edzaloshnja
Anetar i regjistruar
Regjistruar: 30/09/2003
Vendbanimi: SHBA
Mesazhe: 83
|
Qivuri i profecisë së Marksit
Nga EDUARD ZALOSHNJA
Në thelb të teorisë së revolucionit komunist të Marksit qëndronte parashikimi se kapitalistët në vëndet e industrializuara, të udhëhequr nga dëshira për të maksimizuar fitimet e tyre, do ta varfëronin aq shumë proletariatin saqë atij nuk do t’i mbetej alternativë tjetër veç shkatërrimit të sistemit kapitalist nëpërmjet revolucionit. Siç tregoi historia, ky parashikim i Marksit doli i gabuar. Kapitalistët, ku më shpejt e ku më vonë, e kuptuan se shfrytëzimi maksimal i punëtorëve, ndërkohë që ishte i frytshëm momentalisht, mund të kthehej në një bumerang të rrezikshëm në qoftë se vazhdonte pafundësisht.
Si rezultat i këtij realizimi, kapitalistët në vendet e industrializuara u bënë gjithnjë e më të përgjegjshëm për mirqënien e punëtorëve, dhe më dëgjues ndaj kërkesave të sindikatave dhe partive politike të afërta me to. Ky evolucion i mënyrës se si ata e trajtuan klasën puntore ka bërë që sot, një shekull e gjysëm pasi u propozua nga Marksi, revolucioni komunist të futet përfundimisht në qivurin e historisë në këto vende.
Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për vendet e tjera. Në Amerikën Jugore dhe Azinë Juglindore, ka grupe që teorinë marksiste të revolucionit, të modifikuar në shekullin e 20-të nga Lenini dhe Mao, akoma e konsiderojnë si biblën e tyre. Dhe këto grupe kanë mbështetje jo të pakët nga shtresat e varfëra, të cilat vazhdojnë të varfërohen nga shfrytëzimi makut i shtresave të pasura.
Më gjërë në botë, rreziku i virusit komunist, sado i vogël sot për sot, ngelet gjithnjë ekzistent në ato vende ku shtresat e pasura nuk kanë nxënë nga eksperienca e vendeve të industrializuara. Dhe, fatkeqsisht, në këtë grup, futet edhe Shqipëria.
Pavarsisht se shqiptartët kanë kaluar tashmë një formë të rëndë të sëmundjes që shkakton virusi komunist, nuk mund të quhen të imunizuar plotësisht ndaj tij për sa kohë që të pasurit synojnë maksimizimin e fitimeve personale në kurriz të varfërimit të mëtejshëm të bashkështetasve të tyre. Rritja e elektoratit të partive të vogla komuniste në zgjedhjet e fundit, sado e vogël në magnitudë, është një tregues i aftësisë që ka virusi komunist për të penetruar te njërzit që nuk shohin dritë në fund të tunelit.
Që një revolucioni të tipit komunist t’i vihet përfundimisht kapaku i arkivolit edhe në Shqipëri, duhet që shtresa e re kapitaliste të ndërgjegjsohet se përmirsimi i jetesës së shtresave të varfëra është në fund të fundit edhe në të mirën e saj. Deri më sot, kjo shtresë, e cila ose është pjesë e klasës politike, ose është e lidhur ngushtë me të, ka treguar një dritëshkurtësi që mund të ketë pasoja katastrofike në vitet që vijnë.
Kështu, politikanët që janë bërë kapitalistë, ose kapitalistët që janë bërë politikanë apo kanë lidhje të ngushta me politikanët, mendojnë si e si të maksimizojnë të ardhurat personale, qoftë edhe në mënyrë të paligjëshme, ndërkohë që nuk kujtohen të shohin ç’bëhet poshtë tyre. P.sh., ata nuk kujtohen të shohin se listat e blerjes së bukës veresie nga të varfërit rriten çdo ditë; nuk kujtohen të shohin se të varfërit nuk kanë me çfarë të ngrohen e ndriçohen; nuk kujtohen të shohin se në ç’shkolla shkojnë fëmijët e të varfërve; nuk kujtohen të shohin se sa katastrofik është për të varfërit një shtrim në spital; nuk kujtohen të shohin se shumë vajza shqiptare shtrëngohen të prostituohen nga varfëria; nuk kujtohen të shohin se… Dhe lista mund të vazhdojë gjatë.
Në qoftë se klasa aktuale politiko-kapitaliste shqiptare vazhdon edhe për ca kohë të mos kujtohet t’i shohë këto gjëra, nuk duhet të befasohet nga dalja eventuale e një force politike të aftë për të adresuar problemet e shqiptarëve të varfër. Po ta dojë fati, kjo forcë do të jetë me orientim liberal-demokrat. Dhe në këtë rast, Shqipëria do të ndiqte shëmbullin e vendeve europiano-perëndimore. Në të kundërtën, do të pësonte fatin e Venezuelës…
__________________
Mos i bej te tjereve ate qe nuk deshiron ta bejne te tjeret ty!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|