në lëmën e letrave shqipe është sjellë me përpunimin e përrallave prej Mihal Sherko-s, studios i zellshëm i materialit folkloristik të mbledhur prej kolekcionistëve në kohën e kaluar. Ay është literarizonjësi i përrallës popullore shqiptare, provat e para, “Pranë Vatrës”, të filluara prej më shumë se një dhjetëvjetori, mbajnë me vete gjithë shenjat e një quajtjeje kësilloj në kuptimin më të thjeshtë të fjalës… Vepra e Perrault-it, e vëllezërve Grimm, nër të tjerë, vijnë të përplotësojnë shtytjen pemëdhënëse të shumanshme, veçanërisht dhe kryesisht rrëfimet popullore pothuajse origjinale, të tretura thellë në frymën e fisnikërisë aristokratike franceze të Perrault-it, mjeshtrit të pashoq të rrëfenjësit shqiptar, prej të cilit, si një studionjës docil, shumë mësoj, gjith dyke mos i-u përshtatur në princip procedimeve të tija të avansuara, sepse, kur se Perrault-i për të interpretuar, pas intuicionit të vet, më mirë shpirtin francez u largua krejt prej origjinaleve, Sherkua shëkon përkundër në ruajtjen e prototipit të fabulës popullore detyrën sa të bukur aq plot përgjegjësi për t’u realizuar. Themat dhe motivet dhe gjer hollësira stilistike të pavërrejtshme, si format arkaike, jo vetëm në vokabular po dhe në stil dhe sintaksë së bashku me shprehjet origjinale thjesht shqipe, janë konservuar në Sherkua me religjiozitetin e vëzhgonjësit që kërkon t’i rijapi popullit shpirtin e tij kolektiv, domethënë vetëvetëhen, jo koncepcionin individual të literarit fantazonjës.
Për STEFAN SHUNDIN:
Stefan Shundi … ka shkruar “Kalorësin e vdekjes“, veprën e tij të parë të bukur, të mbushur plot me magjinë tërheqëse të kohës së mesjetës heroike dhe dashurinë kavalereske shqiptare. Kjo dramë inedite (Tiranë, 19..), me subjekt të marrë nga kënga popullore shqipe, trajton legjendën e bukur ballkanike dhe jashtëballkanike të birit që ngrihet pas vdekjes nga varri dhe i-a shpie që larg të motrën s’ëmës, për të mbajtur besën e dhënë kësaj që më të gjallë. Autori ka përpunuar, me një sens të shquar dramatizmi, baladën italo-shqiptare “Kostandini dhe Garentina” të kolekcionit të Dhimitër Kamardës (Appendice, në “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese”, Livorno 1864).
Përzgjodhi: Shaban Sinani
Profesor Jokl-i në dispozicion të Shqipërisë
LASGUSH PORADECI
Ngjarjet e fundit gjermano-austriake, si përfundim i të cilave pat qenë aneksimi i pritur i Austrisë nga ana e Riech-ut [Gjermanisë], suall me vete një tok ndryshimesh politike dhe shoqërore, midis këtyre të fundit përjashtimin e elementit izraelit nga fusha e jetës gjermane përgjithërisht. Parimi i Hitlerit, ashtu sikundër parashtrohet prej tij në “Mein Kampf” dhe po zbatohet me paravendim të prerë qê prej ditës së ardhjes në fuqi të udhëheqësit të Gjermanisë, nuk njeh dhè tashi, me aneksimin e Austrisë, asnjë ndalim: edhe hebrenjtë austriakë duhet të ndjekin fatin, me fjalë të tjera fatkeqësinë e atyre të Gjermanisë vetë. Ata duhet të emigrojnë, të ikin. Të ikin me hir e pa hir, sa më parë, aq më mirë.
Në bashkëkeqardhjen e njerëzimit përpara këtij fakti të pandaluarshëm merr pjesë për veten e tij, një pjesëmarrje të mbushur plot dhembje dhe dashuri dhe nderim mirënjohjeje, gjithë populli shqiptar, në krye me Qeverinë, sepse fatkeqësia e izraelitëve të Austrisë godet kësaj here [shprehje e palexueshme] shumë dhe pa mëshirë një nga fytyrat më të [dashura dhe më] të veneruara të luftës së pavarësisë [së popullit] shqiptar, profesor Norbert Jokl-in të Universitetit të [Vienës, një albanolog i] madh i ditëve tona.
Në problemin e [shprehje e palexueshme] dhe të dëshpëruarshëm të lëvizjes shqiptare për pavarësi, në triumfin e gjithëpritur të aspiratave t’ona kombëtare, një rol kryesor për-krah me përpjekjet politike dhe kulturale, ka luajtur veprimi shkencor i albanologjisë, rrahja, me objektivitet dhe dashuri, e fenomeneve gjuhësore dhe ethnologjike mi Shqipërinë prej savantëve [dijetarëve] të huaj. Sikundër njohja e Greqisë së vjetër, njohje e ndërmjetësuar nga vëzhgonjës të palodhur, e riti simpathinë dhe pasonjësit [dhe] ndihmën europeane në epokën e çlirimit të Greqisë prej zgjedhës së huaj, ashtu dhe veprimi i shumanshëm i kërkimeve dhe studimeve të albanologjisë kontribuoi në mënyrën më pozitive për zgjidhjen e favorëshme, prej të fuqishmëve të botës, që i-u bë problemit të pavarësisë shqiptare. Prej Hahn-it ne Bopp-i, prej Meyer-it ne Weigand-i dhe ne Jokl-i, përpjekja indirekte e jona për të dalë në dritën e lakmuar të lirisë paraqit gjith aq aspekte, sa revendikimet dhe kombinimet e vështira midis kancelarive zotëronjëse.
Vepra e Jokl-it, vazhduar me qendrim nër dhjetëvjetore, konsiderohet me të drejtë si [kulmi?] i fundit i asaj paravajtëse të tij. Ideja iliriane i detyron vëzhgonjësit gjithë përforcime shkencore tashi të pakontestuarshme dhe me rëndësi që të mbajë më vete ay monument i Meyer-it në gjuhën shqipe, që sjell titullin e Fjalorit Etimologjik të saj, hipoteza e paravlerjes së elementit të huaj, e relevuar qê në fillim dhe me një ton konstatimi autoritar, për të mos thënë autoritativ, në hyrjen e librës, i lëkundte sadopak ndjenjat t’ona mê të njoma, me gjith mundësinë e dukur të një rishikimi të realitetit të vërtetë të faktit gjuhësor. Rishikimi dhe konfirmimi i këtij realiteti, të sbuluar mi themelin e ligjave striktërisht shkencore të disciplinës së gjuhës, i detyrohet me plot lavdi kërkimeve të profesor Jokl-it, si përfundim kryelartë i të cilave për ne është parapeshimi i elementit ilirian në fenomenet e gjuhës shqipe. Kësisoj Jokl-i rektifikon mi themelin ilirian hipotezat e pakonfirmuarshme të Meyer-it, dhe i mbështetur në përfundimet aq të frutëshme të kërkimeve të tija, aq gazmore [të gëzueshme] për ndjenjën shqiptare, shtje [vendos] tashti ay vetë themelet e reja të Fjalorit Etimologjik të shqipes, duke vazhduar me denjësi veprën kapitale të Meyer-it. Në kohën e fundit Jokl-i nuk ka patur tjetër qëllim, tjetër dëshirë mê të fundit të jetës së tij, përveçse pritjen e pensionimit [frazë e palexueshme] për të ardhur pastaj pa humbur asnjë ditë në Shqipëri, ku të mundi të kontrollojë, në vënd, dhe të verë në pikë [të saktësojë] disa vështirësira gjuhësore të Fjalorit, të plotësuar përfundimisht në pjesën më të madhe të lëndës.
Këtë qëllim i-a-u shfaqi prerësisht nxënësve dhe miqve të tij shqiptarë në Kryeqytet, me rastin e ardhjes për të marë pjesë në kremtimet e 25-vjetorit të Ngritjes së Flamurit. Një enthusiazmë i papërmbajtur, po i mbushur me ngrohtësirë të brëndëshme, i shoqëronte fjalët e mikut të ndritur, me të cilat pëlqente të japë lajmin e qëllimit të tij të arthmë shkencor në Shqipëri. Përkrahja që i dha, me prestigjin e emrit të vet, projektit të krijimit të një Instituti Albanologjije në Tiranë, rrëfen me punë se ay kalim rastor nëpër Shqipëri nuk mbeti ashtu, pa mê të voglën dobi të prekurshme.
Udhëheqja e këtij instituti duhet vënë tashi nënë kryesinë dhe kujdesjen personale të profesor Jokl-it, i cili ka për të qënë zemra dhe jeta e tij, ka për ta gjallëruar qê në fillim me vepërimin e palodhur qê e shquan kurdoherë. Për këtë barrë të rëndë dhe përgjigjësiplote ay ka gjithë cilësitë e kërkuara: kariera e tij universitare e mbyllur, atituta [niveli i lartë] shkencore dhe vëzhgimtare e fiksuar në parimet e veta, të cilat tashi, në Kryeqytetin e Vendit shqiptar, që ka qenë objekti rreth të cilit pat derdhur gjithë energjitë e një jete të tërë, presin dhe duhet të gjejnë sbatimin e duhur pemëprurës [fitimprurës]. Profesor Jokl-i ka për të organizuar, jo një institut me funkcionim administrativ, ku anëtarë savantë shkruajnë periodikërisht studime mi çështjet albanologjike, po një organ të gjallë, praktik, që vëzhgon dhe konstaton dhe vleftëson për ças [vazhdimisht] dhe hap pas hapi realitetet dhe fenomenet shqiptare në një Seminar Albanologjije, të cilit t’i mbetet pastaj për trashëgim vazhdimi i veprës së inauguruar prej themelonjësit dhe mjeshtrit të tij të math, në kohët që kanë për të ardhur dhe nënë trajtën eventuale të një Fakulteti të Letrave Shqipe. Vepër ndërtonjëse në besimin [kuptimin] mê të zgjedhur të fjalës, të përqëndruar në veçanëri në lëmën filologjike, gjuhësore dhe bibliotekare, dhe një nga detyrat mê të para të së cilës do jetë rimarrja e objektivave të “Komisisë Letrare“ për t’i nxjerrë në përfundimin e dëshëruar, organizimi i çështjes së folklorit dhe botimi definitif i Fjalorit Etimologjik. E tërë kjo punë, me një rëndësi dhe perspektivë sot për sot të pallogariturshme, nuk kërkon përveç se një shpërblim lëndor minimal, fare për të mos [u] vënë re, duke marë para sysh faktin se Jokl-i, që tret rregullisht siç ka tretur të ardhurat modeste të tija si profesor dhe bibliotekar për hirin e shkencës së tij të bukur, do jetë mirësisht i kënaqur, édhe tashi, vetëm me një onorar jetese që s’peshon, kënaqësija fisnike e tij do jetë siç ka qënë një gëzim lartësisht moral.
Kur aty përpara [pak] kohe bota shkencore kremtoi [nderoi] profesor Jokl-in, për meritimet e larta të veprës së tij, me gjithë rëndësinë dhe pjesëmarrjen e përzemërt që impononte rasti, edhe Shqipërija u mundua të sjellë kontribuimin e vet të administrimit dhe mirënjohjes me anën e pendës së një nga mê të denjësishmit nxënës dhe vazhdonjës të veprës shkencore të Jokl-it. Ky manifestim mirënjohjeje ka kuptimin e tij të veçantë, sepse është për të parën herë që në kremtimin e një mirëbërësi të çinteresuar [të pa interes] të Shqipërisë, kjo nuk desh të mbetet dhe aq shumë prapa botës: shënjë bindëse e ndjenjës shqiptare për Jokl-in, se fytyra e ndritur e tij Shqipërisë i qëndron për zemre, me gjithë frymën dhe vështirësitë qarkonjëse të kohës [frazë e fshirë: duket se rievokohet fryma e përshkruar në hyrje të artikullit].
Jo, Shqipërija nuk e le mënj’anë me mospërfillje mirëbërësin fisnik të rritjes së emrit të saj në botën e kulturuar, nuk mund ta lerë tashi, pikërisht tashi, kur ai gjendet në dispozicion të lirë, gati për t’i shërbyer si gjithnjë Shqipërisë, Atdheut të tij të dytë 9 [Fjalia është shkruar mbi një frazë të fshirë, ku kuptohet se përsëri është ripërmendur rreziku që i pret izraelitët me ngjarjet austro-gjermane]. Nuk e harron, sikundër ay gjith Atë [Shqipërinë], një jetë të tërë, jetën e çmuar të djalërisë, burrërisë dhe pleqërisë së tij, ka patur ndërmënd, gjith për të drejtën, për nderin, për fatin e saj ka derdhur zellin e vëzhgimtarisë së tij së papërtuarshme, në librat e tij shkencore, në periodiket e specialitetit, në leksionet enciklopedike, nër broshurat, revistat dhe fletoret shqiptare, duke i mbushur të gjitha me dashurinë e shumtë për vëndin e shqipes, Atdheun shpirtëror të mundimeve të tija.
Dhe profesor Jokl-i nuk vjen kësaj here në Shqipëri, ashtu, me duar zbrazur. Ay sjell me vete, si shënjë nderimi dhe falënderimi, një kanisk [tufë, buqetë] të paçmuar: sjell bibliotekën e tij private të pasur, prej përmi tri mijë volumesh, të gjitha rreth çështjeve dhe problemeve të shkencës së tij [të bukur], në thelbin e së cilës qëndron shkenca e vështirë mi gjuhën dhe kombin shqiptar, po së cilës ay mundi t’i japë një interes universal të përtëritur. Kështu vjen Dr. Norbert Jokl-i në Shqipëri, Këshilltar i Oborrit Austriak, Profesor i Universitetit të Vienës, Albanologu mê i math i ditëve t’ona, kështu e pret Shqipërija, me përulje nderimesh dhe shpërblimesh lëndore, po kryelartë për dashurinë mirënjohëse që i ruan në zemrën e saj.
Lasgush Poradeci
Tiranë, 22 maj 1938
1. Në dorëshkrim autori ka shënuar si tituj të mundshëm të artikullit edhe: a). “Përzënija e profesor Jokl-it dhe Shqipërija“; b). “Profesor Jokl-i dhe shërbimet që mund t’i sjellë Shqipërisë“; c). “Profesor Jokl-i gat_ për t’i shërbyer Shqipërisë”. Asnjëri prej këtyre titujve nuk është “vive” i plotë prej autorit. Poradeci ka vënë vijë mospëlqimi mbi to. Titulli i zgjedhur në rastin e këtij botimi është më i paprekuri prej vijës.
2. Zëvendësuar nga autori: “disa“.
3. Redaktuar nga autori në formën: “si rrjedhje e të cilave gjendet në heqjen e elementit ...“.
4. Këtu: “më, ende, akoma“.
5. Të vihet re që autori asnjëherë nuk përdor etnonimin pejorativ “çifut“.
6. Të dy paragrafët e parë në redaktimin përfundimtar, ndoshta nga redaksia, janë hequr.
7. Këtu. Mbivlerësimit.
8. Këtu: vlerësimi me peshë kryesore.
9. Në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar, duke parandjerë rritjen e frymës së antisemitizmit dhe rrezikun që po kërcënonte hebrenjtë, në një mbledhje të posaçme Lidhja e Kombeve, me qendër në Gjenevë, pati diskutuar për zgjedhjen e një rajoni të sigurt mikpritës dhe miqësor për evakuimin e izraelitëve, dhe Shqipëria qe shpallur thuajse zyrtarisht një “atdhe i dytë” i tyre. Ndoshta për autorin ishte i njohur ky fakt dhe këtu shprehja nuk përdoret si figurë.
__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|